• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Presidenti Nishani nderon senatorin Bob Dole

May 28, 2017 by dgreca

Në Uashington, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani nderoi me dekoratën më të lartë të vendit ish-senatorin amerikan Bob Dole. Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, tha se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë. Bob Dole ka qenë i emëruar si kandidat për president nga Partia Republikane në zgjedhjet e vitit 1996. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në ceremoni dhe përgatiti këtë kronikë.

1 Bob Dole Nishani

Ish-senatori Bob Dole është 94 vjeç dhe prej vitesh përdor karrocën e invalidit. Por ai ka një kujtesë të fortë, është i qartë në mendime dhe nuk ka hequr dorë nga shakatë.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, së bashku me ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës në Uashington, si dhe një grup dashamirësish kanë ardhur për të nderuar senatorin me një ceremoni të veçantë.

Kur në sallë luhen himnet e dy vendeve, senatori ngrihet në këmbë në shenjë nderimi.

“Ju, senator Dole ishin ndër të parët që u përpoqët, me vendosmëri duke u rreshtuar në vijën e parë për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Ju bëtë një lobim të fuqishëm në senatin amerikan për lirinë që meritonte Kosova dhe më pas për pavarësinë e saj,” tha Presidenti i Shqipërisë.

Zoti Nishani tha se zotit Dole po i akordohej medalja më e lartë dhe më e shenjtë që jep Shqipëria – dekorata e Flamurit Kombëtar.

Senatori Dole pati momente përmallimi.

Në vitin 1996 ai fitoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president, por humbi ndaj Bill Clintonit. Ai e kujtoi kështu atë kohë:

“Në vitin 1996 unë garova për president dhe humba. Por fitova thuajse të gjitha votat e shqiptarëve.”

Senatori e vlerëson shumë ndihmën e madhe që i dhanë shqiptarët në fushatë, mes të cilëve ai veçoi shqiptaro-amerikanin Xhim Xhema.

“Xhim Xhema dhe të tjerë, mobilizuan dhjetra njerëz për të më ndihmuar në shtetin Nju Hemshër. Ata vendosnin pankarta. Kishte njerëz që ua hiqnin, por ata i vendosnin përsëri,” kujtoi ish-senatori.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike. Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, – shkruante senatori Dole në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëvedhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Bob Dole është vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore, nga e cila edhe sot ka plagët në trup.

Kjo është ndoshta arsyeja që jeta e tij ka qenë gjithmonë në krah të atyre të cilët vuajtën nga shtypja dhe kërkuan lirinë. Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk të harrojnë.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Bob Dole, nderon senatorin, presidenti Nishani

BASHA ka çelë fushatën për Republikë e re, helmim pas mitingut

May 28, 2017 by dgreca

Helmimi pas mitingut të PD: Reagon Policia e Shtetit,  Nishani: E rëndë! Të zbardhet ngjarja/

Partia Demokratike ka çelë mbrëmjen e së shtunë fushatën elektorale në sheshin para Kryeministrisë, aty ku 90 ditë me radhë qëndroi “çadra” e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, nga ku u themelua edhe “Republika e re” për të cilën Basha u kërkoi në 25 qershor votën shqiptarëve.

“Kemi një plan për zhvillimin e Shqipërisë, sepse interesat e shqiptarëve janë interesi ynë. Shqiptarët me 25 qershor do të votojnë për të vendosur një qeveri e kryeministër që mban interesin e tyre mbi të gjitha dhe jo një kryeministër të korruptuar e që bashkëpunoi me krimin, e që kontrollohet nga krimi e interesat e krimit”, tha Basha.

Basha renditi disa nga pikat e programit që do të zbatohet në rast se ai vjen në krye të qeverisë në 25 qershor. Taksa e sheshtë 9 %, zerimi i taksës për biznesin e vogël, zhbërjen e ligjit për arsimin e lartë, një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarit, rritje të pensioneve, mbështetje të sektorit bujqësor ishin disa nga premtimet e Bashës.

Duke folur për listat e deputetëve, kreu i Partisë Demokratike u shpreh se nuk ishin të papritura. “Vendimi ishte i vështirë për t’u marrë, por jo i pamundur. PD ka zgjedhur njerëz me vlera në listat e saj. Ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë”, tha Basha.

Por theksoi ai, kjo do të jetë lista e fundit që do të bëhet nga kryetari sepse listën e deputetëve do ta vendosë qytetari shqiptar. “Premtoj reformë totale kushtetuese. Shqiptarët do të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesin e tyre në Parlament, e do të mund ti kërkojnë llogari qeverisë e kryeministrit”, deklaroi Basha.

Basha vlerësoi edhe rolin e aleatëve të saj, të cilët tha ai sot po konkurojnë nën siglën e PD-së. “Republika e re ishte hapi ynë i parë drejt fitores vendimtare në 25 qershor. Aleatët tanë politikë që sot janë bashkuar nën siglën e PD-së, dua t’i falenderoj nga zemra për qëndresën e tyre. Sot në Shqipëri, opozita është e bashkuar, ndërsa pala kundërshtare e përçarë. Të bashkuar ne shkojmë drejt fitores së sigurt”, tha ai.

Basha iu përgjigj edhe akuzave të maxhorancës për drejtimin e bashkisë së Tiranës, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama për mosmbështetje. “Unë e di fare mirë se mund të bëhej më shumë për Tiranën, por kjo ishte kosto e egos politike të Ramës, i cili për të arritur synimet e veta, goditi axhendën e qytetarëve të Tiranës. E kam vuajtur së bashku me qytetarët. Por ju premtoj se vetëm interesi i shqiptarëve do të prevalojë dhe dora ime do të shtrihet ndaj çdo kujt që punon për interesin e shqiptarëve”, deklaroi kryetari i PD-së Basha.

Basha tha se shqiptarët meritojnë një shtet të fortë. Rama, tha ai, flet për politikën si lojë shahu. “Po njerëzi çfarë janë gur shahu? Shqiptarët nuk janë gurë shahu. Por ne jemi këtu pas një betejë 90 ditore, jo thjesht e vetëm për të ndryshuar lojën e shahut, për të ndërruar gurët e bardhë me të zinj. Loja merr fund me 25 qershor. Tryeza e shahut përmbyset me 25 qershor. Atëherë ju do ta keni në dorë qeverinë . Shqiptar, merrni në dorë Shqipërinë me 25 qershor”, u shpreh Basha.

Pluhuri misterioz u hodh te podiumi, Salianji: Prag skandali!/

?????????????????????????????????????????????????????????

Hetime intensive janë duke u bërë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë, ku dyshohet se një substancë kimike është hedhur në ajër dhe ka shkaktuar shqetësime të ndryshme, tek të paktën 76 persona, të cilët janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital.

Burime nga vendngjarja dhe nga policia thonë për Syri.net se hetimet janë marrë në dorë nga Antiterrori, ndërsa në terren janë me dhjetëra specialistë të disa institucioneve të shtetit.

Por ende nuk dihet se çfarë substance është hedhur në ajër, ndërsa ende nuk është përcaktuar pista hetimore edhe pse mund të flitet për diçka të rëndë.

Në vendin e ngjarjes, të rrethuar nga policia ndodhen ekspertë kimistë të ushtrisë, specialistë të antiterrorist, agjentë të Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), ata të SHISH dhe specialistë të Gardës së Republikës.

Në vendngjarje ndodhen edhe disa prokurorë të Tiranës dhe krimeve të Rënda, që janë duke hetuar. Ende nuk ka një pistë hetimore në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ndërsa flitet për disa të tilla.

Ndërkohë kandidati i dytë i PD në listë, për deputet në Korçë, Ervin Salianji ka reaguar lidhur me ngjarjen e rënde ku mbi 50 persona janë shtuar në spital pas marrjes pjesë në mitingun e PD.

“Per te gjithe miqte dhe pjesemarresit e aktivitetit te djeshem te cilet kane simptoma te djegies dhe helmimit te mos mjekohen vete, por t’i drejtohen mjekut per trajtim sepse mund te kete komplikacione te metejshme. Dje neper spitale qe ne oret e para te mengjesit kane qene qindra qytetare! Prag skandali!” shkruan Salianji.

Helmimi pas mitingut të PD: Reagon Policia e Shtetit/

Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të lajmit në media se simpatizantë të PD ishin shtruar në spital pas përfundimit të mitingut.

Policia thotë se 50 persona të cilët janë paraqitur në spital QSUT herët në mëngjes kanë qenë në mitingun e PD dhe pasi kanë marrë mjekimin e duhur, janë larguar.

Ndërsa 3 prej tyre po mbahen ende nën vëzhgim nga mjeku.

Gjithashtu policia bën me dije se ka ngritur grupe pune që po hetojnë mbi ngjarjen.

“Në datë 28.05.2017, rreth ores 04.00 te mengjesit në Q.S.U.T., jane paraqitur per ndihme mjekesore rreth 50 shtetas me simptoma te ngjashme, kryesisht djegie ne sy dhe skuqje lekure ne pjeset e siperme te trupit. Nga verifikimet paraprake rezulton se keta shtetas kanë qenë pjesemarrës në aktivitetin e zhvilluar nga Partia Demokratike, mbajtur ne oren 19:00 te dates 27 maj, zhvilluar ne Bulevardin ‘Deshmoret e Kombit’ ne Tirane.

Pasi jane mjekuar te gjithe shtetasit jane larguar per ne banese, veç 3 prej tyre qe kane patur me teper shqetesime dhe po mbahen nen kujdesin e mjekeve ne spital. Menjehere sapo ka marre njoftim, nen drejtimin e Prokurorise se Tiranes eshte ngritur grupi hetimor me eksperte nga Policia e Shtetit, Garda e Republikes, struktura te specializuara te Forcave te Armatosura etj. Nderkohe po kryhen gjithe egzaminimet e nevojshme per te percaktuar shkakun qe provokoi simptomat si dhe zbardhjen e plote te rrethanave te ngjarjes”, thuhet në deklaratën e policisë.

Helmimi në mitingun e PD, Nishani: E rëndë! Të zbardhet ngjarja/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani kërkon angazhim të plotë të të gjithë strukturave ligjzbatuese për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në mitingun e Partisë Demokratike ku u helmuan mbi 70 qytetarë përfshirë edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Reagimi i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani po ndjek me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën e rëndë që ka shkaktuar lëndimin e një numri të madh qytetarësh përfshirë edhe liderin e opozitës, z. Lulzim Basha, gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale të opozitës ditën e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Presidenti i Republikës uron së pari shërimin sa më parë të të lënduarve dhe tejkalimin e kësaj situate pa pasoja.

Presidenti po mban kontakte me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për t’u informuar për zhvillimin e kësaj ngjarjeje si dhe kërkon angazhimin maksimal të tyre në zbulimin e plotë të saj.

Filed Under: Politike Tagged With: helming i protestusve, Mitingu i PD

Prince Leka II Haradinaj: Royal family is at the service of Kosovo

May 27, 2017 by dgreca

2 Princ Leka HaradinajPRISTINA, May 27  – The head of Alliance for Kosovo Future hosted on Saturday Prince Leka II.
“It is a delight to meet Albanians. I was honored to know His Highness, king Leka of Albanians. While today we carry on the tradition with King Leka II, who has come to Kosovo,” Haradinaj said.
Prince Leka II said he felt good to be in Kosovo as the royal family has always stood by Kosovo and we will always serve Kosovo and entire Albanian people. I am very glad that you have overcome the turmoil and the problems that you had in France to be back in Kosovo.(ATA)

Filed Under: Politike Tagged With: Haradinaj, Prince Leka II

Gjon Buçaj: Ç’është e mirë për Amerikën është e mirë edhe për kombin shqiptar

May 27, 2017 by dgreca

1 gjon Bucaj okPresidenti i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, Gjon Buçaj, thekson në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se “Vatra” i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë gjithnjë kujdes të veçantë lidhjes miqësore me Amerikën ndërsa shpreh bindjen duke iu referuar deklaratave të disa kohërave më parë të kryeministrit shqiptar kundër presidentit të ardhshëm amerikan se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme, pa marrë parasysh se kush vjen president në Shtëpinë e Bardhë.

 “VATRA” u themelua në vitin 1912, një moment kyç për kombin shqiptar. A ia ka arritur “VATRA” të ruajë kursin me misionin e saj origjinal dhe sa ka ndikuar ndjenja e nacionalizmit midis shqiptarëve ndër vite?

 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” (The Hearth) është themeluar për t’i shërbyer interesit kombëtar me përkushtim, pra është themeluar në frymën e idealizmit kombëtar. Këtë frymë ne zakonisht e quajmë nacionalizëm. Për ne shqiptarët nacionalizmi ka kuptimin e shqiptarizmit të kulluar, të dashurisë për atdheun e për kombin, të cilit i del zot me të drejtë, pa cenuar të drejtat e tjetërkujt.

Bashkë me idealizmin e atdhedashurisë, Vatra ka të mishëruar edhe parimet bazë të demokracisë së këtij vendi të madh dhe ka kontribuar për plazmimin e këtyre parimeve në shoqërinë shqiptare.

 Cila është perspektiva që ju merrni rreth historisë Shqipëri-Amerikë nëpërmjet “VATRA”? Në çfarë aspekti ka ndikuar “VATRA” në këtë lidhje? Si i shikoni këto marrëdhënie sot?

Historia e “Vatrës” është kryesisht histori shqiptaro-amerikane. Shqiptarët që kanë ardhur në këtë vend, kanë punuar ndershmërisht dhe kanë dhënë shembull qytetarie në sjellje, duke fituar simpatinë dhe miqësinë e amerikanëve. Ky fakt e ka lehtësuar misionin e udhëheqësve të “Vatrës” dhe të miqve të shqiptarëve për krijimin dhe përforcimin e lidhjes miqësore të Amerikës me kombin shqiptar. Për ruajtjen e kësaj lidhjeje duhet përmendur se “Vatra”, si segmentet e tjera të mërgatës në botën e lirë gjatë periudhës së komunizmit, ka luajtur rol me rëndësi, sepse është bëri zëri i vërtetë dashamirës i popullit shqiptar, kur Tirana zyrtare villte helm kundër Amerikës dhe miqve të tjerë tradicionalë të kombit tonë. Vatra i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë gjithnjë kujdes të veçantë lidhjes miqësore me Amerikën. Kështu është edhe në kohët tona, si në rastin e para disa muajve, kur kryeministri aktual i Shqipërisë bëri deklarata kundër kandidati Donald Trump, sot president i Shteteve të Bashkuara. Ne i shkruam letër Trump-it, duke i theksuar papërgjegjshmërinë e deklaratave të tilla dhe duke shprehur bindjen se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme, pa marrë parasysh se kush vjen president në Shtëpinë e Bardhë. Edhe sot marrëdhëniet midis Amerikës dhe kombit shqiptar janë të shkëlqyeshme, ashtu si kanë qenë tash afër një shekull.

 Sa të bashkuar ndihen shqiptarët rreth “VATRA”? Si ka arritur kjo organizatë të “heqë qafe” ndasitë politike?

Shumica e shqiptarëve e çmojnë “Vatrën”, por nuk mund të them se janë të bashkuar sa duhet rreth saj. Në kohën kur u themelua Vatra, shqiptarët janë bashkuar me gjithë shoqatat e veta në “Vatër”, kurse sot janë themeluar qindra shoqatash dhe vazhdojnë të krijohen të tjera të reja. Megjithatë “Vatra” ka një numër anëtarësh që rritet vazhdimisht dhe ka disa degë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Ata e mbajnë gjallë idealizmin kombëtar dhe i shërbejnë çështjes kombëtare nëpër këtë organizatë që me idealizëm u krijua dhe u mbajt për më shumë se një shekull, me idealizëm do ta përcjellin gjeneratat e reja drejt së ardhmes.

Influencën e dasive politike e kemi mbajtur larg me qëndrimet tona objektivisht pro interesave kombëtare dhe jo partiake. Përçarësit nuk e gjejnë vendin në “Vatër”.

Si do ta përcaktonit rolin domethënës të disa shqiptareve spikatës, si për shembull, rolin e Z. Mal Berisha te “VATRA”, të cilët vazhdojnë t’i shërbejnë çështjes kombëtare me devotshmëri?

Roli i intelektualëve shqiptarë, që vazhdojnë t’i shërbejnë me devocion çështjes kombëtare është shumë i rëndësishëm për dobinë që i sjellin historisë dhe kulturës sonë në përgjithësi.

Në rastin e Ambasador Mal Berishës, roli i tij është kryesisht t’i paraqesë lexuesit kujdesin miqësor dhe dashurinë që disa të huaj kanë treguar për Shqipërinë e për shqiptarët, siç është rasti i Charles Erickson-it dhe i Herman Bernstein-it.

Duke i nxjerrë në dritë veprat dhe veprimtaritë e tyre, ai ka shprehur edhe mirënjohjen e tij si shqiptar, përveç dobisë që ka sjellë me ngritjen e imazhit tonë, duke e njoftuar botën e huaj se si na kanë çmuar ata.

Mali ka përkthyer, përveç të tjerash, edhe librin e autorit Harvey Sarner, mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në kohën e luftës, për të na kujtuar edhe në traditën e lashtë të besës, e cila është venitë gjatë sundimit sllavo-komunist, bashkë me tradita të tjera fisnike që na kanë dalluar për mirë nga kombet e tjera. Për shqiptarët që kanë jetuar me ato tradita, na flet Erickson-i në një nga citatet e sjella në shqip nga Mal Berisha: “Shqipëria vetë meriton një nder shumë të veçantë për kontributin që ka dhënë për të populluar parajsën me njerëzit e saj të ndershëm, të bukur dhe të pafajshëm”.

Çfarë mendoni për zhvillimet e fundit në Shqipëri? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Zhvillimet e tashme në Shqipëri janë mjaft shqetësuese për mungesë marrëveshjeje politike. Ka kaluar një çerek shekulli prej rënies de jure të diktaturës komuniste dhe shoqëria shqiptare vuan ende nga trashëgimia e saj. Ende nuk ka një sistem juridik neutral të pa kapur nga politika, nuk ka një reformë zgjedhore që mund të siguronte zgjedhje të drejta e të ndershme, nuk ka një ligj të lustracionit që do të largonte të korruptuarit nga pozitat drejtuese dhe nga drejtësia.

Po afrohet dita e zgjedhjeve për të cilat nuk ka garanci, prandaj opozita është në protestë. Nuk jam përkrahës bojkotesh, por opozita ka plotësisht të drejtë të nguli këmbë për të siguruar votën e popullit që të jetë e lirë, pa vjedhje e shitblerje, të jetë pasqyrë reale e vullnetit të votuesve.

Në vitet e fundit, Shqipëria është bërë plantacion i kanabisit dhe eksportuese e rrezikshme e drogës, korrupsioni ka arritur sferat më të larta bashkë me krimin, varfëria e një pjese të madhe të popullsisë ka mbërritur kulmin dhe mijëra familje largohen drejt një ardhmënie të pasigurtë, pse në vendin e vet nuk kanë shpresë për të ardhmen. Kjo gjendje dëshmon se kjo qeveri nuk mund ta sigurojë votën e lirë, prandaj qeveri teknike, qeveri e besueshme apo ndonjë mënyrë tjetër që të jetë e pranueshme për palët, duhet të gjendet me bisedime.

Çfarë përshtypjesh morët nga zgjedhja e Donald Trump si Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara?

Ardhja e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë po dëshmohet si gjëja më e mire që ka mundur me ndodhë në këtë kohë për Amerikën, si nga pikëpamja e sigurisë së brendshme e të jashtme, ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike. Çfarë është e mirë për Amerikën, është e mirë edhe për kombin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ç’është e mirë, edhe për kombin shqiptar, Gjon Bucaj, për Amerikën është e mirë

ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU…

May 27, 2017 by dgreca

Meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore./

1.E.Lakuriqi0.Botimi-Foto

Nga: Eltona Lakuriqi/

1.Edhe pse ka kaluar mesnata, salla e madhe e hotelit “Albatros”, në bregdetin tërheqës të Ulqinit, ka një gjallëri disi të veçantë. Njerëz të veshur me kostume kombëtare, Pierpaolo në fizarmonikë, dikush tjetër në dajre, Suadi e Franco që këndojnë, Lucia e Luljeta që bisedojnë, Imma regjisorja që ende është e shqetesuar për shfaqjen, që do të jepet në sallën e qendrës kulturore të Ulqinit, aktorët që qeshin e luajnë, të gjithë bashkë, përbëjnë një pamje të bukur, nga ato, që ky mjedis  qyteti i Ulqinit e përjetojnë herë të parë. Sepse janë bashkuar së toku, arbëreshë e ulqinakë, vëllezër e motra të një gjaku, që takohen pas 500 vjetësh.
Trupa teatrore e Shoqatës “Vorea”, në Frascineto të Kalabrisë, ka ardhur të japë shfaqjen “Kostantini e Garentina”. Është varianti arbëresh i legjendës së mirënjohur shqiptare, e cila mbijeton dhe emocionon kudo, ku ka shqiptarë nëpër botë. Arbëreshët janë veshur me kostume tradicionale, që i punojnë e prodhojnë vetë. Lucia e Luiljeta, madje edhe djali i vogël i Lulit, janë veshur me kostume ulqinake.
Këngët arbëreshe, ulqinake, shkodrane e korçare këndohen deri në orët e vona. Duket sikur askush nuk ka dëshirë të shkojë të flerë. Sikur janë zgjuar nga një gjumë shekullor e tani duan të fitojnë kohën e humbur. Flitet gjuha shqipe, në variantin e arbërishtes dhe dialekti i Ulqinit. Ndihen të gjithë vëllezër të një gjaku. “Gjaku ynë i shprishur, tani po bashkohet”,-thotë Luçia Martino, “Mjeshtër i Madh”, e cila bën një punë të pasionuar për kulturën e traditat shqiptare dhe i ka çuar grupet e saj edhe në Tiranë e deri në Kanada.

2.Nga ballkoni i hotelit vështroj atë gji shkëmbor, mbi të cilin përkulen degët e pishave shekullore. Ujët e kulluar ka ngjyrat blu e turkeze, që ndërthuren midis tyre, si ngjyrat e pikturës në një kuadër pejsazhi. Mëngjesi është i bukur dhe në parkun e gjelbër kanë ardhur nxënësit e shkollave. Ndërmjet tyre dalloj gazetarin Ndue Lazri, i cili është zgjuar herët dhe kërkon të rrëmbejë fotot e orëve të para të mëngjesit, të cilat kanë një dritë të mrekullueshme për foto. I pasionuar pas fotove, ai ngjitet e zbret shkëmbenjve, duke futur në fokus pamje të ndryshme, që ky mjedis i ofron, si kartolina të vërteta. Më kishte bërë përshtypje energjia e tij edhe në mbrëmjen e kaluar në sallën, ku do të jepej shfaqja. Regjisorja Imma Guarasci ishte e shqetësuar, se donte që çdo gjë të ishte gati për provën e mëngjesit dhe për shfaqjen para publikut. E, gazetari i ardhur nga Bolonja, si president i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali, që ka bashkëpunuar për ardhjen e këtij grupi në Ulqin, bënte edhe punën e karpentierit, për montimin e skenave, edhe punën e elektriçistit, duke u kujdesur për dritat e skenës, bashkë me anëtarët e tjerë të trupës.
Aktorët zgjohen dalëngadalë dhe marrim rrugën për te qendra kulturore. Rrugët e bukura e karakteristike të Ulqinit janë mbushur me njerëz. Ata na përshëndesin përzemërsisht. Dyqanet me suvenire presin e përcjellin klientë e turistë, që duan të kenë ndonjë kujtim, nga ky qytet i bukur.
Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Labeatët”, Luljeta Avdiu-Cura, një grua energjike dhe përherë e qeshur, vjen te salla dhe interesohet, që trupës së teatrit të mos i mungojë asgjë, për suksesin e shfaqjes. Qytetarë të Ulqinit dhe veprimtarë e bashkëpunëtorë të qendrës kulturore vijnë me një farë kureshtjeje, që të shikojnë përgatitjet për shfaqjen, por edhe të japin ndihmën e tyre të pakursyer, nëse është e nevojshme. Edhe këtu ndihet ajo dashuri vëllazërore, por edhe ajo mikpritje e bukur e ulqinakëve, që është tipike shqiptare.

3.Ndërsa trupa merret me provat e me përgatitjet, Suad Mehmeti, me disa kolegë të tij, na fton që të vizitojmë qytetin piktoresk. Ata janë krenarë për bukuritë, që ofron vendbanmi i tyre dhe na shoqërojnë në pikat më interesante, në plazhet që kanë filluar të frekuentohen nga turistë e pushues e ku çdo gjë është në gatishmëri për sezonin e ri turistik; kodrave të buta të Ulqinit, me shtëpi të bukura e karakteristike e me rrugë, që gjarpërojnë mes gjelbërimit e luleve të shumta. Pastaj na çojnë te një rruge të drejtë dhe të gjatë, përmes një fushe, që i ngjan një lugine të ngushtë, midis kodrash e malesh. Gjelbërimi është kudo i dendur e shlodhës për syrin. Arrijmë tek Ada e Bunës, një fshat romantik, ndërtuar dy brigjeve të lumit të vjetër, që buron nga Liqeni i Shkodrës, përshkon kodrina e fushat e Bregut të Bunës dhe vjen këtu e derdhet në det.

Kudo shohim lokale të shumtë, që mirëpresin klientë në këtë orë të drekës, barka peshkatarësh, motoskafe turistësh e shtëpitë me ngjyra të ndryshme, nën hijet e pemëve të mëdha, krijojnë një pejsazh, që të fton për të bërë foto të shumta. Këtu miqtë tanë nga Ulqini na ofrojnë bujarisht një drekë me prodhime deti, të gatuara sipas traditës ulqinake dhe një verë të mirë të zonës.
Prej këtu, kthehemi sërish në Ulqin dhe e vazhdojmë udhëtimin turistik, në krahun tjetër, aty ku ngrihet kalaja e lashtë dhe e bukur e qytetit. Pamja e detit dhe e qytetit, nga kalaja, është e mrekullueshme dhe tërheqëse. Nuk di nga ta kthesh më parë aparatin fotografik, për të fiksuar këto pamje të rralla. Brenda mureve të kalasë shohim shtëpi të bukura prej guri, rrugë të ngushta me kalldrëm, që ngjiten drejt majës së kodrës dhe lokale të shumtë, te dyert e të cilëve të ftojnë me bujari të hysh brenda. Secili prej tyre ka një terrace, si ballkon mbi det, nga ku klientët e turistët mund të shijojnë panoramën e qytetit dhe të bëjnë foto të bukura. Klodian Cami, ky djalosh energjik, sipërmarrës dhe veprimtrar i palodhur, që vjen nga Reggio Emilia në Itali, pëlqen foto të veçanta, si ajo duke hipur mbi një traktor të vjetër, që nuk merret vesh si është gjendur këtu brenda kalasë, mbi një motorr të çuditshëm, si ata të kohës së luftës, mbi muret e kalasë apo shkëmbinjtë e thepisur,, që zbresin deri në dallgët e shkumëzuara të detit.
Kështu, duke shetitur e duke u njohur me Ulqinin, na zë ora e mbrëmjes, kur do të fillojë shfaqja.

4.Salla e mbushur me shikues pret me emocion të veçantë shfaqjen e grupit arbëresh. Ka njerëz, që kanë ardhur edhe nga Tuzi e zona të tjera, sepse Luljeta ka bërë prej kohësh publicitet, për këtë ngjarje të rëndësishme, pra ardhjen e arbëreshëve për të dhënë shfaqje ne Ulqin. Është i pranishëm edhe kryetari i komunës, Nazif Cungu, me familjen e tij.
Para sshfaqjes, këngëtarja dhe aktorja e re, studente arbëreshe, Maria Ferrari këndon Himnin Kombëtar Shqiptar, duke ngjallur emocione të veçanta. Në sallë janë edhe gazetarë e grupe të televizionit lokal, që kanë ardhur t’i regjistrojnë këto çaste të bukura.
Pastaj, legjenda e besës së dhënë shpalos, përmes lojës së bukur të aktorëve, variantin e saj arbëresh. Shfaqja është konceptuar bukur, nga regjisorja Imma Guarasci dhe personazhet janë tipizuar mjeshtërisht nga aktorët. Publiku e ndjek shfaqjen në një heshtje të thellë, deri në fund. E kjo heshtje ndërpritet nga duartrokitjet e nxehta të publikut, të ngritur në këmbë, kur përfundon shfaqja e dramës.
Por shfaqja nuk mbaron këtu. Organizatorët kanë menduar, mirë që ajo të jetë një eprimtari e përbashkët, arbëreshe-ulqinake. Aktorët e dramës ua lënë vendin valltarëve të ansamblit “Ana e Malit”, këngëtarëve Franko Frega, i ardhur nga Lungra e Kalabrisë dhe Pierpaolo Petta, i ardhur nga Piana degli albanesi, në Siçili. Me ta harmonizohet bukur këngëtari ulqinak, Suad Mehmeti. Kësisoj, spektakli vazhdon me pjesën e tij muzikore, duke e bërë emocionuese dhe të paharrueshme, këtë mbrëmje mes vëllezërve të një gjaku.
…Organizime të tilla të shkëmbimeve të vlerave kulturore janë ngjarje të rëndësishme, sepse ruajnë e përtërijnë traditat tona të mrekullueshme e të pasura kulturore. Ndaj meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore.

Filed Under: Reportazh Tagged With: ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU, Eltona Lakuriqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT