Gazeta Dielli, ashtu si shumë gazeta të tjera shqiptare, ka humbur një nga bashkëpunëtorët më të kualifikuar, intelektual, autor librash, përkthyes, njeri vizionar, atdhetar i përkushtuar. Iliri shquhej për trajtimin e temave për nacionalizmin, antikomunizmin dhe çështjen Kombëtare, pa anshkaluar temat e politikës dhe ato sociale. Artikulli i fundit që publikoi në Gazetën Dielli ishte”Pandemia e Mortajës së Zezë”, botuar me 2 prill 2020. Por në kujtesën e lexuesit të Diellit kanë mbetur me dhjetëra shkrime të tij, si: “Masakra e 4 Shkurtit 1944 dhe Masakra e 21 Shkurtit 1951”, “Politika dhe Propaganda naziste, si shembull për politikën komuniste shqiptare”,”Lajmet e Dhunës dhe Qytetërimi”, Xhufi, intelektuali i mbrujtur në Perëndim dhe virusi i komunizmit”, “Tcveton Todorov dhe “Lulja e Diellit” e Simon Vizentalit”, Nënë Tereza në një Shkollë në New York”, “Dominimi i Drejtësisë, korrupsioni dhe Morali” etj…
Ilir Hashorva ishte djali i Ali Harshovës, mësues dhe përkthyes i njohur.Ai ka botuar librat vëllimi “Gandi – jeta”, “Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi” dhe “Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin”, përkthimin “8 orë nga Anglia” të autorit britanik Anthony Quale – një dëshmi historike e ndodhive të Luftës së Dytë Botërore, hedhur në botim nga autori menjëherë pas fitores të koalicionit antifashist, me dëshmi autentike dhe të pandikuara nga ngjarje të tjera të mëvonshme.
Një punë të shkëlqyer bëri Iliri edhe për përgatitjen për shtyp të përkthimeve me shumë vlerë të realizuara nga i ati, Aliu: “Skënderbeu” i Alessandro Cuttolo-s (Toena 2018), “Princi” i Niçolo Machiaveli-t (Toena, 2019) dhe “Dekameroni” i Giovanni Boçaçio-s (në proces botimi) .
Të gjitha këto vepra u përgatitën nga Ilir Hashorva.Ilir Hashorva jetonte në New York.
Pusho në Paqe miku ynë!
***
Po sjellim shkrimin e publikuar sot në media dhe rrjetet sociale prej Irena Toçi, Shtëpia Botuse”Toena”.
Shkruan Irena Toçi:
Lamtumirë i nderuari Ilir Hashorva!
Me dhimbje të thellë mësova për largimin nga jeta të Ilir Hashorvës, mikut dhe bashkëpunëtorit të Shtëpisë Botuese Toena për shumë vite.
Megjithëse këto ditë lajmërimet për largimin nga jeta janë bërë të “zakonshme”, lajmi për vdekjen e tij të beftë na gjeti të papërgatitur, na ngarkoi me dhimbje e trishtim të përligjur.
Bashkëpunimi i Shtëpisë Botuese Toena me autorin dhe përkthyesin Ilir Hashorva, të birin e denjë të mësuesit dhe përkthyesit të njohur Ali Hashorva, nisi diku rreth vitit 2009 me botimin e vëllimit të parë të përgatitur prej tij, për figurën emblematike të Gandit, titulluar “Gandi – jeta”. Në vitet në vazhdim ky vëllim i parë u pasua nga botimi i dy vëllimeve të tjera kushtuar Gandit: “Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi” si dhe “Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin”.
Pothuajse në të njëjtën kohë u botuan nga Botimet Toena edhe dy biografi të përgatitura me kujdes, kulturë e përkushtim të veçantë prej tij, njëra kushtuar “Nelson Mandela-s” dhe tjetra “Martin Luter King-ut”.
Me mjaft përkushtim e përgjegjësi përgatiti ai edhe biografinë e hebreut të mirënjohur Simon Vizental, biografi e cila u botua nga Toena më 2015, së bashku me librin e vetë Simon Vizentalit “Lulja e diellit”.
Në nder të 75-vjetorit e Çlirimit të Shqipërisë, ai zgjodhi të përkthejë dhe të sjellë në shqip “8 orë nga Anglia” të britanikut Anthony Quale – një dëshmi historike e ndodhive të Luftës së Dytë Botërore, hedhur në botim nga autori menjëherë pas fitores të koalicionit antifashist, me dëshmi autentike dhe të pandikuara nga ngjarje të tjera të mëvonshme.
Një punë të shkëlqyer bëri Iliri edhe për përgatitjen për shtyp të përkthimeve me shumë vlerë të realizuara nga i ati, Aliu: “Skënderbeu” i Alessandro Cuttolo-s (Toena 2018), “Princi” i Niçolo Machiaveli-t (Toena, 2019) dhe “Dekameroni” i Giovanni Boçaçio-s (në proces botimi) .
Të gjitha këto vepra u përgatitën nga Ilir Hashorva, ndërkohë që ai jetonte e punonte në Nju-Jorkun e largët, ku edhe do të prehet tanimë përgjithmonë.
Njeri serioz e i vetëpërmbajtur, intelektual me integritet dhe mendim të pavarur, autor dhe përkthyes i shkëlqyer, autor i dhjetëra shkrimeve në shtypin bashkëkohor gjithashtu, ishin cilësitë që e bënë të ishte një bashkëpunëtor të vyer të Botimeve Toena për më shumë se 12 vjet rresht.
Lamtumirë Ilir Hashorva!
I paharruar qoftë kujtimi Yt, përmes Veprës tënde të çmuar!
Irena Toçi
Botuese
Botimet Toena