• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

Reagim nga ulqinaket e Çikagos, e patolerushme dhuna ndaj shqiptareve

June 27, 2017 by dgreca

Absurde apo jo shteti më i ri i NATO-s, shteti malazias po hesht ndaj dhunes dhe sjelljeve jo njerzore që u bënë ndaj të rinjve Shqiptarë në Ulqin./

Shoqata-ulqini-cikago

Ngjarjet e 17, Qershorit ngjallen habitje, shqetësim dhe pa knaqësi te mërgimtaret Shqiptarë nga Komuna e Ulqinit që jetojnë në Çikago! Aksioni dhe sjelljet brutale të njësive policorë nga qyteti i Tivarit që rezultuan në maltretime dhe rrahje fizike në disa lokalet e Ulqinit me ç’rast u lënduan një numër i madh i të rinjve u dënua ashpër nga të gjithë antarët e Shoqatës Ulqini në Çikago.  Me vemëndje i kemi përcjellur deklaratat e Cungut, Nimanbegut dhe Zenkes: Që kërkuan dorëheqje apo shkarkime të policëve, por në vendet demokratike personat që kalojnë kompetencat zyrtare denohen sipas ligjit. Absurde apo jo shteti më i ri i NATO-s, shteti malazias po hesht ndaj dhunes dhe sjelljeve jo njerzore që u bënë ndaj të rinjve Shqiptarë në Ulqin.  Besohet që qeverisë së Shtetit të Malit të Zi i intereson vetem ndihma e Shqiptarve kur në pytje është antarsimi në Nato apo ngritja e renomes të përgjithshme ndërkombtare.  Falenderimi i shtetit Malazias po shpërblehet me arrestime dhe rrahje fizike si sot dhe dje! Këto ngjarje ngjallin mosbesim dhe shqetësim tek ne dhe fëmijët tanë kur në pyetje është siguria e tyre kur vizitojnë vendlindjen e tyre. Andaj apelojmë te udhëheqësit e Partive Shqiptare, te Kryetari i Komunës së Ulqinit, Këshilli Nacional i Shqiptarve në Malë të Zi dhe të gjitha subjektet tjera që të marrin masa adekuate në preventimin e ndodhjeve dhe ngjarjeve të tilla! Në mënyrë që situata e 17, Qeshorit mos të përsëritet.

Kryesia e Shoqatës Ulqini Në Çikago

Filed Under: Mergata Tagged With: per shtetin e Malit te Zi, Turp, Ulqinaket e Cikagos

KRYEDEMOKRATI, NUK DOREHIQET- BETEJA VAZHDON

June 27, 2017 by dgreca

Kreu i Demokrateve shqiptar, Lulzim Basha, ngrin funksionin e tij në krye të PD dhe hap garën për kryetarin e ri/

bashaaa-3-1024x686

Edhe pse lista demokratesh, deputetesh, te pakenaqurish, kane zene kryet e websiteve, portaleve, TV-ve duke kerkuar doreheqjen e tij, kreu i demokrateve, ka zgjedhur perballjen, luften, betejen, jo zmbrapsjen ndaj se keqes, sic tha ai. Konferenca e Bashës erdhi vetëm 30 minuta pasi KQZ-ja e certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, ku demokratet shenuan rezultatin me te dobet te historise se tyre elektorale.Basha tha se: “Marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Demokratët meritojnë një bilanc të plotë dhe ballafaqim të hapur e të vërtetë. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë, as ata që nuk punuan për fitoren e PD-së. Këtë e përcaktojnë demokratët. Unë ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar dhe do të ketë garë për kryetar sipas parimit “një anëtar, një votë”. Unë kam projekt dhe projektin tim e vlerësojnë demokratët. Unë mbaj përgjegjësi jo duke ikur, por duke luftuar deri në fund me ta e për ta”, tha Basha në reagimin e parë pas humbjes së zgjedhjeve të partisë së tij. Kreu i demokrateve, Basha i cilësoi zgjedhjet si “triumf të paligjshmërisë”.
“Me gjithë përpjekjet që bëmë, me imponimin që i bëmë Edi Ramës duke i hequr gjysmën e qeverisë, blerja e votës u bë masivisht. Me para’ të pista droge e korrupsioni, u bë një garë e pabarabartë, ku unë nuk kam ndërmend të konkurroj me të njëjtat mjete. Ajo që ndodhi është triumf i paligjshmërisë. Edhe pse ka pasur oferta për shkëmbim vote me para’, mbi 450 mijë qytetarë refuzuan të shiten. Këta janë frymëzim për mua për të mos e ndalur projektin tonë. Është e qartë se krimi, bandat, droga, trafikantët e drogave kanë vetëm një pengesë dhe unë, PD e qytetarët e ndershëm të vendit nuk jepemi. Kjo është luftë për të ardhmen që do e vazhdojmë deri në fitore. Janë të mashtruar edhe socialistët e ndershëm, sepse mandatet për mazhorancën kanë dalë nga kthinat e krimit dhe bandave. Nuk ka gjë të më trishtë sesa shitblerja e votës”, deklaroi Basha.Në zgjedhjet e 25 qershorit diçka tjetër ndodhi. Në të gjithë betejën që bëra unë dhe PD, kundër trafikut të drogës, kanabisit, dekriminalizimin, sërish krimi nuk u ndal.Vota u ble.Kjo ishte e pabarabartë, por një garë ku unë nuk kam ndërmend të konkurroj me të njëjtat mjete. Ajo që ndodhi në 25 qershor ishte triumf i paligjshmërisë.Vota që mori PD në 25 ishte e keqe. Mbi 450 mijë qytetarë refuzuan të votojnë.Unë dhe PD nuk jepemi. Kjo është një luftë për jetë a vdekje, luftë që unë dhe PD kemi ndërmend që ta fitojmë. Mandatet për mazhorancën nuk kanë dalë nga qytetarët, por nga korridoret e errëta.Nuk ka gjë më të trishtë se blerja e votës.Kam reflektuar thellë këto ditë.Unë marr të gjitha përgjegjësit për rezultatin. Demokratët dhe shqiptarët meritojnë një analizë të thellë, mes atyre që dolën kudër dhe atyre që luftuan me mish e me shpirt.Se ku gabuam nuk e përcaktoj unë dhe as ata që luftuan kundër. Për këtë arsye kam vendosur të ngrij funksionet e mia dhe tua delegoj ato dy nënkryetarëve për të organizuar garën brenda PD-së me votën një anëtar një votë.Unë kam një projekt dhe atë do e vlerësojnë demokratët.Gjëja më e  thjeshtë është që të largohesha, por unë nuk do të iki ti braktis demokratët por do të luftoj deri në fund për ta dhe me ta.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, beteja vazhdon, nuk dorehiqet

Mandat i fortë – përgjegjësi e qartë!

June 27, 2017 by dgreca

Edi Rama ia doli të marrë një shumicë të konsiderueshme, sipas rezultateve të deritanishme. Socialistët janë me shumë gjasa fituesit e këtyre zgjedhjeve, por Rama tani duhet të bëjë realitet premtimet për reforma./

1Adelheid Feilcke

Nga Adelheid Feilcke/DW/

Edi Rama është qartë fituesi i këtyre zgjedhjeve, sipas rezultateve të deritanishme. Kryeministri i deritanishëm ia doli që të marrë një rezultat të shkëlqyer për socialistët, Partia Demokratike në opozitë duket se ka humbur rëndë. Nëse konfirmohen zyrtarisht rezultatet e deritanishme, Rama nuk ka nevojë më as për partner koalicioni. Pas katër vitesh qeverisjeje, shqiptarët ia dhanë atij sërish besimin, madje me një mazhorancë të konsiderueshme. Ata duket se i besojnë atij si njeriut që do të çojë përpara Shqipërinë. Ai është lideri që qëndron për forcën këmbëngulëse dhe modernizimin – një kombinim ky që me sa duket në Shqipëri ka efekt ndikues.

Stili i Ramës

Rama ia doli sërish që ta inskenojë me sukses këtë imazh – përmes një kombinimi të dimensionit folklorik shqiptar dhe atij kozmopolitan europian. Ai di të luajë bukur e çlirët si në tastierën e nostalgjive të bashkëkombasve të tij ashtu edhe në atë të partnerëve europianë dhe vendeve donatore. Ky stil zë vend dhe zgjon pritshmëri. Tani Rama duhet të provojë që  Shqipërinë mund ta “çojë drejt Europës”.

Detyrat para tij dhe qeverisë së tij janë të vështira: Shumë shtyrje ka pasur, sepse në muajt e vitet e fundit partitë bllokonin njëra-tjetrën. Tani Rama praktikisht ka dorë të lirë të jetësojë reformat. E kjo është më se e nevojshme: Korrupsioni në vend, droga, varfëria e paralizojnë Shqipërinë. mijëra vetë kanë gati valixhet për të kërkuar një shans në Europë, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në Shqipëri. Në mënyrë paradoksale ata i dhanë votën Ramës e një shans të ri.

Lista e prioriteteve të qeverisë së re është e gjatë, por e qartë: Reforma në drejtësi, reforma ekonomike, lufta kundër nepotizmit, kundër kanabisit -si edhe një politikë e vendosur kundër ekstremizmit fetar.

Kujdes me deklaratat ndaj fqinjëve

Këto janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, të BE për Shqipërinë, vend kandidat për në BE nga viti 2014. BE, veçanërisht Gjermania e kanë mbështetur masivisht Shqipërinë në këto vite. Përkundër disa fqinjëve ballkanikë, Shqipëria nuk e ka humbur ende forcën e saj të rrezatimit. As Rama nuk e humbur ende besimin e partnerëve. Premisa të mira që Rama do duhej t’i shfrytëzonte mirë në muajt e vitet e ardhshëm.

Para së gjithash ai duhet të përqëndrohet në problemet brenda vendit. Në muajt e shkuar Rama u prononcua disa herë me deklarata mbi çështjet e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë duke irrituar partnerët europianë. Kjo është e rrezikshme – por u shpjegua edhe në plan ndërkombëtar si taktikë zgjedhore. Por nuk ka më “pardon” në të ardhmen për këtë!

Rama ka shumë për të bërë në vendin e tij. Shqipëria i ka të gjitha shanset të dalë nga këndi i vendit problematik dhe të kthehet në një vend shembullor në Ballkan. Për këtë nevojiet një politikë pragmatike bazuar në parimet e shtetit ligjor- vetëm kështu ekonomia do të rigjenerohet ngadalë dhe njerëzit do të shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Pjesëmarrje e ulët në votime

Votimet u zhvilluan habitshëm në mënyrë të qetë dhe pa probleme të mëdha – gjë që vlen të theksohet, por të kujtosh përplasjet e brendshme politike dhe bojkotimin me javë të parlamentit. Por pjesëmarrja në votime ishte e ulët. Sigurisht këtu luajtën rol festimet e Bajramit dhe temperaturat e nxehta. Por ka shumë pakënaqësi ndaj politikës, ka shumë zhgënjim mes atyre që e ndjejnë veten të braktisur. E në fund por jo e fundit, – një arsye tjetër janë edhe listat zgjedhore të vjetëruara, ku gjendjen edhe persona që ndërkohë kanë ndërruar jetë. Këtu qeveria duhet menjëherë të vendosë rregull -sepse me regjistrat e votuesve u kryen manipulime masive në vitet e shkuara. Pozitive është sipas vëzhguesve zgjedhorë që nuk ka pasur manipulime flagrante!

Opozita konstruktive – gati për monitorim

Ndërsa partitë e opozitës duhet të tani shërojnë plagët dhe të përgatiten për një politikë të shpejtë opozitare përmbajtësore dhe të fuqishme. Edhe në këtë drejtim zgjedhjet e 25 qershorit mund të shihen si një fillim i ri. Demokracia ka nevojë për një opozitë konstruktive, sidomos në këtë moment reformash të rëndësishme në Shqipëri, po ashtu një opozitë që të kryejë funksionin demokratik të kontrollit tek socialistët kaq të fuqishëm. Edhe në këtë pikë do të matet aftësia europiane e Shqipërisë: nëse do t’ia dalë të kryejë reformat e dhimbshme, nëse do të funksionojë dialogu me opozitën, por edhe mes kryeministrit Rama dhe presidentit të ri, Ilir Meta që merr postin më 24 korrik. Deri dje ata ishin armiq të fortë në fushatën elektorale.

Tani ata duhet të demonstrojnë me ndarjen e re të roleve, se si do të funksionojnë institucionet demokratike, edhe nëse në krye të tyre qëndrojnë kundërshtarët e dikurshëm. Qytetarëve të Shqipërisë do të doje t’u uroje suksesin!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: - përgjegjësi e qartë!, Adelheid Feilcke, Mandat i fortë

Shkolla “Children of the Eagle” – E Para Shkollë Shqipe në Yonkers

June 27, 2017 by dgreca

1 Drita Gjongecaj1 ok shkolla Yonkers1 shkolla Yonkers

Nga Drita Gjongecaj Hasandocaj/Ka më se një muaj që është hapur për herë të parë shkolla shqipe në Yonkers, NY. Në kohën kur shkollat publike ishin gati në përfundim të vitit shkollor, “Children of the Eagle” ka mundësuar që edhe fëmijët e Yonkers and Westchester të ndjekin programin e shkollës dhe trashëgimisë kulturore shqipe. Ajo i ka mbledhur fëmijët shqiptarë me qëllim që ata të vazhdojnë të takohen me njëri-tjetrin edhe gjatë verës, të flasin, shkruajnë, luajnë dhe këndojnë shqip ndërkohë që brumosen me ndjenjën e bukur të atdhedashurisë.

Klasat do të vazhdojnë edhe në muajin korrik duke arritur kështu në 10 javë gjithsejt për këtë semestër të parë të kësaj shkolle. Fëmijët janë të moshave të ndryshme por të gjithë i bashkon një gjë: të qenit krenar për prejardhjen e tyre dhe sidomos të qenit të ndërgjegjshëm se për ta ruajtur identitetin shqiptar nuk mjafton vetëm të veshësh bluzën kuq e zi, por duhet folur gjuha, duhen njohur dhe kuptuar trashëgimia kulturore dhe traditat kombëtare, dhe po ashtu, duhet lexuar në shqip që të zgjerojnë njohuritë për historinë dhe gjendjen aktuale të vendit të prejardhjes.

Nëse për ne shqiptarët, përpjekjet për ruajtjen e gjuhës amtare kanë qenë të vazhdueshme qysh nga koha e Rilindasve, duhet të nënvizojmë se kjo nevojë është po aq akute edhe sot për të penguar asimilimin në vendet ku diaspora shtrihet. Përvec kësaj, duhet marrë parasysh se në ekonominë e sotme globale, njohja dhe përvetësimi në nivele cilësore ka edhe përparësi të tjera duke filluar që nga shftrytëzimi i internetit, mjeteve të komunikimit masiv në gjuhën shqipe, punësimi, turizmi, fusha politike, etj. të cilat pa dyshim i hapin atyre më shumë dyer për prosperitet individual.

Për këtë qëllim, shkolla “Children of the Eagle” ka hartuar projekte specifike të programeve edukative dhe kulturore. Kjo shkollë aktualisht frekuentohet edhe nga fëmijë që vijnë nga Eastchester dhe Yorktown, distancë jo e shkurtër për prindërit që me përkushtim ua krijojnë fëmijëve të tyre mundësinë për të mësuar gjuhën e bukur shqipe ndërkohë që edhe luajnë dhe argëtohen me bashkatdhetarë nga vise të ndryshme shqiptare. Me fjalë të tjera, për këtë një meritë e veçantë i takon prindërve që i ushqejnë fëmijët e tyre me një ndjenjë të tillë dhe që shpesh herë lënë të tjera obligime pas dore vetëm që t’i sjellin ata në ambientet ku zhvillohet mësimi, në McLean Ave, Yonkers.

Grupi mësimdhënës përbëhet nga mësues që janë të licensuar për mësimdhënie edhe në shtetin e NY përveç përvojës që ata kanë sjellë nga atdheu amë. Duhet veçuar këtu ndihma e paçmuar e zotit Henry Djonbalaj, i cili ka siguruar ambientet ku çdo të shtunë zhvillohet mësimi për dy orë rrjesht. Me të njëjtin dashamirësi, shkolla “Children of the Eagle” është mbështetur edhe nga Konsullata e Kosovës dhe vecanërisht z. Fatmir Zajmi, i cili ka ndihmuar me tekste të Abetares dhe Fletore Pune, botime këto të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.

Regjistrimet vazhdojnë në çdo kohë. Ky semestër përfundon me datën 29 korrik për t’i rihapur dyert në fillim të muajit shtator për një vit të ri shkollor për fëmijët shqiptarë të zonës Westchester, NY. Për më shumë informacion, vizitoni faqen e facebook, “Association of Albanian-American Dual Language & Culture – AADLC”. Një faqe interneti rreth shoqatës me të njëjtin emër dhe pjesë e së cilës është edhe kjo shkollë, do të jetë aktive së shpejti.

I mirëpresim prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre pranë shkollës “Children of the Eagle”. Le ta ruajmë dhe trashëgojmë gjuhën tonë të bukur!

Filed Under: Featured Tagged With: “Children of the Eagle”, Drita Gjongecaj Hasandocaj, shkolla

Aktori i njohur Mirsad Abazi në festivale ndërkombëtare

June 27, 2017 by dgreca

Nga Ermira BABAMUSTA/

Aktori i mirnjohur Mirsad Abazi pati një sukses të jashtëzakonshëm në New York me filmin “A Long Way Home” me regji të Ibër Dearit. Filmi “A Long Way Home” triumfoi në New York dhe fitoi çmimin “Regjia më e mirë” te festivali që u zhvillua në Maj “New York Albanian Film Week”, ku Mirsadi ishte pjesë e natës së Tapetit të Kuq dhe Award Gala.2 qkt

Aktori i talentuar Mirsad Abazi ka lindur në Kumanovë 1979. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në fshatin Sllupçan – “FAIK KONICA”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “GOCE DELCEV” – Kumanovë. Aktrimin e kreu në vitin 2005 në Universitetin shtetëror të Tetovës artet e bukura. I punësuar si aktor në Teatrit profesional të Kumanovës.2 skene akt

Mirsad Abazi është një aktor shumë i mirë që të bën për vete me interpretimin e roleve, dhe ka luajtur shumë bukur. Ai ka luajtur gjithmonë karaktere të vështira dhe filma të fortë emocional. Rolet që i janë besuar atij shumë pak aktorë mund t’i luajnë me aq arritje dhe përkushtim. Në rolin “A long way home” interpretimi i tij të le pa fjalë, duke konsideruar kushtet e dimrit dhe rrethant e vështira të xhirimit.

1 grup aktor

Filmi “A Long Way Home” është produksion i RedonPictures me producent, Afrim Asani, edituar nga Redon Asani, sound nga Engjëll Mamuti, me skenar nga Ibër Deari, dhe në rolet kryesore luajnë: Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Musa Isufi dhe Ardian Kadriu. Filmi po udhëton në festivale ndërkombëtare.

2 akt grup 2

Njihet për rolet e tij mbresëlënëse në filmat fitues “A Long way home,” “My City Screams,” “Between Paradise and Hell” ku ka luajtur rolin e protagonistit. Momentalisht po luan te shfaqja teatrale në Kumanovë “Një shtrat plot me të huaj” me skenar nga Dave Freeman dhe me regji nga Esat Brajshori.

Intervista me aktorin e talentuar Mirsad Abazi

Na tregoni më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Mirsad Abazi: Unë para se të bëhesha aktor gjithmonë kam pasur një dashuri për aktorët, filmin dhe teatrin. Ndoshta edhe çdo aktorë në fillimet e tij ndjehet kështu. Luaja në shfaqje, recitoja në shkolla, etj. Kur erdhi koha për të shkuar në fakultet, këtu në Maqedoni ishte shumë e vështirë dhe kushtet jo të mira. Prinëdrit e mi këmbëngulnin që të shkoj me një fakultet tjetër që do ketë të ardhura për mua. Pasi që aktrimi ishte në profesion që shumicën e rasteve ishte rrëzik se do të mbetesh i pa punë.Prindërit e mi më bindën dhe më regjistruan në fakultetin e Juridikut. Por unë e pash që për mua fakultet të tjera ishin sikur të futesha në ferr. Unë e doja aktrimin dhe skenën. Kështu pas 1 muaj në fakultetin e juridikut me vendoshmërinë time dhe pa lejen e prindërve të mi, unë u largova dhe shkova të regjistrohem ne shkollën e aktirmit. Arrita me shumë suksese, dhe me shumë kënaqësi. Sot jam i lumtur që kam përfunduar aktrimin. Jam i punsuar, kam një jetë normale dhe ndihem shumë i kënaqur.

Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë?

Mirsad Abazi: Pasi u ktheva nga USA, tani vetëm sa kam filluar me një shfaqje teatri në Kumanovë: “Një shtrat plot me të huaj” nga autori Dave Freeman dhe në regji të Esat Brajshori.

Pasi të përfundojmë këtë shfaqe kam në plan të eci në disa festival për ta prezantuar filmin “A LONG WAY HOME”. Dhe përgatitje për një film tjetër i metrazhit të gjatë, por akoma po pres përgjigje të saktë se kur fillojmë me xhirime. Gjithashtu edhe me një TV SERI në Shqipëri. Viti është i gjatë ndoshta do ketë edhe sende të tjera, ne jemi aktorë dhe jemi të hapur për shumë projekte.

Cila ishte eksperienca juaj në New York?

Mirsad Abazi: Në New York do ta veçoja si njërën nga eksperiencet e mia më të veçanta deri më sot. Atje isha për të prezentuar filmin tim A LONG WAY HOME. Në festivalin e filmit ALBANIAN FILM WEEK të MRIKA KRASNIQIT. Festivali na dhuroi shumë ngrohtësi të artistëve, professionalizëm dhe përjetime të bukura. Unë jam kënaqur dhe kam bërë shumë kontakte me shumë artiste të tjerë që do na lidhin për në të ardhmën. E falenderoj Mrika Krasinqin dhe ekipin e saj për punën e palodhshme për festivalin që kanë organizuar atje dhe na mundësojnë neve artistëve shqiptarë që të vijmë të prezantojmë punët tona…

Cilët ishin përshtypjet e tua nga festivali dhe nga vetë New Yorku?

Mirsad Abazi: Shumëçka, nuk di nga tia nis. Të flasësh për festivalin Albanian film Week është një histori në vete. Përveç pritjes fantastike dhe organizimit të mirë. Ishin mundësitë për kontakte me njerëz të tjerë. Artistë të huaj e jo vetëm shqipëtar. Pastaj ne dolëm triumfues nga ai festival dhe u kthyem në Maqedoni me shumë krenari… New Yorku si vend duhet të vizitohet nga çdo person, e në veçanti nga artistët…Është inspirues dhe të bën të mendosh pak më ndryshe. Vizituam shumë vende atje, dhe u inspirova për shumë gjëra të bukura.

Çfarë ju inspiroi ju që të bëheni aktor?

Mirsad Abazi: Nevoja apo dëshira për ti argëtuar njerëzit, ose për ti bërë të qajnë e të mendojnë. Më kujtohet koha që kur isha fëmijë dhe shikoja një film në TV, të them të drejtën as nuk e mbaj emrin e filmit, por e rëndësishme është që akoma i ndjej emocionet e asaj kohe. Emocionin që më pat dhënë ai film më bëri mua që të dal jashtë në oborr, ti marr shokët e mi dhe unë vet u mundohesha tia jap emocionet që vetëm i kisha përjetuar në film. Kisha dëshirë të shprehi diçka që ti bind ato që të qeshin ose të qajnë. Dhe sigurisht që dalgadal pata filluar ta kuptoj se përmes aktrimit njeriu mundet të shpresh shumë gjera… Filmat, muzika, leximi, dhe gjithe gjerat e bukura më kanë inspiruar që të bëhem aktorë.

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjizorin?

Mirsad Abazi: Shumë positive. Unë i besoj regjisorit, dhe çdo herë mundohemi bashkarisht të arrim atë që ai e kërkon, të jemi sa më afër Vizionit të tij që e ka brenda kokës. Edhe pse dallon shumë puna me një regjisorë që punoj në teatër nga ai që punon në Film. Por prap se prap Aktori duhet ti besoj regjisorit të mirë. Regjisori është aty për të na drejtuar dhe për të na mundësuar që të arrim të bëjmë rolin ashtu si duhet.

Si përgatitesh për një rol?

Mirsad Abazi: Mendoj se shumicen e roleve gati e kam krijuar procedurë e njejtë, apo metodat e ngjashme… Çdo herë kur e marr tekstin për në Teatër apo një skenarë për në Film, gjëja e parë që më intereson është Karakteri/Personazhi që duhet ta luaj unë. Kush ësht ai? Çfarë bën ai? Kush janë personazhet e tjerë? Raportet e tyre, konfliktet, dëshirat, vuajtjet, etj, etj. Bëj shumë hulumtime dhe shume analiza. Mbyllem në dhomën time për një kohë të gjatë, pastaj filloj bëj test kamera me vetveten, i xhiroj disa momente dhe i analizoj. Bisedoj me disa njerëz që i besoj shumë dhe pastaj dalgadalë vjen koha kur duhet për tu ngjitur në skenë dhe ta shfaqur atë që e kam përgatitur.

Më shumë e pëlqeni vetën në film apo në teatër?

Mirsad Abazi: Unë e dua filmin më shumë, por më mirë ndjehem në Teater. Filmi është i bukur dhe përmes filmit e arrin më shpejt për tu bërë i njohur tek njerzit. Është një proçes interesant. Por filmi për dallim nga teatri të kufizon më shumë. Në film sado që ti luan mirë apo sa do që ke skena të rëndësishme, prap se prapë ti si aktore i filmit, je rob i vizionit të regjisorit, kamerës, montazhit, etj. Dmth në produktin final mundesh me pa vetën më pak se sa ke qenë në xhirime të filmit…Kurse në teater nga fillimi e deri në fund je ti Aktori, LIVE me publikun. E ndjenë energjin aty Brenda në sallë. Është dicka e veçantë që vetëm ne aktorët e përjetojmë. Skena është e jona.

Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrë pjesë?

Mirsad Abazi: Secili film për mua ka qenë i bukur, por me eksperienca të veçanta. Dy filma që i mbaj thell në zemër dhe që ndihem shume krenar që i kam bërë janë MY CITY SCREAMS – një personazh i veçant për mua dhe për publikun. Dhe fimi i ri A LONG WAY HOME – ku ka qenë një dramë e imja si personazh që lidhet ngusht me dramën familjare. Ky i fundit ka qenë më emocional…

Do flas më shumë për filmin e ri që kam bërë dhe aty isha në rolin kryesore ose më mirë të them “one man movie” – ku i gjithë filmi gjatë shumë skenave jam i vetëm dhe është një barrë më e madhe. Dmth filmi A LONG WAY HOME. Në filma të tjerë që kam pasur role kryesore apo më mirë me thënë protagonist i filmit sepse vështirë eshtë ti ndaj peshën e rolit në film, dmth jane MY CITY SCREAMS, BETWEEN PARADISE AND HELL … në filma të tjerë apo seriale më shumë jam në role dytësore.

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

Mirsad Abazi: Realisht do kisha pasur dëshirë të jem pjesë i gjitha zhanreve të filmave, duke filluar nga drama, komedi, aksion, fantasy, horror, triler. Por pasi tek ne filmi nuk është një industri dhe nuk prodhohen gjitha zhanret e filmit që i përmenda më lart. Mendoj që vetën më së shumti e gjej në zhanre të filmit dramë/krim/triler. . . Më japin më shumë kënaqësi mua si aktorë dhe e shoh se shumë më lehtë publiku lidhet me këto karaktere nga ana ime.

Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Mirsad Abazi: Arti ka ndikim të madh në kulturën shpirtërore të individid, shoqërisë dhe kombit. Ka rol shumë të rëndësishëm revolucionar për zgjerimin e horizontit të njeriut, kulturën, edukatën e jetës njerëzore. Shoqëria përmes artit edukohet më shumë dhe i lufton veset e tyre të këqija. E kemi artin për të mos vdekur kurrë.

Çfarë talene të tjera keni?

Mirsad Abazi: Do qëndroj te fusha e filmit. Përveç aktrimit e kam sprovuar veten edhe si producent edhe si menaxher dhe e kam parë që jam shumë i mirë në organizimin e filmit, sa i përkete këtyre profesioneve. Dmth më shumë dëshirë dhe besim mundem të marr përsipër menaxhimin e një filmi.

Këshilla juaj për dike që dëshiron të ndjeki këtë karrierë?

Mirsad Abazi: Karriera në art apo professioni aktorë nuk përfundon asnjëherë, dhe është e vështirë të jepet një këshillë. Mendoj që aktori duhet parasegjithash të jetë një intelektual, njeri që lexon shumë, që shikona filma shumë, që përcjell shume shfaqje ne teatro, muzikë, etj. Dhe të jetë i lidhur me njerëzit, i dashur dhe puntorë. Pasi që në aktrim ne mundohemi si të bëhemi personazhi, dhe për tu bë personazhi na duhet një bagazh i madh i njohurive, dhe biografive të njerëzve. Është punë e vështirë, të duhet shumë dashuri për të mbijetuar në këtë profession.

Çfarë është një aktrim i mirë për ty, një rol shumë i mirë?

Mirsad Abazi: Një aktor apo aktrim i mire për mua është nëse aktori që luan rolin më bind që ai është personazhi. Nëse Unë si shikues e harroj aktorin dhe e shikoj personazhin ky është aktirmi i mirë. Të më bind, të duket i vërtetë dhe të duket interesant.

Top 5 aktorët apo filmat më favorit për ju?

Mirsad Abazi: Janë shumë, por unë do mundohem ti ndaj 5 aktorët që vazhdimisht I shikoj dhe inspirohem nga ata… 1. Marlon Brando ( On the WaterFront, The GodFather, Apocalypse Now) 2.Robert De Niro ( Taxi Driver, Ragign Bull , Goodfellas etj) 3.Daniel Day Lewis ( Në të gjithe filmat) 4.Christian Bale ( Fighter, American Psycho, Mechanic) 5. TOM HARDY ( Revenant, Mad Max, Bronson, Locke)

Ju faleminderit shumë për intervistën. Në fund dua ta falenderoj personin më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm që qëndron me mua, nuk thuhet kot se pas një burri të sukseshem qëndron një grua e fortë. Pra unë e falenderoj gruan time Mirjeten e cila më përkrah vazhdimisht në këtë profesioni duke më ndihmuar deri në fund, dhe duke qëndruar me mua pa marrë parasysh rrethanave që ne aktorët i kalojmë. Falenderoj familjen time, kolegët e mi në aktrim dhe regjisorin Ibër Deari që kemi filluar bashkarisht punën e filmit dhe shpresoj që do vazhdojmë edhe shumë gjatë.

Intervistoi: Ermira Babamusta

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermira Babamusta, Interviste, Mirsad Abazi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT