Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Dje më mori në telefon vajza e hallës nga Italia dhe më tha se daja i saj dhe xhaxhai im është shumë keq. Kisha folur me të ndofta një muaj apo diçka më parë. Më mori ai. Lidoçka si je, më tha. Mirë jam xhaxhi, ia ktheva. Më fal, që nuk të kam marrë në telefon, por do ta ndreq gabimin. Të dua shumë, i thashë prapë. E di më tha, dhe qeshi. Kështu e mbaj mend gjithë jetën, me fytyrë të qeshur, energjik dhe gjithë shpresa.
Duke mos dashur që ta besoja vajzën time të hallës, i rashë menjëherë telefonit te xhaxhi. Më doli vajza e tij. E pyeta për xhaxhin tim. Më tha është keq. Po si është keq e pyeta, si është e mundur. Po më tha, rënkon natë e ditë. Nisa të dënes në telefon. Brenda një çasti m’u kujtua gjithë jeta.
Xhaxhai im, i treti nga katër djemtë e Kryeimamit Demir Skënderi, kishte studjuar për mbrojtje kundërajrore në Odesë. Aty ishte lidhur me një vajzë hebreje dhe patën një djalë, Aleksandrin. Por prishja e marrëdhënieve e ktheu xhaxhin në Shqipëri vetëm. Ai filloi punën në Durrës, në repartet ushtarake kundraajrore. Kur isha e vogël më merrte ndonjëherë me vete në repart. Ishte punëtor i madh dhe njeri shumë i ndershëm.
Në vitin 1976 na vdiq gjyshja. Tim atë e kishin përjashtuar nga partia më 1974. Pasi e pushuan nga puna,ne na internuan në një fshat të humbur rrëzë Dajtit, ku shpëtuam rastësisht, por nuk na u ndalën kurrë torturat, të detyruar të jetonim në një shoqëri që ushqehej me dramat e bashkëkombësve. Mezi prisnin që të shpallej ndonjë armik i popullit dhe të ngopeshin, tamam si një shoqëri vampire, që jetonte me gjakun e familjeve shqiptare që vuanin. Ky ishte gjyqi i dytë që i bëhej tim eti, pas atij të 1966 kur e përfshinë në grupin antiparti të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë dhe e dërguan pesë vjet për riedukim në Hidrocentralin e Vaut të Dejës si punëtor, duke ia hequr të drejtën e shkrimit dhe botimit. Përveç të tjerave, babin e akuzuan edhe si “nacionalist”, sepse kur e pyetën për Kosovën, u tha se “Kosovën e mban gjithnjë në zemër”.Por kalvari i 1974 ishte larja e fundit e hesapeve që shteti diktatorial ndërmerrte kundër tij dhe familjes, të përbërë nga tre veta, ai, im më dhe unë.
Siç ju thashë, më 1976 na vdiq gjyshja dhe im atë e xhaxhai u takuan gjatë ceremonisë të varrimit nën praninë e kolegëve ushtarakë të xhaxhait tim. Ky takim midis dy vëllezërve në mortin e nënës të tyre u konsiderua krim dhe xhaxhain tim e përjashtuan menjëherë nga partia e pak më vonë do ta lironin nga ushtria si i padenjë.
Por ai nuk u dorëzua dhe bëri gjithçka të mbijetonte bashkë me buzëqeshjen e tij që nuk iu shua kurrë. Me babin ishin vëllezër dhe miq të ngushtë. Duheshin shumë. Kur e liruan nga ushtria ai filloi të mblidhte bime mjekësore. Kur u përmbys diktatura punoi si shitës ambulant afër plazhit të Durrësit. Shiste çadra dielli, banane dhe gjithçka.
Gjithmonë buzëqeshur me shpresë se demokracia do t’i buzëqeshte atij dhe gjithë shqiptarëve. Ishte njeri i kulturuar dhe një nga mbështetësit vullnetarë të PD-së, që trokiste derë më derë, pa u lodhur kurrë. Asnjëherë nuk përfitoi gjë. Edhe pensionin si ushtarak, në mos gaboj, e ka marrë vetëm përpara një viti, por nuk jam e sigurt. E bija e vetme pa punë ishte dhe papunë ka mbetur.
Sa herë që ndonjë shkrimi i Skënderit dhe imi botohej në Tiranë, ai na merrte në telefon dhe na shprehte kënaqësinë e tij. Na thoshte shkruani më shpesh. I thoshim se ne shkruajmë por atje nuk na botojmë. Dhe përgjigja e tij ishte ajo qeshja, nën ata sytë e bukur të kaltër ku fshihej drama e një njeriu të ndershëm dhe e miliona shqiptarëve.
Tek ne ndoshta kishte patur shpresë se do ta ndryshonim botën, por asnjëherë nuk u ankua dhe nuk na tha se kishte mbetur i zhgënjyer prej nesh. Vetëm më thoshte se e kishte zënë malli. Lidoçka mos na harro, më thosh. Po si të të harroj Xhaxhi, po unë të dua si Babin, ia ktheja, me gjithë shpirt.
Dhe kjo bisedë zgjati 18 vjet që ne jemi larg Shqipërisë, një largësi fizike që nuk na ka lejuar të përqafojmë njerëzit tanë, që me kalimin e kohës shuhen një e nga një. E mallkoj politikën me gjithë shpirt, që u shkaktoi njerëzve drama të tjera sikur të mos kishte mjaftuar diktatura. Por mallkimet e mia nuk e shërojnë dot Xhaxhain tim të shtrenjtë. Mallkimet e mia nuk e kthejnë pas kohën – 18 vite nuk i kthejnë pas – që ne të nisnim bashkë bisedën aty ku e kishim lënë.
Tani xhaxhi im ndodhet në shtratin e vdekjes. Ndofta Zoti bën mrekulli dhe e kthen mbrapsht nga rruga ku do të shkojmë të gjithë. Ndërsa unë do të desha që të kisha fuqi të tillë aq sa ai të më dëgjonte, kur t’i thosha, xhaxhi Skënder të kam dashur shumë, sa babin. Dhe e di se ai do të ma kthente me buzëqeshjen e tij të mrekullushme. E di Lidoçka, e di!
Archives for April 2014
VOTATA NUK BLIHEN VETEM NE SHQIPERI
Prokuroria rumune akuzon deputetin për blerje votash me pula!/
Prokuroria Antikorrupsion e Rumanisë kërkoi sot arrestimin e një deputeti të opozitës, të krahut të djathtë, nën akuzën për përpjekje të blerjes së votave me 70 ton pula.
“Gjatë vitit 2012, Florin Popescu përdori influencën e tij si president i një filiali të degës së një partie politike për t’i kërkuar drejtorit të një shoqërie tregtare 60 deri në 70 ton pula me vlerë rreth 90 mijë euro për t’ia shpërndarë qytetarëve për qëllime elektorale”, saktësoi prokuroria në një komunikatë.
“Më akuzojnë se kam kërkuar produkte ushqimore, por nuk ishte drogë”, u shpreh Popescu, cituar nga agjencia e lajmeve “Mediafax”, në dalje të seancës dëgjimore.
Prokurorët kërkuan arrestimin e tij, por ky akt do të ndodhë nëse deputetët bien dakort t’i heqin imunitetin.
Gjykata rumune ka ndërmarrë prej disa vitesh një luftë kundër korrupsionit në nivele të larta, natyrisht atyre politike. Shumë zyrtarë të lartë mes së cilëve edhe ish-kryeministri Adrian Nastase vuajnë aktualisht dënime me burg pasi janë cilësuar fajtor për çështje korrupsioni.
Komisioni Evropian e ka vendosur Rumaninë dhe Bullgarinë nën mbikëqyrje me synim që të forcojnë luftën kundër këtij fenomeni.(Ne foto: Deputeti Popescu)
Familja Vlora, kontribut të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë
-Intervistë e Harilla Koçi me zotin Darling Vlora/
Darling Vlora, është pinjoll i familjes Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Vlorës. Prej vitit 1998, ai jeton e punon në veri të Italisë, por lidhjet me vendin e vet nuk i ka ndërprerë asnjëherë. Udhëton shpesh në Shqipëri dhe mban kontakte të rregullta me emigrantët shqiptarë në Lombardi e më gjerë. Në një intervistë për ATSH-në ai tregon se ka lindur në Tiranë, më 1967 dhe është djalë i Ismail Vlorës (1920-1990) dhe Esma Hurshitit (1926-2012). I ati ishte djali i madh i Qamil bej Vlorës (1895-1950) dhe Ylvije Dyrmishit (1900-1972), ndërkohë që Qamil bej Vlora ishte djali dhe fëmija më i vogël i Ismail Qemal bej Vlorës. “Lindur më 1920 (një vit pas vdekjes së Ismail beut) im at pati fatin të trashëgonte emrin e nderuar të gjyshit të tij”, tregon mes të tjerash Darlingu.
Darling Vlora i ka kryer studimet e mesme në Tiranë, por për motive politike nuk mundi dot të vazhdonte studimet e larta. “Duket çudi por fakti është që djali i Ismail beut (pra gjyshi im), u dënua me burgim gjatë viteve të para të regjimit diktatorial, të njëjtin fat, edhe pse për pak kohë, pësoi edhe babai im dhe kështu, në forma nga më të ndryshmet, lufta e klasave vazhdoi edhe tek ne”, tregon zoti Vlora, ndërkohë që shton se, “kam marrë pjesë që në demostratat e para kundër regjimit totalitar, në mitingjet dhe në demostratën e 20 shkurtit 1991, ku u rrëzua përmendorja e diktatorit Hoxha”. Edhe pse kishte dëshirën që të jetonte në Shqipëri, më 1998, pas 6 viteve nënpunës pranë Komitetit Shtetëror të ish-të Përndjekurve Politikë (ku gjatë kësaj periudhe ndoqi edhe Fakultetin Juridik), u largua nga Shqipëria bashkë me gruan dhe djalin e posalindur.
Në intervistën e tij ai bën një përshkrim të kontributit të familjes Vlora në historinë e Shqipërisë, ndërkohë që vlerëson vendimin e Qeverisë për kthimin në Atdhe të eshtrave të Eqrem Bej Vlorës.
1. Ditë më parë, ju ishit i pranishëm në ceremonitë zyrtare të rivarrimit të eshtrave të Eqerem Bej Vlorës. Në këtë rast, prania juaj, lidhej me atë në nderim të një personaliteti të letrave shqipe, të historisë sonë, apo të një prej paraardhësve të familjes Vlora, pinjoll i së cilës jeni?
– Prania ime në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të kthimit të eshtrave në atdhe të Eqrem bej Vlorës padyshim që, në radhë të parë, lidhet me faktin e përkatësisë familjare. Unë e kam ndjekur nga afër të gjithë procesin e përgatitjes së kthimit të eshtrave, deri në realizimin e tij dhe isha prezent në Shqipëri për të nderuar kujtimin e një pinjolli të shquar të familjes Vlora, ku kam nderin të bëj pjesë, por njëkohësisht edhe për të nderuar kujtimin e një figure të shquar të historisë sonë, në shumë aspekte. Eqrem bej Vlora ka qenë dhe do mbetet jo vetëm një personalitet i shquar i letrave shqiptare por një patriot, një njeri që atdheun e tij e ka dashur aq shumë.
2. Në këndvështrimin tuaj, si do ta vlerësonit ju Eqerem bej Vlorën dhe faktin që, 50 vjet pas vdekjes eshtrat e tij u sollën dhe u rivarrosën në Shqipëri me një ceremoni shtetërore?
-Eqrem bej Vlora, me dritëhije që dikush ia atribuon e dikush jo, është një figurë e shquar e historisë sonë kombëtare, me një kontribut të jashtëzakonshëm dhe mjaft të gjerë. Që i ri spikati në fushën e diplomacisë dhe letrave ku, sidomos në këtë të fundit, trashëgimia që na ka lënë e që akoma nuk është e njohur krejtësisht, është mjaft e madhe.
Fakti që eshtrat e tij u sollën në atdhe 50 vjet pas ndarjes nga jeta, nuk përbën ndonjë veçanti sa përbën fakti që ky veprim u realizua me një vendim qeveritar. Ka patur reagime sikur nëpërmjet këtij vendimi indirekt është «rehabilituar» figura e Eqrem bej Vlorës, gjë që është krejt absurde, pasi në radhë të parë, nuk ka çfarë të rehabilitohet ndërsa nga ana tjetër vetë vendimi i Këshillit të Ministrave flet mjaft qartë duke theksuar se ky vendim është marrë për vlerësimin ndaj kontributit të Eqrem bej Vlorës në letrat shqiptare.
Unë mendoj se me këtë veprim, pra me vendimin që Qeveria aktuale morri për të kthyer në atdhe eshtrat e Eqrem bej Vlorës, tregoj një pjekuri politike, duke përcaktuar fare qartë në vendimin e saj edhe motivin, pra duke bërë kështu një diferencim mbi një kontribut të pakundërshtueshëm e mbi atë ç’ka akoma, për disa, mund të jetë argument i tepërt e i kotë polemike.
3. Historia sjell edhe një fakt: kundërshtitë që kanë pasur mes tyre, në momente të caktuara, Ismail Qemal bej Vlora dhe Eqerem bej Vlora. Cili do të ishte komenti juaj për këtë?
-Midis vlorajve ka patur edhe kundërshtime dhe kjo është mëse normale. Megjithatë kjo nuk do të thotë që midis tyre ka patur armiqësi. Ky fenomen brenda vlorajve konfirmon thjesht faktin se mendimi i kundërt, ose më mirë të themi mosbashkëpunimi, është një e drejtë absolute e kujtdo. Nuk kishte pse të ndodhte që, duke qenë pinjollë të së njëjtës familje, ata duhet patjetër t’i mendonin gjërat njësoj. Kush mund të kenë qenë pasojat e këtij mosbashkëpunimi apo rivaliteti, kjo pastaj është diçka tjetër.
4.Si pinjoll i nderuar i familjes Vlora, cili është mendimi juaj: a është vlerësuar siç duhet dhe a është bërë mjaftueshëm për të nderuar figurën dhe rolin e Ismail Qemal bej Vlorës në historinë e Shqipërisë?
-Duke njohur mjaft mirë kontributin e vlorajve në historinë e Shqipërisë, sepse këtë njohje ma lehtëson shumë edhe fakti i të qenurit pinjoll i familjes, mund të them se roli i Ismail Qemal bej Vlorës në historiografinë tonë nuk e ka marrë akoma, por po e merr, vlerësimin e duhur, e po ashtu edhe vlorajt e tjerë.
Kjo padyshim lidhet shumë me faktin se Shqipëria, në 100 vjet shtet, nuk ka patur aspak një jetë të qetë politiko-shoqërore, por një jetë mbushur me ndryshime rrënjësore e periudha krejt të kundërta ideologjikisht. Nga një periudhë e vështirë e viteve të para të pavarësisë u kalua në Luftën e Irë Botërore; nga një mbretëri 10-vjeçare, në një pushtim të huaj; nga një Luftë e IItë Botërore në instalimin e një regjimi totalitar, e më pas një periudhë postkomuniste, që herë-herë ngjan me një tranzicion të pafund. Pra, në një jetesë të tillë, është e vështirë të mendohet për pozicionim figurash dhe rolesh historike. Megjithatë edhe pse figura e Ismail Qemalit gjatë gjithë këtyre periudhave asnjëherë nuk është luftuar nuk do të thotë që është vlerësuar. Megjithëse, kohët e fundit, sidomos që nga pragu i 100-vjetorit, figura e tij ka filluar të marrë pak nga pak atë ç’ka i takon. Në këtë drejtim më pëlqen të shpreh falenderimet e mia për vendimin që morri qeveria aktuale, që në ditët e para të saj, duke vendosur portretin e Ismail Qemal bej Vlorës në institucionet shtetërore. Prania e portreteve, monumenteve, data përkujtimore, etj., bën që figurat historike t’i kemi gjithmonë pranë, të reflektojmë, të mësojmë prej tyre e, mbi të gjitha, të mësohemi t’i respektojmë e nderojmë kujtimin dhe veprën.
5. Në festimet për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, a u vlerësua me dimensionet e nevojshme figura e Plakut të Pavarësisë?
-Një veprim i përkryer është gjithmonë vështirë të realizohet. Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë ndoshta u bë më pak nga çduhej bërë, ndoshta mund të bëhej më shumë, por ja që e përkryera nuk ekziston. Megjithatë mendoj se e rëndësishme është që roli i Ismail Qemal bej Vlorës, më tepër se u vlerësua apo jo, filloi të rikthehej në dimensionin e tij. Një histori e njohur mirë është dritë për këdo. Dhe kjo dritë filloi të përhapej nëpërmjet botimeve pafund, nga të cilët unë do veçoja punimin e Ilir Ikonomit: “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”; nga bustet që u vendosën në Kaninë, Vlorë, Tiranë, Durrës, etj.; nga emisionet e ndryshme televizive, ku me mjaft interes ishte edhe dokumentari «Ismail Qemali që nuk kemi njohur», i gazetarit Roland Qafoku; nga ekspozitat, siç ishte ajo e piktorit Arben Morina i cili, në ambientet e Kryeministrisë, paraqiti portretet e të gjithë firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë; artisti Eltjon Valle realizoi një portret të Ismail Qemal bej Vlorës, portret i cili u përzgjodh nga gazeta e njohur “Dielli”» e shqiptarëve të New Yorkut për t’u vendosur në kopertinën e saj, pikërisht në muajin nëntor 2012; Nga ana tjetër, në një këndvështrim familjar, ne pasardhësit e Plakut të Pavarësisë, ishim të ftuar në festimet zyrtare, prezencë që, deri në atë kohë, na kishte munguar thuajse krejtësisht.
6. Në një këndvështrim tjetër, cili është vendi që zë në histori familja Vlora?
-Familja Vlora në historinë e Shqipërisë zë një vend mjaft të rëndësishëm.
Historia e saj është e do jetë pjesë e pandarë e Historisë së Shqipërisë duke filluar, të paktën, që nga fillim shekulli XIX, kur një nga më të shquarit pinjollë të saj, Ismail bej Vlora, njëkohësisht ndër të parët shqiptarë të atij shekulli, kundërvënien ndaj Perandorisë Osmane do ta paguante me kokën e tij, më 1829. Më pas kontributi i vlorajve vazhdon me rolin e tyre në kryengritjet kundër Perandorisë, sidomos në kryengritjen kundër reformave të tanzimatit (1847), ku spikatën Mahmud bej Vlora dhe Selim pashë Vlora, për të vazhduar në Lidhjen e Prizrenit (1878), me Mustafa pashë Vlorën, anëtar i Kryesisë së Lidhjes; në periudhën e Pavarësisë, ku, përveç Ismail Qemal bej Vlorës, spikatën Syrja bej Vlora, Eqrem bej Vlora, Et’hem bej Vlora, Qazim bej Vlora, etj.; në vitet e para të konsolidimit të shtetit shqiptar, ku shquhen Nuredin bej Vlora, Qamil bej Vlora, etj. Njëkohësisht vlorajt, pa përjashtim dhe në bllok, mbajtën një qëndrim të prerë kundër regjimit totalitar. Përveç burgjeve që ata provuan, siç është edhe rasti i Qamil bej Vlorës (djalë i Ismail Qemalit), midis vlorajve kemi edhe një martir, dhe ky është Riaz bej Vlora, i cili vdiq nga torturat, gjatë hetuesisë, në gusht të vitit 1948. Pra familja Vlora zë një vend të rëndësishëm për kontributin por edhe për prezencën e saj në një kohë relativisht të gjatë në shërbim të interesave të atdheut
Shkodra nderon studjuesin Willy Kamsi
Nga Gaspër Marku/ – “Një jetë me librin dhe për librin” ishte aktiviteti që Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, në bashkëpunim me Biblioteken Universitare dhe Institutin e Studimeve Albanologjike, organizuan në detikim të studiuesit Willy Kamsi, këtij intelektuali të njohur shkodran, i cili punoi gjithë jetën në Bibliotekën e Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër. Aktiviteti u shoqërua me kumtesa të shumta nga pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, si dhe drejtuesit e bibliotekes Universitare dhe asaj “Marin Barleti”, ndërkohë që për pjesëmarrësit u dha edhe një montazh fotografik mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij studiuesi.
Drejtorja e Bibliotekës Universitare të Shkodrës, Alida Luka, vlerësoi kontributin e Willy Kamsit si punonjës i bibliotekës sidomos në pasurimin e fondit albanologjik, duke mbetur kështu një pikë e rëndësishme referimi për studiuesit. “Përmes këtij aktiviteti synojmë jo vetëm të shpalosim vlerat e kësaj figure, por edhe t’i shprehim mirënjohjen tonë”, theksoi Luka. Ajo tha se Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike, ka botuar një seri artikujsh, si dhe ka përkthyer disa vepra. Ndërkohë, me ardhjen e viteve të demokracisë, Willy Kamsi emërohet në vitin 1993 Ambasador i Parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë të Vatikanit, ku e përfaqësoi me shumë dinjitet vendin tonë.
Ne kumtesen “Vepra “Saggi di Letteratura Albanese” e Ernest Koliqit, përmes përkthimit të Willy Kamsit”, Prof. Dr. Fatbardha Hoxha e renditi Willy Kamsin ndër bibliografët më në zë të Shkodrës, krahas J. Kastratit, M. Qukut, T. Osmanit, Nj. Kazazit, P. Kotrrit, M. Geros dhe Gj. Çunit. Ndërsa, Drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti”, Gjovalin Çuni, në kumtesën e tij “Një vështrim mbi studimet filologjike të Willy Kamsit”, theksoi se “Kamsi nuk është thjesht një shfrytëzues literature, por në të njëjtën kohë është edhe krijues i bibliografive tematike, që përbëjnë një bazë të rëndësishme për çdo albanolog”.
Hapet Festivali i Librit dhe Artit Pamor në kryeqytet
Ky festival do të gjenerojë edhe dy çmime, ku autori i vitit do të nderohet me çmimin “Ardian Klosi” dhe puna më e mirë në artet pamore do të nderohet me çmimin “Danish Jukniu”/
Nga Gjergji Mima/ – Te Merkuren pasdite u hap Festivali i Librit dhe Artit Pamor, në mjediset e Muzeut Kombëtar, ku Ministria e Kulturës është pjesëmarrëse me nismën e saj më të re, “Një kafe dhe një libër”, që ka synim krijimin e hartës së kafeve letrare në kryeqytet.
Sipas MK, krijimi i kësaj harte mbetet një sfidë, por duke parë interesin në rritje të disa bareve në Tiranë që po përpiqen të nxisin të rinjtë drejt librit apo aktiviteteve të kësaj natyre, mendohet që është koha e duhur për t’iu ofruar partneritet dhe kësisoj për të nxitur këtë prirje të shëndetshme për kulturën shqipëtare në përgjithësi dhe për librin dhe lexuesin në veçanti.
Synimi i vërtetë është nxitja e të rinjve drejt një kohe të lirë aktive e sidomos të angazhuar me kulturën e librit, ku përfshihen promovime autorësh, përkthyesish, botuesish, editorësh, lexime publike me aktorë apo me vetë protagonistët e letërsisë. Kjo do të rriste potencialisht edhe rolin e kafeve të tilla si streha lexuesish dhe shkrimtarësh të rinj premtues, që mund të nxiten, sikundër e ka treguar përvoja europiane dhe botërore e letërsisë, nga një klimë e tillë pozitive ndaj artist dhe letërsisë.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, hapi festivalin, që është i pari në radhë nga seria e projekteve të mbështetura nga Ministria e Kulturës për vitin 2014. Ministrja Kumbaro përmendi disa nga panairet e mbështetura nga MK si, Panairi i Nëntorit 2013, Panairi i Leipzigut 2014 etj. Sipas saj, “e bukura e këtij festivali është se fjala bashkohet me vështrimin”.
Ministrja Kumbaro gjithashtu ka pergëzuar shoqërinë e librit që sot hapi skenën për “fëmijët nga mosha 5 deri në 9 vjeç”, me imazhin, fjalën dhe portretet e njerëzve të shquar të letrave e artit duke filluar me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare.
Sipas MK, Festivali i Librit dhe i artit” quhet ngjarja e madhe kulturore, që u hap sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Një aktivitet me përmasa të mëdha që përfshin dy fusha tejet të rëndësishme të kulturës: artet pamore dhe botimet shqiptare, i cili do të zgjasë 4 ditë, deri më 27 prill.
Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, që nisi të ekzistojë dy vjet më parë, nën drejtimin e të ndjerit e të mirënjohurit Ardian Klosi, me pjesëmarrjen e disa prej botuesve më seriozë shqiptarë: shtëpia botuese “Toena”, Instituti i dialogut dhe Komunikimit, “Skandërbeg Books”, “Omsca”, “Kuteli”, botimet “Dudaj”, “Botart”. Në këtë panair janë ftuar të gjithë botuesit shqiptarë, të Kosovës e Maqedonisë. Më shumë se 45 botues do të paraqiten në këtë festival me librat e tyre, autorët e promovimet.
Pjesa e arteve pamore, e pagëzuar me emrin artistik “Pamur”, do të kurohet nga profesor Vladimir Myrtezaj. Tema e arteve pamore është “Një galeri, një autor”. Të gjithë korentet artistike në vendin tonë dhe Kosovë do të kenë mundësi të shfaqen në Tiranë. Janë parashikuar gjithashtu disa njolla të tjera artistike në aktivitet që do të gjejnë vend brenda hapësirave ku do të zhvillohet ngjarja, si p.sh grupe muzikore të rinjsh liceistë, apo një festival i poezisë. Qëllimi kryesor është t’i japet sa më shumë jehonë, duke ftuar të gjithë njerëzit, të të gjitha moshave e gjinive, të vizitojnë në këtë Festival, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili pritet të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme, që nga ato të artit pamor, animime muzikore e deri te forumet për letërsinë, promovime librash, lexime nga aktorë.
Ky festival do të gjenerojë edhe dy çmime, ku autori i vitit do të nderohet me çmimin “Ardian Klosi” dhe puna më e mirë në artet pamore do të nderohet me çmimin “Danish Jukniu”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 12
- 13
- 14
- 15
- 16
- …
- 70
- Next Page »