• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

Shtëpia e Bardhë në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit

November 10, 2018 by dgreca

Shtëpia e Bardhë shënon për të dytin vit Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit/frank-1

NGA FRANK SHKRELI/

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mban datën e 7 Nëntorit 2018, ditës që Shtëpia e Bardhë ka vendosur për të dytin vit, t’ia kushtojë viktimave të komunizmit në botë. “Në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, ne nderojmë kujtimin e më shumë se 100-milionë vetave të vrarë dhe të persekutuar nga regjimet totalitare komuniste”, në mbi 40 vende të ndryshme të botës. “Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të patundur ndaj atyre të cilët luftojnë për paqe, begati dhe liri, anë e mbanë botës”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, të shpërndarë për medien, më 7 Nëntor, data që shënon ditën e Revolucionit Bolshevik në Rusi.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë nënvizohet se, “Që prej Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 në Rusi, ne kemi qenë dëshmitarë të pasojave të anktheve të mëdha, shtypjeve dhe vdekjeve të shumta. Komunizmi ka përfunduar në eliminimin e lirisë së fesë, të pronës private dhe të lirisë së fjalës. Këto tmerre kanë përfshirë vrasjet e qëllimshme të ukrainasve duke përdorur urinë si mjet eliminimi të tyre gjatë Holodomorit, përndjekjet e mëdha të rusëve gjatë Terrorit të Madh; zhdukjen e kamboxhianëve në fushat e eliminimit dhe vrasjen e qytetarëve të Berlinit ndërkohë që përpiqeshin të arratiseshin nga komunizmi gjermano-lindor për në liri në ish-Gjermaninë Perëndimore. Këto viktima dhe vuajtjet e tyre janë një dëshmi e gjallë e një fakti të pamohueshëm, se komunizmi do të jetë përgjithmonë shkatërrimtar ndaj shpirtit të njeriut dhe ndaj begatisë së njerëzimit”, theksohet në deklaratën me rastin e Ditës Kombëtare të Viktimave të Komunizmit.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë përfundon duke u kujtuar amerikanëve se, “Sot ne kujtojmë të gjithë ata, të cilëve u janë mohuar bekimet e mëdha të lirisë, nën regjimet shtypëse komuniste. Së bashku ne mbajmë zi, duke kujtuar humbjet e mëdha që shumë prej tyre kanë pësuar nën komunizëm dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të vazhduar përpjekjet tona për avancimin e kauzës së lirisë dhe të mundësive për një jetë më të mirë, për të gjithë”, përfundon deklarata zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit në botë, më 7 nëntor 2018. Vendimi për të kujtuar artë nga 100 milionë viktimat e komunizmit botëror në nivel kombëtar këtu në Shtetet e Bashkuara ishte marrë vitin që kaloi nga Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 1917-n.

Në atë përvjetor vitin e kaluar, në gazetën “Telegraf” kisha shënuar se në Washington u organizuan ceremoni dhe konferenca akademike ku morën pjesë ekspertë dhe historianë nga e mbarë bota, për të kujtuar krimet e komunizmit anë e mbanë botës. . Ishte me atë rast që administrata e Presidentit Trump kishte vendosur që të caktonte datën e 7 Nëntorit, të ditës së Revolucionit Bolshevik Rus, si një datë kujtese për miliona viktimat e komunizmit në botë – një revolucion Bolshevik ky, që sipas deklaratës së parë të Shtëpisë së Bardhë mbi këtë ditë përkujtimore botuar vitin e e kaluar – “shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës,një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore”, thuhej në deklaratën e vitit të kaluar të Shtëpisë së Bardhë me të cilën u njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Amerikës kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë.“Gjatë shekullit të kaluar”, thuhet më tej në atë deklaratë “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë botës kanë vrarë më shumë se 100 milionë veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë. Këto lëvizje, nën pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare kombëtare, në të vërtetë, kanë shkelur, sistematikisht, të drejtat e njerëzve të pafajshëm, dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e fesë, liria e asociimit dhe një numër lirish të tjera bazë të njeriut që ne i konsiderojmë si të shenjta.

”Siç dihet, deri vitin që kaloi, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur një ditë të tillë, kushtuar viktimave të komunizmit, ndoshta për arsyen logjike se në Amerikë nuk ka pasur viktima të komunizmit. Por u vendos data e 7 Nëntorit, ditës së Revolucionit Bolshevik rus, për të kujtuar viktimat e komunizmit kudo në botë. Sivjet, Shtëpisë së Bardhë iu bashkëngjit edhe shteti Virxhinia, ligjvënësit e së cilës vendosën marsin që kaloi, që në shtetin Virxhinia të shpallet gjithashtu 7 Nëntori i këtij viti dhe për vitet në vijim, si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë. Ka gjasë që edhe shtete të tjera të ndjekin shembullin e Virxhinias.

Me këtë rast dua të përsëris thirrjen time për të disatën herë, se edhe Shqipëria e Kosova, si dy vende që kanë vuajtur më së shumti nga komunizmi, që udhëheqësit aktualë të tyre, të bëjnë diçka simbolike për të kujtuar viktimat e komunizmit – duke caktuar, të pakën një ditë në kalendarin vjetor, kushtuar viktimave të komunizmit – ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ky duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah, me kombet që kanë vuajtur nga komunizmi dhe të shënojë një pajtim të vërtetë kombëtar. Një vendim i tillë zyrtar për të kujtuar viktimat e komunizmit në trojet shqiptare – duke caktuar një ditë kushtuar kujtimit të tyre – kërkon kurajë morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar ato viktima të pafajshme, të një regjimi ilegal dhe shtypës. Përcaktimi i një dite kushtuar viktimave të komunizmit në trojet shqiptare, do të lehtësonte gjithashtu edhe përballimin aq të nevojshëm të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, me të kaluarën komuniste dhe do të ndihmonte edhe në zbardhjen e krimeve të komunizmit, kësaj ideologjie çnjerëzore,të një regjimi të imponuar sllavo-aziatik mbi Kombin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dita e viktimave te Komunizmit, Frank shkreli, shtepia e bardhe

Shqipëri, 52 shtetas grekë shpallen “persona non grata”

November 9, 2018 by dgreca

1 varrimi i kacifasNë Shqipëri ministria e Brendshme njoftoi sot se ka vendosur të shpallë “persona non grata” dhe t’u ndalojë për pasoje hyrjen në të ardhmen në territorin shqiptar 52 shtetasve grekë, të cilët morën pjesë dje në ceremoninë mortore të minoritarit 35 vjeçar Kostandin Kacifas, i cili mbeti i vrarë disa ditë më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Bularat të Gjirokastrës. Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi masa ndaj tyre është marrë “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.

Tonet e forta nacionaliste dhe thirrje antishqiptare, mbizotëruan përgjatë ceremonisë së varrimit mesditën e së enjtes në Bularat nga qindra pjesëmarrës të ardhur kryesisht nga Greqia. Një grup pjesëmarrësish në kortezhin mortor shfaqi një flamur në përmasa të mëdha ku shkruhej “Vorio Epiri është Greqi” dhe “Maqedonia është Greqi “. Sipas organizatorëve flamuri ishte shpalosur në demostratat kundër marrëveshjes greko-maqedonase për emrin e Maqedonise në Athinë e Selanik pak kohë më parë ku Kacifas kishte qenë pjesëmarrës. Koret në ceremoni krahas toneve luftarake dhe heroizuese përmbanin edhe thirrje antishqiptare madje edhe ndaj gazetarëve shqiptarë që po përcillnin ngjarjen. Pas varrimit një grup pjesëmarrësish bllokoi për pak minuta segmentin që lidh Gjirokastrën me Pikën e Kakavijës dhe më pas vargu i makinave dhe autobuzëve u rikthye drejt Greqisë.

Pas ceremonisë mortore, policia shqiptare njoftoi mbrëmë se ka proceduar penalisht dy shtetas grekë për nxitje të urrejtjes dhe ka shoqëruar në mjediset e policisë, 12 shtetas të tjerë, 6 grekë dhe 6 minoritarë, ndaj të cilëve po kryhen veprime proceduriale nga Prokuroria shqiptare. Policia e Gjirokastres tha se ka bllokuar materiale që nxisin urrejtjen dhe se atyre u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë. Të gjithë u lanë të lirë sot në mëngjes dhe do të ndiqen në gjendje të lirë.

Zëvendësministri Lleshi deklaroi se e konsideron “të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi”. Zoti Lleshi shtoi se “sskush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: “persona non grata”, 52 shtetas grekë shpallen

Pse amerikanët meritojnë statusin e kombit të privilegjuar tek shqiptarët?

November 9, 2018 by dgreca

Roli i SHBA-ve, si atëherë me Shqipërinë (1919), si më vonë me Kosovën (1999), ishte vendimtar për shqiptarët. Shpresat e shqiptarëve janë mbështetur te Amerika edhe tani kur pritet të vendoset e ardhmja e Kosovës. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh. Evropa po manifeston mos unitet dhe jo vendosmërinë e saj si përherë.

1 xhylije

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*/

Merita të mëdha për ekzistencën e shtetit shqiptar si dhe për themelimin e shtetit të Kosovës, dy këto ngjarje të mëdha të kombit shqiptar në këtë shekull, kanë SHBA-të, që nga presidenti Uillson e këndej. Të gjithë presidentët amerikanë, cili më shumë e cili më pak, mbajtën qëndrim korrekt në raport me shqiptarët, duke filluar nga ekzistenca e shtetit shqiptar, pavarësia e Kosovës, forcimi i faktorit shqiptar në Maqedoni si dhe proceset tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët në Ballkan.

Evropianët, për dallim prej amerikanëve, asokohe kishin mendime të ndryshme për Shqipërinë dhe për ekzistencën e popullit shqiptar dhe dilema të tilla tani po shprehin edhe ndaj Kosovës, njëqind vjet më vonë, ndonëse jo gjithaq në formë të hapur.

Qysh në Konferencën e Paqes në Paris (1919) kishte prej atyre që mendonin se Shqipërinë duhet ndarë ndërmjet Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Po të realizohej ky skenar, nëse Amerika do të pajtohej me disa shtete të Evropës, pjesa veriore e Shqipërisë, përfshirë edhe Shkodrën, do t`i jepej Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, do t`i jepej Serbisë, ndërsa pjesa jugore, përfshirë edhe Vlorën, do t`i jepej Greqisë. Kjo arsyetohej duke thënë se shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë.

E njëjta lojë pak a shumë po luhet edhe sot me Kosovën. Një pjesë e territorit iu dha Maqedonisë, një pjesë tjetër – Malit të Zi, ndërsa tani po i imponohet ndarja e pjesës më të territorit të saj më të vlefshëm, për Serbinë, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve dhe pranimin në OKB.

Copëtimi i Shqipërisë, asokohe u kundërshtua nga amerikanët. Xhejms Shotvell, kryetar i Shoqatës së gjeografëve amerikanë, konstatonte se zgjidhja e këtij problemi duhej t`i besohej drejtpërdrejt SHBA-së, pasi që shtetet e Evropës dhe monarkitë e Ballkanit, nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth këtyre problemeve, për shkak të interesave të tyre. Shotvelli është i mendimit se çështja shqiptare është dyfish e rëndësishme për SHBA-në dhe se zgjidhja e saj mund t`i besohet Amerikës, si një forcë që nuk ka interesa të drejtpërdrejta në rajon.

Në Paris ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha dhe vënien e paqes botërore. Një prej këtyre çështjeve, ishte edhe ajo shqiptare, ngase pa vënien e paqes në Ballkan, nuk mund të kishte paqe në Evropë.

Francezët po përpiqen ta marrin këtë rol edhe tani, pas gati 100 vitesh, në raport me Kosovën.

Roli i SHBA-ve, si atëherë me Shqipërinë (1919), si më vonë me Kosovën (1999), ishte vendimtar për shqiptarët. Ishte Amerika ajo që përkrahu lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj nga Serbia. Shpresat e shqiptarëve janë mbështetur te Amerika edhe kësaj here, 100 vjet pas konferencës së Parisit, kur pritet të vendoset e ardhmja e Kosovës. Evropa po manifeston mos unitet dhe jo vendosmërinë e saj si përherë.

Për shkak të qëndrimit të qartë në raport me shqiptarët, Amerika meriton statusin e kombit të privilegjuar në Shqipëri e Kosovë.

Pa përkrahjen e Amerikës, Kosova nuk mund ta përmbyllë procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

Forcimi i shqiptarëve në Ballkan, nuk po mirëpritet nga disa shtete fqinje, sidomos nga Serbia dhe aleatët e saj. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

———————

* (Autorja është master për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare)

Filed Under: Analiza Tagged With: meritojnë statusin e kombit të privilegjuar, Pse amerikanët, tek shqiptarët?, Xhylije Ibrahimi

Nga Wilson tek Trumpi një shekull i SHBA-së

November 9, 2018 by dgreca

Kur SHBA hoqi dorë nga neutraliteti, fati i Luftës së I Botërore dihej. Presidenti i SHBA Wilson vendosi 100 vjet më parë themelet për sistemin liberal botëror, të drejtuar nga SHBA. Trump po e shkatërron tani këtë.

1 Konf e Paqes

Konferenca e Paqes në Paris më 1919 – Katër të fortët, krerët e shteteve aleate David Lloyd George, Vittoria Orlando, Georges Clemenceau, Woodrow Wilson

Shkruan:Michael Knigge/

Në fillim të vitit 1918 presidenti amerikan Woodrow Wilson doli para dy dhomave të Kongresit amerikan dhe prezantoi planin e tij me 14 pika. Tezat e famshme të tij, kishin të bënin me synimet amerikane në Europë dhe Lindjen e Mesme. Por, kishin të bënin kryesisht edhe me riorganizimin e botës së shteteve. E drejta e popujve për vetëvendosje ishte linja drejtuese. Por 14 pikat e Wilsonit shkonin dhe më tej. Presidenti amerikan kërkonte tregti të lirë dhe dhënien fund të diplomacisë së fshehtë, si dhe krijimin e Lidhjes së Kombeve.

Kështu në vija të përgjithshme më 1918 u pa sistemi liberal botëror, i cili u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore nën drejtimin e SHBA. Një sistem botëror, që u vu në jetë sepse gjithnjë e më shumë vende iu bashkuan idesë. Ky sistem duket të jetë tani në rrezik, prej një presidenti amerikan, sërish.

Largim nga kolonat themelore të politikës së jashtme amerikane?

Donald Trump është rast i veçantë. Në njëqind vjetët e fundit asnjë kryetar shteti në SHBA nuk i ka vënë në pikëpyetje bazat themelore të politikës së jashtme amerikane, siç i ka vënë presideti i 45-të i SHBA.

Natyrisht që në SHBA ka pasur gjithnjë forca që kanë përkrahur izolacionin. Edhe presidenti Wilson dështoi në politikën e brendshme me konceptin e tij për një sistem ndërkombëtar paqeje. Por refuzimi i programit të tij 14 pikësh nuk u bë nga Shtëpia e Bardhë, por nga një kongres me frymë izolacioniste. Prandaj Wilson vazhdon të shihet si udhërrëfyesi i internacionalizmit amerikan. Deri në futjen në Luftën e Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin munduar t’i qëndronin larg konflikteve ndërkombëtare, sidomos atyre në Europë.

Wilson: politikë e jashtme kooperative

Wilson nxorri nga tmerret e luftës një përfundim, që SHBA do të përpiqej për politikë të jashtme multilaterale dhe të karakterizuar nga bashkëpunimi. Kjo duket qartë edhe në fjalimet e luftës, që ai ka mbajtur më 1917. Atje Wilson, thekson se bota duhet të bëhet vend i sigurt për demokracinë.

Shpesh Wilson citohet gabimisht, sikur ai të ketë thënë se SHBA duhet ta bëjë botën të sigurt për demokracinë. Ky është një ndryshim i qartë dhe me rëndësi. Sepse Wilson nuk besonte se e vetme SHBA do të ishte në gjendje ta arrinte këtë, por që mund të arrihej në bashkëpunim me të tjerët dhe nën udhëheqjen amerikane. Një „Lidhje e Kombeve” duhet të krijonte kuadrin për një politikë kooperative ndërkombëtare. Wilson kërkonte të krijonte një organizatë, në të cilën të veprohej vetëm me aprovimin e të gjithëve, ku praktikisht çdo komb të kishte një të drejtë vetoje. Sa kontroverse ka qenë ideja e Wilsonit e tregon fakti që „Lidhja e Kombeve” pati jetë vetëm tre dekada dhe që SHBA nuk u bë asnjëherë anëtare e saj.

BG Trump allein zu Hause bei der UNO (Reuters/C. Barria) “I vetëm në shtëpi” – DOnald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, 25 shtator 2018

Trump: vendime unilaterale

Nën presidencën e Trumpit, SHBA ka dalë nga shumë pakte të sanksionuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga shumë organizata të OKB. Prandaj për shkak të qëndrimit të tij nacionalist, Trump me të drejtë mund të shihet si antipodi i Wilsonit, thotë John Cooper, profesor emeritus në Universitetin e Viskonsit. Ai ka shkruar disa libra për Wilsonin. Për Trumpin ai thotë: “Ai do që të veprojë i vetëm në botë, të tregojë burrin e fortë dhe të marrë vendime unilaterale sipas dëshirës.”

Trump dhe Wilson nuk janë pole të kundërta vetëm në rolin ndërkombëtar të SHBA. Edhe në qëndrimin ndaj migracionit, një temë e diskutuar shumë si në atë kohë edhe tani. Wilson kishte qëndrim të qartë kundër armiqësisë ndaj të huajve, që gjatë Luftës së Parë Botërore ishin kryesisht refugjatë lufte nga Europa. Kur Kongresi amerikan nxorri më 1917 një ligj për kufizimin e migracionit, Wilson vendosi veton. Kongresi vendosi me dy të tretat e votave kundër vetos së tij, një shenjë që tregon sa të mëdha kanë qenë në atë kohë rezervat kundër migrantëve.

“Wilson i urrente demagogët”

Paralelet me aktualitetin janë edhe në këtë pikë të dukshme. Me ndryshimin që, me Trumpin si president në post ka ardhur dikush që nuk i lufton armiqësitë ndaj të huajve, përkundrazi i ndezi edhe më shumë që ditën e parë të kandidimit si president. Për më tepër, Trump nuk është verbalisht kundër, por përdor edhe pushtetin që i jep posti kundër emigrantëve pa pasaportë, duke i ndarë familjet dhe dëbuar nga vendi. Përveç kësaj ai kërkon të kufizojë migracionin legal në SHBA dhe të ulë numrin e refugjatëve që pranohen në vend, në një nivel të ulët që nuk ka qenë kurrë më parë.

Është ende herët për të gjykuar si do të përfundojë kursi konfrontues i Trumpit ndaj politikës internacionaliste. Megjithatë dy vjet janë mjaft, sipas Cooper, për të qenë në gjendje që të thotë se çfarë do të thoshte Wilson për pasardhësin e tij në post: “Ai do ta shikonte Trumpin me frikë dhe tmerr.” Sepse “Trump kërkon vetëm të trazojë ujërat- dhe Wilson i urrente demagogët.” Dhe ky është një ndryshim i dukshëm midis dy presidentëve, që kanë lënë gjurmë në shekullin amerikan midis 1918 dhe 2018.(Kortezi DW)

Filed Under: Opinion Tagged With: Michael Knigge, Nga presidenti Wilson, tek Presidenti Trump

T’i kthejmë Kombit krenarinë e qenies së vet të papërsëritshme

November 9, 2018 by dgreca

– Vasalë, sidomos të atyre barbarëve grekë dhe serbë; ndryshe, pelegrinazh fals që me flamujt, uniformat dhe armët luftarake të tyre, hyjnë pa leje në trojet tona. Dhe, terrorizojnë jugun e Shqipërisë dhe Veriun e Kosovës/

1-Skenderbeu-300x269

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)//

Të mendosh (pse e shkruaj këtë letër) është një trajtim eksperimental i sasive të vogla të energjisë, ashtu si një gjeneral që lëviz figura miniaturë mbi një hartë para se me vu trupat e tij në veprim.

***

Nuk pritet që politik-bërësit analfabetë shqipfolës të heqin dorë vullnetarisht nga interesat vetjake dhe punojnë për të mirën e vendit, qysh e kanë obligim. Ata do të vrisnin edhe prindërit e vet nëse ua rrezikojnë interesat e tyre. Prandaj, kur e dimë se me çfarë krijesash kemi të bëjmë, lypset mobilizuar opinionin publik për t`i neutralizuar ata bastardë me defekte të bashkëlindura të trurit. Natyra ka gabuar rëndë që i ka lindur, është dashur t`i abortojë.Gati e gjithë ajo tufë e madhe bagëtish në Shqipëri, Kosovë, FYROM-it dhe trojet tjera, janë një kastë e të korruptuarve, të lidhur me krimin e organizuar. Vasal, sidomos të atyre barbarëve grekë dhe serbë; ndryshe, pelegrinazh fals që me flamujt, uniformat dhe armët luftarake të tyre, hyjnë pa leje në trojet tona. Dhe, terrorizojnë jugun e Shqipërisë dhe Veriun e Kosovës. Por edhe shkelin mbi dinjitetin tonë kombëtar. Ndërkaq, dylberët tanë heshtin. Ose rreshtohen pas tyre. Të gjithë. Pozitë e opozitë. O fëmijë të brezit të errët, o pemë të rënë nga drunjtë e gjymtuar!

T’i kthejmë Kombit krenarinë e qenies së vet të papërsëritshme.

Mercenarët shqipfolës janë krijesa të mjerueshme, të shitura, pa ndjeshmëri për popullsinë e tyre, dhe ata kanë humbur të gjithë kuptimin e shëndoshë dhe nuk kanë një perceptim të plotë të realitetit! Ata me decenie po varfërojnë, terrorizojnë, vjedhin, copëtojnë, poshtërojnë, shesin dhe shkatërrojnë në tërësi atdheun e përbashkët tonin, që nuk do të trashëgohet nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve por nga pushtuesit gjakatarë, nëse nuk i arrestojmë sa më sa më shpejt të jetë e mundur. Shqiptarëve autokton u grabitet atdheu, gjuha, kultura, e ardhmja dhe trashëgimia, nga udhëheqësit e tyre, të cilët në lidhje me armikun vuajnë nga kompleksi i vlerës së ulët. Për të mirën e Mesjetës, barbarizmit, terrorizmit dhe mosfunksionimit. Një sistem i përhapur dhe i korruptuar, i cili në dy deceniet e fundit është bërë një sëmundje që importon kancer. Një shtet krejtësisht i çmendur dhe surrealist. Një gjendje krejtësisht e çmendur dhe joreale. Ndërsa situata është përshkallëzuar pothuajse jashtë kontrollit, në një projekt transformimi ideologjik dhe megalomani, pa procesin demokratik ose ankorimin, është koha e duhur të çlirohemi nga shkaktarët e së keqes.

Njeriu pa emocione, nuk mund të luftojë për asnjë ide; për të luftuar është e domosdoshme të duam atë për të cilën luftojmë, dhe të urrejmë atë kundër së cilës luftojmë. 

***

Si do të vepronin shtetet tjera (normale) evropiane nëse do të kishin një krizë serioze të brendshme?

Ajo që njerëzit mendojnë dhe bëjnë privatisht është një çështje për individin. Nëse njerëzit duan të jenë naiv pavarësisht nga të gjitha rrethanat e jashtme që tregojnë se duhet të jenë vigjilent ose kritik, askush nuk mund t’i ndalë ata.

Është për individin të zgjedhë, por është edhe individi i cili duhet të marrë përgjegjësinë në kuptimin e pasojave që një përçmim i tillë i hapur ose mohimi i realitetit nënkupton. Ata janë një rrezik për veten e tyre.Megjithatë, nëse shtetet udhëhiqen nga njerëz naiv dhe të thjeshtë, shpesh në një mënyrë spekulative, manipuluese ose cinike, mund të kenë pasoja serioze për një komb të tërë. Ata janë një rrezik për shoqërinë.Në rastin më të keq, ajo (shoqëria) mund të hapet për krime shpërthyese, anarki, luftë civile ose luftë në shkallë të gjerë me vendet fqinje. Nëse mediat dhe politikanët, insistojnë në një mënyrë jo-morale dhe cinike, që shoqëria kolektivisht të shtyhet në një mohim të realitetit në emër të një lehtë-besimi, nuk ka asnjë mënyrë tjetër rrugëdaljeje përveçse policia, udhëheqësit e ushtrisë dhe shërbimet e sigurisë ta thonë (bëjnë) të veten. Kjo është kur fusha e tyre e ekspertizës dhe kompetencës janë aktualizuar. Ajo në fakt është një pjesë e kontratës që ata kanë hyrë. Dhe ata duhet ta bëjnë këtë para se të ndodhë fatkeqësia, jo shumë kohë më pas. Fakti është se është detyra e tyre e dënuar të paralajmërojnë, pavarësisht nëse ata guxojnë apo jo. Megjithëse një gjeneral ose udhëheqës policor shkarkohet për të treguar të vërtetën, është më mirë që ai të marrë ngarkesën. Me sa duket, shumë prej tyre edhe e kanë bërë atë. Ata u hoqën nga sistemi i karrierës, sepse ata atdhedashës, për shkak të qëndrimit mirëdashës, të përgjegjësisë për popullin dhe vendin e tyre, si dhe besnikërinë ndaj pozitës së tyre, e hoqën tehun nga goja. Unë e di se është e lehtë të thuhet kjo, dhe unë nuk dënoj asnjë prej zotërinjve në një pozicion të lartë që nuk guxon, por asnjë nga këto nuk ndryshon parimin e asaj që kam shkruar këtu. Le të filozofojmë pak mbi temën. Cila është më logjike apo heroike? Të sakrifikosh në kohë paqeje për të shmangur një katastrofë ose për të sakrifikuar në kohë lufte kur katastrofa tashmë ka ndodhur? A nuk kërkon një guxim më të madh nga një njeri për të shpëtuar kombin nga shkatërrimi para se të vijë, pavarësisht çnderimit dhe shqetësimit afatshkurtër ose afatgjatë, sesa të japë jetën e tij në veprim të vërtetë lufte? Natyrisht, është gjë e keqe për t’i vënë këto dy skenarë kundër njëra-tjetrës, sepse të dyja veprimet janë heroike në kohën dhe rolin e tyre, por unë megjithatë ende e bëj këtë për të ilustruar një poen. Natyrisht, ka edhe një ushtar apo civil që jep jetën e tij në luftime heroike për të shpëtuar të tjerët. Por ama kur është fjala për ata njerëz që janë ulur në majë të piramidës dhe kanë më shumë shikueshmëri dhe njohuri, ata duhet të veprojnë në kohë. Një vendim i tillë kërkon burrin e vet. Guximi dhe trimëria prej kohësh nuk është më një virtyt që është vendosur lartë në ideologjinë e shtetit shqiptar dhe mentalitetin e shqiptarëve.

Është një nder më i madh për një njeri që (nëse është e mundur) të drejtojë anijen larg nga një fatkeqësi që shihet qartë se qëndron atje përpara, sesa të tregojë guxim pasi qëllimisht ose pa ndërprerje e ka drejtuar atë në ujërat e papastra, ndërkohë që një stuhi ishte në rrugën e saj.

Ashtu si ushtarët profesionist që e dinë se ata mund të rrezikojnë jetën e tyre dhe të vriten në luftë, edhe udhëheqësit e forcave të mbrojtjes dhe të sigurisë duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë vendet e tyre të punës dhe emra të mirë dhe reputacion në kohën e paqes, për të shpëtuar vendin e tyre. Nëse pas kësaj, popullata pasive-indiferente ose politikanët e pandërgjegjshëm vazhdojnë t`i injorojnë paralajmërimet e tyre, të paktën askush më vonë nuk mund t`i fajëson për moszbatim të detyrës udhëheqësit që morën përgjegjësinë për të mirën e atdheut. Pastaj nuk kanë gjak të pafajshëm në duart e tyre. Asnjë djalë ose vajzë, nëna ose baballarë, gjyshe apo gjyshër nuk do të flijohet në paqe apo kohë lufte nga politikë-bërësit e çmendur të pavetëdijshëm ose nga politikanët vetë-respektues dhe vetë-mohues, banal, të gërditshëm dhe patetik, të cilët tërësisht injorojnë ose fshijnë të gjitha sinjalet e dukshme të rrezikut. Edhe sikur t`i kishin qëllimet e mira nuk mund t’i justifikojnë ato.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, i ktheni, Kombit, krenarine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT