• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Ellis: Zyrtarët e Kosovës, pa imunitet para Gjykatës Speciale

March 15, 2016 by dgreca

Imuniteti funksional dhe ai personal, të cilët i njeh e drejta ndërkombëtare për zyrtarët shtetëror, nuk vlejnë në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Dhomës Ndërkombëtare të Avokatëve. 

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kohë më parë ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare me Holandën “mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës e zhvendosur në Holandë”. Me këtë ratifikim, siç ka thënë presidentja Jahjaga, Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet ndërkombëtare sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte. Kur prisni se do ta fillojë punën kjo gjykatë?

Mark Ellis: Mendoj që ende nuk është caktuar data e saktë, por konsideroj që kjo nuk do të duhej të ishte në fokus. E rëndësishme është që Kosova është e përkushtuar, siç thatë, që ta bëj këtë në përputhje me standardet ndërkombëtare.Por, edhe më e rëndësishme është që Kosova, në esencë, po e porositë bashkësinë ndërkombëtare se beson që llogaridhënia mbi mosndëshkimin është parim i rëndësishëm.Prandaj, e uroj Kosovën për këtë. Siç e dimë, vendosja e gjykatës së këtij lloji ka mjaft sfida dhe padyshim që do të ketë mjaft pengesa. Por, përderisa të ekzistojë përkushtimi i Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë për formimin e gjykatës, jam shumë optimist kur bëhet fjalë për funksionalitetin e saj si dhe për aftësinë e saj që me përgjegjësi të sjellë ndonjë rezolutë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë sfidash prisni me rastin e formimit të kësaj Gjykate?

Mark Ellis: Para së gjithash, konsideroj që në këtë situatë, ideja për formimin e gjykatës jashtë kompetencës kombëtare, me siguri që është e përshtatshme. Gjithmonë kam qenë avokat i asaj që gjykimet vendore të zbatohen nën juridiksionin, në të cilin janë kryer krimet.

Por, ekzistojnë situata kur gjykimet e tilla brenda vendit bëhen të vështira. Prandaj, më lehtë është të formohet një gjykatë hibride në një lokacion të tretë, në këtë rast në Hagë. Vet ideja e krijimit të një gjykate funksionale, mundësia për angazhimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe mbrojtësve të kualifikuar, sigurimi i mbrojtjes së dëshmitarëve – të gjitha këto janë sfida, por jo të pakapërcyeshme.

Bëhet fjalë për atë se a do të qëndrojnë në këtë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare, deri sa kjo çështje të përfundojë. Jam i sigurt që edhe Kosova, por edhe bashkësia ndërkombëtare do ta bëjnë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, a mendoni që me këtë Gjykatë do të hiqet përfundimisht ajo reja që tash e sa vite qëndron mbi Kosovën, kur bëhet fjalë për krime të luftës?

Mark Ellis: Shumë njerëz i shikojnë gjykatat ndërkombëtare në mënyrë joreale. Qoftë atëherë kur bëhet fjalë për Gjykata penale ndërkombëtare, qoftë për Gjykatat Speciale për Jugosllavinë apo Ruandën ose për disa gjykata tjera ad hock, njerëzit presin që ato t’i zgjidhin padrejtësitë historike.

Gjykatat, kryesisht, nuk mund ta bëjnë këtë, jo të vetme. Por, ato mund të luajnë rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit dhe sjelljen e drejtësisë. Në këtë kuptim, konsideroj që Gjykata do të luaj rol të rëndësishëm, në, siç e thatë, largimin e resë së errët të historisë në rajon dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të mbështetet.

Besoj që Gjykata do të ketë sukses që vërtetë ta ndriçojë atë që ka ndodhur gjatë luftës në rajon dhe të mundësojë që të paktën disa të dalin para drejtësisë për shkak të krimeve të kryera. Mendoj se ky është një proces i shërimit që duhet të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë padish pritni të jenë të parat? Për cilat krime?

Mark Ellis: Krimet janë listuar në vet statutin e Gjykatës. Në përgjithësi, bëhet fjalë për për krime të tmerrshme ndërkombëtare. Kjo është ajo më e rëndësishmja për këto gjykata, kjo është ajo që njerëzit presin, ajo çfarë viktimat kërkojnë.

Pra, krimet e tmerrshme, qofshin ato krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe siç e dimë, disa krime vendore që janë pjesë e këtij statuti – e gjithë kjo luan rol në orientimin e vëmendjes ndaj individëve që kanë kryer krime të tilla të neveritshme.

Gjithashtu është e rëndësishme për viktimat që të kuptojnë se ata që i kanë kryer këto krime kanë dalë para drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Nga këto krime të supozuara tashmë kanë kaluar 15 deri në 17 vjet. Sa është e vështirë për prokurorinë që të arrijë deri te dëshmitë?

Mark Ellis: Kjo është çështje e rëndësishme, për shkak se e dimë që është një periudhë e gjatë kohore nga ditët kur janë kryer krimet e deri te nxjerrja e individëve paera drejtësisë dhe është e vështirë të arrihet deri te dëshmitë. Për këto shkaqe, është vështirë të arrihet deri te viktimat, te dëshmitë dhe te kryerësi i krimeve. Kështu që edhe kjo është një nga sfidat.

Por, duhet të përkujtojmë se janë zhvilluar procese të gjata, përfshirë edhe punën e Tribunalit të Hagës dhe disa gjykatave vendore, për mbledhjen e dëshmive në mënyrë që të konstatohet se janë kryer krimet dhe të konstatohen individët, të cilët supozohet se i kanë kryer ato krime. Ky është proces ligjor që përfundimisht do të zhvillohet në mënyrë që të sillet drejtësia.

Ekzistojnë sfida në këtë pikëpamje, por jam i sigurt që Gjykata do të ketë dëshmi dhe burime të mjaftueshme dhe se do ti sjellë individët para drejtësisë , ndonëse ka kaluar mjaft kohë.

Radio Evropa e Lirë: A pritni të jetë një padi që do të përfshijë më shumë individë apo më shumë padi për më shumë individë?

Mark Ellis: Ky është vendim që duhet ta sjellë Gjykata, gjegjësisht, prokurori. Kam ndjenjën se do të ketë disa padi, të ndara. Nga e kaluara, nga gjykata të ndryshme, kemi mësuar që viktimat e këtyre krimeve të tmerrshme – por edhe viktimat që nuk mund të flasin, sepse janë vrarë – kërkojnë vërtetë fokus të veçantë ndaj krimeve që kanë ndodhur në vende të caktuara.

Për këtë arsye, pres që do të ketë disa padi kundër disa individëve për krimet e kryera në në kohë të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Siç është ditur, Gjykata do të merret me krimet që kanë ndodhur pak para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Ato krime supozohet se i kanë kryer anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi bashkësitë etnike pakicë si dhe mbi rivalët politik. A mundet që, në këto raste, dikush të gëzojë imunitet nga ndjekja?

Mark Ellis: Çështja e imunitetit është interesante, sepse në bazë të ligjit ndërkombëtarë ekziston një standard ndërkombëtarë për imunitetin, i cili është përgjithësisht i pranuar. Ekzistojnë imunitetet funksionale dhe personale që merret me individët që në atë kohë kanë qenë në pozita të larta.

Por, siç kemi parë në gjykatat tjera dhe kjo do të ndodhë edhe në këtë Gjykatë, gjykatat ndërkombëtare ad hock, kryesisht e kanë hedhur poshtë çështjen e mosndëshkueshmërisë, si dhe kanë treguar që individët, pavarësisht nga pozita e tyre, pozita politike, duhet të dalin para drejtësisë.

Këto lloje të imuniteteve që i njeh e drejta ndërkombëtare dhe që i mbrojnë anëtarët e lartë të qeverisë gjatë kohës kur janë kryer krimet, nuk janë të vlefshme në gjykatat e këtij lloji. Kështu që nuk pres që kjo të jetë pengesë e madhe.

Radio Evropa e Lirë: Supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, në mënyrë të drejtpërdrejtë e ndërlidhin Hashim Thaçin, ish komandant i UÇK-së, me krime të caktuara. Në rast se ai do të jetë subjekt i ndjekjes – duke pasur parasysh që ai pikërisht është zgjedhur president – a e gëzon ai këtë lloj imuniteti?

Mark Ellis: Para drejtësisë ndërkombëtare, kur flasim për atë se a mundet shteti dikë ta nxjerrë para drejtësisë me kompetencë tjetër, bëhet fjalë për konceptin e imunitetit funksional që ndërlidhet me pozitën e atij personi dhe e mbron nga ndjekja për shërbimet zyrtare që ka ndërmarrë. Imuniteti personal vlen për ata që janë edhe më tej në atë funksion. Këto imunitete zakonisht vlejnë për aksionet që ndaj tij i ndërmerr një shtet tjetër.

Por, siç e thash, këto imunitete, gjegjësisht këto lloje të mosndëshkueshmërisë janë hedhur poshtë para gjykatave ndërkombëtare. Gati se secili statut i këtyre gjykatave tashmë është i qartë se nuk ekziston mosndëshkueshmëria për ish shefat apo shefat e tanishëm të shtetit, në rast se ekzistojnë argumente se ai ose ajo kanë kryer krime të tilla të tmerrshme.

Radio Evropa e Lirë: A do të merret Gjykata speciale me rastet që tashmë një herë kanë qenë para tribunalit ndërkombëtar?

Mark Ellis: Nuk jam i sigurt, por mendoj që jo. Ky do të ishte problem për shkak se individët do të gjykoheshin dy herë për të njëjtat supozime. Por, për këtë gjithashtu vendos gjykata. Mendoj se kjo është mundësi që të shqyrtohen edhe për krimet e caktuara të supozuara, të cilat kanë mbetur jashtë kompetencave të gjykatave ndërkombëtare ad hock. Kështu që, pres edhe raste të reja.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të tronditet skena politike pasi që Gjykata të bëhet funksionale?

Mark Ellis: Vet fakti se po përkushtoheni që brenda për brenda të shihni krimet e supozuara që janë bërë dhe që i shkelin ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, kjo është e rëndësishme për një shtet të ri. Kjo është e rëndësishme për popullin e tij.

Shikojeni procesin në Serbinë fqinje, ku gjyqtarët vendor dhe prokurorët po zhvillojnë gjyqe të luftës ndaj serbëve që kanë kryer krime… Ai është një proces i fuqishëm dhe në shumë mënyra ua ka hapur sytë qytetarëve kur kemi të bëjmë me krimet e kryera. Kjo, në mënyrë absolute e tronditë edhe shoqërinë. Ky proces gjyqësor, të cilin Kosova do ta fillojë në Hagë, do ta bëj të njëjtën gjë. Pa asnjë dyshim se do ta tronditë shoqërinë në të ardhmen, por kjo është gjë shumë pozitive.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Filed Under: Interviste Tagged With: Ellis: Zyrtarët e Kosovës, Gjykates Speciale, pa imunitet para

Yazdgerdi: shqiptarët duan një gjyqësor të pakorruptuar

March 15, 2016 by dgreca

Sot është 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Të vendosura fillimisht në vitin 1922, marrëdhëniet u ndërprenë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Pas humbjes së Italisë në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dërguan një mision në Shqipëri në vitin 1945 për të shqyrtuar mundësinë e rivendosjes së lidhjeve me regjimin e ri shqiptar. Por për shkak të mosmarrëveshjeve, Uashingtoni e tërhoqi misionin në nëntor të vitit 1946. Regjimi komunist i Enver Hoxhës e bëri Shqipërinë një nga vendet më të izoluara të botës. Vetëm pas përmbysjes së komunizmit, u bë e mundur rivendosja e marrëdhënieve diplomatike.  Sot me rastin e 25 vjetorit të rivendosjes së lidhjeve Tiranë Uashington, shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho bisedoi me drejtorin e zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore Thomas Yazdgerdi lidhur me zhvillimet e sotme në Shqipëri, ndërsa ky vend e gjen veten përballë një reforme madhore në drejtësi.

Zëri i Amerikës:  Zoti Yazdgerdi, sot është 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Në vitin 1991, Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe i varfër. Vendi ka përparuar gjatë këtyre 25 vjetëve, por a e ka arritur Shqipëria potencialin e saj të zhvillimit? Cili është vlerësimi i Uashingtonit?

Thomas Yazdgerdi:  Është kënaqësi për mua të jem i pranishëm në këtë përvjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Por që t’i përgjigjem pyetjes suaj, çdo vend pa dyshim duhet të realizojë potencialin e tij të plotë. Nëse i hedh një vështrim Shqipërisë, përparimi i arritur gjatë kësaj kohe është mbresëlënës.  Këtë e them edhe nga përvoja personale, pasi unë kam shërbyer në Tiranë nga viti 2000 deri më 2002. Edhe nga ajo kohë e deri sot përparimi ka qënë i madh. Pozita e Shqipërisë në rajon dhe në botë është riafirmuar si vend i njohur për tolerancën fetare, një vend anëtar i NATO-s dhe që përparon drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Çdo vend mund të arrijë një potencial më të madh, edhe Shtetet e Bashkuara, në këtë kuptim. Në Shqipëri, ajo që presim të shohim sot, është konsolidimi i reformave më të thella. Kur isha në Shqipëri, vendi ishte ende duke dalë nga trauma e shkatërrimeve të skemave piramidale. Më parë, rreziku kryesor për Shqipërinë ka qënë destabilizimi i brendshëm, gjë që sot është kapërcyer, nuk përbën më shqetësim. Ajo që duhet sot është thellimi i reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit.

Zëri i Amerikës:  Para se të ndalemi tek reformat, dua t’ju pyes për marrëdhëniet ekonomike. Para pak kohe Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për partneritet strategjik. Zyrtarë të dy vendeve thonë se marrëdhënet janë të shkëlqyera, por në ekonomi nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Përse mendoni se mungojnë investimet amerikane në Shqipëri, është ajo një treg i vogël apo klima për investime nuk është aq e favorshme për shkak të korrupsionit?

Thomas Yazdgerdi: Mendoj se është një kombinim faktorësh. Është ajo që përmendët ju, që Shqipëria është një treg i vogël dhe nga ana tjetër, kur kompanitë amerikanë shqyrtojnë mundësinë e investimit në Ballkan, ato e shikojnë investimin në një kontekst rajonal. Kompanitë mund të tërhiqen nga tregu i kualifikuar i punës në Shqipëri, apo nga kostoja e lirë e punës, por që kjo të ndodhë, duhet të ketë një strukturë të qartë të sundimit të ligjit, që nuk do të lejonte shkeljen e kontratave. Nëse ka një gjë, së cilës i kushtojnë rëndësi drejtuesit e bizneseve, është qartësia e klimës së investimeve, ekzistenca e shtetit ligjor dhe e një sistemi drejtësie që vepron me objektivitet.

Zëri i Amerikës:  Le të ndalemi tek reforma e drejtësisë. Sipas ambasadorit amerikan në Tiranë, reforma në drejtësi është në qendër të përparësive të politikës së Uashingtonit ndaj Shqipërisë. Pritshmëria ishte që reforma të miratohej gjatë muajit mars. A pritet të ndodhë kjo?

Thomas Yazdgerdi: Ne shpresojmë që të miratohet sa më shpejt. Mendoj se të dyja palët janë pranë. Ato e kanë të qartë se rëndësia e kësaj reforme nuk u duhet lënë sherreve politike dhe përpjekjeve që njëra parti të fitonte pikë ndaj tjetrës.  Qytetarët shqiptarë duan një sistem drejtësie të pakorruptuar. Ne jemi të përfshirë intensivisht së bashku me kolegët evropianë, që figura e gjykatësit të kontrollohet dhe të verifikohet, që gjykatësi të jetë i kualifikuar, të mos jetë i korruptuar dhe që njerëzit të kenë besim tek sistemi i drejtësisë. Kjo do të ketë ndikim në të gjithë shoqërinë shqiptare, por edhe tek investitorët e huaj. Shpresojmë se do të ndodhë sa më shpejt dhe po e inkurajojmë këtë.

Zëri i Amerikës: Pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, kanë filluar përplasjet politike, që përmendët ju dhe opozita ka paraqitur një listë me vërejtje e kundërshtime, që disa thonë se kanë të bëjnë me thelbin e reformës. A jeni i shqetësuar se për shkak të ndërhyrjeve e përplasjeve politike, ajo që do të dalë, do të jetë një variant jo aq i thellë reforme dhe rezultati mund të ishte pak a shumë i njëjtë me atë që është sot?

Thomas Yazdgerdi: Shpresojmë që jo. Ne kemi besim se udhëheqja e partive kryesore, dy partive në pushtet dhe e partisë demokratike, do ta kuptojnë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë dhe për kursin që Shqipëria do të ndjekë në të ardhmen. Ne do të shpresonim që ata të lënë mënjanë përplasjet politike dhe të përqëndrohen në atë që duhet bërë. Në politikë, siç e dimë të gjithë, për të patur sukses, duhet të bësh kompromis. Të dyja palët duhet të bisedojnë. Ne dhe kolegët tanë evropianë, jemi të gatshëm të ndihmojmë me ekspertizën tonë, me idetë tona, por në fund të fundit, janë të dy palët që duhet të arrijnë kompromis për realizimin e saj.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara u investuan për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, madje si bashkë-autore e ligjeve. Kjo është një çështje tjetër e komplikuar dhe është bërë tashmë pjesë e reformës. Por, a ka filluar Amerika të trajnojë pjesëtarët e ardhshëm të kësaj njësie?

Thomas Yazdgerdi: Është e rëndësishme që qeveria të arrijë të miratojë, me sa më shumë mbështetje që mundet, ligjet përkatëse për këtë byro. Ne e dimë se qeveria është e interesuar për të patur një Byro Kombëtare Hetimi, pak a shumë si FBI-ja amerikane. Ne mendojmë se kjo është një ide e mirë dhe e mbështesim atë. Ajo do të merrej me ndjekjet penale të nivelit të lartë, me korrupsionin në nivele të larta. Kjo është e rëndësishme. Kjo është e lidhur me reformën në drejtësi, pasi një byro e fortë hetimore kërkon edhe një sistem të fortë drejtësie, që do të merrej me akuzat që do të ngriheshin. Ne shpresojmë që qeveria të miratojë ligjet përkatëse për këtë strukturë.

Zëri i Amerikës:  A shpresoni ju që ligjet për këtë strukturë do të miratohen përpara atyre të reformës në drejtësi, apo së bashku me të?

Thomas Yazdgerdi:  Nuk ka një rend të veçantë për këtë. Ato nuk varen nga njëra-tjetra.  Mund të miratohen së bashku.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, a kanë filluar tashmë Shtetet e Bashkuara të trajnojnë zyrtarët shqiptarë?

Thomas Yazdgerdi:  Nuk jam i sigurt për këtë. Ambasada në Tiranë mund të dijë më shumë. Por nga këndvështrimi ynë do të kishte kuptim një gjë e tillë,  që me t’u krijuar kjo strukturë, ne të ishim në gjendje të ofronim sa më shumë mbështetje duke trajnuar pjesëtarët e kësaj strukture. Synimi i BKH është që të hetojë korrupsionin në nivelet e larta, që deri sot nuk e kemi parë të ndodhë.

Zëri i Amerikës:  Përse duhet ta miratojnë politikanët krijimin e FBI-së shqiptare, kur ajo mund të veprojë kundër tyre?

Thomas Yazdgerdi: Në se do të ndodhte kështu, do të ishte një sfidë. Por ne shpresojmë. Thelbi i udhëheqjes, dhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo, është që të bëhen gjëra, sidomos nga partitë në koalicionin qeverisës,  që të jenë në të mirë të vendit. Mund të jetë e vështirë, nuk është e lehtë, por ata kanë mbështetje të madhe nga popullsia shqiptare. Populli shqiptar e mbështet këtë përpjekje.

Zëri i Amerikës:  Kohët e fundit, Shtetet e Bahskuara bënë të ditur se nuk do t’u japin viza disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për korrupsion. A do të shtrihet kjo praktikë edhe tek politikanët?

Thomas Yazdgerdi: Do të varet nga shqyrtimi i fakteve nëse një gjë e tillë është e justifikuar apo jo. Në rastin e gjyqtarëve atyre u janë mohuar vizat dha baza e këtij mohimi ka qënë korrupsioni. Në Shtetet e Bashkuara një praktikë e tillë bazohet ligjërisht tek dekretet presidencialë dhe kohët e fundit është përdorur në rastin e disa gjykatësve në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Nëse perceptimi në Shqipëri është se politikanët janë po aq të korruptuar sa edhe gjykatësit e prokurorët, a pritet të shohim mohim vizash edhe për ta?

Thomas Yazdgerdi:  Çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë, mund të jetë objekt i këtyre dekreteve. Ne do t’i shqyrtojmë rastet për të parë nëse një gjë e tillë është e justifikuar.

Zëri i Amerikës:  Dhe një pyetje e fundit për refugjatët iranianë të grupit MEK. Si po ecën procesi dhe sa pritet të zgjasë?

Thomas Yazdgerdi: Së pari ne duam të falenderojmë qeverinë shqiptare, si dhe ato të vendeve të tjera, që kanë rënë dakord. Janë gjithsej 15 vende që kanë pranuar të marrin refugjatë MEK. Ky është një shqetësim humanitar. Shqipëria ka qënë një partner i vërtetë duke ndarë të njëjtat synime me Shtetet e Bashkuara.  Refugjatët MEK të Irakut,  janë një prej këtyre objektivave, lufta kundër grupit ISIL është një tjetër.  Qeveria e Shqipërisë ka ofruar mbështetje të madhe në luftën kundër grupit ISIL, duke ndihmuar me armatime ata që luftojnë kundër këtij grupi. Ne jemi të kënaqur me ndihmesën e qeverisë shqiptare për refugjatët MEK dhe ky proces po zhvillohet në mënyrë të efektshme.

Zëri i Amerikës:  Deri tani Shqipëria ka pritur 1 mijë prej tyre dhe thuhet se do të presë edhe 2 mijë të tjerë? A është ky numri që pritet?

Thomas Yazdgerdi: Ka ende negociata me UNHCR dhe organizata të tjera për numrin e saktë.  Ne jemi të kënaqur që qeveria shqiptare ndan të njejtin shqetësim me ne, që këta persona të mbrohen.

Zëri i Amerikës:  Dhe së fundi, nëse doni të shtoni diçka tjetër?

Thomas Yazdgerdi:  Edhe një herë dua të theksoj se jam i kënaqur për këtë mundësi sot, dua t’u uroj miqve dhe kolegëve të mi shqiptarë si dhe shqiptarëve në Shqipëri, gëzuar 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Koha kur shërbeva në Shqipëri ishte një kohë e lumtur dhe unë dua të vazhdojmë kështu në të ardhmen, si miq dhe aleatë të fortë.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Interviste Tagged With: shqiptarët duan një gjyqësor, të pakorruptuar, Thomas Yazdgerdi

Presidentja Jahjaga themelon komisionin ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë

March 15, 2016 by dgreca

 Reagim i Opozites mbi themelimin e Komisionit ad hoc për Demarkacion/

-Do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi/

PRISHTINË, 15 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot nënshkroi vendimin për themelimin e komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.Ky komision vlerësues, që fillon sot punën, është i përbërë nga tre ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe. Këta ekspertë në javët në vijim do të bisedojnë me të gjithë akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi. Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision.

Komisioni vlerësues themelohet me iniciativën e Presidentes Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Presidentja Jahjaga ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve dhe qytetarëve, të bashkëpunojnë me ekspertët ndërkombëtarë, për t’i mundësuar komisionit një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të procesit të demarkacionit.

Anëtarët e Komisionit:

Z. Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ballkan. Pozita e tij e fundit ka qenë ambasador dhe shef i Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 2011 deri në vitin 2014. Ai është angazhuar në Kosovë prej mesit të viteve 1990. Ai ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 1998 dhe ka shërbyer si zëvendësshef i Zyrës së SHBA-së në Prishtinë gjatë 2001 dhe 2002. Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai ka qenë pjesë e ekipit shumëkombësh që themeloi Zyrën Civile Ndërkombëtare, ku ai më pas shërbeu si Zëvendës Përfaqësues Civil Ndërkombëtar nga 2008-10. Në vitin 2009, z. Burton ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë. Z. Burton ka përfunduar studimet universitare nga Amherst College dhe studimet postdiplomike në Universitetin Princeton, si dhe ka studiuar me Fulbright në Gjermani.Dr. Ing. Herbert Wilmes është shtetas gjerman. Ai ka diplomë universitare në gjeodezi, doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike. Z. Wilmes ka punuar si ndihmës ligjërues në Institutin për Gjeodezi Teorike në Universitetin e Bonit (1976-1982), si shkencëtar kërkimor në Institutin e Kërkimeve Gjeodezike Gjermane (DGFI) në Mynih dhe më pas në Agjencinë Federale për Hartografi dhe Gjeodezi në Frankfurt. Nga viti 1998-2015 ka shërbyer si anëtar i komisioneve të përhershme të kufijve me shtetet fqinje Austrinë, Republikën Çeke, Holandën dhe Poloninë si dhe si këshilltar teknik në çështje vlerësuese për kufijtë me Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën dhe Danimarkën. Në korrik të vitit 2015 është pensionuar nga shërbimi aktiv.Z. Fred Newton ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës. Ai ka qenë përgjegjës dhe zyrtar kryesor që në emër të Komitetit të Shoqatës së Shefave të Policisë dhe të Komitetit Këshillues ka koordinuar masat kundër terrorizmit në portet dhe kufijtë tokësorë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ai po ashtu ka qenë anëtar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kryeministrit britanik, dhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Aviacionit dhe Sigurisë Detare. Ai ka këshilluar rregullisht qeveritë e vendeve të ndryshme për sigurinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Newton është i njohur si ekspert evropian për menaxhimin e kufijve dhe ka punuar me Komisionin Evropian në këto çështje. Ai ka hartuar memorandume të mirëkuptimit për bashkëpunimin ndërkombëtar në menaxhimin e kufijve.

***

opozita: Reagim mbi themelimin e Komisionit ad hoc për Demarkacion 

Sot u njoftuan nëpërmjet mjeteve të informimit se Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga ka themeluar komision ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Në këto rrethana rikujtojmë edhe njëherë se Peticioni i qytetarëve me 205 mijë nënshkrime, ekspertët e fushës dhe subjektet opozitare kanë kërkuar anulimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit më Malin e Zi të nënshkruar nga Hashim Thaçi në 26 mars në Vjenë.

Ende Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga pozicioni i cili është përgatitur në Komisionin qeveritar të drejtuar nga Murat Meha.

Çdo komision vlerësimi që fillon punën sipas materialeve e metodës së njëjtë, pra përcaktimin e vijës kufitare sipas kadastrit, do të vijë në përfundim të ngjashëm me atë të komisionit qeveritar. E ai përfundim, i njëjti me atë të Qeverisë aktuale, është i pasaktë dhe i padrejtë, dhe për ne i papranueshëm, ngase mund të tentojë ta legjitimojë komisionin e kaluar.

Gjejmë rastin të ritheksojmë se në Kosovë janë profesionistët e gjeodezisë, topografisë, gjeografisë, historisë, drejtës ndërkombëtare dhe ushtrisë që gjithë jetën e tyre profesionale ia kanë kushtuar këtyre çështjeve. Ata njohin me detaje çdo hartë dhe historik të kufijve të Kosovës dhe kronologjinë e vendosjes së tyre. Nuk do të kishim asgjë kundër që të krijohej një komision i përzier për Demarkacionin, por injorimi i ekspertëve vendorë na duket i paarsyeshëm.

Profesionistët shqiptarë kanë bërë punime e kanë ngritur shqetësimet bazuar në të dhëna shkencore e ligjore rreth kësaj teme. Emrat e Dr.sc.Përparim Ametit, prof.dr.Muharrem Carabregut, Prof. dr. Florim Isufit, prof. dr. Shpejtim Bulliqit, Prof. dr. Zymer Nezirit, Prof.dr. Zejnullah Grudës ose të prof. Myslym Pashës, etj. nuk i pamë në përbërje të këtij komisioni. Ata kanë bërë punime dhe i njohin teorikisht e praktikisht çështjet. Është e çuditshme se si asnjëri prej tyre nuk është i përfshirë, me ç’rast Presidentja de facto po mohon tërësisht ekspertizën vendore.

Pos kësaj Presidentja duhet të tregojë se në cilin nen të Kushtetutës e ka mbështetur krijimin e këtij Komisioni. Ka mundësi që krijimi i një Komisioni të tillë, të rezultojë me shkelje të Kushtetutës.

15 mars 2016

Opozita e Bashkuar

Filed Under: Analiza Tagged With: Presidentja Jahjaga, të ekspertëve ndërkombëtarë, themelon komisionin ad hoc

Kosovë-Jahjaga: Deputetët sot dështuan

March 15, 2016 by dgreca

 PRISHTINË, 15 Mars 2016/Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shkruar sonte në ‘facebook’:

Dua ta shpreh qartazi dhe publikisht zhgënjimin tim me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që sot dështuan të emërojnë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky dështim, në ditët kur në Kosovë pritet ekipi i Bashkimit Evropian për të vlerësuar përparimin e Kosovës në plotësimin e kritereve që jemi zotuar t’i përmbushim, rrezikon të vazhdojë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të izoluar për shkak të interesave të ngushta të atyre që prioritet kryesor duhet ta kenë mirëqenien e qytetarëve. OSHP-ja është institucion i rëndësishëm dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion si dhe ndikimi politik mbi të ka kohë që është bërë pengesë për zhvillimet pozitive në Kosovë.U bëj thirrje institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit dhe të gjitha subjekteve politike që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë që ky kriter të plotësohet pa vonesë.

Kuvendi i Kosovës, pika e vetme e seancës nuk kaloi as në votim të dytë

-Pikë e rëndësishme edhe për liberalizimin e vizave: Shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit/

-Opozita nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit. Para seancës, sot, qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e 79-të, të 12-tën në vitin 2016, prej ku iu bë ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend/

 -Këtë javë, në 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndrojë një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Mars 2016/ Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot një seancë plenare vetëm me një pikë në axhendë, të rëndësishme edhe për liberalizimin e vizave: Shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit. Seanca u mbyll pa miratim, në mungesë të votave të nevojshme.

“Shpresoj që do të gjendet një zgjidhje. Unë nuk mund të konstatoj nëse duhet përsëritur votimi më, për faktin se përgjigjja është konkrete. Shpresoj që vërtet kemi ardhur në pikën që ndoshta grupet parlamentare duhet të deklarohen, por sidoqoftë nuk ka kaluar dhe presim që në seancat e ardhshme të vendosim për procedurat e mëtutjeshme”, tha kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti,  pas votimit të dytë, ku nuk pati vota të mjaftueshme si edhe në të parin.

Pas dy votimeve të përsëritura, Kuvendi nuk pati kuorum për emërimin e kryesuesit dhe të një anëtari të të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Nënkryetari Haliti bëri të ditur gjithashtu, se sipas rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur, asnjëri nga kandidatët e propozuar nga komuniteti serb, nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për procedim në seancë plenare.

 Si u pa gjatë seancës, deputetetët e grupit parlementar të LDK-së me 33 anëtarë nuk votuan fare. Në sallën plenare të seancës së Kuvendit të Kosovës pa opozitën ishin 75 deputetë, 40 votuan pro, një kundër dhe një abstenoi.

“Pika (për Organin Shqyrtues të Prokurimit) ka të bëjë me liberalizimin e vizave dhe për këtë arsye do ta mbajmë seancën”, ka paralajmëruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke përmbyllur seancën e 10 marsit, e cila u zhvillua edhe pse opozita dy herë hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare.

Opozita, me kërkesat për largimin e qeverisë e zgjedhje të jashtëzakonshme, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave në 26 mars, ndërsa ka deklaruar se nuk do marrë pjesë në seancën e sotme duke theksuar se “bojkoti i Kuvendit të Kosovës është kundërshtim i marrëveshjeve për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin e kufirit”.

Para seancës së Kuvendit, sot, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 79-të, të 12-tën në vitin 2016, prej ku iu bë ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend.

“Në emër të qeverisë i bëj ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend, që të dialogojmë për të gjitha problemet që opozita i konsideron se e shqetësojnë, që subjektet e veçanta të opozitës të heqin dorë nga mjetet e dhunës për arritjen e qëllimeve politike, dhe po ashtu të hiqet dorë nga diskursi i cili ndjell urrejtje dhe i cili krijon një ambient në të cilin shfaqet dhuna dhe sulmi ndaj objekteve publike, institucioneve publike, policisë, objekteve private të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Kuvendi dhe qeveria u mbledhen sot ndërkohë që këtë javë, në 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndrojë një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.

 Në 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejt 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, gjersa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.

 Misioni vlerësues do të jetë i përbërë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos,  të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

 Ministria për Integrim Evropian ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse kanë bërë pregaditjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezentuar të gjitha masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces.

Në seancën e kaluar, në 10 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës  ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar. 

Zbatimi i Programit do të nisë menjëherë me hyrjen në fuqi të MSA-së në fillim të muajit prill 2016.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg me Bashkimit Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosovë-Jahjaga: Deputetët, sot dështuan

The MassMutual Scholars Program

March 15, 2016 by dgreca

Vatra’s Educational Foundations would like to share the scholarship opportunity listed below with students who may qualify: 
The MassMutual Scholars Program 
The MassMutual Scholars Program is funded by the Massachusetts Mutual Life Insurance Company and is focused on expanding access and opportunity of higher education and employment to students who reflect the rich cultural diversity of our nation. They seek to increase the number of students completing college nationally, assist in decreasing student debt, raise awareness of careers in insurance and financial services, and recruit and retain the top talent touched by our programs. MassMutual looks forward to offering $150,000 in total funding for the 2016-2017 academic year.Eligibility criteria

  • Open to students of all majors
  • Will be entering sophomore, junior, senior or 5th year senior in pursuit of an undergraduate degree at an accredited college or university
  • Must be full-time undergraduate
  • Minimum Grade Point Average (GPA) 3.0
  • Must complete and submit for federal financial aid by completing the Free Application for Federal Student Aid (FAFSA) form at www.fafsa.ed.gov
  • Must show proof of U.S. citizenship or legal U.S. permanent residence

Please go to http://www.massmutual.scholarsapply.org/ for more information and to apply online. Please click here to view flyer with more information. The deadline is March 31, 2016 at 5:30pm.

Filed Under: Featured Tagged With: The MassMutual Scholars Program, Vatra's Educational Foundations

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT