• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi

June 25, 2018 by dgreca

-Shqiptari sheh e dëgjon pa ndërprerje lajme vrasjeje, përdhunimi, vjedhjeje, grabitjeje të kryera nga njerëz të zakonshëm; sheh e dëgjon  kacafytje …/

1-ilir-harshova-600x400

      NGA  ILIR HASHORVA/

Duke ndjekur lajmet që japin pa pushim mjetet e ndryshme të informacionit në Shqipëri, njeriu humbet besimin te humanizmi dhe qytetërimi, humbet besimin tek e ardhmja e vendit të tij. Shqiptari sheh e dëgjon pa ndërprerje lajme vrasjeje, përdhunimi, vjedhjeje, grabitjeje të kryera nga njerëz të zakonshëm; sheh e dëgjon  kacafytje e veprime të tjera banale të bëra nga gazetarë, opinionistë, komentatorë e gjithfarë njerëzish që dalin e japin moral në televizion; sheh e dëgjon parlamentin, ku ata që mbahen si njerëzit më të ditur e më vlefshëm, që paguhen e mbahen më mirë se cilido tjetër me paratë e këtij populli, veprojnë më keq se rrugaçët; sheh e dëgjon deklarata, dialogë e “batuta” injorantësh që paraqiten  si perla zgjuarsie e mendimi; lexon tituj lajmesh të zakonshme dhe prej tyre të krijohet ideja se po kryhen ndeshje jete a vdekje midis kundërshtarësh; lexon komentet e lexuesve dhe sheh se të gjithë janë në luftë me të gjithë, edhe në rastet kur përmbajtja e shkrimit të gazetës, do të duhej të na bashkonte të gjithëve. Lexoni, për shembull, në qoftë se vazhdojnë të ndodhen në google, komentet e datës 23 qershor në gazetën “Tema”, që bëhen për jetën e Xherdan Shaqirit, të kosovarit-zviceran që i dha fitoren ekipit zviceran, të përbërë kryesisht nga shqiptarë, kundër Serbisë dhe do të bindeni. Të gjitha këto, e shumë të tjera si këto, krijojnë një atmosferë acaruese e pesimizmi, një atmosferë të humbjes së shpresës, një atmosferë mbytëse, një atmosferë që kontribuon në njëfarë mase edhe në përpjekjet që bëjnë shqiptarët për ikjen masive nga atdheu i tyre.

Megjithatë, tek tuk, ndodh që të paraqitet edhe diçka ndryshe, ndonëse nuk para përfillet nga lexuesit. Ata tashmë janë mësuar dhe dashuruar me lajme të trishta, me lajme të ashpra, me lajme përleshjesh, me lajme lufte, të cilat, u kanë hyrë si droga, dhe u kanë krijuar varësi.

Këto ditë, kur po zhvillohet kampionati botëror i futbollit në Rusi, gazta “Tema” on-line dha një lajm, shoqëruar edhe me video, që tregonte tifozët afrikanë senegalezë që, pas mbarimit të ndeshjes dhe boshatisjes së stadiumit (të pa drejtuar nga ndonjë ofiqar i lartë senegalez, i cili të donte të promovonte veten) të mos iknin si gjithë të tjerët, por të qëndronin për të mbledhur mbeturinat që kishin lënë në shkallët e stadiumit shikuesit. Çfarë veprimi qytetar! A mund të mendohet që të bëjnë shqiptarët e Evropës një gjë të ngjashme me këtë që bënë senegalezët e Afrikës? Nuk besoj. Dhe, mburremi pastaj e themi se jemi evropianë!

Po atë ditë, gazeta “Dita” on-line botoi një ndodhi në stadium para fillimit të një ndeshjeje. Ajo jepte pamje dhe shpjegime se si futbollisti spanjoll Piké u ul dhe kapi një zog i vogël që kishte mbetur në fushë para fillimit të ndeshjes. Pasi e kapi, e hodhi në ajër për ta bërë të fluturonte dhe të largohej nga fusha. Zogu fluturoi pak dhe ra prapë aty ku ishte. Pas tij, futbollisti tjetër, Isko, e kapi dhe e nxori jashtë fushës, në mënyrë që të mos e shkelte ndonjë pa dashje.  Çfarë veprimi human! A mund të mendohet shqiptari të bëjë një gjë të tillë? Nuk e besoj. Qytetet e Shqipërisë, mund të jenë të vetmet qytetet në botë, ku nuk shikon zogj e pëllumba. Pëllumbat kanë frikë nga shqiptarët. Shqiptarët i vrasin ata!

Të dyja këto lajme, ndonëse u dhanë në gazeta të cilat janë të dalluara për paraqitje komentesh nga lexuesit e për komente të pa censuruara, nuk patën asnjë koment. A do të thotë kjo se lajme të tilla nuk i lexojnë shqiptarët, se këto lajme janë të pa rëndësishme për ta, se këto lajme nuk u bëjnë përshtypje? Them se po. Por, a do të thotë kjo se këto lajme janë të padobishme për ta? Jo, me siguri, përkundrazi, janë të vetmet lajme që janë të dobishme për ta.

Është vërtet trishtuese që mjetet e informacionit publik në përgjithësi nuk kanë leverdi, apo nuk kuptojnë se, përveç të tjerave, kanë edhe një mision edukues dhe pjesa e misionit të tyre edukues është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pastrimin e atmosferës tepër ndotëse për psikikën e shqiptarit, të asaj atmosfere që prodhojnë segmente të caktuara të shoqërisë sonë, se edukimi përmes shembujve është edukimi më i mirë e më efikas se, sa më shumë lajme qetësuese dhe sa më pak lajme acaruese të japin, aq më mirë është për ata të cilëve u drejtohen. Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi që gati janë zhdukur.

                            Qershor, 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Hashorva, Lajme qe kthejne, optimizmin

Kosovë-Serbi, finalja e dialogut

June 25, 2018 by dgreca

-Kosova dhe Serbia zhvilluan sot në Bruksel raund të ri dialogu në nivel të lartë presidencial, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve/

1 Thaci Vuc Mog 24 qersh

-Presidenti i Kosovës falënderoi Bashkimin Evropian për rolin që e ka marrë në udhëheqjen e këtij procesi dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës për mbështetjen/

PRISHTINË, 24 Qershor 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova dhe Serbia pasditen së së dielës së 24 qershorit 2018 zhvilluan në Bruksel një raund të ri takimesh në nivel të lartë presidencial në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini,  para takimit trilateral ka  takuar ndaras krerët e dy shteteve, fillimisht presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, për të vijuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Sot jemi këtu në Bruksel për të shënuar fillimin e fazës finale të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi në Bruksel para takimit me Mogherinin.

Presidenti i Kosovës falënderoi Bashkimin Evropian për rolin që e ka marrë në udhëheqjen e këtij procesi dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës për mbështetjen.

Pas takimit Thaçi tha se,  ka qenë një takim jo i lehtë, i vështirë, por me tone pozitive për të shikuar kah e ardhmja për interesin e të dyja vendeve.

“Jemi dakorduar që procesi të marrë një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme. Gjithashtu, kemi arritur në përfundim se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interesin e të dyja vendeve, paqes dhe stabilitetit në rajon”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Vuçiç tha se kishin biseduar haptas për zgjidhjen e shumë problemeve. “Nuk jam shumë optimist, por duhet të bisedojmë”, citohet Vuçiç nga media duke shtuar se gjatë takimit është folur edhe për intensifikimin e takimeve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Në njoftimin e zyrës së Mogherinit thuhet se,  “Përfaqësuesja e Lartë dhe presidentët kanë pasur bisedime intensive dhe produktive mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy palëve. Palët janë pajtuar për intensifikimin e punës në javët e ardhshme”.

Para nisjes nga Prishtina drejt Brukselit presidenti Thaçi ka deklaruar në konferencë shtypi se,  qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të këtij dialogu është arritja e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. “Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve, të cilat në një mënyrë apo tjetrën po zgjasin tash e njëzet vjet, të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike, mbi njëshekullore, në raportet në mes të dy shteteve dhe popujve”, është shprehur presidenti kosovar.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk kemi çka t’i druhemi dialogut dhe as epilogut të tij.

“Dialogu do të udhëhiqet në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme, kurse marrëveshja përfundimtare eventuale do të kalojë nëpërmjet institucioneve tona shtetërore, të cilat do të vendosin për ratifikimin e saj”, ka theksuar presidenti i Kosovës.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i  të dielës së 24 qershorit 2018 do jetë i katërti, ndërsa i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, finalja e dialogut, Kosove-Serbi

Refugjatët – skenarë udhëkryqi e destabilizimi

June 23, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Në vitin 2005 Bashkimi Europian hapi negociatat për pranimin e Turqisë në union. Pak ditë para marrjes së vendimit kryeministri i atëhershëm turk, Rexhep Taip Erdogan, udhëtoi në Paris, Berlin e Londër, me qëllim që të hapë rrugën e marrjes së këtij vendimi. Gjatë këtij udhëtimi ai nënshkroi marrëveshjet me qeverinë gjermane të kancelarit Schroeder dhe atë franceze të presidentit Shirak për blerje avionësh dhe armatimi të sofistikuar në vlerë prej miliarda eurosh. Kë kënaqur nga tregtia e majme me Ankaranë, Parisi dhe Berlini u angazhuan për hapjen e negociatave me Turqinë, edhe pse ajo ishte dhe mbetet një vend problematic në respektimin e standardeve demokratike. Blerja e vendimit bëri që sot Turqia të jetë më larg Europës sesa në vitin 2005! Të njëjtin skenar, ndoshta në këshillim me presidentin turk Erdogan, ndoqi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë një vizite që ai zhvilloi në muajin maj në Paris, Berlin dhe këtë muaj në Vjenë nuk ofroi tregëti për blerje avionësh e rraketash, por u vetofrua për shndërrimin e Shqipërisë në një kamping refugjatësh, të cilët ikin nga vatrat e nxehta të konfliktit si Siria, Afganistani, Irani, Iraku, Kurdistani etj për të kapur Europën. – Ju, u tha Rama partnerëve europianë, keni problem refugjatët. Nëse gjeni zgjidhje për këtë çeshtje, atëherë ju rrisni qëndrueshmërinë e kontinentit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë në këtë aspekt, madje edhe duke ngritur qendrat e trajtimit të refugjatëve në Shqipëri. Më tej ai u foli atyre për përparësitë e kësaj mase dhe e kushtëzoi ofertën e tij jo me ndihma financiare, por me çeljen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Modeli u mor nga miku i tij Erdogan, ndërsa rekoammdnimet e këshillimet i bëri me deputetë dhe zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, miq dhe mbështetës fanatikë e të pakusht ndaj tij, të cilët në shumicë i përkasin grupimit të Sorosit. Duket se oferta i ka pëlqyer Angjela Merkelit, e cila gjendet nën presionin e ministrit të Brendshëm të pakomandueshëm, Seehofer. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjithashtu duket këmbngulës në këtë projekt joshës të Edi Ramës. Ndërsa sot presidenti i Parlamentit Europian, Trajani, u shpreh se sheh një zgjidhje të mirë nga kjo ide. Kurse presidenti Macron është refuzues. Parlamenti dhe qeveria hollandeze gjithashtu. Te kjo e fundit mazhoranca pëshpërit se Lulzim Basha paska aq shumë ndikim, sa të bindë shumicën dërmuese të deputetëve holandezë që “të urdhërojnë” qeverinë e vendit të tyre për të refuzuar çeljen e negociatave më Shqipërinë (!) Megjithatë në Shqipëri kryeministri po luan lojën e strucit. Fsheh kokën në rërë dhe trupin e mban zbuluar lakuriq jashtë! Ai mohoi për ditë me radhë se “nuk ka ofertë të tillë”! Në fakt ai tha të vërtetën. Nuk ishin europianët që i bënë Ramës ofertë, ishte Edi që ua bëri europianëve ofertën e strehimit të qindramijë refugjatëve në Shqipëri. Nuk kemi pse ta fajësojmë për këtë zotin kryeministër. Ai nuk gënjën në ato që thotë. Shkurt oferta është e Tiranës, nuk është e Brukselit. Këtë ka thënë ditë për ditë Edi Rama. Dje nga Vlora deklaroi gjithashtu se “Shqipëria nuk do të pranojë ish-luftëtarë të ISIS-it”, duke i quajtur trillime dhe fantazi të opozitës këto pohime. Edhe në këtë rast ai nuk gënjeu. Edi Rama nuk ka biseduar me europianët për të pranuar ish-luftëtarë të ISIS-it. Ai ka ofruar kampe refigjatësh për gjithkënd, pa dallim, për luftëtarë të penduar ose të papenduar të shtetit islamik dhe për viktimat e këtyre terroristëve, si sirianë, irakenë, kurdë, iranianë, egjyptianë. afganë etj. Në bisedimet në Paris, Berlin e Vjenë ai nuk ka përmendur ish-luftëtarët ose luftëtarët e organizatave terroriste në Lindjen e Mesme. Kryeministri ynë është vetofruar për të trajtuar në territorin e çifligut të tij me emrin Shqipëri qindramijë refugjatë. Kaq! As më shumë, as më pak! Në ofertën e tij Edi, si mjeshtër i aktorit, ka luajtur rolin e “humanistit”, madje është përlotur për fatkeqësitë që po u shkakton “ekstremizmi” europian refugjatëve. Dhe si i tillë Rama u thotë europianëve se “humanizmi i tij duhet të shpërblehet e çeljen e negociatave”! Ndërkaq europianët kanë marrë përsipër të neutralizojnë opozitën dhe kryeopozitarin Lulzim Basha. Ata i ofrojnë zotit Basha ardhjen në pushtet pasi të ikë zoti Rama. Dhe kreu i opozitës joshet nga kjo ofertë europiane. Në fakt zoti Basha ka kohë për ta ushtruar detyrën e lartë të kryeministrit dhe ska pse ngutet. Por a ka kohë Shqipëria? A I mban kurrizi këtij vendi e këtij populli të mbajë mbi shpinë edhe një krizë të tillë? Sirianët nuk janë shqiptarë të Kosovës. Ai zv. ministry idiot që krahason vitin 1999 me ditët e sotme, ai në një vend normal duhej hedh për leckash. Refugjatët e Kosovës i mbajtën shqiptarët në shtëpitë e vatrat e tyre! Ndërsa sirianët e këdo tjetër e t’i marrë Rama në Surrel e ai zv. ministry idiot në familjen e tij! Duke dashur të gjykoj me paanshmëri dhe pa asnjë lloj fobie për refugjatët, fatkeqësitë e të cilëve na trishtojnë, dua të ve në dukje faktin se grumbullimi i tyre në Shqipëri është një akt destabilizimi për vendin dhe gjithë rajonin. Ata që mendojnë se garantojnë qëndrueshmërinë e Europës me ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri, Maqedoni apo kudo gjetkë në Ballkan, duhet të kuptojnë se vendi dhe rajoni do të përfshihen nga dhuna e ndoshta flakët e luftës civile e ndëretnike. Së pari, përfitues direktë do të jenë grupet kriminale të trafikut. Këto grupe janë të gatshme të veprojnë që ditën e parë të hyrjes së refugjatëve në Shqipëri. Ato kanë infrastrukturën e nevojshme dhe të gjithë refugjatët, mijëra, dhjetramijë ose qindramijë, në mos miliona, do të kapërcejnë ilegalisht Otranton për t’u hedh në Itali. Italia nuk mund të jetë aq indiferente e ta pranojë një sfidë të tillë. Sidomos një Itali e qeverisur sot nga antisorosistët. Duket se Europa qendrore në këtë rast ia ka disi me hile Romës. Ofertën e Ramës e shet “si zgjidhje”, ndërkohë që favorizon krimin e organizuar për të destabilizuar Italinë. Së dyti, qeveria shqiptare është e njohur në Europë për lidhjet e saj me grupet kriminale. Europa di për këtë fakt njëmijë herë më shumë sa dijmë ne shqiptarët. Duhet marrë me mend se çfarë do të ndodhë, nëse qeveria dhe vetë kryeministri ofertëbërës bashkëpunon dhe ndihmon me infrastrukturë grupet e trafikantëve. Si do t’i ndihëmojë? Për këtë kemi një eksperiencë par exellance të ndihmës deri më infrastrukturë të trafikut të kanabisit, kokainës dhe heroinës! Psh avionët e vegjël, skafet e fuqishme në pronësi të ministrave, fikja e radarëve dhe moskontrolli i kufijvë, bashkëpunimi i oficerëve të kufirit dhe të policisë me trafikantët, ruajtja dhe forcimi i lidhjeve vertikale me kupolën e shtetit, të gjitha këto janë të provuara. Së treti, kampet e refugjatëve do të bëhen gjah i të gjitha grupeve kriminale e të trafiqeve në rajon dhe në Europë. Për pasojë mafia do të perfeksionojë masat e veprimit si dhe bashkëpunimin me qëllim rritjen e fitimeve. Këto para që do të dalin nga trafiku tashmë i qenieve njerëzore do të përdoren për blerje votash dhe manipulimin e zgjedhjeve. Ndërkohë që Bundestagu Gjerman ve si kusht reformën zgjedhore, çdo reformë r tillë hidhet në erë përballë veprimit aktiv të grupeve kriminale e mafioze të mbështetura nga qeveria e sotme shqiptare. Në fund Parisi, Berlini dhe Vjena do të shohin se “humanizmi” i Edi Ramës do të shkrihet si akulli, sepse qëllimi nuk është trajtimi i refugjatëve, përkundrazi trafikimi I tyre. Shqipëria do t’i largohet Europës më shumë sesa Turqia e sotme! Pushteti autokratik I Ramës do të forcohet. Njëkohësisht ortakëria e kryeministrit shqiptar me Erdogan e me Putinin do të shpërfaqet! Së katërti, ndërsa Shqipëria pranon qindramijë refugjatë, ajo eksporton çdo vit dhjetramijë të tillë drejt vendeve europiane. Kampet e refigjatëve do ta rrisin këtë sasi refugjatësh shqiptarë në Europë, sepse do të shtojnë pasigurinë, varfërinë, pasi trafiku i qenieve njerëzore do të pasurojë një kastë mafioze e politike, e gatshme për ta zhbërë Shqipërinë, mjafton të ruhet pushteti i saj. Se kjo kastë nuk ka të bëjë me fatet e Shqipërisë, por me fatin e pushtetit që ka uzurpuar, këtë fakt shqiptarët e kanë përjetuar për gati 50 vite në kohën e diktaturës komuniste, kur diktatori i detyroi ata “të hanin bar”, mjafton që parimet që atë e mbanin në pushtet të ruheshin?! Kjo është filozofia e bijve të ish-Bllokut komunist! Kjo është përmbajtja e vetofrimit për të ngritur kampe refugjatësh. Shqiptarët kanë shansin që së paku njëherë të zgjohen dhe t’i thonë ndal kësaj maskarade! Tiranë, më 23.06.2018

Filed Under: Opinion Tagged With: e destabilizimi, Enver Bytyci, Refugjatët – skenarë, udhëkryqi

ZVICRA FLUTURON ME KRAHËT E SHQIPONJAVA XHAKA E SHAQIRI

June 22, 2018 by dgreca

Blick: Falë shqiponjave Xhaka e Shaqiri ëndërrojmë të fluturojmë lart/

1 dy shqipe

E përditshmja zvicerane, Blick ka lavdëruar paraqitjen fantastike të dyshes shqiptare te kombëtarja e Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri pas fitores ndaj Serbisë.Në titullin e lajmit Blick ka shkruar, “Falë shqiponjave Xhaka e Shaqiri ëndërrojmë të fluturojmë lartë”, transmeton Koha.net.

Xhaka e Shaqiri mposhtin Serbinë

 Xhaka me një supergol barazoi së pari rezultatin ndaj Serbisë, kurse Shaqiri me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në minutën e 90 i dha fitoren Zvicrës ndaj Serbisë.Që të dy festuan me shqiponjë.

The Guardian: Është dashur të jenë ata – Xhaka e Shaqiri

Gazeta prestigjioze “The Guardian” nga Britania e Madhe është përkujdesur që ta shkruajë njërin prej shkrimeve më të veçanta për fitoren e madhe të shqiptarëve të Zvicrës ndaj Serbisë në Botërorin që po mbahet në Serbi.

“The Guardian” e nis artikullin me fundin e zjarrtë të ndeshjes, për të cilin u përkujdes Xherdan Shaqiri.

“Është dashur të jenë ata. Papritmas, në minutën e fundit, Xherdan Shaqiri po vraponte, serbët e ndiqnin por nuk arritën ta ndalnin para se ai të lëshonte topin nën Vladimir Stojkoviqin. Ishte gol që mposhti Serbinë dhe e vuri Zvicrën në pozitë të fortë për të kaluar grupin, por kjo kishte më shumë domethënie”, ka shkruar “The Guardian”.

“Derisa kthehet dhe bërtet, heq fanellën, shfaq muskujt dhe bën shqiponjën. Përkrah tij, Granit Xhaka e bëri të njëjtën – për herë të dytë në ndeshje”, shkruan më tej prestigjiozja britanike, transmeton Koha.net.

“The Guardian” kujton se për dyshen golashënuese kjo ishte më shumë se një ndeshje mes përfaqësueseve. Ajo përmend burgosjen e babait të Granitit, Ragip Xhakën që kishte protestuar për pavarësinë e Kosovës në ish-Jugosllavi.

“Xhaka barazoi, me një goditje të fuqishme prej 20 metrave, tani Shaqiri u përkujdes për fitoren. Dy kosovarë, dy golashënues, në një stadium ku rusët dhe serbët u bën bashkë për të përkrahur një ekip që Shaqiri dhe Xhaka nuk e shohin si kundërshtar të zakonshëm. Shaqiri ka flamurin e Kosovës në këpucë. Babai i Xhakës u burgos dhe u keqtrajtuar në ish-Jugosllavi”, shkruan “The Guardian”.

“Së bashku me Valon Behramin, vërshëlleheshin nga turma që këndonte: ‘Serbia-Rusia! Serbia-Rusia’. Një baner i deklaroi dy shtetet si ‘vëllezër’”, shkruan ajo.

 

Xhaka: Moj Serbi rrjetën ta shpova, se mu m’thojnë Granit Kosova

Granit Xhaka i cili shënoi gol kundër Serbisë, ka komentuar në rrjetin social Instagram fitoren e Zvicrës.“Mos Serbi rrejtën ta shpova, se mu m’thojnë Granit Kosova”, ka shkruar Xhaka në faqen e tij zyrtare në Instagram.

Këtë mbishkrim e ka shoqëruar me fotografinë e tij ku shihet duke bërë shqiponjën.“Po po poooo! Ne kurrë s’dorëzohemi dhe gjithmonë luftojmë. Xhakaboom u rikthye”, ka shkruar në një postim tjetër të tij në Instagram. Në postimin e radhës, ka etiketuar edhe Xherdan Shaqirin. “Ia dolëm vëlla”, ka shkruar ai

 

Shaqiri komenton festimin e golit të tij, dhe fishkëllimat e tifozëve serbë

Xherdan Shaqiri, ishte padyshim protagonisti kryesor i sfidës së sotme ku Zvicra fitoi përballë Serbisë, 1-2.Pas ndeshjes ai foli me pjekuri ku anashkaloi polemikat në lidhje me festimin e tij.

Ai ka treguar duke treguar se nuk kanë qenë shkaqet politike ata qe e kane shtyre per te festuar me shqiponje. Shaqiri u fokusua te loja dhe deklaroi se skuadra e tij e kishte merituar fitoren.

“Nuk dua të flas për këtë, në futboll ke emocione dhe mund ta shihni çfarë bëra. Është vetëm emocion, jam shumë i lumtur që shënova. Nuk mendoj se është koha të flasim për këtë festim. Ne kemi treguar moral të madh në këtë takim dhe e kemi merituar fitoren. Nuk është diçka e re për mua që dikush të pres nga unë për ta vendosur ndeshjen. Unë jam këtu për ndeshje të mëdha. Luajtëm si ekip, jam shumë i lumtur që me një gol timin i jap tri pikët skuadrës”, ka thënë ai, transmeton kp.

Në fund gjilanasi foli edhe për fishkëllimat që i dhanë tifozët serbë.

“Ishte e pabesueshme ato që dëgjuam. Por ne dëshironim të bënim vetëm punën tonë dhe atë e bëmë. Nuk ishte për politikën, por për futbollin”, përfundoi Shaqiri.

 

Edhe Lichtsteineri festoi me shqiponjë

 

Kapiteni i kombëtares së Zvicrës, njëjtë si Xhaka e Shaqiri festoi me shqiponjë në duar.

Kur Granit Xhaka shënoi golin e parë ndaj Zvicrës, e festoi duke ngritur duart në formë të Shqiponjës. Edhe Xherdan Shaqiri, njësojë iu gëzua golit të dytë.

Por, entuziazëm të tillë pati edhe kapiteni Stephan Lichtsteiner.

 

Filed Under: Sport Tagged With: Shaqiri, Shqiponjat shqiptare, Xhaka

Filmi “Gardhi” shfaqet premiere në Palm Springs të SHBA-së

June 22, 2018 by dgreca

1 gardhi ok.JPG

Nën regjinë e Lendita Zeqirajt dhe me prezencen e aktorëve Arti Lokaj, Ilire Vinca e Rozafë Çelaj, filmi “Gardhi”  pati premierën botërore në festivalin e njohur të Palm Springs’it.‘Palm Springs International Short Film Festival’ është një ndër festivalet më të rëndësishme botërore, ku sjellë emrat të sukseshëm të regjisorëve të rinjë.

Shumë e lumtur me këtë premiere ishte regjisorja Zeqiri e cila para publikut sjelli rrëfilmin e sajë rreth ralizimit të këtij projekti filmik, ku nuk munguan pytje të ndryshme rreth filmit e sidomos për kastin e aktorëve të mrekullueshëm.‘Gardhi’ është prodhim i shtëpisë filmike “N’art” i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.2 Gardhi

 

 

 

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gardhi, Palma Spring, shfaqet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT