• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

Viti 2019, viti i vendimit historik

December 31, 2018 by dgreca

/1 Thaci

Shkruan: Hashim Thaçi/

Kthesat e mëdha historike, të cilat e kanë vendosur fatin e shteteve dhe popujve anekënd botës, shpesh kanë qenë rezultat qoftë edhe i një vendimi të vetëm. Kështu ka ndodhur edhe me ne. Historia e popullit tonë është e përcaktuar nga momente të ndritshme, kur ne kemi marrë vendime të drejta, por edhe të mençura në momente të duhura, të cilat janë përkrahur nga shtetet e fuqishme. Nuk do të ishim të sinqertë me vetveten nëse mendojmë se nuk ka pasur raste kur kemi humbur mundësi historike, për shkak të mungesës së vendimmarrjes ose vendimeve të gabuara.

Një moment i tillë përcaktues apo vendimtar yni, i cili duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt, ndërlidhet me marrëveshjen përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme dhe përfundimtare. Rrethanat politike në Kosovë dhe Serbi mundësojnë një marrëveshje të tillë. Ndërkaq, në favor të shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie historike janë SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk kemi kohë për të humbur tani, por me zgjuarsi dhe të bashkuar duhet të vendosim për të mbyllur konfliktin shekullor me Serbinë dhe për ta hapur atë të paqes. Historia, koha dhe gjeneratat e ardhshme do të na gjykojnë për veprimin e duhur apo humbjen e mundësisë. Unë dua që të mbahemi në mend për të parën.

Një letër, një kuptim

Letra e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pritshëm bëri bujë të madhe në Kosovë. Nuk ka si të ishte më e drejtpërdrejtë dhe të mos linte aspak hapësirë për keqinterpretim. Amerikanët nuk është se janë të njohur për qasje dykuptimshme, aq më pak presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është i drejtpërdrejtë dhe mesazhi i tij drejtuar Kosovës nuk ka si të jetë më i qartë. Por, asnjëherë nuk bën t’i nënvlerësojmë tendencat tona për t’i interpretuar gjërat ashtu siç i përshtaten agjendës sonë personale, grupore ose partiake. Jetojmë në një botë, ku secili është i lirë t’i kuptojë e keqkuptojë gjërat ashtu siç ia do qejfi, dhe pa asnjë përgjegjësi t’i paketojë ato për publikun e gjerë. Por, e vërteta është një.
Letra e presidentit Trump ka vetëm një kuptim krejt të qartë. Dhe është tejet e rëndësishme që opinioni ynë publik të mos i devijojë porositë që na dërgoi shteti më i fuqishëm në botë, aleati kryesor i vendit tonë.

Përmbajtja e letrës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishte dy qëllime thelbësore. Së pari, ishte një thirrje dhe inkurajim për të gjithë liderët e Kosovës, për të shfrytëzuar momentumin e krijuar dhe për të bërë marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë. Gjithashtu, i vetëdijshëm për polarizimet ekzistuese, të cilat janë të rrezikshme, presidenti Trump na bëri thirrje edhe që të jemi të bashkuar dhe të flasim njëzëri për marrëveshjen.

Ndërsa, mesazhi i dytë thelbësor, ndërlidhet me kuptimin e seriozitetit të situatës dhe të shfrytëzimit të mundësisë unike për të arritur marrëveshjen. Presidenti Trump e bëri të qartë se dështimi ynë eventual për të arritur marrëveshjen mund të ketë pasoja tragjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. Prandaj, edhe na tërheq vërejtjen që ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përmbahemi nga vendimet, të cilat mund ta vështirësojnë edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje paqësore.
Vendimi është yni

Ne jemi të bekuar që kemi aleatë të fuqishëm në botë. Mbi të gjitha, që kemi mbështetjen e SHBA-së. Këtë vit shënuam dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Të gjithë kanë pritur nga ne, si liderë dhe nga institucionet tona shtetërore, që të sillemi më ndryshe. Të dëshmojmë se kemi pjekuri dhe maturi të mjaftueshme politike për ta mbajtur Kosovën në drejtimin e duhur, atë drejt integrimeve euroatlantike. Kanë pritur që mos të jemi kaq të përçarë me njëri-tjetrin në çështje të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhen me interesin tonë shtetëror. Por, ne i kemi zhgënjyer shpeshherë miqtë tanë ndërkombëtarë. Prandaj, ata edhe dhjetë vjet pas krijimit të shtetit tonë, detyrohen të na japin këshillat e tyre më të mira. Do të ishte mirë për vetë ne që të gjenim urtësinë dhe guximin, që një herë të marrim një vendim të guximshëm, të mençur dhe në kohën e duhur. Për më tepër, ne edhe kësaj radhe kemi përkrahje për këtë vendim nga aleatët tanë, të cilët e kemi për obligim t’i respektojmë. Prandaj, nuk ka vend për frikë dhe hamendje. Të kujtojmë episodin e fundit të dështimit tonë. Përkundër këshillave dhe insistimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2016, si kusht i vetëm për liberalizimin e vizave, ne dështuam ta bëjmë një gjë të tillë. Për më keq, Kosova papritmas u shndërrua në arenë të protestave të dhunshme. Kështu, me lehtësinë më të madhe dhe falë kauzave të rrejshme politike, humbëm momentin dhe ia pamundësuam BE-së që ta marrë vendimin për heqjen e vizave. Në fund, u deshën dy vite debate monotone dhe shterpe për këtë çështje, që e njëjta marrëveshje të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Çfarë fitoj Kosova nga e gjithë kjo? Asgjë, përveç vazhdimit të izolimit.
Prandaj, unë shpresoj se liderët e vendit në vitin 2019 do të jenë të gatshëm, që pa hezitim të marrin vendime të vështira, por të domosdoshme, për interesin shtetëror dhe paqen në Ballkan e më gjerë. Nga ana ime, dua t’i siguroj qytetarët se nuk do të ngurroj për asnjë moment që të marrë vendime në interes të shtetit tonë dhe në përputhje me këshillat miqësore të aleatëve tanë, respektivisht të SHBA-së.

Filed Under: Politike Tagged With: Hashim Thaci, Viti 2019, viti i vendimit historik

Gazeta Rilindja 31 Dhjetor 2018, Ribotimi si Protestë

December 31, 2018 by dgreca

31 Dhjetor 2018–RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh e gazetës historike të Kosovës/

RILINDJA -31-dhjetor-2018-BALLINAGazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë ndërrim motesh, në pritje të 2019-tës, sot në mbrëmje (31 Dhjetor 2018) ridel  simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim.

Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Gazeta historike Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll, nuk është ndalur edhe kur ishte ndaluar në kohë paralufte e  tw luftws për liri e pavarësi të Kosovës.

 Pas luftës, pas mbylljes – dëbimit që i bëri administrata e UNMIK nga shtëpia e saj, në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.

Numri i parë i pas dëbimit –  i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 Mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.

 Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 Dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…

Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja në 31 Dhjetor 2018 është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore ‘Rilindja’”.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridel pas 10 vitesh.

“RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh”, është një nga titujt tjerë të gazetës, e cila riboton edhe disa shkrime të para një dekade – numrit të 30 dhjetorit 2008, me tema që edhe tani janë aktuale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Ridoli Gazeta Rilindja, si proteste

Qeverisja e “Matriakut dhe Matrioshkave”

December 31, 2018 by dgreca

1 Dritan Demiraj
Nga Dritan DEMIRAJ, Ph.D/
Këto ditë “Timonieri i ripjelljes” prezantoi ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes për të dalë nga katrahura që me sjelljen eksperimentale institucionale qeverisëse e ka katandisur sot Shqipërinë si “Kolumbia ballkanike”. “Mbijetesa e qeverisë” apo “qarkullimi i qeverisë” sipas konceptit të autokratit Rama, janë manovra për të zgjatur sundimin e tij duke çuar në paqëndrueshmëri politike Shqipërinë dhe duke bërë një regres ekonomik e politik të paparë ndonjëherë.
Ndryshimet pavarësisht se ishin të imponuara nga “tërmetet” e lëvizjeve studentore, qytetare dhe denoncimeve të vazhdueshme të opozitës, bënë që ti bashkangjiten çdo shqiptarë i djathtë, i majtë apo i angazhuar politikisht.
Këto ndryshimeve nga “Matriarku” i “Matrioshave ruse” nuk mund të sjellë largimin nga zullumet, hajdutëria, korrupsioni, krimi, trafiqet e drogës dhe pastrimin e parave, por do të përqëndrohen më mirë në dorën e matriakut dhe oligarkëve pasi “matrioshat” i përdor më mirë, ndërkohë që sistemi i drejtimit është i njëjtë, pra shkurtimisht siç thotë populli “hoqi Lenën e vuri Prenën”!
Shqipëria pret të hapen negociatat me BE, të cilat kërkojnë personalitete dhe ekspertë me eksperiencë në diplomaci, pasi do të negociohen 35 kapituj. Por, këto nuk mund ti bëjnë “matriushkat dhe bebushët” e zgjedhur apo akoma më keq Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme “balerina” Mimi!!
Timonieri ka personalizuar pushtetin dhe  personalizimi i pushtetit të çon në sisteme të deformuara demokratike. Kjo qeverisje po e kthen Shqipërinë në klientelizëm, paaftësi dhe demagogji si dhe një vatër që eksporton një pjesë të krimit të organizuar në Evropë.
Shqipëria me këto drejtues mediokër dhe krejtësish të paaftë, me edukim intelektual e profesional gjysmak si dhe mashtrues dhe vjedhës diplomash, duke u paraqitur si “koka të mencuara” dhe duke u prezantuar me  “hanëmet” e Vezirit si “Dr”.Mimi Kotelja, “Dr”. Gjylameti, “Dr”.Manastirliu, “Dr”.Palla etj…, por që  në fakt janë  vetëm një “Sekt pink dylberash”, servilash, hipokritësh dhe lëpirësash. Ky lloj sekti matrapazësh e mercenarësh, nuk njohin nënë e babë, familje pasi kanë filluar të ndryshojnë dhe gjini, komb e atdhe, vetëm për para!. Këta kanë humbur dinjitetin njerëzor dhe kombëtar! Në fakt qeverisja e “ripjelljes” vazhdon të pjellë vetëm hajdutë mashtruesa, narçistë, nihilistë, injorantë, hipokritë, fodullë dhe “doktorë”.
Gjatë gjithë historisë, protestat e studentëve janë bërë një element kryesor për ndryshimet shoqërore në mbarë botën. Ata studentë që protestojnë sot, mbështeten nga një histori e gjatë dhe e shquar dhe nga këta aktivistëve dolën njerëz të shquar. Nuk ka asnjë dyshim se revoltat studentore janë simbol i revoltës të të gjithë grupeve sociale si protesta e kuksianëve, minatorëve, naftëtarëve, banorëve të “Astirit”, banorëve të unazës dhe shqiptarëve të diasporës, ku padyshim shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kësaj gjendje qeverisëse është “timonieri” dhe “guzhinieri i tepsisë” së bashku me “dylberat/et” që kishte dhe ka pranë vetes. Sot ai ka shumë frikë, se nuk ka kujt t’ja lerë “bunkerin” e Surrelit, nuk është i sigurt nëse do të mund të gëzojë paratë e vjedhura e të fshehura në llogaritë off-shore, nuk ka siguri nëse “miqtë” e tij Gjiknuri, Ahmetaj, Beqaj, Nikolla, Kodheli, Tahiri, Xhafa, Sejdini, Xhuxhi Dako, etj do ti japin statusin e azilantit pasi ja kanë zënë radhën.
Prej vitesh Shqipëria është shndërruar një ndër vendet më të korruptuara në planet dhe këtë po e thonë me zë të lartë përveç opozitës dhe liderit të saj zotit Lulzim Basha çdo media dhe qeveri perëndimore.  Kjo qeveri ka dhënë me koncesion (PPP) të gjitha pronat, shërbimet jetike dhe pasuritë publike, pra pothuajse e ka dhënë shtetin me qera dhjetëravjecare. Sipas raporteve vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit çdo vit vidhet më shumë se 1/3 e buxhetit të shtetit shqiptar.  Vendi po shkon në një drejtim të dyshimtë, në mënyrë të krijojë sa më shumë pushtet “timonieri” gjithmonë në kurriz të shtetit dhe shtetasve të tij.  Timonieri ka demotivuar,  destrukturuar dhe e ka shkatërruar të gjithë administratën publike. Ka larguar dhe frikësuar të gjithë njerëzit e ndershëm, profesionistë,  të aftë, arsimuar, diplomuar dhe të kualifikuar, të gjithë artistët me dinjitet, të gjithë juristët e aftë, gjykatësit e prokurorët e ndershëm, mjekët, infermierët, gazetarët e ndershëm, të gjithë oficerët e ushtrisë e të policisë si dhe ka bërë që me politikat e pashpresa të largohen me qindra mijëra nga shqiptarët më të mirë e arsimuar në vende të tjera dhe të strehojë në Shqipëri emigrantë të botës së tretë dhe vetëm me një qëllim, që t’i qeverisur më lehtë.
Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kundërshtojnë me të gjitha format demokratike kundër kësaj propagande të fuqishme me orkestrim nga “ERTV & Endri” për të fituar statusin e qytetarit të lirë ku sistemi demokratik ta garanton dhe jo sistemi autokratik i “ripjelljes”. Në masën që hapësira për shprehje politike mbyllet nën autokracinë, qytetarët përballen me një zgjedhje të pakëndshme ndërmjet pranimit politik dhe protestës së dhunshme, me të gjitha rreziqet që mund t’i bëjnë këto opsione. Zhvendosja e regjimeve autokratike nga poshtë ka të ngjarë vetëm nëse lëvizjet sociale krijojnë organizata të forta dhe të qëndrueshme politike. Kështu që, rreziku i vetëm për një regjim autokratik vjen nga demokratët e mundshëm e opozitat e ndershme e me platforma të qarta qeverisëse, jo nga rebelët apo revolucionarët, të cilët do të rrëzonin një diktaturë dhe do ta zëvendësonin atë me një tjetër qeverisje të majtë, pasi  doktrinat e të majtës janë vetëm për nënshtrim dhe varfëri.
Shqiptarë të ndershëm të të gjitha grupeve sociale apo politike si dhe çdo shqiptar i diasporës, të cilët duan një Shqipëri demokratike më të mirëqeverisur, duhet të marrin frenat e drejtimit të vendit dhe të mos e lënë Shqipërinë të shkojë drejt sistemeve autokratike.
DD, Ph. D

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Matrioshkave”, Dritan demiraj, Qeverisja e “Matriakut

NJË URIM, NJË FALËNDERIM DHE NJË DËSHIRË PËR VITIN E RI

December 31, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri 2019 shokëve, miqve, kolegëve dhe bashkëpuntorve të mi, të afërt dhe të largët, sidomos lexuesve të nderuar të shkrimeve të mia modeste, në përgjithësi – në gazetat dhe portalet anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, të cilat me botimin e tyre, më kanë mundësuar shprehjen e lirë të mendimeve të mia në faqet e tyre të përditshme, në një hapësirë mediatike ku edhe është numri më i madh i lexuesve.  Uroj një Vit të Ri për të gjithë, një vit në të cilin të gjithë ne shpresojmë të realizojmë ëndërrat dhe qëllimet e parealizuara deri tashti, si individ dhe si shoqëri, kudo që jetojmë.  E bëj këtë urim, veçanërisht, për vëllëzërit dhe motrat tona anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët edhe pas pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe 10-vjet pavarësi e Kosovës, duket sikur endërrat e tyre për liri dhe demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar dhe për integrimin e tij të plotë në proceset euro-atlantike, mbeten vetëm aq – endërra, endërra të pa realizuara, të pa arrijtura.  Ju uroj lexuesve kudo dhe Kombit tonë në përgjithësi, që Viti i Ri 2019 të jetë një vit ndryshimesh për më mirë, një ndryshim të vërtetë të ri drejtimesh në strategjinë e politikës kombëtare, si dhe në përcaktimin e objektivave të reja për përmirësimin e jetës së përditshme, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, me një angazhim serioz nga klasa politike shqiptare, për realizimin e tyre.

Në prak të Vitit të Ri, fatkeqsisht, është vështirë të shihet se si mund të ndodhë një gjë e tillë. Nëqoftse viti që kaloi plot sfida, është një tregues i ngjarjeve të ardhëshme, Viti i Ri mund të jetë edhe më problematik për Shqipërinë dhe për Kosovën, me këto politika të papërgjegjëshme dhe përçarëse që po ndiqen, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

U shprehi falënderimet dhe mirënjohjen time kuptimplotë të gjithë atyre zonjave dhe zotërive zemërbardhë e mendjendritur – kolegë e kolege, miq e dashamirë dhe lexues të rregullt – të cilët me komentet e tyre më japin kurajë dhe më nxisin të vazhdoj të shpreh mendimet e mia në faqet e shtypit – mendime të cilat shpesh mund të duken si ndryshe nga shumica e opinioneve që botohen në median shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë.  Kjo ndoshta nuk duhet të konsiderohet si një meritë e imja, por e fatit tim që kam jetuar dhe punuar për pothuaj një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e rrethanave të tjera të jetës.  Unë nuk e harroj kurrë brezin e patriotëve shqiptarë – shumica e të cilëve nuk janë më — që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas ardhjes në fuqi të komunizmit, me të cilët kam pas fatin të njihesha dhe të cilët spikaten në mua rëndësinë e ruajtjes së traditave stërgjyshore dhe lartësimin e shpirtit origjinal të shqiptarit ndër shekuj.

 

Megjithse larg vendlindjes për një periudhë gjysëm shekullore – në një mjedis krejt tjetër kulturor dhe gjuhësor — jam përpjekur mbrenda mundësive të mia modeste, që ndër të tjera, të pasqyroj dhe të vlerësoj traditat, si dhe përfaqsues të atyre traditave stërgjyshore shpesh të anashkaluar e harruar dhe trashëgiminë tonë autotoktone, që po sulmohen dhe po përvetësohen çdo ditë nga armiqët e shqiptarëve, ndërkohë që nuk po mbrohen nga ata që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë  dhe të kultivojnë identitetin, kulturën, trashëgiminë dhe autoktoninë mija vjeçare të shqiptarëve në trojet e veta.

Shpreh edhe njëherë, falënderimet e mia më të përzemërta lexuesve për vlerësimet e tyre të vazhdueshme.  Me këto parime shpresoj që – për derisa të më japë Zoti jetë e shëndet — edhe në Vitin e Ri të vazhdoj të frymëzojë miqë dhe dashamirë, por mbi të gjithë lexuesit e rregullt të cilët bujarisht dhe me fisnikëri ndjekin rregullisht shkrimet e mia modeste.

Në fillim të këtij shekulli mendonim se më në fund, me shembjen e komunizmit dhe me arritjen e pavarësisë së Kosovës – shekulli XXI do të ishte më në fund, “Shekulli i Shqiptarëve”.  Gjithnjë presim më kot të shohim ndonjë shenjë të kësaj ëndërre.   Prandaj dëshira ime e sinqert – ashtu si edhe në vitet e kaluara — edhe në prak të Vitit të Ri 2019, është sa vjetër aq edhe aktuale, e përmbledhur me një thënje të At Anton Harapit, duke dëshiruar që sidomos klasa aktuale politike të mbledh mendët dhe t’u tregojë shqiptarëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe  “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët t’a bëjnë dhe t’a mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.”  Çdo gjë tjetër, më pak se ky realizim i dëshirës time dhe të një pjese dërmuese të shqiptarëve vullnet-mirë kudo në botë, është e papranueshme!

Problemet dhe sfidat e shqiptarëve – të mbrendshme dhe të jashtme — nuk mund të zgjidhen me formula të të tjerëve, që mund t’u përshtaten interesave të tyre dhe miqëve të tyre, në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Urimet më të përzemërta të gjithëve për një vit të mbarë për fatet e KOMBIT, si dhe për ju dhe familjet tuaja.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Nje Urim per 2019

URIMI I PRESIDENTIT META PËR VITIN E RI-2019

December 31, 2018 by dgreca

‘GËZUAR VITIN E RI!’, PRESIDENTI META: UROJ QË VITI 2019 TË REALIZOJË HAPJEN E NEGOCIATAVE ME BE-NË/

1 ilir meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale ka bërë një urim për të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.

Në urimin e tij, Meta i ka bërë thirrje që lënë pas të gjitha vështirësitë dhe konfliktet e vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura për suksese të përbashkëta.

“Të dashur motra e vëllezër shqiptarë! Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta.

Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm!

Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!”

Filed Under: Kronike Tagged With: PËR VITIN E RI-2019, URIMI I PRESIDENTIT META

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT