• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Kreu i KMSH, Bruçaj dënon sulmet në Bruksel: Terrorizmi nuk ka lidhje me islamin

March 22, 2016 by dgreca

TIRANË, 22 Mars/- Kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj dënoi të martën sulmet terroriste që ndodhën në Bruksel.

Gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit, Bruçaj tha për mediat se terrorizmi nuk ka lidhje me fenë islame, pasi islami do të thotë paqe.

“Aktet terroriste dhe terrori kanë goditur sërish. I lutem Zotit të sjellë paqe kudo në botë dhe shpresoj që siç është kjo ditë e Nevruzit, ditë e re, le të jetë për gjithë njerëzimin një ditë e re me paqen. Feja myslimane gjatë gjithë kohës e ka dënuar terrorin. Një fe që në islam do të thotë paqe, nuk ka lidhje me terrorin, terrori nuk ka fe. Nëse disa njerëz i lidhin në mënyrë të gabuar këto akte me fenë, do i bëhej qejfi atyre që i kanë bërë këto akte me qëllime të këqija”, tha Bruçaj

Filed Under: Featured Tagged With: denon sulmet e Brukselit, Skënder Bruçaj

Dita e Sulltan Nevruzit – Haxhi Baba Edmond Brahimaj thirrje për paqe, dënon aktet terroriste

March 22, 2016 by dgreca

TIRANË, 22 Mars.- Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi sot besimtarët bektashinj në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, për Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Në fjalën e tij para besimtarëve bektashinj, Haxhi Baba Edmond Brahimaj duke bërë thirrje për paqe, dënoi ashpër çdo akt dhune dhe terrori që po bëhet ndaj njerëzimit në botë.

“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës ju uroj paçi përherë bekim në jetën tuaj. Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqimi në rrugën tuaj. Në këtë ditë gjejmë rrugën për te i madhi Zot për të na lehtësuar me praninë e tij qëllimin tonë për t’iu afruar drejt tij. Ne të gjithë së bashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në rrugën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën e mbi të gjitha paqe në veten tonë. I lutem Zotit të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë, të falim dashuri te njeriu për njerinë, shpirtin human dhe lumturinë familjare”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Ai uroi qofshi përherë të lumtur kudo që ndodheni, Zoti ju uroftë e bekoftë të gjithëve.

Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në 1996. Në vendin tonë sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit. Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjes bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91

Filed Under: Opinion Tagged With: – Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Dita e Sulltan Nevruzit

Kosova, mundësi Diasporës në Bono Thesari

March 22, 2016 by dgreca

-Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti: Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re/

PRISHTINË 22 Mars 2016-B.JASHARI/ Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencë shtypi sot ka bërë të ditur se Ministria e Financave po e hap zyrtarisht kampanjën informuese për mundësinë e re të investimit që do t’i ofrohet diasporës sonë.“Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi. Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re”, shtoi ministri Avdullah Hoti.Ai gjithashtu theksoi se gjatë kampanjës informuese në ditët dhe javët në vijim, do të njoftoheni edhe me detajet tjera në lidhje me këtë produkt, përfshirë edhe normën e interesit si dhe procedurat për investim. Në këtë Konferencë ministri Avdullah Hoti paraqiti para mediave edhe një kronologji të zhvillimit të hovshëm të këtij tregu që nga themelimi, ku bëri të ditur se ”Tregu i letrave me vlerë në Republikën e Kosovës filloi më 18 janar të vitit 2012, kur Ministria e Financave në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore por edhe me sektorin bankar, emetoi për herë të parë Bono Thesari në vlerë 10 milionë euro dhe me afat maturimi 3 muaj”.

 “Mirëpo ky ishte vetëm fillimi, sepse në po të njëjtin vit, u lansua edhe Bono me afat 6 mujor, dhe viti 2012 përfundoi me gjithsej 74 milionë euro të emetuara. Në vitin 2013 (24 prill) portofoli i instrumenteve të ofruara u zgjerua edhe më tutje me lansimin e Bonos me afat 12 mujor dhe në po këtë vit u emetuan edhe 80 milionë euro Bono të reja. Në vitin 2014 (31 mars) u lansua edhe Obligacioni i parë qeveritar, me afat prej 2 vitesh dhe viti u përmbyll me emetimin e 102 milionë eurove. Ky vit gjithashtu është shënuar si vit ku për herë të parë kemi blerjen e Bonove edhe nga individë privatë, sepse deri në këtë vit blerësit ishin kryesisht institucione financiare ose pensionale. Viti 2015 ndërkaq do të mbetet si viti kur ky treg kishte zhvillimin më të hovshëm, ku  vlen të theksohet se u emetuan gjithsej 120 milionë euro Bono të reja si dhe u lansuan me sukses Obligacionet me afat 3 vjeçar dhe 5 vjeçar. Gjithashtu u zgjerua edhe baza e investitorëve: në bashkëpunim me Bankën Qendrore u ndryshua korniza ligjore për të lejuar edhe kompanitë e sigurimeve të blenin letra me vlerë, kurse investimi nga personat privatë tejkaloi 10 milionë euro”, shtoi Ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 në qarkullim kemi një portofol të letrave me vlerë prej afro 400 milionë euro, kemi 6 instrumente me afat maturimi që fillon nga 3 muaj e shkon deri në 5 vite, kemi një treg sekondar që funksionon dhe me nivel të likuiditetit që rritet dita ditës, si dhe  kemi plane që të zgjerojmë bazën e investitorëve edhe më tutje.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, mundësi Diasporës, në Bono Thesari

O, sa vështirë me qenë shqiptarë!

March 22, 2016 by dgreca

Nga Gani MEHMETAJ/

Nuk më pëlqen slogani “O sa mirë më qenë shqiptar”, shpreh kompleks inferioriteti, me tha miku im.  E si të thonë? “O sa mirë me qenë grek, apo serb!”, ia ktheva pa të drejtë, sepse ai nuk e thoshte për këtë qëllim, atë e pengonte slogani i tifozëve “Kuq e Zi”. Jashtë dialogut me mikun tim, të cilin e çmoj dhe kuptohemi për shumë gjëra, po e nis monologun me vetën.As mua nuk më tingëllon reale kjo shprehje, sepse nuk është kënaqësi të qenit shqiptarë. Mbase kishim pse të mburreshim dikur. Po sot? Askush nuk na trajton si duhet; as ne nuk e trajtojmë vetën me dinjitet; jo rrallëherë sillemi si palaço tragjikomik në rrugë, në Kuvend, në institucionet publike e shtetërore; bëhemi servil para të huajve duke e denoncuar njëri-tjetrin, e tallim shtetin, i përdhosim institucionet, e lavdërojmë vetën dhe kërkojmë nga të huajt të na mbështesin që ta rrëzojmë kundërshtarin; e denigrojmë njeriun tonë që ka personalitet; e përdhosim atë që ka dinjitet; veprojmë egërsisht deri në zhdukje fizike ndaj  kundërshtarit politik e atij personal; sillemi me qyqari me armikun apo fqinjin përtej kufirit; tallemi me përkatësinë tonë kombëtare; i fyejmë personalitetet historike si asnjë komb tjetër në botë; duam të bëhemi tjerë më përkatësi kombëtare e jo ta ndryshojmë vetën.

Megjithatë, tifozët e futbollit i mbështesë në sloganin e tyre. S ‘kanë si thonë ndryshe, vështirë  që i pranojnë për grekë, serbë apo turq sado të thonë në gjuhën e tyre “O sa mirë me qenë grek, apo ” O sa mirë me qenë serb, apo turq”.  Fqinjët tanë që dikur u sollën mizorisht ndaj nesh na e kanë ngulitur aq thellë kompleksin e kombit të pavlerë, aq shumë janë tallur mizorisht me neve sa nuk guxojmë as të kënaqemi me shqiptarësi në euforinë e animit sportiv. Jo rrallë që t’ua bëjmë qejfin fqinjëve arrogantë u themi: e dini si? Ata janë  primitiv, mos ua zini për të madhe, ne jemi ndryshe, ne nuk jemi nacionalist, ne nuk u urrejmë, përkundrazi u duam. Dhe nisim të betohen disa servil të shpërfytyruar në gazeta e televizione që i duam serbët, i adhurojnë grekët, shkrihen për turqit. “S’na bie kurrë ndër mend t’u mbajmë inat, a zoti na ruajt t’u urrejmë pse na vranë gati sa s’na zhdukën”, nisin të arsyetohen për krimet e tyre mjeranët shqipfolës. “Kishin një arsye, prandaj na vranë”, ka deklarata të tilla idiotësh nga bashkëkombësit tonë. Hapini portalet elektronike e do të lexoni edhe idiotësira të tilla. “Kot nuk i vrau greku çamët!”, kam lexuar apo kam dëgjuar publikisht dhjetëra herë shqipfolës ta thonë pa fije turpi në portalet shqiptare. “Kot nuk i masakroi serbi kosovarët!”, jo rrallë e thonë pa ngurruar disa të tjerë.  “Edhe turku pati një hall që na vrau e na dëboi përtej detit aq pa mëshirë. Pse i dolën në rrugë, në vend të bëheshim skllevër të tyre”, thonë mjeranët e tjerë në gjuhën shqipe. “Skënderbeu nuk është heroi im, sepse vrau shumë turq”, thonë jo pak hoxhallarë bastard. Pse duhej ti përkëdhelte pushtuesit mizor, Skënderbeu, sipas tyre? Sikur të vazhdonin të tjerët si Gjergj Kastrioti nuk do t’u dëgjohej fjala këtyre bastardeve, as nuk do të merreshim fare me ta.

Disa  mburrën me eufori idiotësh pse e mbajnë fenë e turkut, apo pse ua “ringjallën” kishën shovinistët grek, duke e theksuar se jemi pasardhës shqiptaro- osman. Janë pasardhës shqiptaro-osman, apo janë pasardhës grekë nëse janë nipër të gjysheve të përdhunuara, por atëherë duhet t’i quajmë kopilë shqiptaro-osman, apo bastard grek. Nëse nuk ndjejnë turp që janë bastard, të  mos mburren që janë pjellë përdhunimi. Duhet ta mbanin anën e gjyshes së përdhunuar, apo të gjyshit përdhunues, sipas kësaj logjike. Ç’t’u thuash të tillëve?

A jemi popull kot?

“Jemi popull kot”, thotë miku im nga Tirana në dëshpërim, sepse sigurisht nuk i kupton këto sjellje anormale të grupeve shqipfolëse.  Prej nga ky kompleks i qyqarit i këtyre grupeve, që ta duam pushtuesin përdhunues? Një shtresë mjerane e mburrin pushtuesin mizor dhe përpiqen ta denigrojnë kombin e tyre? Janë mercenarë? Nuk kanë identitet kombëtar? Apo e kthejnë gëzofin si të fryn era?  Megjithëse nuk e thonë nëpër rrugë “O sa mirë më qenë grekë, apo turk, apo serbe”, sepse do t’ua thyenin kokat ca “nacionalistë primitiv” , ata e thonë nëpër portale, e shkruajnë në ndonjë paçavure gazete apo në ndonjë emision televiziv të financuar nga armiku. Dy shtetet shqiptare nuk i trazojnë shoqatat, bashkësitë fetare greke e turke edhe pse punojnë kundër interesave shtetërore e kombëtare.

Mercenarët bastard po e provokojnë keqas shqiptarësinë e Shkodrës, strumbullarin e Shqipërisë etnike, duke tundur flamuj turk e sllav. Me shoqata islamike turke, me xhami vehabiste e salafiste, më ulërimat e altoparlantëve, me portalet që bëjnë thirrje për luftë të shenjtë islamike, më zbritjen e tërë shëmtisë aziatike e të gadishullit arabik në djepin e kulturës shqiptare, janë duke e shpërfytyruar Shkodër locen e Marin Barletit e të Gjergj Fishtes, kur dihet se këtu u derdh aq shumë gjak kundër këtyre hordhive aziatike që të mos e përdhosnin qytetërimin tonë. Mercenarët e tjerë bastard po ua lëvizin eshtrat patriotëve të Korçës e të jugut shqiptar me shantazhe e agresione kundër shqiptarësisë korçare, me parulla e presione të hapura që të konvertohen shqiptarët e varfër në grekë; vehabistët e spiunë islamik të Serbisë e të Turqisë po e përdhosin Prishtinën e Pjetër Bogdanit, ku ai e dha jetën për çlirimin e kryeqytetit të Dardanisë ; pushtetarët nuk kanë guxim t’ia bëjnë një shtatore monumentale këtij personaliteti më të madh pas Gjergj Kastriotit nga presioni i Turqisë e mercenarëve të tyre.

Greqia, Serbia e Turqia po futën sërish në Shqipëri, Kosovë e në territoret etnike shqiptare përmes nipërve të gjysheve të përdhunuara, përmes mercenarëve e maskarenjve, përmes ish spiunëve të Serbisë, ndërsa dy shtetet shqiptare marrin pjesë në këtë përdhosje kombëtare, sepse janë të korruptuar. Prandaj i ndjekin me indiferencë të pafalshme gjithë këto veprime rrënimtare.

Tifozët “kuq e zi”, pjesa më e ndritur e kombit

Duke e përsiatur sloganin e tifozëve kuq e zi, mu kujtuan grekët e turqit e shkretë dikur. Para tridhjetë vjetësh të ishe grek e turk ishte turp e denigruese para evropianëve.  Atëbotë më vinte keq për grekët e turqit e varfër të trenit Akropolis- Munhen, të cilët  policia serbe, kroate e sllovene i fyente e i shante secili për hesap të vetin me fjalën sllave “stoka” (kafshë).  Austriakët ishin më fin, e mbyllnin hundën më tu futur në kupe, sepse vinte era ajër të ndenjur, gazra të stomakut të trazuar nga rruga e gjatë e ushqimi i prishur i kuzhinës turke e greke: qofte, vezë të ziera e bakllava të thartuara. Grekët e turqit e shkretë ulnin kokën që të mos e acaronin policin serb, kroat, slloven apo austriak, sepse do ti zbriste nga treni. Me vinte keq për mjerimin e tyre. Asnjëherë nuk me shkoi nëpër mend se nipërit e këtyre grekëve të mjerë, e turqve që nuk e kishin kaluar ende mesjetën, nesër do të silleshin edhe më egër më shqiptarët e varfër.

“O sa mirë me qenë shqiptar”, mbase nuk është kënaqësi e veçantë (megjithëse kur i shoh në televizion këta tifozë me duket se kënaqen, veçmas kur e përsërisin këtë refren), por është turp kur shqiptarët deklarohen grekë, serbë apo turq. Tifozët e sportit lë ta vazhdojnë sloganin e tyre, askujt nuk i bëjnë dëm, tryeza e shqiptarëve as nuk do të pasurohet, as nuk do të varfërohet nga tifozllëku i tyre, ndërsa ka gjasa t’ua ngrehin krenarinë kombëtare të nëpërkëmbur aq shumë vjet nga serbi, nga diktatura e varfëria. Një brez i ri pa njolla nga  diktatura e pushtuesi i huaj e ndjenë vetën mirë, ka dinjitet e krenari kombëtare. Tifozët më duken janë pjesa më e ndritur e kombit, kurse brezi i tyre do t’ia kthejë krenarinë e munguar  shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, sa vështirë me qenë shqiptarë!

Kol dhe Ndre Mjeda në gjurmët e matjanit Pjetër Budi

March 22, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja (Francë)/

Shkrimi më poshtë, në një gegnishte të mrekullueshme, i cili më ra në dorë falë mikut dhe kontribuesit tim të parë në blog, Avni Dani, na kthen në Matin e vitit 1930.

Kol Mjeda, deputet i dikurshëm i Dibrës, bashkë me poetin Ndre Mjedën, i cili kërkonte të ndiqte në atë kohë gjurmët e klerikut dhe shkrimtarit të njohur Pjetër Budi, me qëllim për të realizuar një studim mbi origjinën, jetën dhe veprën e tij, kanë shkuar në vendlindjen e autorit, në fshatin Gur i Bardhë, në Mat.

Gazeta e Perkohshme Leka, me vendodhje në Shkodër, e botuar asokohe çdo dy muaj, ka publikuar rrëfimin e udhëtimit të Kol Mjedës, ku sipas meje përmes ndjekjes së gjurmëve të Budit vihet gjithashtu në dukje bukuria, bujaria, mikpritja dhe emancipimi i shoqërisë matjane.

Në vazhdim parathënia e gazetës dhe rrëfimi i Kol Mjedës :Êmz. Pjeter Budi

Kol Mjeda, Gazeta e Perkohshme LEKA, Vjeti II, N. 4 – Korrik 1930

Êmzot Pjeter Budi kje shqyptar, prej Gurit të Bardhë (Mat).

Librat mâ të motshem, qi janë shkrue n’alfabetin latin, janë atà të Budit ; por mjerisht librat e tij të gjith kanë hupë, posë perkthimit të doktrinës së krishtênë të Kardinallit Belarmino, prej së cilles n’a ka metë vetun e treta dorë e botueme në 1664, qi gjindet fort rrall.

Me gjithsè giuha e Budit nuk âsht aq e qortueme, prap vepra e tij meriton m’u marrë në kujdes, në mos tjeter, pse në tê na kemi mâ të parat vjerrsha shqype. Libri i tij duket se ka kenë fort i perhapun në popull katolik e i perdoruem deri nder kohë të vona, per arsye qi e shofim rishtypun tri herë në vjetë 1868.

Faik Konitsa pat gjetë në Paris edhè nji tjeter liber të quejtun « Speculum confessionis in Epiroticam linguam a Petro Budi, Episcopo Sapatense et Sardanense translatum. » Libri â formatit XII me 408 faqe âsht botue prej Propagandës në vj.1621. Por prej ktij libri vetun kjo copë qi ka gjetë Faik Konitsa  e tjeter nuk njihet.

Zotni Kolë Mjeda, deputet i Dibrës, qi tesh vonë desht m’e percjellë D.Ndré Mjedën në vendin e shkrimtarit të motshem shqyptar, per me bâ studime mi tê, i a dergoj ksajë Perkohshme artikullin qi na ktû poshtë me andje po botojmë.

Per ket arsye, edhe vijimin e artikullit mî edukaten e ndiesis s’atdheut po e lâm per numer tjeter.

Kah trojet e Budit

Sikuersè âsht pa edhè nder shtylla të fletoreve të kryegjytetit, udhtimi i êm me të Nd. Zotni Don Ndré Mjeden ka pasë per qellim vetem studimin mbî nji botim të Don Pjeter Budit, prej Gurit të Bardhë, të shtypun në giûhë amtare në vjetin 1621.

Me 19.6.1930 kalueme Tufinen edhè Shkallen e Tujanit, kû syni nuk ka të ngim tue e pa at bukuri natyre, e, kah ora 20.30 mrrijtme në vendin e caktuem për bûje t’asajë natë, qi thirret « Hani i Zallit » kû kjeme pritë s’ka ma mirë prej Jashar Bejt, i dibranë.

Ne e nesre, kah ora 6. 30 vijueme udhtimin mbi Qafen e Morizës e, mas nji rruge mjaft të mundshme, por të bukur, mrrijtme në maje të malit, kû gjetme Postë Komanden e Gjendarmeris e bri ksajë nji han, kû pushueme e pime kafe e tamel, e prep u vûeme per rrugë, qi kishim nisë.

Mas do kohet n’a u paraqit nji panoramë e shkelqyeshme në të cillen muejtme me da per së largut shpija të nalta. Qeraxhit n’a thane se atà ishin shpijat e Gurit të Bardhë, kû mrrijtme në krye të nji orës e gjysë. At vend e kishte stolisë natyra me kodrina të thepisuna e të veshuna me blerim, me kroje, qi i zotnote brija e malit të naltë të Dajtit.

Mas pak kohet u gjetme tu hani pranë Xhamis, i cilli ishte hani i Ibrahim Boedit (Budit), me të cillin u falme mas zakonit, hime në dhomen e shtrueme me qylyma e halija, kû, masi pime kafe e hangme dreken, pushueme deri n’oren pêsë të masdites.

Mandej bashkë me Ibrahim Boedin duelme me shetitë katundin, e, mas bisedimeve qi bâme me tê, u sugurueme se aj ishte, bashkë me kater familje tjera, prej shpis së Budit.

Shkueme te dugâja e vêndit, kû patme rasë me u  perpjekë me disa burra të pjekun e plot eksperjencë, masi gadi të gjith vêndasit e atij katund kishin kerkue kah Selaniku, Serezi, Stamolla. Kuvendi i marë i atyne burrave n’a bindi, ankimet e tyne n’a u dukne krejt t’arsyeshme, sidomos per pasuni qi kishin nder fushat e Selanikut e njeti, qi Greqija i a u kishte zaptue e se Qeverija e jonë nuk kishte marrun masat e meritueshme.

Si maruene atà fjalët e veta u kallxova qellimin e ardhjes s’onë në vendin e tyne, due me thanë se dishrojshim me dijt per shpin e Budit, se psè âsht nji liber shqyp i shtypun tash treqind vjet e aj qi e ka botue thotë se jam Gurabardhas e se thirret Don Pjeter Budi.

  • Zotni – m’u pergjejgne – ktû nder ne s’ka burra të vjeter si me thanë nji qind vjetsha, e atà 70 vjetshat s’dijnë mâ teper se na.
  • Prej shpis së Budit âsht ky Ibrahimi e ashtù edhè kater familje tjera. Âsht edhè nji shpi në Berzhojë qi thirret e Budit.

Masi i pyeta a thue âsht e dalun prej Gurit të Bardhë, më pergjegjne se jo, as ajo shpi, as katundi nuk e din, vetem porsè thirret « Budi ».

Muerme vesht prej atyne burrave se « Boedit e majnë vedin se janë fis me nji prift, i cilli nder kohë të veta âsht thirrë Budi, e mas nji lufte të bjerrun në Maqedoni, ka kenë shterngue bashkë me të vett me xanë vend në Gur të Bardhë, kû ka lypë ndimen e Princit të Matjes e, mâ vonë, masi kanë ndollë lidhjet krejt t’afermeve, nuk paskan marrë me shoqi shojnë per arsye relacjonesh familjare.

Katundi perbâhej prej 300 shpijash e s’kanë dhanë e marrë prej katundeve e fiseve tjera ; prej kndej mund të vertetohet se Gurabardhsit kanë kênë shum mâ vonë kristjan. Por edhè sot aj katund as merr as nep me tjera katunde e as argjidhek s’jepshin per vasha.

N’a thanë se tash nja 60 a 70 vjet, per rreth kû kishte pasë kênë shpija e vjeter e Budit, kundrej Xhamis së sotshme, nji plakë tue mihë, paska zblue nji kumonë mjaft të madhe, të cillen i a kishte pasë shitë per 400 grosh nji kallajxhis, e ky i a kishte shitë nji korcullës në Durrës për 10.000 grosh.

Petkat e fugurja e Budit

Populli i atyshem paska pasë kujtue se bë Teqe të Martaneshit gjinden petkat me gjith fugure të Budit, por pa kush nuk i kishte.

Vetem dihej se nji plakë kuer ka kênë tue dekë u ka thanë të birve të vet : Un nuk jam kthye prej besimit, pra shkoni e m’a bini filan resem (fugure) para se të më dalin shpirti. »

Edhè masi i a kanë prûe e e ka pasë nder duer at resem ka ndrrue jetë, kshtu thotë sot gojdhana e atij populli.

Libri i Budit e djalekti i Gurabardhsve

Me gjith se Gurabardhsit kerkojshin tjera dhena, djalekti i tyne, qi ndryshon prej krahinave t’aferme, i giet gadi 50 %  librit të Budit. Ket dishmi i a lâ Z. Dom Ndré Mjedës, qi ka me e ribotue librin sa mâ shpejt tue i bashkue studimet e komentet e veta.

Largimi i ynë prej Gurit të Bardhë

Nder ftyra t’atyne të thjeshtë shifej se keq u vinte pse daheshim prej tyne. U falme si mas zakonit, por Ibrahimi desht me na percjellë nji copë rrugë e nuk u da nesh veç masi e shterngueme. Gjith rrugës na u knaqte syni nder blerime e shpesh ndeshme në tuba të bardha delesh.

Ky katund në kohna të motshme kishte 300 shpi e blegtorija ishte njaq në perparim sa kishin mâ se katerdhetmi dhen e dhi, por Veziri i Shkodrës nder dy lufta qi kishte bâ me ta, i u kishte marrë ka dymdhetmi krenë per luftë. Kahë prendimi mrrîjtme në Bershê ku na priti, me djelmt e tij, nji burr si motit, Zot. Ahmet Nushi. Naten e kalueme masmiri e ne nesre u vûeme në rrugë per Burrel.

Ky katund nuk ishte mâ aj i 1916, por ishte shndrrue më nji gjytet. Dahen në shêj shpija e Naltsis Tij Princ Xhelalit, Bashkija, Zyra e Rekrutimit, hotele, kafe, restauranta, dugajë etj. Ashtu ishte tue ngrehë nji tjeter ndertesë madhshtore Princi, i cilli kishte kalue per Tiranë. Edhè ktu auktoritetet e vendit na pritne mjeft mirë e Bashkija dha nji darkë. Shum dishirë tfaqne parija e vendit sidomos më bâni preshtypje të mirë kuer më thane se kerkojnë prej Qeveris e prej Deputetve t’u hapet nji konvikt per varza, pse edhè seksi fêmnuer, do të perparojnë në vend t’onë. Ky âsht nji hap mjeft i madh per të cilllin e kam menden me folë në Parlament.

Konvikti i Matit

Âsht per t’u levdue ky institut per rregullim e displinë qi kishte. Godija ishte mjeft e mirë por e vogel per 100 xânsa. Grupi i msueve na gostiti  e xânsat veshë me robe kuq-zi na ndejne në nderim. Ne nesre u bâne provimet e fundit të vjetit shkolluer e metme teper të knaqun prej të gjegjunave të fmive, të cillit i pyeti ndo ‘i herë edhè Z. D. Nd. Mjeda. Dijtne mirë me pergjegjë mî histori të Shqypnis e sidomos kush âsht Zogu I. e cillat kan kênë dyrët shqyptare mâ të permenduna. Deklamuene fare mirë do vjerrsha  e sidomos atê të vllavrasit qitun prej të Nd. Z. Dd. Nd. Mjedës.

Ne e nesre mrama kjeme miqt e Kadis se Matjes, nji burr plot urti. Edhe ktu na pritne mirë e mandej u nisme, dikû rrugës së ré qi âsht tue goditë  e diku rrugës se shtegtarve qi âsht mjeft e vshtirshme ; kshtû mas nji udhtimit ndandë orësh mrritme në Krue.

Per rrugen Burrel – Krue populli ka bâmun shum sakrifice, por Ministrija e P. Botore ato vende qi i tokojnë me i punue nuk âsht kujdesue per to si duhet. Mirë âsht qi ksajë verë ajo Ministri të perpiqet me krye çka ka per detyrë.

Libri i Dom Pjeter Budit besoj se shpejt ka me u ribotue prej Z. D. Ndré Mjedës të cillit i uroj nji sukses të lartë.

Shkodër 7 VII 1930

Kol Mjeda

 

Publikuar për herë të parë online në versionin origjinal te Blogu Dars (Klos), Mat – Albania

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Kol dhe Ndre Mjeda, në gjurmët e matjanit, Pjeter Budi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT