• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

PSE RREZIKOHET(EDHE NJËHERË) BASHKIMI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE?

April 6, 2014 by dgreca

Opinion nga  Kristo Zharkalliu/ Athinë/

Kohët e fundit kam filluar të humbas besimin  ndaj vetvetes. Herë pas here pyes veten se në se është e mundur të kem dyshime ndaj besimeve  dhe shpresave të mia të së kaluarës. Madje shumë here duke ndryshuar opinion ndaj dukurive bashkëkohore por edhe ndaj  njerëzve të caktuar. Dy gjëra që më shqetësuan seriozisht për drejtpeshimin tim mendor janë se papritur e pakujtuar (jo saktësisht) më kanë pëlqyer shkrimet e dy  shqiptarëve të cilët deri dje i kisha kritikuar ashpër, duke besuar se me shkrimet e tyre këta dëmtonin “imazhin” e shqiptarit të së kaluarës dhe të sotëm. Fjala është për politikanin –shkrimtar socialist Ben Blushin, të cilin, qëkurse u përpoq të nënvleftësonte figurën madhështor të Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, më ishte bërë halë në sy dhe nuk lija rast pa përmendur “marrëzitë” e tij duke e sjellë si shëmbull për t’iu shmangur përsa i përket së kaluarës dhe historisë së kombit arbëror. Nuk kam lexuar librat e tij- e pohoj- dhe komentet negative  që janë bërë nga unë kishin të bënin me intervistat dhe komentet që ai vetë bënte në mënyrë të papërgjegjëshme duke paraqitur  shkrimet e tija. Kohët e fundit pra po paraqet një libër të ri me titullin (më sa më kujtohet!) “Hëna e shqiptarëve” ku në përgjithësi (megjithëse socialist!) bën profeci për 100-200 vitet e ardhëshme për kombin shqiptar. Nga të gjitha ato që u thanë(mjaft marrëzira profetike) mua më bënë përshtypje ato që ai tha për fenë dhe për bashkimin kombëtar (se sa do të jetë e mundur një gjë e tillë!). Për çështjen e fesë  pajtohem plotësisht me të. Populli dhe kombi shqiptar duhet me çdo kusht të distancohet, ose më mire të heqë qafe besimet fetare. Ai ka të drejtë kur thotë se këto besime në të ardhmen mund të bëhen faktor denigrues dhe përçarës të popullit dhe të kombit. Nuk ka asnjë dallim  në se  besimi është i krishterë, ortodoks,katolik ose mysliman. Vitet e fundit pas shëmbjes së diktaturës, shumë të huaj u aktivizuan të “rimëkëmbnin” besimet dhe tempujt fetarë në Shqipëri, thua se të huajt i hante kaq shumë meraku për besimet fetare në Shqipëri. Mund të themi se më i “urtë” deri tani është treguar kleri dhe besimtarët katolikë, megjithë përpjekjet që janë bërë dhe po bëhen për “shënjtërimin” e këtij klerit, madje për këtë kanë aktivizuar dhe kryeminisrin më të korruptuar i Europës, Berluskonin (nuk e di se sa e bekon kisha katolike dhunën seksuale ndaj femrave të mitura që ka kryer  Silvoja me paratë e tij, por, megjithatë, dikush nga Shqipëria, don t’i dhurojë stilografin e një ish priftit të shënjtëruar shqiptar!) Sidoqoftë ky kler nuk ka pasur aktivitete antikombëtare si ngjet me të dy besimet e tjera si janë ai ortodoks dhe ai mysliman. Ben Blushi shqetësohet se si mund të krijohen parti përçarëse antikombëtare fetare dhe kjo është më se realiste po të kemi parasysh dukuritë ekstremiste të disa myslimanëve shqiptarë që e quajnë veten  talibanë. Këta kishin arritur të mobilizonin dhe të dërgonin në Siri besimtarë shqiptarë për të luftuar përkrah ekstremistëve myslimanë dhe kjo bëhej nën hundën e orgneve shtetërore të të dy shteteve shqiptare. Këto dukuri janë më të theksuara në Kosovë, madje, disa kalemxhinj shqiptarë nuk harrojnë të përmendin dhe përkatësinë fetare të kryeministrit shqiptar, pamvarësisht në se ai është besimtar ose jo. Kur kishte ndodhur më parë kjo pra? Pse disa harrojnë se kur bëhej lufta në Kosovë, kryeministër shqiptar ishte një “ortodoks” Pandeli Majko?(Edhe para 90 vjetëve kur u bë kryeministër një epishkop shqiptar, Fan Noli i pavdekëshëm, askush nuk guxoi ta akuzonte atë për përkatësinë fetare!) Apo e kanë harruar dhe në Kosovë…se kohët e fundit po shpallin disa here…Lulzim Bashën si qytetar nderi dhe kanë harruar Majkon? Me këto nuk dua të them kurrsesi se kisha ortodokse shqiptare ka treguar patriotizëm të pastër këto vitet e fundit dhe se nuk e ka dëmtuar bashkimin kombëtar të vendit, madje mund të themi se edhe këtu kemi pasur tedenca të theksuara përçarëse,por kjo nuk ka fuqinë as mbështetjen që mund të ketë besimi mysliman në  Kosovë dhe në trojet e tjera arbërore në ish Jugosllavinë.  Kam frikë se në Kosovë po ngre krye tedenca e rrezikëshme të “një kombit kosovar” çka u pëlqen shumë sërbomëdhenjve dhe kjo nuk është e veçuar nga përpjekja që po bëhet për  ndarjen e gjuhës në toskërishte e gegënishte nga disa pseudointelektualë. Lufta që i bëhet pra gjuhës së njësuar, ose standarte si quhet kohët e fundit, bën pjesë pikërisht në ndarjen e kombit në Veri-Jug dhe kjo ka qënë dhe mbetet doktrina përçarëse të shovinistëve fqinjë dhe të armiqve të tjerë të kombit shqiptar. (pas Arshi Pipës  teoria antikombëtare e  dy gjuhëve- dy dialekteve dhe ndarja në Veri- Jug, flamurin e kësaj teorie famëkeqe e ka marrë një intelektual nga  Australia i cili ka emrin e çuditëshëm Fritz Rodovan!) Nga këto ka frikë dhe Ben Blushi dhe këtu ai më gjen të pajtohem  me të se nuk është e mundur të kundërshtojmë njeri thjetrin në të gjitha drejtimet… Për të tjerat çka shkruan libri i tij do të kemi kohë më vonë ta analizojmë dhe, pse jo, ta kritikojmë… në se do të kemi fatin dhe durimin ta lexojmë.

FATOS Lubonjën nuk e kam përkëdhelur në shkrimet e mia. Sigurisht që disa here jam indinjuar me mendimet e tij “radikale” por me dy shkrimet e fundit  më bëjnë jo vetëm të pajtohem me “opinionin” e tij por edhe ta përgëzoj. Shkrimi i parë bënte fjalë për korrupsionin ose më mire për pasurimin e  shpejtë dhe të pajustifikueshëm të disa politikanëve shqiptarë në kurriz të popullit më të varfër të Europës.Konkretisht fliste për ditlindjen e një nga shtyllat e pushtetit shqiptar këta 23 vite. Asnjë qeveri nuk ka mundur të qëndronte më këmbë pa mbështetjen e tij dhe ai nuk ka munguar nga asnjë qeveri, e djathtë ose e majtë qoftë. Për këtë nuk mund ta akuzojë ose ta shajë askush. Duket se ka aftësi të çuditëshme që ky njeri që sapo mbushi 45 vjeç të ketë qënë,gjatë gjithë kësaj kohe dhe të jetë akoma faktor i rëndësishëm e atij që quhet akoma tranzicion shqiptar. Duke qënë i tillë pra me të drejtë të festonte ditlindjen e tij mes shokësh dhe miqsh nga të gjitha palët politike shqiptare. Kjo do të ishte lavdëruese, por,mjerisht, festa e  ditlindjes së tij na kujtoi festat madhështore të Shahut Pehlevi të Përsisë,(Iranit të sotëm!) në 1000 vjetorin e dinastisë së  familjes së tij. Kështu kishte ngritur dhe ai çadra dhe tenda madhështore për të ftuarit! Por këtu u duk historikisht se ai ishte shahu i fundit i dinastisë, se në mënyrë arrogante, bënte festa madhështore në kurriz të një popullit që vuante për bukë. Për këtë pra e kritikonte Fatosi politikanin shqiptar dhe unë  nuk mund të mos e përgëzoj për kurajon se , në fund të fundit, ai vetë jeton në Shqipëri. Në shkrimin e dytë ai  vëren se politikanët shqiptarë nuk bashkëbisedojnë si kërkon Europa se nuk u a ka shumë ënda të hyjnë në Europën e Bashkuar! Me të vërtetë  mendimi i tij më befasoi se deri tani besoja se të gjthë-akoma dhe klasa politike shqiptare- donin të bëheshin “Si Europa!”! Fatosi na thotë se nuk kanë aspak dëshirë të hyjnë në Bashkimin Europjan se kështu do të kontrollohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjëshëm i politikanëve dhe rrezikojnë- shumë prej tyre- të detyrohen të japin llogari se si u pasuruan kaq shumë dhe kaq shpejt!

Ajo që brengos më shumë është se shqiptarët nuk kanë kuptuar çastet historike që përjetojnë. Është koha më e favorëshme që kombi shqiptar të tregohet i bashkuar se kështu do të fitojë të ardhmen. Përçarja ka qënë dhe mbetet mallkimi i këtij kombit. Sot po të bashkohet do të jetë kombi më i fuqishëm në Ballkan dhe e ardhmja e tij do të jetë e sigurtë, e mire e respektuar. Por ai akoma është i përçarë, më i përçarë se kurrë, se duket se nuk ka kuptuar se kombi më i favorizuar të pas shëmbjes së kampit Lindor, ka qënë ai shqiptar dhe se,për herë të pare në histori, e gjithë bota demokratike u bashkua për shpëtimin dhe çlirimin e gjysmës tjetët të këtij kombit, Kosovës. Është e dhimbëshme të shikosh se akoma dhe sot shqiptarët janë të përçarë…sa habitesh se si  në ish Maqedoninë jugosllave, shqiptarët, në vend që të jenë të bashkuar në një parti kombëtare për të treguar fuqinë e tyre në mbajtjen më këmbë të atij shtetit artificial, janë përçarë në disa parti duke u lënë dorë të lire sllavëve edhe njëherë t’i shtypin dhe t’i diskreditojnë. Por për këtë do të flasim në shkrim të ardhëshëm…

Kristo Zharkalli           Athinë 6 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkimi i shqiptareve, KRISTO ZHARKALLIU, Pse rrezikohet

CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI I HARRUAR

April 6, 2014 by dgreca

Një kujtesë për ministrin e kulturës, për institucionet që merren me trashëgimninë, por dhe për ata që dëshirojnë të ndihmojnë në zbulimet arkeologjike/

Nga Halil Bregasi/*

Nisur nga programi elektoral i PS si dhe porositë e vazhdueshme të Kryeministrit z. Edi Rama, për trashëgimin kulturore, fjalët e tij në Berat dhe në Grupin Parlamentar, kanë bërë dhe vazhdojnë të na zgjuajn edhe neve, jo vetëm mua, por shumë intelektual cakranjot, për të bërë diçka, që ato porosi e premtime, të gjejnë zbatim në zonën e Cakranit.

Zona e Cakranit ka peshën dhe vendin e vet në historinë e Mallakastrës, por dhe në atë të Shqipërisë. Është një zonë me popullsi të dëndur qysh në kohët më të lashta dhe vazhdon të jetë e tillë. Ka qenë dhe është zona lidhëse midis qyteteve të: Beratit, Tepelenës, Fierit dhe Vlorës. Si e tillë ka përjetuar pushtimet dhe luftrat më të egra të zhvilluara qysh në kohët e vjetra, por që i ka rezistuar vazhdimisht  zhdukjes dhe largimit nga vendbanimi. Ka merituar emrin “Zonë Martire”, ku gjurmët e këtyre pushtimeve, megjithëse të zhdukura, ekzistojnë dhe mund të shikohen edhe sot, sidomos për periudhat deri në mesjetë.

Cakrani i qytetërimeve të hershme, me një vazhdimësi jete për mbi 6000 vjeçare, sot nuk njihet si i tillë, as nga vendasit, e jo më nga institucionet shtetërore, pa diskutuar këtu për turistët vendas e të huaj.

Jo vetëm unë, por të gjithë intelektualët cakranjotë, do ndjeheshin mirë, në se do të njihej kjo histori e Cakranit, sepse, ajo tregon autoktoninë e banorëve të vjetër, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, tregon etnitetin prehistorik të tyre.

Pse Cakrani sot, nuk njihet si vendi i kulturës neolitike, i periudhës paraurbane, apo i qytetërimeve në periudha të ndryshme të historisë? Kush pengon dhe si duhet rregulluar kjo “padrejtësi”? A mundet të ndryshoi kjo situatë? Këto dhe shumë pyetje të tilla dalin, por pyetja që nuk do ketë përgjigje është: kujt i intereson që kjo histori të mos njihet?

Kush është historia e periudhave të vjetra të Cakranit?

Për të qenë më i qartë për këtë problem, po përsërisë më poshtë, disa të dhëna mbi zbulimet arkeologjike të bëra në shekullin e kaluar, duke u përpjekur të sqarojë çfarë duhet bërë, sa më shpejtë, që të ndryshoi kjo situatë.

Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar, ku kushdo mund të gjente një histori lashtësie të mjaftueshme, aq sa duhej të ndjehej krenar që ishte bir i kësaj zone kaq të vjetër e të re. Në se do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga  turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe  diçka do të tepronte. Po saktësoi disa të dhëna sipas periudhave:

   I. – Periudha historike e neolitit:

Në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar.

Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Horizonti i parë është në thellësinë 2 – 2.20 m. Dyshemeja ka një sipërfaqe 21 m. katrorë e në mesin e saj ndodhet një vatër me sipërfaqe 2.5 m. katrorë Horizonti i dytë, banesa, u gjet në thellësinë 1.60 m, me sipërfaqe 24 m. katrorë, dyshemeja e bërë me argjil të ngjeshur e të pjekur. Në mes vatra prej 3 m. katrorë.

Banesa e parë në jep të drejtën të mendojmë se ajo ka qenë e futur e gjitha në tokë dhe çatia ka qenë mbi sipërfaqen e tokës. Me kalimin e kohës muret e banesave kanë

qenë pjesërisht të futura në tokë dhe pjesërisht mbi sipërfaqen e tokës, siç është horizonti i dytë.

Veglat e punës

Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri.

Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme.

Qeramika

Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë. Dallohen dhe mund të rindërtohen këto tipa enësh:

– Kupat. Që paraqiten në shumë variante dhe kanë patur përdorim të gjerë. Ato nuk janë shumë të thella, ndryshojnë midis tyre nga përmasat. Diametri i tyre lëviz nga 14 cm deri në 28 cm.

– Tasat, që hasen në dy variante. Tasa të thellë me trung konik, me diametër 14 – 19 cm, si dhe tasa të thellë me parete gjysmësferikë nga brenda. Këto forma ngjajnë me ato të Dalmacisë e të Etalesë në Greqi.Janë gjetur dhe disa enë të tjera, prej të cilave disa me vegje.

  Zbukurimet

Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit.

Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guacke, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guackë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë.

Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla.

Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë?.

Në Cakran sot nuk ka një muzeum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që do i themi më posht, apo që nuk do arrijmë t’i përmendim  këtu. Kishte dikur një muzeum, ndoshta i politizuar, por që  mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që po kryhen. Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti në raportin e mbajtur në Konferencën e 2 arkeologjike shqiptare, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpijake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit. Por jo vetëm kaq. Ato dy horizonte banesash, (dy gropa), mund të ruheshin ashtu siç ishin të zbuluara nga arkeologët, të cilët u lodhën me muaj duke punuar nën diellin përvëlues të asaj toke të zezë, por arritën ti gjejnë themelet e autoktonisë së banorëve të kësaj zone, dhe sot të vizitoheshin, të paktën nga nxënësit e shkollave, pse jo dhe nga turistët që do të vijnë patjetër.

II -Periudha historike e bronxit:

Edhe në këtë periudhë historike, në zonën e Cakranit ka patur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronxi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronxi, gjë që është një tregues i vazhdimsisë së jetën në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronxit të vonë e të tjerët të më vonshëm.Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronxi. Ato u gjetën rastësisht, duke hapur një gropë për vendosjen e një shtylle elektrike, në lagjen Dalipaj të fshatit Varibop. Shpata e dëmtuar në majë, ku i mungon një pjesë, është ruajtur në gjatësinë 84 cm., është me dorezë në forëm briri, ose në trajtë kryqi, me gjatësi 9 cm e të gjerë 2 cm. Doreza dhe kurrizi që përshkon fletën janë ruajtur shumë mirë, kurse fleta ka vende të dëmtuara. Kurrizi i fletës është zbukuruar me tre vija të holla që e përshkojnë atë në tërë gjatësinë. Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronxit të vonë, shek XII para Krishtit. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Fleta ruhet në gjatësinë 8.2 cm dhe e gjerë 6.2 cm. Megjithëse armë prej bronxi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të ri.

III.- Periudhat e mëvonshme

Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen nga askush, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin për historinë e kësaj zone.

I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë. Siç duket dhe në foton që paraqesim, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka patur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë.

Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të  forma gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek.VII para Krishtit  Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknik ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para erës së re. Ndërsa gjëndet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës.

Qeramika e fazës protoqytetare e këtij vendbanimi zhvillohet në tre faza (nivele), që përkojnë me periudhat e ndërtimit.

Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom I Rosh, gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287.

Ky vendbanim mendohet se mund të jetë shkatërruar në gjysmën e parë të shek. II p.e.r., që lidhet me luftrat iliro – romake. Në mesjetë ka gjallëruar përsëri, apo ka patur një zhvillim te tillë që është bërë e njohur dhe jashtë zonës së krahinës duke patur lidhje deri në Athinë. Kështu del se ky vendbanim ka qenë një qendër e madhe tregëtare e shkëmbimi.

Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës së pushtetit vendor të Cakranit. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për thermelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka patur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit, por që mund të frekuentohej dhe nga nxënësit e shkollave të zonës.

Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak Camillo Praschniker, gjatë pushtimit austrohungarez të zonës në vitet 1915 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Megjithse, në kohën e lulëzimit të kooperativës bujqësore të Cakranit, deri afër e përbri këtij qyteti, u arrit të bëhej një rrugë për qerret e tërhequra nga qetë, ku u zbulua dhe u mblodh një thesar monedhash deri mbi 3 mijë copë, por askush nuk mendoi që kjo rrugë të rregullohej që aty të shkonin mjete si makinat. Në vitin 2009, u ndërmorrë një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, dhe u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike, përsëri, nga pushteti vendor nuk u realizua bërja e rrugës. Më në fund, erdhi një kryetar komune, djalë i Cakranit dhe arriti ta hapë rrugën për të shkuar deri në majë të malit të Cakranit, Vladimir Korçari quhet, dhe kjo qe si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studjuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmime gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna.  Qyteti është emërtuar “Gurëzezë”, mbasi në atë faqe mali, janë dy gur të mëdhenj që dalin si gjokset e një nëne e që janë formuar nga rërat bituminoze, pra janë të zes. Në fakt emri i qytetit nuk dihet.

Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji.

Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi  tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan, bri fshatit Cakran

Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qyetet Bragul, Eugen, Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etje. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu.

Thirrje u bëjë edhe institucioneve përgjegjëse si dhe intelektualëve cakranjot, për të ndërmarrë hapat e duhura që aty të punohet për zbulimin e kësaj kulture historike. Por mbi të gjithë këta që përmenda, përgjegjësia duhet kërkuar tek institucioni kryesorë, që duhet të koordinojnë punën dhe fondet e duhura për këtë problem shumë të rëndësishëm për ne e për historinë tonë.

Normalisht shtrohet pyetja: sa lekë duhen që atje të vazhdojnë gërmimet e zbulimet? Unë nuk jam kopetent për këtë, por nga bisedat private të bëra me arkeologë shifra të habit! Le të merren specialistët me llogaritjet, por meqënëse afron përpilimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, mendoj se diçka duhet parashikuar edhe për Cakranin. Me aq sa di unë, shuma nuk duhet të jetë e madhe.

Sa më shumë aq më mirë, por jo më pakë se 500 mijë lekë në vit deri një milionë lekë, në mënyrë që të punoj një grup i kompletuar gjatë periudhës së verës, ndoshta edhe po kaq për restaurimin e dëmtimeve, sidomos në Qyterzë.

A nuk është habi të thuhet se kaq lekë nuk gjënden nga Ministria e Kulturës, apo nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera që merren me trashëgiminë.?

Po kështu edhe për ndërtimin e një muzeumi fillestar. Them fillestar, sepse ai mund të zgjerohet, zmadhohet, pasurohet, në të ardhmen, në vartësi të nevojave, por edhe fondet do të jenë më të mundëshme.

Rëndësi duhet t`i kushtohet dhe rregullimit të asaj rruge që të shpie në Gurëzezë. Ajo duhe zgjeruar, shtruar me çakëll, mundësisht dhe me rërë bituminoze

Këto fonde  mund të jepen nga Komuna, nga qendra arkeologjhike e Fierit, apo nga MK, ndoshta dhe nga donatorë privatë, por këto burime duhet që të jenë në qendër të vëmendjes së atij që është përfaqësues i popullit aty, i cili duhet t`i gjej e t`i ndjekë deri në harxhimin e tyre vetëm për destinacionin e caktuar, e jo të vidhen andej-këtej.

I bindur që diçka do të bëhet e do të gjëndet zgjidhja e duhur, shpreh respektin e konsideratat e mia maksimale, për të gjithë ata që do ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

* Halil Bregasi/Redaktor i Revistës “Cakrani”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI, Halil Bregasi, I HARRUAR

VATRA, PJESMARRËSE DHE NJË NGA SPONSORËT E DEMONSTRATËS NË WASHINGTON

April 6, 2014 by dgreca

Një nga pikat e rendit të ditës të Këshillit të Vatrës, organizuar me 5 prill, ishte dhe mbështetja që Federata i jep demonstratës që organizojnë shoqatat dhe fondacionet me origjinë nga trevat shqiptare në Mal të Zi për të dënuar politikën diskriminuse që ndjek prej vitesh Gjukonovici me qeverinë malazeze në drejtim të mohimit të drejtave më elementare të shqiptarëve dhe asimilimit. Në takimet e organizuara nga komisioni i demonstratës Vatra është përfaqësuar me zv/kryetarin e saj z. Asllan Bushati.

Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, tha se kjo demonstratë është shumë e rëndësishme për të drejtat e bashkadhetarëve tanë që jetonë në trojet e veta në Mal të Zi, ku të drejtat e tyre janë nëpërkëmbur dhe asimilimi po rrezikon të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta. Z. Bucaj tha se ky solidaritet i Vatrës  dhe i shumë shoqatave të tjera këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një sinajl edhe për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, i cili me moskordinimin mes vetes kanë ndihmuar asimilimin e shqiptarëve.

Po ashtu dr. Gjon Bucaj, bëri publik, një propozim që i ka bërë anëtarit të Ansamblesë Kombëtare të Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, për t’u vënë në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikan, për të organizuar një vizitë në Mal të Zi për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve.

Për demonstratën e së martës-8 Prill 2014 në Washington, iu bë thirrje vatranëve në Nju Jork dhe degëve të tjera, vecanërisht asaj në Washington, që të bëhen pjesë e demonstratës.

Në fund të takimit u organizua një fushatë simbolike për të sponsorizuar udhëtimin drejt Washingtonit.

Grupit të vatranëve pjesmarrës në demonstratën e Washingtonit do t’i prijë zv/kryetari i Vatrës, Asllan Bushati.

Të dashur vatranë bëhuni mbështetës të kësaj demonstrate për të mbështetur bashkatdhetarët tanë në Mal të Zi dhe për t’i thënë ndal asimilimit!

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, demonstrata e washingtonit, Vatra

Z. RRUSTEM GECAJ I DORËZOI CELËSAT E SHTËPISË SË RINOVUAR KRYETARIT TË VATRËS

April 6, 2014 by dgreca

Të shtunën me 5 prill 2014, z. Rrustem Grcaj, në prani të Këshillit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i dorëzoi celësat kryetarit Gjon Bucaj. Kryetari i Vatrës e falenderoi z. Rrustem Gecaj, biznesmen i njohur për dhurime e mbështetje të cështjes Kombëtare,-( njëkohësisht ai është edhe anëtar i këshillit të Vatrës),për këtë dhuratë që u bëri vatranëve dhe komunitetit shqiptar.

Kryetari Bucaj tregoi historinë e Shtëpisë së Vatrës, e cila është blerë me kursimet e vatranëve ndër vite. Ai përmendi kontributin që patën dhënë viteve të shkuara një grup vatranësh në rinovimin e ndërtesës. Ndërsa atëhere grupi që mori përsipër rinovimin , i prirur nga Kryesia e Vatrës dhe Kryetari Karagjozi, ishte me pjesmarrës të  shumtë, si Zef Balaj, Arjan Myrtaj,Ibrahim Kolari, Sejdi Hysenaj, Ahmet Hoti, vëllezërit Bytyci, Zef Perndocaj, Jonuz Ndreu,Ramiz Gjini,  e shumë të tjerë, këtë herë rinovuesi ishte vetëm një, Rrustem Gecaj.

E falenderojmë për këtë bujari që anëtari I Këshillit të Vatrës tregoi ndaj nesh dhe vatranët do t’I jenë përherë mirënjohës, tha dr. Gjon Bucaj.Puna që ka bërë z. Rrustem Gecaj, është e një cilësie të lartë, flet vetë Shtëpia që duket si e re.

Ndërsa z. Rrustem Gecaj duke i dorëzuar celësat e Shtëpisë së rinovuar(edhe dyert i vendosi të reja), tha se ndjehej mirë për vlerësimin dhe mirënjohjen e kryetarit të Vatrës dhe gjithë vatranëve. E bëra se I kisha mundësit, tha ai. Ta gëzojmë së bashku! Uroj që për një të ardhme jo të largët, të arrijmë që të bëjmë një Qendër shumë herë më të madhe se kjo shtëpi.

Ceremoninë simbolike e ndoqi edhe media, TV 21, TV Kultura Shqiptare dhe Gazeta Dielli.

Filed Under: Vatra Tagged With: e Shtepise se rinovuar, i dorezoi celesat, kryetarit Bucaj, Rrustem Gecaj

19-vjeçarja Shqiptare, deputete në Zvicër

April 5, 2014 by dgreca

Zgjedhjet e fundit në Glattbrugg do të sjellin një deputete 19-vjeçare, e cila është deputetja më e re – jo vetëm shqiptare – në historinë e kësaj komune. Vetëm para një viti ishte anëtarësuar në radhët e SP-së, por me shpejtësi zuri hapin në politikë duke arritur që të fitojë më së shumti vota në mesin e të rinjve. Zëri i saj tash do të dëgjohet edhe në Parlamentin e Glattbruggut.Në përbërjen e kaluar SP-ja në Glattbrugg kishte pasur vetëm shtatë ulëse në Asamble, ndërsa tani, pas zgjedhjeve të fundit, i kanë mbetur gjashtë sish.

“Me vota jam radhitur e shtata, mirëpo edhe dy muaj njëri kandidat nga SP-ja e liron vendin për mua”, thotë për AlbInfo politikania e re, e cila shprehet të jetë më e votuara nga shqiptarët. “Edhe nga zviceranët mendoj që kam marrë vota”.Prej 16 mijë banorëve sa janë gjithsej në Glattbrugg, diku 2500-3000 thuhet të jenë shqiptarë.Jeta e Qëndresa Sadriut është me mjaft angazhime. Ajo përpos që punon si ndihmëse e stomatologut, në të njëjtën kohë ndjek mësimet e maturës. Ndërsa, ajo që e bën të dallohet nga të tjerët është angazhimi humanitar për t’i ndihmuar fëmijët që janë të sëmurë nga kanceri.

Përveç këtyre angazhimeve, Qëndresa tashmë ka filluar edhe një rrugë të re: me plot besim thotë se do të mundohet që në këto katër vjet të bëjë diçka për banorët e Glattbruggut. /AlbInfo/

 

Filed Under: Featured Tagged With: 19 vjecarja shqiptare, deputete, ne Zvicer

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT