• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U NDA NGA JETA VATRANI SOTIR PANI

January 5, 2021 by dgreca

…NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË/

“Jeta është e gjatë kur është e plotë. Le ta masim jetën me veprat dhe jo me kohën” Seneka/

Nga Fuat Memelli-Boston/

-Covidi na mori edhe një shqiptar tjetër. Në kthetrat e tij ra edhe dardhari, Sotir Pani.Kishte rreth 12 ditë që luftonte me virusin në një nga spitalet e Bostonit. Megjithë shërbimin e veçantë që iu bë, nuk ja doli dot. Në prill do festonte 86 vjetorin e lindjes. Megjithë vitet mbi supe, ai ishte plot energji. lëvizte, takonte shokë e miq, përjashto periudhën e virusit. Punonte kopështin te shtëpia e Andreas, djalit të tij. Kujdesej për perimet që mbillte vetë. Kujdesej që të rritej shpejt  një filiz kumbulle i sjellë nga Dardha prej Andreas. Ajo kumbull i dukej si një “copëz” Dardhe.  Lexonte e shkruante. Mbante ditar që nga viti 1954 dhe kishte shkruar 1000 faqe. Shkonte në kishat shqiptare të Bostonit.

Fliste në veprimtari të ndryshme të shqiptarëve që zhvilloheshin këtu. Mosha nuk e pengonte për të qënë aktiv. Na merte në telefon ne shokët e tij. Edhe ndonjëherë kur ne “binim në gjumë”, ai na “zgjonte” Nuk ndihej i plotësuar po mos komunikonte me njerzit, po mos dëgjonte zërin e tyre, po mos bënte shaka me ta. Na kujtonte jo vetëm neve këtu në Boston , por edhe miq të tjerë në Amerikë, në Shqipëri e vende të tjera ku jetonin miqtë e tij. Komunikonte në Amerikë me shkrimtaren dardhare , Rozi Theohari, fizikantin e shquar dardhar, Petrit Skënde, që të dy kanë ndruar jetë, me veprimtarin dardhar Vaskë Bruko, etj. Nuk harronte të merte në telefon miqtë e tij Teodor Laço,  Niko Balli e dardharë të tjerë që jetonin në Shqipëri. Dardha ishte pjesë e shpirtit të tij. Dashuria e malli për të nuk kishin kufi. Kontribuoi edhe për kishën dhe muzeun e ri të Dardhës. Fliste shpesh edhe me kolegët e tij zooteknikë si Nevrus Shtylla, Viktor Puka, Sotir Pasko, etj me të cilët kishte punuar një jetë.

Në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij ka plot “stacione” ku ai ka lënë gjurmët e veta. Vështirë t’i përmendësh të gjitha. Po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, punoi 8 vjet zoteknik dhe dy vjet shef bujqësie për rrethin e Korçës. Këto 10 vjet punë në këtë rreth ishin një shkollë e dytë për të, pasi njohu e punoi me shumë specialistë e fshatarë. Siç thotë vetë në kujtimet e tij shkoi e takoi njerëz në 200 fshatra të rrethit të Korçës. “Stacion” tjetër i punës së tij ishte Devolli. U caktua kryetar i kooperativës së fshatrave Vranisht- Pilur- Bickë, ku qëndroi afro katër vjet. Edhe pas largimit që andej, ai e mbajti miqësinë me fshtarët jo vetëm sa ishte në Shqipëri, por edhe pasi ardhi në Amerikë. Kjo ndodhte pasi Sotiri ishte njeri i “tabanit, i rogozit” siç thotë populli. Teknikumi Bujqësor “Irakli Terova” ku u caktua drejtor, ishte “stacioni” i fundit i tij i punëve në rrethin e Korçës. Do largohej nga Korça për në Tiranë ku ishte emëruar. Po largohej nga qyteti që e deshte aq shumë, nga qyteti ku kishte kryer shkollën 7 vjeçare e të mesme, nga Korça ku punoi aq vjet, nga qyteti ku njohu dhe u martua me bashkëudhatren e jetës, Ritkën e tij të dashur, siç e thëriste shkurt ai. Puna dhe jeta e tij më pas vazhdon në Tiranë. Ministria e Bujqësisë e emëron zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë. Më pas vazhdon përgjegjës i sektorit racor e më pas kryespecialist i Stacionit të Gjedhit e Shpendëve. Gjatë viteve të punës shkroi e botoi plot artikuj për blegtorinë. Me skenar të tij unë realizovarë dy dokumentarë me temë nga blegtoria. Në Stacionin e Gjedhit e Shpendëve, punoi 10 vjet deri sa doli në pension në vitin…Kur filluan grabitjet e shkatërimet edhe në këtë stacion në fillim të viteve ’90, nuk nuk i duronte dot , doli para kohe në pension dhe shkoi me gruan e fëmijët në Dardhë. Më vonë u rikthye përsëri në Tiranë.

Pas viteve ’90, emigrimi u rizgjua edhe në familjen e tij. Kjo ndodhi për arsye se ai kishte patur në Amerikë, gjyshin e tij Josif Pani, patriot i shquar, mik i Nolit dhe Konicës. Kishte patur edhe babanë e tij, Vasil Pani, figurë e shuqar edhe ky i shqiptarëve të Amerikës. Babai i tij shok i ngushtë gjithashtu i Konicës dhe Nolit. Vasili ishte kryetar i “Vatrës “ për 11 vjet. Në fillim në vitin 1995 ardhën në Boston dy djemtë e tij , Andrea dhe Vasili. Ardhi për vizitë edhe Sotiri. E që nuk ariti ta marë nga Dardha në Amerikë familjen e tij .Takoi shumë dardharë e shqiptarë të tjerë. Vizitoi varrin e të jatit, ndarë nga jeta në vitin 1947, vizitoi varrin e  Nolit e Konicës. Qëlloi që atë vit do ktheheshin në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Kulturës së atyre viteve, Teodor Lço. Konica duke qënë shok i ngushtë i të jatit, nuk mund të rinte pa pa folur aty edhe Sotiri.. Si u shmall me njerzit e tij në Amerikë, Sotiri u kthye në Shqipëri për të jetuar në Dardhë e në Tiranë. Por, malli për djemtë, për motrën, për njerzit e tjerë që ardhën në Amerikë pas viteve ’90, filloi ta brejë. Në vitin 1996, le Shqipërinë dhe vjen bashkë me gruan të jetojnë në Boston pranë djemve të tyre. Kalonin vitet dhe malli për Dardhën e Shqipërinë ndizej më shumë. Krahas bisedave në telefon, brenda 10 viteve të para në Amerikë dërgon në Shqipëri 400 letra dhe mer prej andej 350 .Është ky një rast i rrallë i njerëzve që të kenë dërguar kaq letra në atdheun e tyre. Siç ka thënë Horaci ”qiellin po jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Në Boston takon shokë e miq të tij si dardharin Kiço Çeku, korçarin Jani Plasa, gjirokstritin Kostandin Mosko, mua sinicarin e plot të tjerë. Ne miqtë e tij këtu e quanim  kryetar i grupit ”Na bashkoi Bostoni”. Shkon në biblioteknën e Bostonit dhe lexon gazetat “Dielli” “Kombi” e “Sazani”. Mbledh të dhëna për gjyshin, të jatin, për Sotir Pecin e dardharë  të tjerë. Shkoin në kishat shqiptare “Shën Gjergji” e “Shën Trinia” ku meshojnë At Artur Liolini dhe Peshkop Ilia Ketri. Kënaqej kur meshonte  në shqip Peshkop Ilia dhe thoshte:” Gjuha shqipe na ngjit në zemër”. Me një grup shqiptarësh si At Artur Liolini, Polikron Trebicka, Sotiri dhe djali i tij Andrea, u bënë nismëtarë për hapjen e shkollës shqipe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. Pas dy vjetësh me shkollën u mor shoqata “Mass.Besa”.  Ndër nxënësit e shkollës ishin edhe katër nipërit e tij. Me dardharët e Usterit insiston për ringritjen e shoqatës “Bleta” ku zgjidhet zv. kryetar i saj. Rrallë ka veprimtari të shqiptarëve të Bostonit ku të mos ketë folur Sotiri si ajo për 28 Nëntorin, në veprimtarinë kushtuar 100 vjetorit të kishës së Shën Gjergjit, në takimin e organizuar nga kisha Shën Trinia për jetën dhe veprën e mikut të tij, Dritëro Agolli, në takimet e organizuara nga shoqataa “Bleta” , etj. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e tij në Boston, ngrinte flamurin shqiptar, siç kishte vepruar prej shumë vitesh edhe në Dardhë. Në shtëpinë e tij në Dardhë si dhe në Boston, kishte përgatiur dy fotoekspozita, kushtuar gjyshit e babait të tij si dhe patriotëve të tjerë dardharë 

Ndër punët e veçanta në Boston, ishte edhe botimi i  librit për jetën dhe kontributin e gjyshit dhe babait të tij, Josif e Vasil Pani. Porosinë për të shkruar këtë libër, ia kishte dhënë Skënder Luarasi kur kishte qënë në Dardhë. Edhe titullin” At e bir për mëmëdhenë”, Skënderi ia kishte thënë. Punoi shumë për këtë libër dhe me ndihmën e mikut të tij, redakktorit Kolec Traboiini, libri u botua dhe u promovua në Muzeun Historik në Tiranë. Sotiri kishte në plan të botonte edhe një libër tjetër për emigrantët dardharë në Amerikë. Kishte mbledhur shumë të dhëna e dokumenta por… virusi i rezikshëm nuk e la ta kryejë këtë punë. Megjithatë puna e tij siç thotë Seneka”, matet me veprat e jo me kohën”.

Sotiri u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti, duke shkaktuar një plagë të thellë te fëmijët e tij , te miqtë e shokët e shumtë. Ai iku të prehet pranë Ritkës, shoqes së tij të jetës e cila ndrroi jetë disa vjet më parë. Ai iku por la pas emrin e tij të nderuar,  “mbolli” shpirtin e tij patriotik , dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë te djemtë, Andrea dhe Vasili, te katër nipërit e mbesa, etj. Situate e virusit do t’i pengojë shumë shokë e miq të tij për t’i bërë nderimet e fundit, ashtu si e meritonte. Por, ata do mblidhen një ditë , do flasin me dashuri e mall për të dhe ai do t’i dëgjojë aty lart ku prehet. Lamtumirë miku ynë Sotir Pani! U prehsh në paqe!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli, Sotir Pani, u nda nga jeta

Lajmërim Mortor-Pashko Gashi u nda nga Jeta

September 21, 2020 by dgreca

Pashko Gashi- (21 Shkurt 1948 – 19 Shtator 2020)-

Me hidhërim, lajmërojmë komunitetin Shqiptar se me 19 Shtator 2020, u nda nga jeta Pashko Mark Gashi në moshën 72 vjeç.
Trupi i të ndjerit do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktown Funeral Home, 945 East Main Street Yorktown, NY 10588 të Martën me 22 Shtator nga ora 2pm – 9pm.
Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të Mërkuren me 23 Shtator 2020, në orën 11am, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.
Për arsye të virusit COVID-19, vetë shtëpija mortore ka caktuar disa udhëzime që duhen rrespektuar nga të gjithë vizitorët.
* Përdorimi i maskës dhe distanca midis njeri-tjetrit, është e detyrueshme për të gjithë simbas rregullores .*
Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.
Pashku, pastë dritë në amshim e të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.
Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shndritë drita e pambarueme. Pushofte ne paqe. Ashtu Kjofte.(Kortezi:Our Lady of Shkodra)


Filed Under: Komunitet Tagged With: Pashko Gashi, u nda nga jeta

U NDA NGA JETA GAZETARI KURAJOZ KOSTAQ XOXA

August 25, 2020 by dgreca

SHKRUAN: SHPENDI TOPOLLAJ-

Si rezultat i një arresti kardiak, u nda nga jeta gazetari i mirënjohur Kostaq Xoxa. Kostaqi u lind në Tiranë në vitin 1931 në një familje të shquar atdhetare. Babai i tij Xoi Xoxe ishte një gazetar dhe politikan i ndershëm dhe i guximshëm, fjalimet e të cilit në Parlament dhe kujtimet e shkruara, mbeten shembujt më domethënës për të treguar se cili duhet të jetë roli dhe pozicioni i një intelektuali të vërtetë në shërbim të popullit. Në rrugën e tij eci përherë edhe Kostaqi, i cili pati një jetë plot peripeci, si pasojë e goditjeve të herëpasherëshme që regjimi komunist ushtroi ndaj familjes së tij, pasi kishte arritur edhe t`i burgoste pa asnjë faj, të atin. Provoi çpronësimin e egër, përbuzjen dhe deri pengimin për t`u shkolluar rregullisht, edhe pse ishte përherë nga nxënësit më të shkëlqyer, apo internimin e kufomës së vëllait të vdekur dhe mos lejimin për ta varrosur atë. Bëri punë të rëndomta krahu, si në Kriporen e Kavajës, dhe shofer kamioni, gjersa duke parë aftësitë e tij, kulturën e gjërë, prirjet letrare dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja, me ndërhyrjen e një njeriu të mirë, Kahreman Yllit, emërohet mësues në disa shkolla të mesme të kryeqytetit, ku arriti të japë me mjaft kompetencë edhe lëndën e matematikës. Për korrektesën e tij, aftësitë pedagogjike, horizontin e gjërë dhe mënyrën e komunikimit me nxënësit, duke aplikuar metoda të reja mësimdhënieje, ai mbeti i dashur dhe i respektuar nga kushdo. Pas vitit 90 – të shte nga të parët që u angazhua me guxim në përpjekjet për shembjen e komunizmit në Shqipëri. E përkrahu si idealist i vërtetë demokracinë dhe aspiratën tonë evropianiste. Si gazetar e publicist, sidomos te gazeta “55”, ai shkëlqeu me penën e tij të mprehtë, duke shfaqur si pak kush mospajtimin e tij me atë ideologji që i solli aq dëme dhe vuajtje shqiptarëve. Stigmata e tij plot llogjikë dhe tërësisht e mbështetur në fakte dhe të vërteta të pa mohueshme, synonte të sqaronte dhe ndërgjegjësonte lexuesit dhe asnjëherë ai nuk denigronte ndokënd. Për të, të gjithë ishim vëllezër dhe së bashku do ta bënim më të mirë këtë vend. I rreptë në qëndrimet e tij politike, dhe armik i vendosur i korrupsionit, ai asnjëherë nuk bëri kundërshtarë. Miqtë e tij të shumtë ishin të çdo krahu, dhe ai mundohej me gjithë shpirt të ndihmonte cilindo që kishte nevojë për të. Skrupuloz në kërkesat gjuhësore, ai kujtdo i shfaqte gatishmërinë për t`ia korrektuar librat qysh në dorëshkrim, pa asnjë shpërblim, duke thënë se le të jemi të kundërt në mendime, te gjuha jonë e bukur duhet të jemi njësoj. Ishte mik besnik Kostaq Xoxa dhe u gëzohej arritjeve të të tjerëve. Sapo botohej një libër, ai e lexonte dhe shkruante artikullin përkatës me talentin e një kritiku të mirëfilltë, duke vënë në dukje anët e mira dhe mangësitë që konstatonte në të. I pakët nga trupi, por zjarr në biseda, me atë të qeshurën që i buronte nga shpirti, ky shok, ky mik, ky bashkëshort e prind i rrallë, që ngriti fuqishëm deri në fund, zërin për demaskimin e krimeve të komunizmit dhe domosdoshmërinë e futjes në Evropë, do mbetet në kujtesën e kujtdo që e njohu, modeli i intelektualit të ndershëm, plot integritet e dinjitet. La në pikëllim gruan e tij të mençur, Meritën dhe dy fëmijët e mrekullueshëm, por dhe një boshllëk te të gjithë ne që e deshëm dhe e vlerësuam ashtu sikurse e meritonte. Jeta dhe vepra e tij nuk do të harrohen lehtë, pasi ai me to, do na kujtojë gjithmonë thënien e Virgjilit se “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar, jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”. Dhe Kostaq Xoxa ynë, iku nga kjo botë i virtytshëm!  

Filed Under: ESSE Tagged With: Kostaq xoxa, Shpendi Topallaj, u nda nga jeta

Shuhet “Profesor i Tre Kontinenteve”, studiuesi i njohur Agron Fico

June 2, 2020 by dgreca

Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu dhe studiuesi i njohur Agron Fico. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkenca, teksa vlerëson maksimalisht figurën e Ficos, për kontributin e vyer të dhënë në trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar. 

TIRANË– Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu dhe studiuesi i njohur Agron Fico. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkenca, teksa vlerëson maksimalisht figurën e Ficos, për kontributin e vyer të dhënë në trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar: etnofolklorit, pasurisë gojore, gjuhës së popullit dhe asaj të shkruar, traditave të kulturës popullore, gjenezës së popullit shqiptar. Ai njihet ndryshe si “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”, pasi bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. 

Kush ishte Agron Fico? Studiuesi Agron Fico është i pari studiues që, pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion, arriti të këshillojë koleksionin e famshëm Parry-Lord që ruhet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, që përmban mbi 60 këngë epike historike dhe legjendare kënduar nga rapsodë bilingë, shqip e serbokroatisht, mbledhur gjatë dy ekspeditave të homerologëve të famshëm amerikanë Milman Parry dhe Albert Lord në Shqipërinë e Veriut dhe në Sanxhak e Novi Pazar

Veprimtaria studimore dhe ajo universitare janë të pandara në jetën e prof. Agron Ficos. Përveç Universitetit të Tiranës, ai jo vetëm ligjëroi, por dhe bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. Prandaj ai është quajtur me të drejtë “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”.

Për meritat e tij të rralla Agron Fico është nderuar me “Çmimin e Republikës” dhe me mirënjohjen më të lartë universitare të Kinës për arritje akademike. Emri i tij gjendet midis emrave të profesorëve më të shquar universitarë amerikanë në leksikonin “Who’s Who Among American’s Teachers” (bot. 2000). Në dekadat e fundme ai ishte nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve. Ai është nderuar me titullin “doctor honoris causa” prej Universitetit “Eqrem Çabej” dhe ishte qytetar nderi i Gjirokastrës.

Disa nga veprat e prof. Agron Ficos:
“Profesor në tre kontinente” (SHBA 2004);
“Diaspora e rilindur” (Tiranë 2006);
“Rilindja e Shqipërisë etnike” (Tiranë 2009);
“Beautiful America” (Tiranë 2014);
“Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard” (Tiranë 2016).

Tekste shkollore dhe universitare për të huajt:
“Gjuha shqipe”, metodë për studentët amerikanë;
“Unë flas shqip”, metodë e gjuhës shqipe për të huaj;
“Metodë e gjuhës shqipe”, I-IV, tekst për studentët kinezë;
“Histori e Shqipërisë”, tekst për studentët amerikanë.

*Federata Pan shqiptare e Amerikes”Vatra” dhe Gazeta e saj”Dielli” I shprehin ngushellimet me te thella familjes Fico. Pushofte ne Paqe shpirti i professor Agron Ficos!

Filed Under: Opinion Tagged With: Profesor Agron Fico, u nda nga jeta

Përcillet me nderime në banesën e fundit, akademiku Gudar Beqiraj

May 12, 2020 by dgreca

U përcoll me nderime në banesën e fundit akademiku Gudar Beqiraj (1948-2020), njoftoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

“Në ceremoninë e nderimit mori pjesë Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe akademikët Apollon Baçe, Jorgo Kaçani, Ilirjan Malollari; përfaqësues të botës universitare, sportit etj. Për jetën dhe veprën e akademikut Beqiraj foli akademiku Anastas Angjeli. U prehsh në paqe kolegu ynë i paharruar!” përfundon njoftimi .

Akademiku Gudar Beqiraj u nda nga jeta në ditën e Lindjes  

Akademiku i shquar Gudar Beqiraj është ndarë sot nga jeta në moshën 72-vjeçare dhe si për ironi të fatit, pikërisht në ditën që ka lindur. Lajmi u dha nga N/kryetari  i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, i cili e njoftoi në Fb:

“Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj! Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe! I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Çfarë të mire do të bëjmë sot?!” 

Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si ai.”

Lajmin po ashtu e përcolli edhe gazetari i njohur Defrim Methasani: “E pabesueshme por e vërtetë. Mëngjesi i 11 majit, rezervoi një lajm të trishtë dhe të dhimbshëm. U nda nga jeta Prof Gudar Beqiraj, akademiku i njohur dhe njeriu me shumë detyra dhe kontribute në shkencën informatike dhe në sportin e peshëngritjes. Në moshën 72, ai iku nxitimthi nga kjo jetë, duke pikëlluar familjen dhe të gjithë miqtë e shumtë të tij. U prehsh në paqë babaxhan. Ike vërtet fizikisht, por mbetesh shpirtërisht dhe përjetësisht…!” përfundon Methasani. 

JETESHKRIM I Z. GUDAR BEQIRAJ

Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë.

Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali.

Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.

Në vitin 2003 i akoedohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.

Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekoslovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).

Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj.

Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qënë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA. Në vitet 2007-2009 Dekan i Fakultetit të Teknoligjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës së Doktoratës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. 

Ka një përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të.

Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore. 

Në 1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. 1996-2000 Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. 1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania. 2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”. 

2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer. 2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës, 

2016 Medalje e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.

NE PRILL 2019, I JEPET TITULLI NGA PRESIDENTI ILIR META,  “KALORES I URDHRIT TE SKENDERBEUT

Më 19 prill 2019, Beqiraj u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në 10-vjetorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

***

Fjalët ngushëlluese të kolegëve për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj

Kolegët akademikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj, i cili vdiq dje në moshën 72-vjeçare. Ata u shprehën në librin e hapur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për këtë qëllim: Dhimbje për humbjen e njeriut që aq shumë e deshi Akademinë, që bashkoi tri përmasa të mëdha: shkencore, drejtuese dhe njerëzore. Njeri i interesave të mëdha shkencore, i ftuar për ekspertizë e oponencë në dhjetëra universitete të Francës, Italisë dhe Belgjikës; vlerësues i jashtëm i shumë projekteve konkurrente të BE-së në fushën e matematikës së zbatuar; pasionant në zgjedhje dhe model i modestisë akademike; njeriu që mori përgjegjësi kur duhej dhe lejoi shtigje të lira për të tjerët në momentin e duhur, iku papritur në ditën kur ishim përgatitur për ta uruar!

Akademik emeritus Petraq Petro: Gudari i dashur u nda befas nga ne, por ai gjithmonë do të ketë një strehëz të ngroht? në zemrat dhe mendjet tona.

Akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj:

Lajm i hidhur dhe i papritur. Humbje e parakohshme e një akademiku me merita dhe i një miku të mirë e të dashur. Qoftë i paharrueshëm. Ngushellime familjarëve dhe i qoftë e lehtë lëndina e Atdheut.

Akademik Arben Merkoçi: Lajm shumë i hidhur për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e profesorit dhe mikut tonë të dashur!

Akademik i asociuar Ilirjan Malollari:

E papritura, e befta është tinzare për fatin e mikut, shokut dhe kolegut tonë të nderuar akademik Gudar Beqirajt! Ende e pabesueshme dhe e pashpirt është ndarja e Tij nga kjo jetë qe ai e donte aq shumë. Priste dhe përcillte me zell ditët e mbushura me entusiazëm edhe në kohë të vështira të shëndetit të tij të trazuar vitet e fundit. Ai diti ti përballë të gjitha me shumë shokë e miq! Asgjë nuk e shluen kujtimin e tij njerezor mbi të gjitha. Ishte dashamirëss dhe mirëkuptues me të gjithë për gjithcka! Ju përcjell familjarëve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen fizike të tij sepse Ai dhe shpirti i tij do të mbeten midis nesh të gjallë dhe frymëzues! U prehte ne paqe dhe Zoti e bekoftë trashëgiminë e tij!

Akademik Nazim Gruda, Gjermani: Lajm tepër i hidhur dhe për mua që jam larg, i pabesueshëm. Prof. Gudari u prehsh në paqe! Uroj që brezat të kujtojnë qenien dhe shpirtin tënd bujar! Ngushëllimet e mia me të thella familjes dhe gjithë të njohurve.

Akademik Jani Vangjeli:

Lamtumirë njeriu i urtë Gudar! Do të kujtoj gjithmonë si miku ynë i dashur.
Ngushëlloj nga zemra familjen.
I përjetshëm kujtimi iTij.

Akademik Beqir Meta: Lamtumire miku ynë i dashur dhe gazmor. Do të ruajmë gjithmonë kujtimin më të bukur për ty, së bashku me vlerësimin e lartë për kontributin si akademik e drejtues i palodhur. U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së mikut tonë të respektuar dhe të shtrenjtë.

Akademik emeritus Bahri Beci:

Ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të akademikut Beqiraj.
I përjetshëm kujtimi i Tij.

Akademik emeritus Mark Tirta: Ngushëllimet e mia familjes të akademik Gudarit. Do ta kujtojmë me respekt si njeriu i dijes, njeriu që i dha shumë shkemcës shqiptare.

Akademik Kosta Barjaba:

Ike shumë shpejt! I miri, i dashuri dhe i dhimbsuri për të gjithë! Na dhembi shumë ikja jote! Do të jesh i paharruar, i dashur Gudar!

Akademike Efigjeni Kongjika: Lajm i papritur dhe shumë i dhimbshëm. Do ta kujtojmë gjithmonë mikun tonë të dashur, të komunikueshëm, që ofronte ndihmë të gjithëve dhe që i ka dhënë kaq shumë Akademisë si drejtor i suksesshëm i INIMA-s dhe si kryetar i ASH Ngushëllime të sinqerta familjes. Ju prehte shpirti në paqe!

Akademik Vasil S. Tole:

Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj!
Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe!
I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Ç’farë të mire do të bëjmë sot”?
Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!
 

Akademik Albert Doja: Një lajm shumë i kobshëm. Një humbje shumë e dhimbshme për të gjithë ne! Do të na mungojë shumë! Ngushëllime për familjen dhe te gjithëve!

Filed Under: Politike Tagged With: u nda nga jeta

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
  • Vatra Chicago, shans historik në përpjekjet për çështjen kombëtare
  • U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO
  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT