• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Kushtet e Listës Serbe frenojnë formimin e institucioneve

September 6, 2017 by dgreca

1 Ramushi4

Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik , thotë për Radion Evropa e Lirë se para se të arrihet çfarëdo marrëveshje me subjektet politike shqiptare, Lista Serbe do të konsultohet me Qeverinë në Beograd dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ne nuk kemi bashkëpunëtor më të mirë, mik dhe dikë që mendon më mirë për serbët në Kosovë, se sa Qeverinë tonë dhe Presidentin tonë”, ka thënë Simiq.

Ai ka theksuar se Lista Serbe konsideron që është mirë që Kosova po lëvizë drejt formimit të institucioneve të reja, prej kur koalicionit PAN, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i është bashkangjitur edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë theksuar se janë duke u koordinuar me Listën Serbe për marrëveshjen lidhur me formimin e Qeverisë së re, por, ata nuk kanë dhënë detaje se mbi cilat kushte synohet një marrëveshje e tillë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe. Ndërkaq, lidhur me kushtet e kësaj të fundit, ai ka thënë se ato janë të njëjtat që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar legjislativ dhe ekzekutiv.

“Ju i mbani mend nga seancat paraprake pozicionet e tyre. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Igor Simiq ka thënë se Lista Serbe do të jetë e hapur për bisedime pasi që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pasi që do të dihet emri i mandatarit për formimin Qeverisë së Kosovës.

“Lista Serbe e ka prezantuar programin e saj dhe për të e ka marrë mbështetjen e qytetarëve. Kushdo që dëshiron të bisedojë me Listën Serbe duhet të tregojë respekt ndaj interesave të popullit serb në hapësirën e Kosovës, por edhe ndaj nesh si përfaqësues të serbëve”, tha Simiq.

Lidhur me bisedimet e koalicionit PAN me Listën Serbe, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ramush Haradinaj, mund të jetë njëri prej politikanëve më të sinqertë e më bujar që ka njohur Kosova ndonjëherë. Por kjo nuk nënkupton që bujaria e tij mund të shkojë deri aty, sa që ai mund të pranojë të jetë i kushtëzuar nga çfarëdo grupimi politik, shqiptar apo me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës. Ai për hir të një stabiliteti politik, ka bërë kompromise të mëdha në dëm të partisë që e drejton, por këtu përfundojnë të gjitha kompromiset e tij”, ka thënë Nitaj.

Ndryshe, Simiq ka theksuar se për Listën Serbe nuk janë të rëndësishme funksionet në kuptimin e numrave, por fakti se a do të jenë në gjendje njerëzit që do t’i kryejnë funksionet që ta forcojnë serbët në mënyrë institucionale dhe që ta përmirësojnë jetesën e tyre.

“Për interesin e serbëve në Kosovë mund të luftojnë vet serbët. Gjithçka varet prej nesh. Nuk dëshirojmë të diskutojmë për pozitat ministrore, nuk duam që të apostrofojmë se çfarë është ajo që duam dhe çfarë është ajo që nuk duam. Por, ajo që mund ta them në këtë moment është që ne nuk do të merremi me spekulime dhe se interesi i popullit serb është parësor në luftën politike”, tha Simiq.

Sipas tij, Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, është kurora e kërkesave të Listës Serbe. Në anën tjetër, siç thotë ai, deputetët e këtij subjekti brenda Kuvendit të Kosovës do të luftojnë që zgjidhjet ligjore që sillet për çështje të ndryshme, të sillen në pajtim me interesat kombëtare serbe.Bisedimet e përfaqësuesve të koalicionit PAN me Listën Serbe ende janë duke vazhduar dhe deri më tash, nuk ka ndonjë rezultat konkret për marrëveshje eventuale.(RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: Kushtet, Lista Serbe, Ramush Haradinaj, vonon institucionet

Turizmi i Krujës, mes shenjtërisë dhe historisë

September 6, 2017 by dgreca

1 Ylli Xhaferri 21 Sari_Saltek2 Malilegend_02SARI-SALLTIK

Turizmi i Krujës, mes shenjtërisë dhe historisë/

NGA YLLI XHAFERRI/-Reportazh/

Rruga dredhonte si një balerinë elegante, hollake dhe gjelbëroeshe, ngjitej butë e ëmbël, midis një peizazhi të thepisur malor. Shkonim drejtë Vendit të Shenjtë, Sari Salltëkut të Krujës që ndodhej në Majën e Liqenit në lartësinë 1724 metra të Malit të Skënderbeut. Me ne shkëmbeheshin makina që ktheheshin nga vizita e bekuar, njerëzit uronin pa na njohur: “Ju ndihmohtë”! Ishte një përshëndetje miqësie, paqeje, harmonie, dashurie dhe solidariteti njerëzor që se kisha hasur kund. Me këtë formë dëshiroreje të përshëndesnin pleq, vajza, turistë të huaj, fëmijë, emigrantë të malluar, djem, plaka të veshura me kostumin e zonës përreth, por edhe të Zadrimës së largët, burra, misse, kosovarë, gjimnazistë, të fejuar, gra, cilido që kishte bërë nijet për tu ngjitur në vendin e shenjtëruar. Ndjeheshe mirë e ngrohtë mbështjellë nga ky urim sa njerëzor aq edhe bestyd. Me siguri këtyre anëve do të kishte dalë njeriu që pati thënë i pari: “Pa miq, bota është e shkretë”. Këtu të bëheshin miq zot e njerëz, shkrepa dhe rrëpira, përrenj dhe humnera, mali i Skënderbeut, luginat e Drojës dhe Gallatës poshtë në fushë, gurë graniti dhe frashër, panja, shkoza, ahe e pisha, deri lumi i Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës që derdhej në Ishëm. Peizazhi ishte një grishje për në lartësim shpirtëror, moral dhe atdhetar. Poshtë gurgullonte si baladë krutane lumi i Drojës, në të cilin ishin hedhur nga Shkëmbi i Vajës plot 90 vajza, lulja e bukurisë krutane, që mos të bëheshin robinja të pushtuesit turk. Peizazhi formëndryshonte, ndërsa çatitë e qytetit shpaloseshim si shami feste, valviteshin si flamuj të kuq, uronin ardhësit e shumtë si të qe pelerina e purpurt e kështjellarit legjendar, Vrana Konti. Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të natyrës, shpërthimet tronditëse, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit të qetë krutan një hije të përzishme. Ullinjtë, kumbullat, pishnaja në hyrje të qytetit, mbjelljet nëpër kodrina, vreshtat, gjithçka e gjallë, dukej si e thinjur. Një gri e egër, asfiksuese. Ishte shfrytëzimi pa kriter i shkëmbinjve të Krujës, këtyre karakollëve të lirisë dhe monumenteve të gjalla, ku “Atleti i Krishtërimit”, Skëndërbeu, kishte shkruar simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian. Vetëm Krujës nuk i shkonin ato thinja pluhurore dhe ato tymtarë gëlqeresh, ndaj të cilëve duhej bërë patjetër diçka në mbrojtje të ekosistemit dhe ekologjisë. Krutanët janë punëdashës, përgjegjësia e saj ndjehej ngado, natyra sikur thonte: për çdo njeri ka një lloj pune me të cilën bëhet i dobishëm për familjen, qytetin dhe shoqërinë, duke gjetur aty njëkohësisht edhe lumturinë e vet. Vështrimi nuk kishte ku të ndalej më parë, mrekullia e natyrës harminzohej me ditën e kthjellët, qiellin e kaltër, ku si qengja të bardhë luanin disa re të vogla. Nëpër kthesa të rrugës, treteshin nga errozioni furrat e shuara të gëlqeres, dëshmi e resurseve të pashembullta të këtij masivi shkëmbor jetëdhënës. Jo më kot kronikanët turq e kishin quajtur “Qyteti i bardhë”. Gëlqerja e Krujës, graniti i saj, guri i bardhë, pse jo rëra, granili, çimentoja, janë me emër në fushën e ndërtimtarisë për të gjitha viset shqiptare. Makina i vinte rrotull Malit të Skënderbeut, si t’i blatonte një valle, një rit, një baladë të kohës. Isa Halili, përqëndruar në timon, nuk mungonte të shijonte magjinë e peizazheve alpine që çeleshin në spektrin e plotë të ngjyrave të ylberit. Të bëhej sikur mëma natyrë po shfletohet para teje një album të rrallë. Arritëm në Sari Salltëk. Legjendat flasin për një njeri të shenjtë, figurë gojëdhënash bektashjane, për të cilin mendohet se kishte qenë dervish në oborrin e Sulltan Orhanit (1326-1360) dhe dishepulli i drejtpërdrejtë i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të Bektashizmit. Gjurmët arkeologjike dhe lashtësia e tyre tregojnë se më shumë gjasa ka që Sari Salltëku të ketë qenë një figurë ballkanase e agimeve të historisë, të cilën Bektashinjtë e shfrytëzuan, për popullaritetin që gëzonte, si simbol të sinkretizmit dhe toleancës fetare islame, për përhapjen e doktrinës së tyre. Për herë të parë, Sari Salltëku, përmendet nga gjeografi maroken Ibn Battuta, (1304-1377) i cili pohon se për të ka patur shtatë varre, në çdo njërin prej tyre gjendej një pjesë e trupit të martirit. Varr për Sari Salltëkun nuk ka vetëm në Krujë, por edhe në majën e malit të Pashtrikut në Has, në kishën e Shën Naumit në brigjet jugore të Liqenit të Ohrit, etj. Studiusi holandez, Machiel Kiel, ka zbuluar së fundmi në një regjistër perandorak Osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që të shpie nga qyteti i Krujës për tek varri i Sari Salltikut, ku thuhet: “ Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat vijnë për peligrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për tu ngjitur nga vizitorët”…,”…janë ngarkuar të shtrojnë, të sheshojnë e të ndreqin rrugën kurdo e kudo që ajo të prishet”…

Ndjehesh i mrekulluar. Të bëhet vetja si në ballkonin e perëndive. Syri rrokte gjithë Shqipërinë. Tiranën. Detin. Tomorrin. Kepin e Rodonit. Rrugën e Arbrit. Malin e Shëngjinit. Malin me Gropa. Lagunën e Patokut. Ishmin e piktorit të shquar, Ibrahim Kodra, etj. Një arrë e madhe, çuditërisht e vetme, gjallonte si monument qindravjeçar. Kujtesa e kohërave. Miku im. Isuf Neli, më tregoi se ajo majë, kishte qenë bazë e raketave në kohën e diktaturës. Vërtetë për tu çuditur! Ishte një antitezë e mahnitëshme me historinë, namin dhe simbolikën e vendit. Sari Salltëku, dëshmonte legjenda, kishte qenë një dervish i thjeshtë, kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një Kuçedër që e kishte shtëpinë në shpellën majë malit, kërkonte nga qyteti t’i blatonin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua. Dervishi i moshuar me mjekër të bardhë ishte dukur teksa ecte rrugëve me një degëz qiparisi në duar, kurse në brez kishte ngjeshur vetëm një shpatë druri, dëshmi e misionit paqtues. Legjenda thotë se radha i kishte ardhur vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për tu flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zdranga e zhele nuk e trembi vajzën. Pasi dervishi mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për tek Kuçedra. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga fryma e përflakur e Kuçedrës. Vajza po digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Me shpatën e drunjtë dervishi plak ia preu Kuçedrës të shtatë kokët. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi që të jetonte në shpellën majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij Sari Salltëku me katër hapa arriti Korfuzin. Gjurmët e tij duken edhe sot e kësaj dite në Fushë Krujë, Shijak dhe Durrës…

Sari Salltëku kishte përjetuar tmerrin ateist-komunist. Më 1967 ishte shembur vendi i shenjtë, por krutanët nuk ishin shkëputur nga besimi. Netëve, merrnin të përpjetën e mundimshme me dashin në krah, bënin kurbanin dhe ktheheshin pa iu trembur rrokullimës për në zgafellat e thella të malit. I ruante dhe prunte Sari Salltëku. (Të ndihmohtë!) Bektashinjtë i përbahen formulës: “Eline, diline, beline sahip ol”, që do të thotë “të mos vjedhësh, të mos gënjesh e të mos flasësh kot, dhe të mos bësh tradhëti bashkëshortore”. Për të mbrojtur këtë besim është masakruar martiri i besimit, Baba Myrtezai i Krujës, i cili pasi u turturua dhe gjymtua, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946.

….Ky njeri se ç’më kujtoi rilindasin tonë të madh, Naim Frashërin, me veprën “Fletore e Bektashinjet”, ku shprehet: “Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë. Miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Më një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s’mund të bënetë njeriu bektashi i vërtetë”…

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Turizmi i Krujes, Ylli Xhaferri

Gënjeshtra e “Mjekësisë falas”

September 6, 2017 by dgreca

*Ky është realiteti……kjo është e drejta e mohuar e sigurisë shëndetësore…..kjo është demagogjia dhe hipokrizia institucionale që çirret e gajaset e patrazuar në parajsën që i kemi përgatitur e dhuruar ne………pikërisht ne…….me heshtjen tonë/

 *“Bota nuk rrezikohet nga njerëzit e këqinj, por nga ata që tolerojnë të keqen”, ka shkruar Albert Einstein. Ishte dhe vazhdon të jetë kaq aktual ky përkufizim./

1-alma-Lico-ok-300x170

Nga Alma Liço- Mirakaj /

Diku, në periferi të Tiranës, mes kaosit të shtëpive të ndërtuara pa asnjë kriter urbanistik, prej shumë e shumë vitesh ndodhet një spital ku shtrohen qindra të sëmurë. Gjithsesi, mes luleve, pemëve dekorative, gjelbërimit dhe stolave të lyer bukur, së paku në ambientin e jashtëm, ai spital ofron një pamje të këndshme. Mrekullia shumëngjyrëshe, me sa duket përpiqet të zbusë trishtimin që fshihet pas atyre mureve.Pasi i kërkuam rojes të na lejonte të futeshim në portën hyrëse të godinës, pritëm më kot në holl mbërritjen e ashensorit. Një person i rastësishëm që kaloi pranë nesh, na bëri me dije se ata ishin të rezervuar vetëm për stafin e spitalit. Kësisoj, së bashku me tim shoq, ngjitëm me mundim shkallët e disa kateve dhe hymë në koridorin e pavionit ku ishte planifikuar shtrimi i tij. Dukej i strukturuar më së miri. Përgjatë tij, me epruveta e shiringa në duar, lëviznin me shpejtësi vajza e djem me uniforma infermierësh. Duke u përpjekur të kapërdinin lodhjen që u shkaktonin temperaturat e larta të ambientit, na përshendetën me mirësjellje e na uruan shërim të shpejtë.

Nga dyert e hapura të dhomave të pacientëve, ofrohej pamja e pezmatuar e fytyrave të zbehta të  të sëmurëve, të cilët atë ditë të nxehtë qershori, po sfiliteshin nga vapa e djersët, duke rënduar keqas gjëndjen e tyre. Në përpjekje për të shpëtuar disi prej saj, ata tundnin me vështirësi ndonjë copë kartoni apo gazetë të palosur, që u shërbente si freskuese. Zërat e tyre të pafuqishëm bashkoheshin me zhurmën e sustave të deformuara të shtretërve, që pothuajse preknin pllakat e dyshemesë.

Për të penguar disi rrezet përvëluese të diellit, në mungesë të grilave, xhamat e dritareve ishin mbuluar me gazeta që lëkundeshin, madje tek tuk dhe me batanije të vjetra që vareshin mbi komodinat me sirtare të shqyera. Sigurisht, këto ishin improvizime qesharake e arkaike të bëra nga vetë të sëmurët, apo të afërmit e tyre, që i vizitonin ata në oraret e lejuara. Në mungesë të ajrit të kondicionuar, ishte një orvatje e dëshpëruar për të zbutur në një farë mënyre ndikimin e atyre rrezeve,  që në orët e pasdites bëheshin të padurueshme. Në atë godinë të strukturuar bukur, nuk kishte kondicionerë. Vallë mungesa e tyre ishte për mungesë fondesh, apo vallë ato të holla kishin përfunduar në xhepa titullarësh e ministrash, që çuditërisht, brenda një kohe të shkurtër, shndërroheshin në super milionerë??

Pranë njerës prej dritareve, në një shtrat të vjetër, me tela të ndryshkur që kërkëllinin në mënyrë acaruese, qëndronte shtrirë një burrë rreth të gjashtëdhjetave. Instiktivisht ktheu kokën  në drejtimin tonë. Vështrimi i tij miqësor, i veshur me një solidaritet të paqtë, sikur na uronte mirëseardhjen. Ngjasonte me një aleancë të pashkruar që në mënyrë të pashpjegueshme vendoset mes të sëmurëve. Teksa shqiptoi disa fjalë, konstatova me keqardhje se nuk kishte asnjë dhemb në gojë. I ambientuar ndoshta prej shumë vitesh me mungesën e tyre, ai nuk kishte asnjë vështirësi të artikulonte mendimet e tij. Trupi i vogël  kishte humbur në një palë pizhama të gjera. E megjithatë ai lëviste energjikisht. Nuk e di pse pamja e tij e drobitur, më sillte ndërmend viktimat e burgjeve të diktaturës që zvarriteshin në hapësirat e ngushta prapa telave me gjemba, në kërkim të një shprese shumë të largët që pothuajse nuk ekzistonte.

Me përjashtim të barkut të fryrë, gjithçka tjetër që ishte trupi i tij, qëndronte strukur ndën ato pizhama. Sytë e lodhur, por dhe të ndritshëm njëkohësisht,  seç fshihnin një ankesë, një dilemë, një pamundësi për t’ja dalë mbanë. Ishte një ndjenjë e trishtë, një reflektim i zbehtë që ai përpiqej me naivitet ta injoronte. Ishte një reagim i ndrojtur që rrekej të mbulonte dështimin dhe mungesën e perspektivës. Një inferioritet i pa merituar, që në këtë shoqëri të pandjeshme shndërrohet në bashkëudhëtare e të mjerëve të pambrojtur, të braktisur në mëshirë të fatit. Nuk ka rebelim, as revoltë. Dinjiteti njerëzor ndjehet i prangosur përballë arrogancës, që përdhunisht imponon varfëria. Panatyrshmëria ka fituar të drejtën e së të natyrshmes.  Absurdi është ulur këmbëkryq.

Të nesërmen e asaj dite, ai burrë i tkurrur, duhej të linte ato ambiente. Mjekimi që nevojitej për kurimin e tij, nuk disponohej në spital. Së paku, kështu e kishin informuar mjekët e tij. Vërtet cinike, por fundja, nuk ishin ata përgjegjës për mungesën e ilaçeve. Betimi i shkelur i Hipokratit përcillej me nervozitet dhe zhgënjim për profesionin e tyre të përbuzur e nënvlerësuar nga institucionet ekzekutive. Megjithë përpjekjet për të kryer më së miri shërbimin ndaj pacientëve, fytyrat e pakënaqura të bluzave të bardha, vështirësisht  arrinin  ekuilibrin e domosdoshëm, që së paku të garantonte një komunikim normal më të sëmurët e varfër,  pacientët e përhershëm të atij spitali publik.

Por çuditërisht, në të njejtën kohë, sytë e atij burri të rrëgjuar shprehnin dashuri për dhuratën më të bukur të Zotit, atë të madhërueshmem, të papërsëritshmen, jetën. Bënte gjithçka për të sfiduar e mospranuar gjendjen e tij, fliste papushim për sportin, për miqtë e papunë me të cilët takohej çdo ditë për të zvarritur së bashku orët e pafundme të kotësisë. Bënte edhe ndonjë shaka.  Ishte, si të thuash, nga ata persona që me spontanitetin e tyre, të krijojnë përshtypjen se i ke njohur prej kohësh. Kishte diçka vetëngushëlluese në atë sjellje të dlirë e të shpenguar.

Ai duhej të siguronte mjekimin….jashtë spitalit….më saktë….ta blinte vetë atë………dyqind mijë lekë të vjetra…. Shumë që kapërcente  mundësitë e tij. E ku t’i gjente ai i gjorë ato të holla, kur jetonte vetëm me pensionin mjeran të së shoqes? E pra, ai duhej të linte spitalin, i pamjekuar, pa asnjë mundësi shërimi, pa asnjë garanci për jetën e vazhdimësinë e saj. Prej disa vitesh përjetonte të njejtin kalvar, dhe gjendja sa vinte e përkeqësohej. Në trishtimin e tij, nuk kishte asnjë grimcë rebelimi. Kisha lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që  kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Për këtë arsye priremi  të mos tentojmë për të ndryshuar situatën. Shembull i gjallë i kësaj gjëndjeje ishte i sëmuri i pashpresë që duhej të linte spitalin dhe qindra të tjerë që pranonin në heshtje korrupsionin e sistemit shëndetsor.

Kisha dëgjuar qindra histori të tilla të sëmurësh që duhej të blinin vetë ilaçet e  kurave te tyre. Spitali nuk ua siguronte. Kisha dëgjuar për zarfe me të holla që futeshin abuzivisht në xhepat e kirurgëve e specialistëve të tjerë. Madje një emision televiziv investigativ, pikërisht ato ditë, kishte denoncuar një rast të tillë në po atë spital. Kisha dëgjuar dhe për çarçafë e batanije të sjella nga shtëpitë e pacientëve, por kurrë më parë nuk kisha përjetuar kaq drejpërdrejt këtë pamundësi dhe përdhosje ndaj nevojës për t’u kuruar, dhe të drejtës për të jetuar. “Mjekësia falas” ishte dhe vazhdon të jetë një gënjeshtër e madhe që godet në mënyrë mizore më të varfërit,  jeta e të cilëve  është kaq e pavlerë.

Teksa e shihja të pashpresë, mendja ime fluturonte në sallat luksoze ku broçkullitej e jargavitej për politikat e mirëqënies dhe shanseve të barabarta….imagjinata më çonte në ambientet që frekuentojnë të pasurit e korruptuar, fals, arrogantë e të pashpirt. Të shndërruar në robër të aparencës dhe jetës pa përmbajtje,  as që u bën përshtypje shuarja e një jete për mungesë të hollash.  Fundja ky nuk është problem i tyre. Bota e vogël dhe meskine i ka mbështjellë si një rrjetë me fije të mëndafshta, dhe ata enden brenda saj në një garë të çfrenuar karrierizmi e pasurimi abuziv, nga e cila nuk arrin të dalë askush i fituar. Së paku, jo në dimensionin njerëzor.

Dy orë më pas, kishte përfunduar orari i qëndrimit të vizitorëve pranë të sëmurëve. Një punonjës i sigurisë, me ton urdhërues më njoftoi se duhej të largohesha prej aty. Teksa zbrisja me shpejtësi shkallët, më oshëtinte  në vesh një njoftim, sipas të cilit, disa ditë më parë ishte shpërblyer me tre paga mujore ish ministri i shëndetësisë për “sukseset” në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Hipokrizi e neveritshme dhe ulëritëse. Sa cinik ishte ky vlerësim i pamerituar për gjendjen e pashpresë të atij pacienti, dhe qindra të tjerëve që ndodheshin në situatën e tij. Një ministër që shpërblehej me disa miliona për misionin e tij të papërmbushur, dhe qindra të sëmurë që flakeshin në rrugë, në pamundësi financiare për t’u kuruar. Jetë që zvarriten e shuhen mizorisht për mjekimin e munguar për shkak të korrupsionit galopant të sistemit banditesk.

Ky është realiteti……kjo është e drejta e mohuar e sigurisë shëndetësore…..kjo është demagogjia dhe hipokrizia institucionale që çirret e gajaset e patrazuar në parajsën që i kemi përgatitur e dhuruar ne………pikërisht ne…….me heshtjen tonë……me mos reagimin tonë……Deri kur do lejojmë që kjo të ndodhë?

“Bota nuk rrezikohet nga njerëzit e këqinj, por nga ata që tolerojnë të keqen”, ka shkruar Albert Einstein. Ishte dhe vazhdon të jetë kaq aktual ky përkufizim.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Alma Lico Mirakaj, falas, Genjeshtra e Mjeksise

SHBA, 6 autoblinda të reja për Ushtrinë Shqiptare

September 6, 2017 by dgreca

Forcat e Armatosura Shqiptare, pajisen me 6 autoblinda të reja, dhuratë nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA/

1-3Nga Shefqet Kërcelli/4

Më datën 5 shtator në Garnizonin e Zall-Herrit, u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të mjeteve të blinduara, dhuratë nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Forcat tona të Armatosura morën në dorëzim 6 mjetet e para të blinduara, dhuruar nga qeveria e SHBA-së, me vlerë 300 mijë dollarë. Paketa përfshin në total 248 mjete të blinduara, me vlerë 12 milionë dollarë, ku vëndi ynë do të paguajë vetëm shpenzimet për transportin dhe mirëmbajtjen. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes në largim, znj.Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Ambasadori i SHBA në vendin tonë Shkëlqesia e tij, Z.Donald Lu, Komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneral brigade Nazmi Cahani, Atasheu ushtarak i SHBA dhe përfaqsuesi i ODS,{Zyra amerikanë në MM}, Komandantë Forcash dhe repartesh të FA, Drejtorë Drejtorish në MM dhe SHP, etj. Fillimisht Ministre e Mbrojtjes znj.Mimi Kodheli, falenderoi dhe shprehu mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se, “Historia e marrëdhënieve tona është e shtrirë përgjatë gjithë reformave të FARSH. 3.autoblindat e rejaKëto mjete janë pjesë e paketës së mjeteve të blinduara, projekt që ne e nisëm që në vitin 2015. Kjo paketë, përkthehet në më shumë angazhime të përbashkëta dhe në fund të fundit, në më shumë siguri”. Në vijim zonja Kodheli vlerësoi paketën e mjeteve të blinduara, me të cilat do të pajiset batalioni i 2-të i Këmbësorisë së Forcës Tokësore, si jashtëzakonisht të rëndësishme në kuadrin e modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve operacionale, të këtij reparti prioritar të FARSH. “Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane dhe taksapaguesit amerikanë, Zyrën e bashkëpunimit amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, {ODS}, për mbështetjen e tyre të pakufishme, duke i siguruar se kjo mbështetje do të përligjet nga ana jonë”, nënvizoi Kodheli. 2-2Kjo ndihmë vjen absolutisht në kohën e duhur, në momentin kur Batalioni i Dytë i Këmbësorisë po rrit ndjeshëm angazhimet në kuadër të Aleancës dhe kjo do të ndikojë cilësisht në përmbushjen e detyrimeve, objektivave e kapaciteteve”, tha Kodheli. Në fund, Ajo falenderoi Ambasadorin Donald Lu, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që ka pasur me Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë periudhës që Ajo drejtoi këtë dikaster të rëndësishëm. 5Ndërkohë Ambasadori amerikan Donald Lu, në përshëndetjen e tij, theksoi rolin e Shqipërisë si një aleat i veçantë i Shteteve të Bashkuara dhe përmendi avantazhet që përfaqësojnë këto mjete. Zoti Lu evidentoi disa nga të dhënat tekniko- taktike, që zotërojnë këto mjete duke theksuar se, Shqipëria tashmë bëhet një nga katër aleatët e SHBA në Evropë, që ka në zotërim këto lloj mjetesh të blinduara. Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë, mitraloz të lehtë si dhe granatëhedhës.  Sqipëria është vendi më i vogël, por më entuziasti i NATO-s. 7
Me këto mjete, ju nuk do të jeni vetëm më entuziastët, por edhe më të shpejtë”, tha LU. Gjithashtu zoti LU u shpreh se, “Kjo aftësi e re do të jetë një hap vendimtar që FA të Shqipërisë të arrijnë objektivin parësor të NATO-s, që të kenë një grup këmbësorie të modernizuar plotësisht operacional dhe autonom deri në 2019”. Në mbyllje të përshëndetjes së tij, Ambasadori i SHBA në vendin tonë z. Donald Lu, ka përgëzuar Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun për caktimin në detyrën e tij të re si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, si dhe falenderoi Ministren e Mbrojtjes në largim, Znj.Mimi Kodheli për bashkëpunimin e frutshëm gjatë këtyre viteve që ajo drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes.

Shënim: gazeta “Dielli” e ka pasqyruar këtë projekt të rëndësishëm për Ushtrinë shqiptare që në fillimet e tij.

Filed Under: Featured Tagged With: 6 autoblinda të reja, për Ushtrinë Shqiptare, SHBA, Shefqet Kercelli

Klaudia Kallollari: Pasqyrimi i shpirtit nëpërmjet fotografisë

September 6, 2017 by dgreca

Klaudia Kallollari
 Klaudia Kallollari që në moshë të vogël ka qenë e apasionuar pas vizatimit, veçanërisht ndaj dizenjimit të veshjeve, fashion designer e më vonë edhe ndaj fushës së fotografisë. Fotografon natyrën dhe landscape të vendeve që frequenton, portrete, foto të jetës së përditshme, por ka dhe një dëshirë të madhe ndaj fotografive “Fashion”, e cila e mundëson të lidh bashkë dy pasionet e saj më të mëdha: fotografisë dhë dizajnit.
Kristiana Marku (Foto Kredit Klaudia Kallollari)
 Ne Foto: Kristiana Mark-Foto Kredit Klaudia Kallollari/
Porto Palermo (Foto Kredit Klaudia Kallollari)
Ne foto:Porto Palermo-Foto Kredit Klaudia Kallollari/
Klaudia Kallollari, ka lindur në 16.12.1990 në qytetin e Fierit, në të cilën ka kaluar dhe fëmijërinë e saj dhe ka frekuentuar shkollën 8-vjeçare “Naim Frashëri”. Në moshën 15 vjeçare u transferua me familjen në qytetin e Tiranës, ku ka kryer gjimnazin të shkolla e mesme e përgjithshme “Arben Broci”. Në vitin 2014 Klaudia ka përfunduar studimet në Master Shkencor “Kimi Industriale Mjedisore” dhe prej afërsisht 1 viti punon si inxhiniere kimiste dhe mjedisi.Shëngjin (Foto Kredit Klaudia Kallollari)
:Ne Foto:Shengjin-Foto Kredit Klaudia Kallollari/
Sapo kam ndjekur një kurs 3 mujor për fotografinë në studio dhe terren të organizuar nga Agjensia “Grace Models Albania”, me leksione nga fotografi i njohur z. Artan Korenica. 
Andi Selimaj (Foto Kredit Klaudia Kallollari)
 
Ne Foto:Andi Selimaj-Foto Kredit Klaudia Kallollari/
Intervista me Klaudia Fallollari
Bisedoi: Ermira Babamusta
 
Na trego pak për veten tuaj, fëmijërinë dhe fillimet në profesionin tuaj si fotograf?
Endi Çini (Foto Kredit Klaudia Kallollari)_2
 Ne Foto:Endi Cini-Foto Kredit Klaudia Kallollari/
Klaudia Kallollari: Quhem Klaudia Kallollari, jam 26 vjeçe dhe kam lindur në qytetin e Fierit, ku dhe kam kaluar fëmijërinë time,e cila ka qënë një fëmijëri e thjeshtë, e mbushur me momente të lumtura e kujtime të bukura, midis tyre do veçoja lojërat me moshatarët e mi. Në moshën 15 vjeçare jam zhvendosur me familjen në qytetin e Tiranës, ku dhe kam përfunduar gjimnazin e më pas kam ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyres, Universiteti i Tiranës.Klea Dalipi (Foto Kredit Klaudia Kallollari)
 Ne Foto: Klea Dalipi-Foto Kredit Klaudia Kallollari/
Fotografia për mua ka qënë një ndër pasionet e herëshme, i cili ka ardhur duke u rritur,veçanërsisht pas moshës 18 vjeçare.
 Me çfarë projekti po merreni tani?
 Klaudia Kallollari: Aktualisht më së shumti jam përqëndruar në punën si inxhiniere kimiste dhe mjedisi për të cilën kam mbaruar studimet, por pa lënë pas dore pasionin për fotografinë, pasi në muajin gusht sapo përfundova një kurs fotografie, të organizuar nga agjensia “Grace Models Albania”,me leksione nga fotografi i njohur z. Artan Korenica.
Çfarë do të thotë arti dhe fotografia për ju?
 Klaudia Kallollari: Arti për mua është pasion,të cilin unë e kam shprehur në forma të ndryshme si: pikturë, fashion designer dhe fotografisë. Por fotografia përfaqëson formën më të gjallë të të shprehurit të këtij pasioni, e të të shfaqurit të përjetimeve dhe të botës së brendshme të secilit prej nesh. Një fotografi “flet”, “na rrefen”, ndaj mjafton ta dish ta dëgjosh e ta kuptosh.
 Me çfarë lloj fotografie meresh?
 Klaudia Kallollari: Përgithësisht pak nga të gjitha: portrait, landscape ose natyre (një gjener shumë i dashur për mua), fotografimi i kafshëve, ku si protagoniste kësaj lloj fotografie është macja ime Aria, si dhe fotografimi i jetës së përditshme, pra street photography.
 Çfarë ju jep frymëzim në punën tuaj?
 Klaudia Kallollari: Dëshira për të kapur momentin dhe për ta transmetuar te shikuesi. Përgjithësisht preferoj që fotot e mija të kenë ngjyra, gjallëri, të transmetojnë jetë, por jam dhe një adhuruese e fotografisë Bardh e Zi, pasi e shof si një pasqyrim të shpirtit.
 Me cilin projekt tuajin krenoheni më shumë?
 Klaudia Kallollari: Deri tani më së shumti kam fotografuar portrete, natyrë ose landscape si dhe jetën e përditshme, kam kapur momentin e duhur në çastin e duhur. Por për më tej kam dëshirë të merrem edhe me fotografi me tematikë Fashion ose Beauty, fushë që lidhet ngushtë dhe me pasionin tim për pikturën dhe fashion designer.
 A planifikoni ndonjë galeri shou në të ardhme dhe cilat galeri /tema keni organizuar më përpara nëse po?
 Klaudia Kallollari: Momentalisht jam duke planifikuar të ndjekë studime të mëtejshme rreth fotografisë e artit, ndoshta në të ardhmen kam dëshirë të organizojë një galeri shoë, ku ndër tematikat më interesante për mua është pasqyrimi i jetës së femrës shqiptare, të moshave dhe kategorive sociale të ndryshme. 
Përveç fotografisë, me çka tjetër merreni, keni pasione të tjera?
 Klaudia Kallollari: Momentalisht punoj si inxhiniere mjedisi dhe kimiste, ndërkohë që ndjek dhe pasionet e tjera të mija si: piktura,muzika ku do veçoja rock-un klasik, leximi i librave, ecja në natyrë, kangoo jump, etj.
 Çfarë do të komunikosh me artin tënd te publiku?
 Klaudia Kallollari: Nëpërmjet artit dëshiroj të komunikoj botën e brendshme si të timen si fotografe, por veçanërisht të personit të cilit jam duke fotografuar.
 Çfarë e veçon artin tënd nga të tjerët?
 Klaudia Kallollari: Mendoj se të gjithë artistët i veçon nga njeri tjetri pasioni me të cilin i transmetohen publikut. Pasioni ndaj fotografisë është e përbashkëta midis nesh, për secili e ngjyros në formën e vetë, ndaj kjo gjë na bën të jemi aq sa të ngjashëm edhe unik.
 Cilat projekte do konsideronit të suksesshme?
 Klaudia Kallollari: Si suksesin tim më të fundit konsideroj përfundimin e kursit për fotografinë ku kam marr një informacion më të detajuar e shumë të vlefshëm për hapat e mëtejshme që dëshiroj të ndërrmarrë në këtë fushë. Një sukses tjetër i madh për mua është dhe përfundimi me sukses i studimeve në Mastër Shkencor për Inxhiniere Kimiste, të cilin e ushtroj edhe si profesion.
Cilat janë planet e tuaja për 2017 dhe synimet në të ardhme?
 Klaudia Kallollari: Sapo kam përfunduar kursin e fotografisë,ndaj nuk kam planifikuar diçka të mëtejshme në fushën e fotografisë, sepse ka pak kohë që i jam dedikuar profesionit si inxhiniere. Por gjithmonë pa lënë pas dore fotografinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, Klaudia Kallollari, nëpërmjet fotografisë, Pasqyrimi i shpirtit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT