• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

DEGA E VATRËS NË QUEENS PËRKUJTOI IMZOT NOLIN DHE KRIJOI AKADEMINE STUDENTORE

March 18, 2019 by dgreca

– Dega e Vatrës në Queens deklaroi publikisht se nisi nga funksionimi Akademia e studenteve Shqiptaro Amerikanë. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë. Kjo Akademi studentësh nuk ka lidhje me Fondin e Studentëve që drejtohet nga Profesori Mithat Gashi, -fond që përkrah dhe stimulon studentët e ekselencës shqiptaro-amerikane dhe që funksionon pranë Vatrës që prej vitit 1959 –

Nga Dalip Greca*

Të shtunën me 16 mars 2019 në mbrëmje dega e Vatrës në Queens me kryetar dr.Skënder Murtezani organizoi një veprimtari përkujtimore kushtuar 54 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Vatrës, editorit të parë të Diellit,  dhe Atit të Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, Fan S. Noli, si dhe përkujtimit të demonstratave të Marsit të vitit 1981 në Prishtinë.

Dega u deklarua se kjo darkë do t’i shërbente edhe gazetës DIELLI për rivitalizimin e saj në prag të 110 vjetorit të të botimit të numrit të parë.

Darka u organizua në një nga sallat e qendrës së Dioqezës Katolike në Douglaston në Queens, NY, e cila është e njohur në zonë për mjediset e bollshme për të organizuar veprimtari të komunitetit. Salla,ku u organizua darka, ishte e  stolisur me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, kuq e zi, ndërsa në front të sallës përvec dy flamujëve kombëtar, atij amerikan dhe flamurit kombëtar shqiptar, ishin vendosë portrete të figurave tona Kombëtare, Heroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail bej Qemali, themeluesëve të  Vatrës-Fan S. Noli dhe Faik Bej Konica,si dhe Logo e Vatrës etj.

  Darkën e ka bekuar Father Daniel Keohane.

Dr. Skënder Murtezani i ka falenderuar pjesmarrësit që  janë përgjigjur thirrjes së grupit organizator të darkës. Ai ka shpalosur programin e darkës dhe qëllimin e kësaj veprimtarie sa përkujtimore aq edhe argëtuese për anëtarët e degës dhe familjet e tyre.

Dr. Murtezani deklaroi se pranë degës funksionon tashmë edhe Akademia e studenteve Shqiptaro Amerikan. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë. Kjo Akademi studentësh nuk ka lidhje me Fondin e Studentëve që drejtohet nga Profesori Mithat Gashi, -fond që përkrah dhe stimulon studentët e ekselencës shqiptaro-amerikane dhe që funksionon pranë Vatrës që prej vitit 1959 –

Për qëllimin dhe funksionimin e kësaj akademie studentore i njohu të pranishmit njëri nga nismëtarët e krjimit të këtij forumi studentor Stiv Manoku, Anëtar i Akademisë, student i mjeksisë në vitin e katërt.

  Kontributi i studentëve u pa edhe gjatë kësaj darke. Kristi Sokoli, nismëtar i krijimit të Akademisë studentore, solli para pjesmarrësve jetën e Imzot Nolit që nga lindja e derisa mbylli sytë me 13 mars 1965 në Fort Lauderdale

, Florida.

Dr. Skënder Murtezani solli copëza historie nga demonstratat e marsit 1981 në Prishtinë, të cilat paralajmëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

       Në veprimtarinë e degës së Vatrës në Queens mori pjesë nga kryesia e Vatrës z. Zef Balaj, anëtari i Këshillit të Vatrës Lek Mirakaj si dhe editori i Diellit me bashkëshorten.

Gjthcka shkoi mirë. Pjesmarrësit u kënaqën. Ushqimet cilësore dhe të bollshme, pijet po ashtu. Parkingu i lirë. Një vend ideal për veprimtari të tilla.

 Mbrëmjes i dha ritëm Radio Emigranti, që argëtoi pjesmarrësit me këngë e valle nga të gjitha trojet tona kombëtare. Ishte një mbrëmje me pjesmarrje të të gjitha moshave, ku ra në sy edhe numri i konsiderueshëm i fëmijëve, të cilët të mbledhur rreth DJ të Radio Emigranti kënduan në kor këngë patriotike. Veprimtari të tilla i afrojnë më shumë me njeri-tjetrin vatranët dhe familjet e tyre.

Dega e Queensit është një ndër degët që në vijëmësi organizon veprimtari kulturore, historike dhe argëtuse. Një shembull që duhet të ndiqet nga degët e tjera.

I pyetur nga gazeta DIELLI se si u arrit që për një kohë të shkurtër dega të organizonte një veprimtari të tillë që kishte më shumë se 100 pjesmarrës, Kryetari Dr. Skënder Murtezani, anëtar i Kryesisë së Federatës, tha: Nuk është e para herë që vatranët e Queensit i përgjigjen thirrjes së kryesisë së degës për veprimtari të tilla.

Në suksesin e kësaj veprimtarie kanë meritë shumë veprimtarë të degës, por do të vecoja :Viktor Gjeta, Panajot Përmeti, Saime Serri, Victor Xamo, Eduart Haxhillari, studentët Stiv Manoku dhe Kristi Sokoli e shumë të tjerë. Natyrisht në qendër të organizimit ishte vetë dr. Skënder Murtezani. Në fund dr. Murtezani preu tortën me emrin dhe vulën e Vatrës.

*Per me shume fotografi shkoni ne FB Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca

Dimër i acartë

March 18, 2019 by dgreca

Nga Alma Liço

Një ditë e zakonshme dimri kjo për Heidelbergun. Teksa eci e shkujdesur, dëbora  flokëdendur ndalet mbi trotuarin dhe bordurat e urës që ndodhet mbi lumin “Nectar”,  duke krijuar një vello të mahnitshme që shformohet dhe shndërrohet me pas në bulëza të kristalta uji. Ndalem për një çast dhe hedh vështrimin drejt lumit. Rrjedha e tij është kaq e ngadaltë sot.  Disi i përgjumur, ai përpiqet të mos trazojë magjinë që krijojnë flokët e bardhë që në mënyrë disi kaotike ndalen e humbasin mbi  sipërfaqen  e tij.

Papritmas ndjej disa mornica. Drithërima që nuk kanë asnjë lidhje me të ftohtin. Mendimet fluturojnë larg dhe ndalen në atdheun tim, i cila këto ditë dimri, po ashtu, është mbuluar nga dëbora. Por për bashkëqytetarët e mij, mrekullia e bardhë nuk mund të jetë kaq e magjishme. Nuk mund të jetë kurrsesi kaq joshëse. Teksa shtrëngojnë në kraharor ndonjë shishe plastike me ujë të ngrohtë, bashkëqytetarët e mi e vështrojnë atë nëpërmjet xhamave të dritareve të shtëpive të akullta. Në përpjekje për të ruajtur pakës ngrohtësi, njoh të moshuar që nuk ngrihen fare nga shtretërit. Përmes bëlbëzimeve, mezi arrijnë të artikulojnë modestisht nevojat e tyre.  Sa pak kërkojnë…të mos jetojnë mes drithmash.

Mediat dhe portalet ofrojnë pamje dhe lajme të trishta. Shoh të mjerë që humbasin jetën të karbonizuar nga shpërthimi i ndonjë bombole gazi, apo të asfiksuar nga karboni që lëshojnë stufat prej llamarine të sajuara. Eshtë dëshpërimisht impresionuese dhe mallëngjyese të shohësh fëmijë që duke u dridhur shkojnë në shkollë me batanie mbi supe.  Klasa të akullta. Vogëlushë që nën efektin e të ftohtit mezi arrijnë të bëlbëzojnë:

  –  Kemi  ftohtë …

Eshtë torturuese kjo bardhësi  për të miturit që enden rrugëve duke shtrirë duart e vogla, të ngrira në kërkim të ndonjë lëmoshe. Kalimtarët as që i vënë re.  Me supe të mbledhura e duke nxituar, ata vuajnë gjithashtu të ftohtin e dimrit. Ndjehen të robëruar nga pamundësia e pagesës së  faturave  të kripura të energjisë elektrike.

Një lypës i moshuar që nuk i mbijeton dot natës së acartë. Gjendet i pajetë nën një strehe të rrënuar, mes kartonash që kanë shërbyer si mbulesë për trupin e tij të drobitur. I braktisur në vetminë e tij.  Një roje nate po ashtu. I ngrirë. Viktima të mungesës së një strehe dhe pamundësisë për t’u ngrohur.

Papërgjegjshmëria dhe abuzimet galopante të politikës së postkomunizmit, si askund tjetër, u kanë mohuar bashkëqytetarëve të tyre nevojat më elementare për një jetë normale. Babëzia e paskrupullt për t’u pasuruar, duke grabitur çdo pasuri të atij vendi, ua ka errur tërësisht arsyen dhe orientimin përfaqësuesve të pushtetit,  për të shfrytëzuar në mënyrë të llogjikshme e humane burimet e pafundme energjitike për ngrohje,  që natyra aq bujarisht ja ka mundësuar Shqipërisë.

Pra, në këtë stinë të akullt, papunësisë dhe varfërisë në rritje u shtohet dhe përballimi me aq vështirësi i të ftohtit. Qindra, mijëra qytetarë ngrysen e gdhihen në mes të atij acari, pranë valixheve ku kanë vendosur ëndërrat e tyre të nëpërkëmbura. Një popull në arrati.  Familjarë që duan të ikin, të rinj që duan t’ja mbathin…larg…larg vendit të tyre. Vërtet  lebetitëse.

Shkëpus vështrimin nga rrjedha e ngadaltë e lumit. Vazhdoj rrugën e kthimit për në shtëpi. Sikur ta kenë kuptuar trishtimin tim, flokët e bardhë të dëborës tashmë ndalen duke ja lënë vendin një dielli të zbehtë që ngultas përpiqet të çajë kurorën e reve të përhimta. Sa do dëshiroja që këto rreze të derdhin ngrohtësinë e tyre në vendim tim të gjunjëzuar nën pushtetin e acarit. Ndihmoje Zot Shqipërinë e zhytur  në vrazhdësinë dhe arrogancën e pushtetit që ua ka kthyer në ferr jetën qytetarëve të saj. Ndihmoji Zot shqiptarët të bashkojnë forcat e ndrydhura, e të reagojnë ndaj së keqes së madhe që ka mbërthyer jetët e tyre,  shkaktarë të së cilës janë politikanët banditë të dalë tinëzisht e pabesisht nga kuzhinat çnjerëzore dhe labirintet e komunizmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO

Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi

March 18, 2019 by dgreca

Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi sepse nuk është arbitre mbi palët,por trajnere e një Serbie mitomane

Nga Elida Buçpapaj/

Për sa kohë do të vazhdojë të drejtojë Federica Mogherini dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë dialog. Përkundrazi do të ketë krizë dhe apetite të Serbisë për të kthyer orën mbrapsht!

Që të kishte dialog midis Kosovës e Serbisë, do të duhej që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, pra të dyja palët, të kishin një komunikim të barabartë mes tyre. Serbia duhej të hynte në dialog duke respektuar të gjitha arritjet e mundimshme të faktorit ndërkombëtar NATO/SHBA/BE/Gjykata Ndërkombëtare mbi Kosovën dhe për Kosovën, ndërsa Zonja Mogherini si palë e tretë mbi palët, do të duhej të ndiqte mbarëvajtjen, me atributet e arbitrit.

Nëse do të shihte interesin e BE-së, Federica Mogherini, për mbarëvajtjen e dialogut do të duhej të vendoste që në krye kushte, ku duhej të ndalohej çdo tentativë e Serbisë për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në organizmat ndërkombëtare, nisur nga fakti se edhe Serbia është pretendente për t’u anëtarësuar në BE.

Federica Mogherini mund ta tregonte dashamirësinë e saj me Serbinë vetëm në rezonancë me interesat e BE-së, duke i ofruar Serbisë një shans pranimi direkt në BE, me kusht që Beogradi të njihte Kosovën, të korigjonte Kushtetutën dhe të nënshkruante një marrëveshje me BE-në, ku të përjashtonte çdo lloj vetoje dhe aktiviteti kundër interesave Kosovës! Serbia do të privilegjohej, por mes Kosovës e Serbisë të hapej një faqe e re në histori në të mirë të ardhmërisë e brezit të ri. Sikur Franca dhe Gjermania!

Por Federica Mogherini, duke shkelur obligimet e saj si zyrtare e lartë e BE-së, ka hequr dorë nga arbitrimi free and fair dhe ka kaluar hapur me Beogradin, i cili sot ka dalë me pretendime mitomane të kohës së kriminelit Sllobodan Milosheviç, çka vë në rrezik hapur stabilitetin e rajonit dhe interesat e BE-së.

E kemi dëgjuar Federica Mogherinin një milionë herë t’i kërkojë Haradinajt heqjen e taksës 100 % që Kosova ka vendosur pas minimit nga ana e Serbisë të kushteve minimale për dialog midis dy vendeve sovrane, por kurrë që t’i tërheqë vemendjen Serbisë !

A loboi zonja Mugherini pranë UNESCO-s apo pranë INTERPOLI-it, si përfaqësuese e BE-së, meqë 23 vende të BE e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që Kosova të anëtarësohej në këtë dy organizma ndërkombëtare ?

Jo!

A i bëri zonja Mogherini ndonjëherë thirrje Daçiçit që të heqë dorë nga retorika agresive dhe lufta diplomatike e Beogradit që Kosova të mos pranohet në organizmat ndërkombëtare?

Jo!

A i ka tërhequr vemendjen ndonjëherë zonja Mogherini palës serbe që Beogradi të ndalë angazhimin shtetëror për anullimin e njohjes së pavarësisë të Kosovës nga shtete që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur?

Jo!

A i ka bërë thirrje Federica Mogherini Aleksandër Vuçiçit që ta heqin Kosovën nga Kushtetuta serbe, ku rezulton të jetë ende e pushtuar nga shteti që në konfliktin 1998-1999 e humbi luftën me NATO-n dhe shtetet e BE-së !

Federica Mogherini jo vetëm që nuk ka përmbushur funksionet e zyrës që përfaqëson, por e trajton Kosovën si një shtet të dorës të tretë, duke i privuar shqiptarët e Kosovës nga e drejta e e qarkullimit të lirë, ndryshe nga pakica serbe në Kosovë e cila e përfiton këtë të drejtë prej shtetësisë të dyfishtë!

Dua t’i bëj një pyetje zonjës Federica Mogherini: Kush ishte vendi agresor që dëboi 1 milionë shqiptarë nga vatrat e tyre dhe kush ishte viktima në konfliktin e vitit 1998-1999, Kosova apo Serbia,  ?

Federica Mogherini s’ka se çfarë t’i thotë sot as Këshillit të Sigurimit, as BE-së, as vendeve të Kuintit, as NATO-s dhe as Ramush Haradinajt, sepse ajo ka shkelur obligimet që kërkon arbitrazhi i paanshëm e me integritet dhe, nga arbitre e BE-së, ka kaluar hapur si trajnere e shtetit serb dhe Beogradit, duke nxitur oreksin e Serbisë me tema eksploduese që tashmë janë mbyllur një herë e përgjithmonë nga Perëndimi!

Sovraniteti territorial i Kosovës, i cili prej 20 vitesh mbrohet nga trupat e KFOR-it, është i pacënueshëm!

Kur them Federica Mogherini është trajnere e Serbisë, nuk është fjala për trajnere të një vendi që bën një garë të ndershme duke synuar BE-në, por është trajnere e një Serbie që i është kthyer mitomanisë të së djeshmes me rreziqe për të gjithë!

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë i mirëpritur kur të ngrihet mbi themele të shëndosha, me këmbën e mbarë dhe nga arbitër që interesohen për të mirën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve larg çdo lloj reminishence të së shkuarës. Na duhet t’i kurojmë plagët, jo t’i hapim rajonit plagë të tjera!

Për fatin e Kosovës në vitin 1998-1999 vendosi Perëndimi dhe populli i Kosovës, se Kosova është në zemër të Europës,  në respekt të së drejtës ndërkombëtare dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut, duke ndalur përmes ushtrisë së NATO-s dhe UÇK-së spastrimin etnik dhe genocidin që Serbia e Milosheviçit kishte ndërmarrë ndaj popullësisë civile në Kosovë.

Kur themi Perëndimi nënkuptojmë Madeleine Albright, Hillary Clinton, Angela Merkel, por jo Federica Mogherini!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj

“ALBANIAN STARS” KAMPION NË CHICAGO

March 18, 2019 by dgreca

Nga ILIAZ Kadriu

Para disa ditësh, në Ligën Kombëtare të futbollit të vogël për rrethin e Chicago-s, Klubi Futbollistik ” Albanian Stars” mbaroi sezonin e garave të kampionatit, ku djelmoshat kuq e zi me shqiponjën dykrenare u bëne kampion në garat e ligës kombëtare .

Më këtë rast lojtarët e klubit ” Albanian Stares” morrën titullin e kampionatit në futboll të vogël, i cili mbaroi më 1 mars, 2019.

Një javë më vonë, në lokalet e stadiumit ” Odeon” u mbajt play-off i kësaj lige , ku poashtu në futboll të vogël, lojtarët e skuadrës shqiptare fituan në finale ekipin ukrainas “Warta” me rezultat 3:1.

Në prezencën e një numri të madh të simpatizantëvë shqiptarë, trofeu iu dorëzua kapitenit të skuadrës shqiptare ” Albanian Stars” e cila me gëzim dhe hare kaloi nëpër duart e të gjithë lojtarëve .

Është për tu cekur se gjatë tërë kohës duartrokitje morrën lijrarët bashlë me  menaxherin Mugni Isa, kryetarin Halil Sherifi dhe Betim Bekteshi , i cili u zgjodh lojtari më i mirë i finales.

Vlen të theksohet poashtu se skuadra shqiptare disa vite më rradhë është duke korrur suksese të mëdha në garat e këtij kampionati në Chicago , duke iu falënderuar angazhimit maksimal të lojtarëve dhe udhëheqësisë së klubit.

Filed Under: Sport Tagged With: Iliaz Kadriu

EMIGRANTET NDIHMOJNE FAMILJET E VARFERA NE SHQIPERI

March 17, 2019 by dgreca

“Fryma e Shpreses” ndihma per te varferit

Fondacioni ” Fryma e Shpresës”, ka mundësuar një kontigjent ndihmash për familje në nevojë. Emirald Krosi themeluesi i këtij fondacioni, ka shpërndarë në disa familje në Fushë Mamurras dhe në zonën e Fushë Krujës. Ndihmat konsistonin në veshmbathje dhe ushqime, ndërsa ditë më parë ishin përzgjedhur familjet nga ky fundacion. Sipas Emirald Krosit, ndihmat janë siguruar nga emigrantë shqiptarë që jetojnë kryesisht në shtetin helen. Emigrantët kanë mundësuar dhe ndihma në velrë monetare. Marjana Kanani është një nga këta emigrante e cila ka dhënë kontribut për këto familje si në ndihma ushqimore, veshmbathje dhe në vlera monetare, ndaj sërish ajo ka premtuar se tjetër kontigjent do të vijojë të sjellë për familjet shqiptare në nevojë.(Ahmet Zani)

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT