• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

HIPOKRIZIA E POLITIKËS BOTËRORE

April 30, 2014 by dgreca

“Është kërcënimi më i madh që i bëhet sigurisë që nga koha e luftës së ftohtë”/
Anders Fogh Rasmussen (Sekretar i përgjithshëm i NATO-s)/
Nga Eugjen Merlika/
Ka të ngjarë që viti 2014 të mbetet në historinë botërore si “viti I Ukrainës”. Kjo ish republikë e BRSS, dhe sot shtet i pavarur që shërben si një jastëk ndarës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse, ka më shumë se katër muaj që ka pushtuar faqet e para të gazetave të mbarë botës. Me emrin e saj lidhet sot për sot e ardhmja e marredhënieve të Rusisë me Perëndimin.
Duket sikur, befasisht në mënyrë të rrufeshme, kohët historike të botës së vjetër janë kthyer mbrapa, kur merreshin vendimet në tryezat e diplomacisë së Fuqive të Mëdha mbi fatet e popujve e të Vendeve të kontinentit. Është i dukshëm fakti se një e katërt shekulli demokracie në hapësirat e tij, nuk ka qenë i mjaftueshëm për të rivendosur klimën e qëndrueshme të besimit të ndërsjelltë mes Rusisë e pjesës tjetër t’Evropës. Ndryshimet vullkanike të vitit 1989 i shfytyruan projektet globale të përcaktuara në Jaltë nga krerët fitues të luftës së dytë botërore. Tërmeti që pasoi qe vendimtar, jo vetëm për të përligjur shëmbjen e një sistemi shoqëror, i cili nuk ishte më në gjëndje të garonte me kundërshtarët e tij për hegjemoni botërore, por edhe për të nxjerrë në shesh dobësinë e theksuar të njërës superfuqi, Bashkimit Sovjetik, që e pa veten të copëtuar, të pafuqishëm, të deklasuar në të gjithë treguesit ekonomikë, politikë, ushtarakë, ashtu sikurse në pohimin e vlerave demokratike. Sa hap e mbyll sytë Rusia mbeti e vetme mbasi 15 republikat e tjera, që së bashku përbënin “kështjellën e pamposhtur të socializmit” në botë, u vetëshpallën shtete të pavarura. Qe ai çasti i bing-bangut t’asaj pjese të botës, që do të niste nga zeroja rrugën e saj në një kuadër botëror në ndryshim të shpejtë e të vazhdueshëm. Në nënëvetëdijen e saj Rusia nuk u pajtua kurrë me gjëndjen e re dhe, në strategjinë e saj afatgjatë, ajo vuri si synim rivendosjen e gjëndjes së mëparëshme edhe se në kushte e forma të ndryshme.
Këtu zë fill problemi i Ukrainës dhe zhvillimet e tij në ditët tona. Për dy dhjetëvjeçarë marredhëniet ruso – ukrainase patën luhatjet e tyre, por ishin të kontrollueshme nga ana e Kremlinit, nëpërmjet forcës politike ish komuniste e filoruse, mjaft të fuqishme në kuadrin politik të përgjithshëm e, kryesisht, në krahinat lindore të Vendit. Madje kjo parti, e kryesuar nga ish presidenti Janukoviç, një shembull korrupsioni e kundër demokracie, mori një vendim, i cili u bë fatal për të dhe që ndezi fitilin e një gjëndjeje shpërthyese, së cilës askush nuk është në gjëndje t’i përcaktojë përmasat e pasojat. Vendimi qe ai i ndërprerjes së bisedimeve me BE dhe i mos nënëshkrimit të traktatit të shoqërizimit me të në shkëmbim të një traktati ndihme nga ana e Rusisë. Për të qënë objektivë në interpretimin e ngjarjeve duhet pranuar se në këtë vendim ndikoi në mënyrë përcaktuese gjendja tepër e vështirë ekonomike e Vendit dhe ngurimi i Evropës dhe SHBA-s për të ndihmuar shëndoshjen e saj.
Këtu u vu në veprim dhelpëria politike e presidentit Putin, që vuri peng 15 miliard dollarë në altarin e sendërtimit të synimit për të kthyer “delet e humbura” në vathën e tyre. Por dhelpëria e presidentëve rus e ukrainas, të formuar me mendësinë komuniste të nënështrimit të popujve ndaj vullnetit të kastave drejtuese, nuk pati aftësinë të kuptojë se një e katërt shekulli kishte nxjerrë në skenën e Ukrainës një brez të ri që nuk ishte i gatshëm të bënte fli dëshirën për t’u bashkuar me Perëndimin, në një “perandori” të re të markës ruse, jo shumë e ndryshme nga ajo që kishte provuar në shekullin e fundit. Shoqëria civile ukrainase dhe partitë properëndimore të Vendit u ngritën në protesta të fuqishme që nuk u mposhtën nga dhuna e qeverisë, por që çuan në rrëzimin e saj dhe të presidentit Janukoviç, duke zhvleftësuar edhe marrëveshjen me Rusinë. Kundërveprimi rus qe i menjëhershëm dhe u pasqyrua në organizimin e referendumit për Krimenë, këtë gadishull të tartarëve të bashkuar me Rusinë nga perandoresha Katerina e Madhe. SHBA-s dhe Evropa nuk e pritën mirë këtë veprim të Rusisë e, megjithë qëndrimet e ndryshme të shteteve evropiane, vendosën fillimin e sanksioneve kundër saj. Ky veprim duhet t’ishte më shumë një parapritë për politikën zgjeruese të Putinit në t’ardhmen se sa një përgjigje për faktin real.
Për këdo që njeh historinë e Krimesë dhe rëndësinë e saj strategjike për interesat ruse qëndrimi rus nuk do të përbënte një të papritur të madhe. Në këtë vështrim demonizimi i tij nuk është shprehje e realizmit politik, për pasojë mendoj se rezultati i referendumit nuk duhet quajtur i paligjshëm. Por nëse e kundërta e tij mund të quhet shprehje e hipokrizisë politike të Perëndimit, ajo e Rusisë është një varg shfaqjesh të tilla, në të cilat nuk mbetet pa u përmendur shpesh edhe Kosova e pavarësia e saj. Diplomacia dhe shtypi rus, në këta muajt e fundit, kanë vënë në të njëjtin plan çështjet e Krimesë e të Kosovës. Në mënyrë të habitëshme ato vazhdojnë t’a quajnë “të paligjëshme” pavarësinë e krahinës shqiptare, duke lobuar në gjithë botën kundër njohjes së saj, por, nga ana tjetër, e instrumentalizojnë atë për të ligjëruar bashkimin e Krimesë me Rusinë, të cilën ish presidenti Gorbaçov e quan si “ndreqjen e një gabimi të historisë”. Është shprehje e një mendësie tregëtare që nuk ka parime, por i kthen ata në një funksion të ndryshueshëm të interesave të çastit apo të perspektivës të shtetit apo kastës së tij drejtuese.
Rusët e dinë mirë se Kosova dhe krahinat e tjera në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi janë të banuara nga popullsi etnike shqiptare që, në trevat e tyre, arrijnë përqindje mjaft të larta. Por edhe atëherë kur ishin zyrtarisht mbrojtësit dhe siguruesit e kampit socialist nuk nguronin t’i blatonin Titos bashkimin e Shqipërisë si “republikë e shtatë”. Ky propozim nuk shqetësonte bashkëpuntorët e tyre komunistë shqiptarë që përgjëroheshin për Stalinin, por për të cilët çështja kombëtare ishte një koncept “reaksionar” e “fashist”, që binte ndesh me internacionalizmin proletar të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Çuditërisht edhe termat që përdorin sot zyrtarët rusë, duke filluar nga presidenti Vladimir, për të etiketuar drejtuesit e sotëm të Kievit janë “nacionalistë, neonazistë, rusofobë dhe antisemitë”. Duket se komunistët, kudo në botë, vazhdojnë ende t’i quajnë kështu kundërshtarët e tyre, siç bën edhe një ish shofer autobuzi, sot president i Venezuelës. Por hipokrizia e Putinit arrin në kufijtë e mbrojtjes dhe nxitjes së krimit shtetëror, kur me paturpësinë më të madhe, duke bërë krahasimin me Kosovën nuk sheh asnjë ndryshim mbasi, simbas tij, mijra të vdekurit që çuan në ndarjen e saj nga Serbia “nuk përbëjnë një element juridik të parashikuar nga e drejta ndërkombëtare”!!
Qeveria e Kievit, me një dozë të fortë realizmi politik, i lëshoi institucionet e Krimesë administratës ruse pa një të shtëne arme, ndërsa qeveritarët rusë, mbështetësit më të zellshëm të Millosheviçit dhe klikës së tij kriminale më 1999, nuk harxhuan as edhe një fjalë për dënimin e terrorit sërb në Kosovë, por e quajtën ndërhyrjen e NATO-s si një “agresion kundër një Vendi të pavarur”.
Sot bashkimi me Krimenë, edhe se jo zyrtarisht, gjeti një farë ligjërimi në opinionin publik, por taktika e shtrirjes së veprimeve antishtetërore e antikombëtare në zonat lindore të Ukrainës, nuk ka asnjë lloj justifikimi as juridik, as moral dhe as historik, por është tregues i strategjisë së rikrijimit të BS. A do të pajtohet Perëndimi me ringjalljen e BS kundër dëshirës së popujve t’atyre Vëndeve, që tashmë kanë bërë zgjedhjet e tyre proevropiane? Ukraina, për pozitën e saj, mbetet hallka e dobët e atij zinxhiri, për një seri arsyesh, por vullneti i popullit të saj të vendosur do të ngrinte shumë pikëpyetje para botës së sotme. Përgjigja e real-politikës evropiane nuk besoj se do të krijojë një tjetër “korridor të Gdanskut” për t’a mbrojtur. Qëndrimi i aleatëve perëndimorë, në sajë të hipokrizisë së politikës së tyre që luhatet ndërmjet interesave dhe parimeve, duke i dhënë përparësi të parave, lë shumë për të dëshiruar.
Ekziston një rrjeshtim trasversal në politikën evropiane që përfshin të gjitha ngjyrat e saj, t’ashtuquajturit “mirëkuptues”, siç i quan shtypi gjerman, ku bëjnë pjesë politikanë, diplomatë, biznesmenë, që përkrahin Rusinë dhe kryetarin e saj. Në këtë rrjeshtim spikasin emra të njohur të politikës si ish kancelarët social-demokratë gjermanë Schmidt e Schröder, ish kryeministri i djathtë italian Berlusconi, themeluesi i frontit Kombëtar francez Jean-Marie Le Pen, drejtuesi i partisë euroskeptike angleze Nigel Farrage, ish kryeministri golist francez Francois Fillon, për të përmendur vetëm pak prej tyre. Në bazë të këtij qëndrimi “mirëkuptues” ndaj kërcënimit të dhunës ruse, janë interesa vetiake e kombëtare në fushën e tregëtisë e të energjisë, simpati vetiake apo vlerësime të “qëndrueshmërisë” së sistemit putinian, bindje mbi rolin e “pazëvendësueshëm” të Rusisë në zgjidhjen e problemeve botërore kur dihet se qëndrimi i saj më shumë spikat në mbrojtjen e diktaturave të formave të ndryshme në rruzull. Për Jean-Marie Le Pen “Zoti Putin nuk ka bërë as edhe një gabim të vetëm, ndërsa amerikanët dhe evropianët kanë kaluar nga një lajthitje në tjetrën” Të kundërtat në rrjeshtimin klasik të politikës gjejnë pikat e takimit. Këto lloj qëndrimesh, që ndikojnë sektorë të opinionit publik, kushtëzojnë dhe politikat valëzuese të qeverive gjermane e italiane, qe janë të një mëndjeje se Putin nuk duhet të izolohet, çfarëdo që të bëjë.
Një tjetër rrymë mendimi evropiane është ajo që “mirëkupton” frikën ruse nga një përparim i NATO-s në kufijtë e saj. Në dukje ka një farë logjike, por askush në NATO nuk ka synime agresive ndaj Rusisë. Po të ishte ky thelbi i problemit ukrainas do t’ishte e thjeshtë të zgjidhej, nëpërmjet traktatesh serioze e të respektueshme, madje as nuk do t’ishte krijuar. Ukraina më 1996 nënëshkroi një marrëveshje me Rusinë dhe SHBA-s për asnjanësinë e saj, në rastin e heqjes së armëve bërthamore, nën garancinë e tyre për sa i përket mbrojtjes së saj. Nuk kaluan as njëzet vjet dhe Rusia e hodhi në kosh atë marrëveshje, duke vënë në diskutim edhe vetë qënien e shtetit ukrainas. Nëse Helmut Schmidti, në kundërshtim me çdo enciklopedi të botës, shpreh mëdyshje për historinë e shtetit ukrainas që daton në shekujt X – XIII, duke qënë i pari shtet sllav i organizuar në atë hapësirë, gjen terren një aventurier i politikës si “liberal-demokrati” Zhirinovskij të propozojë sot një ndarje të Ukrainës ndërmjet Rusisë dhe Polonisë. Ringjallen fantazmat e vjetra të pakteve të tipit Ribbentrop – Molotov në Evropën e shekullit 21, në sajë të mendësive të përjetëshme të arsyeve të më të fuqishmëve.
A do të mjaftojë vullneti i Barack Obamës për të shmangur, vetëm nëpërmjet sanksioneve ekonomike, rrezikun e një agresioni rus në drejtim të Ukrainës ? A do të mbarojë me atë agresion të mundshëm etja e Rusisë për perandorinë e humbur ? Janë pyetje që të lenë në mëdyshje, por që krijojnë një ankth të madh tek të gjithë.
Kujtoj një tjetër çast historik të luftës së ftohtë, që vuri në rrezik paqen botërore. Ishte fundi i gushtit 1968. Mbas mësymjes së Çekosllovakisë së “Pranverës së Pragës” u duk në horizont një tjetër sulm. Isha ushtar në një repart pune, por edhe te ne gatishmëria ushtarake ishte në kuotën zero, në më të lartën. Pritej një sulm i ushtrive të paktit të Varshavës nga kufijtë e Rumanisë në drejtim të saj, të Jugosllavisë e të Shqipërisë, për të dalë në Adriatik, duke siguruar krahun jugë-perëndimor të kampit socialist. Atë natë që mendohej se do të fillonte mësymja ushtarake presidenti Lindon Johnson improvizoi një konferencë shtypi në Texas, në të cilën deklaroi : “Çdo aventurë e re ushtarake sovjetike në Ballkan do të ketë pasoja të pallogaritëshme për fatet e botës.”
Mësymja sovjetike nuk u krye. Nuk dij pse ndryshoi plani i Traktatit të Varshavës, sa ndikuan fjalët e presidentit amerikan n’atë ndryshim, çfarë ndodhi realisht n’ato orë. Të tjera kohë, të tjerë shtetarë, të tjera situata…
Prill 2014

Filed Under: Featured

Një nacionalisti shqiptar; antifashist, antinazist dhe antikomunist ia bënë nderet në Bruksel

April 30, 2014 by dgreca

Më rastin e 25-vjetorit të vdekjes të Kolonel Muharrem Bajraktarit, Komuna e Skarbekut në Bruksel nderoi zyrtarisht, më dt. 26 prill 2014, figurën e tij si një nga personalitetet shqiptare më të shquara që ka jetuar dhe nderuar jetë në atë komune dhe si një rezisten anti-fashist, anti-nazist dhe anti-komunist.
Ceremonia zyrtare filloi me homazhet tek varri i Muharrem Bajraktari ndërsa më pas, u zhvillua një ceremoni zyrtare në ambientet e Komunës Skarbek ku edhe u zbulua pllaka përkujtimore që ajo Komune dedikoi për nder të Muharrem Bajraktarit.
Theksojmë se ky vlerërsim është bërë i mundur në bazë të kërkesës të Z. Sulejman Gjana, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Dekanit të Universitetit të Lirë Ndërkombëtar në Bruksel, Z. Ramadan Gjana dhe Këshilltarit shqiptar në Komunën Skarbek, Z. Burim Demiri, që është edhe kandidat për deputet në Parlamentin e Brukselit në zgjedhjet që do të mbahen në Belgjikë më 25 maj 2014.
Më poshtë po sjellim për lexuesit tonë fjalimet që mbajti Kryetari i PLL, Z. Sulejman Gjana, më atë rast.

Shqiptarët nacionalistë do të jenë gjithmonë mirënjohës*

*Fjalim në ceremoninë zyrtare më rastin e 25-vjetorit të vdekjes të Kol. Muharrem Bajraktari në Komunën Skarbek-Bruksel

I nderuar Z. Kryetar,
Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të Kolegjit të Komunes Skarbek,
Zonja dhe Zotërinj, anëtarë tê Këshillit të Komunës Skarbek,
Zoti Deputet,
Zonja dhe Zotërinj Ambasadorë,
I dashur Zoti Genc Bajraktari,
Zonja dhe Zotërinj, sipas titujve, gradave dhe cilësive tuaja,
Të dashur miq,

Është nder i madh dhe kënaqësi e veçantë që jemi mbledhur sot në këtë vend, për t’i bërë homazh njërit prej personaliteteve më të ndritura shqiptare që ka jetuar një pjesë të madhe të jetës së vet dhe ka ndërruar jetë në territorin e Komunës Skarbek, Kolonelit Muharrem Bajraktari.

Më rastin e 25-vjetorit të vdekjes së tij, autoritetet komunale të Skarbekut kanë pranuar që të akordojnë një pllakë përkujtimore për nder të Kolonel Muharrem Bajraktari dhe dëshiroj, në radhë të parë, që në emrin tonë t’i shprehim Kryetarit dhe Kolegjit të Komunës Skarbek falënderimet tona më të sinqerta dhe të thella për respektin e veçantë që dëshmojnë për komunitetin shqiptar të Skarbekut, Brukselit dhe Belgjikës duke i akorduar zyrtarisht Kolonel Muharrem Bajraktarit një plakë përkujtimore në kujtim të tij.

Zonja dhe Zotni,

Kolonel Muharrem Bajraktari ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ai ka mbajtur funksione të larta në hierarkinë ushtarake. Para LDB ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmerisë Mbretërore Shqiptare dhe më pas një prej adjutantëve të Mbretit.

Gjatë LDB dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, dhe pastaj nga Gjermania naziste, ka qenë një prej organizatorëve kryesorë të rezistencës në Shqipërinë e Veri-lindjes dhe ka zhvilluar aksione të shumta dhe të fuqishme për çlirimin e Shqipërisë. Roli dhe aksioni i vet në rezistencë i kishin kushtuar që armiku të kërkoje me çdo çmim asgjësimin e vet.

Mund të themi pa ekuivokë se ishte një ndër figurat e nacionalizmit shqiptar dhe se synonte lirinë dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve.

Për këtë arsye, komunistët që synonin pushtetin pas luftës dhe që i konsideronin të gjithë nacionalistët si rivalë të mundshëm, i shpallën një luftë të pamëshirshme Kolonel Bajraktarit dhe çetave të veta.

Kështu, ai u përball me fushata të ashpra për eliminimin e vet dhe të kurdisura nga komunistët shqiptar që ishin më shumë të interesuar në luftën kundër bashkatdhetarëve të tyre sesa në luftën kundër pushtuesve nazist.

Përveç vrasjes së shumë shokëve të vet të pushkës, të dy djemve të tij, Brahimin dhe Hamdiun, dhe të vëllait, Bajramin, komunistët shqiptar ia burgosën dhe internuan për dekada më radhë bashkëshorten, vajzën dhe djalin më të vogël, Gencin, që është sot në mesin tonë dhe që na nderon me prezencën e vet.

Të dashur miq,

Pasi mori rrugët e mërgimit në vitin 1946 dhe u strehua fillimisht në Greqi e pastaj në Itali, në Belgjikë dhe veçanërisht në Skarbek, Kolonel Muharrem Bajraktari gjeti paqen dhe rahatinë, i rrethuar nga bashkatdhetarët e vet.

Është në Belgjikë dhe veçanërisht në Skarbek vendi ku gjeti pritjen dhe ngrohtësinë e një populli mik që ndante me të vlerat e çmueshme të lirisë, respektit, unitetit dhe vëllazërisë.

Është po këtu vendi ku ai ndërroi jetë më 21 janar 1989 pasi kaloi disa dekada në këtë komune.

Zoti Kryetar, mik i dashur,
Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të Kolegjit të Komunës,

Duke akorduar zyrtarisht një pllakë përkujtimore në kujtim të Kolonel Muharrem Bajraktarit më rastin e 25-vjetorit të vdekjes vet, ju po nderoni një komunitet të tërë. Nëpërmjet Kolonel Bajraktarit, ju po na provoni se sa e drejtë ka qenë lufta e shqiptarëve për liri dhe kundër çdo lloj sundimi ideologjik si fashizmi, nazizmi apo komunizmi.

Duke nderuar dhe vlerësuar një personalitet antifashist, antinazist dhe antikomunist, ju po tregoni se sa pak kanë kuptuar politikanët shqiptar nga vlerat e lirisë dhe demokracisë kur vazhdojnë të nderojnë njerëz që kanë shkaktuar krime në popullin shqiptar siç ishte rasti i para disa ditëve me dekorimin e Rrahman Parllakut si “nder i kombit” dhe siç po projektojnë të bëjnë me reabilitimin e diktatorit Enver Hoxha me rastin e 70-vjetorit të të ashtuquajturit çlirim të vendit.

Prandaj, të jeni të sigurt se Shqiptarët nacionalistë do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj jush.

Muharrem Bajraktari, shembull në shërbim të atdheut e kombit*

*Fjalim në varrezat e Skarbekut-Bruksel më rastin e ceremonisë për 25-vjetorin e vdekjes të Kol. Muharrem Bajraktari

Është nder i madh për emigracionin shqiptar në Belgjikë, por edhe për të gjithë nacionalistët dhe antikomunistët shqiptar kudo qofshin, fakti që jemi mbledh sot në këto varreza të kryeqytetit belg dhe evropian, për të përkujtuar 25-vjetorin e vdekjes së një veprimtari të dalluar të çështjes tonë kombëtare dhe të një patrioti të patundur e të palëkundur.

Sigurisht që kjo ceremoni homazhi dhe aktiviteti zyrtar që do të organizohet në vijim në ambientet e Komunës Skarbek është rezultat i dashamirësisë të Kryetarit të Komunës, Kolegjit dhe Këshillit komunal të Skarbekut, të cilët i falënderojmë për nderimet që i bëjnë figurës së Kolonel Muharrem Bajraktarit, si një prej personaliteteve shqiptare më të shquara që ka jetuar dhe ndërruar jetë në këtë vend.

Kjo ceremoni dhe nderimet që zyrtarët e shtetit mik belg po i bëjnë figurës, jetës dhe veprës së Kolonel Muharrem Bajraktarit, merr përmasa të veçanta në këtë vit jubilar të 25-vjetorit të vdekjes së tij, sepse ky vit shënon edhe 75-vjetorin e rezistencës kundër pushtimit fashist.

Pikërisht, gjatë pushtimit të vendit tonë, Muharrem Bajraktari ishte një ndër prijësit e rezistencës kundër okupatorit në veri-lindje të Shqipërisë.

Rëndësia e nderimit zyrtar të figurës së një nacionalisti-antikomunist shqiptar nga autoritetet belge në Skarbek të Brukselit shtohet sidomos kur mendojmë se këtë vit në Shqipëri po përgatitet kremtimi i 70-vjetorit të të ashtuquajturit “çlirim i vendit”, ku me dinakëri synohet rehabilitimi i diktatorëve dhe kriminelëve komunistë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun në krye.

Pra, është nder i shumëfishtë për ne që një atdhetar kombëtarist të vlerësohet nga një vend mik, dhe, nëpërmjet tij, të vlerësohen përpjekjet e të gjithë atyre që vepruan e luftuan kundër pushtimit nazi-fashist dhe sllavo-komunist të vendit tonë.

Ndërkaq, zyrtarë në Shqipëri përpiqen të mashtrojnë sërish popullin dhe partnerët tanë evropianë sikur gjoja janë të vendosur për orientimin evropian të vendit tonë, ndërkohë që referencat e tyre ideologjike dhe historike i gjejnë tek diktatorët dhe kriminelët gjakpirës të popullit shqiptar.

*****

Nuk mund të vijmë para varrit të Kolonel Muharrem Bajraktarit pa kujtuar dhe përmendur disa nga momentet më të rëndësishme të jetës tij dhe që ia rritën nderin e lavdinë jo vetëm derës së të parëve të vet në Ujmisht, por edhe mbarë Lumës dhe përtej asaj krahine, gjithë shqiptarëve liridashës e nacionalistë.

Muharrem Bajraktari lindi në Ujmisht të Lumës më 1 maj 1896. Ishte bir i Nezir Bajraktarit, kreut të Bajrakut të Tejdrines së Lumës, i mirënjohur si një prej prijësve në Luftën e Lumës më 1912 kundër forcave pushtuese serbe.

Pasi mbaroi edukimin familjar në odën e burrave ku mblidheshin shpesh herë në kuvend prijësit e Lumës dhe miqtë e tyre të të gjitha krahinave shqiptare dhe pasi vijoi mejtepin, u dërgua ne Vjenë të Austrisë për të marrë një edukatë ushtarake.

Menjëherë, pasi u kthye në Shqipëri dhe pas Kongresit të Lushnjës, ai u emërua oficer në xhandarmërinë shqiptare në kryeqendrën e prefekturës së Kosovës, në Krumë. Gjatë grushtit të shtetit të vitit 1924, ai mbrojti me besnikëri institucionet legjitime të shtetit. Vendosja e pushtetit nolist e detyroi të largohej nga vendi, duke ndjekur kështu veprimtarët dhe patriotët më të shquar të vendit tonë.

Muharrem Bajraktari u angazhua pa rezerva në mbështetjen e kthimit të Ahmet Zogut në Shqipëri dhe të Triumfit të Legalitetit në dhjetor 1924 dhe menjëherë pasi u rivendos qeveria legjitime, ai u emërua anëtar i gjyqit ushtarak në Shkodër, pastaj komandant zone në Peshkopi, për të vijuar si Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, dhe për të kulmuar në karrierën ushtarake dhe hierarkike si një prej adjutantëve të Mbretit Zog.

Intrigat dhe ujërat e turbullta të pushtetit e shtynë që të arratiset nga vendi dhe në dhjetor 1934 kaloi në Jugosllavi dhe më pas në Francë ku, bashkë me eksponentë të tjerë që jetonin asokohe në atë vend, u përfshi menjëherë në organizatën Bashkimi Kombëtar.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Muharrem Bajraktari u kthye në Shqipëri.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të autoriteteve fashiste për ta përfshirë në pushtetin e tyre me grada dhe detyra të larta, ai në mënyrë kategorike refuzoi të bashkëpunojë me pushtuesit dhe iu kundërvu atyre me pushkë duke organizuar rezistencën në Lumë.

Janë të shumtë ata që i kanë përshkruar përpjekjet e Muharrem Bajraktarit dhe luftën e tij pa kompromis për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha fashiste si dhe pasojat dhe dëmet që vuajti në kurriz për arsye të angazhimit të vet atdhetar.

Kjo vërtetohet më së miri në një telegram që Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe Mustafa Kruja i dërgonte më 22 mars 1942 Prefektit të Krumës. Ai telegram përfundonte me fjalët: “të gjitha veprat e tjera do të bahen mbasi të likuidohet Bajraktari”.

Por kjo gjendje nuk e frikësoi Muharrem Bajraktarin, përkundrazi i dha atij bindjen se lufta për lirinë e popullit shqiptar është e shenjtë. Ai, bashkë me trimat e vet besnikë, intensifikoi rezistencën aktive, aq sa në Rezolucionin e Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942 theksohet se “në Lumë çeta trime e Muharrem Bajraktarit me popullin bujar dhe luftëtar të Lumës i dha grushte të forta milicisë”.

Natyrisht, reprezaljet ishin të shumta sa që në një letër që Koço Tashko i drejtoi Kominternit në vjeshtë 1942 dhe ku bën një analizë të nacionalistëve, thekson se “grupi i atyre që janë atakuar drejtpërdrejt prej fashizmit ishin Muharren Bajraktari, Bazi i Canës, Myslim Peza dhe Myftar Kaloshi”.

Në janar të vitit 1943, edhe gazeta Zëri i Popullit, në nr 11-12, shkruante se “në Lumë lufton burrërisht Muharrem Bajraktari me trimat e Lumës e t’asaj Malsije”.

Të njëjtin qëndrim ndaj okupatorit Muharrem Bajraktari e mbajti edhe kur vendi u pushtua nga nazistët gjerman.

Edhe pse nuk pranoi të përfshihet në Frontin antifashist nacional-çlirimtar, ai ishte dalluar si trim dhe luftëtar i rrallë në malet e Shqipërisë.

Përveç rezistencës kundër okupatorëve nazi-fashist, Muharrem Bajraktari si kombëtarist dhe patriot që ishte, synonte çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre nën një Shqipëri etnike.

Ishte pa dyshim kjo arsyeja kryesore pse komunistët e tradhtuan atë pabesisht, në një kohë kur ai synonte akoma bashkërendimin e aksioneve të të gjithë shqiptarëve liridashës kundër okupatorit nazist dhe bashkimin e trojeve.

Komunistët, që nëpërmjet Dushan Mugoshës, Miladin Popoviçit dhe më vonë Velimir Stojniçit i merrnin instruksionet dhe urdhrat e tyre nga Beogradi, e zëvendësuan shumë shpejt luftën kundër okupatorit me një luftë civile që kishte për qëllim eliminim fizik të të gjithë nacionalistëve dhe patriotëve shqiptar dhe vendosjen e një regjim kriminel në shërbim të interesave serbo-sllave.

Ndërkohë që Muharrem Bajraktari kishte organizuar Kuvendin e Kroit të Bardhë më 12 gusht 1944, ku u morën vendime të rëndësishme për ruajtjen e nderit të Lumës dhe Shqipërisë, më 26 gusht 1944 Enver Hoxha i dërgoi një urdhër shtabit të Divizionit I për ta provokuar Muharrem Bajraktarin e për ta likuiduar.

Arkivat e shtetit që kanë qenë sekrete për një kohë të gjatë dhe që vazhdojnë të mos bëhen publike për opinionin e gjerë, dëshmojnë se edhe vet Enver Hoxha e pranoi pabesinë e vet dhe te komunistëve ndaj Muharrem Bajraktarit.

Kështu, në raportin që mbajti në Plenumin e 2-të të KQ të PKSh në Berat më 23-27 nëntor 1944, Enver Hoxha deklaroi se “çështja e Muharrem Bajraktarit është më tipike… E goditëm pas krahëve kur ai na jepte dorën si mik”.

Proces-verbalet e atij plenumi dëshmojnë pabesinë e komunistëve ndaj Muharrem Bajraktarit kur vet Hysni Kapo e Sejfulla Maleshova rrëfejnë se ndonëse Muharrem Bajraktari i priti komunistët shumë mirë në Lumë për të luftuar bashkërisht, ata i binin atij prapa krahëve. Vetë emisari serb në atë mbledhje, Velimir Stojniçi, pohoi se “qëndrimet ndaj Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut kanë qenë të gabuara dhe sektare” duke shtuar se “qëndrimi kundër Bazit gjithashtu”.

Pabesia e komunistëve kundër çdo nacionalisti që përpiqej për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha e huaj qe i pamëshirshëm.

Muharrem Bajraktari nuk mund të pajtohej me një pushtet në duart e serbëve dhe me një ideologji sllavo-komuniste, aq më tepër kur diheshin krimet që kishin shkaktuar në Kosovë Brigadat komuniste dhe marrëveshjet anti-shqiptare të komunistëve me serbët në kurriz të Kosovës.

Mbas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, Muharrem Bajraktari vazhdoi aktivitetin e tij në ilegalitet duke mbajt lidhje të ngushta me të gjitha grupet nacionaliste dhe antikomuniste në Shqipëri dhe Kosovë si dhe me misionin britanik në Tiranë. Ai kishte gjithmonë shpresë se SHBA dhe Britania e Madhe nuk do të pranonin kurrsesi vendosjen në Shqipëri të një regjimi diktatorial komunist. Këtë bindje ai ia ka shprehur edhe Hysen Terpezës në një letër në fillim të gushtit 1945 ku i shkruan se “në Shqipëri është themeluar Komiteti Bashkimi Kombëtar, ku janë përfshi të gjitha shtresat antikomuniste si ballistët, zogistët, nacionalistët, etj. dhe se Britania e Madhe dhe SHBA nuk e pranojnë qeverinë e Enver Hoxhës”.

Por realiteti i interesave politike dhe gjeo-strategjike ishte i hidhur për popullin shqiptar pas LDB. Regjimi komunist u vendos me dhunë e me gjak dhe në atë kohë forcat e ndjekjes bënë çdo përpjekje për likuidimin fizik të Muharrem Bajraktarit dhe grupit të tij.

Por, siç e tregon historiani i mirënjohur dhe autori i disa librave dhe studimeve për Muharrem Bajraktarin, Prof. Shefqet Hoxha, “në çdo betejë, Muharrem Bajraktari dëshmoi cilësi të spikatura komanduese dhe organizuese të një udhëheqësi ushtarak popullor si dhe cilësi vetjake burrërore e fisnike: trimëri, gjakftohtësi, durim dhe dashuri për shokun”.

Në luftimet me komunistët, Muharrem Bajraktari humbi njerëzit më të dashur si: dy djemtë, Brahimin e Hamdiun; vëllain Bajramin dhe shumë shokë të idealit dhe pushkës si Sefë Xheladinin, Destan Rexhepin, Ymer Miftarin, Tosun e Elmaz Çejkun dhe shumë të tjerë. Por edhe komunistët patën humbje të rënda siç e dëshmojnë burimet arkivore të mbetura sekrete gjatë diktaturës.

Qëndrimi në Shqipërinë komuniste u bë i pamundur dhe në vitin 1946 Muharrem Bajraktari nisi një odise të vërtetë drejt shtetit fqinj grek, odise që zgjati prej 25 gushtit deri më 13 shtator. Bashkë me atë ishin edhe 56 nacionalistë të tjerë, por 23 bashkëluftëtarë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, midis tyre edhe vetë Bajraktari.

Ata që mbeten në Shqipëri dhe kishin ndihmuar Muharrem Bajraktarin gjatë rezistencës nëpër male kundër komunistëve, vuajtën një masakër të vërtetë nga komunistët siç ishte rasti i familjarëve të tij por edhe i miqve dhe përkrahësve të vet besnikë si familjarët e Destan e Hamzë Rexhepit, të Rushit Litës, Ajet Xhemës apo Haziz Sul Domit që e kishte mbajt me bukë dhe ushqime në ditët e fundit para arratisë nga vendlindja.

Shumë lumjanë që me besë e besnikëri i kishin dhënë mbështetje kauzës së Muharrem Bajraktarit u persekutuan barbarisht gjatë diktaturës komuniste vetëm pse kishin përqafuar luftën e drejtë për liri, demokraci dhe Shqipëri etnike që përfaqësonte Muharrem Bajraktari në atë krahinë.

Komunistët kishin bërë asgjesime masive në Lumë që në 1944, për të krijuar tmerr dhe terror kundër krahinës së Muharrem Bajraktarit siç ishte rasti i masakrës në Buzmadhe në shtator 1944 ku 22 burra u bënë viktimat e pafajshme të pushtimit të vendit nga diktatura komuniste.

Ky tmerr e terror vazhdoi në Lumë gjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste vetëm pse Luma përfaqësonte një prej vatrave të nacionalizmit nën hijen e Muharrem Bajraktarit.

Në vitet e emigracionit në Greqi, Itali dhe Belgjikë, Muharrem Bajraktari qëndroi i palëkundur përballë regjimit komunist në Shqipëri.

Mori pjesë në Komitetin Shqipëria e Lirë (26/08/1949) së bashku me Mithat Frasherin, Abaz Kupin, Nuçi Koten, Seit Kryeziun, Zef Palin, Ihsan Toptanin e shumë patriotë të tjerë si dhe në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë antikomuniste të KSHL.

Ai dërgoi djalin e tij bashkë me besnikët e vet më të vendosur siç ishin Neshat Bilali dhe Tahir Vata, në Kompaninë 4000 në Gjermani për t’u përgatitë ushtarakisht për një zbarkim në Shqipëri më mbështetjen e SHBA dhe Anglisë për rrëzimin e diktaturës komuniste.

Dihet se këto përpjekje dështuan për shkak të agjentit të dyfishtë Kim Filbi që i transmetonte Moskës planet e zbarkimit të ushtarëve të lirisë që ishin rekrutuar ndër nacionalistët më të vendosur.

Në Belgjikë, Muharrem Bajraktari ishte nder për të gjithë emigrantët pavarësisht përkatësive politike dhe ishte pa dyshim personaliteti shqiptar më i lartë që jetoi në këtë vend mik pas LDB. Ai priti dhe përcolli personalitetet më në zë si Mbretin Leka, Major Abaz Kupin, Ernest Koliqin, Sait Kryeziu e shumë të tjerë.

Edhe pse nuk u angazhua personalisht, ai ishte i përfaqësuar prej nipit të vet, Qazimit, në Këshillin Ushtarak të Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike që krijoi Mbreti Leka në vitet 70.

Muharrem Bajraktari, bashkë me ithtarët e vet, ishte po ashtu i angazhuar në Këshillin e Nacionalistëve Shqiptar të Belgjikës dhe asnjëherë nuk mungonte ne aktivitetet patriotike dhe kombëtariste të emigracionit politik shqiptar në Belgjikë.

Muharrem Bajraktari mbylli sytë përfundimisht më 21 janar 1989 larg atdheut të tij të dashur, që e kishte rritur dhe gatuar si një bir të denjë të maleve shqiptare dhe si një patriot shembullor.

Ai u nda prej nesh me plagë në zemër për Shqipërinë dhe Kosovën që rënkonin nën kthetrat e diktaturës sllavo-komuniste.

Ai u nda prej nesh me dhimbje edhe për të gjithë shokët e luftës të drejtë për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike dhe që kishin dhënë jetën e tyre nën komandën e vet për një kauzë dhe ideal të shenjtë dhe të drejtë.

Muharrem Bajraktari u nda prej nesh sot e 25 vite më parë edhe me dhimbje dhe plagë në zemër për familjarët e tij, për bashkëshorten, vajzen dhe djalin Gencin, që po vuanin në burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste vetëm pse ishin të Muharrem Bajraktarit dhe me të cilët nuk u pa më që prej ditës kur u largua nga Shqipëria.

*****

Në këtë ditë të përkujtimit të 25-vjetorit të vdekjes së Kolonel Muharrem Bajraktari, ju ftoj të gjithëve që të ndjekim shembullin e tij në shërbim të atdheut e kombit dhe të mishërojmë vlerat kombëtariste dhe patriotike që na la si mësim Bajraktari i Tejdrines, Lumës dhe gjithë Shqipërisë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Muharrem Bajraktari, nderohet en Bruksel, Sulejman Gjana

Kristaq Sotiri “Artisti Muzës Shqiptare”

April 29, 2014 by dgreca

Nga Klajdi Musabelliu/Me rastin e përfundimit nga QKIPK, Tiranë të “Inventarizimit të Fototekës Private Sotiri, Korçë”, në Muzeun e Arsimit “ABC”, Korçë, do të prezantohet sot në orën Korçë në Muzeun e Arsimit “ABC” në orën 11:30 ekspozita fotografike: ‘Kristaq Sotiri, artisti i muzës shqiptare’.
Projekti “Inventarizimi i Fototekës Private Sotir Korçë” u ideua nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), i cili bëri përpjekjet për ngritje fondi dhe thirrjes iu përgjigj një grup pasardhësish të familjeve të nderuara shqiptare në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. QKIPK mundëson ruajtjen, evidentimin, regjistrimin dhe promovimin e kësaj pasurie të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Imazhet e negativëve fotografik të kësaj pasurie, janë dëshmi e qytetarisë, traditës, qytetërimit dhe modelit të familjes dhe shoqërisë së trevës së Korçës në fillim shekullin XX. Tashmë kjo pasuri është e dokumentuar në sistemin dixhital me të dhënat identifikuese fizike dhe teknike, që mundësojnë studimin dhe promovimin, por edhe plotësimin e kërkesave të qytetarëve.
Fototeka Sotiri, Korcë përmbledh trashëgiminë e negativëve fotografik në xham dhe filma, të cilat janë ruajtur nga trashëgimija e fotografit Kristaq Sotiri dhe objekte të fotostudios së tij. Kjo fototekë trashëgohet nga pasardhësit në përkujdesjen e mbesës së Kristaqit, Kristina Pecani, e cila ndjek traditën familjare të dashurisë dhe përkujdesjes së vlerave kulturore në qytetin e Korçës.
Fototeka Sotiri, Korçë ka gjithsej 12 mijë negativë në xham, aparate fotografikë, orendi me vlera historike dhe muzeale që lidhen me personazhet e fotografuar nga Kristaq Sotiri, regjistra me emra qytetarësh korçarë dhe të huaj, etj. Këto materiale me vlerë do të jenë objekt i ekspozitës Sotiri që do të hapet në Korçë. Ruhet dhe një fond me foto të stampuara nga vetë fotografi artist ndër vite, të ndara në zhanre të vecantë sipas tematikës. Vlerës së dokumenteve historike iu shtohen edhe letërkëmbime, revista dhe gazeta shqiptare dhe shkrime për artin.
Kristaq Sotiri (1883-1970) është mjeshtër i portretit dhe peisazhit. Lindi në Mborje dhe në Korçë kreu shkollën fillore e më pas punoi në një studio fotografike ku fitoi njohuritë e para. Në vitin 1901 emigroi në SHBA, ku punoi në një studio në Los Anxheles. U kthye në Korçë, në vitin 1922 dhe hapi më 1923-shin një studio fotografike, ku punoi vetëm me dritën natyrore. Mori pjesë në Ekspozitën e Artizanatit Shqiptar, në Tiranë (1931) dhe në Bari të Italisë (1936), ku u vlerësua me medalje. Për mjeshtërinë artistike është nga bashkëkohës, si Odhise Paskali, Vangjush Mio, etj

Filed Under: Kulture Tagged With: artisti, Kristaq Sotiri, Muzës Shqiptare”

Sopranoja e famshme Inva Mula,anëtare e Akademisë Botërore

April 29, 2014 by dgreca

Sopranoja me famë botërore Inva Mula është pranuar ditët e fundit anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës, (World Academy of Art and Science).
Në një postim në rrjetin social Facebook, sopranoja me famë botërore, Inva Mula, falenderon të gjithë miqtë dhe adhuruesit për mbështetjen e artit të saj.
“Pranimi im si anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës është një ngjarje jo vetëm për mua, pasi unë e ndaj këtë me të gjithë ju së bashku”, shkruan sopranoja Inva Mula. Sekretari Shkencor i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave , Fatos Tarifa, duke vlerësuar pranimin e sopranos së famshme Inva Mula, anëtare të Akademisë Botërore të Artit shprehet se “është një nder i madh që i bëhet Invës dhe padyshim na gëzon dhe na bën të ndjehemi krenarë të gjithëve ne, miqve e kolegëve të saj, anëtarë të Akademisë sonë”.
* * *
Akademia Botërore e Artit dhe Shkencës (WAAS) është e përbërë nga 730 anëtarë të kulturave të ndryshme, kombësive dhe disiplinave intelektuale, të zgjedhur në bazë të reputacionit që kanë në art, në shkencat natyrore dhe sociale, si dhe ato humane. Anëtarët e WAAS janë të emëruar nga anëtarët e mëparshëm dhe zgjidhen drejtpërdrejt prej tyre. Të zgjidhesh në WAAS konsiderohet si një nga nderet më të larta që mund t’i jepet një shkencëtari.Anëtarët përbëhen nga artistë me emër, politikanë, shtetarë, ish-kryetarë të vendeve të ndryshme, kryetarë të instituteve të kërkimeve, si dhe biznesmenë. E themeluar në vitin 1960 nga individë të ndryshëm të interesuar nga ndikimi i dijes që po rritet gjithnjë e më shumë, aktivitetet e saj synojnë të japin zgjidhje botërore për pasojat sociale dhe implikimin politik të dijes.Mes anëtarëve themelues të Akademisë kishte shumë anëtarë të dalluar në fushat e tyre, si Lord John Boyd Orr, Harold D. Lasswell, Robert Oppenheimer, Earl Bertrand Russell etj. Akademia shërben si një forum për reflektime mes shkencëtarëve, artistëve dhe dijetarëve për të biseduar për problemet jetësore të pavarësisë njerëzore ndaj kufijve politikë ose limiteve, qofshin ato shpirtërore ose fizike, një forum ku këto probleme mund të diskutohen objektivisht, shkencërisht, botërisht dhe të lira nga interesat ose ndjenjat rajonale, për të arritur në zgjidhje që firmojnë të Drejtat Universale të Njeriut dhe i shërbejnë interesave të të gjithë njerëzimit. WAAS është themeluar në besim tek fuqia e ideve krijuese, ide reale me fuqi efektive, për të ndryshuar botën. Motoja e saj është “lidership në mendim që çon në veprim”. Shpirti i akademisë mund të shprehet në fjalët e Albert Einstein: “Krijimtaria e mendjeve tona duhet të jetë një bekim dhe jo një mallkim për njerëzimin”. Çdo anëtar ndan ambicien (sikurse thanë Themeluesit në manifestin e tyre në vitin 1960) për të rizbuluar gjuhën e mirëkuptimit të ndërsjelltë”, duke tejkaluar dallimet në tradita, gjuhë dhe struktura sociale, të cilat bashkohen në mendimin krijues dhe përpjekjet e vazhduara për të shpërbërë konfliktet që janë të fshehura mes republikave njerëzore. Zbulimet shkencore dhe inovacioni teknologjik vazhdojnë të prodhojnë instrumente për një fuqi të pashembullt për plotësim ose shkatërrim. Ne njerëzit, gjithnjë e më shumë, po marrim në duart tona të ardhmen e evoluimit të trupave tanë, mendjeve tona, civilizimet që ne krijojmë dhe vetë planetin në të cilin ne jetojmë.Kështu që është e domosdoshme që të drejtojmë atë që bëjmë në saj të asaj që dimë dhe të drejtojmë atë që dimë nga ajo që ne vlerësojmë. Qëllimi i themeluesëve të Akademisë ishte që kjo të funksionojë si një Universitet Botëror informal në nivelet më të larta shkencore dhe etike, në të cilën kuptimi i thellë i njerëzimit dhe kuptimi i plotë i përgjegjësive do të bashkohen”.
* * * *
Sopranoja e njohur, Inva Mula, e lindur më 1963 në Tiranë, ka një aktivitet shumë të ngjeshur artistik dhe ka debutuar me sukses në operat më të njohura në botë.
E bija e Avni Mulës (bariton) dhe ruses Nina (soprano), Inva Mula hyri në rrugën e muzikës që e vogël. Ndoqi studimet në Liceun artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Konservatorin e Tiranës. Në vitin 1987 fitoi konkursin “Këngëtarja Shqiptare”, më 1988 konkursin “George Enescu” në Bukuresht. Pas katër vjetësh në 1992 fiton konkursin ”Butterfly” në Barcelona. Ajo ka kënduar role të mëdha të operas botërore si Violetën, Antonia, Xhildën në skenat prestigjioze si Metroplitan të Nju Jorkut, Operan e Parisit, Vjenës etj.Në filmin “Elementi i pestë” në 1997 i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Sopranoja Inva Mula ka marrë pjesë në koncerte dhe me tenorin e famshëm spanjoll, Placido Domingo, në 1993 merr një çmim në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ajo ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo.
Në vitin 1996 mori pjesë në operën Medee të Luigi Cherubini-t në Francë. Në 1998 rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizet-it në Paris. Në vitin 2001 luajti në teatrin “La Scala”, Itali, pjesën e Verdit “Falstaff” dhe Riggoleto-n në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scala” ku luajti Lucia di Lammermoor, La bohème, Manon (2006). Sopranoja e fmashme ka luajtur gjithashtu disa herë dhe La traviata-n në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto, etj. Sopranoja e famshme është nderuar edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Klotilda Saracini)

Filed Under: Kulture Tagged With: Akademisë Botërore, anëtare e, Inva Mula, Sopranoja e famshme

Reali i pamëshirshëm shkatërron Bajerin

April 29, 2014 by dgreca

Ekipi i Bajern Mynih është mundur mbremjen e se martes te 29 prillit me rezultatin 4 me 0 nga Real Madrid, dhe për në finalen e Ligës së Kampionëve kalon ekipi spanjoll që shënoi dy gola me anë të S. Ramos dhe dy gola K. Ronaldo.
Ndërsa neser do të luhet ndeshja Celesi- Atletiko Madrid e pritet se cili nga këto dy ekipe kalon në finale e ku do të ndeshet me Real Madrid.
Real Madridi është kualifikuar për në finale të Ligës së Kampionëve, për herë të parë pas vitit 2002, duke turpëruar Bayern Munichun në gjysmëfinale. Spanjollët triumfuan me rezultatin e pergjithshem5:0.
Ka përfunduar gjithçka në ‘Allianz Arena’.
Real Madridi kualifikohet në finalen e Lisbonës, për herë të parë pas 12 vjetësh.
Finalja e Lisbonës zhvillohet më 25 maj.

Filed Under: Sport Tagged With: Reali i pamëshirshëm, shkatërron Bajerin

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT