• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

“Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni” promovohet në SHBA

April 2, 2015 by dgreca

Prof.dr. Branislav Sinadinovski, shqiptari ortodoks nga Maqedoni këtyre ditëve do të promovojë veprën e tij “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni” tek diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sinadinovski në këtë vepër kapitale shkruan për të historinë e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni kryesisht në zonën e Rekës së Gostivarit dhe të Dibrës, një rajon i heshtur sot dhe i populluar shumë pak nga banorë që janë shqiptarë etnik, por nga asimilimi dhe frika ata nuk duan të flasin për historinë e tyre.
Sinadinovski një intelektual i njohur në Maqedoni rrëfen rrugëtimin dhe golgotën e jetës së tyre drejt një asimilimi monstruoz, heshtja dhe heqja dorë nga origjina dhe identieti kombëtar dhe problemet e tjera. Por edhe për rikthimin tek identieti dhe guximi i brezave për t’u deklaruar shqiptarë etnik.
Ai ka udhëtuar drejt SHBA-ve dhe se promovimi i veprës së tij do të jetë në Çikago, dhe më pas edhe në Nju Jork dhe qendra të tjera ku jeton diaspora shqiptare.
Por kjo vizitë ka nxitur kurreshtjen e madhe të diasporës dhe se janë nxitur debate se kjo vizitë dhe promovim a duhet të jap një mesazh unifikimi kombëtar dhe jo tendenca për keqpërdorime nga struktura politike në diasporë dhe Maqedoni, të cilët tentojnë të përfitojnë nga vizita e shkrimtarit dhe diplomatit shqiptar Sinadinovski.
Sinadinovski në bisedën e fundit për INA ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA të jenë pjesëmarrës në manifestimet e promovimeve dhe se ai realizon këtë mision vetëm si misionarë i çështjes shqiptare, dhe sidomos çështjes së shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. (INA)

Filed Under: Komunitet Tagged With: "Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni", promovohet në SHBA

2 prilli, masakra e parashikuar dhe roli i kriminelëve të sigurimit

April 2, 2015 by dgreca

Nga Alfons Grishaj*/
Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ‘45-‘46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi
2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.

Pllakati i kësaj ngjarjeje
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin
Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Dezinformimi dhe manipulimi, formë dhe mjet i Sigurimit të Shtetit
Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej…
Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti “fjetur”, ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: “Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku”, duke u përbetuar se ishte i afërm i tij.
E hëngra nga Sigurimsi për herë të dytë dhe të fundit. I thashë Frrokut të ndryshonte emrin. Shikoni se si shokët e Gjekës nuk luftonin vetëm me pushkë, por dhe me dezinformim. Siç doli dhe më vonë në Parlamentin shqiptar, shkrimi im dhe i Rudolf Markut nuk ishin të saktë… Makina propagandistike e Sigurimit nuk ngurroi që, mbas këtyre vrasjeve të shkruante në muret e Shkodrës se, Arben Brocin e vrau Arbnori. Gënjeshtrat, sajimet, manipulimet, dezinformimet ishin shpeshherë një armë e fuqishme propagandistike në duart e mjeshtrave të Sigurimit. Por, kjo lojë e pabesë nuk eci tek shkodranët demokratë.

Martirët e 2 prillit
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
*Autori eshte kryetar I Deges se VATRES ne Michigan

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Masakra e 2 prillit, Sigurimi i Shtetit

VDIQËN PER NJË IDEAL:“RRNOFTË KRISHTI MBRET, RRNOFTË SHQIPNIA !”

April 2, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944, DHE KA ME VAZHDUE DERISA TË MAROJË KOMUNIZMI.” Don Dedë MALAJ (1959)./
“Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra,s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit…”- Papa Gjon Pali II (Prill 1993)/
KY ISHTE KLERI KATOLIK SHQIPTAR PËRBALLË GENOCIDIT KOMUNIST/
■“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, … janë vetëm 30 vjet mundësi me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë”.
At Pjetër Mëshkalla S.J.
●Kleri Katolik Shqiptar para vitit 1944 kishte mbrenda kufinjve shtetnor: 220 Meshtarë, shumë murgesha, disa fratela e qindra objekte kulti.
Mbas vitit 1944, janë shugurue edhe 25 Meshtarë në Shqipni, ndërsa, jashta kufinjve shtetnor janë shugurue edhe 20 Meshtarë tjerë.
●Genocidi komunist ka përfshi nga viti 1944 – 1990 këta Klerikë Katolik:
●TË PUSHKATUEM: (Me gjyqe, pa gjyqe dhe gjyqe të mëshefta)

1. Imzot FRANO GJINI (1886 – 1948) Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni.
2. Imzot GJERGJ VOLAJ (1904 – 1948) Ipeshkëv i Sapës.
3. Imzot NIKOLL DEDA (1890 – 1948)
4 Imzot NIKOLL NOGA (TUSHA) (1895 – 1946)
5. At MATI PRENNUSHI OFM. (1882 – 1948)
Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë.
6. At ÇIPRIAN NIKA OFM. (1900 – 1948)
Guardian i Françeskanve të Shkodres.
7. At LEKË LULI OFM. (1908 – 1944).
8. At LEONARD TARGAJ OFM. (1910 – 1945)
9. Don LAZËR SHANTOJA (1892 – 1945)
10. Don NDRE ZADÊJA (1891 – 1945)
11. Don MARK GJANI (1909 – 1945)
12. At PAPA PANDI (1909 – 1945)
13. At ANTON HARAPI OFM. (1888 – 1946)
14. At GIOVANI FAUSTI SJ. (1899 – 1946)
15. At DANJEL DAJANI SJ. (1906 – 1946)
16. At GJON SHLLAKU OFM. (1907 – 1946)
17. Don NIKOLL GAZULLI (1893 – 1946)
18. Don ALFONS TRACKI (1892 – 1946)
19. Don LUIGJ PICI (1907 – 1946)
20. Don ZEF MAKSEN (1901 – 1946)
21. At BERNARDIN LLUPI OFM. (1894 – 1946)
22. Don LUIGJ PRENDUSHI (1896 – 1947)
23. Don DEDË MAÇAJ (1920 – 1947)
24. Don ANTON ZOGAJ (1905 – 1948)
25. Don EJËLL KOVAÇI (1920 – 1958)
26. Don DEDË MALAJ (1920 – 1959)
27. Don ZEF BICI (1919 – 1968)
28. Don MARK DUSHI (1920 – 1968)
29. Don MARIN SHKURTI (1933 – 1969)
30. Don SHTJEFËN KURTI (1898 – 1971)
31. Don MIKEL BELTOJA ( 1935 – 1974)
32. Seminaristi MARK ÇUNI (1919 – 1946)

●TË VDEKUN NË TORTURA:
33. At LORENC MITROVIÇ OFM. (1872 – 1943)
34. At BERNARDIN PALAJ OFM. (1894 – 1946)
35. At SERAFIN KODA OFM. (1915 – 1947)
36. Papa JOSIF PAPAMIHAJLI (1912 – 1948)
37. Don ALEKSANDËR SIRDANI (1892 – 1948)
38. Don PJETËR ÇUNI (1914 – 1948)
39. Don DEDË PLANI (1889 – 1949)
40. Don JAKË BUSHATI (1890 – 1949)
41. Imzot JUL BONATI (1874 – 1951)
42. Vlla GJON PANTALIA ( 1887 – 1947)

●TË VDEKUN PAK KOHË MBAS TORTURASH NGA SIGURIMI I SHTETIT:

43. Imzot FRANO GJURAJ (1893 – 1947)
44. Don ANTON MUZAJ (1921 – 1948)
45. Don KOLEC PRENNUSHI (1902 – 1950)
46. Don LAZËR JUBANI (1925 – 1982)

●TË VDEKUN NË BURGJE E KAMPE SHFAROSJE:

47 Imz. VINÇENC PRENNUSHI OFM. (1885 – 1949)
48. Imzot ERRNESTO ÇOBA (1913 – 1980)
49. Don MARK BICAJ (1911 – 1946)
50. Don NIKOLL SHELQETI (1892 – 1947)
51. Don EJËLL DEDA (1917 – 1948)
52. Don NIKOLL LASKAJ (1898 – 1948)
53. At GASPËR SUMA OFM. (1897 – 1950)
54. At PAL DODAJ 880 – 1951)
55. At KARLO SERREQI OFM. (1911 – 1954)
56. At KLEMENT MIRAJ OFM. (1882 – 1956)
57. At RROK GURASHI OFM. (1894 – 1965)
58. Don RROK FRISKU (1892 – 1956)
59. Don PJETËR NOGA (TUSHA) (1873 – 1958)
60. Don ANTON DOÇI (1920 – 1973)
61. Don MARK HASI (1920 – 1981)
62. Don LEC SAHATÇIJA (1906 – 1986)
63. Don NIKOLL GJINI (1911 – 1987)
64. Don PJETËR GRUDA (1922 – 1989)

●VDIQËN MBASI VUEJTËN DËNIMIN:

66. Imzot GJERGJ HABERI (1874 – 1950)
67. Don ZEF SHTUFI (1879 – 1950)
68. Don NDOC NIKAJ (1864 – 1951)
69. Don MARK SHLLAKU (1865 – 1951)
70. Imzot BERNARDIN SHLLAKU OFM. (1875 – 1956)
71. At BUON GJEÇAJ OFM. (1870 – 1957)
72. At PAL ÇIURÇIJA OFM. (1878 – 1957)
73. At PASHKO GJADRI SJ. (1877 – 1960)
74. Don NIKOLL KIMZA (1878 – arratiset, vdes në Romë 1960)
75. Don NDOC SUMA (1887 – 1962)
76. Don TOMË LACAJ (1898 – 1962)
77. At MARIN SIRDANI OFM. (1885 – 1962)
78. Don VLASH MUÇAJ (1918 – 1963)
79. At LEONARD SHAJAKU OFM. (1887 – 1964)
80. Don MEHILL ÇUNI (1871 – 1965)
81. At ÇIRIL CANI OFM. (1875 – 1967)
82. Don LAZËR DEDI (1919 – 1967)
83. Don PRENKË QAFALIA (1900 – 1967)
84. Don NIKOLL SHLLAKU (1886 – 1967)
85. Don NDRE LUFI (1878 – 1969)
86. At FLORIAN BERISHA SJ. (1897 – 1970)
87. At MARK HARAPI SJ. (1890 – 1974)
88. At MARJAN PRELA OFM. (1885 – 1974)
89. At GJON KARMA SJ. (1896 – 1975)
90. Don PAL GJINI (1905 – 1975)
91. At ALFONS ÇUNI OFM. (1900 – 1976)
92. Don NDUE SOKU (1922 – 1976)
93. Don LEKË DREDHAJ (1899 – 1976)
94. At MËHILL MIRAJ OFM. (1909 – 1978)
95. Don INJAC GJOKA (1916 – 1979)
96. At GEGË LUMAJ OFM. (1904 – 1980)
97. At DONAT KURTI OFM. (1903 – 1983)
98. At MËHILL TROSHANI SJ. (1904 – 1983)
99. At SEBASTJAN DEDA OFM. (1916 – 1984)
100. At FILIP MAZRREKU OFM. (1913 – 1984)
101. At FRANO KIRI OFM. (1902 – 1986)
102. At FERDINAND PALI OFM. (1907 – 1986)
103. Don MARIAN ARTA (1905 – 1986)
104. At AUGUSTIN ASHIKU OFM. (1906 – 1986)
105. At PJETËR MËSHKALLA SJ. (1901 – 1988)
106. Don KOLEC TONI (1932 – 1992)
107. Don NDOC SAHATÇIJA (1904 – 1993)
108. At PETRAQ ISAK (1914 – 1997)
109. Fra GASPËR JUBANI (1920? – 1992)

●KLERIKË QË U ZHDUKËN NGA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST:
110. Don MATISH LISNA (1924 – helmatisë 1958)
111. Don PRENKË NIKÇI (1921 – aksidentalisht 1974)
112. Don LAZËR SHELDIJA (1928 – 1988, vra në SHBA)

●VUEJTËN DËNIMIN DHE ISHIN NË SHERBIM TË FESË MBAS VITIT 1993:

●25 Prill 1993 PAPA GJON PALI II – në SHQIPNI.

“….Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…
Papa Gjon Pali II (Në Sheshin Skenderbej Tiranë)
Buletini Katolik Shqiptar, Vol.XIV. fq. 171, 1993. San Francisco USA.

113.Imz FRANO ILLIJA Argjipeshkëv i Shkodres (1918 – 1997)
114. Imzot NIKOLL TROSHANI (1915 – 1996)
115. Imzot ZEF SIMONI (1928 – 2009)
116. Imzot MIKEL KOLIQI ●KARDINALI I – SHQIPTAR (1902 – 1997)
117. At ZEF PËLLUMBI OFM. (1924 – 2008)
118. At ALEKS BAQLI OFM. (1918 – 1993)
119. At JAK GARDIN SJ. (1905 – 1996)
120. Don ZEF GILA (1916 – 2000)
121. At KONRRAD GJOLAJ OFM. (1918 – 2000)
122. Don SIMON JUBANI (1928 – 2011)
123. At LEON KABASHI OFM. (1906 – 1998)
124. Don LUIGJ KÇIRA (1925 – 2008)
125. Don NDRE KRROQI (1922 – 1996)
126. At ANTON LULI SJ. (1910 – 1999)
127. At DIONIZ MAKA OFM. (1910 – 2004)
128. Don NIKOLL MAZRREKU (1912 – 1996)
129. Don PASHKO MUZHANI (1915 – 1993)
130. Don NDOC NDOJA (1914 – 1996)
131. Don LORO NODAJ (1918 – 1996)
132. Don NDOC NOGAJ (1926 – 2011)
133. Don GJERGJ SIMONI (1935 –
134. Don ERRNEST TROSHANI (1928 –
135. Don MARTIN TRUSHI (1933 – 1998)
136. At GJERGJ VATA SJ. (1915 – 2000)
137. At VIKTOR VOLAJ OFM. (1910 – 1995)
138. Don JAK ZEKAJ (1906 – 1995)
●MOTRA QË VUEJTËN DËNIME NË BURGJET KOMUNISTE:
139. Moter GJEORGJINA BULGARECI (1928 – ?
140. Moter LILJANA RADOVANI (1925 – 2002)
●Shenim (FR): Pranë emnit shenohët OFM për Urdhnin Françeskan, dhe SJ., për Urdhnin Jezuit. Mbas vitit 1993, rreshtimi asht ba simbas rendit alfabetik.
Këtu përfshihen vetem Ata Klerikë që janë pushkatue, zhdukë, mbytë në tortura, vuejtë në hetuesi, burgje, kampe shfarosje dhe interrnimi nga Shtetit komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, nga viti 1943 – 1991.
Melbourne, Prill 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: “RRNOFTË KRISHTI MBRET, Fritz radovani, Papa Gjon Pali II

Ambasadori Lu paralajmëron investitorët amerikanë: Në Shqipëri do përballeni me korrupsionin!

April 1, 2015 by dgreca

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë e ka bërë këtë vlerësim në takimin me disa biznesmenëve në Nju York dhe Uashington gjatë një vizite para pak ditësh
Nga Elona Memushi/
Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu shprehet se Shqipëria është një vend ku mund të investosh në biznes dhe të shpërblehesh ekonomikisht, por për ta bërë këtë duhet të jesh kurajoz pasi të duhet të përballesh me korrupsionin.
Lu e ka bërë këtë vlerësim në takimin me disa biznesmenëve në Nju York dhe Uashington gjatë një vizite para pak ditësh.
Diplomati amerikan teksa ka garantuar mbështetjen e SHBA për luftuar korrupsinin theksoi se puna me e madhe u takon shqiptarëve.
“Zoti ministër Ahmetaj, dua të flas në gjuhën shqipe. Nuk duhet të flas anglisht, duhet të flas vetëm në gjuhën e biznesit. Para pak ditësh isha në Nju Jork dhe në Uashington dhe aty pata mundësinë të flisja më njerëz të biznesit dhe unë u thashë atyre se nëse doni të hyni në tregun shqiptar duhet t’i keni sytë hapur, duhet të përkushtoheni për një kohë të gjatë, duhet të përgatiteti për konkurrencë të fortë dhe duhet të jeni gati të përballeni edhe me korrupsionin. Nëse jeni kurajoz, do të rrezikoheni shumë, por do të shperbleheni shumë. Unë iu inkurajoj të gjithëve të mendoni për menyrat se si dhoma mund të ndihmojë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe si të udhëheqë luftën kundër korrupsionit. Ambasada Amerikane është e gatshme të jetë të japë kontributin e saj në këtë luftë, por puna me e rëndësishme u takon vetë shqiptarëve”, tha ambasadori Lu në një takim të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për t’i uruar atij mirëseardhjen dhe në të njëjtën kohë për të përshëndetur ish- Drejtoren Ekzekutive te Dhomës Amerikane, Floreta Luli-Faber, e cila largohet pas 15 vjetësh nga ky pozicion për të përfaqësuar Shqipërinë si ambasadore në Uashington.
Nga ana tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, I pranishëm në takim, i cilësoi marrëdhëniet e Shqipërisë dhe SHBA-së si parësore dhe strategjike.
Ahmetaj u shpreh se duke iu referuar shifrave, volumi tregtar mes dy vendeve është rritur ndjeshëm në krahasim me të shkuarën dhe marrëveshja për taksimin e dyfishtë është tashmë e nevojshme.
Në ceremoni morën pjesë autoritete të larta qeveritare, të trupit diplomatik, të organizatave ndërkombëtare si dhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.(E dergoi per Diellin Gazetari beqir Sina)

Filed Under: Komunitet Tagged With: ambasadori amerikan, korrupsion ne Shqiperi, paraljmeron amerikanet

NJË PRITJE PËR PAJTUESIT E GJAQEVE NGA KOSOVA NË SHTËPINË TIME NË ARMONK

April 1, 2015 by dgreca

Me rastin e 25 vjetorit)/
Nga Harry Bajraktari/
Sivjet po përkujtohet 25 vjetori i Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, tek shqiptarët e Amerikës dhe tek atanë Evropë.Ishte kjo një ngjarje historike që motiv e qëllim kishte homogjenizimin e popullit shqiptar, kudo që jetonte, përballë politikës agresive hegjemoniste serbe.Pra, ishte koha kur shqiptarët duhej të flisnin me njëzë dhe me një gjuhë.
Anton Çetta, i njohur si profesor universiteti, studijues dhe mbledhës i folklorit, punëtor shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, njohës i mirë i traditave dhe kodeve zakonore të shqiptarëve, me iniciativën e një grupi të rinjësh të Dukagjinit, respektivisht të Lumbardhit të Deçanit, formuan Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë. Anton Çetta ishte figura kryesore që i printe këtij aksioni së bashku me një grup intelektualësh që gëzonte autoritet tek popullata në Kosovë: akademik Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Ramiz Këlmendi, Azem Shkreli, Dom Lush Gjergji, Kajtaz Rrecaj e të tjerë. Në këto tubime të shumta të organizuara në Kosovë dhe diasporë kishte shumë emocione, lot e gëzim, ku populli i shprehte dhe i përjetonte në mënyra të ndryshme.Tubimet e tilla mbaheshin në hapësira të hapura për shkak të masës që i ndiqte ato.Është i njohur tubimi tek Verrat e Llukës që tuboi një gjysmëmilioni shqiptarë nga të gjitha trevat tona.Ky konsiderohet manifestimi më i madh që u mbajt ndonjëherë në historinë e hershme dhe të vonshme në Kosovë. Ishte një homogjenitet i paparë dhe kishte domethënien e bashkimit që shihej aq qartë nga kjo lëvizje masive e njerëzve nga një trevë në një tjetër.
Profesor Anton Çetta, me bashkëpunëtorët e tij, pasi kishte pajtuar shumë familje të gjaksuara në Kosovë, kishte vazhduar pajtimin tek shqiptarët në Gjermani dhe Zvicër, ku gjaqet ose ishin bërë aty, ose ishin bartur nga trevat e tyre në ato vende.
Me iniciativën e Shoqatës” Shpresa” në SHBA, në kryetë se cilës ndodhej Besim Malota me disa bashkatdhetarë, një grup intelektualësh i pajtimit të gjaqeven ga Kosova erdhi në New York. Grupi i intelektualëve, aposi u quajtën ndryshe nga shqiptarët e Amerikës “Krushqit e Pajtimit” përbëhej nga profesor Anton Çetta, akademik Mark Krasniqi, shkrimtarët Ramiz Këlmendi, AzemShkreli, Dr. AgimVinca, historiani Dr. Zekeria Cana, avokatët Bajram e Nekibe Këlmendi, mjeku Mustafë Ademaj, ish delegati i Kuvendit të Kosovës Riza Lluka, imami i xhamisë së Bubavecit, mulla Xhevat Kryeziu, Adem Beqiri e Mustafë Radoniqi, kryetari i Shoqatës Bamirëse ” Nënë Tereze” të Zagrebit, Siman Kuzhninietj. Ky grup intelektualësh i pajtimit të gjaqeve u prit në mënyrë tejet të përzemërt nga shqiptaro-amerikanët në New York e Detroit, edhe për faktin se vinin nga Kosova e trazuar.
Një ditë, derisa këta intelektualë po bënin pajtimin e gjaqeve në New York, unë me babain tim Metë Bajraktarin, organizuam një pritje solemne në shtëpinë tonë në Armonk, Westchester, ku për ta shtruam një darkë miqësore në të cilën merrnin pjesë rreth 100 veta në mesin e tyre edhe disa amerikanë. Në këtë darkë, e cila kaloi në shenjë të një uniteti të komunitetit tonë, folën Anton Çetta, Mark Krasniqi, unë e Mon Bajraktari, Bajram Këlmendi, Dr. Zekeria Cana etj. Ishte kjo koha që kërkonte bashkim në mesnesh, këtu në SHBA dhe atje në trojet tona etnike dhe kudo tjetër ku jetonin e vepronin shqiptarët në botë.Pra, para nesh ishte një pjesë e historisë.
Duke folur në këtë darkë solemne intelektuali, studijuesi dhe mbledhësi i folklorit zoti Anton Çetta, përkujtoi se familjet shqiptare duhet të ndjekin rrugën paqësore, t’i lënë prapa konfliktet, ngatërresat dhe të kultivojnë traditat tona të respektit, dashurinë dhe mirëkuptimin. Në këtë takim solemn folie dhe akademiku Mark Krasniqi, njohës i mirë i etnografisë, kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, që aksionin e pajtimit të gjaqeve e vlerësoi si akt tejet të rëndësishëm historik.Në këtë pritje folën edhe Mon Bajraktari Dr. Zekeria Cana, unë (Harry Bajraktari) dhe disa të të tjerë të grupit të pajtimeve të gjaqeve.Isha tejet i gëzueshëm, plot emocion edhe ndonjëherë i papërmbajtur që në shtëpinë time aq larg gjeografisë së Kosovës, u thanë gjithë ato fjalë përmbajtësore për popullintonë që patinjë fat jo të mirë nga popujt e tjerë të Ballkanit.
Në këtë kohë në New York po qëndronte edhe një grup i gazetarëve të Radio Televizionit të Prishtinës (Jusuf Ferizi, Ali Alaj, Lekë Musolli, Selim Arifi dhe linguisti Dr. Skender Gashi) ku merrte pjesë në një grevë urie pranë Kombeve të Bashkuara për të kundërshtuar mbylljen e të gjitha mediave elektronike dhe të shkruara në Kosovë nga regjimi serb. Në pritje ishin edhe këta gazetarë.
Pajtuesit, në krye me Anton Çettën, gjatë qëndrimit 20 ditëshnë SHBA pajtuan 12 gjaqe, 2 plagosje dhe 28 individë të ngatërruar për raste të ndryshme.
Nga kygrup sot nuk jetojnë: Anton Çetta, Bajram e Nekibe Këlmendi, Mon Bajraktari, Azem Shkreli, Riza Lluka, Dr. Zekeria Cana dhe babai im, mikpritës i këtij grupi të pajtimit të gjaqeve. Nuk jeton dhe gazetari Jusuf Ferizi.
Bajram Këlmendi, avokat i njohur në Kosovë, natën mes 24 e 25 Marsit të vitit 1999, bashkë me dy djemtë, u nxor dhunshëm nga shtëpia e tij në Prishtinë nga paramilitarët serbë, dhe u masakruan mizorisht afër një stacioni të karburanteve në mes të Prishtinës dhe Fushë- Kosovës.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
Foto: Nga e majta; AzemShkreli(ulur) Metë Bajraktari (nëkëmbë), avokati Bajram Këlmendi (ulur), Akademik Mark Krasniqi, duke folur, Mon Bajraktari me plis dhe Anton Çetta, kryesues i pajtimit të gjaqeve.

Filed Under: Histori, Komunitet Tagged With: Harry Bajraktare, ne Nju Jork, nga kosova, Pajtusit e gjaqeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT