• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

NJOFTIM MORTOR

August 1, 2018 by dgreca

KA NDERRUAR JETE NE MICHIGAN LLESH LUKETE GRISHAJ/

1 Grishaj

Familja Grishaj lajmeron se miqte, te afermit, Komunitetin se  Llesh Lukete Grishaj nderroi jete ne moshen 85 vjecare,me 1 Gusht 2018,ne Shelby Township,Michigan.Djali Franzi me familje dhe me djemte e axhave qesin hatrin te enjten me date 2 Gusht ne Wujek Calcaterra 25 Mile Van Dyke prej ores 2-9.Mesha e Drites do mbahet diten e Premte, me date 3 Gusht ne 10 am ne Kishen Katolike Shqiptare te Shen Palit.Ceremonia e varrimit do jete pas meshes ne Resurrection cemetery 17 Mile Garfield.

PS:Llesh Grishaj eshte babai i Vatranit Franz Grishaj dhe xhaxhai i Alfons Grishaj

*Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta “DIELLI” i percjellin ngushellimet me te thella Familjes Grishaj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Llesh Grishaj, nderroi jete

“VETING”

August 1, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300Nga Astrit Lulushi/

‘Vet’ është tkurrje figurative e veterinarit, që filloi të përdorej në mesin e shekullit të 17-të. Veterinerët ato kohëra, por edhe sot, trajtonin edhe njerëz. Forma e fjalës, që do të thotë “trajtim i një kafshe”, erdhi disa dekada më vonë. Sipas fjalorit anglisht të Oxfordit, përdorimi më i hershëm i fjalës ‘vetting’ i përket vitit 1891 – dhe përdorej kryesisht në kontekst të kalërimit. (Ai e verifikoi kalin para garës”, ose “duhet ta verifikosh atë kalë para se të garojë”, etj.) Në fillim të viteve 1900, ‘vetting’ filloi të përdorej si sinonim për “vlerësim”, veçanërisht në kontekstin e kërkimit të gabimeve. Një personazh i Rudyard Kipling thotë për një batalion ushtarësh – Kjo është turma jonë … Ata janë verifikuar (vetted), dhe tani po i shpërndajnë nëpër postet e tyre. Përmes dekadave të fillimit të shekullit të 20-të, fjala ‘vetting’ ishte kryesisht një britanizëm dhe u bë mjaft e përhapur gjatë viteve 1930, veçanërisht për të treguar ekzaminimin e kandidatëve për pozita ushtarake, si dhe inspektimin e dorëshkrimeve ose fjalimeve para se të bëheshin publike. Gjatë dy dekadave të ardhshme, shprehja ‘vetting’ kaloi Atlantikun, duke mbërritur në Amerikë. Revista Time në Nju Jork e përdori fjalën ‘vetting’ për ‘verifikim’ për herë të parë në vitin 1945, por vetëm në kontekstin e një  citimi nga libri “The Anatomy of Courage”. Pastaj po kjo revistë më 1959 e përdori fjalën ‘vetting’ në një artikull mbi zgjedhjen e një drejtori të ri për Filarmoninë e Los Anxhelosit,

‘Vetting’ shfaqet edhe një herë në vitet 1960,  dhe pastaj disa herë në vitet 1980. Gazetari William Safire fillimisht u përpoq t’i bëjë një ‘vetting’ kolonës së tij “On Language” në vitin 1980. Në përgjigje të një ankese të një lexuesi se revista “Newsweek” e kishte përdorur fjalën ‘vetting’ dy herë brenda dy javësh, Safire vuri në dukje se disa fjalorë e kanë atë dhe se britanizmi është në modë në përdorim në Amerikë sot. Ai i kushtoi një kolonë të dytë kësaj fjale në vitin 1993, duke thënë se shprehja është e saktë për përdorim në anglishten e Amerikës. Që nga ajo kohë, gazeta New York Times filloi ta përdorte shprehjen më shpesh, veçanërisht në lidhje me të emëruarit e presidentit të atëhershëm Bill Klinton për poste publike,  të cilëve u duhej të kalonin në një proces ‘vetting’ a verifikimi.

Me dashje ose jo, Shqipëria sot është përfshirë nga një  ‘vetting’. Pas gati 30 vjetësh vëzhgimi e ndihma, Perëndimi më në fund vendosi se me sistemin e korruptuar juridik, vendi nuk del dot nga bataku ku ka rrënë. Kërkesa është e hapur; duhen njerëz të përshtatshëm, të përkushtuar për të bërë më shumë se po bëjnë tani, dhe të vjedhin aspak. Duhen njerëz që ta kuptojnë drejtësinë ashtu siç është, e drejtë, sepse nëse nuk janë shumë të mëdhenj për vendin që zënë, ata janë shumë të vegjël për ‘të, dhe duhet të ikin.

Filed Under: Histori Tagged With: “Vetting”, Astrit Lulushi

21 VJET NGA PETICIONI SHQIPTARO-AMERIKAN DREJTUAR PRESIDENTIT KLINTON

August 1, 2018 by dgreca

1-Bill-Klinton-300x184KORRESPONDENCE.- “ Peticioni Shqiptaro-Amerikan për Gjendjen e Shqiptarëve në Ballkan” drejtue Presidentit William J.Clinton- Shtëpia e Bardhë, Washington,D.C../

1-Sami-Repishti1-240x300

 Ridgefield, CT.- “Presidenti William J. Clinton Thekson Prioritetin Amerikan Ndaj Shqipërisë dhe Kosovës” ashtë titulli i gazetës ILLYRIAtë New York-ut me datën 20 gusht 1997. Ky shkrim i gazetës shqiptaro-amerikane u botue mbasi u ba publike korrespondenca me Shtëpinë e Bardhë për “problemin shqiptar, kryesisht Kosovën”…

Në muejin maj 1997, u themelue Këshilli Kombëtar Shqiptar-Amerikan (KKSHA) i motivuem nga keqësimi i gjendjes në hapësinen shqiptare të Ballkanit. Detyra kryesore e Këshillit (KKSHA) ka qenë ngritja e zanit të bashkësisë shqiptaro-amerikane në mbrojtje të interesave gjithëshqiptare në Ballkan. E rrezikueme nga dy fqinjtë, serbët në Veri dhe grekët në Jug, Republika e Shqipërisë mori tatëpjetën dhe ra në nji gjendje kaosi politik të rrezikshëm që shkatërroi strukturën shtetnore të vendit dhe rrezikoj nji luftë civile përfundimet e së cilës ishte e vështirë me u parapa. Flitej për nji “revoltë leniniste” në bashkëpunim me bandat e paligjëshme, nji kombinacion eksploziv….

Në Kosovë, urrejtja psikopatike serbe shkaktonte vrasje e shkatërrime të përditëshme me qellim dëbimin e popullsisë shqiptare nga ajo Krahinë dhe përvetësimin e Kosovës si tokë serbe njiherë e përgjithmonë.

Në Maqedoni, autoritetet qendrore maqedonase zbatojshin politikën e tyne raciste anti-shqiptare tue mohue edhe të drejtat ma fillestare të popullsisë shqiptare në atë republikë, nji grup kombëtar që përban ma shumë se 30 përqind të popullsisë së përgjithëshme të republikës. Ishte viti i mbrapshtë 1997 në vendin tonë! Shqipëria kishte nevojë për ndihmë!

Në Greqi, mohimi total i të drejtave të elementit autokton shqiptar në atë vend, banorë kryesorë të krahinës së Çamërisë, kryhej me paturpësinë ma të madhe. Edhe vizitat familjare të popullsisë çame në trojet stërgjyshore mbas dëbimit të dhunëshëm të viteve 1944-45 u këputën pa asnji spjegim. Vaji dhe lotët e viktimave çame  as ndigjohej as shihej nga bota e shurdher dhe e verbët. Çamët kishin nevojë për dritë! Në SHBA u ndez nji dritë!

Për këte qellim, KKSHA vendosi të dergojë nji Peticion dhe të kerkojë nji audiencë me Presidentin W.J.Clinton me shprehë qartas gjendjen kritike të krijueme për të gjithë shqiptarët në Ballkan; mënjifjalë versionin shqiptar të së vertetës! Nevoja për nji veprimtari të organizueme në sherbim të atdheut shqiptar u paraqit si nji domosdoshmëni kategorike.   Për këte qellim, dhe vetëm për këte qellim –e jo për rivalizim!- u themelue Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan-The Albanian American National Council (KKSHA/NAAC) me qendër në Washington,D.C.

Me inisiativën e KKSHA, me datën 11 qershor 1997, Koalicioni i Shoqatave Shqiptaro Amerikane Fetare. Kulturale dhe Civike, i formuem për këte qellim, i drejtoi nji Peticion Presidentit të SHBA-s, W.J.Clinton, tue kerkue përkrahjen e Qeverisë Amerikane në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të problemit shqiptar, dhe veçanërisht atij kosovar, me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga zgjedha shekullore serbe. Ma poshtë do të lexoni tekstin e plotë të Peticionit anglisht (përkthye shqip) dhe të firmuem nga “personi i autorizuem” nga të gjitha shoqatat, Dr. Sami Repishti, presidenti i parë i i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA). Me datën 8 gusht 1997, Dr.Repishti mori këte përgjegje me spjegimet e Presidentit Clinton (lexo ma poshtë).

Njikohësisht, nji Peticion i dytë i u drejtue Zonjës Madeleine K. Albright, Sekretare e Shtetit e SHBA-së, me tri kërkesa për Administratën Amerikane lidhun me Kosovën, të botueme në gazetën ILLYRIA (N.Y.) të datës 20 gusht 1997.

************

Teksti i përkthyem shqip i “Peticionit Repishti” drejtue Presidentit W.J.Clinton :

Nr. 1

“ Koalicioni i Shoqatave Shqiptaro-Amerikane Fetare, Kulturale dhe Civike

               1825 I Street N.W. Suite 400   Washington, D.C. 20006 *

                                               P E T I C I O N

I nderuemi William Jefferson Clinton

President i Shteteve të Bashkueme të Amerikës

Shtëpia e Bardhë

1600  Pennsylvania Avenue

Washington, D.C. 20500                        11 qershor 1997

  

    I nderuemi Z. President:

    Na, të nënshkruemët, qytetarë të Shteteve të Bashkueme të Amerikës me prejardhje shqiptare, dhe pjestarë të shoqatave fetare, kulturale dhe civike  shqiptaro-amerikane,i lutemi Qeverisë së Shteteve të Bashkueme të Amerikës të luaj nji rol ma aktiv në Shqipëri me qellim që të sjellin paqën, stabilitetin, dhe prosperitetin në atdheun e të parëve tonë.

     Koalicioni i jonë paraqet të gjithë seksionet e kombit shqiptar prej shtatë miljonë në Ballkan, nji rajon ku vetëm shqiptarët mbeten akoma nji popullsi etnike e ndame në republika të ndryshme;Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia.

     Dy javë ma parë, në Holandë, ju deklaruet se asnji komb demokratik nuk do të përjashtohet nga bashkësia atlantike. Ky ashtë nji vision i madh për nji të ardhme të ndritun! Shqiptarët janë njeni nga popujt ma të vjetër të Europës. Megjithate, fryma e ndryshimeve që vjen sot mbi të gjithë kontinentin nuk e ka prekë këte vend. 

    Lutemi  na ndihmoni!

     Në Shqipëri, kaosi i fundit dhe mosstabilizimi i shkaktuem nga vështirësitë ekonomike dhe mungesa e eksperiencës në ndërtimin e institucioneve demokratike rrezikon jetën e 3- 4 milionë qytetarëve shqiptarë që jetojnë me frikë të vazhdueshme. Ata sot kërkojnë ndihmën tuej, dhe na nuk duhet të ju a mohojmë!

     Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin edhe të Shteteve të Bashkueme me luejtë nji rol ma aktiv për nji rregullim politik ma të qetë në Shqipëri, tue eliminue kështu nji element madhor të mosstabilitetit në atë vend.

     Në Kosovë, shumica e popullsisë prej afër dy miljonë shqiptarë vazhdon të jetë objekt sulmi për abuzim dhe mohim të të drejtave të tyne dhe lirive fillestare, siç janë e drejta e arsimit, sherbimet shëndetsore, siguria personale dhe punësimi objekte sulmi nga rregjimi diktatorial serb i S.Miloseviqit. Megjithëse vendi i jonë ka qenë në front të bashkësisë ndërkombëtare të kundërshtimit të rregjimit të shtypjes së Milosheviqit në Kosovë, nji rol ma vendimtar nga ana e Shteteve të Bashkueme ashtë pa dyshim i nevojshëm. Gjendja në Kosovë po keqësohet me shpejtësi, dhe mundësitë e nji shpërthimi rriten çdo ditë.

     Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me luejtë nji rol ma aktiv për rregullimin paqësor e politik në afrimin e shqiptarëve – pala e damtueme,- dhe rregjimit shtypës të Beogradit. Emnimi i nji ndermjetësi amerikan –si në Qipro- do të ishte shumë i efektshëm në eliminimin e mundësive që krijojnë mos-stabilizimin në atë zonë.

Në RFJ të Maqedonisë, numri i madh i shqiptarëve që jetojnë atje vuen nga mohimi i të drejtës për trajtim të barabartë, përfaqësim të barabartë dhe pjesëmarrje të barabartë në Administratën vendëse dhe qendrore. Megjithëse shqiptarët përbajnë ma shumë se nji të tretën e popullsisë së përgjithëshme, pjesëmarrja  e tyne në Administratë  ashtë minimale. Këto dy vitet e fundit, masa drastike qeveritare janë marrë me pengue zhvillimin e arsimit shqip për studentë shqiptarë; shembull: rasti  Universitetit privat i Tetovës.

      Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me ushtrue presionin e duhun pranë Qeverisë Maqedone të respektojë të drejtat e popullsisë shqiptare, ose të humbasë mbështetjen e Shteteve të Bashkueme.

Pakica shqiptare banojnë sot edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, fati i të cilave ashtë lanë në duert e tri autoriteteve respektive. Në Serbi dhe në Mal te Zi, forcat politike lokale shqiptare përpiqen me vështirësi me veprue mbrenda sistemit politik të tanishëm, por ata gjinden para qendrimit mohues të shumicës, qellimi final i të cilëve ashtë asimilimi i tyne.

Në Greqi, pakica shqiptare gjindet përballë asgjasimit të plotë. Asnji libër shqip, mësues ose shkollë ashtë e lejueshme për arsimimin e fëmijve të pakicës së shtypun shqiptarë (të njohun si Çamë). Të gjitha përpjekjet e bame me thye këte shtypje asfiksuese kanë dështue, për arsyen e thjeshtë se autoritetet greke refuzojnë të njohin edhe prezencën fizike të kësaj pakice fatkeqe.

      Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me përdorë influencën e saj pranë Qeverisë Greke, tue theksue faktin se nji padrejtësi e këtill ashtë e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, dhe nuk ashtë në interesin e marrëdhanjeve të mira në mes të dy vendeve fqinje.

Në këte angazhim të shtatë miljonë shqiptarëve në Ballkan dhe përpjekjesh me ba nji histori te re në vendet që ata banojnë, ata kërkojnë me marrë pjesë në ndertimin e nji bote të re, “nji rrjet global qellimesh, dhe ligjor”; ata kanë nevojë për ndihmën e Amerikës me gjetë rrugën ma të mirë me arrijtë këte pikësynim. Na shpresojmë se ky Komb i Madh Amerikan që jemi na sot, nuk do të shgënjej popujt që vuejnë.

Shqiptarët janë të lodhun nga tirania, paligjëshmënia dhe udhëheqsit që qellimisht anashkalojnë interesat e popullsisë. Megjithëse nuk ka nji hartë që tregon suksesin, ata shpresojnë në ndërtimin e nji shoqënie të re ku e drejta e jetës, lirisë dhe prosperitetit kuptohen si të verteta që nuk mund të mohohen. Ata duen të jenë “…pjesë e nji sistemi ndërkombëtar i bazuem në parimet demokratike që përfshijnë të gjithë”, ashu si e theksoi Sekretarja e Shtetit Madeleine K. Albright.

      Në këte përpjekje të tyne, shqiptarët meritojnë përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkueme dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Me respektin ma të plotë,

    Sami Repishti, Ph.D.   

    (firmë e autorizueme)

 Shoqatat pjesëmarrëse:

Albanian American Bektashi Monastery

Albanian American Roman Catholic Communities

Albanian American Islamic Center

Albanian Orthodox Archdiocese in America

Democratic League of Kosova in the United States

Foundation “Ded Gjo Luli”

Foundation “Plave –Gusinje”

National Albanian American Council (NAAC)

PanAlbanian Federation of America “VATRA”

Patriotic Association “Dibra”

*Adresa e “Koalicionit” ashtë ajo e Sekretarisë së Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Ëashigton, D.C.

————————————–

Nr. 2

Përgjigjja e Presidentit W.J.Cliton:

 Shtëpia e Bardhë

                                            Washington

8 gusht 1997

Sami Repishti, Ph.D.

President

National Albanian American Council

Suite 400

1825  I Street, N.Ë.

Washington, D.C. 20006

I nderuemi Sami:

Ju falënderoj për letrën tuej të datës 11 qershor në lidhje me situatën e Shqiptarëve etnikë në Ballkan. Shqipëria ka arrijtë në nji pikë kritike gjatë rrugës saj drejt demokracisë, dhe qetësimi i kaosit që mbizotënon atje që nga mueji i marsit ashtë nji përparësi e politikës sonë të jashtëme.

Na mendojmë që ashtë me randësi me veprue së bashku si nji bashkësi ndërkombëtare; prandej, Administrata e ime po punon ngushtësisht me partnerët tonë Europianë, tue përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë Shqiptarëve. Shtetet e Bashkueme po përkrahin me ndihma  humanitare dhe kanë marrë vendim me kontribue menjiherë $1 miljon për organizatën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, si dhe $2.5 miljonë për Programin Ushqim për Botën të OKB-së.

Administrata e ime ashtë njikohësisht e shqetësueme edhe për abuzimet e të  drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me Kosovën. Shtetet e Bashkueme përkrahin përpjekjet e popullit të Kosovës me sigurue për vete respektin e të drejtave të njeriut me mjete paqësore dhe demokratike. Për këte qellim, këto kohët e fundit na kemi hapë Zyrën e Agjensisë së Informatave të Shteteve të Bashkueme, në Prishtinë. Pa ndërpremje na kemi kërkue nga Qeveria e Serbisë të pushojë politikën e saj shtypse, dhe kemi përsëritë shqetësimin tonë me autoritetet e Beogradit në nivelin ma të naltë. Respekti për të drejtat e njeriut në Kosovë ashtë nji element kyç i sanksioneve tona kundër Serbisë, dhe do të vazhdojë, deri sa të bahet nji përparim thelbësor Shtetet e Bashkueme nuk do të normalizojnë marrëdhanjet diplomatike me Beogradin. Për ma tepër, na do të vazhdojmë me kundërshtue anëtarsinë e Beogradit në institucionet ndërkombëtare.

Unë due të ju siguroj se Administrata e ime ashtë e angazhueme me punue për promovimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Ballkanit, si dhe me vazhdue përpjekjet tona drejt nji zhvillimi të demokracisë, dhe rivendosjes së rendit publik në Shqipëri.

Edhe nji herë, ju falënderoj për interesimin tuej aktiv në këte problem me randësi.

Sinqerisht

Bill Clinton (firma)

——————————————————–

(Fotokopje  e origjinalit anglisht)

 

———————————————————–

Nr. 3

New York.- E merkurë, 20 Gusht 1997

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, prof. Sami Repishti, në një letër që i dergon Sekretares së Shtetit, Madeleine K. Albright, në prak të takimit të saj me presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, parashtron tri kerkesa-opsione që do të duhej t’i shqyrtonte Administrata amerikane me qellim të gjetjes së mënyrës për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës:

  • Qeveria e Shteteve të Bashkuara të emërojë një të derguar të posaçëm që do të mundësonte një takim midis përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë, me qellim të ndërmjetësimit për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Në gjetjen e këtij ekuilibri, prestigji i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është i pazevendsueshëm
  • Qeveria e Shteteve të Bashkuara të marrë inisiativën për mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare mbi Kosovën, në të cilën problemi i Kosovës do të kishte një trajtim të drejtë si parakusht për një zgjidhje të pranueshme përtë dy palët.
  • Po qe se “taktikat” e bashkëpunimit vazhdojnë nga ana e Serbisë, atëherë kërkojmë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të njohin Republikën e Kosovës si një Shtet Sovran, kufinjtë e të cilit do të jenë të pacenueshëm, dhe se kjo Republikë do të pranohej si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Politika paqësore e Dr. Ibrahim Rugovës është nji garanci e qellimit paqësor të shqiptarëve, se do të jenë loajalë ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan është formuar një vit më parë me qellim të avancimit të çeshtjes shqiptare në Washington,D.C. dhe të informimit të Administratës, anëtarëve të Kongresit dhe politikanëve amerikanë për problemet gjithëshqiptare. (Gazeta Illyria, New York)

—————————————————————————————————-

(Botohet për herë të parë)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Peticioni shqiptar0-amerikan, Presidenti Clinton, Prof. Sami Repishti

Projektuesi i sillosëve të grurit në portin e Durrësit dhe… përfituesi i tyre

August 1, 2018 by dgreca

1 shpetim Prodani

Nga Shefqet Kërcelli/1 PortiNuk ka qytetar durrsak ose vizitor të huaj, që gjatë kalimit në portin e Durrësit, mos ti ketë rënë në sy prania e katër hinkave të mëdha metalike ose shkurt sillosëve të grurit.

3 silloset mak

Të vendosur fillimisht në molin nr. 5 të portit, këto sillosë nëpërmjet grykave të tyre të stërmëdha, kanë shkarkuar me mijëra ton grurë apo drithëra të llojeve të ndryshme, por dhe ngarkesa të tjera rifuxho.2 silloset

Tani keto konstruksione metalike solide janë vendosur në molin nr.2 të portit, ku vazhdojnë të shkarkojnë tonelata mallra rifuxho, duke i futur arkës së shtetit miliona e miliona $.

Po kush është ideuesi dhe projektuesi i këtyre pajisjeve dobiprurëse?

Ai është inxhinjeri i talentuar Shpëtim Prodani, që gjithë jetën e tij e kaloi mes projekteve, skicave e zbatimit të tyre në port e më gjerë. Ing.Shpëtimi lindi në Durrës më 2.11.1950. Mbasi kreu studimet në Fakultetin e Inxhinjerisë mekanike, Universiteti i Tiranës, {1969-1974}, në vitin 1975 filloi punë në portin e Durrësit, ku për vite me radhë punoi në disa sektorë si, oficina mekanike, byroja teknologjike, etj.

Në bashkëpunim me kolegë, por dhe individualisht, ka realizuar dhjetra projekte, është autor dhe bashkëautor në prodhimin e elektrovincave portualë, autor në projektimin e vincave stacionarë për mallrat e lëvizshme në port dhe stacione trenash, bashkëautor në projektimin e pontileve të ndryshëm në bregdetin e Jugut, etj.

Por një nga veprat e tij dobiprurëse për portin dhe ekonominë e vendit janë sillosët për shkarkimin e grurit, një vepër mbi 37 vjecare, që pamvarësisht agjentëve atmosferikë e shfrytëzimit maksimal po i qëndron kohës. Cilido nga ne sheh cdo ditë, se si këta sillosë mbushen me grurë dhe furnizojnë vendin dhe Ballkanin.

Por mjaft qytetarë, nuk e dinë se për këto vepra ka harxhuar netë pa gjumë, inxhinjeri Shpëtimi, sa në tavolinat e projektimeve, aq dhe në shtëpi.

Zonja Shpresa, bashkëshortja e inxhinjerit kujton atë kohë, kur punohej për këtë vepër, ku shpesh herë e ndihmonte dhe ajo për të detajuar këtë vepër inxhinjerike.

Për arësye se ishte djali i Gjeneral Muhamed Prodanit, veprat e tij nuk janë promovuar. Por, Shpëtimi s’ka nevojë për titujt dhe gradat e njerëzve dritë shkurtër, pasi mendja dhe shpatullat e tij i kanë dhënë vendit vepra të pavdekshme, të cilat flasin vetë, ashtu si disa shokë e kolegë të tij në Port, kantier e Flotë Tregëtare.

Inxhinjeri mëndjendritur Shpëtim Prodani punoi në port deri në vitin 1991, me disa ndërprerje kohore në Institutin e Studimeve dhe projektimeve në Ministrinë e Transportit.

Në vitet 1991-1993, punoi në parkun e eksportit si kryeinxhinjer. Pas kësaj, me iniciativën e tij u ngrit një nga kompanitë e para në fushën e spedicionit, Kompania “Dyrrahspeed ShPK”. Ashtu si në fushën e projektimit e zbatimit, dhe në fushën e biznesit, dolën në pah aftësitë e vecanta të Shpëtimit, të cilat shënun një histori suksesi.

Ndërkohë Ing.Shpëtimi është ndër themeluesit dhe aksioner i kompanisë së parë të sigurimeve “Sigma SH.A” dhe Bankës Popullore. Por, Inxhinjeri i punës, projekteve e sakrificave ndërroi jetë para kohe, më 4 janar të vitit 2004, duke mos shijuar punën dhe veprat e tij, të cilave ju kushtoi shumë vite jetë.

Gruaja e tij Ing.Shpresa, djali Jonadri që ecën në gjurmët e të jatit, vajzat Evisi e Lela, që jeton në SHBA, kanë të drejtë të krenohen me veprat e babës së tyre, inxhinjerit të papërkulur, që u përball ashtu si një kapiten anije me dallgët e jetës, duke mos ju dorëzuar kurrë atyre.

Por, ajo që duhet të theksojmë është se në cdo vend kapitalist, si në SHBA e gjetkë, pasuria ka burim pronën e familjes, të trashëguar brez pas brezi, dhe të drejtën e autorit për shpikjen e bërë.  Kujtojmë Fordin dikur, ose Microsoft, Google, Aple, etj. sot.

Nuk ta merr kush pronën dhe pasurinë intelektuale kollaj në shtetet e zhvilluara.

Po këtu ke ne cndodh?! Po të kishte shtet ligjor, familja e Inxhinjer Shpëtimit, duhet të ishte nga të parat familje milionere me djersën e ballit.

S’mjafton titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit. por duhet të njihet dhe pronësia intelektuale e mjaft inxhinjerëve, montatorëve e novatorëve të vendit tonë, që i kanë dhënë të ardhura shtetit. Kështu fiunksionon kudo në botë.

Ndërsa tek ne është paradoks, njihet cdo lloj pronësie, por jo ajo intelektuale.

Shënim:Të zgjeruar jetën dhe veprën e Ing. Shpëtim Prodanit e gjeni tek “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i II-të, faqe.375-377.

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Durres port, perfitusi, projektusi i silloseve, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT