• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

Në europë kemi hyrë që kur morëm malet

March 15, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Dy janë drejtimet e propagandës shtetërore këto ditë. Për më tepër që 16 marsi i bie edhe të ndodhi një ditë pas përvjetorit të Gërdecit, gjëmës shqiptare të informalizmit. I pari se çfarë thonë ndërkombëtarët, kjo në lidhje me mandatet e djegura etj. Dhe i dyti mënxyrat a dëmet nga qeverisja Pd-ës që në rastin konkret e finalizojnë me Gërdecin, figurën e Sali Berishës, djalit të tij, isha ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, Ballinjëve duke harruar qëllimisht dhe ca pinjollë të ish sigurimit që në atë etjen e babëzitur për të përfituar, nën informalitetin klasik shkaktuan të ashtuquajturën tashmë tragjedia e Gërdecit. Mirëpo kur vjen puna tek akti i veprimit, asgjë nuk ndodh. Tani se çfarë thonë ndërkombëtarët  a shtypi i huaj, e kemi parë edhe kur bojkotonte Edi Rama, kur bënte grevë me çadra beduinësh në bulevardin qëndron të Tiranës. Ky imazhi i Shqipërisë tek të huajt që shqetëson ca tipa me flokët plot xhel etj., duke thënë një mijë e një të zeza mund të përmblidhet i gjithi tek debati midis dy gazetarëve në një studio televizive kur njëri akuzon tjetrin se, përse vetëm milionat e eurove të mia përfliten, kurse për milionat e tua nuk flet njëri. Në Shqipëri nuk mund të flasësh më për një pushtet të tretë siç edhe konsiderohet shtypi, sot ai, ka pamjen dhe trahanasë. Madje shtypi ose më saktë këta shtypistat që ndihen të indinjuar me deklarat e të huajve në lidhje me imazhin e Shqipërisë, apo ata të tjerët të hidhëruar nga kjo rënie drastike e vendit për shkak të opozitarizmit etj, është pjesë determinuese e informalitetit tonë. Për një dhe të vetmen metodologji propogande se, ata që mbronin me zell bojkotin dhe çadrat beduine a grevën e Ramës, sot po me të njëjtin zell masakrojnë. Dhe anasjelltas… Mirëpo ka një dallim esencial, që ky bojkoti aktual dallon nga ai i Ramës në majin e 2010-ës, se atëherë rilindasit nuk shkonin në kuvend dhe e merrnin rrogën të plotë. Kurse këta sot, as nuk shkojnë e as nuk e marrin rrogën. Dhe kjo me të drejtë e ka emrin sfidë politike. Sa për linjën e dytë Gërdecin, ka vetëm një pyetje… edhe sa vjet pushtet i duhen Edi Ramës që të dënoj fajtorët, qoftë të Gërdecit, qoftë të 21 janarit etj.? Se deri tani, kemi kuptuar vetëm një gjë retorikën bajate të ankesave pa fund. Se ky kështu se ai ashtu. Ja kush është ky, ja kush është ai.

Eshtë fare e thjeshtë, arrestojeni dhe dënojeni, merrini se u bëni nder dhe demokratëve, demokracisë së vendit, Shqipërisë. Por ju nuk e bëni dhe kjo është e shpjegueshme, rrathët ciklik për mbajtjen e pushtetit. Nëse është Fatmir Mediu, Fahriu e Zeni, merrini siç morët liderin Lefter Maliqi…e bët drejtorë, tani së fundi deputet. Dhe jeni në rregull, nuk keni përse qani studiove me Alfred Pezës a atë tjetrën bjonden dhe flisni për modele. Merrini se do u bëni nder edhe demokratëve. Të jeni të bindur, 99% e tyre do u shplodhet shpirti nga largimi i dinastisë Balliu. Apo nga hunjtë e ngulur aty si Mediu, Ndoka, kërcimtarët si ai i minoritetit grek a ky i çamëve etj. Janë mandate të demokratëve, por e kemi thënë tani, informaliteti i formulave në votime, paktet etj, kanceri ynë social. Nuk mbahet pushteti me foto nga kërpushat e zjarrit të Gërdecit? Do këllqe… por këto kanë vdekur. Dhe kjo nuk mjafton vetëm për ju. Po të paktën le tua kujtojmë shqiptarëve, se tani, kanë arsye me shumicë për të protestuar.

Nuk gjen një investim publik në këto vitet e fundit të jetë bërë me fondet e shtetit publik. Por kudo, diku Kuvajti, diku Emiratet Arabe, diku Turqia, diku Greqia a Italia… Në ndëtimin e institucioneve a administratës, Amerika dhe komuniteti europian etj. Çfarë në fakt ndërtojnë shqiptarët? Ku investojnë qeveritë e tyre.? Kur nuk ndërtojmë dot një shesh publik, si mund të ndërtojmë ushtrinë, si mund të prodhojmë mjete të motorizuara. Shqiptarëve u duhet thënë vetëm kaq, ai kryeministër a ajo qeveri që ndërton me paratë e të huajve nuk bën për ju, ndaj zbytheni dhe vauhdojeni ciklin deri sa të vi aty ajo e duhura. Nuk mund të shpiesh një vend në europë me xhelista studiosh, me ankesa brinjësh e të ndenjurash, me qarje e memo nga ngjarje të kobshme… këto janë të tejkaluara më. Apo edhe këto sondazhet me 80% besueshmëri ky, 26% ai, 4% ajo etj, se aq është e uruara 100, aq është kuti matës. Protestoni vëllezër se në europë keni hayrë me kohë, edhe pse Rama, e baballarët e tij, Berisha e të tjerë fondamentalistë të nomeklaturës ju pengonin. Jemi në europë e kudo që nga koha kur morëm malet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja

MBËSHTETJA E FORTË AMERIKANO-GJERMANE PËR NATO-n PËRBALLË KËRCËNIMIT RUS

March 15, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga firma amerikane e sondazheve, Gallup, Inc., 52% e amerikanëve e konsiderojnë fuqinë ushtarake të Rusisë si një “kërcënim serioz” ndaj interesave jetike të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që Rusia zë vendin e parë në listën e vendeve që amerikanët i konsiderojnë si “armiq kryesorë” të Shteteve të Bashkuara.  I njëjti studim thekson, njëkohësisht, se 73% e amerikanëve kanë mendime jo të favorshme për Rusinë.  Si përfundim, thuhet në raportin e entit Gallup, Rusia është tani vendi që shumica dërmuese e amerikanëve e konsiderojnë si vendin armik numër një të interesave amerikane.  Sondazhi nenvijon se këto prirje në qëndrimin e amerikanëve ndaj Rusisë dhe politikave të saj, sidomos në fushën ndërkombëtare, janë venë re edhe para se televizioni shtetëror rus identifikoi, kohët e fundit, instalimet ushtarake amerikane të cilat do të ishin objekt agresioni në rast të një sulmi të mundëshëm bërthamor kundër tyre, nga ana e Rusisë.

Nuk është për tu habitur atëherë që në një atmosferë të tillë mosbesimi nga ana e amerikanëve ndaj Rusisë dhe qëllimeve të saja armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara, që mbështetja për Aleancën e Atlantikut Verior, NATO është shumë e lartë në radhët e amerikanëve.  Bazuar në një sondazh tjetër të firmës Gallup mbi mbështetjen që gëzon NATO-ja në Amerikë, 77% e amerikanëve mendojnë se NATO-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë, ndërkohë që 66% e amerikanëve shprehin mbështetje edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një ent i nevojshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve botërore, sipas të njëjtit sondazh.

Dihet se Presidenti Trump kishte shprehur skepticizmin e tij për ndihmat amerikane për organizatat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, gjatë fushatës për president dhe më vonë.  Ai kishte venë në dyshim edhe nevojën për ekzistencën e NATO-s, një qëndrim ky që në atë kohë u kritikua ashpër nga evropianët dhe nga Senati Amerikan.  Por, ky sondazh i kohëve të fundit, tregon qartë gjithashtu se edhe shumica e amerikanëve mendojnë ndryshe nga presidenti i tyre në lidhje me nevojën për ekzistencën e Aleancës më të fortë politiko-ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila ka ruajtur paqn në Evropë për 70-vjet, pas Luftës së Dytë Botërore.  Ndërkohë që pikëpamjet e Presidentit Trump ndaj NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara duket se kanë ndryshuar me kohë.  Ai nuk ve në pyetje më nevojën për ekzistencën e NATO-s dhe të OKB-së, por ngulë këmbë që të gjitha vendet anëtare të kontribojnë 2%, për mbrojtjen e përbashkët siç është rasti i vendeve anëtare të NATO-s dhe që vendet anëtare të OKB-së të japin kontributin e tyre për të mbajtur gjallë këtë organizatë. Realiteti në detyrën e presdientit të përballimit me zhvillimet e papritura në arenën ndërkombëtare, shpeshëherë shkaktojnë që të hidhen poshtë perceptimet e vjetra dhe të ndryshojnë pikëpamjet edeh të një preisdenti.  Në një vend demokratik si Shtetet e Bashkuara është e pamundur që një president të ndjekë dhe të mbështesë qendrime dhe politika — qofshin të mbrendëshme apo të jashtme – në kundërshtim me vullnetin e një shumicë aq dërmuese të popullit amerikan, siç është sot mbështetja e shprehur prej 77% e amerikanëve për Aleancën e NATO-s.   Sondazhi i firmës Gallup ve në dukje gjithashtu se mbështetja e amerikanëve për NATO-n është e fortë si në radhët e republikanëve ashtu edhe demokratëve, por edhe në radhët e atyre që nuk bëjnë pjesë në këto dy parti.

Studimi në fjalë thekson edhe mbështetjen e fortë të amerikanëve për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila sipas amerikanëve ajo luan gjithnjë një rol të dobishëm dhe të nevojshëm në botë. 86% e demokratëve amerikanë mbështesin OKB-në duke shprehur mendimin se roli i organizatës ndërkombëtare është edhe sot i nevojshëm, ndërsa 66% e atyre që nuk i përkasin asnjë partie dhe 49% e republikanëve amerikanë mendojnë se OKB-ja luan ende një rol të rëndësishëm.  Gallup ve në dukje se mbështetja e fortë dhe e vazhdueshme për NATO-n dhe OKB-në, madje edhe në periudhën e platformës politike, “Amerika e para” e presidentit Trump, amerikanët e të gjitha prirjeve politike vlerësojnë rolin që luajnë organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet bota. 

Ndërkaq, eshte matur mbështetja për NATO-n edhe në Gjermani.  Megjithë ndryshimet që ekzistojnë midis amerikanëve dhe gjermanëve mbi çështje të ndryshme ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet dypalëshe, ata ndajnë mendime pothuaj të njëjta përsa i përket Aleancës NATO, si dhe Rusisë e Kinës, njoftojnë Qendra Amerikane Pju e sondazheve dhe enti gjerman Korber-Stiftung. Sipas këtij sondazhi, gjermanët ashtu si amerikanët mbështesin fuqishëm Aleancën e NATO-s.  Si në Gjermani ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, sipas këtij sondazhi, mbështetja mbetet e lartë për NATO-n, madje edhe pas përplasjes midis Presidentit Trump dhe Kancelares gjermane Merkel, në lidhje me shpenzimet ushtarake dhe për influencën ruse, në takimin e Aleancës Perëndimore në Bruksel, korrikun që kaloi.  

Raporti i këtyre dy firmave të sondazheve — njëra gjermane e tjetra amerikane – rithekson faktin se mendimet e amerikanëve dhe të gjermanëve ndaj Rusisë vazhdojnë të jenë jo të favorshme dhe se pikëpamjet pozitive ndaj Rusisë, janë në nivelin më të ulët në Gjermani dhe në SHBA ç’prej vitit 2011, kur anë e mbanë Rusisë u mbajtën protestat popullore dhe pas akuzave për vjedhje të votave në zgjedhjet parlamentare të atij vendi, duke arritur një nivel edhe më të ulët, në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

Thirrjeve të Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve ushtarake, Gjermania u është përgjigjur pozitivisht.  Mediat gjermane kanë njoftuar muajin që kaloi se qeveria gjermane ka siguruar Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior se ka vendosur të rrisë gradualisht shpenzimet për mbrojtje, megjithë ngadalësimin e pritshëm të veprimtarisë ekonomike në Gjermani.  Ashtu si edhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të shtojë shpenzimet ushtarake me 2% të ardhurave kombëtare (GDP), në përputhje me objektivin e caktuar nga vendet anëtare të NATO-s, në vitin 2014.  Pritet që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të realizojnë angazhimin e marrë përsipër që të rrisin, gradualisht, shpenzimet ushtarake me 2% deri në vitin 2024. 

Dje (të enjtën), Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg botoi Raportin Vjetor të Aleancës politiko-ushtarake që ai drejton, një “Aleance moderne që u përgjigjet kërcënimeve të sotëme ndaj sigurisë, që u adaptohet sfidave të reja dhe e cila investon për të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në parathënien e raportit vjetor. Raporti shënon edhe 70-vjetorin e themelimit të NATO-s me një përspektivë historike të arritjeve dhe sukseseve të Aleancës ç’prej themelimit të saj në vitin 1949 e deri më sot, përfshirë antarësimin në NATO të ish-vendeve komuniste, dikur kundërshtare të saj.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

VATRANI BEDRI LITA DHUROI $2,000.00 PËR 110 VJETORIN E DIELLIT

March 15, 2019 by dgreca

Gjatë mbrëmjes të së mërkurës,, 13 Mars 2019, gjatë takimit të Kryetarit të Vatrës z. Dritan Mishto me Komisionin e festimeve të 110 vjetorit të DIELLIT, vatrani BEDRI LITA dhuroi 2 mijë dollar për fushatën. Nuk është hera e parë që bashkatdhetari LITA bën dhurime për Vatrën dhe Diellin. PËRHIRIME VATRANE!

Z. LITA ka qenë në krye të fushatave, duke u bërë frymëzim për dhuruesit e tjerë.Edhe në këtë fushatë ai vihet në krye të dhuruesëve me shifrën më të lartë.

Vatra I shpreh falendeirmet më të nxehta dhe fton vatranët e tjerë të bëhen pjesë e fushatës.

Edhe pak ditë na ndajnë nga kurorëzimi i 110 vjetorit të DIELLIT, gazetës më jetëgjatë të botës shqiptare, ZËRIT të SHQIPTARËVE.

JEPNI PER DIELLIN TUAJ QE GAZETA TA KETE TE SIGURTE SHEKULLIN E DYTE TE JETES SE SAJ!

Filed Under: Featured Tagged With: BEDRI LITA

DIASPORA VULOSI FITOREN NË MALËSI

March 14, 2019 by dgreca

Unifikimi i faktorit politik shqiptar në zgjedhjet lokale në Malësi si dhe fitorja e “Forumit Shqiptar” pa dyshim  ka vulën e diasporës shqiptare e cila ka qenë vendimtare në këtë fitore historike duke dëshmuar së angazhimi i përbashkët mbetet e vetmja zgjidhje sot dhe në të ardhmën për të arritur objektivat politike që janë në favor të avancimit të pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Dr.Nail Draga 

Duke marrë parasysh së pushteti monist, kundër vullnetit të shqiptarëve në vitin 1957 suprimoi komunën e Tuzit në mënyrë arbitrare, duke ia bashkangjitur ate komunës së Podgoricës, me miratimin e pluralizmit në vitin 1990, një ndër kërkesat e para të shqiptarëve ishte rikthimi i saj, që do të ishte në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis. Edhe pse një kërkesë e tillë ishte e arsyeshme dhe e mbeshtetur më shumë argumente, ishte pushteti që e pengonte realizimin praktik të një ideje të tillë, nga del së ende vazhdonte sindromi kundër kërkesave të shqiptarëve edhe tash në pluralizëm. Por, më së fundi u bë një hap i vogël në administrimin e qeverisjes lokale, sepse nga vitit 2006 në këtë aspekt kemi një ndryshim ligjor, duke formuar komunat urbane në kuadër të kryeqytetit(Podgoricës), ku bënte pjesë edhe ajo e Tuzit për tërë territorin e Malësisë. Por, një qasje e tillë të decentralizimit territorial si komunë urbane e më pas në kuadër të kryeqytetit, nuk plotësonte objektivat e shqiptarëve, sepse aspiratat ishin për komunë të pavarur si të gjitha të tjerat në Mal të Zi. 

Pikërisht në këtë aspekt nuk ka munguar angazhimi i subjekteve politike shqiptare për avancimin e Malësisë në statusin e komunës së pavarur, si të tjerat në Mal të Zi, që më në fund u arrit kompromisi me pushtetin qendror  dhe nga 1 shatori i vitit 2018 u bë realitet, por pritej që të shpalleshin zgjedhjet për të legjitimuar një status të tillë. Duke u bazuar në normat ligjore zgjedhjet u shpallën dhe data e zgjedhjeve u caktua 3 marsi 2019.

Koalicioni parazgjedhor

Nga përvoja dhe zhgënjimi në zgjedhjet e kaluara ndonëse ka pasur animozitet në mes të subjekteve politike në Malësi, e vetmja mundësi për të arritur rezultat pozitiv në zgjedhjet lokale për komunën e Tuzit ishte arritja e një koalicioni parazgjedhor. Pikërisht në këtë aspekt i parapriu koalicioni ASH-LDSH, por mungonte mbeshtetja nga UDSH, sepse fillimisht ishin deklaruar së do të dalin vet në zgjedhje. Por, në sajë të komunikimeve të ndërsjella, përfundimisht koalicionit në momentin e fundit iu bashkangjit edhe UDSH, me emrin “Forumi Shqiptar”, që ishte një lajm pozitiv jo vetëm për Malësinë por edhe më gjerë. Arritja e  një koalicioni të tillë pati jehonë pozitive  dhe u mbeshtet  nga subjekte të ndryshme shqiptare e po ashtu  edhe nga diaspora e Malësisë kryesisht në SHBA. 

Rezultati arsyetoi unifikimin

Dita e votimit me 3 mars ishte ditë historike për Malësinë, sepse për herë të parë pas 62 viteve votohej për komunë të pavarur, andaj nuk ishte befasi interesimi i madh i mediave nga hapësira shqiptare dhe më gjerë, duke qenë lajmi kryesor i ditës. Këtij konstatimi duhet shtuar edhe ardhjen e diasporës shqiptare nga Malësia për të marrë pjesë në votim, të cilët i dhanë një peshë të veçantë kombëtare duke moblizuar votuesit për të dalë në zgjedhje, kryesisht mbeshtetësit e “Forumit Shqiptar”. Ishte kjo një sakrificë e tyre duke udhtuar me mijëra kilometra, për të mbeshtet  vendlindjen dhe identitetin kombëtar në këtë kohë të krizës morale. Në sajë të informacioneve që disponojmë është përshtypje e përgjithshme se ishte një fushatë zgjedhore model ku shqiptarët  kanë dëshmuar kulturë qytetarie dhe kapacitet demokratik. 

Në regjistrin zgjedhor ishin 11904 votues, që kanë pasur mundësi të votojnë në 30 vendvotime për të zgjedhur 32 këshilltar, ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, e nga to 5 parti politike(DPS,SD,SNP,BS,DCG) e 1 koalicion(Forumi Shqiptar). Sipas rezultatëve zyrtare  të shpallura nga KZK i Komunës së Tuzit del  së në votim kanë marrë pjesë 7824 qytetarë apo 65.7%, ndersa sipas subjekteve politike janë arritur këto rezultate: “Forumi Shqiptar”(ASH-LDSH-UDSH) 3683 vota apo 16 mandate, DPS 2490 vota 10 mandate, BS 961 vota 4 mandate,SD 361 vota 1 mandat dhe DCG 235 vota dhe 1 mandat, ndërsa SNP 86 vota pa mandat.

Nga të dhënat e më sipërme del se Koalicioni i partive shqiptare “Forumi Shqiptar” është fitues i zgjedhjeve, ndërsa për të marrë shumicën parlamentare i duhet vetëm 1 mandat të këshilltarit. Nga ana tjetër humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte DPS, sepse humbi 4 këshilltar nga zgjedhjet e fundit në vitin 2017, që sipas gjasave do të jetë në opozitë në pushtetin e ri lokal në Tuz.

Një votë vendosi mandatin e këshilltarit 

Në zgjedhjet politike jo rrallë ndodhin momente të veçanta e kjo ka të bëjë sidomos me rastin e numërimit të votave dhe ndarjës së mandatëve. Madje nga përvoja e deritashme dihet se ka pasur jo vetëm numërime, por edhe rinumërime e madje edhe përsëritje të vendvotimeve që kanë ndikuar  në rezultain definitiv të zgjedhjeve. Pikërisht, kësaj here në KZK në Tuz dy ditë pas zgjedhjeve ndodhi rinumërimi i votave, me të vetmin qellim për të vërtetuar votat për Demokratët e MZ, sepse ata ishin me mundësi reale  për të humbur mandatin e këshilltarit, sepse në pyetje ishte vetëm një votë. Por, edhe pse u bë rinumërimi nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse 235 vota ishin në kufirin e 3% dhe mandati për Demokratët e MZ ishte i vulosur. Por, po të ndodhte diçka e tillë  atëhërë  DPS-i do të kishte një mandat me tepër, ku do të kishim një situatë aspak të përshtatshme, sepse “Forumi Shqiptar” në njëren anë do kishte 16 mandate e të gjithë të tjerët së bashku me DPS-in do kishin 16 mandate, që do të ishte moment i veçantë dhe i diskutueshëm për formimin e pushtetit lokal në Tuz. 

Kremtimi i fitorës historike

Fitorja e shqiptarëve në kuadër të “Forumit shqiptar” u kremtua në një manifestim të veçantë në restorantin “Troja”, që ishte moment i veçantë emocional për këtë fitore historike, me dekor me flamuj kombëtar dhe muzikë shqiptare. Ishte ky një festim i rrallë që i ka munguar Malësisë dhe të gjithë shqiptarëve, sepse u arrit ajo që është pritur vite me radhë. Ishte ky kremtimi i të gjithë shqiptarëve e në veçanti i diasporës shqiptare e cila ka dhënë një shëmbull patriotizmi se si duhet vendlindja duke i venë vulën fitorës së zgjedhjeve në Malësi. Ndërsa atyre që iu ka pënguar kremtimi i fitorës  së shqiptarëve duhet thënë se shqiptarët  do të festojmë përherë dhe nuk do të pyesim të tjerët se si të festojmë fitoret tona. 

Malësia model për zgjedhje parlamentare

Nuk ka dilemë se fitorja e “Forumit Shqiptar”, ka nxitur reagime të ndryshme në aspektin pozitiv, duke dëshmuar së bashkimi i subjekteve politike në një listë zgjedhore  duhet të jetë model edhe për zgjedhje tjera në të ardhmën. Madje nga tash theksohet së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët duhet të dalin me një listë zgjedhore. Por, duke marrë parasysh raportët jo të favorshme ndërpartiake në sajë të  animozitetit të përfaqësuesve të subjektëve politike, mendoj se  do të jetë vështirë për të gjetur një kompromis në këtë drejtim. Por, rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit parlamentare duhet të jenë dëshmi e mjaftueshme, sepse duke dalur me disa lista zgjedhore, shqiptarët janë humbës, sepse  në Kuvendin e Malit të Zi momentalisht janë të përfaqësuar vetëm me një deputet. Eshtë e tepërt të thuhet se sa do të ishte ndikimi i shqiptarëve nëse do të ishin të pranishëm me 2 apo 3 deputet që do ishin faktor kyç në procesin e avancimit të pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis.

Madje në këtë aspekt  shëmbull tipik mund të na shërbëjnë boshnjakët(BS)  të cilët edhe pse janë të përfaqësuar vetëm  me 2 deputet jemi dëshmitarë se  kanë realizuar objektivat e tyre në  shumë aspekte. Duke marrë parasysh se në Mal të Zi kemi një krizë politike e cila është duke u prezentuar përmes aferave koruptive në strukturat më të larta të pushtetit si dhe nga ana tjetër kemi protestat e qytetarëve dhe bojkotimi i parlamentit nga opozita, janë dëshmi të mjatueshme se kjo krizë politike do të zgjidhet me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pikërisht gjendja aktuale dhe rezultati pozitiv në Malësi, duhet të jetë motiv për unifikimin e subjektëve politike shqiptare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

(Mars 2019)

Filed Under: Analiza Tagged With: Draga NAIL

Në Kosovë Dita e Verëzes, si në Shqipëri  Dita e Verës

March 14, 2019 by dgreca

-Dita e Vërëzës, prej dy vitesh festë zyrtare në Prizren, e vendosur nga Kuvendi i Kumunës – ide e kaherëshme e raportimeve që kam bërë shumë vite nga Kosova në Shqipëri/

-Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në  23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte: “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 14 Mars 2019/ Dita e Verëzës, si Dita e Verës në Elbasan – në Shqipëri në 14 Mars, është edhe në Kosovë në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Në Kosovë, edhe pse ka ide,  ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verëzës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.  

Ndërkohë, Dita e Vërëzës prej dy vitesh është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në  23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte: “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.

Për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova në 14 mars 2012, para 7 viteve, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.

“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide apo iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në foto arkivi të raportimeve të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në borë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht e Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Albanian Telegraphic Agency – ATA, për të cilën nga 24 marsi i pranverës 1992 nisa raportimet nga Kosova, pjesë e të cilave ishin edhe raportimet për festimet e Ditës së Verëzes.

Ndërsa, para 23 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e  shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të lyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet nëpër familje, sëbashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin,  kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.

“Ani mori Verë moj e lumja Verë

Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës në Zhur, fshatin më të  madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzës i këndohet edhe në 13 mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT