• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

DR. PRENO IMERAJ: DO TË JEMË ME VATRËN EDHE PSE PO LARGOHEM NË ATDHE

May 31, 2014 by dgreca

Dr. Prenjo Imeraj pas një qëndrimi shumëvjeçar në SHBA po kthehet në Atdhe, edhe pse është nënshtetas amerikan. Prej kohësh është i anëtarësuar në Vatër dhe i abonuar në gazetën Dielli, duke qenë edhe një bashkëpunëtor i rregullt i saj. Para largimit për në Atdhe(dr. Prenjo do të largohet në fund të qershorit) ai na njoftoi se kishte dëshirë, që të bënte një vizitë në shtëpinë e Vatrës. E priti sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu dhe editori i Diellit.Shoqërohej nga inxhinieri Azbi Shheu.
-Erdha për dy arsye, na tha dr. Prenjo, sapo u takuam. E para erdha të shlyej pagesën e anëtarësimit për vitin 2014. Do të largohem për në Atdhe, por nuk dua që të shkëputem nga Vatra e Atdhetarizmit në SHBA. Gazeta le të shkojë në adresën e shtëpisë në Astoria, Queens. Djali im, Sokoli, le të jetë vazhduesi im këtu e tutje. Arsyeja e dytë , ju kam sjellë një dhuratë; Një gravurë të punuar në bakër –Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbi kalë. “
Në dedikim, dr. Prenjo ka shkruar:”
VATRËS
Me konsideratë, për punën dhe luftën e pa ndërprerë dhe shumë të çmuar që ka bërë dhe po bën për Çështjen Kombëtare.
Prenjo dhe Jeffrey Sokol Imeraj
Astoria, NY…
E falenderuam dr. Prenjon dhe i uruam rrugëtim të mbarë. Disa fotografi në mjediset e Vatrës, dhe e përcollëm.
Veprimi i d r. Prenjo Imeraj është për t’u përshëndetur. Edhe pse po largohet ai kreu një obligim moral që meriton vëmendje: La djalin që të vazhdojë kontaktet me Vatrën! Një mesazh domethënës për shqiptarët e Amerikës për t’u bashkuar rreth Vatrës.
Faleminderit dr. Prenjo Imeraj!

Filed Under: Vatra Tagged With: DR. PRENO IMERAJ: DO TË JEMË, ME VATRËN EDHE PSE, NË ATDHE, PO SHKOJ

VATRA DO TE KETË DEGËN E TRETË NË FLORIDA- ORLANDO

May 31, 2014 by dgreca

NJOFTIM I KRYETARIT TE DEGES SE VATRES NE JACKSONVILLE/
Në një njoftim që shpërndau në rrjetin social facebook dhe në një prononcim telefonik për gazetën Dielli, z. Adriatik Spahiu, kryetar i degës së Vatrës në Jacksonville-FL, njoftoi se do të organizohet për të parën herë dega e Vatrës në Orlando. Për këtë qëllim Spahiu u ka drejtuar një thirrje publike shqiptarëve në Orlando për të qenë pjesë e këtij organizimi. Përmes Vatrës shqiptarët e Amerikës do të jenë më të bashkuar për cështjen Kombëtare.
Ja njoftimi i kryetarit të degës së Vatrës në Jackosonville, drejtuar bashkatdhetarëve në Orlando.
Të nderuar bashkëkombas të qytetit të Orlandos, FL
Dega VATRA në Jacksonville organizon ceremoninë e themelimit të degës VATRA në Orlando.
Kjo ceremoni është e hapur për të gjithë Shqiptarët e komunitetit të qytetit.
Ju mirëpresim:
ditën e Diel, dt 08.06.2014 tek Torinos Pizza & Restaurant në orën 19.00 PM.
Qëllimi i kësaj ceremonie është: mirëorganizimi i Shqiptarëve të Orlando e rrethinë për të punuar së bashku për të ruajtur Identitetin kombëtar , Gjuhën e bukur Shqipe, historinë , kulturën dhe traditat kombëtare.
Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha degët e Vatrës dhe Shqiptarët në Florida për të ecur së bashku në rrugën e udhëheqësve të Vatrës, Nolit dhe Konicës, për të përmbushur misionin kombëtar të Federatës Vatra.
Në këtë takim do të regjistrohen anëtarët e degës së re të Orlando dhe do të bëhen zgjedhjet e reja për Këshillin e degës.Pjesëmarrja është e lirë.
Ju lutem njoftoni bashkëkombasit, miqtë dhe dashamirësit tuaj me telefon, e-mail dhe mënyrave të tjera në internet.
Ju faleminderit,
Kryetari i degës Vatra në Jacksonvillë,FL
Adriatik Spahiu

Filed Under: Vatra Tagged With: VATRA DO TE KETË DEGËN E TRETË NË FLORIDA- ORLANDO. Adriatik Spahiu

NJË DHURIM I VEÇANATË PËR VATRËN DHE DIELLIN

May 31, 2014 by dgreca

Edhe pse fushata për moblimin e Bibliotekës dhe Arkivit të Vatrës nuk është hapë zyrtarisht pasi kjo do të bëhet zyrtarisht në Kuvendin e saj që do të çelë punimet me 14 Qershor, dhurimet kanë nisë. I pari që e hapi fushatën ishte anëtari i Këshillit të Vatrës, Ahmet Hoti dhe Ndrec Gjergji.
Një dhurim i veçantë u bë të Shtunën me 31 maj në Vatrë nga një nga vatranët e rinj, njëkohësisht anëtar i këshillit të Vatrës,I rritur në kampet e internimit, i cili me dëshirën e vet do që të mbetet anonim. Dhurata e tij ishte për Gazetën, një kompjuter i ri, prodhim i fundit dhe një printer. E falenderojmë dhurusin që vetë zgjodhi anonimatin. Përmendim faktin se dhurimi i tij kushton më shumë se një mijë dollar!
-Ma tha zemra, nuk e bëra për t’u dukur, prandaj mos ma publiko emrin, i tha ai editorit të Diellit tek ia dorëzoi dhuratat.
Faleminderit vatran!

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, DHE DIELLIN, I VEÇNATË PËR, NJË DHURIM, VATRËN

Dega e Vatrës në Queens zhvilloi takimin para Kuvendit

May 31, 2014 by dgreca

Ashtu siç ishte njoftuar, të shtunën e 31 Majit, dega e Vatrës në Queens, NY, u mblodh në një takim para Kuvendit Vjetor të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.
Në takim merrnin pjesë nga Kryesia e Vatrës, sekretarja e Federatës Vatra, Nazo Veliu, editori i Diellit, Dalip Greca, dy anëtarët e Këshillit të Vatrës, pjesë të kësaj dege, zotërinjët Bashkim Musabelliu dhe Lek Mirakaj.
Takimin e ka hapur kryetari i degës së Vatrës të Queensit, dr. Skënder Murtezani. Ai tregoi për përpjekjet që ka bërë kjo degë për t’u riorganizuar , për të shtuar anëtarësinë dhe për të përcjellë mesazhe vatrane tek shqiptarët e kësaj zone. Dr. Murtezani tha se janë bërë disa qindra telefonata nëpër familjet shqiptare të Queensit, ku janë përcjellë mesazhe për Federatën Vatra dhe historinë e saj 102 vjeçare. Natyrisht, tha ai,nuk jemi të kënaqur me anëtarësinë egzistuse, pasi mundësitë e shtimit janë të shumta. Dega ka rezerva për t’u dy e shumëfishuar.
Më pas dr. Murtezani u ndal në dy nga veprimtaritë e degës së Queensit, në atë kushtuar Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Frashërit, veprimatri që u zhvillua në Hotelin, ku u ndal zemra e atdhetarit të madh dhe në veprimtarinë kushtuar historisë dhe tragjedisë së Çamërisë.
Po ashtu dr. Murtezani shfaqi projektin për hapjen e një shkolle shqipe nën kujdestarinë dhe drejtimin e degës së Vatrës. Ai tha se e ka siguruar objektin e shkollës shqipe dhe se ai vetë do të shlyente detyrimet financiare për objektin e shkollës. Por me kaq nuk mbaron puna, ne sapo kemi filluar, komentoi ai.
Kryetari i Komisionit të projektit të ndryshimeve të Kanunores së Vatrës, anëtar i Këshillit të Vatrës, juristi Bashkim Musabelliu, bëri një paraqitje esenciale të projektit të rishikuar të Kanunores së Vatrës. Ai u ndal në paketën e ndryshimeve, në nevojën që dikton koha e sotme për këtë Kanunore-hartuar para 102 vitesh, dhe ftoi pjesmarrësit që të shfaqnin mendimet e tyre rreth këtij projekti, siç ishte parashikuar në rendin e ditës të këtij takimi. Musabelliu iu përgjigj pyetjeve që u drejtuan nga salla.
Anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Mirakaj, shfaqi rezervat e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në Kanunore, në këtë dokument historik 102 vjeçar. Ai tha se nuk është Kanunorja ajo që pengon veprimtarinë e Vatrës dhe se vlerat e Kanunores egzistuese mbeten historike dhe nuk duhen prekur, por mund te behen amendamente. Më pas z. Mirakaj shfaqi kritika me projektin dhe kryesisht kufizimet që diktojnë disa nga nenet e shtuara. Kufizimet që vihen, tha ai, ia heqin karakterin e lirë Vatres, karakterin e një shoqate të hapur, dhe e afrojnë atë me partitë politike. Po ashtu, Mirakaj, konstaton se ka shumë kopetenca në dorën e kryetarit, çka dëmton karakterin demokratik të Federatës. Vatra duhet të jetë më hapur dhe jo e kufizuar, tha ai. Z. Mirakaj shfaqi mendimin që strukturat udhëheqëse, përfshi Këshillin, duhet ët zgjidhen në Kuvend.
Pjesmarrësit ishin aktivë në diskutime. Takimi u karakterizua nga debate dhe toleranca e rrahjes së mendimeve.
Diskutuan, Ylli Dosku, Altin Qosja, Monda Musabelliu, Panajot Përmeti, Halit Shpuza, Erjon Bardhi, Ymer Dervishi, Arben Bardhi,Qazim Velaj, e të tjerë.
Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, pasi falenderoi degën për përpjekjet e saj për t’u organizuar dhe për të shtuar anëtarësinë, informoi për përgatitjet e Vatrës për Kuvendin vjetor që do të organizohet me 14 Qershor. Ajo u ndal edhe në mesazhet që duhet të përcjellim tek shqiptarët që nuk janë anëtarë të Vatrës. Të jesh në Vatër është krenari, por edhe obligim kombëtar,tha ajo. Duke folur për projektin e hapjes së shkollës shqipe, Veliu orientoi gjithëpërfshirjen e degës me qëllim që të mos lihet kjo detyrë vetëm tek kryetari. Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgim është sfidë e hershme e Vatrës dhe ne duhat ta çojmë më tej.Është e pafalshme që fëmijët e shqiptarëve të humbin gjuhën këtu në Amerikë, ku vetë shteti të parkrah qoftë në hapjen e shkollave, qoftë edhe në veprimtaritë kulturore.
Për këtë pikë diskutoi nënkryetati i degës së Vatrës së Queensit, Halit Shpuza, i cili para disa vitesh mori inisiativë për hapjen e shkollës shqipe pa pagesë në Ridgewood, por që mbështetja e familjeve shqiptare ishte e pa mjaftushme dhe të gjitha shpenzimet e familjes Shpuza, përfshi dhe librat e fletoret,shkuan kot. Para se t’i hyjmë këtij projekti, duhet të bindemi se sa mbështetje do të kemi nga familjet shqiptare, sygjeroi ai.
Në takim diskutoi edhe editori i Diellit Dalip Greca, i cili kërkoi më shumë mbështetje për gazetën Dielli, që është regjistri më i vjetër i Botës shqiptare prej 105 vjetësh, por është edhe një zëdhënës i fuqishëm i Vatrës. Ai mirëpriti sugjerimet për ta përcjellë gazetën, përveçse tek vatranët, edhe tek komuniteti shqiptar.
Editori i Diellit, kërkoi që puna me pasion atdhetar e kryetarit të degës, dr. Skënder Murtezani, kërkon më shumë mbështetje nga strukturat dhe anëtarët e degës me qëllim që atij t’i lehtësohet misioni sepse profesioni i mjekut ia kufizon kohën e lirë.
Ndërsa për projektin e degës së Queensit për të hapur në të ardhmen një shkollë shqipe, editori e vlerësoi pozitivisht, por sygjeroi që të ngrihet një grup pune që tani, të trokitet derë më derë në familjet shqiptare, dhe t’u flitet për projektin, si një obligim i Vatrës për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës kombëtare. Ai tha se Vatra që në kohëthemelimin e saj, më 1912 është marrë me shkollimin në gjuhën shqipe të shqiptarëve, të vegjëlve dhe të rriturve. Në një nga mbledhjet bashkuse të Vatrës, konkretisht në atë të 24 prillit, siç dëshmohet në rekordet e Vatrës, që ruhen në arkivin e saj, tregohet se dy nga anëtarët e Komisionit, nuk mundën të merrnin pjesë në takim sepse ishin në çeljen e shkollës shqipe. Dhe këta qenë editori i Diellit Kristo Floqi dhe delegati Kostë Kota. Pra që prej 102 viteve të shkuara Vatra u mor me shkollën shqipe dhe e ka vazhduar edhe më vonë, deri në ditët tona, ku vihet re një përtëritje e traditës. Një shembull për këtë vazhdimësi na e dha dega e Vatrës në Jacksonville, që e bëri projektin realitet. Ky projekt kërkon pasion dhe përkushtim. Ndërsa për shtimin e anëtarësisë, ai solli si shembull po degën e Jacksonville me kryetar Adriatik Saphiun, që ka çuar numrin e anëtarve në më shumë se 80 vetë, ndërkohë që ishte inisiator edhe për hapjen e degës së Vatrës në Hartford, degë që ka 35 anëtarë. Po ashtu ai po përgatitet që këto ditë të organizojë dhe një degë të re në Florida.
Në këtë takim kishte dhe përfaqësues nga Brooklyni, të cilët premtuan që të kontribuojnë në krijimin e një dege atje.
Në fund të takimit, me propozime nga anëtarësia pjesmarrëse, u zgjodhën delegatët për Kuvendin e Vatrës. Ata janë:
1-Skënder Murtezani, si kryetar i degës dhe anëtar i Këshillit.
2- Raimonda Musabelliu
3-Ylli Dosku
4-Teodora Përmeti
5-Halit Shpuza
6- Qazim Velaj

Filed Under: Vatra Tagged With: dega, e Vatres, ne Queens, para Kuvendit, zhvilloi takimin

Rëfimi i Kadares: Historia ime e dashurisë me “Emën”

May 31, 2014 by dgreca

Një bisedë e gjatë zbardh misteret që kanë rrethuar deri më tani romanin e parë të Ismail Kadaresë, e që ironikisht botohet vetëm së fundmi. Një histori dashurie, në Tiranën e trishtë të komunizmit dhe shumë vite heshtje në Tiranë, që ndonëse kryeqytet i shtetit, nuk mund të përfytyrohej kurrë aq e madhe, saqë të mos e takojë asnjëherë ish-mikeshën…
Zoti Kadare, jeni shprehur se nuk do të shkruani më letërsi artistike. Në fakt, kjo ka ardhur ngase keni ndier se i keni thënë gjithçka lexuesit, apo ngaqë me të gjitha mënyrat i keni thënë diçka?
Ismail Kadare: As njëra, as tjetra. Është një fazë që i vjen natyrshëm një pjese të shkrimtarëve. Ndërkaq, vështirë se mund të gjendet një shkrimtar që mendon se ka thënë gjithçka. S’është e mundur, madje s’është e nevojshme të thuhet gjithçka.
Gjithashtu keni treguar se e kishit parë veten para një auditori kozmik. Ky përfytyrim, para apo pas romanit që po botojmë këtu?
Kam qenë magjepsur pas letërsisë së paku shtatë ose tetë vjet përpara këtij romani. Sa më herët të vijë kjo magjepsje, aq më mirë është. Arti kërkon që ti të mrekullohesh përpara tij. T’i besosh si asnjë gjëje tjetër në botë. Dhe kjo, më lehtë dhe më natyrshëm se kurdoherë, ndodh në periudhën midis fundit të fëminisë dhe fillimit të adoleshencës. Ëndrra për auditor të përbotshëm të duket e rrokshme në këtë moshë. E pamundura gjithashtu, bashkë me gëzimin që s’njeh kufij, programohen pikërisht në këto vite.
Ndërkaq, koha ngre përpara shkrimtarit të ardhshëm paradoksin më të madh: nuk i jep mundësinë e të shkruarit. Duket sikur kjo ndodh si një ndëshkim për atë fluturim e atë guxim të marrë. Dhe kjo është në të vërtetë një fat. Shumë shpejt shkrimtari i ardhshëm e kupton se ato që ka shkruar në atë moshë nuk kanë e nuk mund të kishin asnjë vlerë. Dhe se e gjithë aventura duhej të mbaronte kështu. Ndërkohë, ai e ndien se, pavarësisht nga kjo, ajo aventurë ka qenë e tillë, që e ka bërë rob të një dashurie të pangjashme me asnjë tjetër në botë. Dhe ai bëhet gati seriozisht, dramatikisht të vihet në shërbim të saj.
Pra, jeni magjepsur pas letërsisë dhe pas ëndrrës për auditor të përbotshëm disa vite përpara shkrimit të këtij romani të titulluar “Mjegullat e Tiranës”. A ka mbajtur gjithnjë këtë titull romani në fjalë apo ia keni ndryshuar më vonë?
Ky roman nuk ka pasur asnjëherë titullin “Mjegullat e Tiranës”. Ai titull nuk ka qenë veçse një gabim i kujtesës sime. E kam quajtur, me sa duket kështu, në ndonjë bisedë me shokët, dhe më pas, sinqerisht për një kohë të gjatë, e kam besuar si të vërtetë. Titulli, në të vërtetë, ka qenë “Dashuria Nr. 2”.
“Dashuria nr. 2” tingëllon e pazakonshme. A mund të thuhet se ka një dozë snobizmi?
Natyrisht që titulli e ka gjithë dozën e snobizmit të mundshëm. Dhe bashkë me të një lloj lehtësie të shtirur, tipike për shumë djem të kohës. Ishte një lloj kundërshtimi i “dashurisë romantike”, që ngjante si tipar i prapambetur, i një letërsie të prapambetur. Një lloj shpalljeje se kishte ikur koha e “dashurisë së vetme”, që “s’harrohej kurrë” etj., etj., dhe në vend të këtij sublimimi, dashuria, si shumë gjëra të tjera, mund të kishte një numër!
Në të vërtetë, e gjithë kjo ishte një trill, me të cilin ne studentëve na pëlqente të gënjenim veten. Siç mund të duket nga vetë romani, ne dashuronim gati-gati njëlloj si më parë, me po ato dufe e psherëtima, ndonëse hiqeshim si cinikë modernë.
A mund të na thoni si i gjeni titujt e veprave tuaja?
Pak a shumë si shumica e shkrimtarëve. Rastësisht, në fillim ose gjatë shkrimit të veprës. Rrallëherë në fund.
A është kjo sprova juaj e parë për të shkruar një roman?
Ky është romani im i parë i vërtetë. Në fakt, siç e kam rrëfyer shumë herë, përpara tij kam shkruar ndonjë duzinë “romanesh”, për të cilat epiteti “i çuditshëm” do të tingëllonte i zbehtë. Këto romane përbëheshin zakonisht nga një tekst që shkonte nga dy faqe në dhjetë ose dymbëdhjetë. Ndërkaq, secili prej tyre shoqërohej me një sasi të madhe reklamash të përfytyruara të tipit “Doli në shitje romani i mahnitshëm, madhështor, i pashoq etj., etj., i I. H. Kadaresë”. Teksti i reklamave e kalonte zakonisht vetë tekstin e romanit, madje, shpesh, i lodhur prej tyre, s’kisha durim të shkruaja veprën e shpallur me aq bujë.
Po përse romani në fjalë nuk përmendet në intervistat dhe esetë tuaja; përse nuk përmendet në “Ftesë në studio”, një libër që është pikë referimi për çdo studiues të veprës suaj, gjenetist qoftë ky ose jo?
Arsyeja ishte e thjeshtë. Ky roman mbeti edhe më pas si një vepër e mohuar prej meje. Për të qenë më i saktë, ai ishte pjesë e jetës sime të njeriut, por jo e asaj të shkrimtarit. Në këtë të fundit, ai i ngjante një fëmije të paligjshëm.
Kjo kishte të bënte, ndoshta, me dyshimin tim se romani, duke qenë jashtë problemeve të kohës, do ta kishte të pamundur botimin. Veç kësaj, pas kthimit nga Moska, ishte e natyrshme që ai të më dukej i prapambetur. Sidomos pas “Qytetit pa reklama”, që e kisha shkruar atje, dhe që qëndronte, nga çdo pikëpamje, më lart se ai.
Më vonë, kur ka ardhur puna për të përcaktuar atë që do të ishte teksti im i parë, pak a shumë serioz, zgjedhja ra mbi novelën e shkurtër “Në dheun e huaj”, shkruar më 1953, kur isha ende gjimnazist, shtatëmbëdhjetë vjeç.
Atëherë, si vendosët që dorëshkrimi të dilte nga sirtarët dhe të merrte formën e një libri të shtypur?
Kjo ka ndodhur shumë vonë, më 2012, në kohën kur po qartësohej ideja e një botimi të ri të veprave të plota në shtatë vëllime, ku vëllimi i fundit do të përmblidhte vepra të pakryera plotësisht, shestime, sinopse ose motërzime të ndryshme.
Kjo do të ishte një lëndë tepër e larmishme, që mund të zgjonte interes po aq te studiuesit, sa te lexuesit e mirëfilltë.
Pasi vendosët ta botoni romanin, a ju mundoi ndonjëherë frika se lexuesi, i mësuar me madhështinë tuaj, do të harronte se këtu kishte të bënte, përmbi të gjitha, me një “archi-roman”, e, njëkohësisht, me një shkrim të brishtë?
Sigurisht që s’kishte si të mos ndodhte një gjë e tillë. Megjithatë më ka qetësuar mendimi se herët a vonë ky krijim letrar do të merrej ashtu siç ishte: edhe archi-roman, edhe i brishtë, edhe imi e, njëherësh, jo. Në fund të fundit, pa kërkuar ndërlikime, mund të thuhet se kjo ishte edhe arsyeja kryesore që ai do të botohej jo me emrin tim në mbulesë, por me atë të studiuesit, në këtë rast me emrin tuaj.
Zoti Kadare, si është shkruar romani; dua të them: është shkruar në letër, është incizuar me magnetofon (si një pjesë e “Qytetit pa reklama”), ka ardhur nga një ditar, nga një letërkëmbim, a kishit një dosje të parë shënimesh, copëza letre… diçka tjetër?
Romani është shkruar me dorë, në fletore shkrimi. Është shfrytëzuar një ditar që kam mbajtur me ndërprerje gjatë viteve studenteske në Tiranë. Letra gjithashtu. Të mia dhe të vajzës studente që ka shërbyer si personazh.
Ju tregoni dhe dëshmoni se romani lindi nga një ditar. A mund të na thoni për lexuesin, po ditari me çfarë është shkruar, me penë, me stilograf, laps?
Është e vërtetë. Është shkruar pjesërisht me stilograf, pjesërisht me laps.
Letrat e tjera i keni sajuar vetë?
Nuk më kujtohet mirë. Ndoshta një pjesë. Është diçka lehtësisht e vërtetueshme.
Mund të na thoni, zoti Kadare, çfarë lexonit teksa shkruanit “Mjegullat e Tiranës”? Me fjalë të tjera, çfarë leximesh kanë ndikuar në ngjizjen e tij?
E kam vështirë të përgjigjem saktësisht. Në atë kohë lexoja në shqip dhe në rusisht. S’mund të them se kishte botime të mjaftueshme, por as nuk mendoj se ndihej uria e leximit.
Më bën përshtypje përkthimi i një vjershe të Pushkinit që përsëriste Ema, personazhi i këtij romani, dhe që thuhet se e kish përkthyer një shok i kursit: “Përse të fundit lule vallë/na zgjojnë në zemër më shumë mall?/Në shpirt të trishtë me kujtime/ato na ndjellin fushës qetë/ashtu sikurse nga takimet/m’e ëmbël ndarja ndodh të jetë”. Kush e ka bërë përkthimin? Ndoshta ju? Ç’vend zinte Pushkini në formimin dhe parapëlqimet tuaja; sa u detyrohet ky roman i parë ndikimeve nga Pushkini dhe, në përgjithësi, autorëve rusë?
Me sa duket, përkthimin e kam bërë vetë. Lidhur me ndikimin e Pushkinit, me kalimin e kohës, kam kuptuar diçka tepër të veçantë: shumë shkrimtarë që janë ndikuar prej tij, shumë shpejt e harronin këtë, aq sa, duke kujtuar të kundërtën, e mohonin ndikimin, madje dukej sikur iu vinte turp për të.
Mendoj se kjo vjen ngaqë ndikimi i Pushkinit është aq i natyrshëm, saqë nuk bie në sy. S’është asnjëherë i bujshëm si ai i Shekspirit, që bubullin që larg. Është më i përkorë se prania e stinës.
Vonë e kam kuptuar se kam qenë i ndikuar prej Pushkinit. Dhe s’kam ndier kurrfarë bezdie, aq më pak turp. Përkundrazi.
Jeta e Tiranës jepet përmes zhurmave, vitrinave, shkëlqimit të rrugëve; aty ka të qeshura, grupe të gëzuara të rinjsh, djem e vajza, me dëshira, pasione. Parqet e Tiranës janë përplot tryeza dhe vallëzues, ka reflekse dritash në sheshin “Skënderbej”, ëmbëlsi, net dehëse; ju përshkruani se në sytë e vajzave që takojnë djemtë shkëlqen lumturia dhe turpi që gënjejnë prindërit dhe ndiejnë në buzë të puthurat… ato përshëndeten me “Hello” dhe “adio” dhe në sfond jehon “Storia dolce d’amor”. Kështu shkëlqente Tirana në të vërtetë apo keni hedhur më shumë dritë se ç’kishte, për shkak se ishit i ri dhe perceptimi ndryshonte? Apo është ndoshta një poemë dashurie juaja, që e sjell Tiranën ashtu siç do të dëshironit të ishte?
Kur, pas më shumë se gjysmë shekulli, e kam lexuar dorëshkrimin, atmosfera kryeqytetase që përmendni ka qenë për mua po aq befasuese, sa edhe për ju. Pyetjen se cila nga dy tablotë ka qenë e vërtetë, ajo që është përshkruar në roman, apo ajo e jetës së njëmendtë, e kam bërë së pari unë vetë. Jeta e njëmendtë ka qenë vërtet e ashpër dhe e mërzitshme, por, sado e keqe të ishte jeta, më e keqe se ajo ishte letërsia. Kjo e fundit ngjante aq e mjerë, sa të vinte turp të ishe shkrimtar. Mund të thuhet se në vitet pesëdhjetë letërsia shqipe ishte në ditët më të zeza të saj. Një thatësirë e papërfytyrueshme zotëronte kudo, personazhe pozitive që të kallnin krupën, politizim i skajshëm, ngjyra bardhë e zi – partizanë, ballistë – shkurt asgjë njerëzore nuk ndihej në faqet e saj.
Në roman nuk ka përftesa moderne të dukshme, por atë e përshkon kryekëput një frymë moderne; aty gjenden personazhet që te “Dimri i vetmisë së madhe” do të jenë djemtë e rrugës “Broduej”, aty është Bardhyli, të cilin e kishin kritikuar për tendencë modernizmi, aty thuhet se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve po flitej në lidhje me përhapjen e modernizmit në letërsi, pikturë dhe muzikë. Sa i vetëdijshëm ishit për këtë frymë moderne që përcillte romani juaj në klimën që mbizotëronte në Shqipëri në ato vite?
Ajo që ju e quani “frymë moderne” nuk është shpikja ime. Ndonëse e drojtur është ndier vërtet, fill pas dënimit në Moskë të krimeve të Stalinit, kryengritjes në Hungari më 1956 dhe konferencës së Tiranës, po atë vit. Unë disi e kam theksuar atë frymë, por në rrethet kryeqytetase, sidomos studenteske, pulsonte vërtet.
Për fat të keq, në letërsinë shqipe nuk pati asnjë shenjë, asnjë jehonë të saj. Ndaj, parë nga ky këndvështrim, romani im nuk mund të ishte veçse rrëfimi i një Don Kishoti të vetmuar. Kjo ka qenë ndoshta edhe arsyeja që s’kam bërë asnjë përpjekje për botimin e tij. Madje, as mendja s’më ka shkuar, përderisa dorëshkrimi nuk është daktilografuar kurrë.
Të jesh i vetëdijshëm se romani që ke shkruar nuk do të botohet kurrë (çka edhe i ndodhi këtij romani brenda epokës komuniste), mendoj se dëshmon për një vetëdijesim më të gjerë. Këtu dua të përsëris se kjo liri, përpara se të më vinte nga idetë dhe burimet e njohura të lirisë së njeriut, më ka ardhur prej vetë letërsisë. Më saktë, prej andej nga s’pritej: fantazmave të Shekspirit.
Ndalemi pak te personazhi që nuk u ngjet aspak atyre që diktonte Socrealizmi. Bardhyli nuk ka asgjë të përbashkët me heroin pozitiv. Si mundët të krijonit një personazh të tillë në kohën kur teknikat tuaja poetike ishin ende të pasofistikuara? A e ndienit ju këtë? Pra, sa e kuptonit se, dashje pa dashje, ai, Bardhyli, ishte i ndryshëm nga personazhet që kërkonte koha? Ndoshta enkas e krijuat të tillë?
Çështja e “heroit pozitiv” ka qenë e para që më ka dalë përpara, në raportet e mia me realizmin socialist. Për t’i rënë shkurt, ishte shëmtia e parë që arrita të dalloj, pa ndihmën e askujt, përveçse të vetë letërsisë. Ishte një nga themelet e socrealizmit, ndaj dhe ndarja me të më ka ndihmuar në ndarjen e përgjithshme me këtë mjerim.
Me të ashtuquajturin “hero pozitiv” në qendrën e tij, realizmi socialist kishte nënshkruar dekretin e vet mortor.
Pa u zgjatur, po ju tregoj një ngjarje që lidhet me romanin për të cilin po flasim.
Një letrar i kohës, dashamirës dhe i njohuri im, shkroi dhe botoi një “histori dashurie”, të ngjashme me atë që përshkruhej në “Dashuria Nr. 2”. Kishte qenë në dijeni të ngjarjes mbi të cilën ishte bazuar teksti im, ndaj dhe ngjashmëria e tramës ra në sy të rretheve letrare, madje të lexuesve, që rastësisht dinin diçka rreth saj. Shkurt, e njëjta ngjarje përshkruhej dy mënyrash, por romanet ishin me fate të ndryshme: njëri do të botohej e tjetri jo. Por ky ishte vetëm ndryshimi i jashtëm. Ndryshimi tjetër, ai thelbësori, ai fatali, ishte se, ndërsa njëri nga tekstet i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të.
Kur e kam lexuar, në vend të kënaqësisë, që do të ndiente çdokush që një ngjarje e jetës së tij kishte frymëzuar një vepër letrare, kam vënë duart në kokë. M’u duk një tmerr i vërtetë. Dhe ky tmerr lidhej, në radhë të parë, me personazhin kryesor, që duhej të isha unë vetë.
Çdokush mund të pyeste: të paska nxjerrë keq në atë vepër? Të ka bërë personazh negativ? Përgjigjja ime do të ishte e qartë: ku ta gjeja të isha negativ. Ishte e kundërta, duke kujtuar se më bënte nder, më kishte vënë në qendër të veprës si “hero pozitiv”! Dhe ishte pikërisht kjo që m’u duk si fatkeqësi. Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte dita që mbi shpinën time të ndieja se ç’turp do të ishte të gjendeshe si hero pozitiv në një vepër të realizmit socialist!
Që ta rrokni këtë, po jua shpjegoj. Personazhi qendror, domethënë unë vetë, isha një student që më rrinte mendja ditë e natë se si, pas mbarimit të studimeve, të shkoja ku të më dërgonte partia, për t’i shërbyer popullit. Që ia kisha bërë të qartë të dashurës sime, studente gjithashtu, se mbi dashurinë ndaj popullit s’vija asgjë, madje as atë vetë, e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, e dashura ime portretizohej si një vajzë trillane kryeqytetase, që e kishte mendjen të krihej e të zbukurohej, pa çarë kryet “për kauzën” etj. Ky ishte edhe thelbi i dramës që do të na çonte në ndarje!
Zemërimi im për negativitetin e së dashurës (në të vërtetë, ajo ishte një vajzë e mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet) bashkohej me mllefin për pozitivitetin tim të padurueshëm. Por kryesorja ishte tjetër gjë. Për herë të parë, si një ndëshkim për atë me të cilën do të merresha, unë kuptova se sa çnjerëzor mund të ishte ky art. S’ishte ndonjë teprim po të dëgjoje se ishte shpikur një mallkim i ri, si ata që nisnin me fjalët “të pafsha në dreq a në dreqollë”. Në këtë rast, mallkimi do të ishte: të pafsha hero pozitiv në një roman të realizmit socialist!
Artisti i talentuar që, kur mbushi 17 vjetët, pati sukseset e para të ndjeshme në art, që kur kthehej në qytetin e lindjes e shihnin me kuriozitet, sepse vinte nga kryeqyteti, dhe që, për shkak të natyrës së ftohtë, indiferencës dhe talentit, shihej si mendjemadh nga meskiniteti i zakonshëm i provincës, artisti i ri që nuk ecte në normat e caktuara të jetës, që nuk rrinte me njerëz “të dëgjuar” të cilët s’pushonin së dhëni këshilla nga pozita e mësuesit artistik, që këshillat i dëgjonte me shumë skepticizëm, që linte leksionet, që bridhte me duar në xhepa duke i matur rrugët me vërshëllimë, jeni ju?
Ashtu mendoj. Zakonisht ky tip quhej personazh negativ, por unë e pranoja me kënaqësi. Mendoj se është i njëjti personazh i novelës “Në dheun e huaj”.
Në atë kohë tipa të tillë letrarë njiheshin si “njeriu i tepërt” (Eugjen Onjegini i Pushkinit, Peçorini i Ljermontovit). Ka gjasë që termi i saktë do të ishte “njeriu i gabuar”. Ndërkaq, në rusisht nuk përdorej shprehja “ashiboçnyj”, por “lishnyj çellovjek”, që s’ishte gjë tjetër veçse përkthimi fjalë për fjalë i stilemës frënge “homme de trop”, “njeriu i gabuar”.
Përtej pengesës nga mjedisi, artisti, personazhi i romanit, i quajtur Bardhyl, nuk do ta shohë më vajzën (Emën), nuk do të martohet me të, ta “konsumojë” ndjenjën në martesë. Çfarë është kjo frikë që ka artisti, mund të na e shpjegoni për lexuesit?
Romani është shkruar në moshën njëzetvjeçare, kur ideja e martesës është vetvetiu e huaj. Aq më tepër personazhi është një student me ambicie të mëdha, në pritje të një ndryshimi tronditës në jetën e tij: udhëtimit në Moskë për studime të mëtejshme letrare. Shtojini kësaj edhe snobizmin rinor dhe xanxën e të qenit modern, për të kuptuar se martesa merrej si një mbyllje e jetës.
Ema është personazhi i parë në galerinë e personazheve-femra. Cili është emri më tingëllues, më i bukur i femrës në galerinë e personazheve tuaja? Cili është ai që doni më shumë?
Përgjithësisht s’kam qenë ndonjë kërkues i qëllimshëm emrash. Me sa më kujtohet, “Ema” ishte një emër që përdorej prej meje dhe shokëve të mi, si një lloj nofke, për vajzën-personazh, që u përmend më lart. Ajo vetë e përdorte gjithashtu për vetveten.
Si emër vajze ose gruaje i parapëlqyer prej meje ka qenë Ana. E kam vështirë të saktësoj arsyet. Tingëllimi universal i saj ka qenë ndoshta njëra prej tyre. Anna Kern, gruaja njëzetetrevjeçare e gjeneralit Kern, me të cilën Pushkini i internuar pati një lidhje dashurie dhe i kushtoi vjershën më të famshme të dashurisë në letrat ruse: “Kujtoj atë çast të mrekullueshëm”, ka gjasë të ketë qenë një tjetër shtysë. Një vajzë ruse që e kam njohur dy-tri javë pas mbërritjes në Moskë, në shtator të vitit 1958, gjithashtu… Ndonjë tjetër rast s’përjashtohet. Siç e shihni, është një vargor rastësish, disi i brishtë.
Le t’i rikthehemi vendimit tuaj: pasi kishit thënë se nuk do të shkruanit më poezi, në vitin 2005 botoni poemën “Tirana në dimër”. A keni fituar apo keni humbur diçka me “thyerjen” e kësaj fjale? Së dyti, çfarë ndodhi me Tiranën, e cila, në vitet gjashtëdhjetë, ishte realiteti më i bukur, ndërsa në vitin 2005 është realiteti i vanitetit, korrupsionit, krimit?
Jo, nuk kam humbur. “Tirana në dimër” është një poemë që duhej shkruar. Ka mbetur e huaj për kohën jo për faj të saj, por të kohës.
“Mjegullat e Tiranës” dhe “Tirana në dimër”, në këndvështrimin tim, përbëjnë një binom antitetik. Ka një binom antitetik në veprën tuaj qytet-provincë, ku i njëjti qytet është herë në njërin e herë në tjetrin cak. Qyteti i lindjes, Gjirokastra, del provincë te “Mjegullat e Tiranës” dhe te “Qyteti pa reklama”, por del një qytet mrekullor te “Kronikë në gur”. Po ky kalim, si ndodh?
Për letërsinë nuk besoj se ka qendra. Për studiuesit është tjetër gjë. Gjirokastra, qyteti ku kam lindur dhe jetuar gjer në moshën 17-vjeçare, nuk ka qenë për mua, asnjëherë, as qendër, as provincë. Ashtu siç nuk ka qenë qytet i vogël ose i madh. Ka mbetur kështu i papërcaktueshëm.
Ajo që di me siguri, është se do të më duhej të ikja larg, madje tepër larg, rreth tri mijë kilometra, për të shkruar, në Moskë, veprën e parë për Gjirokastrën, romanin “Qyteti pa reklama”. Romanin e dytë, “Kronikë në gur”, e kam shkruar në kryeqytet, në Tiranë, gati dhjetë vjet më pas. Për të tretin, “Çështje të marrëzisë”, do të më duhej, veç rënies së komunizmit, dyfishi i largësisë së Moskës, plus kapërcimi i Oqeanit Atlantik, pra Nju-Jorku, për ta shkruar atje. Romanin e katërt dhe të fundit, “Darka e gabuar”, do ta shkruaja në Paris.
Siç mund ta shihni, krijohet përshtypja e një pakti të veçantë midis meje dhe këtij qyteti. Siç mund ta keni vënë re, epiteti “i çuditshëm” përdoret sa herë që del një problem saktësimi. Në këtë rast mund të thuhet: i veçantë, trillan e njëherësh i palogjikshëm, për të mos thënë i krisur. Me Gjirokastrën është fare i lehtë përdorimi i secilit prej tyre. Thelbi i paktit do të ishte: rri larg kur të shkruash për mua.
Kam përshtypjen se janë të shumta qytetet që kanë pakte të ngjashme. Për Moskën e viteve studenteske, për shembull, kam shkruar jo vetëm kur u gjenda larg, por edhe kur e humba çdo shpresë rikthimi.
Gjendja në larginë e shpjegon, me sa duket, arsyen se përse ka ca treva, për të cilat shkrimtarët e kanë lehtë të shkruajnë: ato të vdekjes.
Të ndalemi tani te vepra: ka studiues të cilët u drejtohen vetëm versioneve të para të veprave të para të një autori të caktuar. Kemi disa versione të “Gjeneralit”, të “Kronikës në gur”, të “Kështjellës”, të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Sa e rëndësishme është, sipas jush, vepra e parë e një shkrimtari?
Nuk mendoj se vepra e parë e shkrimtarit ka ndonjë farë rëndësie të veçantë. Aq më pak se ajo mund të ketë ndonjë krahasim, ta zëmë, me dashurinë e parë, ose, më falni, me vrasjen e parë…
Sa për studiuesit që iu drejtohen vetëm veprave të para, të them të drejtën, nuk i kuptoj. Në qoftë se, në ethet e rendjes pas postmodernizmit në kritikë, do të krijohej kjo fazë, le ta quajmë fazë “materniteti në letrat shqipe”, edhe për këtë s’do të dija ç’të thosha.
Nga ana tjetër, është e dukshme se nuk do të kemi version të mëvonshëm të “Mjegullave”…
Jo vetëm është e dukshme tani, por ka qenë e tillë përherë. Kjo është një vepër që ka lindur e tillë, pa jetë. Shumë shprehje si kjo, që tingëllojnë të frikshme në përdorim, te ne, domethënë në letërsi, s’janë ashtu. Pa jetë, te ne, do të thotë pa jetë të mëtejshme. Pra, pa jetë publike, pa lexues. Autori e ndien kur vepra lind e tillë, si ato lule që s’kanë stinë tjetër. Janë ca shenja për këtë, por ato shenja është tepër vështirë t’i dallosh, e aq më tepër, t’i zbërthesh.
Si mundët, gjithsesi, të mos preknit asgjë në këtë tekst deri tani para botimit teksa besoni se prirja për të ndrequr diçka në vepër bën pjesë në lirinë e saj? Si i shpëtuat tundimit për të mos bërë ndërhyrje? Apo nuk u tunduat aspak?
Nuk jam tunduar kurrë, përpara vitit 2012. Me sa duket, më është dukur e panatyrshme. Si një kundërkah, si dhunim. Ai tekst duhej të mbetej në atë trajtë të vet. Meqenëse u përmend fjala “liri”, kjo ka qenë ndoshta një formë e tij e lirisë.
Më 2012 ndodhi ndryshimi.
Akti i parë i përgatitjes së një vepre të tillë, për të dalë në jetën publike, ka qenë daktilografimi. Teksti, i shkruar me dorë, u shtyp për herë të parë në një makinë shkrimi në vitin 2012, pas gati gjashtëdhjetë vitesh. Ishte herë e parë që po e lexoja, në të vetmen formë që isha mësuar të lexoj një dorëshkrim: të daktilografuar.
Gjatë leximit kisha përshtypjen se radhë të tëra më zbardheshin përpara syve. Dukej sikur teksti e kundërshtonte, e sprapste leximin.
Ndoshta në këtë sprapsje lozte një rol ndonjë dilemë juaja për të mos bërë publike një ngjarje personale, për arsye etike? Personazhi i vajzës, për shembull, që, siç kuptohet nga biseda, ka qenë lehtësisht e identifikueshme. A keni pasur rast ta takoni më vonë, kur jeni bërë shkrimtar i njohur? Ç’mund të mendonte ajo për ndodhinë, për përshkrimin e saj? Dhe, kryesorja, a ka ngjashmëri midis ngjarjeve të përjetuara nga rrëfimi i tyre në vepër?
Po e nis nga fundi: ngjashmëria. Është pyetja më e ndërlikuar në kësi rastesh. Është vështirë që ndodhia të ngjajë, por më e vështirë akoma, është të mos ngjajë. Ndryshe nga një parullë e njohur e komunizmit “kufiri ynë është i pakalueshëm”, kufiri letërsi-jetë e njëmendtë s’mund të jetë veçse i kalueshëm.
Takimi me personazhin?
Po t’ju them se qysh nga mbarimi i fakultetit të letërsisë në Tiranë, ku ishim të dy, pra, qysh nga ikja ime në Moskë, dhe gjer më sot, në këtë ditë që po flasim, nuk e kam takuar kurrë, ju ndoshta s’do të më besoni.
Tirana, ndonëse kryeqytet i shtetit, nuk mund të përfytyrohej kurrë aq e madhe, saqë të mos e takoje asnjëherë ish-mikeshën tënde. Megjithatë, kështu ka ndodhur. Sa herë që flitej për zmadhimin e Tiranës, më shkonte ndër mend një gjë e tillë. Kur nga njëqind mijë banorë shkoi në dyqind mijë, mendova se kjo mund të përligjej disi. Por rastet e kundërta, domethënë të njohurit e shumtë, që më dilnin për-para, sidomos kur s’doja, ma hidhnin poshtë. Pastaj Tirana shkoi katërqind mijë, e më pas gjysmë milioni banorë, dhe tani mostakimi më ngjante i natyrshëm. Por, kur një ditë në Paris, tek ecja më këmbë në St. Michel, u ndesha me botuesin tim gjerman nga Cyrihu, Egon Ammann, m’u kthye shpresa se takimit në Tiranë me vajzën e fakultetit të letërsisë do t’i vinte radha një ditë. Nuk ndodhi asnjëherë, madje, edhe pas rastit të pabesueshëm kur, një mëngjes, në një bar të Nju-Jorkut, m’u afrua dikush që më përshëndeti: hello, jam Dan Pope, ju kujtohet, jemi takuar para ca vitesh në Central Park, e mblodha mendjen se mund të kryqëzohesha në rrugë me Dan Pope, madje me kinezë që i kisha njohur në Shangai, veç me atë vajzën e fakultetit, në Tiranën e ngushtë, s’do të duhej të ndeshesha kurrë. Ishte e qartë se diçka e errët, por e epërme, e pengonte.
Ju ka munduar ndonjëherë ndjenja e humbjes? Nëse po, në ç’kuptim?
Shumë herë. Në të gjitha kuptimet. Në radhë të parë, humbja rastësisht e dorëshkrimit. Besoj se nuk ka shkrimtar në botë që s’e ka përjetuar një gjë të tillë. Në radhë të dytë, edhe më keq, bastisja. Është i njohur si ankth nga gjithë shkrimtarët e vendeve tiranike. E kam provuar që larg, në tetor të vitit 1990, kur policia e Tiranës i mori krejt dorëshkrimet. E treta, zjarri, përmbytja, furia e vetë shkrimtarit (si në rastin e Nikollai Gogolit me pjesën e dytë të “Shpirtrave të vdekur”).
Zoti Kadare, a keni shkrime të tjera të pabotuara?
Më duket vetëm një novelë, me titullin “Barka në rërë”, shkruar pak kohë përpara romanit që po flasim. Është ende e padaktilografuar. Pra, në gjendje të midistë, mes jetës dhe pajetës.
Dhe së fundmi, a keni dashur ndonjëherë, qoftë edhe në fëmijërinë e hershme, të bëheni dikush tjetër përveçse shkrimtar?
Asnjëherë. Sidomos në fëmininë e hershme, atëherë kur kujtoja se e doja letërsinë marrëzisht, ngaqë isha i bindur se, sa më shumë ta doja, aq më i famshëm si shkrimtar do të bëhesha! (Më saktë, aq më i famshëm, isha, ndërkaq!!)
Jashtë mahisë, mund të them se një tekst kënge, për dashurinë, që gjendet në një nga librat e mi, do ta përshtatja kështu për letërsinë: “Dhe njëqind jetë të jetoja/ Në të njëqindtat do t’të doja”.
(Kortezi: Viola Isufaj- Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Interviste Tagged With: e dashurisë me "Emën", Historia ime, Rëfimi i Kadares:

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT