• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

PËRSËRI SHTYRJE SEANCËS PËR DEMARKACIONIN

February 23, 2018 by dgreca

-Shtyhet për herë të tretë seanca e Kuvendit të Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi, në pritje të konsensusit dhe së paku 80 votave të nevojshme të parlamentit 120 anëtarësh/

 1 Kuvendi shtyrje prapeGazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-Kuvend-Kosove-22-shkurt-2018-

 -Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 23  Shkurt 2018/ Shtyhet për herë të tretë, për të mërkurën e javës së ardhshme,  seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.  Nisi sot rreth orës 10:20, e  thirrur për dje në orën 11:00, por e shtyrë pa filluar e pas më shumë se dy orë qëndrimi të deputetëve në sallë në pritje të sigurimit të votave, ndërkohë që edhe gjatë mbrëmjes së kaluar deri vonë kanë vijuar përpjekjet për një koncensus të partive parlamentare nga maxhoranca e opozita, ku janë përfshirë edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë.Seanca sot që në fillim nuk kishte kuorum, meqë në sallën plenare nuk ishin deputetetët e Lëvizjes Vetevendosje dhe të Listës Serbe, prandaj kryatari i Kuvendit Kadri Veseli dha pushim në pritje të ardhjes së deputetëve që mungonin.“Për të vijuar seanca na duhen 2/3 e deputetëve në sallë (së paku 80)”, tha kryeparlamentari.“93 deputetë janë në sallë”, konstatoi Veseli kur deputetë që mungonin, jo të gjithë, hynë në sallën plenare.Seanca vijoi me deklarimet e kërkuara nga kryeparlamentari për “shmangie nga rregullorja”  të shefave të grupeve parlamentare, duke nisur me VV dhe LDK. “Nuk kemi kolegë nga Lista Serbe”, konstatoi më tej kryetari i Kuvendit kur erdhi radha të deklarohet përfaqësiuesi i grupit parlamentar të komunitetit serb, pasi u deklarua edhe grupi parlamentar i PDK.

Seanca vijoi me deklarimet e AAK-së e Nismës për Kosovën.Më pas kryeministi Ramush Haradinaj tha se ka dy vjet e gjysmë që skena politike kosovare  është ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin vendit, me kufirin  me Malin e Zi,  ndërsa duke iu drejtuar LDK-së tha se “asnjë germë nuk i hiqet” asaj që ka proceduar qeveria për Projektligjin, nuk hiqet as Dokumentacioni i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.“Projektligji për demarkacionin ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Për të parë dilemat, qeveria ka formuar një komision, i cili ka nxjerrë një raport”, tha kryeministri.Pasoi replika e shefit të grupit parlamentar të LDK, Avdullah Hoti dhe kundër-replika e kryeministrit, ku kishte edhe ashpërsi.Grupi parlamentar Gjashtë Plus përmbylli deklarimet e grupeve parlamentare  “për shmangie nga rregullorja”, që shqyrtimi të ishte me procedurë të përshpejtuar.Kryeparlamentari dha përsëri pushim për konsultime për vijimin e seancës më tej. Ai i ftoi në takim shefat e grupeve parlamentare në kabinetin e kryetarit të Kuvendit.Pas pushimit për konsultim, ku nuk ka marrë pjesë shefi i grupit parlamentar të VV-së, seanca vijoi përsëri  me deklarime të grupeve parlamentare për  çështje procedurale, ku u theksua dakordimi i LDK, PDK, AAK, Nismës për Kosovën e grupit parlametar Gjashtë Plus të pakicave që seanca të shtyhet në pritje të një konsensusi për kalimin e projektligjit.  Deputetët votuan me shumicë pro që seanca të shtyhet për të mërkurën e javës së ardhëshme në orën 10:00.Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte ftuar edhe për  18 shkurt 2018, në orën 18:00,  por po në atë mbrëmje u njofua se nuk do të mbahet.Në një adresim para deputetëve, dje pasdite, ku njoftoi shtyrjen e seancës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehu optimizmin për arritjen e një konsensusi lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit qeverisës me grup parlamentar prej 23 deputetësh, e drejtuar nga Veseli, mbrëmë vonë deklaroi se, vlerëson lart angazhimin e partive politike parlamentare për arritjen e konsensusit nacional për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Arritja e konsensusit, për të cilin sot kishte përpjekje, është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë”, theksonte deklarata e dërguar.PDK shpreh bindjen e plotë se subjektet politike janë shumë afër arritjes së unitetit ndërpartiak që Marrëveshja për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të ratifikohet sa më shpejtë.

“PDK do të angazhohet edhe nesër që të arrihet ky konsensus. PDK falënderon përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike parlamentare për dialogun konstruktiv lidhur me gjetjen e zgjidhjes për çështjen kryesore në raport me liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët tonë”, përfundon deklarata.

Poashtu  në mbrëmjen e djeshme, partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“LDK-ja u bën thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga LDK-ja dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse. LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, theksonte deklarata.

 Për kalimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi duhen së paku 80 vota nga 120 deputetët sa janë gjithësej, derisa koalicioni qeverisës ka 61 vota, 10 prej të cilave janë të Listës Serbe, tre ministrat e së cilës në qeveri kanë abstenuar në votimin për këtë projektligj. Dje rreth mesditës, derisa vononte nisja e seancës së ftuar, Lista Serbe, e cila mungonte në sallën e Kuvendit,  deklaroi përmes një komunikate se nuk do ta votojë Projektligjin për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.

Ratifikimi nuk mund të ndodhë pa votat e opozitës, por Lëvizja Vetëvendosje, që është edhe grupi më i madh parlamentar me 32 deputetë ka paralajmëruar votim kundër, madje ka bërëbërë “thirrje për mosvotim”. Lëvizja Vetëvendosje u pa dje në sallën e seancave planare të Kuvendit e “armatosur” jo me gaz lotsjellës siç ka ndodhur viteve të kaluara, por me pako të mbushura me peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër demakacinit të organizuar në kohën kur edhe  partia e kryeminisrit të tashëm ishte në opozitë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që është grupi i dytë parlamentar me 27 deputetë, në seancën e ftuar për dje e që u shty për sot shkoi me qëndrimin se është unanimisht pro, por “nuk mund të mbështesë ratifikimin e Projektligjit nëse i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”.

Qeveria në mbledhjen e pasditës  së të martës së 20 shkurtit miratoi plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe e procedoi në Kuvend për miratim.

“Pjesë përbërëse të këtij Projektligji janë: 1.Marrëveshja për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015; 2.Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit shtetëror; dhe 3.Deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, e datës 16.02.2018”, theksonte qeveria.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit kosovar, nëse do mbahet pa arritjen e një konsensusi, pritet shumë debat dhe me replika, por Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pritet të mos hidhet në votim derisa të sigurohen  së paku 80 votat e nevojshme për ta kaluar.

Në mbledhjen e paraditës së 20 shkurtit 2018 qeveria mori vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Procedimi më i ri, me vendimin e  mbledhjes së pasditës së 20 shkurtit 2018, i projektligjit për ratifikimin e demarkacionit nga qeveria në Kuvend është i treti.

Procedimi i dytë ishte me vendim të mbledhjes së qeverisë të 4 dhjetorit 2017.

Procedimi i parë ishte në 4 gusht 2016  me vendim të mbledhjes së qeverisë së udhëhequr atëherë nga kryeministri Isa Mustafa me miratim njëzëri të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore.

Më pas, qeveria Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit të Kosovës me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Haradinaj i ka propozuar qeverisë së re shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqin, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit të ri Shtetëror për Demarkacion.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

 Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, shtyhet serish seanca

Ekspozita në Muzeun e Kosovës-Edhe xhaketa e ambasador William Walker

February 23, 2018 by dgreca

-Janë prezantuar edhe xhaketa e ish-Shefit të Misionit Verifikues të OSBE në Kosovë, William Walker, që e kishte veshur gjatë luftës së përfunduar në qershor 1999 dhe gjësendet personale të ish-Sekretares Amerikane  të Shtetit, Madeleine Albright/

1 ekspozita Kjo.jpg1 ekspozita.JPG1 ok ekspozita41 ekspozita 1.jpg1 Dorjani

 PRISHTINË, 23  Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Eksponate të trashëgimisë kulturore nga periudha e Neolitit e deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 janë prezantuar sot në hapjen e “Ekspozitës Bazë” në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, e para e konceptuar si e tillë.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar eksponate të rëndësisë së veçantë si: Medaljoni i Probit, Sarkofagu i Dresnikut, kopja e Vrapueses së Prizrenit, Monumenti Votiv i Perëndeshës Dardane nga Smira dhe eksponate të heronjve kombëtarë Isa Boletini e Adem Jashari.

Po ashtu janë prezantuar dhe janë të hapura për t’i parë qytetarët edhe xhaketa e ish-Shefit të Misionit Verifikues të OSBE në Kosovë, William Walker, që e kishte veshur gjatë luftës së përfunduar në qershor 1999 dhe gjësendet personale të ish-Sekretares Amerikane  të Shtetit, Madeleine Albright.

Këto artefakte pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të Kosovës, u tha në hapjen e ekspozitës, ku mori pjesë edhe ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi.Ai theksoi se aktiviteti po organizohet në 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.Eksponatet dhe artefaktet e ndryshme që janë prezantuar sot në ekspozitë janë mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë ndërmarrë nga institucionet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe nga specialistë vendorë e ndërkombëtarë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ekspozita Kulturore, William Walker, Xhaketa

Hahn kërkon ta zgjidhë Çështjen Çame, Rama ta vrasë

February 23, 2018 by dgreca

…Çështja Çame dhe Çamëria nuk janë jetime apo në duart e vasalëve të Athinës, gjithnjë në momente të rëndësishme shqiptarët kanë ditur t’i dalin zot çështjeve kombëtare, prandaj sot duhet të përkrahim Çështjen Çame nga Kosova, Maqedonia e diaspora që historia mos të na gozhdojë në shtyllën e turpit si vasalë e tradhtarë./

2 rama Hahn

Nga Arben Llalla/

Në Samitin e KE dhe BE që u mbajt në Sofje të Bullgarisë nga 15-16 shkurti, ku qe i pranishëm komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn u shpreh shqetësimi që nazionalizmi i tepruar grek është duke u kthyer në një kërcënim për Europën. Këtë e bën me dije Princi i Litejshtejnit Mikael.

Qeveria greke ka nxitur gjithashtu mosmarrëveshje me Shqipërinë mbi depozitat e naftës e gazit në detin Jon, por edhe për kthimin e komunitetit çam, një minoritet etnik shqiptar, të cilin e detyruan me forcë të shpërngulej nga trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas këtij raportimi, stabiliteti i rajonit për vendet e Ballkanit Perëndimor është në rrezik, për shkak të veprimeve të fundit të Greqisë. Kjo është hera e dytë brenda pak kohëve që Çështja Çame rrëfehet si një problem që duhet zgjidhur në prani të komisionerit Johannes Hahn.

Por, në të njëjtën kohë qeveria e Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati janë të gatshëm ta varrosin Çështjen Çame duke pranuar urdhërat e Greqisë së Tsipras dhe Kotzias. Nikos Kotzias ka urdhëruar Bushatin që brenda qershorit fjala “Çamëri” dhe “çam” duhet të hiqet nga librat shkollorë të Republikës së Shqipërisë. Greqia ka propozuar se është e gatshme që tekset e mësimit të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë t’i përgatisë dhe t’i shtypë Athina.

Komisioneri Hahn nuk është zëri i vetëm në Bashkimin Europian që ngre problemin e Çështjes Çame, që kërkon një zgjidhje midis Greqisë dhe Shqipërisë. Një vit më parë ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili deklaroi se Çështjet historike duhet të diskutohen mes dy vendeve për të shkuar drejt zgjidhjes. Ai pati thënë: “Jam shumë dakord me atë çfarë tha komisioneri Johannes Hahn, që Çështja Çame i përket dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë si pjesë e bisedimeve mes dy qeverive të tyre.”

Pikërisht, tani që Çështja Çame është në majat e saj, qeveria e Edi Ramës bashkë me ministrat e tij Bushati, greken Drilos, kërkon ta zhdukë atë nga faqja e dheut, mundësisht ta kthejë në pikën e turpit. Të zhdukësh emrin “Çamëri” që të të njohë greku patentat, është të mbulosh diellin me shoshë.

Të njohësh minoritetin grek në Himarë, kur nuk ta lejoi kurrën e kurrës askush që nga Zogu e deri tek mësuesi i idealeve, Enver Hoxha, është të falësh tokë dhe të ushqesh idenë e Vorio Epirit. Heqja e emrit “Çamëri”, marrëveshja e detit, ndërtimi i mijëra varreve bosh dhe shpallja me status e minoritetit grek në Himarë, ku nuk ka këmbë greku askund, do të thotë të plotësosh aspiratën shoviniste greke të Epirit të Veriut dhe Magalo Idesë, gjë që mbetet veç formalitet të shpallet në tokën shqiptare. Madje, Edi Rama dhe Ditmir Bushati duhet të marrin pjesë në ceremoninë e shpalljes së Vorio Epirit, sepse atë që nuk e bënë nazistët e Agimit të Artë, po e bëjnë komunistët internacionalistë të Tiranës.

Por, Çështja Çame dhe Çamëria nuk janë jetime apo në duart e vasalëve të Athinës, gjithnjë në momente të rëndësishme shqiptarët kanë ditur t’i dalin zot çështjeve kombëtare, prandaj sot duhet të përkrahim Çështjen Çame nga Kosova, Maqedonia e diaspora që historia mos të na gozhdojë në shtyllën e turpit si vasalë e tradhtarë.

Filed Under: Featured Tagged With: ceshtja came, Edi Rama, Johannes Hahn

Genocidi armen, Hollanda dhe Shqipëria

February 23, 2018 by dgreca

2-Ilir-196x300-1

Nga Ilir Levonja/

Sot bota e sulltanit Erdogan është tepër e trazuar. Parlamenti i një vendi të vogël si Hollanda, vendosi me 150 vota pro dhe 3 kundër, njohjen e genocidit armen. Atë që turqit e rinj ushtruan prej prillit 1915 deri në 1920 karshi kulturës, intelektualëve dhe besimit kristian të armenëve. Jo pak por 5 vjet, masakra, reprezalje = mizori. Aq sa kur futesh galerive të kërkimit të fakteve, të ngjethet mishi nga bëmat çnjerëzore dhe mendjet që i ideuan ato. Atë botë Armenia ishte pjesë e perandorisë otomane. Nje vend i vogël, me një popullatë prej afro 2 milonë banorë. Nënshtruar dhe inkuadruar brenda perandorisë madje duke kontribuar ashtu si edhe vende të tjera nën ‘të, me intelektualë, krahë punë, rektrutë apo nizamë siç edhe thirreshin ushtarët e rinj. Eshtë një gjenocid i pashoq, për faktin se nuk kurseu as ata armenë që për të përfituar privilegje sociale, më shumë të drejta, më shumë liri, prona dhe armë…, u konvertuan nga katolikë në mysliman. Një stil otoman tashmë i njohur për të gjithë. Madje këta ishin të parët që iu nënshtruan dhunës. Edhe pse jetonin brenda Stambollit dhe kishin kontribute në ndërtimin e perandorisë. Kjo njihet edhe si nata e errët, apo e diela e kuqe e Stambollit (24 prill 1915) kur nga një urdhër i ministrit të brendshëm të kohës Mehmet Telat Pasha nisi tmerri i spastrimit etnik. Familje të tëra armene të dëbuara dhe të dënuara të ecnin në këmbë në shkretëtirën e Mesopotamisë. Kush ndalonte, vritej në vend. Sipas kronikave të kohës, shumë syresh këputeshin në këmbë, shembeshin në rërë të rraskapitur e djegur për një pikë uji. Kufoma që ecnin. Kush kapi pikën e grumbullimit, u masakrua me jataganë e plumba kokës. Nga ky spastrim etnik, Armenia llogaritet të ketë humbur rreth 1 milion e gjysëm njerëz. Dhe ta mendosh që ishte afro tek 2 milion banorë. Nga një rishkrim i fundit del që numri i saktë përkon me shifrën 388 mijë armenë që mbijetuan. Nuk është e vështirë të perceptohet se sa e madhe është gjëma. Dhe se Armenia në raport me popullatën, ka numrin më të madh të martirëve. Një dhimbje që sado njohjes nuk mund ta shuaj asesi lumin e lotëve të nënave armene. Sot bota e qytetëruar e njeh këtë si genocidi i parë në historinë moderne të njerëzimit.

Në fakt vota holandeze ka një rëndësi thelbësore për kohën.

E para nje vend demokratik që historinë e kolonizimit e ka marrë mbi vete duke i hapur dyert emigrantëve me shumicë. Madje njihet sot si një model i Amerikës së madhe. Ose si Amerika e vendeve të ulta në bregun lindor të atlantikut.

E dyta si e tillë nuk u nënshtrohet presioneve nga jashtë, në rastin konkret të pallatit presidencial në Ankara. Aq më tepër që në Hollandë jeton e punon një komunitet i madh turk.

Këtë e dëshmoi edhe vjet duke mos i dhënë vizë deri ministrit të jashtëm të Turqisë, i cili për llogari të Erdoganit, kërkonte të bënte tubime e fushatë elektorale në vendin e vogël.

E treta, jo vetëm për gjakun e humbur të armenëve, por stadi i civilizimit të bën sot të mos heshtësh përballë padrejtësisë.

Por që gjithsesi për ne, është një model që stonon në Shqipërinë tonë. Sepse jemi tashmë të pushtuar ekonomikisht nga otomanizmi.

Pak muaj më parë, Shqipëria votoi kundër kërkesës së presidentit të Amerikës në OKB, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Kjo sipas qeverisë, vet atij të parruarit në krye, një votë plotësisht luajale karshi politikës së parlamentit europian. Mirëpo në rastin e genocidit armen njohja nuk mungon. Me një fjalë parlamenti europian e njeh genocidin që Turqia otomane bëri në Armeni. Kurse ne jo… Megjithëse si komb me popullatë afërmendsh të njëllojtë me armenët, me histori të lashtë afërmendsh njëlloj me ta, nuk na e ka ënda.

Nuk na e ka ënda të jemi aleatë të vetvetes. Të popujve me fate të përbashkëta. Vetëm për ca thërrime lëmoshash për ndërtime xhamish dhe aeroporte që ne i quajmë investime.

Filed Under: Politike Tagged With: Genocidi armen, Hollanda dhe Shqipëria, Ilir Levonja

Në kujtim të mikut tim të shtrenjtë Petrit Skënde

February 22, 2018 by dgreca

1 ok PETRIT SKËNDE

Nga Robert Kushe, fizikan/Në telefonin tim celular marr lloj-lloj mesazhe, fotografi a video, herë serioze,  herë komike, herë paradoksale, herë të çuditshme. Nuk më kishte ndodhur të merrja mesazh te hidhur. Por ja që edhe kjo ndodhi me 20 Shkurt 2018 kur më njoftuan që një nga miqtë e mi më të shtrenjtë, një nga miqtë e mi më të rrallë kishte ndërruar jetë. Petriti nuk jetonte më, Petriti ishte larguar nga kjo botë dhe kishte filluar të ngjiste “stairway to heaven”.Kishte ndodhur diçka e keqe e pakthyeshme. Nuk do të merrja më e-mail prej tij, nuk do të flisja më me të ne skype, nuk do të kisha më kë të pyesja po të më duhej ndonjë mendim a përgjigje. Se Petriti kështu ishte, i gatshëm të diskutonte e debatonte, i gatshëm të vinte në punë logjikën e tij pa cen, i gatshëm të ndihmonte këdo që kërkonte ndihmë.Kur u emërova në Institutin e Fizikës Berthamore në vitin 1979, pasi kisha bredhur ca vjet malësinë e Mokrës si mësues i fizikës, Petritin e gjeta atje nëndrejtor dhe shef të sektorit të radiometrisë. Duhet të ishte atëhere rreth të dyzetave, po tregonte më i ri dhe kishte në fytyrë një buzëqeshje të lehtë që nuk i ndahej si kur fliste me pasionin e tij karakteristik, ashtu edhe kur qetësisht dëgjonte me vëmendje ç’i thoshe. Por ajo që më bëri të dëshëroja ta kisha mik këtë njeri, unë që gjithnjë kisha pasur probleme me autoritetin, ishte se në mënyrën më të natyrshme hendeku që zakonisht egziston midis eprorit dhe vartësit, midis atij që administrativisht jep urdhëra dhe atij që duhet t’i zbatojë, sikur mbyllej me magji.

Ishte e zakonshme të dëgjoje në korridoret e institutit: “A fole me profesor Petritin?”, “A e pyete profesor Petritin?”, “A është në dijeni profesor Petriti?”, gjë që jo vetëm tregonte autoritetin e padiskutueshëm shkencor që gëzonte Petriti në Institut, por edhe dashamirësinë që ai tregonte ndaj të gjithëve pa përjashtim, pavarësisht nga pozicioni shkencor ose administrativ i punonjësve, gjë që e bënte shumë të lehtë dhe pa komplekse komunikimin me të.

E kishte filluar shumë herët karrierën shkencore; qysh kur ishte student i Fizikës, pati botuar në revistën e Akademisë së Shkencave të BS, si bashëkautor me profesorin e vet sovjetik të Universitetit të Tiranës, një artikull me temë nga Elektrodinamika. Pas prishjes me sovjetikët dhe largimit të profesorëve sovjetikë, Petriti filloi të japë leksione të elektrodinamikës, kur ish-profesori i tij u largua. Vazhdoi karrierën pedagogjike, derisa me krijimin e Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore, më pas Instituti i Fizikës Bërthamore, u josh nga një karrierë tjetër, më sfiduese, më emocionuese e më ngacmuese, ajo e kërkuesit shkencor.

Deri në atë kohë, në Shqipëri pothuaj nuk egzistonte asnjë traditë në fizikën bërthamore, po të mos marrim parasysh këtu disa eksperimente dhe matje të thjeshta radiometrike, ndonëse praktikisht shumë të dobishme mbi radioaktivitetin natyror, të realizuara nga profesor Sotir Kuneshka. Brezi i parë i shkencëtarëve të fizikës bërthamore, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, u formësua nëpërmjet specializimeve të shumta dhe deri diku afatgjata në Kinë. Fillimet ishin të vështira, por aftësia e brezit të parë të shkencëtarëve, ndër të cilët spikat Petriti me talentin dhe këmbënguljen e vet karakteristike, bëri që ne që erdhëm më pas, të ndjenim se tashmë punonim në një mjedis ku nuk kishte më vend për dilema, a pavendosmëri. Rruga tashmë ishte e qartë, mjaftonte ta ndiqje dhe sigurisht edhe ta përmirësoje, por itinerari tashmë ishte trasuar.

Drejtimi shkencor që Petriti i dha sektorit të radiometrisë u konsolidua ndër vite dhe vazhdimisht i shtoi fushat e kërkimit dhe aplikimit. Kështu, u zhvillua fizika e neutroneve, me aktivitet qendror aktivimin neutronik me aplikime të fuqishme në fushën e kërkimeve të naftës dhe gazit natyror, teknika e matjeve me shintilatorë të lëngët, me rëndësi në fushën e aplikimeve mjekësore dhe monitorimin e mjedisit, dozimetria termoluminishente, e pazëvendsueshme në mbrojtjen e punonjësve dhe publikut nga rrezatimet jonizuese, teknikat e gjurmuesve radioaktivë me aplikime të shumta në industri dhe projektimin e ndërtimin e porteve detare.

Petriti vetë, krahas punës drejtuese në sektor, punonte me këmbëngulje në laboratorin e shintilatorëve të lëngët. Puna e tij e palodhshme me tritiumin dhe përdorimin e tij në zbulimin dhe mirëmbajtjen e puseve të naftës i dha, plotësisht të merituar, gradën “Doktor i Shkencave”, nga të parat, në mos e para në fushën e fizikës bërthamore në Shqipëri.

E paharruar mbetet për mua koha që punuam së bashku me Petritin dhe kolegë të tjerë kur ndodhi aksidenti i Çernobilit. Orë pa fund matjesh, përsijatjesh, diskutimesh, dilema çfarë të raportohet, çfarë të mos raportohet. Drojë, se si do të priteshin rezultatet nga qeveria. Shpesh e ndjemë vehten si në buzë të greminës. Në fund erdhi edhe çlirimi, kur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në Vjenë filluan të vinin të dhëna që konfirmonin rezultatet tona me ato të vendeve fqinje, Italisë, Greqisë, Jugosllavisë. Një artikull shkencor me këto të dhëna me titull “Radioactive contamination in Albania following the Chernobyl accident” na u pranua për botim dhe u botua në revistën shkencore “Journal of Radioanalytical and Nuclear Chemistry.”

Erdhi viti 1990, viti kur nuk mjaftonte më të ishe vetëm shkencëtar, viti kur shumë intelektualë, në një mënyrë a një tjetër ndjenë se kishte ardhur koha të merrnin pjesë aktivisht dhe tashmë më lirshëm në veprimtari që mund të mos lidheshin drejtpërdrejt me punën në laborator. Petriti drejtoi disa mbledhje të kolektivit gjatë kësaj periudhe, ku spikati edhe një herë shpirti tolerant dhe logjika e fortë, gjakftohtësia dhe maturia tipike, që veç të tjerave, bënë që një pjesë e mirë e kolektivit të Institutit te Fizikës Bërthamore të përfshihej në lëvizjen demokratike dhe të jepte kontributin e vet në zhvillimin e ngjarjeve te rëndësishme të asaj kohe.

Petriti u largua nga Instituti, atëhere kur u thirr të kontribuonte në pozicione të larta administrative. Kompetenca dhe profesionallizmi i tij tashmë kërkohej në nivele të tjera, jo thjesht në laborator, por në fushën e madhe të drejtimit të shkencës shqiptare. Kështu ai shërbeu si Kryetar i Komitetit te Shkencave dhe Teknikës dhe më vonë si zv. Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku edhe doli në pension.

Gjatë kohës që Petritit punonte në Akademi, m’u dha rasti të isha së bashku me të, pjesë e delegacionit që përfaqsonte Shqipërinë në Konferencën e Përgjithëshme te Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë Atomike ne Vjenë. Atje pata mundësinë edhe një herë më shumë, të shihja sa i zoti ishte Petriti në krijimin e marrëdhënieve të mira dhe sa lehtë dinte të komunikonte me njerëz të kombësive të ndryshme që punonin në Agjenci dhe prej të cilëve varej sasia dhe cilësia e projekteve që Shqipëria realizonte me Agjencinë në kuadrin e kooperimit teknik

Sa shkrova më lart i dinë shumë njerëz. Ka edhe më shumë njerëz që nuk i dinë. Unë thjesht, shpresoj që nëpërmjet këtij vajtimi, të kem treguar ato veti, ato tipare që do t’i bënin edhe ata që nuk patën fatin ta njihnin Petritin nga aq afër sa e njoha unë, të çmojnë sa e madhe është humbja kur nga ne largohen njerëz me staturën e Profesor Petrit Skëndes. Nëse kam harruar ndonjë gjë pa shkruar, më ka ndodhur prej hidhërimit. Më fal, Petrit.

Lamtumirë dhe u prehsh në paqe, i dashur Petrit, të qoftë dheu i lehtë.

Ontario, më 22 Shkurt 2018

Robert Kushe, fizikan

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Në kujtim të mikut tim të shtrenjtë, Petrit Skende, Robert Kushe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT