• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

HISTORI nga “IBRAHIM RUGOVA: JETA DHE VEPRIMTARIA LETRARE E POLITIKE

May 24, 2019 by dgreca

SPECIALE PER DIELLIN-HISTORI nga “IBRAHIM RUGOVA: JETA DHE VEPRIMTARIA LETRARE E POLITIKE”: Me 24 Maj 1992, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament. Vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia si dhe vëzhguesit e partive që morën pjesë në zgjedhje i vlerësuan ato demokratike dhe të organizuara mirë. Akti i votimit të lirë, pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime dhe atmosfera e krijuar, u shndërruan në demonstrim dhe manifestim të vullnetit politik për pavarësi dhe demokraci të Kosovës/

-Intervista e parë ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para çerek shekulli/

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 24 Maj 2019/ Me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind, Kosova para  27 viteve, në 24 Maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.

Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 27 viteve  të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Para 27 viteve, në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

 “Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se ato janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë. 
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke. 
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme. 
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind. 
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament. 
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez. 
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës. 
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor. 
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës. 
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga SHBA dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota. 
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve. 
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se,  gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë. 
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.

Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën. 
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para 27 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë.  Raportimet i bëja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 25 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Zgjedhjet e dyta parlamentare e presidenciale Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.

Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova ka mbajtur 12 palë zgjedhje, 6 parlamentare e 6 lokale, gjysma prej tyre pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së.

ASHTU SI U BOTUA TË HËNEN E 26 SHTATORIT 1994  NË GAZETËN E PËRDITSHME TË REZISTENCËS NË KOSOVË, “BUJKU”, INTERVISTA ME RUGOVËN E PLOTË ËSHTË KJO:

MBITITULLI: Intervistë e Presidentit të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare

Titulli: POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE

—

NËNTITUJT: Bëjmë një rezistencë mjaft të organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes. – Në planin ndërkombëtar, ideja për mbrojtje ndërkombëtare të Kosovës shqyrtohet. – Shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptojnë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese. – Dialogu me serbët gjithsesi në prani të faktorit ndërkombëtar. – Ideja për lidhje konfederale të Kosovës me Shqipërinë u prit mirë në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. – Me hapjen e problemeve me Shqipërinë, Greqia dëshiron ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. – Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale është një akt që e afirmoi tutje çështjen dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës. – Shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion. – Zgjedhjet në LDK ishin shumë të suksesshme në planin e vazhdimësisë, unitetit e konsolidimit

—

Prishtinë, 25 shtator (ATSH)

Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë që i dha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, flet për shkallëzimin e represionit e të terrorit në Kosovë, për shmangien e konfliktit e mbrojtjen ndërkombëtare për Kosovën, tendencat greke për destabilizim të Ballkanit e në raport me Shqipërinë e shqiptarët, politikën globale shqiptare e për bashkëpunimin me Shqipërinë, idenë e lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha trojet etnike në ish-Jugosllavi, për zgjedhjet në LDK – partinë më të madhe shqiptare në Kosovë, dhe për çështje të tjera aktuale. Intervistoi: Behlul JASHARI. (Kjo është intervista e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në)

PËRDITSHMËRI REPRESIVE QË NGRITË TENSIONET NË KOSOVË E NË RAJON

Zoti President, institucione e asociacione ndërkombëtare (si Amnesty International në raportin e fundit etj.) kanë shprehur brengosje e shqetësim për shkallëzim të përshpejtuar të represionit e të terrorit në Kosovë. Çfarë është situate shikuar nga afër, si përditshmëri e popullit të Kosovës?

-Në Kosovë qe sa vite e kemi një përditshmëri represive, represion sistematik, që shkallëzon apo përshpejtohet edhe me ngjarje të ndryshme, siç i kishim vrasjet edhe këta dy muajt e fundit dhe momente të tjera të rënda. Është një represion masiv në Kosovë, dhe, natyrish, i ngritë tensionet politike këtu dhe në rajon. Represioni veçmas është shprehur pas largimit të misionit të KSBE-së nga Kosova. Prandaj, kërkojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë, e po ashtu kushtëzimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi edhe me Kosovën.

Institucione e asociacione ndërkombëtare e kanë të njohur çështjen e Kosovës, sidomos Amnesty International, e cila ndjek situatën, më duket, prej 81-shës, e këtej, sidomos këto vitet e fundit. Situata ndiqet po ashtu edhe nga Federata e Helsinkit nga Vjena, pasaj nga Helsinki Uaç i SHBA-ve dhe nga mjaft institucione të tjera ndërkombëtare. Ne përshëndesim çdo interesim dhe angazhim ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

REZISTENCË E ORGANIZUAR PËR TË MBIJETUAR

Ka kohë që Kosova jeton midis një gjendje lufte të pashpallur dhe të një paqeje të paqenë. Në këtë front dhune, siç e quani ju, si u arrit, që, megjithatë, Kosova dhe shqiptarët t’i shmangen konfliktit të hapur dhe të jenë faktorë të krijimit të stabilitetit në rajon?

-Flitet se në Kosovë është një paqe e këtij apo atij lloji. Do të kisha thënë se, megjithatë, është më mirë që ekziston një gjendje e tillë sesa të ndodhte ajo më e keqja. Mundësinë e një konflikti kemi arritur ta evitojmë në saje të politikës që kemi ndjekur deri tash, rezistencës paqësore dhe të një rezistence politike, njëhohësisht në saje të popullit të Kosovës, i cili nuk i ka pranuar provokimet. Populli ka dhënë mjaft sakrifica deri tash, qoftë me maltretimin, me situatën represive, pastaj me vrasje të ndryshme. Mund të them se nuk është një rezistencë pasive, siç komentohet shpesh. Pra, është një rezistencë mjaft e organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes.

Po ashtu, situatën në Kosovë duhet ta shikojmë në bazë të situatës në të gjitha rajohet e ish-Jugosllavisë, sepse është një rajon i mbërthyer në luftë, me fronte të hapura në Bosnjë, në Kroaci, pastaj në Kosovë me një front të dhunës dhe të represionit. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka kontribuar që të ruhet një lloj stabiliteti dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë.

GREQIA NUK KA TË DREJTË

Tendenca të reja të destabilizimit të rajonit u shfaqën kohëve të fundit edhe nga ana e Greqisë. Si i vlerësoni këto tendenca në raport me Shqipërinë, po edhe me Kosovën e shqiptarët, përgjithësisht?

-Për fat të keq, Greqia qe një kohë paraqitet si faktor destabilizues në Ballkan, mund të themi mbas Serbisë. Prandaj, ne kemi kërkuar disa herë nga Greqia edhe si anëtare e Bashkësisë Evropiane të kontribuojë për marrëdhënie më të mira fqinjësore me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar në përgjithësi. Nëse këtë mund ta interpretojmë si një lidhje me Serbinë, qoftë direkte apo indirekte, mund të them se kjo bëhet me qëllim që të minimizohet çështja e Kosovës në planin ndërkombëtar. Sot çështja e Kosovës po depërton në këtë plansiçështje që don zgjidhje në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Ndërsa, me hapjen e problemeve me Shqipërinë gjithsesi Greqia dëshiron, dhe një herë e them, ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe, mund të themi, t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. Mirëpo, Greqia nuk ka të drejtë. Kemi të bëjmë me një minoritet të vogël grek në Shqipëri, i cili, edhe më parë ka gëzuar një vistër të drejtash ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa sot, pas ndryshimeve demokratike, gjithsesi janë më të avancuara ato të drejta dhe do të avancohen vazhdimisht siç e ka realizuar dhe e premton qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha. Prandaj, i bëj edhe një apel Greqisë që më tutje të ndikojë në qetësimin e situatës në Ballkan.

PROTEKTORATI QË E KËRKOJMË NUK ËSHTË QËLLIM FINAL

Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë dhe rreziqeve të përhapjes së konfliktit edhe në Jug, Ju keni kërkuar shumë herë mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Në ç’formë do të ishte e mundshme ajo mbrotje dhe çfarë është qëndrimi ndërkombëtar lidhur me këtë kërkesë?

-Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptonë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese.

Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim. Po shtoj edhe me këtë rast se ka disa keqkuptime në opinionin kosovar. E, duhet ditur se protektorati apo administrata civile nuk është qëllim final, por është vetëm një mjet legal i së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të qetësuar një rajon apo një territor, siç është Kosova, që të gjendet një zgjidhje pa luftë dhe pa konflike. Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës.

BISEDIMET SHQIPTARO-SERBE GJITHËSESI NË PRANI TË PALËS SË TRETË

Krahas gatishmërisë së kahershme shqiptare, kohëve të fundit janë shtuar edhe insistimet ndërkombëtare për dialog midis Prishtinës e Beogradit. Çfarë janë mundësitë dhe gjasat e fillimit të këtij dialogu?

-Ne, qe sa kohë, jemi përcaktuar për bisedime, për dialog, për marrëveshje me Serbinë. Po, Serbia nuk ka treguar interesim. Ne u përpoqëm t’i shfrytëzojmë edhe institucionet ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, siç ishte Konferenca e Londrës, e Gjenevës, ku ekziston Grupi i veçantë punues për Kosovën. Biseduam për disa probleme konkrete, para dy vjetëve, siç janë arsimi, masmedia, shëndetësia, por nuk arritëm kurrëfarë rezultatesh.

Tash për tash flitet për mundësitë e një dialogu dhe për këtë falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, vendet e Bashkësisë Evropiane dhe vendet e treta, si ato skandinave, Austrinë, etj. Pastaj, SHBA-të janë të interesuara që të fillojë ndonjë bisedim, ndonjë dialog. Deri tash zyrtarisht nuk kemi pasur indikacione nga pala serbe, por shpresoj se edhe ajo do të bindet një ditë dhe do të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje, qoftë në kuadër të institucionit ndërkombëtar, siç është Konferenca e Gjenevës, apo ndonjë tjetër. Por, ne gjithësesi kërkojmë një palë të tretë të autorizuar për dialog. Kur them të autorizuar mendoj që ky grup apo bosht shtetesh që është aktualisht në Grupin Kontaktues për ish-Jugosllavinë, që është tash për tash i koncentrar në Bosnjë, SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, pra nga ky grup të gjendet një palë e autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do të udhëheqte dialogun. Dhe, ky nuk është ndonjë kusht nga pala shqiptare, siç e paraqet Serbia duke dashur ta eliminojë palën e tretë, por, kjo është më shumë teknikë e dialogut, e bisedimeve, dhe kurrgjë më shumë. Dhe, në këtë drejtim ne insistojmë.

PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN

Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?

-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET

Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?

 -Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.

Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më e madhe, edhe më e frytshme.

DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR

Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?

-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.

NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE DUHET TA FUSIM KOMPROMISIN

Si kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, çfarë qëndrimi mbani lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e paralajmëruara në Maqedoni?

-Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare aprovon dokumentet kryesore dhe një strategji globale. Si kryetar i këtij Këshilli, që kam një përgjegjësi edhe si president i Kosovës, mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion, përkundër atyre grindjeve të vogla që kanë ndodhur, që janë pak a shumë normale në proceset e zhvillimeve politike të një partie. Prandaj, gjithsesi duhet të zënë më shumë vende në Parlament, e pastaj le të përcaktohen ato mes partive apo grupeve të ndryshme politike. Ne duhet të fusim në jetën politike shqiptare kompromisin, ju lutem, jo vetëm marrëveshjen, jo vetëm marrëveshje të ngurta, fikse, insistime fikse. Patjetër duhet ta fusim kompromisin, sepse kompromisi është një prej elementëve të demokracisë.  Dhe, të lirohemi prej asaj që e kemi jetuar në një sistem, ku kompromisi është kualifikuar negativisht. Prandaj, sot na duhen kompromisi, marrëveshja, falja e gabimeve, etj. Të gjithë flasin, dhe shumë mirë që flasin, për një ide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është shumë praktike. Prandaj në situatat e pluralizmit, në situatat e marrëveshjeve, insistoj në një kompromis dhe shpresoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse ka pak kohë, do të gjejnë forcë dhe mundësi që të dalin së bashku si një bllok në zgjedhjet në Maqedoni. Është me rëndësi në këtë moment të zënë sa më shumë vende në Parlamentin e Maqedonisë. Masa shqiptare atje ekzison dhe nuk bën t’a humbim përfaqësimin, të drejtën e përfaqësimit në Parlamentin e Maqedonisë.

Të mos harrojmë se pa marrë parasysh vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe katërvjeçare në Maqedoni ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen, edhe në institucione ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare.

LDK-ja TREGOI UNITETIN QË I DUHET PATJETËR KOSOVËS NË KËTË SITUATË

Me zgjedhjen dhe konstituimin e Kryesisë së LDK-së, kësaj jave, praktikisht përfunduan zgjedhjet në partinë më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve në Kosovë. Si i vlerësoni ato, si dhe tendencat për diskreditim të LDK-së e të partive të tjera shqiptare?

-Këto zgjedhje, edhe para një viti në planin lokal – nëpër degë e nëndegë të LDK-së, ishin mjaft pozitive. Pastaj patëm një vonesë për shkak të rrethanave në të cilat veprojmë, sepse nuk është lehtë sot që të mbash një tubim të madh siç ishte Kuvendi i LDK-së në këtë situatë kur është i ndaluar çdo tubim publik për shqiptarët. U mbajt Kuvendi dhe ai tregoi një unitet, një konsolidim.  Pastaj këto ditë edhe Kryesia e LDK-së u zgjodh. Këtë e shoh si një sukses të madh të zhvillimit të kësaj partie, e cila e ka edhe barrën e një pushteti në Kosovë. Pra, është një kryesi e vazhdimësisë, kryesi e konsolidimit, siç ndodh në çdo parti, dhe, edhe një herë tregoi se LDK-ja është një forcë dhe një fuqi e madhe, e organizuar dhe relevante në Kosovë dhe në botën shqiptare.  Nuk është më partia në fillimet e saj, tash vërehet një lloj profilizimi i kësaj partie, dhe këtë duhet ta shikojmë si një proces normal. Është vështirë të flasim sot për profilizim partiak në Kosovë, sepse në këto kushte të okupimit është shumë vështirë, edhe çdo parti, ndoshta edhe më e vogla, e ndien barrën e interesave kombëtare, të interesave shqiptare në përgjithësi. Por, si një organizim i madh LDK-ja, megjithatë, tregoi se është një parti e fortë, di çka don, forcohet nga brenda, është parti që afron njerëzit e vullnetit të mirë për të bërë diçka. Dhe, kjo përgënjeshtroi edhe mjaft spekulime të ndryshme që mundohen sot t’i mëvishen lëvizjes shqiptare në Kosovë, në radhë të parë LDK-së, pastaj partive të tjera politike, me diskualifikime se nuk janë demokratike, jo e majtë, jo e djathtë etj. Siç dihet, me të majtën rreth Kosovës është manipuluar shumë, me mijëra njerëz kanë pësuar për këtë. Të gjitha këto bëhen me qëllim. Për shembull, janë munduar ta shpallin LDK-në edhe si parti terroriste, e çka jo tjetër.

Përkundër të gjithave, edhe kësaj radhe u tregua një unitet, një koncenzus, një bashkim partiak, një unitet që i duhet patjetër Kosovës në këtë situatë. Dhe, besoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën politike shqiptare në Kosovë dhe në jetën politike shqiptare në përgjithësi.

VIZIONI I ARDHMËRISË SË SHTETIT TË KOSOVËS

Ju lutem për një koment për Deklaratën Politike që e miratoi Kuvendi i Dytë i LDK-së, veçmas për vizionin për të ardhmen e Kosovës?

-Deklarata Politike e Kuvendit të Dytë të LDK-së është një dokument në vazhdën e dokumenteve të tjera, që i kemi pasur, që nga Programi i LDK-së, pastaj Deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Në këtë Kuvend dhe në deklaratën që e aprovoi u theksua më shumë organizimi i ardhshëm i shtetit të Kosovës, që e kemi edhe në Kushtetutën tonë – një shtet i popujve të barabartë, i qytetarëve, me një ekonomi të lirë të tregut, i hapur ndaj botës. Një shtet, ku nuk do të lejohet, pas kësaj situate që e kemi, revanshizmi ndaj të tjerëve. Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet. Është kjo një ide, një projekt, që vërtetë hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje. Sepse, në këtë situatë në Ballkan të flasë njeriu për një perspektivë kombëtare qytetare është shumë vështirë, kur, për fat të keq, qarkullon ajo fantazma e çmendive të ndryshme, të konfrontimeve në këtë kohë. Ky ishte edhe një rezultat i Kuvendit të Dytë të LDK-së, dhe, natyrisht, punojmë në këtë plan.

REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR

Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

-Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.

INTEGRIMET SHQIPTARE EDHE NË INFORMIM

Zoti President, Ju falënderojmë për këtë intervistë.

-Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri.

SI DHE KU E ZHVILLOVA INTERVISTËN E PARË EKSKLUZIVE ME PRESIDENTIN HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA

Shtëpia e shkrimtarëve, që ishte shndërruar edhe në seli Presidence e institucionesh tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të okupuar e të panjohur ndërkombëtarisht, mund të vëzhgohej edhe nga dritaret e ndërtesës kryesore të Policisë në Prishtinë, që atëherë ishte serbe pas suprimimit antikushtetues e të përgjakshëm me kushtetutën e tankeve të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje. Në zyrën e Presidentit Rugova, në atë shtëpi, intervistën e incizova me dy kasetofona, jo vetëm për siguri teknike, por edhe për siguri të tjera. Njërin nga incizimet ia lash këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, për çdo rast, meqë ishte droja se kur të dilja nga ajo shtëpi, që mund të ishte edhe e përgjuar,  rrugës do më ndalonte policia serbe dhe do konfiskonte kasetofonët me intervistën.

Ishte kohë e ndalesave dhe e okupimit të egër dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredakto r i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  tëgazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.

Intervista me Rugovën, e realizuar në 22 shtator, e botuar në gazetën “Bujku” të Prishtinës në 26 shtator 1994, edhe nëAgjencinë Telegrafike Shqiptare u dërgua me ndonjë ditë vonesë, me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.

Raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i  Republikës, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit tëAgjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë.

***

Urohet Dita e Presidentit

-Kryetari Mustafa uron 24 Majin, Ditën e Presidentit të Republikës së Kosovës. Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova është arkitekti i shtetit modern demokratik të Republikës së Kosovës/

PRISHTINË, 24 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa uron të gjithë qytetarëve të Kosovës 24 Majin, Ditën e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kjo datë shënon dhe përkujton 24 Majin e vitit 1992, kur u mbajtën zgjedhjet e para presidenciale demokratike në Kosovë, ku qytetarët e Kosovës zgjodhën, për herë të parë, Presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.

Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova është arkitekti i shtetit modern demokratik të Republikës së Kosovës, i vendosur në rrugën e integrimit euroatlantik dhe përherë në miqësi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. 

Ibrahim Rugova ishte simbol i unitetit dhe vendosmërisë së paepur të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Nder dhe lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, shprehet në urim kryetari i LDK-s.

*Me shume foto gjeni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste me Ibrahim Rugoven-Behlul JASHARI

Hashim Thaçin e kanë kontaminuar Rama dhe Vuçiq!

May 24, 2019 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

 Sot Hashim Thaçi ka shkruar një akt-akuzë të gjatë kundër Sali Berishës. I gjendur ngushtë përballë kritikave të ashpra të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, liderit të lëvizjes demokratike në Shqipëri, Thaçi në këtë promemorie kritikë-sharje kundër Berishës ka shkarkuar gjithë mllefin e vet personal dhe ka përdorur gjuhën më të shthurur të mundshme për denigrim. Me gjasë ai ose personi në Tiranë ose në Beograd që ia ka shkruar këtë flet-rrufe kanë menduar se me të do ta ‘asgjësojnë’ institucionin dhe fenomenin shqiptar Sali Berisha. Sali Berisha është i rreptë, është i prerë, është këmbëngulës, në disa raste dhe kur nuk duhet të jetë i tillë. Ai është autoritar, por si i tillë ka lind. Dhe njeriu lind bashkë ose jo me dinjitetin dhe autoritetin. Këto dy cilësi ia kanë dhënë atij uji dhe malet e alpeve të Shqipërisë. Si i tillë është po aq human. Sali Berisha është i dijshëm dhe në odën e malësorit merr pjesë si i parë e kur në odë ndodhet ndonjë çapaçul si Thaçi, ai e merr përpara. Kjo është njëkohësisht distanca jote me Sali Berishën, distanca e kreut mentar me një çapaçul të llastuar si ti! Por Sali Berisha bën edhe kompromise dhe kur i thotë po kompromisit, nuk bën dredharakun si Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Nuk bën hipokritin si këta. Këto janë karakteristikat e odës së malësorëve, për të cilat flet Hashimi në atë shkarravinë, por nuk i respekton si të tilla. Dhe kushdo që e njeh Sali Berishën e di se këto cilësi i bart në shkallën më të lartë. Megjithatë Sali Berisha ka një të metë. Nuk e njeh tradhtinë. Nuk e njeh odën e kulisave me Aleksandër Vuçiqin, nuk i njeh takimet e fshehta për ndarjen e Kosovës, nuk e njeh stilin serb të viktimizimit kur je në hall e ke nevojë për mbrojtje, nuk e njeh vesin serb të shpifjes, edhe pse i gjithë shkrimi i Thaçit flet për gjoja ‘shpifjet’ e Sali Berishës gjatë gjithë kohës që ai është në politikë. Berisha është një fenomen shqiptar, madje një institucion, për të cilin duhet ta dish, edhe ti ke nevojë. Meqë ra fjala. Në vitin 2001 ti dhe Veton Surroji sapo kishit takuar Sali Berishën dhe kur po zbrisnit shkallët e PD-së iu bashkëngjita Maxhun Pekës, i cili ju shoqëronte dhe qëndronte pas jush. E kujton Hashim çfarë bisedove me Vetonin? ‘Vetëm ky ësht njeriu i saktë në këtë vend që e do dhe kupton Kosovën’ – i thoshe ti Vetonit. Unë dhe Maxhuni pamë njëri-tjetrin dhe u gëzuam për këtë perceptim real tëndin, sepse ti ishe mik i Nanos dhe zor ta respektoje kaq lart Sali Berishën! Sali Berisha ka gabuar në zgjedhje, në qëndrime, në marrëveshje. Ka bërë edhe kompromise politike të papranueshme, por të imponuara, kryesisht nga Edi Rama, siç ishin ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Për mua ka gabuar vetëm një herë në vitin 1996 në opsionin e kundërt me atë të Rugovës për protesta kundër Milosheviçit. Por këto gabime nuk janë strategjike. Në raste të caktuara liderët mendojnë dhe besojnë jo gjithnjë atë që e nesërmja e provon si gjënë më të mirë. Por Sali Berisha nuk i ka thënë kurrë ndonjë politikani të Kosovës ‘gomar’! Këtë e ka bërë publikisht, në mënyrë fyese dhe të pashembullt, ai që Thaçi e quan perfeksion, pra Edi Rama. Sali Berisha kurrë nuk ka pranuar që konfliktin e Kosovës me Serbinë ta marrë e ta zgjidhë ai bashkë me Beogradin. Këtë e nisi me paternalizëm të pafre miku i ngushtë i Hashim Thaçit, pra Edi Rama, sa vetë Hashimi u detyrua ta paralajmërojë e t’i kujtojë Ramës se ‘Kosova ka institucionet e saj’, siç bëri Rugova me Fatos Nanon në nëntorin e vitit 1997, kur i kujtoi atij pas takimit me Milosheviçin, se Shqipëria e ka njohur Republikën e Kosovës! Presidenti i Kosovës flet për një ‘gjuhë të kontaminuar’ të Berishës, e cila ka mbërritur në Kosovë. Në fakt nuk është kjo e vërteta. E vërteta është se Thaçi foli i pari në Kosovë me gjuhën e plumbave. Urdhëroi vrasjen e kundërshtarëve të tij politikë si dhe të kundërshtarëve të tjerë gazetarë. Në raste të veçanta urdhëroi edhe zhdukjen fizike të vrasësve, për të mbuluar gjurmët e krimit. Po të mos ishte Thaçi autori urdhërues i vrasjeve të Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Smajl Hajdarit, Shaban Manajt, Bardhyl Ajetit e dhjetra të tjerëve, sot disa prej këtyre autorëve do të ishin gjendur dhe ndëshkuar. Por presidenti i Kosovës, në modelin e Vuçiqit dhe Edi Ramës, shërben si mburojë e krimit dhe kriminelëve. Këtë kontaminim nuk ia solli Sali Berisha. Ia solli modeli i vrasjeve në vitin 1997 që sollën miqtë e Hashimit në Shqipëri! Sali Berisha nuk ia solli Thaçit bombat, të cilat ai ia hodhi Ibrahim Rugovës dhe eskortës së tij atë ditë kur Havier Solana ishte në Prishtinë. Këto bomba u urdhëruan nga Hashim Thaçi. Sali Berisha i nderoi dhe respektoi njësoj, si Ibrahim Rugovën edhe Adem Jasharin e Adem Demçin. Ndërsa parlamentin e Kosovës e kontaminoi me sjellje arrogante Edi Rama, kur refuzoi të respektojë autoritetin e Rugovës, thjesht për t’i bërë çokën mikut të tij të ngushtë, Hashimit shpifës, njësoj si kopja e vet në Tiranë. Sali Berisha sa kohë ishte kryeministër i Shqipërisë u soll me etikën e burrit të shtetit me të gjithë shqiptarët e Kosovës, përfshi Hashimin e njerëzit e partisë së tij. Sa kohë ishte kryeministër ai nuk foli kurrë as kundër Vetëvendosjes. Edi Rama, pikërisht kur duhej të ishte burrë-shteti, u bë përçarësi më i madh i politikës së Prishtinës. Eshtë unikale sjellja e tij prej përçarësi kur vinte në Prishtinë në cilësinë e kryeministrit, por pritej e përcillej nga presidenti Thaçi e nuk takohej me homologun e vet, Isa Mustafën. Sali Berisha ‘e kontaminoi’ Kosovën me Shqipërinë, sepse e afroi Prishtinën dhe Tiranën, duke e shkurtuar katër fish distancën midis tyre dhe ndërtoi me guxim e vetëm me buxhetin e shtetit të tij të varfër Rrugën e Kombit. Demokracia në Shqipëri funksionoi për mrekulli më 2013-ën, kur Sali Berisha humbi pushtetin pa asnjë përpjekje për manipulimin e procesit zgjedhor e të votave. Por pas tij, miku i ngushtë i Hashim Thaçit, pra kryeministri Edi Rama, ia vuri taksën, trarin dhe një kufi të ri Kosovës në Kalimash të Kukësit, aty ku sipas një projekti të miqve të Thaçit të vitit 1998, përfshirë Ramësn, do të ishte vija e kufirit Kosovë-Shqipëri, pas ndarjes së Kosovës me Serbinë, në modelin e projektit të sotëm që Thaçi, Vuçiqi dhe Rama, me Stanishqin e Kosovës provuan për dy vjet ta realizojnë. Hashim Thaçi në fakt është kontaminuar dhe mbarsur nga e majta shqiptare, nga enverizmi dhe stalinizmi. Kjo duket në të gjithë alaborimin e shfaqur, por jo të shkruar prej tij. Ai mendon si Edi Rama, kopjon Edi Ramën, madje ka filluar të bëjë vizatime si ai. Dhe akuzon Sali Berishën se kontaminoi Kosovën. Megjithatë nuk është vetëm kjo. Thaçi u kontaminua nga Edi Rama për të pranuar projektin e presidentit të Serbisë, Aleksandë Vuçiq, për krijimin e Serbisë së Madhe. Ai iu bind mikut të tij të shpirtit në Tiranë që të punojë për t’ia marrë territoret Kosovës e për t’ia dhënë këto territore Serbisë! Dhe cilat territore? Më të pasurat, më të begatat, me qëllim që ta lënë Kosovën pa pasuri nëntokësore. Madje për ta lënë edhe pa ujë, i cili përbën një prej tri komponentëve më të rëndësishëm të jetës, krahas ajrit dhe diellit. Ky lloj kontaminimi që Rama i bëri Hashim Thaçit e vuri atë në sherr me Sali Berishën. Sepse për Sali Berishën territori dhe popullsia janë dy elementët thelbësorë, pa të cilët nuk ka e nuk mund të ketë kombe, popuj e shtete. Por mesa duket Hashim Thaçi nuk kishte llogaritur në këtë reaksion të atij që ka ndikimin më të madh shpirtëror, pas Rugovës, në Kosovë, më shumë edhe se vetë presidenti i Kosovës në shërbim të projekteve të Beogradit. Prandaj ai është i tmerruar nga dështimi thuajse i plotë i shërbimit që po kryen, sigurisht në këmbim të një shpërblimi të pallogaritshëm për të. Hashim Thaçi shpif, thotë shumë e shumë të pavërteta, ndonjë rast gjysmë të vërteta, por asnjë të vërtetë për be për Sali Berishën. Kam qesh me të madhe kur lexova të shkruarën e zezë në të bardhë, se ‘Sali Berisha nuk të shihka në sy kur bisedon me të’! Duket qartë se ky formulim është realizuar nga dikush që nuk e ka takuar kurrë Sali Berishën, psh nga Endri Fuga. Nuk ka njeri në botë që e provon këtë fakt. Të tilla shpifje ka me shimicë në surrogatin e shpallur sot nga Hashim Thaçi. Por fakti që më së shumti në atë letër na shfaqet si ekspert i zhvillimeve dhe ‘zullumeve’ të Sali Berishës të çon në përfundimin se ajo letër është shkruar kësaj radhe në Tiranë e jo në Beograd. Sa i përket atyre që Hashim Thaçi ia vesh Berishës për qëndrimet dhe politikën e tij gjatë qeverisjes së Shqipërisë mund të thuhet sa më poshtë. 1. Thaçi thotë se ‘Kosova nuk ia ka fajin Sali Beishës për firmat piramidale’ dhe merret kështu me zhvillimet e vitit 1997. Për kujtesë zoti Thaçi. Historia do të provojë se firmat piramidale ishin projektuar nga shërbimet e fshehta, përfshirë Milosheviçin, me qëllim rrëzimin e Berishës nga pushteti. Defekti i ish-presidentit shqiptar ishte se me atë pak eksperiencë ne politikë, nuk mundi të nuhasë rrezikun që u shfaq. Ndërsa sa i përket ngjarj, eve të vitit 1997, në ato ngjarje janë angazhuar shumë nga bashkëpunëtorët e tu Hashim Thaçi. Unë kam takuar disa prej tyre në Tiranë dhe pa asnjë droje më tregonin se në çanta kishin dhjetëta mijë marka gjermane ose franga zvicerane me destinacion Vlorën dhe eksponentët e atij rebelimi antiBerishë. Tre gishtat e disave prej këtyre të ngritur në Vlorë për të provokuar revoltën me akuzën që Thaçi vazhdon ta bëjë sot, se në Vlorë na qenkan instaluar policë serbë. Keto skenarë Hashim e kanë kompromentuar Lëvizjen tënde Popullore, ku ti ishte asokohe. E kanë mbështjellë me një tis të errët historinë e ngjarjeve të asaj kohe. Dhe mesa duket ti dëshiron të lash duart si pilati me këto akuza. 2. Ti Hashim i shkruan Berishës dhe i thua Berishës se ‘nuk ta ka fajin Kosova për tentim-grushtin e shtetit të vitit 1998’. Duket qartë se je kontaminuar jo vetëm në sjellje, por edhe në mentalitet, shpirt e psikikë me dozat e propagandës komuniste. Duket qartë se ti e justifikon vrasjen e liderit demokrat, Azem Hajdari, nga miku yt i ngushtë i skutave të zeza, Fatos Klosi. Se Klosi ka ndikim tek ti, nuk duhet askush të habitet. Ai likuidoi konkurrentin tënd më serioz e të aftë, kolonel Ahmet Krasniqin, pikërisht ato ditë të atij ‘tentim grushti-shteti’, që ti përmend. 3. Ti përmend Gërdecin si dështim të Sali Berishës në qeverisjen e tij në Shqipëri. Edhe sikur të kishe të drejtë, ti nuk mund të vije gishtin te përgjegjësi i asaj ngjarjeje të rëndë Hashim. Ti bën sikur je president i Kosovës. Nuk lahesh prej aktit antishqiptar të ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë me këtë lloj akuze. Sikur të ishte kështu si thua ti, Shqipëria nuk do merrte dy javë më vonë ftesën për t’u pranuar në NATO dhe në gjashtë vitet e qeverisjes së mikut tënd siamez, Edi Pallës, ai do të kishte përfunduar në hekura. Je larë e je lyer nga këmbët te koka me bojën mavi të Edi Ramës o president i halucinacioneve të Kosovës! 4. Ti ia përmend Sali Berishës vrasjet e 21 janarit 2011. Edhe këtu bën shërbimin e radhës për Edi Ramën. Por ke harruar se anëtarin e grupit vrasës të zjarrit të atyre vrasjeve, Edi Rama e ka kandiduar për kryetar të Bashkisë së Burrelit. Ky person është shpërblyer nga Sali Berisha me katër paga për rezistencën që bënë më 21 janar 2011. Dhe ky person pasi u shkarkua me ardhjen e Rilindjes nga Garda, u përzgjodh nga kreu i Rilindjes tani për kryetar bashkie. Janë ngatërruar gjërat, Hashim! Dalëngadalë po na japin fakte e të dhëna se nuk është Berisha fajtor për ato që ti e fajëson qëllimisht. Në vend që kjo Rilindja jote, që ti e do aq shumë, të shtonte provat për fajësinë e Sali Berishës, po ia heq një nga një edhe ato prova të sajuara kundër tij dikur. Ti vazhdon të shohësh në ëndërr ato provat e vjetra. Ta ka hedh miku yt Rama. Nuk të ka lënë mundësi të kesh sukses në argumente e në fakte! 5. Dhe së fundi. Më bëri shumë përshtypje kur ju e akuzoni Berishën për përçarje krahinore Veri-Jug. Por në këtë elaborim e kundërshtoni veten kur thoni se Berisha nuk bëri asgjë për veriun gjatë qeverisjes së tij. Nuk shkojnë të dyja këto o mjeran. Përçarja vjen nga diskriminimi. Ai që diskriminon e përçan është miku yt Rama, sepse investon dhjetë herë me shumë në bashkinë e Reskovecit se sa në Bashkinë e Shkodrës! Nëse Berisha nuk i orientoi investimet dhe paratë e buxhetit vetëm në veri, por edhe në jug, kjo do të thotë se ai nuk ka diskriminuar askënd për shkak të vendlindjes apo prejardhjes. Edi Rama e bën këtë me arrogancë. Shihni statistikat. Por edhe po të nisemi nga diskursi, është Rama ai që përçan. Përçarjen verbale e praktike po e bën aleati yt i ngushtë, Rama, sepse atij vetëm përçarja i ka mbetur aleat në qeverisjen e tij. Të njëjtën gjë bën edhe ti në Kosovë. I ke bërë lëmsh politikanët, madje duke shfrytëzuar përkatësitë krahinore! Je përpjekë që të përçash e të luash ‘koqas’ edhe me ambasadën amerikane! Ky je ti! Nuk të beson njeri! Hesht sa nuk është vonë se je zënë në faj. Në fajin e rëndë të bashkëpunimit me armikun e shqiptarëve për t’i tjetërsuar territorit e atij vendi, president i të cilit pretendon se je ti! Për të gjitha këto arsye je i dështuar në replikat, qëndrimet dhe kundërshtitë me Sali Berishën. Dështimi yt lexohet edhe te gjuha vulgare me fyerje dhe etiketime diletantësh e mediokrish. Por me ato nuk ia vlen të merresh! Merru me veten tënde o Hashim Thaçi, ndryshoje veten, se njeriu vdes kur i ikën arsyeja, truri. Ty të kanë ikur të dyja! Po ende të mbajnë me infuzion Rama dhe Vuçiqi.

 Tiranë, më 24.05.2019

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci-Hashim Thaçin e kanë kontaminuar- Rama dhe Vuçiq!

Kërkohet rënia e dytë e një klase të vjetër politike

May 24, 2019 by dgreca

– Kujtesë- Shqiptarët nuk jan skllevër ose mjete pune. Shqiptarët janë te lirë si gjithëçka jeta!

Opinion nga Agustin M Mirakaj/

Të gjithë shqiptarët mendojnë se dicka nuk shkonë në shqipëri.Tani më ka ardhë koha e zgjimit. U mbushën 7.5 dekada që komunistët e mbajnë peng Shqipërin dhe integrimin e saj në Perëndimin.

Gjëndja e sotme është kthyer në agoni dhe agresion ndaj sovranit. “Rrezik”! Të gjithë shqiptaret duhet të shohin realitetin në sy, atë që i mungon ndër vite.

Shqiptarët duan të ikin nga sytë këmbët.

Në media dëgjohet, shikohet; Ka ndërhyrhrje të huaja…RUSËT etje etje.

Kjo të sjell në mëndje vitet e kohës së zezë kur propaganda e tmerrit pasqyronte (SI SOT) rrezikun e imperializmit. Se agresori imperialist do të shkatërronte Shqipërin dmth jeni “Paranojak total”.

Ja pra, deri ku ka mbrritë qeveria Shqiptare e trashëgimisë komuniste  të bëjë akuza dhe agresion politik ndaj Opozitës.

Me format nga më të ndryshme, fjalor banal pa kufi, si një egërsir pa shpirt duke i treguar dhëmbët dhe forcën shqiptarëve që nuk durojnë zgjedhën dhe  mungesën e demokracisë. Kreu i tyre, pa iu dridhë qerpiku, kërcënon në parlament, guxon e kërkon zdukjen e Opozites, dha parashikon se i ka ditët e numerura …“I gjorë dhe pa mënd”!

Ju, bashkpunëtoret nder vite dhe bijtë e Rusisë leshoni akuza natë e ditë ndaj opozitës. Harruat, baballarët tuaj që mbaruan dhe u trajnuan në Rusi vite të tëra e tani trashigimia kalon tek Ju.

Akuzator të denjë të partis gjithmonë në pusht, si i thotë nje llafi (ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron) të lidhur ngushtë si mishi me thoin.

DËSHTIM për ju Rilindas fallso!

Sot ti po vërsulesh si lubi ndaj medias së lirë, me gaz lotsjellës ndaj opozitës, fëmjëve dhe grave. Guxon mjete lufte ndaj gjakut tand “SHQIPTAR”?

Po neser c’pritet?

Fjalimet e tua, njerëzit që të rrethojnë janë të varfër, shumë te varfër ne zemër e shpirt. Si vet zotëria juaj.

Shtirja, paraqitja jote figurative prej kolosi tregonë shumë në ekrane, si më thënë shoku enver hoxha, babai juaj shpirtëror!

Pale, besim të madh në fjalët e tua…ama kur flet i merrë era.

Ti je i vetdijshëm se shqiptarët vuajnë dhe nuk janë të lirë si qënie njerzore.

Shqiptarët sot jan si ato zogjtë që shtegëtojnë pa ditur se ku shkojnë. Shpresa nuk është Shqipëria sepse ti ke vrarë shpresën… PO PO, MË SE E VËRTETË. Kjo ndodh se akoma në Shqipëri ka SUNDUES.!

Kjo i bënë pra shqiptarët që të largohen. Arsyja, sepse në Shoqipëri nuk ka liri, nuk ka mundësi apo shpresë…

Kujtesë!

Shqiptarët nuk jan skllevër, as mjete pune. Shqiptarët janë te lirë si gjithëçka jeta.

Tik-tak tik-tak tik-tak ora ecën përpara dhe koha po ngadalësohet. Pushteti i krimit është në agoni totale sikurse je dhe ti vet.

Jepi mundësi shqiptarve. Në të kundërt shqiptarët humbin besimin në Perëndim. Shqipëria nuk dhe s’do ketë kurrë shansë më ti afrohet lindjes.

Shqiptarët duan Zhgjedhje, jepu atë që meriton SOVRANI. Fitimtari do tregojë qartë se ku dhe nga do të anojë Shqiperia.

Demokracia do të lulezojë gjithmonë dhe liria do jetë e përjetshme në trojet ilire.

Filed Under: Politike Tagged With: Agustin Mirakaj-rrezimi i dyte-Klasa Politike

Si u pushkatuan 77 mirditorë nga KOMUNISTET E Brigades se 6-të 25 korrik 1944

May 24, 2019 by dgreca

– Mbresa çaste që trondisin nga libri më i ri i Novruz Shehu, Jeta në Skanër/
Nga Agustin MIRAKAJ/

U pushkatuan pas betejes TE DORZUAR 77-te mirditorë. 40 prej tyre u pushkatuan pasi u çveshën lakuriq, pasi i pushkatuan i mbuluan me gurë.Komandant Tahir Kadare,Komisar Mustafa MatohitiJaho Gjoliku, Haki ToskaSotir Filto, Xhule Çiraku keta ishin drejtues ne ate kohe,Në çdo 25 korrik, në fshatin Dukaj të Tepelenës, bëhet festë e madhe. Festohet pushkatimi i 183 mirditorëve nga brigada e gjashtë partizane e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. 77 mirditorë, xhandarë të batalionit “Vermoshi” të dërguar në Jug të vendit për rregull e qetësi, nga Ministria e Brendëshme e kohës, u pushkatuan pas luftimeve, pas betejës që thuhej se ishte bërë natën e 24 deri në agimin e 25 korrikut 1944.U pushkatuan pas betejes 77 robër mirditorë. 40 prej tyre u pushkatuan pasi u çveshën lakuriq, pasi i pushkatuan i mbuluan me gurë. Më pas shkuan qentë e Dukajt dhe i shqyen kufomat e tyre. 37 të tjerë, pjesë e 77 robërve mirditorë, i lidhën dorë për dore, i çuan në breg të Vjosës, i çveshën lakuriq, i pushkatuan me qetësi dhe i hodhën në lumë. Këtu shkëlqeu duke qëlluar me pistoletë mbi mirditorët robër Athina Xhani, derisa u lodh dhe e pasoi pistoletën. Qëllonte për të marrë hak për burrin e saj, heroin e popullit Mitro Xhani, i cili u vra nga një plumb në këtë betejë.183 mirditorë pjestarë të batalionit “Vermoshi” të gjandarmërisë shqiptare të vrarë nga brigada e gjashtë partizane në Dukaj të Tepelenës.Shkrimtari Novruz Xh. Shehu guxon dhe ia bën të njohur publikut këtë të vërtetë të dhimbshme. Ai bazohet në broshurën e Muzeut të Gjirokastrës, të autorit Sami Hadëri, të botuar në vitin 1971.Në Dukaj të Tepelenës nuk kishte gjermanë në ato ditë të kësaj beteje. Gjermanët, thuhet, nuk kanë pranuar asnjëherë t’i bashkangjiten asnjë formacioni luftarak vendas se gjermanëve iu mjaftonte vetja e tyre në Shqipëri. Batalioni “Vermoshi” nuk ishte i përfshirë në luftë.Autori Novruz Xh. Shehu veçse sa përcjell duke e cituar gjithkund broshurën e Muzeut të Gjirokastrës, broshurë e cila pohon se në Dukaj të Tepelenës u vranë shqiptarë me shqiptarë, në Dukaj të Tepelenës u vranë 183 mirditorë që ishin xhandarë apo policë të shtetit shqiptar, por nuk ishin formacion luftarak, nuk ishin të inkuadruar në asnjë bllok lufte, por ishin për të mbajtur qetësi, për të siguruar rend e qetësi siç mendohet dhe bën gjithkund policia apo xhandarmëria.Në librin Jeta në Skanër pisket thirrja e autorit që e verteta të njihet. Që lavdisë së rreme t’i hiqet kurora. Që ata që pushkatuan robër civilë mirditorë, pa asnjë gjyq qoftë edhe formal, që i çveshën lakuriq e i pushkatuan, të mos mburren e të mos krenohen se kjo mburrje mund t’u kthehet në gjëmë. Se robër shqiptarë vetëm serbët vrisnin, ndërsa shqiptarët nuk vrisnin robër siç shkruajnë historianët e kronikanët e luftrave.Që pasardhësve të 183 djemve mirditorë t’u thuhet (nëse i kërkojnë), se ku i kanë eshtrat ata 183 djem të pushkatuar nga brigada e 6-të partizane. Që vrasja e mirditorëve nuk është luftë çlirimtare por luftë vëlla vrasëse. Që data 25 korrik të mos kujtohet si datë lavdie por si datë turpi.Se u pushkatuan 183 mirditorë, shqiptarë. Që kjo masakër makabre të mos bëje krenar asnjë të gjallë apo të vdekur. Që të mos guxojë asnjë monstër komuniste a postkomuniste t’i quajë viktima këto të masakruar prej partizanëve.Që këto 183 djem mirditotë të shpallen të masakruar dhe të mos vazhdojënë t’i përbuzin se kështu mund të na vriten policët sot (siç edhe na janë vrarë në Vlorë e gjetkë edhe në ditët tona). Që gjatë luftës çlirimtare ka patur edhe luftë civile ku janë vrarë shqiptarë prej shqiptarëve. Që e vërteta të njihet e të pranohet. Që konflikti të mos rrijë i ngrirë mes shqiptarëve…Që ta mësojnë njerzit se edhe në Dibër brigada e parë sulmuese u vra me dibranë kur s’kishte askund në Dibër as italianë e as gjermanë, se në Lusën e Buzëmadhe e Novosej të Lumës brigada e pestë vrau shqiptarë kur s’kishte asnjë italian apo gjerman.Që të mos shiten më përralla për trimëri partizanësh në luftë pa armë por “me thika e më vonë me granata për të kapë në befasi armikun”, që të mos gënjehet kaq trashë e të shkruhet se “çdo dritare e shkollës është kthyr në qendër zjarri”, kur nuk jemi të sigurtë a ka patur apo jo ende godinë shkolle aty në vitin 1944, që të mos mashtrohen fëmijët për “luftë partizane trup me trup apo luftë ballë për ballë mitraloz për mitraloz” se nuk i zë gjumi fëmijët dhe na qortojnë pse s’bëhën filma të tillë vizatimorë, që të mos këndohet më nëpër dasma e gëzime e mashtrime kënga e turpit e jo e nderit “Në Dukaj në Tepelenë / Filloi lufta e paprerë / Me gjermanë e me rrebelë / Rrebelët nga Mirëdita / Me llogore gjer te gryka /…“Në relacionin që shtabi i brigadës së gjashtë i dërgonte shtabit të përgjithshëm të ushtrisë me 27 korrik 1944, ndërmjet të tjerave theksohej”, thuhet në broshurën e Muzeut të Gjirokastrës, “se në Luftën e Dukajt të Salarisë armiku pati 183 të vrarë dhe robër. Ndërmjet të vrarëve dhe robërve ishin 4 oficerë xhandarmërie, shtatë nënoficerë, 12 gjermanë, 134 xhandarë dhe pjesa tjetër ballistë e bashkëpunëtorë të rrezikshëm të armikut”.Nga deshmitarët okularë Novruz Xh. Shehu ka mësuar se “mbas betejës janë pushkatuar mbi 40 vetë tek përroi i parë, tej Qafës së Duke, nga ana e Salarisë, të cilët meqë u nxorën nga qentë dhe meqë nisën të vinin erë, u dogjën me përrallë, një shkurre e përhapur në atë zonë…Ndërsa 37 vetë i lidhën dorë për dore dhe në varg i shpunë rreth tre orë larg, në Rrepet e Dervenit, duke i hedhur në lumin Vjosë e duke i pushkatruar e mbuluar, mbasi ju xhveshën rrobat dhe mbasi qentë i shqyen dhe ujrat e dimrave i rrëmbyen”.Urime Novruz Xh. Shehu dhe mos u ndaltë më së punuari skaneri yt për të zbuluar vatrat kanceroze të urrejtjes që mbolli komunizmi në trupin e kombit tonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Agustin Mirakaj-Jeta ne Skaner- Novruz Shehu

Letrat higjenike të Edi Ramës

May 24, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Dielli/

Deri para dy ditësh, Edi Rama dhe çfarë ai ka përreth, nuk flisnin për asgjë tjetër veç për 30 qershorin, kushtetutën, dekretin e presidentit, europën, dëmin kolosal që po i sjell vendit opozita e rrugës, madje caktoi dhe kandidatët duke u dhënë urdhra të prera për ruajtjen e kutive të votimit deri me kokën e tyre. Nga ana tjetër një batalion analistash që interpretonin ”ligjërisht” të drejtën e krijimit të një opozite të re dhe mbajtjen e padiskutueshme të zgjedhjeve të qershorit. Kjo temë dominonte thuajse njëzetë e katër orë nga koha e shqiptarëve edhe pse po tu referoheshe komenteve në faqet publike të atyre që dominojnë vëmendjen e vendit dalloje sheshit një përplasje e madhe sociale. Madje numri i përmbushjes së opozitës së re, po bëhej gati sfidë politike për mbushjen e vendeve bosh në kuvend. Kurse tani krejt papritur me disa letra rrufe kërkon dialog me opozitën jashtë parlamentit me teknikat e tij buliste, arrogante duke u përpjekur të shfajësoj tërësisht vetveten nga situtata. Kjo është një nga ato absurditetet karakteristike të Edi Ramës që luan frontalisht me mjete propogandistike. Dhe po të vësh re, po njësoj në kor, shpura e opinionistëve të tij kanë filluar me ligjëratën se është opozita ajo që nuk e do dialogun. E harruan shpejt faktin se e kanë opozitën e re në kuvend.

Nëse opozita e vërtetë, arriti këtu ku është sot, ishin pikërisht sfida e madhe që i bëri ivetvetes. Së pari djegia e mandateve për shkak se u vërtetua katërçipërisht një makineri e tërë karteli dhe oligarkësh në shitblerjen e votës. Së dyti dhe më thelbësorja një kërkesë e qartë për jo pushtet në tavolinë, por përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor, duke i dhënë vendit mundësinë e prezantimit të drejtëpërdrejtë jo përmes listave të njëshave. Dhe e treta pa autorin e këtij regresi, atij që mban sot postin e kryeministrit të vendit. Kjo bëri të mundur çeljen e një drite shprese ku demokratët falën shumë mëkate, duke filluar nga zgjedhja e vet Lulzim Bashës në krye të Pd-ës, listat e tij dhe republikën e re. Ishin këto ca lëvizje që kthyen demokratët, shpirtin blu dhe mbushën sheshet ashtu si në vitet nëntëdhjetë. Kjo ka domethënien se çështja e dialogut është tashmë e tejkaluar me Ramën.

Kjo edhe për faktin e cenimit të demokracisë duke përkrahur institucionalisht krijimin enjë opozite të re. Opozitarizmi i deritanishëm ka qënë i qartë, nuk ka dialog me Edi Ramën, as pushtet në tavolinë, por qeveri transistorë me shumicë socialiste për të çuar vendin në zgjedhje në partneritet me qytetarin dhe të drejtën e tij, jo me kartelet e drogës dhe oligarkët. Madje kjo temë as që duhet të diskutohet studiove duke i dhënë tashmë një revansh që opozita e ka fajin se nuk do dialog. Kalbëzimi i demokracisë në vend ka arritur tabanin…, merrni rastin e Akademisë së Shkencave, në fillimi të qeverisjes së tij Edi Rama donte ta shkrinte, tani sjell aty në krye një aleat, një kryetar partie dhe e keqja një ish ministër të diktaturës. Kështu ka ndodhur edhe me institucionet e tjera. Dhe ta mendosh që në tridhjetë vjet demokraci sa e sa breza kanë dalë nga korridoret e universiteveve më në zë të perëndimit. Një emër i ri me një projekt kohor do bënte dallimin e madh. Mirëpo kjo nuk ndodh tek ne. Megjithëse duke filluar nga Italia fqinje a Greqia televizionet çahen duke treguar histori suksesi shqptarësh nëpër botë. Kjo është një vetvrasje kombëtare për më tepër mbi vdekjen e institucionit të dorëheqjes. Edi Rama nëse e do vendin e tij duhej të kishte dhënë dorëheqjen me kohë, që kur Gjykata Kushtetuese i hoqi një ministër që ishte i përfshirë në tenderime me biznesin e vet. Pa shkuar më larg me emra të tjerë. Ju e vutë re se sa e thjeshtë qe dorëheqja në Austri, siç po e shikoni edhe sot me Tereza May-in në Angli.

Nuk ka dhe nuk duhet të ndodhi asnjë tentativë për negociata me Edi Ramën. Opozitaduhet të vazhdoj më fort e më fortë dhe kaq. Ato çfarë ai shkruan janë ca produkte letrash higjenike të një mendjemadhi që erdhi gabimisht në atë post. Vendi ka nevojë për drejtime të tjera, duke filluar nga sfidat ekonomike, së paku të krijojmë një shtet që nuk mbahet me donacione por me të ardhurat e tija. Duhet të vdesin njëherë e mirë këto metoda lançimi me donacione. Unë nuk e di se sa do e arrij opozita e re, megjithatë di një gjë, që shancin e keni ju dhe theqafjen e çdo qeverie që nuk bën gjënë më minimale, detyrat e shtëpisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Letrat Higjenike-Edi Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT