• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

SA AKTUALE !!.. MBAS 101 VJETËSH…

December 5, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…/
Ditë e bukur e festës sonë kombëtare, vajzat veshun Kuq e Zi…/
(Foto:Tetove, 28 nentor 2014)/
●Atdhetari Mark Kakarriqi, një bashkpuntor i Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit, per ngritjen e Flamurit kombtar në Vlonë, me 28 Nandor 1912, edhe ky i “harruem”…
Në vitin 1913 ishte aksioner në Vienë. Një gazetar e pyeti për luftën e shkodranëve në mbrojtjen e qytetit të Shkodres, të rrethuem nga malazezët: Po kur, të mbarohen burrat, çka keni ndër mend me ba ju? Marku e shikoi… dhe iu pergjegjë shumë gjakftohët:
– “Keni harrue zotni, se luftën tek né do ta vazhdojnë gratë trimnesha!”
●Tue shikue foton naltë mu kujtue thanja e Mark Kakarriqit dhe pyeta veten:
Cila këtu nga këta Vajza Shqiptare në 28 Nandorin e 2014… nuk asht Nora e Dedë Gjo’ Lulit, Tring Smajlja, Kupe Danja, Katrin Tomja apo Shote Galica? …
E pikrisht, për këto Vajza, ka këndue i madhi At Gjergj Fishta:
“…Edhe t’ mirë po e kisht’ ba nana:
Ardhun shtatit si “breshana”,
synin hyllë, ballin si hana,
dishka njethë si molla n’ gêm:
qi ka dalë m’ ka ashtu té dera,
sikur ban me çilë pranëvera;
sikur ban dielli me dalë
nepër aha, brej e halë:
Kaq gja t’ mirë Zoti ka falë!
***
E ta dijë Knjazi n’ Cetinë,
se edhe n’ qitët Shqiptarët ai fare,
der’ t’ jetë gjallë ndo’i bijë Shqiptare,
qi per erz, Besë, e Atdhé,
këto edhe desin si me lé…”
At Gj. Fishta, TRINGA tek “Lahuta e Malcis”
●101 Vjetë që këta dy Burra vlersonin dhe PARASHIKONIN …
Melbourne, Dhjetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: 101 VJETËSH..., SA AKTUALE !!.. MBAS

IDRIZ LAMAJ: VATRA DHE VATRANËT

December 5, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Idriz Lamaj është i njohur si publicist, studiues dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëherazi edhe ish-gazetar i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Publicisti Lamaj është autor i disa librave dhe i një numri të madh artikujsh botuar në gazetat dhe revistat e diasporës gjatë pothuaj në gjysëm shekulli. Veprimtaria publicistike e Z. Lamaj përfshinë punën e tij me gazetën “Shqiptari i Lirë”, të cilën për vite me radhë, Idrizi e drejtonte së bashku me Dr. Rexhep Krasniqin, ish-Kryetarin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe me bashkpuntorë të tjerë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Shkrimet e tija janë botuar gjithnjë në gazetën Dielli të Organizatës Pan Shqiptare Vatra, si dhe në revista dhe botime të tjera të diasporës, sidomos në Amerikë por edhe në trojet shqiptare në Ballkan.
Gjatë një kariere dhe kontributi në fushën e publicistikës shqiptare prej pothuaj një gjysëm shekulli, Idriz Lamaj ka trajtuar kryesisht çështje parimore të interesit kombëtar. Ka mbuluar zhvillimet dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të cilin ai gjithnjë ruan një thesar informacioni në bibliotekën e tij shumë të pasur. Është marrë me analiza dhe ka paraqitur kumtesa mbi marrëdhënjet shqiptaro-jugosllave, mbi marrëdhënjet shqiptaro-greke dhe mbi situatën e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre në Ballkan, në përgjithësi. Në pothuaj të gjitha shkrimet dhe librat e autorit Idriz Lamaj vihet re një frymëzim dhe dëshirë për të qitë në dritë të vërtetën mbi atë që shkruan, qofshin ata personalitete të jetës politike dhe kulturore të emigracionit shqiptar, me të cilët ai ka patur fatin të punonte ngushtë pranë Komitetit Shqipëria e Lirë, qoftë rreth Vatrës ku ende është aktiv si anëtar i bordit të organizatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara, por edhe në angazhime të tjera politike, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Fati i Idriz Lamajt ishte se atij iu dha rasti që gjatë disa dekadave të punonte dhe të bashkpunonte me personalitetet më të dalluara politike dhe kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë, përfshirë Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Peshkëpinë, Ingj. Vasil Gërmenjin, Mons. Zef Oroshin dhe me shumë e shumë të tjerë atdhetarë e dashamirës dhe mbrojtës të kulturës dhe interesave shqiptare, personalitete këto nga të gjitha trojet dhe nga të gjitha besimet pa dallim, të cilët shpesh nën rrethana tepër të vështira politike dhe financiare të mërgimit, përpiqeshin që me aq sa kishin mundësi të mbanin gjallë dhe lartë frymën e shëndosh të traditave dhe vlerave të kombit shqiptar. Idrizi ishte gjithmonë me ta dhe pranë tyre duke punuar pa bujë e shpesh unanimisht dhe me modesti, por i vendosur që veç puna të shkonte mbarë dhe në të mirën e përbashkët.

Studiuesi dhe aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan, njëkohësisht ka punuar edhe si gazetar pranë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe ku gjatë viteve përgatiti rubrikën shumë popullore radiofonike, “Shqiptarët e Amerikës”. Idriz Lamaj është autor i shumë librave, dhe i qindra artikujve dhe referateve të mbajtura në raste dhe në përvjetorë të ndryshëm që kanë shënuar jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shiqptar në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave. Idrizi, në librat dhe referatet e tija, gjithmonë duke përdorur dokumentacion të dorës së parë, ka prekur çështje me rëndësi nga jeta dhe veprimtaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ka pasqyruar veprimtarinë e shumë prej personaliteteve më të shquara të këtij komuniteti, me të cilët ai ka pasur rastin të punojë.

Para dy javësh më ra në dorë libri i tij më i fundit me titull: “VATRA DHE VATRANËT.” Është ky një historik i veprimtarisë së Vatrës dhe i shumë personaliteteve të komunitetit shqiuptaro-amerikan, duke filluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Besoj se Idrizi është i vetmi që njeh mirë jo vetëm veprimtarinë e organizatës Panshqiptare Vatra, por ai është edhe një personalitet i këtij komuniteti, i cili jo vetëm ka njohur por që edhe ka punuar me dekada me udhëheqës të ndryshëm të organizatës Vatra dhe me një numër të madh intelektualësh atdhetarë për një periudhë prej më shumë se gjysëm shekulli. Andaj, si i tillë, ai shkruan nga këndveshtrimi i një aktivisti dhe pjesmarrsi të drejtë për drejtë në aktivitetet e Vatrës dhe organit të saj, gazetës Dielli. Si njëri që ka ndjekur nga afër jetën e komunitetit këtu pranë Vatrës po se po, por edhe kur ka punuar si zyrtar i Komitetit Shqipëria e Lirë me Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Pëshkëpinë dhe me Vasil Gërmenin, përfaqsuesin e komunitetit shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Robëruara Europiane (ACEN) dhe shumë të tjerë.

Në parathënje të librit, autori e informon lexuesin se libri është një përmbledhje e teksteve të disa kumtesave ose referateve, që ai vet ka paraqitur me raste të ndryshme të përvjetorve të Vatrës dhe gazetës Dielli. Autori Lamaj thotë se e shkroi këtë libër me qëllim që t’i paraqesë lexuesit njëfarë historiku të orgnaizatrës Vatra e që mbulon një periudhë prej vitit 1925 deri në vitin 1955. Më konkretisht, shton ai, “jam përpjekur të hedhë dritë mbi arsyet e bashkpunimit të Konicës me regjimin e Zogut dhe të Nolit me regjimin e Enver Hoxhës…ndërsa konfliktet e Konicës dhe të Nolit me krerët e regjimeve në fjalë janë ilustruar edhe me të dhëna nga disa prej letrave të tyre private”, thotë autori.

Ky libër botohet dekada pas ndodhinave, ngjarjeve dhe protagonistëve që nuk jetojnë më, por është një dokument që ve në dukje se autori ka një arkiv të pasur, dhe tregon edhe disiplinën e autorit për të mbajtur shënime të përditshme dhe për të ruajtur korrespondenca e dokumente të tjera gjatë gjithë karierës së tij. Me librin “Vatra dhe Vatranët”, Idrizi i sjellë lexuesit një pjesë të historisë së aktivitetit të Vatrës dhe vatranëve të një periudhe 30-vjeçare, periudhë kjo shumë kritike për fatet e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve nga viti 1925 deri në vitin 1955. Aty ai shkruan për Vatrën e para Luftës së dytë Botërore, mbi kuvendet e ndarjes së Vatrës më dyshë dhe mbi kuvendet e bashkimit të Vatrës; mbi Vatrën gjatë Luftës së dytë Botërore, mbi Vatrën përballë pretendimeve greke ndaj Shqipërisë dhe mbi qëndrimin organit të saj, gazetës Dielli ndaj qeverisë komunist shqiptare dhe ndaj qeverisë amerikane. Autori u kushton kapituj të veçantë Fan Nolit e Faik Konicës, marrëdhënjeve midis tyre si edhe udhëheqseve të tjerë të Vatrës e Diellit, si Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Kost Çekrezi, Petro Kolonja e Nelo Drizari, që ishte gjtihashtu edhe ngarkuari i qeverisë amerikane për të organizuar dhe krijuar Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe në vitin 1943, ndër të tjerë aktivistë të Vatrës. Autori ka përzgjedhur gjithashtu disa thënje të arta nga Faik Konica.

Ai kryesisht ka përdorur gazetën Dielli si burim kryesor por edhe gazeta dhe botime të tjera, si “Albania” e Konicës, për të dokumentuar historikun e Vatrës për periudhën që mbulon. Z. Lamaj përshkruan një periudhë të vështirë për Vatrën, sidomos për periudhën e para Luftës së Dytë botërore, kjo sipas autorit, për arsye të krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara por edhe më tepër për arsye të konflikteve dhe ngatrresave të mbrendshme të organizatës Vatra, përfshirë sidomos grindjet midis Faik Konicës dhe Fan Nolit, por edhe si rrjedhojë e të rolit përçarës që luante Konsullata e Shqipërisë në Boston. Megjithëse dy protagonistët kryesorë të asaj që autori cilëson si “lufta klasike e mendimit të lirë të vatranëve” të asaj periudhe, ishin natyrisht Noli e Konica, autori i librit “Vatra dhe Vatranët” thotë se duhet të merret parasyshë gjithashtu edhe roli që kanë luajtur, ndër të tjerë, Refat Gurrazezi, dishepull i Konicës, Qerim Panariti, dishepull i Nolit, Peter Kolonja e shumë të tjerë. Por, autori thotë se ndonëse “fërkimet politike” midis tyre ishin mjaft serioze, Lamaj nënvijon se dokumentat provojnë se megjith kundërshtimet politike midis tyre, ata në të vërtetë e ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri tjetrin në çdo kohë dhe deri në vdekje. Z. Lamaj sjellë një pjesë të fjalimit të Nolit me rastin e varrimit të Faik Konicës në dhjetor 1942, ku ai shpreh respektin e tij të madh duke thënë se vdekja e Konicës, ishte sipas Nolit, “….Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhënj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skëndërbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër….”, ka thënë Fan Noli për Faik Konicën, me rastin e varrimit të tij.

Në të vërtetë, megjithë grindjet e këtyre kolosëve, mosmarrveshje që autori i cilëson si “fërkime politike”, ndonëse nga njëherë të ashpëra, ajo që vihet re në dokumetacionin e këtij libri është se këta kolosa më në fund, kur vinte puna tek interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ata prap se prap, punuan së bashku për të mirën e Atdheut. Është ky një mësim dhe shembëll i mirë për politikanët e të gjitha kohërave. Ky në të vërtetë, mendoj unë, është edhe njëri prej mesazheve me rëndësi historike i këtyre patriotëve e që pasqyrohet në librin e autorit Lamaj, se politikanët shqiptarë madje edhe sot — megjithë ndryshimet, mosmarrvehsjet dhe grindjet e tyre politike — mund të marrin shembëll tek Noli e Konica dhe bashkatdhetarët të kohës së tyre, se më në fund, interesat e kombit duhet të jenë mbi të gjitha, pa marrë parasyshë “fërkimet politike” dhe interesat private dhe partiake.

Një mesazh tjetër i këtij libri, nga këndveshtrimi i autorit, është edhe për të provuar se Faik Konica nuk ishte shërbëtor i Ahmet Zogut dhe as Fan Noli nuk ishte shërbëtor i Enver Hoxhës, duke hedhur poshtë pretendimet e tilla gjysëm shekullore të regjimit komuniste.

Me librin e tij më të fundit, “Vatra dhe Vatranët”, Idriz Lamaj edhe njëherë shpalosë për lexuesin punën shumë të gjatë e të mundimshme por tepër të vlefshme që ai ka bërë gjatë dekadave. Idrizi, të cilin gjithë jetën e kam njohur si një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, është një arkiv i gjallë dokumentacionit mbi jetën, veprimtarinë dhe kontributin që ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë viteve. Në të vërtetë, autori i palodhshëm dhe me plot pasion për ruajtjen e kësaj trashëgimie të komunitetit shqiptar në Amerikë, kohët e fundit, në një takim me arkivistë nga Republika e Kosovës, Zoti Lamaj u kishte propozuar atyre se ishte gati të bënte kopje të mijëra dokumentave që ai posedon ekskluzivisht e që ndër të tjera përfshijnë mijëra letra, foto e dorëshkrime, për Arkivat e Kosovës, një minjerë e vërtetë ari për hulumtuesit dhe historianët. Idriz Lamaj meriton falënderimin e të gjithëve që e ka ruajtur këtë pasuri kombëtare dhe për faktin se është gati ta ndaj me të gjithë. Vend më të mirë për të strehuar këtë dokumentacion nuk ka se në Arkivat e kombit shqiptar, në Tiranë dhe në Prishtinë.
Përveç kontributit të tij në fushën e publicistikës, Idriz Lamaj mund të jetë personi që ka koleksionin më të pasur të shkrimeve, të botimeve, të revistave, të gazetave që nuk ekzistojnë më dhe të gjithë informacionin që mund ta ketë ndonjë njeri mbi jetën dhe veprimtarinë e imigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë. Një thesar i vërtetë që dokumenton veprimtarinë e diasporës shqiptare në Amerikë, me gjithë të mirat dhe të metat e saja, të pakën gjatë 50-viteve të fundit, të kësaj diaspore, e cila për nga aktiviteti i saj në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, mund të konsiderohet si më e rëndësishmja në botë. Njëherë më pat këshilluar Idriz atë që ai vet ka praktikuar gjatë gjithë jetës, duke më thënë që çdo gjë shënoje në letër, se vetëm ashtu mbetet dokument i gjallë. Një këshillë e mirë për mua dhe për të gjithë ata që janë të interesuar dhe të pasionuar pas historisë dhe publicistikës. Libri i tij më i fundit, “Vatra dhe Vatranët” është shkruar në këtë frymë, si dokument i gjallë i një periudhe tepër të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për fatet e kombit shqiptar. Por duke e njohur Idrizin, besoj se ai e konsideron këtë libër edhe si një borxh ndaj veprimtarisë dhe sakrificave të atyre burrave të kombit, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre – megjithse larg Atdheut — nuk kursyen asgjë për të mirën e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe detyrimit të tyre që ata ndjenin për të mbrojtur të drejtat legjitime të kombit shqiptar.

Filed Under: Vatra Tagged With: Frank shkreli, Idriz Lama, Vatra dhe vatranet

HAPJA E DOSJEVE DHE TE PERNDJEKURIT POLITIKE

December 4, 2014 by dgreca

“Ish të përndjekurit”te jenë palë në proçesin e ‘hapjes së dosjeve’/
SHKRUAN:FILIP GURAZIU*/
Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër, e ndjeshme ndaj zhvillimeve të politikës shqiptare, duke dashur që të kontribuojë sa më tepër në krijimin e një klime të mirëkuptimit social, si premisë e nevojshme dhe e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, me anën e këtij shkrimi paraqet publikisht shqetësimin në lidhje me ‘proçesin e hapjes së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’. Gjejmë rastin të sqarojmë opinionin publik, se ne ( Ish të Përndjekurit Politikë Shkodër) kemi qenë , jemi dhe do të jemi PRO ‘proçesit të hapjesë së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’ dhe se në gjykimin tonë, kurrë nuk mund të kemi mirëkuptim social dhe unitet kombëtar në qoftë se ‘ E VERTETA’ fshehet dhe i mohohet masës së gjërë. ‘ E verteta ’ sado e hidhur që të jëtë është pambarimisht më e mirë se ‘gënjeshtra’, pasi ‘ e verteta ‘ qetëson shpirtrat, shëron plagët dhe rindërton të ardhmen kurse ‘gënjeshtra’ bën të kundërtën; vetëm armiqëson, dhe shkatërron !
‘Proçesi i hapjes së dosjeve dhe ligji i lustracionit’ pasojë e së shkuarës rënqethëse të periudhës së diktaturës komuniste dhe veprës së sajë më të fëlliqur , ‘luftës së klasave’ pati dy grupe protagonistësh; shtypsin dhe të shtypurin. Shtypësi ishte “fitimtari”, komunisti Enverist që për të fituar dhe mbajtur pushtetin ( sipas metodës Staliniste-Enveriste ) duhej të zhdukte dhe të neutralizonte çdo person që mendonte ose mund të mendonte ndryshe, kurse ‘të shtypurit’ ishin “ humbësit” , d.m.th. ato të mjerë që mbartnin vetëm një “faj të pafalshëm” : nuk pajtoheshin me krimin komunist. Natyrisht konflikt nuk ishte kaq i thjeshtuar, pasi në kompleksitetin e tij përfshinte veset më të ndyra të shoqërisë njerëzore…
Mekanizmi i shtypjes, për të kontrolluar situatën dhe për të justifikuar dënimet para masës së gjërë, kërkonte spijunë dhe dëshmitarë që shërbenin në proçese gjyqësore të montuara. Njerëzit më të preferuar për këtë qëllim gjindeshin në gjirin e ‘klasave të përmbysura’. Rekrutimi bëhej me metodën e dhunës së diktaturës, kundërshtimi për të “bashkëpunuar” kishte për pasojë dënimet nga më të lehtat, siç konsideroheshin pushimi nga puna e deri ne internim dhe burgosje… Duhet të pranojmë se fatkeqësisht, spijunë me dosje dhe dëshmitarë të “instruktuar” pati me bollek, por kjo nuk i “turpëron” shqiptarët, në se kujtojmë se ne Gjermaninë Lindore, mekanizmi i diktaturës prodhoi 800.000 spijunë me dosje !
‘Shkaku’ i kësaj situate tragjike ishte dhuna Enveriste e vënë në zbatim nga Komitetet e Partisë, Sigurimi i Shtetit, Hetusija, Prokurorija dhe Gjykatat me ‘Pasojë’ degjenerimin moral të një pjese të popullsisë shqiptare si dhe përndjekjen politike të një pjese tjetër. Natyrisht, shoqëria post komuniste, duhet të mbajë qëndrim ndaj ‘shkakut’ dhe ‘pasojës’ dhe kjo është e pasqyruar në proçesin në fjalë, por duke u nisur sipas eksperiencës juridike botërore dhe sipas traditës kanunore shqiptare bëjmë thirrje që më i ashpër të jetë qëndrimi ndaj ‘shkakut’ se sa ndaj ‘pasojës; “ ma zi gërgasi se sa vrasësi”.
Duke konsideruar se ‘proçesi i hapjes së dosjeve dhe i ligjit të lustracionit’ përbën një dukuri me ndikim të gjërë dhe të mprehtë në gjirin e shoqërisë shqiptare, shumë e ndjeshme ndaj kësaj teme, si dhe dëshirën tonë për një zhvillim të suksesshëm , apelojmë para organeve egzekutive dhe ligjvënese për një zhvillim transparent të proçesit, gjë që nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e të gjithë palëve të interesuara. Me qenë se pala me e prekur dhe si rrjedhim më e interesuara për një proçes të drejtë, gjithëpërfshirës dhe transparent është ajo e ish të përndjekurve politikë, Shoqata apelon me forcë për të drejtën e kësaj shtrese që të bëhet palë në process, vetëm kështu proçesi do të mund të bëhet i besueshëm, pra i suksesshëm.
*Për Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë Shkodër

Filed Under: Opinion Tagged With: ‘hapjes së dosjeve’, "Ish të përndjekurit"te jenë palë në proçesin e, Filip Guraziu

Sajesat e Tomi Matos dhe nëma e Mitrush Kutelit

December 4, 2014 by dgreca

Tomi Mato dhe miqësia L.Poradeci, S.Luarasi, Dh.Pasko/
Nga Petro Luarasi/
Tomi Mato është një emër i famshëm jo vetëm në qytetin e Pogradecit. Ndonëse në prag të 90-tave, ky babaxhan rrezaton energji fizike e mentale, çmohet për bisedat e ëmbla dhe shakatë e kripura me hove rinore dhe trille pleqërishte, shkurt është krijues me dell ëndërrimtari, qejfli vere e korani që flladitet me vegime. Fantazia e tij e mëkuar në moshën djaloshare nga rrëzëllimat e magjishme të liqenit të Pogradecit, e ngjizur me vegimet hyjnore të Pragës së pasioneve dhe sfidave studentore, përjetoi lindjen e filizave të shpresës për demokraci dhe terrorin psiqik të sharrës diktatoriale. Në profesion i dhanë krahët e shqiponjës (në flatrimet regjisoriale të mbi 140 shfaqjeve teatrale) dhe brengën e bufit (që nuk mund të shohë dot dritën e diellit).

Kur doli në pension, Tomi Mato, i yshtur nga perspektiva e ndryshimeve demokratike, nga ekonomia e tregut dhe e xhepit, vendosi ta shpaloste personalitetin e talentin në të ashtuquajturat ‘’studime biografike’’ apo ‘’memoaristike’’ duke iu përkushtua me sy e mendje jetës së dy engjëjve pogradecarë, Lasgushit e Mitrushit. Edhe fati e përkrahu: mes miqve të qejfit e interesit, të xhanit e të namit, mes atyre që u pëlqen të koloviten rreth gotës e sahanit në lokalin ‘’Praga’’ të të birit, e gjeti edhe frymëzuesin e krijimtarisë, botuesin dhe propaganduesin e ‘’kryeveprave’’ me të cilat nuk kanë të nginjur mediat, ekspertët dhe gjindja e etur për zbulim e trillime sensacionale. Krijesa e parë (‘’Lasgushi më ka thënë ‘’, 2002) deri tani ka njohur katër rilindje me tirazhe marramendëse të sponsorizuara, ndërsa e dyta (“Kulteli, kalvari i një jete plot brenga”,2013) nuk dihet se si do të çapitet.
Një vit më parë propaganda shpallte se ‘’u promovua një nga veprat e rralla dhe me një rëndësi të veçantë për letërsinë shqiptare, “Kuteli, kalvari i një jete plot brenga” i autorit të njohur Tomi Mato’’, i cili, sipas ligjëruesve akademikë, si një bletë punëtore modeste kishte mbledhur e mlatuar nektarin për mikun e tij të zemrës, Kutelin. Sipas logjikës së tyre “të dhënat e këtij libri nuk janë thjesht një përshkrim letrar, por një grumbull rrëfenjash të mara nga vetë Kuteli, i cili në raporte të një miqësie të afërt me Maton, kishte rrëfyer për kalvarin e një jete me plot peripeci”.
Për një pedagoge ky libër ‘’i pasur me mendime objektive, i filtruar nga të pavërtetat, i bindshëm në konstatime, i qartë në zbulimin e anëve të padukshme ajsbergiane të Kutelit… plotëson një vakum të lënë keq të historisë së letërsisë shqiptare, letërsinë memoaristike shqiptare…Andaj libri ‘’Kuteli, kalvari i një jetë plot brenga’’ është një kontibut i madh në historinë e librave të tipit të memoareve”.
Por nga media e ndërgjegjësuar mësuam se ‘’libri biografik’’ për Mitrush Kutelin i Tomi Matos ka përfunduar në gjykatë ‘’për shpifje, denigrim të figurës së Kutelit dhe keqinformim të publikut, duke sajuar dhe fantazuar në lidhje me Kutelin dhe familjen e tij, duke krijuar situata që nuk kanë lidhje me të vërtetën’’.
Kështu familja e nderuar e Dhimitri Paskos (alias Mitrush Kuteli) vijon edhe në demokraci kalvarin e kërkimit të së drejtës, në përballje me xhambazët e leverdisë së tregut dhe gjallesat shurdh-qorr- memece të klanit “E ç’u bë?-Hiçkurrgjë!‘’
Ata tek e fundit mund të pranojnë që ‘’kryevepra’’ të mos quhet ‘’biografi’’ apo ‘’memoar’’ por ‘’roman fantastiko-shkencor’’ ku shpikjet e shpifjet, me vello letrare, nuk i dënon ligji. Edhe ndonjë kritik kurajoz, i cili e quan biografinë “një përbaltje të tmerrshme të Kutelit”, do ta përqeshnin: ‘’Këtu po grabitet prona dhe jeta e njerëzve, zotrote na kërkoke kokërzën e grurit në mullar!’’
Sido që të zbatohet ligji, vegjeton edhe morali, të cilin mëkatarët do të bënin mirë ta përfillnin më tepër sepse, sikurse thotë populli, ’’ më mirë syri, sesa të të dalë nami’’, më mire të hiqet vepra dhe harxhet e gjynahqarit, sesa të të ndjekë edhe në ferr nëma e Kutelit.

Petro Luarasi
Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e çështjes, i bëj me dije opinionit publik dhe institucioneve përkatëse të shtetit shqiptar përvojën e hidhur që kanë patur me librin e Tomi Matos “Të verteta dhe të pathëna për Lasgushin” edhe familjarët e Lasgush Poradecit, por edhe të Skënder Luarasit

Vlera dhe antivlera
T’i ofrosh vatrës kulturore-letrare shqiptare krijime (sidomos kronika) të vlefshme, sipas kutit e rangut të personalitetit të Lasgush Poradecit me shokë, nuk mjafton vetëm dëshira, talenti apo fantazia e një romancieri a regjisori, qoftë edhe tematika e pasur me shumëllojshmëri skenash e personazhesh, por mbi të gjitha përjetimi real, lënda – mielli safi i bluar e i qëmtuar mirë, me sa më pak krunde (trajtesa gjysmë të vërtetash e ‘‘huazime’’ – plagjiate, thashetheme e sajesa) e me një unitet vlerash në formë dhe përmbajtje të shprehura thjesht e bukur. Për më tepër, lum ai që fati e ka përzgjedhur edhe të jetë pjesëtar në zhvillimin e ngjarjeve, edhe të shkruajë si dëshmitar për to.
Kështu dua të shpreh thelbin parimor të vlerësimit letrar, se sa për anën komerciale të çështjes, mjafton një sponsorizim i fuqishëm, një reklamim efektiv nga protektorë autoritarë dhe suksesi në treg është i garantuar: për masën e gjerë, malli kallp serviret e konsumohet menjëherë si i cilësisë ekstra.
‘‘I marrosur’’ siç jam pas temave historiko-patriotike, biografive e kronikave, shpesh edhe unë e kam shijuar mallin kallp, instikti e kureshtja më kanë sunduan motivimin për leximin e tyre dhe vetëm në fund logjika e lodhja më ka dënuar për metodën aspak selektive të përzgjedhjes së lëndës dhe për pjesëzën e jetës së shkuar dëm. Me këtë përvojë personale dëshmoj se pa mohuar arritjet në botimet cilësore, në tregun tonë letrar qarkullojnë rëndom ca palo ‘‘kronika’’, të cilat janë veçse pjella fantazish të arnuara me thashetheme, interpretime e përgojime që shprehin e mbrojnë thjesht interesa personale e klanore të mbrapshta (për të mos thënë më tepër).
Këto farë veprash që tjetërsojnë jo vetëm të vërtetën historike, por edhe vlerat e mirënjohura të personalitetit dhe rrethit shoqëror e familjar të tij, në një mjedis mediokër dinak e fjalëshumë, marrin vlerën e faktit dhe nuk është çudi që ‘‘me sponsorizim’’ të farkëtojnë opinione tabu apo të konsiderohen si dokumentim i realitetit në ndonjë CV personale, familjare, film dokumentar, studim akademik, konferencë shkencore, e pse jo edhe në ndonjë muze.
Ky fenomen bëhet veçanërisht shqetësues kur objekt ‘‘bombardimi’’ janë personalitete ‘‘enigmatikë’’, të ‘‘vetizoluar’’, për të cilët flitet shumë por njihen realisht pak. Për ata publiku ka shpesh opinione kontradiktore për shkak të propagandës apo diktatit të pushteteve apo interesit të qarqeve të caktuara.
Për këtë tematikë, nën shtytjen e disa faktorëve, po i referohem një personaliteti si poeti Lasgush Poradeci, për të cilin janë shkruar disa kronika, çoroditëse edhe për lexues të kultivuar, të njohur, mik a familjar të tij, me ‘‘sajesat’’ që, në fund të fundit, jo vetëm nuk i shkojnë për shtat, por e zbehin rëndshëm madhështinë e tij.
Këtë mendim personal detyrohem ta provoj me disa fakte, që në rrethana të tjera, për shumë arsye, nuk do t’i publikoja kurrsesi.

Reklama, shpirti i tregtisë
Para disa ditësh më ra në dorë libri voluminoz i sponsorizuar ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’ me autor regjisorin veteran T. M. I apasionuar përgjithësisht pas kronikave, aq më tepër ndaj vlerës së mirëfilltë kombëtare të Lasgush Poradecit, librin e lexova me një frymë edhe për stilin e tij mjeshtëror të këndshëm, edhe për larminë e ngjarjeve, ambienteve e personazheve, aq të mirënjohura e të dashura për mua. M’u ringjall nostalgjia e viteve të rinisë, kujtimet e pushimeve verore disavjeçare buzë liqenit të Pogradecit dhe ah, mbi të gjitha, qenësia e tim eti, 25 vjet pas ndarjes nga jeta, më 1982. Ndaj, të paktën edhe për këtë ndjesi që më dhuroi ky libër normalisht duhej t’i isha mirënjohës autorit. Edhe për lexuesin e gjerë, ky libër, për nga forma e përmbajtja që ofron autori, dora vetë, si dëshmitarit okular, duhej të ishte ‘‘perlë’’ lasgushiane.
Këtë besim na e vulos që në faqe të parë vetë botuesi – gazetar i mirënjohur si skrupuloz, tek shprehet: ‘‘‘nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që shkarravina të ndryshme të bëjnë njohësin apo kompetentin, apo role të tjera lidhur me figurën e Lasgushit. Në këtë kuptim, libri që po i jepet në dorë lexuesit me autor T.M. (identiteti është zëvendësuar me iniciale nga P.L. për të mos i mëshuar personit, por fenomenit) ka një vlerë dokumentare, ku saktësia dhe preçizionin i episodeve është fare e papërpunuar nga ndonjë fantazi qëllimesh të mëpastajme. Tomi thotë: kështu ka ndodhur’’. Por libri i Tomit është shumë i vyer për penda të një niveli tjetër studimi dhe pasqyrimi psikoanalitik, shoqëror, politik, letrar, estetik, artistik i kambanës ‘‘Poradeci’’… sinqeriteti dhe çiltërsia e autorit, dhe për fat të mirë mungesa e një fantazie përpunuese, ose mosshfrytëzimi i saj kanë shërbyer për mirë në vërtetësinë rreth figurës së Lasgushit”.
E të tjera e të tjera vlerësime që do t’i shkonin shtatit të çdo gjeniu të letrave botërore.
Vetë autori, me modesti, na thotë: ‘‘E pranoj se nuk kam qenë ndonjë mik shumë i afërt, siç i mbante Ai disa në xhepin e brendshëm të anës së majtë, po unë isha i kënaqur që më mbante në një qoshe të xhepit të vogël të pantallonave të anës së djathtë’’ dhe vijon duke na e thënë shqip e shqeto: ‘‘Po mundohem që kujtimet e mia t’i rrëfej pa gënjeshtra. Ato i kam incizuar në memorje në shkallën më të lartë të vëmendjes, dhe tani erdhi momenti të lëshoj shiritin për t’i dëgjuar bashkëqytetarët e mi shqiptarë’ Në rrëfenjat e mia do të përpiqem të zbuloj disa kënde të errëta të panjohura të karakterit, krenarisë, të vuajtjeve të tij. Do të përpiqem që nëpërmjet fjalës, dialogut, të krijoj atmosferën e vendit, kohës, dhe romantikën e ambientit’’.

Qorrollepsja e xhepit
Por ky regjisor i moshuar pogradecar (tani së fundmi iu përkujtua 80-vjetori i lindjes) që pretendon se ka qenë në një nga ‘‘xhepat e pantallonave‘‘ të Lasgushit, na del dhe njohës i sekreteve të zemrës së poetit, na merr përsipër të na përshkruajë ‘‘natyrshëm’’ e hollësisht edhe rrethin shoqëror lasgushian, ku ndër më të afërtit përmend Eqerem Çabejin, Mitrush Kutelin dhe tim atë, Skënder Luarasin. Duke përmendur këtë të fundit me emër e mbiemër, T.M. me një stil të rafinuar, shtjellon plot dublicitete e kontradiksione logjike ku ‘‘me çiltërsi’’ njëherazi edhe e lavdëron, edhe i ngjit ca mballoma lasgushiane, pa harruar të citojë fije për pe me një memorie brilante edhe ca thashetheme nga goja ‘‘e vetë’’ S.Luarasit për disa kolegë të nderuar (A ia vlen të themi për hesap të T.M. sajesat që i paskish “treguar” atij Lasgushi, ku përmendet S.Luarasi si kinse përgojues i A.Budës, I.Kadaresë e D.Agollit(‘!), me të cilët Luarasi dihet mirëfilli se kishte marrëdhënie respekti reciprok. Hajde e dëgjoji këto dëngla të dala pa doganë nga “xhepi i djathtë i pantallonave lasgushiane!”)
Broçkullat e T.M. më lanë aq pa mend sa të pyes veten me dyshim: a po i referohet ky kronikan të mirënjohurit prof.Skënder Petro Luarasit apo ndonjë fantazme shekspiriane. Vërtet të paskisha qenë unë Petro, i biri i vetëm i Skënderit, personazh i Lasgush Poradecit sipas historiçkës ‘‘Hikni se na vranë’’ që i paskish treguar ai T.M.-së? Kur paskam qenë vallë “së bashku me motrat”, në Pogradec atëherë kur ‘‘lejoheshin kishat’’ (d.m.th. deri më 1967) ‘‘kur na është turrur për vdekje familjarisht qeni Murro’’, dhe mbi të gjitha, cili mund të ketë qenë ky qen e bir qeni Murro-trimoshi që e paskish bërë ateistin “e mallkuar” Skënder Luarasi të shkonte të ndizte qiri në kishën e Katjelit?!
Por trutë e kokës më dhanë shenja të pakundërshtueshme se kjo histori ‘‘e treguar nga Lasgushi për T.M” është sajesë fund e krye: sepse para vitit 1967 unë mezi çapitesha rreth djepit e jo më të degdisesha deri tek Burimi i Gështenjave në Pogradec, ku të merrja leqet para Murros. Pogradecin e kam parë me sy vetëm pas vitit 1970 dhe asnjëherë nuk kam qenë atje me ndonjë nga motrat (me nënë tjetër). Gjithashtu, logjika më tha se sado i pamundur nga mendja të ketë qenë poeti Lasgush Poradeci, nuk mund të shprehte këto “zbukurime” pasaktësi apo hamendje të fandaksuri, për mikun e tij Skënder Luarasi e për më tepër t’ia tregonte për qyfyre “xhepit” T.M.( ‘!), sepse mesa e kam njohur unë e të tjerë Lasgush Poradecin, mbi të gjitha ai ishte NJERI, intelektual e mirënjohës ndaj mikut të vjetër Skënder Luarasi ndaj nuk mund të sajonte e shiste ‘‘qyfyre’’ për të, se në fund të fundit, kush vlen më tepër ‘‘një gjallesë rastësore në xhepin e vogël të pantallonave të anës së djathtë’’ apo miku i besës në thellësinë e zemrës’!

Zbukuron dhe gënjen
Për të kuptuar se qysh e tek është gatuar kjo përrallë nga e kaluara me asortimentet përkatëse të garniturës së kuzhinierit, kinse disident, më ndihmoi sentenca e tim eti “Haj vetëm gjellën e gatuar nga duar të pastra” dhe një zbulimi im rastësor, të cilin kuzhinieri T.M. e ka sajdisur e servirur me mjeshtëri në pjesën ‘‘Lasgushi, E. Çabej, S. Luarasi dhe Mitrushit”.
Në këtë pjesë ai përshkruan një tjetër gaztore se “ç’i ka thënë Lasgushi” në prezencë të kushëririt të tij Todi M. për ‘‘studentin e Universitetit të Gracit Skënder Luarasi’’ (i cili dihet se ka qenë student vetëm në Universitetin e Vjenës’!) dhe se si Lasgushi përpiqej e botoi librat ‘‘Vallja e Yjeve’’ e ‘‘Ylli i zemrës’’ me ndihmën e Çabejit e Kutelit
( kjo çështje do sqarohet më tej).
Por një paragraf sensacional është diskutimi katërsh: Poradeci, Çabej, Kuteli, Luarasi mbi vlerat e veprës lasgushiane, dhe pse nuk botohet ajo sipas asaj që i paskish thënë Lasgushi ‘‘fjalë për fjalë’’ dhe T.M e shkruan më 16 prill 2005!
Këtu, shpikësi i sensacioneve T.M. zbulon veten haptazi kur përmend ‘‘mrekullinë’’ se si im atë i paska treguar Lasgushit mbi censurimin e një dedikimi të Viktor Eftimiut, drejtuar Fishtës në librin ‘‘Vallja e yjeve’’. Në të vërtetë, ky është një zbulim i rastësishëm i imi në fondin e Bibliotekës Kombëtare në vitin 1997 (15 vjet pas vdekjes së tim eti) për të cilin kam shkruar në Gazetën “Republika” më 14.11.1997)
E ç’të përmend sajesat e tjera ‘‘me gojën e Lasgush Poradecit, Skënder Luarasit’’ e miqve të tyre të nderuar, të cilat më hidhëruan për papërgjegjshmërinë e kronikanit, i cili së paku ndaj meje ka kryer një akt të dënueshëm ligjor e moral: ka përdorur shkrimin tim dhe e ka shtrembëruar me qëllim poshtërimi. Falur qoftë!
Kur lexova librin ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’ m’u kujtua filmi ‘‘Zbukuroj, por nuk gënjej’’ personazhi kryesor i të cilit na shfaqej realisht si gënjeshtar, teksa titulli rrekej të bindte publikun se ai vetëm zbukuronte.
Dikujt që do të pyesë nëse ia vlen lodhja për të mbyllur gojët e botës në tregun e sensacioneve që shiten e blihen me leverdi, do t’i përgjigjesha: ‘‘Për hir të së vërtetës dhe nderit, që ua kemi borxh personaliteteve kombëtare, po! Por jo me llafe, me fakte!’’

10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit
Llazar Gusho, poeti me pseudonim Lasgush Poradeci (1899-1987) u nda nga jeta më 12 nëntor 1987.
Në përkujtim të tij shkrova artikullin ‘‘10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit’’ (Gazeta ‘‘Republika’’, 14.11.1997) nga po shkëpus dy fragmente:

Zbulim interesant
Në Bibliotekën Kombëtare, duke kërkuar disa botime të hershme të poetit të mirënjohur Lasgush Poradeci, rastësisht më ra në dorë libri i tij poetik ‘‘Vallja e Yjeve’’ (skeda S51 A60) shtypur në Tipografinë Albania-Kostancë në muajin Vjeshtë e Dytë (Tetor) 1933 me përkrahjen lëndore të Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë dhe të miqve të Bukureshtit’’ dhe ‘‘edituar nën kujdesin e M. Kutelit’’.

Në pjesën e brendshme të kapakut të librit më tërhoqi vëmendjen një shkrim me bojë jeshile që ishte shkarravitur me një laps blu dhe për më tepër i ishte ‘‘vënë kryqi’’. Kureshtja më shtyu të përpiqem të lexoj përmbajtjen e shkrimit ‘‘heretik’’, i cili bëhej akoma më i vështirë për t’u lexuar nga njollat letër-zamk-gjurma të mballosjes së censurës së dikurshme.
Që në rreshtin e parë shtanga:

‘’I nderuari At Gjergj Fishta!
Po ju dërgojmë këtë libërth të ligjëronjësit L.Poradeci, tipografuar ndë shokërinë tonë
Mbesoj se do të mbeteni i ngazëlluar
Mot e jetë i juaji
Viktor Eftimiu
Fillim i vjeshtës III
Bucurest 1933’’.

Sajesa nga libri i T.M.’’Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’

‘‘Lasgushi, E. Çabej, S. Luarasi dhe Mitrushi.

(“Flet Lasgushi”): – Në këto rrethana e ndjej veten të aftë t’i përkthej vetë poezitë e mija në gjermanisht.
Kërceu me sy të zgurdulluara Paskua dhe fishkëlleu:
– I ke mëntë. Shejtani fle, ti kërkon ta zgjosh. E ke të kjartë se ti kanë hedhur në rezervë, mor t’i kanë hequr nga qarkullimi, ti kërkon të përkthesh ‘‘Vallen e Yjeve’’ dhe ‘‘Yllin e zemrës’’’
Ndërhyri furishëm Skënder Luarasi:
– Paskua e ka mirë fjalën. Haje atë kafshore buke e tulitu pranë zjarrit me Kafkën se krevati që la ky pogradecari është i lirë. Lasgush. Unë e kuptoj ty të vjen inat që Isuf Vrioni përktheu në Francë Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin. Po të dy janë komunistë, të besuarit e partisë. Janë të imunizuar nga çdo re keqe ty të zë plumbi gropave’
Ndërhyri përsëri: Do t’ju rrëfej edhe një çudi tjetër që me siguri do çuditi, o miqtë e mi. Në bibliotekën kombëtare, duke gërmuar për të gjetur disa botime të hershme, e di çfarë gjeta’ S’e di ti, s’e dinë miqtë e mi, dëgjoni. U ngjetha. Librin tënd, ‘‘Vallja e Yjeve’’, shtypur në tipografinë shqiptare Kostancë në vjeshtën e dytë të 1933, nën kujdesin e bashkëqytetarit tënd dhe mikut tonë të madh, Mitrush Kutelit. Mbajta frymën , s’po kuptoja gjë e klitha:
– Çfarë, do të thuash me këtë, që vepra ime është futur në rezervë’’
– Prit. Dëgjo. Në kapakun prapa të librit, mbi një shkrim me bojë jeshil, ishte shkarravitur mbi një dedikim një laps blu, ishte bërë një kryq përsipër. Poshtërsia më e madhe ishte se mbi të ishte ngjitur me zamkë një letër e hollë. (Shenjë e vërtetë censure mbi librin). Si pa rreth e rrotull Luarasi vazhdoi: ‘‘E tmerrshme, e llahtarshme ishte kur lexova me monokël fjalë për fjalë këto fjalë: ‘‘I NDERUARI AT GJERGJ FISHTA! PO JU DËRGOJ KETE LIBERTH TE LIGJERONJESIT L.Poradeci. mot e jete, i juaji’’.
Viktor Eftimiu’’.
(Pyes lexuesin e nderuar: A nuk është ky ‘’zbulim” i T.M. plagjaturë e zbulimit të Petro Luarasit?)

Skënder Luarasi dhe Lasgush Poradeci

Përkundër tymnajës që pompon autori i librit ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’, të cilit fatkeqësisht i ka rrëshqitur pena e mendja në hone të thepisur, i shtyrë nga rrethanat, detyrohem të publikoj disa fakte mbi marrëdhëniet tepër konfidenciale të Skënder Luarasit me Lasgush Poradecin.

Njohja e tyre ndodhi rastësisht kur Llazar Gusho (Lasgush Poradeci) erdhi në Vjenë, në selinë e Shoqërisë së studentëve shqiptarë ‘‘Albania’’ ku Skënder Luarasi qe kryetar dhe editor i organit të saj ‘‘Djalëria’’.
Që në takimin e parë mes tyre u mbrujt një respekt reciprok që, natyrshëm, nga geni i tyre kolonjar apo nga miqësia e hershme e baballarëve të tyre patriotë – mësues flamurtarë të gjuhës shqipe; nga ideali atdhetar e personaliteti i tyre intelektual apo thjesht nga sojllëku dhe shpirti i tyre human, lidhja u shndërrua në një unitet e dashuri vëllazërore të përjetshme.
Ishte dhjetor 1928 kur Lasgush Poradeci, i cili studionte në Universitetin e Gracit, në gjendje të mjeruar ekonomike dhe i sëmurë rëndë, me një letër i lutet ‘‘mikut të shtrenjtë’’, Skënder Luarasit, i cili studionte në Universitetin e Vjenës, ‘‘të vinte nga Vjena në Grac për ta ndihmuar’’.
Dhe Skënder Luarasi, ndonëse cilësohej kundërshtar i regjimit monarkist, shkoi në Grac dhe së bashku me Lasgushin u nisën për në Shqipëri. Rrugës, gjendja e Lasgushit u përkeqësua ndaj u kthyen prapë në Grac. Në këto kushte, Skënder Luarasi u nis i vetëm për në Shqipëri që t’u bënte thirrje intelektualëve shqiptarë të mblidhnin ndihma për të ndihmuar Lasgush Poradecin. Por, sa mbërriti në Shqipëri, rregjimi e futi në burg. Shtypi përparimtar shkruante për ngjarjen:

Përcjellja e Lasgush Poradecit
Poeti Lasgush Poradeci u nis për në Shqipëri. Gjëndja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e keqe.

Graz. 1 janar: Poeti Lasgush Poradeci, pas dy vjet vojtjeje, tue qenë se s’mundi të shohë as një përmirësim në shëndetin e tij, u nis dje për në atdhe, pas rekomandimeve të mjekësit universitar Profesor Heinrich di Gaspero. Lasgushi do vejë në shtëpinë e tij prindërore në Poradec, për t’i rënë pas shëndetit të tronditur. Shpresohet se ndryshimi i klimës, dieta dhe shërbimi që do të gjejë poeti pranë familjes së vet do t’ia ristabilizojnë krejt shëndetin. Gjithë studentët shqiptarë në Grac u mblodhën ta përcjellin Lasgushin. Poeti shoqërohet në këtë udhëtim prej kolegut të tij të Vjenës Skënder Luarasi, i cili mori leje nga inspektoria e studentëve ta përcjellë Lasgushin gjer në Poradec. Skënder Luarasi një nga më eminentët studentë shqiptarë, është i biri i Petro Nini Luarasit, i ati ylli të ndritur q’u doq me aq zjarr në qjellin e veteranërisë shqiptare: gjesti fisnik i studentit Skënder Luarasi na mbush me mallëngjim.
(Përcjellja e Poradecit, “Shqipëria e Re”, 6 janar 1929)

Gazeta ‘‘Zëri i Korçës’’, 15.1.1929.

Dje në mëngjes, u dërgua nën vërejtje me aeroplan në Tiranë, Skënder Luarasi, student në universitetin e Vjenës.

‘‘Shqipëria e Re’’, 3 shkurt 1929
Skënder P.Luarasi, studenti entuziast i Vjenës, q’ish nisur për të shoqëruar Lasgushin në Poradec, masi poeti u kthye prapë në Grac, vazhdoi vetë udhëtimin dhe arriti në Korçë. Atje autoritetet e zunë dhe e dërguan nën vërejtje, me aeroplan në Tiranë.
Si shpjegohet kjo sjellje e autoriteteve të Korçës’

Gazeta “Shqipëria e Re’’, 14 prill 1929
Në Shqipëri simpathia e përgjithshme për vjershëtorin Lasgush Poradeci sa vjen po shtohet. Nga të gjitha anët ndihmat rrjedhin pa kursim. Shenja të mira se zumë të çmojmë artin
Kujdesi i Skënder Luarasit, por edhe i miqve të tjerë të Lasgushit, ishte i vazhdueshëm siç tregohet në letrën e mëposhtme që Lasgush Poradeci i dërgon Luarasit:

Lasgush Poradeci

Grac, 29.1.1930
I dashur Skënder,
K.P. (kartë postalen, shën. i P.L.) t’ënde të dashur me datë 24.1.1930 e mora. Pse bëhesh merak e më flet ashtu’
I shtrenjtë shok Skënder, të lutem të vish sa më shpejt këtu në Grac që të shkojmë në Shqipëri, se mua më s’ka kush të më bëjë shërbim, ashtu siç e kërkon sëmundja ime. Shtëpisë këtu iu mërzita dhe më s’po më durojnë dot.
Telefonomë urgjentisht!
Adresa: Lazgush, Klosterëiegs 74 parterre
Graz

Skënder Luarasi e ndihmoi Lasgush Poradecin edhe financiarisht, me të holla në një nga periudhat më të vështira, kur vetë atij ia kishte prerë bursën regjimi monarkist, në vitin 1929. Me ato pak para që ia dërgonte i vëllai Dhimitri nga Amerika, ai ndau hallin me poetin në mjerim. Sakrifica e tyre ishte reciproke, meqë edhe Lasgushi, kur Skënderi qe në nevojë, për t’i kthyer borxhin, shiti një nga pronat e babait të tij.

Grac, 30/XII. 29
Skënder Luarasit, Universitat Wien, Austri
I dashur Skënder
‘Kush pyet, kush çan kokën për gjendjen t’ime shëndetësore, për gjendjen t’ime financiare’ Asnjeri, përveç meje vetë! Ah, dhe vetëm ti, i dashur shok, u mundove dhe bëre një detyrë të ëmbël kundrejt një njeriu që vuan. U mundova dhe unë të të përshëndet sot sa mund. Si do ngjajë nesër, si do ngjajë pasnesër, kjo varet prej vetëdijes s’ime, prej vetëdijes s’ate…

Një fakt të panjohur përbën nxitja, interesimi i vazhdueshëm, përkrahja dhe ndihma e drejtpërdrejtë që dha Skënder Luarasi për botimin e veprave të Lasgush Poradecit ‘‘Vallja e Yjeve’’ dhe ‘‘Ylli i zemrës’’. Rrethanat dhe përpjekjet e tij në terren, për të gjetur burime financiare, bazën materiale dhe botuesin e përshtatshëm, njohja për këtë çështje dhe kontaktet me Mitrush Kutelin në Rumani etj. na zbulohen qartazi në letrat e mëposhtme.

Tiranë, 2.XI.30

I dashur Lasgush,
Po mbushet sot java që kurse kam ardhur përmes Poradecit këtu në Tiranë. Me gjithë atë që kam dashur, si pas porosisë me telefon, të qëndroj me ty, kjo gjë qe e pamundur. Jo vetëm se koha qe e keqe fort, po shoferi kishte frikë se, duke qëndruar, mos e gjobitnin që kishte 5 njerëz në një automobil, i cili merrte ligjërisht vetëm katër.
Po t’i lemë mënjanë excusez- moi-të, se e di që nuk je as jam i këtyre. Pyetja është kur ke për të ardhur në Tiranë, për të shkuar në Austri’ Të lutem ndë qënsh akoma në Pogradec, mos harro të vish në Tiranë më parë se të nisesh për në Grac.
Puna e botimit të librës nuk duhet të mbetet zvarrë. Sille aty dhe un do të përpiqem që të botohet përpara Janarit, ndë qoftë se do ta kesh mbaruar këtë muaj kopiimin e manuskriptevet. Nga Paskoja akoma nuk kam marrë ndonjë letër ‘ po ti’ (Shënim P. L. Flitet për veprën e Lasgush Poradeci ‘‘Vallja e Yjeve’’,që u botua në vitin 1933, në Bukuresht, nën kujdesin e Dhimitër Paskos, alias Mitrush Kuteli)
Pllaka e “Këngës pleqërishte” nuk gjendej për ta dërguar, as baullën nuk ta bleva dot se s’kisha të holla.
Të lutem përgjigjmu sapo të marrësh këtë letër.
Të dërgon të fala, Skënder Luarasi
(Letrat e rralla të Lasgushit, Republika 4.4.2004, f.11)

Poradec 17 shtator 1936
Zotit Skënder Luarasi, Profesor i gjermanishtes në Liceun frëng, Korçë(‘)
I dashur Skënder
S’munda të të shkruaj më parë, nga shkaku se kam qenë (dhe jam) shumë i zënë; siç ta dhashë fjalën, po përgatit volumin me poezitë e mbaruara më 1924, të cilat (mea culpa!) s’i kam përmbledhur nga moskujdesja. Ti Skënder ma qite shpirtin këto dy vjetët e fundit që t’i mbledh, t’i mbledh’Nga ana ime të falem nderit për kujdesjen që më rrëfen si dhe për mundimet e mëdha që ke bërë duke kërkuar një editor, duke ‘‘lypur’’ të holla’Ke të drejtë . Po puna është e vështirë: poezitë duhen mbledhur nër gazeta dhe revista të ndryshme të mërgimit, ku gjinden të përhapura, pastaj duhen rishikuar, duhen ndrequr’ Ja ky është shkaku i vonesës sime. Duke u përgjigjur mi sa i the zotit Dh.P.Pasko dhe mi ç’më telefonove drejt për drejt këtu, po të pyes: gjete editor, apo shtypja do të bëhet me të holla (që ku këto të holla’) ‘‘private’’’ (Shënim P.L. Flitet për veprën e Lasgush Poradecit “Ylli i Zemrës”, e botuar në vitin 1937, në Bukuresht, nën kujdesin e Mitrush Kutelit, alias Mitrush Kuteli)
‘Sa për të ardhur në Korçë, tashi s’mund; s’kam të holla. S’kam marrë bursën për dy muaj e 17 ditë. Në e marça do të vij
Të ngjatjeton me dashuri
Yti Lasgush

P. S. Për festivalin dansant që dhatë aty më parë, të dërgova me anën e Zotit Dh.P.Pasko midis të tjerave dhe poezinë ‘‘Ri me shëndet’’, siç më urdhërove në telefon. Ta dërgova të prerë nga revista ‘‘Dialëria’’ e Vjenës. Me qenë që s’kam tjetër kopje, të lutem të m’a këthesh prapë një orë e më parë’ Unë për t’iu përgjigjur kërkesës s’ate, të dërgova kopjen e vetëme që kisha, pasi ti m’i kërkoje poezitë për ‘‘nesër’’, dhe unë s’kisha kohë ta shkruaj përsëri; automobili për në Korçë s’priste. Kopjet e poezive të tjera i shkrojti zoti Dhimitër P.Pasko, unë duke mos mundur të punoj, nga shkaku i së nxehtës së madhe.

Lasgushi është bërë i përjetshëm…
“Miqësia mes Skënder Luarasit e Lasgush Poradeci, edhe pas çlirimit të vendit nga fashizmi, nuk u dobësua, por u forcua më tepër. Përballë dallkaukëve dhe shpifësve që kërkonin t’u bënin varrin intelektualëve të vërtetë, ata ruajtën miqësinë dhe dinjitetin. Mjafton të kujtohet qëndrimi i përbashkët demaskues ndaj puthadorëve e lakenjve të diktaturës (disa prej të cilëve sot kanë paturpësinë të qëndrojnë në podiume e t’i thurin himne miqësisë me Lasgushin e ish-viktimat e tyre).

Vërtet Skënder Luarasi e Lasgush Poradeci takoheshin rrallë e kurdoherë të survejuar nga spiunët, por bisedat e veprimet e tyre ishin një sfidë e hapur ndaj diktaturës.
Kur një herë Petraq Kolevica, miku dhe studiuesi i Lasgush Poradecit, e pyeti Skënder Luarasin se ç’mendonte për këtë poet, ai iu përgjigj:
‘‘Kur isha i ri, bota thoshin: ‘‘Po vdes, po vdes Lasgushi. Tani që është plak thonë: ‘‘More, po rron, po rron Lasgushi! Ndërsa mua më duket se Lasgushi është bërë i përjetshëm…’’
Ndërsa Maria, e bija e Lasgushit më ka thënë se kur e pyesnin të atin se ç’mendonte për S. Luarasin ai shprehej::
“Skënder Luarasi është shumë patriot, shumë demokrat, shumë liridashës, shumë i sinqertë, shumë guximtar, dhe (si pasojë) shumë sherrxhi. Por disa citues ‘‘intelektualë’’ nuk dihet përse fjalën në kllapa ‘‘si pasojë’’ e kanë hequr nga ky përcaktim(‘!)

Miqësia e tyre rezistoi e u konsolidua më tej edhe në vitet e egra të diktaturës.
Letër drejtuar Skënder Luarasit, shef i degës së Anglishtes në UT.
I dashur dhe i adhuruar shok,
Mbesa ime, Roza Prifti, mori bursë për Doktoreshë, po meqë s’e ka për zemrë të bëhet mjeke, dëshëron të marrë anglishten. Për këtë punë ka ardhur me nipin tim (djalin e motrës sime) ta ndryshojë degën. Mbesoj se do ta ndihmosh jashtëzakonisht. Të shënoj vetëm kaq:
Motra ime (Zografina Gusho) më ka mbajtur në krah, kur isha foshnjë dhe më mbajti prapë kur u sëmura rëndë në Austri, për të cilën sëmundje ti, shok i dashur dhe i shtrenjtë i dhe kushtrimin botës shqiptare me anë të shtypit.
Me falenderime dhe mirënjohje që përpara,
Të fala,Yti Lasgushi
Poradec, 12 gusht 1965
Zotit Skënder Luarasi, Instituti i Shkencave, Tiranë
Pogradec, 27 Qershor 1952

I dashur Skënder, Mëso se t’u rezervua dhoma, duke filluar që prej datës 27 qershor, është me dy krevate (sepse me 1 krevat nuk ka hoteli). Për fat të keq nuk ka asnjë dhomë të lirë nga ana e liqenit, janë të gjitha të okupuara. Lirohet vetëm një dhomë nga ana e liqenit (këtë mund të ta rezervojmë) po kjo është me tre krevate (jo me dy). Po ti eja, vendosu në atë dhomën me 2 krevate dhe ne do të mundohemi, të bëjmë si të bëjmë, dhe të ta shkëmbejmë me një dhomë nga ana e liqenit (në u liroftë ndonjëra jashtëzakonisht). Të jemi të kënaqur që po na rezervonet dhe kjo me 2 krevate, sepse dhe kjo është e rezervuar për pionerët, po Kalua (djali i motrës time) më tha se ‘‘për hatrin tënd, dajo Lasgush, do t’ia rezervoj Skënderit, të cilin unë e njoh’’, dhe le të vijë njëherë të zërë dhomën në atë datë (27 qershor) pa pastaj do bëjmë si të bëjmë, dhe mund t’i shkëmbejmë një dhomë me dy krevate nga liqeni, le të vijë pa do bëjmë si do bëjmë. Prandaj, ti Skënder mos u dëshpëro dhe dërgoje zonjën se ajo do të jetë si në shtëpi të saj; Kalua më tha se nuk lejohet me fëmijë sivjet, se hoteli s’është për familje me fëmijë e me zhurmë, kështu është rregulli i hotelit. Unë i thashë: ‘‘Tashi, o nipçe, unë e hapa gojën e ta thashë, sepse, po ta dinja këtë rregullore, nuk e turpëronja veten të t’u them, dhe si ti të më lesh mua me gojë hapur (d.m.th pa përgjigje pozitive). Ay më tha pastaj: ‘‘Urdhëro, o dajo, të pijmë në kopsht një birrë’’.
Unë i thashë: ‘‘S’dua birrë, sepse kam merak për dhomën’’.
Ay më tha: ‘‘Ç’ke merak ti dajo, puna e dhomës ka mbaruar’’. Pastaj pimë nga një birrë. Kalua iku se kish punë, ardhi vëllai m’i madh (ky rri në shtëpi t’ime me familinë këtu në Pogradec). Me të vëllanë, Mitin, ndenjëm pimë raki, se ay më ftoi për raki me meze e peshk. I thashë dhe Mitit për muhabetin e dhomës që pata me Kalon. Miti më tha: ‘‘Ç’e loth gojën dy herë, dajo, dajua një herë urdhëron, dhe nipolli i thotë peqer, puna e dhomës ka mbaruar’’.
Prandaj, mos ki hiç merak Skënder, për dhomën, ajo është rezervuar për ty më 27 qershor. T’i rrëfeva këto dy muhabete që pata me të dy nipërit për dhomën, që t’i dish hollësisht dhe të mos kesh asnjë dyshim për dhomën.
I dashur Skënder, të lutem të më dërgosh me zonjën tënde një termometër dhome, të cilën e harrova në shtëpi time, ku kam lënë të më ruajë shtëpinë zotin Loni Zguri, nëpunës në Tenis-Klub (ku është tenis-klubi). Të lutem shumë lodhu dhe ecë në shtëpinë time, merre termometrin prej Lonit. Ay është në shtëpi përdita në orët pas drekës (prej orës 1,1/2 ose 3 gjer në orën 4, ose 4,1/2). Lutem që termometri të mbahet në vend të butë që të mos thyhet udhës, sepse s’gjendet termometër në asnjë vend. Të lutem, mos harro të më dërgosh termometrin. Termometrin e harrova në dhomën e fjetjes, për mi dërrasën që është në kokë të krevatit.
Me kaq të përqafoj me dashuri, Lasgushi.
P. S. Edhe Zonja, mirë se të vijë, sepse për çdo nevojë dhe lehtësirë, jemi gati si unë si nipërit e mij (6 në numër) si farefisi jonë.

Të lutem, i dashur Skënder, mos harro të më sjellësh termometrin (për të cilin kam nevojë absolute)
Nderimet e mia të çquara Zonjës dhe mirë se të na vish në qytet.
Shënim me rëndësi: Trokiti në derë Lonit me forcë dhe shumë herë, gjersa të dëgjohet nga trokitja se ay zakonisht ri shtrirë në ato orë (2-4) trokit fortë.

Zotit Skënder Luarasi, Instituti i Shkencave, Tiranë

Pogradec, 27 Qershor 1952
I dashur Skënder
Sot mora telegramin tënd të dashur. Dhoma rri e rezervuar gjer më 1 korrik, siç më telegrafove. Të lutem, me çelësin që do të të sjellë prej meje Marija Paluca (Marija Kraja) ecë përnjëherësh në minutë në shtëpi time edhe, bashkë me zotin Loni Zguri (i cili rri në shtëpi time) hapni me atë çelës derën e dhomës s’ime të punës edhe nxirni macen, e cila po ngorth brenda në atë dhomë (sepse e kemi haruar brenda). Si ta nxjerrësh macen, mbylle përsëri dhomën, merre çelësin me vete, edhe sillma çelësin bashkë me termometrin kur të vish.
Shënim: a) Mos harro të sjellësh termometrin
b) Mos harro të sjellësh çelësin
Shumë Të Fala Të Dërgon dhe Ju Pret Përdita me gëzim,
Yti Lasgushi.
I botojmë këto letra e shënime të shkurtra konfidenciale vetëm e vetëm për të shprehur mirëfilli lidhjen mes Skënder Luarasit e Lasgush Poradecit, që nuk mund ta fshehë asnjë ‘‘xhep’’ spekulanti, asnjë shtrembërim mendjengushti apo shpifje dashakeqi.
Ajo qe dhe mbetet miqësi e përjetshme e shpirtrave të tyre të amëshuar.

(Fragmentet jane shkeputur nga shkrimi Petro S. Luarasi, Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar : “10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit” , Ndryshe, Nr. 307, 18 maj, 2007, f. 10 – 11)

Petro Luarasi
Artikull i panjohur i Skënder Luarasit për Lasgush Poradecin

Një ditë fatlume vajza e Lasgush Poradecit, Marija, më tregoi një letër që i ati ia pat dërguar Mitrush Kutelit. Atje bëhej fjalë për një artikull të panjohur të Skënder Luarasit mbi Lasgushin, të botuar në gazetën “Laboremus” .
Letrën po e botoj me lejen e të nderuarës Marije Poradeci:

M. Llazar S.Gusho
Klosterëiesgasse 74
Graz Austria
Graz 12.12.1932
Dimitrie Pasko
Bukuresht
I dashur Mitrush,
Mbesoj t’a kesh marrë k.p. të 1 Dhjetorit ku të shkruaja se poezitë do të t’i dërgoj më vonë. Disa poezi tashi (me qenë që jam prapë i zënë) do t’i gjesh të riprodhuara prej së përkohshmes ‘‘Laboremus’’ ( VIII, 16 Tiranë, Gusht, 1932, f.5-8) në skicën e Skënder Luarasit: ‘‘Lasgush Poradeci -Vija themeltare’’. Janë (natyrisht, si të gjitha gjer më sot) me shumë gabime (54) po unë i ndreqa dhe i bëra të sakta.
Skënder Luarasi e ka shkruar në këto rrethana:: ‘’Kur isha në Tiranë më 1930, drejtori i shkollës teknike Mr. Fultz më ftoi të mbaj një konferencë dhe Skënderi me këtë rast bëri një studim të shkurtër mbi mua për në shtyp. Studimi s’u botua dot nga shkaku i largimit të Skënderit pas artikullit që shtypi kundër librës ‘‘Neuland Albania’’ (pak kohë më parë Skënderi kish ‘‘tronditur’’, me gjith atë mënyrë zyrtarët ministerialë me artikullin e tij të guximshëm mbi Themistokli Gërmenjin). Majin e shkuar erdhi redaktori i ‘‘Laboremus’’-it në librarinë ‘‘Argus’’ ku unë gjindesha rastësisht dhe, me një karnet në dorë, më kërkoi një interviu literar mbi veprën time për atë revistë. Redaktorin unë s’e njihja, por i thashë thjesht dhe drejtpërdrejtë të më ndjejë se jam i shtrënguar ta refuzoj, duke mos qenë poezija objekt parade publike po fshehtësi e përbrendëshme e zemrës. Në atë çast u shfaq papritur Skënderi në librari, dhe zuri të bisedojë anglisht me ‘‘intervistonjësin’’ tim, i premtoi, duket, ‘‘gjësend’’’( as njëri as tjetri s’më bënë fjalë kur u ndanë prej meje, mbi çështjen e biseduar). Pastaj administrata e ‘‘Laboremus’’-it më dërgoi në Pogradec (Gushtin e shkuar ) numurin e mësipërm të revistës. Skica e 1932-së është siç duket me disa shtesa dhe jashtëlënie, pothuajse ajo e 1930-tës. Eshtë lënë jashtë, poezia gjermanisht që më kish dërguar Richard Pichler-i në Poradec, 1929. Më 1930 Skënderi e kish përkthyer anglisht ( sepse studimi destinohej për Shkollën Teknike të Tiranës) po tashti e paska hequr fare. (Artikulli s’ka nënshkrim, që të duket si nga ana e gjithë Institutit).
Në paraditen e burgosjes Skënderi më dha një kopje të studimit dhe me ekspresivitetin e hekurt të fytyrës së tij – trashëgimtar heroik i heroit Petro Nini Luarasi -, më urdhëroj: ‘‘Lasgush! Dërgoje për shtyp, se më del nga zemra’’( sikur ç’gjë s’i del nga zemra Skëndos’), ‘‘pa mua në burg le të më farmakosin!!’’
Pastaj iu konfiskuan dorëshkrimet etc.
Unë ‘‘urdhërin’’ nuk ia përmbusha, sepse ku më linte vetëdija të bëj luks literature në kohë që shoku i dhemshur tretej në burg’’
Të puth me dhembje Llazari

Duke u bazuar në letrën e mësipërme arrita të identifikoj në revistën ‘‘Laboremus’’ nr. 16, gusht 1932, faqe 5,6. artikullin ‘’Lasgush Poradeci – Vija themeltare’’ me autor anonim Skënder Luarasin. Komentin ia lej lexuesit e studjuesve më të ngeshëm.

(Skënder Luarasi)
‘’Lasgush Poradeci – Vija themeltare’’
Vjet e kishim Lasgush Poradecin midis nesh, si mysafir të shkollës Teknike duke qenë të lumtur që mundëm ta njohim për së afërmi vjershëtorin djaloshar të kombit tonë. Veçanërisht na u shtua gëzimi, kësaj vere, duke e parë përsëri të kthyer prej vendit të studimeve me shëndet të mirë dhe studime të absolvuara. Për Institutin tonë, mbi të cilin Lasgushi ka patur përherë – që të përdorim vetë fjalët e tij: “një admirim heshtës”, – vizita e ” krijonjësit” t’artist sever të gjeneratave të reja shqiptare është një eveniment kultural me rëndësi. Sepse emri i poetit pushton sot zemrat e një kombi të tërë, duke filluar prej momentit prej të cilit u duk për së pari, se fryma e një arti të ri po fryn e po zotëron pa pandehur truallin e republikës së letrave shqiptare.
E bëmë zakon ta quajmë Lazgushin një poet të ri. Por, vallë kush mund ta marrë me mend se pëpjekjet letrare t’autorit “Këngës Pleqërisht” kanë një gjenezë prej 10 vjetoresh? Kush ka njohje, se “Kruan” e tij- këtë debut gazmor- Lazgushi e shkroi më 1912, me rastin e ndreqjes nga ana e një mirëbërësi vendës? Se më 1914, si liceist, ai botonte vjershën “Filozofi” në revistën “Enciklopedia” të shkruar dhe të drejtuar prej tij nën pseudonimin H. Hidoro? Se dy vjet më vonë, në vjeshtën e 1916-ës, linte në duart e një miku letrar nga Korça të thellën dhe tronditësen “Oh, vanë fletët!…” , strofat e para të së cilës projektojnë konsepsionin e lartë filozofik- kryemendimin e KËNGËS SË MALLIT PËRJETËSISHT RIGJENERONJËS- si një ‘’leading motive’’ (motiv udhëheqës) dhe me një DHËMBJE e me një dëshirë kundër fatit e cila vihet re në gjithë veprën poetike të Lazgushit.

” Oh vanë fletët e në zi ra

Si mot për mot vjeshtori pyll:

me zinë e kohës çel dëshira:

dëshirat çelur-gazi mbyll…

Përtej nga i qënieve si nuar!

Dhe lark për jetën-helmori gaz!

Dhe jo:- Ah, malli q’u pat shuar

Lind e rilin m’i ndritur pas’”

Këtë koncepsion të projektuar aq shpejt, poeti e fikson definitivisht pas 6 vjetësh, më 1922, në indrotuksionin (hyrjen) e “Valles së Yjve” i cili koncetron argumentin rreth të cilit zhvillohet ky poem i madhërishëm.
Vjershat hijerënda, të cilat mezi sot, ne kohën e fundit, thuren përqark kryes së vjershëtorit posi një aureolë martiri në përmbushjen e Destinit të vet, janë shtypur e rishtypur në variante të ndryshme midis vjeshtës të vitit 1921 dhe vjeshtës 1924. Tri janë fytyrat më reprezetantive të poezisë shqiptare në tërë fuqinë e fjalës, secili një ekspresion bindës i gjeniut të vet.
Fishta rrëfeu, se gjuha shqipe ka fuqi; Prendushi rrëfeu se gjuha shqipe ka një mësim; Lasgushi rrëfeu se gjuha shqipe ka thellësi. Thellësia e ndjenjës dhe e mendimit, e shprehur me një stil të ri, zgjuarsisht original, i cili trupëzon të fshehtën e pa imitueshme të harmonisë lasgushiane është karakteristika qëndrore e gjithë veprës së tij. Kudo, na obsedon konteplacioni symvrejtur i greminave të saj të pafundëshme. Këtë e takojmë (sikundër një njohësi të mirë pati shkruar mbi cilësinë e vjershave të këtij poeti) në “Vallën e qiellit”, me drithmën brendërisht fshehtësiplote të procesit divin të inspirimit poetik (“Rri mbështetem në tryezë”) në “Vallen e dherit” me misticizmin e rëndë të muzikës kombëtare, akordet e paperceptueshme të së cilës ngrihen solemnisht nga fundi i zemrës për të rënë prapë mu në fundin e saj (“Kënga pleqërishte”); në “Vallen e yjve”, me intuicionin e lartë të këngës së mallit përjetësisht rigjeneronjës, i cili përshkon dhe aktivon posi një impuls kosmogonik gjithë qënien njerëzore (” Rri me shëndet”, “Resurrectio”, “Vallja e yjve”); “Në vallen e përjetësisë” me realizimin e simbolit final të ekzistencës (“Aeternitas”); në “Vallen e vdekjes”, me mposhtjen e Elementit dhe me triumfimin e përjetësisë (“Lundra dhe flamuri”). I pajosur me këto virtute poetike të pakontentuara që mbajnë me vete vulën e gjeniut, Lasgush Poradeci na paraqitet si një poet modern në tërë kuptimin e fjalës, ka mision të stolisi vjershën shqiptare me krijimin e një arti të ri, të pasurojë letraturën me reflektimin e një koncepcioni original, mburimi i së cilit është mburimi i kombit të vet.
(Artikull anonim i Skëndër Luarasit, në revistën “Laboremus” nr: 16, gusht 1932, faqe 5,6. )
Ne Foto:Skender Luarasi

Filed Under: Analiza Tagged With: e Mitrush Kutelit, Petro Luarasi, Sajesat e Tomi Matos dhe nëma

K R I S H T I U N G J A L L

December 4, 2014 by dgreca

NGA ROZI THEOHARI/
1-S T E F A N I A-/
Tani që po afrohen pashkët dhe vezët e kuqe, disa herë e kam kujtuar Stefaninë, shoqen time të kursit të poezisë në kolexh. Stefi (e thërrisnim shkurtimisht), një poete me origjinë greke, dallohej për dy veti: poezitë e saj i shkruante vetëm me 2-3 vargje dhe ishte një vajzë shumë e bukur. Cipa e fytyrës tejet e bardhë, profili grek, sytë e mëdhenj jeshilë dhe flokët e zes, të rënde e të ndritshëm e hijeshonin tej mase. E vetëdijshme për bukurinë e saj, ishte mjaft kryelartë dhe e paafruar me të tjerët. Çdo student e quante privilegj nëse ajo denjonte ndonjëherë t’i falte një përshëndetje. Siç dukej, poetja magjepsëse filloi të miqësohej pak nga pak me mua falë fqinjësisë së dy vendeve tona, besimit tim fetar dhe mbiemrit tim që ajo pohonte se ishte grek ndaj i shtonte një “s” në fund.
“Zonja Theoharis,” më tha ajo një ditë, “Kam dëshirë t’ju ftoj me gjithë zemër të vizitojmë Katedralen greke të Bostonit në darkën e pashkës. Eshtë një kishë madhështore dhe ka për të të pëlqyer me siguri!” Nuk ia prisha dhe të shtunën e pashkës në ora dhjetë të natës ngjitëm shkallët e Katedrales së mermertë. Stefi përshëndetet me të afërmit e saj ndërsa unë ndalem tek ballkoni i katit të dytë nga ku duket salla e madhe festive e katit të parë. Kollonat e larta të mermerit dhe gjithë ambienti janë stolisur me lule të bardha natyrale, fjongo të bardha mëndafshi dhe qirinj të mëdhenj, po në ngjyrë të bardhë. Të vriten sytë nga mitra (kapela) e dhespotit zbukuruar me gurë shumëngjyrësh të shkëlqyeshem dhe pelerina e tij e qëndisur me ar. Tok me shikimet depërtuese të shenjtorëve nga afresket e mureve e të tavanit dhe tymit dalldisës të qirinjve e thimianit, të ngjallet pa dashur ndiesia se me të vërtetë ekziston një Zot dhe ne duhet t’i falemi atij me përkushtim, përulje e përdëllim.
Tashmë janë zënë të gjitha karriket nga qindra besimtarë grekëfolës; gjithsecili duke mbajtur nga një qiri të ndezur në dorë. Stefi, veshur me një fustan bojë qielli të hapur, e ndriçuar në fytyrë nga rrezet kurorë të qiririt, i shembëllen një Shen Marije të vërtetë. Befas, kridhem e gjitha në kujtimet e paharruara të fëminisë nga festimi i pashkëve në kishën tonë të fshatit Dardhë. Kostumet e bukura të grave dardhare, qirinjtë e llambadhet, tufat me lule agulice dhe manushaqe të mbledhura me mundim bregut të lumit ose rrezë përrenjve, sigurisht i errësojnë mjaft ndriçimet e kësaj Katedraleje. Po ashtu, zeri i ëmbël e kumbues i priftit të fshatit, Papa Kristos…
Ndiej Stefin të më tërheqë për krahu: “Krishti u ngjall!” më thotë ajo, “E dëgjon këngën e dhespotit?”
Ora ka shënuar 12. Sallat e kishës oshëtijnë nga zërat e grekëve. Atë çast po, më kujtohet edhe mua kënga:
“Krishti u ngjall së vdekuri
Me vdekje vdekjen shkeli
Edhe të varrosurve
U fali jetën…”
Pra, filloj të këendoj dhe ta ngre zërin lart e më lart sipas melodisë, e mrekulluar nga jehona e tingujve të fjalëve shqip që përplaseshin në kubetë e mermerta të ndërtesës. Një lëvizje kokash dhe pëshpëritje në drejtimin tim. Një xhaxha me mustaqe e syze ulur para meje kthen kokën paksa majtas dhe mban vesh fjalët e këngës sime. Pastaj kthehet i gjithi nga unë dhe flet disi i papërmbajtur: “Zonjë, si duket…kini ardhur gabimisht në kishën tonë..” Zbres nga qielli në tokë. E kuptoj se një situatë e pakëndshme mund të ndodhë. Megjithatë vazhdoj të këndoj dhe, kur mbarojnë të gjithë, ia kthej me një buzëqeshje: “ Kjo është edhe kisha ime!” Në mënyrë demonstrative unë vendos gishtat në ballë e bëj kryqin. “Atëherë,-thotë ai- këndo greqisht…Ja…fillo kështu “Kristostanesti…” “Unë e di këngën, zotëri!” i them qetësisht. Plakushi skuqet edhe më ne fytyrë dhe në sytë e tij dalloj shkëndija kërcënimi. Vë re se edhe Stefi, pas një ngurrimi, mundohet të më bindë se duhet të këndoj në gjuhën e tyre. “Dëgjo sa bukur tingëllon” thotë ajo dhe më zgjat tekstin e këngëve. Unë i zgjas dorën e i uroj natën e mirë. E shoh se u lëndua. Ndoshta u nxitova ca po ashtu ma tha zemra. Tek e fundit, shkak u bë këmbëngulja e plakut, jo ajo.
Duke zbritur shkallët qëndroj për disa minuta pa lëvizur, duke soditur në mur pikturën e Shen Gjergjit i cili, nuk e di pse, më shembëlleu me Marko Boçarin mbi kalë…

2.- L E T E F L A S I M S H Q I P-

E gjithë biseda u zhvillua në telefon. Vetëm pak, shumë pak e njoha Varvarën nga qyteti i Swampscott-it. Në fillim më foli në anglisht pastaj, pas një pauze, dëgjova: “Une e di shqipcen” “Jeni shqiptare?” e pyeta. Ajo qeshi sepse e priste këtë pyetje nga une. “Jam greke,”- tha. “Kam ardhur nga Greqia më 1940 e jam martuar me një Amerikan. Burri im kishte bisnes dhe shoqëri të ngushtë me një shqiptar që quhej Spiro. Nuk mund të gjendej njeri me i nderçem , me nikoqir dhe me i dashur se ky shqiptari. Me ndihmën e tij bisnesi na shkoi mbarë. Por, i gjori Spiro, mendjen e kish te Shqipëria, te gruaja e dy fëmijët.Kur psherëtinte ai, ne na këputej zemra. Burri im e unë provuam të mësojmë shqipcen nga Spirua. Veçse kështu ai do të ndjehej më i zbavitur e i pamërzitur. Dhe e mësuam shqipcen nga Spirua dhe miqtë e tij shqiptarë që na vizitonin ngaherë. Dhe Spiros i qeshte nuri kur ne i flisnim fjalët e gjuhës së tij. Por ka vjet që miku ynë me embër të mirë, zoti Spiro, u kthye përgjithnjë në Gjirokastër dhe ne me burrin e ndjemë shumë mungesën e tij. “Kishit letërkëmbim?” e pyes unë. “Posi, letrat e dhuratat nuk sosnin deri sa vdiq. Por ajo që do të të rrëfej e që ngjan ca e çudiçme është se burri e unë vazhdonim të flisnim shqipçe. Kështu na voliste më mirë nga se na kujtohej edhe Spirua. Veç… kur me vdiq burri para dy vjetësh…unë mbeta tamam jetime. Jo se jam pa njeri…Kam të më rrojnë djem e çupa po unë humba burrin dhe shqipçen së bashku. Kam dy vjet, moj çupë, që s’e flas me njeri shqipçen. Më dëgjon? Flas çkoqur? “ “Flet shumë mirë” ia ktheva. “Ndofta ti s’më beson por më hipi në kokë: ja të gjej një shqipçe fjalosur njeri, ja s’ka! Mora vesh se kanë kapërcyer Atlantikun shqiptarë të rinj. Pyeta kishë më kishë në njihnin ndonjë rob. Dhe ja…të gjeta ty!” “Jam e lumtur që të dëgjoj zërin,” I thashë. “Oh…e lumtura jam unë,” psherëtiu ajo, “që tani nuk jam e vetme. A mundem, sometimes, të të kall e të llafosemi prapë në tellofon?” “Sa herë të dëshironi” iu përgjegja dhe i tregova se në çfarë ore mund të më gjente në shtëpi.
Kështu Varvara u bë gati si pjesëtare e familjes sonë, sepse ajo telefononte çdo javë; tregonte si i kalonte fundjavet dhe vakancat me fëmijët e saj, çfarë gjellësh gatuante dhe çfarë këngësh shqiptare kishte dëgjuar nga kasetat e Spiros. Planifikuam disa here të takoheshim, por ajo ishte e sëmurë e nuk pati mundësi. Kohët e fundit thonte se qëndronte vazhdimisht brenda. Kaluan muaj e gjendja e saj u rëndua, tash në një moshë të shtyrë mbi 90 vjec. Edhe bisedat telefonike u rralluan. Kur më fliste jo vetëm që i shqiptonte fjalët me zor por nganjëherë i ngatërronte me anglishten. I kisha premtuar se do t’i vinja një javë para pashkëve, të takoheshim, e me këtë rast, do t’ia skuqja vezët e pashkës. I numëronte ditët.
Kur, me lajmëruan nga kisha se ajo kishte vdekur para një jave. Përveç keqardhjes që ndjeva më mbeten peng dy gjëra. E para, që nuk e takova e ta përgëzonja për dëshirën e vullnetin e saj për të mësuar gjuhën shqipe, pa mësues e pa libra. E dyta, duhej t’ia kisha regjistruar zërin…Ia vlente që shumëkush ta dëgjonte atë shqiptim…

3.-B O R Z I L O K U I L E F T E R I S E-

Dhembja dhe pendimi që më shkaktoi vdekja e Varvarës më dha një mësim që duhet mbajtur fjala që u premtojmë pleqve. “Plaku sot është nesër s’është” thotë populli. Hap bllokun e shënimeve dhe lapsi qëndron tek emri i nënë Lefterisë, një shqiptaro-amerikane e moshuar që banon diku, në periferi të Lynn-it. E kisha takuar vetëm një herë në kishë para gjashtë vitesh.
Lë çdo punë dhe nisem…Qëndroj para gardhit të drunjtë që rrethon shtëpinë e saj. Dëbora ka mbuluar kopshtin para e mbrapa shtëpisë. Një drithërimë më pushton trupin kur vështroj se rrugica deri te porta e saj e ka dëborën të pashkelur. Zgjas dorën t’i bie ziles, por në vend të saj gjej një dorë hekuri që shtrëngon në gishtërinj një top metalik. (Si dyert e korçarëve). Kur e prek atë “dorë” korrenti i kujtimeve të largëta më lëndon zemrën. Në dritaren e katit të parë lëviz një perde me hoja ku dalloj fytyrën e paqme të një plake të moçme, aq shumë të ngjashme me fytyrën e një nënë korçare.
Kur takohem e i them se jam nga Korca, një ngjyrë e kuqe mbulon fytyrën e saj të zbehtë, tërë rrudha e gropa. Pa folur, ajo më merr për dore e më çon në dhomën e saj të thjeshtë me dy krevate e një komo. Në murin e lindjes të dhomës është varur një kandile me vaj e cila ndriçon dy ikona. Ajo tregon me një zë të dridhur: “Eshtë kora e Shen Pjetrit dhe e Shen Thomait, janë kora të drunjta, të vjetra shumë, qe i kam sjellë nga Korça.” Pastaj, ngre dorën e thatë deri te balli e bën kryqin. Bëj edhe unë kryqin. Ulemi në shtratin e saj të mbuluar me një kuvertë rozë, punuar me mjeshtëri nga duart e saj.
“ U martuaçe me 1935. Afërnaj vinin djem të rinj pe Amerike, kërkonin nuse, në Korçë. Une isha çupë e re, e bukur doemos…nëna më ushqente me reçel luleshtrydhe të mbledhura nga pylli. Po qëndisnja në gjergjef ulur te pragu i portës, kur e pashë djalin që u vlova. Nëna e babai nuk donin…më kishin bijë të vetme…Por unë isha e re…fiu-fiu…donja të vinja në Amerikë, si shoqet. Dhe erdha. Pa shtëpi, pa katandi. Burri kishte pune të rëndë në fabrikën e lëkurëve. Atje u sëmur. Kur punonte, kur s’punonte. U detyrova hyra vetë në punë, në fabrikën e karameleve. Që pa gëdhirë e gjer në të vonë të ditës…mbështill sheqerka me duar.” Ajo zgjati dorën e djathtë dhe vërejta se akoma gishti i madh e ai tregues lëviznin automatikisht në ajër sikur mbështillnin diçka. “E kam peshqesh nga fabrika” nënqeshi ajo. Ia mora dorën që dridhej në dy duart e mia e i a putha.
“S’ma ka puthur njeri dorën gjer më sot,” thotë ajo, “Bile, as ime bijë!” “Kini një vajzë?” e pyes. “E kam një çupë të martuar po ç’e do ! U bë amerikankë, jo shqiptarkë.” Plakës i doli një “Oh…” një rënkim nga shpirti. “Siç të thashë, burri u sëmur, shtëpia desh blerë, çupa desh shkolluar. Të gjitha këto u bënë me djersën time. Prandaj kjo shtëpi, që u ngrit nga duart e mia, mbeti shtëpi korçare që nga themeli e deri te kulmi. Këtu brenda nuk hyri Amerika kurrë. Nuk më ngjiti, dhe s’më ngjiti, e s’më ngjit më ky vend. Me këto duar të shtrembëruara punova në avlemend qilimat, rrugicat, perdet e kuvertat, siç i sheh, të ka rehat shpirti!”
Nënë Lefteria më nxjerr një tabaka me reçel luleshtrydhje e një gotë uji me akull. “Më kujtohet nëna,” thotë, ”e nuk rresht kurrë nga likotë, që i bëj për merak.” Mbi komo qëndrojnë disa fotografi me korniza të praruara. “Ay që qesh atje është i ndieri, im shoq. Po nuk i shkoi jeta me të qeshur. Vojti i gjori, goxha! Dhe vdiq i ri…Mbeçë qyqare…Më vdiq nëna e babaj në Shqipëri…atëherë mbeçë bonjake. Qaj ditë e qaj natë sa i rrezova krepallat e syve. Gabim që s’falej që shkela Amerikën. Dhe zoti ma shpërbleu. Lashë nënën e babanë t’i qajnë bota, që s’do më tresë dheu kurrë!”
E prekur nga lotët e saj, mundohem të ndërroj bisedë. “Ju nënë Lefteri jeni me famë për borzilokun tuaj. Apo s’është kështu?” Ajo më merr prapë për dore e më çon në verandën e shtëpisë. Dhjetëra vazo të vogla e të mëdha gjelbërojnë nga gjethet e borzilokut. Dora e dridhshme e plakës kalon përkëdhelshëm mbi degëzat delikate dhe një kundërmim erëmirë përhapet rretherrotull. “Po,” thotë ajo, “Jam me famë se ky është borzilok i rritur nga dora e nënës sime në Korçë. E kam sjellë farën që me 1934 e që atëherë e mbjell do sene, në prandverë. I sheh këto dy vazot e mëdha? Janë për varret e nënës e të babajt.” Unë s’po kuptoja gjë. “E di që do të çuditesh, thotë, po unë kam ngritur dy varre në fund të kopshtit. E di që s’janë pe vërteti, po ama kam vend ku të qaj e të shfrej mallin për prindërit. I mbuloj varret me borzilok e qaj, e qaj me kuje e me ligje. Ky është dhe sebepi që çupa më iku shpejt nga shtëpia. “Po tani ku ndodhet ajo?” e pyes duke ia puthur dorën përsëri. “Eshtë martuar…ka bërë edhe fëmijë por rrallë më shikojnë” “Po ti i ke tmerruar me ato ulërimat e tua dhe me varret!” I them unë me një ton qortues. “Ah…jam kjo që jam…s’ndreqem më! Jam pleqëri, jam e sëmurë dhe e di që do vdes së shpejti. Por jam e gëzuar se atë orën e fundit do të më shfaqet nëna e babai e do të më marrin në prehër për gjithnjë…”

4.-N E N A E D H I M I T R I T-

Atë që nuk e bëri dot Lefteria me të bijën, e bëri nëna e Dhimitrit me të birin. Dhimitrin e takova në një aktivitet me shqiptarët e Massachusetts, në “Pier 4” në Boston. Ai ka lindur në Ëorcester Mass nga prindër shqiptarë, që kanë emigruar në Amerikë qysh me 1906. Dhimitri, një mesoburrë me flokë të bardha e fytyrë të qeshur, tregon: “Nëna e babai me pagëzuan me emrin “Dhimitër”, emrin e gjyshit, dhe ata nuk lejuan që të regjistrohem në shkollë apo në dokumentet e tjera me emrin Xhim (siç thirret emri Dhimitër në U.S.) Kur isha fëmijë dhe shokët vinin tek shtëpia ime të me thërrisnin për të luajtur, në qoftëe se më thonin emrin “Xhim” nëna nuk më linte të delnja me ta. Kështu, unë i porosisja shokët që në shkollë, të mos harronin të më thërrisnin me emrin Dhimitër. Kjo u bë shkak që shokët e klasës të më vinin noftka, duke ironizuar emrin e gjyshit tim. Sigurisht, kthehesha në shtëpi nervoz dhe i zemëruar, por nëna e babai mundoheshin të më bindnin se emri im ishte më i bukuri nga të gjithë mbasi ishte një emër shqiptar…Babai e nëna zbatonin një disiplinë të rreptë familjare, sipas normave shqiptare. Vetëm një herë dola nga shtëpia për të luajtur me fëmijët e tjerë, pa i marrë leje nënës dhe babai më dënoi. Çdo ditë duhej të përkthenja fragmente nga bibla anglisht në gjuhën shqipe dhe në mbrëmje, kur babai kthehej nga puna, duhej t’ia lexonja. Kjo vazhdoi gjatë gjithë pushimeve verore të shkollës.” “Dinit të lexonit e të shkruanit shqip?” e pyes. “Ishim shumë nxënës shqiptarë që mësonim në shkollën e kishës sonë shqiptare të Ëorcesterit. Babi im ishte arkëtar e sekretar në atë kishë e shpesh më nxirrte në shërbesat kishtare të thonja përmendësh pjesë nga ungjilli, në gjuhën shqipe…”
Deri në ditën e sotme, Dhimitri nuk u nda asnjëherë nga aktivitetet në dobi të çështjes shqiptare. Që në rini të hershme merr pjesë në shoqërinë teatrale “Dora Distra” e Ëorcesterit, më vonë bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Liria” të Bostonit, dhe deri tani, përgatit e transmeton vullnetarisht një orë emision në radio, në gjuhën shqipe. Emisioni titullohet “Ora Shqiptare” dhe jepet çdo të shtunë. Dhimitri është edhe anëtar i Organizatës Amerikano-Shqiptare për Ndihmë Shqipërisë. “Deri tani, thotë ai, kemi dërguar në atdhe shumë ndihma për spitalet, shkollat, bibliotekat etj. Jam shqiptar, vazhdon Dhimitri, pa qenë asnjë ditë në Shqipëri. Jam shqiptar nga emri im, nga gjuha ime shqipe e folur dhe e shkruar, nga ruajtja e kultivimi i zakoneve dhe traditave më të mira shqiptare” “Dhe të gjitha këto sëbashku e kanë zanafillën tek nëna juaj!” i them. “Po, pohon ai, emri im i veçantë, për të cilin nëna këmbënguli aq shumë, më kujtonte gjatë gjithë jetës se duhet të bëhem i vlefshëm për shoqërinë shqiptare, qoftë këtu, qoftë në mëmëdhe.” “Po afrohen pashkët, i them, çfarë keni vendosur të transmetoni në emisionin e radios të shtunën e pashkës?” “Do të transmetojmë, thotë ai, meshën që ka mbajtur Fan Noli për pashkë; e kemi të inçizuar së bashku me shumë mesha të tjera të tij.”
Sa prekëse dhe emocionuese do të jenë ato minuta për shqiptarët e Ëorcesterit, kur në eter do të kumbojë zëri i dhespotit tonë të madh, Nolit të pavdekshëm, për të lajmëruar edhe një herë, me gëzimin e ngadhënjimit, për ngjalljen e Jesu Krishtit.

Filed Under: Featured Tagged With: K R I S H T I U N G J A L L, Rozi Theohari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT