• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

Shqipëri, Zgjedhjet e para moniste pas ’90-tës

June 4, 2019 by dgreca

Ilir Levonja/Florida/

Gjatë gjithë këtyre muajve të krizës politike në Shqipëri, Edi Rama ka luajtur me tezën se është opozita ajo që ka penguar çeljen e negociatave. Madje po të vazhdojnë protestat negociatat mund të mos hapen fare dhe shqiptarëve mund tu kthehet prapë regjimi i vizave në pasaportë. Ai arrin deri aty sa fare paturpësisht u drejtohet demokratëve që ta ndjekin në fushatën e tij moniste, megjithëse e di mirë se ndryshe nga ata ishte Lulzim Basha me listat e tij që ia zgjati ca pushtetin. Se për ata kish mbetur tek gaveta e makaronave dhe bereta e civilizimit afgan. Po ta marrim të mirëqënë këtë pretendim, në perëndim mund edhe të na besonin. Do thoshin që opozitarizmi është nganjëherë edhe si puna e atyre druve që digjen me tym dhe se kjo nuk i shërbente vendit. Por kur të mësonin se pozita, pushteti, a lideri i vendit dhe kasta e tij, nisën të vetëm një fushatë elektorale, do mblidhnin supet dhe do të pohonin se kjo nuk është demokraci. Se vendi është në krizë të plotë politike dhe se ai që drejton është një manipulator publik. Do thoshin se opozita nuk paska bërë asgjë dhe se ai lider shtetëror që nuk zgjidh krizat politike në vend, është një soj tipi si ai i Asadit në Siri, a i Madurros në Venezuelë. Kësisoj tashmë duhet besuar se vendi mund edhe të futet në një konflikt civil. Një fushatë moniste është si të kërkosh të shpikësh rregulla të reja, rend të ri, ligje të tua.

Gjasat janë alarmante dhe kjo e ka zanafillën nga modeli i njëjtë i luftës politike. Shenjtorë kur janë në pushtet, shenjtorë edhe kur janë në opozitë. Kjo do të thotë që një grup kontraversish nuk është puna se kanë vrarë dialogun por edhe konsideratën e ndërsjellë për të qënë model i së ardhmes apo asaj që quhet vazhdimësi. Dlshtimet më të mëdha kanë zënë fill tek përvetësimi i çështjeve të mëdha. Nuk mund të futesh në europë se do ta zëmë Lulzim Basha, apo Edi Rama. Nuk mund të bashkohet Kosova me Shqipërinë sepse i teket Hashimit, apo sepse në zdrypje të pushtetit të tij ai u flet shqiptarëve kudo që janë për bashkimin kombëtar. Janë taktika të dështuara politike për përfitime elektorale. Çështjet e mëdha zënë fill me inisjativa të mëdha, por prej njerëzish të mëdhenj, mendje hapur dhe pro demokracisë, jo pro pushtetit absolut të vetvetes. Kështu edhe puna e Shqipërisë me çeljen e negociatave a reforma të tjera themeltare. Si kujtoni se Edi Rama është kaq rigoroz kaq ligjor sa duke hapur zgjedhjet po respekton kushtetunë, ligjin etj. Dhe se duke mbajtur zgjedhjet do na fusi në europë? Eshtë naivitet social. Madje binduni një herë e mirë se me këto ngërçe dhe klimë kaq të acartë politike, jo e jo. Por më dramatikja janë vrimat e zeza të ekonomisë, korrupsioni i lartë dhe standartet e munguara të zgjedhjeve të lira. Nuk mund të mbulohen të gjitha këto duke u thënë perëndimorëve se po zbatoj kushtetutën. Edi Rama të ishte nga ata që e donte kaq shumë kushtetutën nuk bojkotonte për 6 muaj kuvendin. Bojkoti është më i keq se heqja dorë nga mandati, ta dini. Në fund të fundit ai që heq dorë nga mandati hoqi dorë dhe nga privilegji. Nuk i merr rroga qyl shtetit a kushtetutës. Ai që bojkoton është shushunjë, rri mënjanë, bën gërr verr por në fund shënon emrin në bordero, do rrogën. E pra kjo është vjedhje sheshit, megjithatë as Edi Rama e asnjë nga ushtria e tij nuk u dënua në emër të ligjit a kushtetutës. Pastaj kur ia falni atyre që as e pjerdhin kushtetutën a moralin intelektual, por kërcejnë sa nga një parti në tjetrën, bëjnë me mandatin çfarë të duan, si mund të nëmni ata që i dorëzojnë? Kurse tani, ky Edi Rama vret e pret në emër të kushtetutës dhe tenton të çoj Shqipërinë në zgjedhje moniste. Dilni votoni me pjesëmarrje 100%, jepjani rilindjes votën 100%, fitojini 61 bashkitë 100%, se ia ndreqët imazhin Shqipërisë. Se për imazhin po rroni, jo për ekonominë a pasaportën tuaj. Pastaj dilni çdo 1 maj dhe bëni parada, fushata, plane pesë vjeçare, luftoni bllokadat.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-zgjedhje moniste

30-vjetori i masakrës në Sheshin Tiananmen të Pekinit

June 3, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

4 qershori 2019 shënon 30-vjetorin e protestave dhe të masakrës që pasoi në Sheshin Tiananman, më 4 qershor 1989. Në vigjilje të këtij përvjetori, ishin Shtetet e Bashkuara ndër të parat që komentuan, zyrtarisht, me këtë rast, nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Në këtë 30-vjetor të masakrës, Kryediplomati amerikan kritikon ashpër shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë, duke i bërë njëkohësisht thirrje Pekinit që t’u japë fund shtypjeve kundër myslimanëve Uighur dhe grupeve të tjera në atë vend. “Me 4 qershor ne nderojmë lëvizjen e protestave heroike të popullit kinez, e cila mori fund më 4 qershor, 1989, kur udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës urdhëroi dërgimin e tankeve në Sheshin Tiananman për të shtypur brutalisht demonstratat paqësore, në të cilat bëhej thirrje për demokraci, për të drejta të njeriut dhe për t’i dhënë fund korrupsionit në vend. Qindra mijëra protestues të mbledhur në Pekin dhe në qytete të tjera anë e mbanë Kinës e pësuan keq me atë rast, ndërkohë që kërkonin një të ardhme më të mirë për vendin e tyre”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. “Ngjarjet e 30-viteve më parë trazojnë gjithnjë ndërgjegjen tonë, si dhe ndërgjegjen e popujve liridashës në mbarë botën”, ka thënë zyrtari i lartë amerikan në vigjilje të 30-vjetorit të kësaj masakre.

Sekretari Pompeo u shpreh në deklaratën e tij në këtë përvjetor, se Shtetet e Bashkuara shpresonin se integrimi i Kinës në ekonominë botërore do të çonte në një shoqëri më të hapur dhe më tolerante. Këto shpresa, nënvizoi ai, janë zhdukur, sepse “shteti një partiak i Kinës nuk toleron kundërshtarët dhe abuzon me të drejtat e njeriut kurdoherë që një gjë e tillë i shërben interesave të partisë”.

Në lidhje me shtypjet e shtetit kinez ndaj myslimanëve të grupit etnik Uighur në atë vend, Kryediplomati amerikan akuzoi udhëheqjen komuniste të Pekinit se, “Po përpiqet, në mënyrë metodike të zhdukë kulturën e popullit Uighur dhe të shfarosë fenë islame – nëpërmjet masave të ndryshme – përfshirë arrestimin e më shumë se 1 milion anëtarëve të grupeve të ndryshme minoritare myslimane”, sidomos në krahinën Xinjiang, ka nënvizuar Mike Pompeo.

Në deklaratën e tij, diplomati i lartë amerikan përshëndeti heronjtë e popullit kinez, të cilët 30-vjet më parë, me guxim e trimëri, me protestat e tyre paqësore, kërkuan të drejtat e tyre. “Guximi i tyre shembullor ka shërbyer si frymëzim për brezat e ardhshëm, të cilët kanë luftuar për sigurimin e lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës, duke filluar me shembjen e Murit të Berlinit dhe me mbarimin e komunizmit në Evropën Lindore, disa muaj më vonë” – pas protestave të mëdha në Pekin, qershorin e vitit 1989.

Në fund të deklaratës, me rastin e 30-vjetorit të masakrës më Sheshin Tiananman të Pekinit, Sekretari Amerikan i Shtetit i bën thirrje qeverisë kineze që të publikojë numrin e plotë të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë asaj masakre – numri i të cilëve ende nuk dihet – për hir dhe ngushëllim të viktimave të shumta të këtij kapitulli të errët të historisë. Një hap i tillë do të demonstronte gatishmërinë e Partisë Komuniste Kineze për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, ka thënë zyrtari amerikan. “I bëjmë thirrje Kinës që të lirojë të gjithë ata që ushtrojnë këto të drejta dhe liri…Historia ka treguar, se kombet janë më të forta atëherë kur qeveritë u përgjigjen nevojave të qytetarëve të vet, atëherë kur ato respektojnë shtetin ligjor, zbatimin e të drejtave të njeriut dhe liritë bazë të njeriut”, ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, me rastin e 30-vjetorit të masakrës në Sheshin Tiananman të Pekinit.

Ndërkaq, Drejtoresha për Azinë në Organizatës e të Drejtave të Njeriut Amnesty International, Roseann Rife, i bëri thirrje, me këtë rast, qeverisë kineze që të lejojë popullin të kujtojë masakrën e vitit 1989 dhe të lejojë njëkohësisht edhe hetime të hapura dhe të pavarura për atë ngjarje. “Prindërit, fëmijët e të cilëve janë masakruar me atë rast po plakën dhe po u kalon koha pa mësuar të vërtetën dhe pa parë drejtësi për fëmijët e tyre të vrarë e të zhdukur”, është shprehur ajo.

“The Tank Man” Një moment historik rezistence. Copyright Stuart Franklin (Nga portali Amnesty International)

Organizata e të Drejtave të Njeriut në Botë, Amnesty International, e cilëson këtë fotografi si një moment historik, në luftën për liri e demokraci të kohërave moderne. Një njeri i vetëm qëndron pa iu trembur syri para një kolone tankesh të fuqishme ushtarake afër Sheshit Tiananman. Ndërkohë që kamerat televizive botërore ishin përqendruar tek kjo pamje, ai ngre dorën e djathtë sikur donte t’u thoshte tankeve, të ndalonin. Dhe për një moment ato ndaluan, shkruan Amnesty International në përkujtimin e 30-vjetorit të masakrës. Por ajo që e bëri veprimin e këtij guximtari edhe më të veçantë, ishte fakti se një ditë më parë kishte ndodhur një masakër e vërtetë, kur mbrëmjen e 3-4 qershorit, tanket e ushtrisë kineze kishin shtypur brutalisht një lëvizje të jashtëzakonshme për demokraci në atë vend. Qindra, ndoshta mijëra veta janë vrarë kur trupat ushtarake kineze kanë hapur zjarr kundër studentëve dhe punëtorëve, të cilët për disa javë para masakrës, në mënyrë paqësore, po kërkonin bërjen e reformave politike në atë vend, shkruan Amnesty International.

Me gjithë thirrjet e kryediplomatit amerikan dhe të tjerëve, për reflektim në këtë përvjetor nga ana e Pekinit zyrtar, media të ndryshme botërore po raportojnë nga kryeqyteti kinez dhe gjetiu, se në përpjekje për të mënjanuar çdo kujtesë të këtij përvjetori, autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa të forta dhe të shumta për arrestimin e duzina aktivistëve kinezë të Drejtave të Njeriut dhe kanë marrë masa për censurimin e rrjeteve shoqërore, para ditës së 30-vjetorit të masakrës në Sheshin Tiananam. Grupe të ndryshme kineze të Drejtave të Njeriut janë shprehur për mediat se ashtu si edhe në të kaluarën, edhe në këtë 30-vjetor, autoritetet kineze po bëjnë ç’mosin që të mos lejojnë kujtimin e kësaj masakre, në përpjekje për ta fshirë krejtësisht nga kujtesa dhe nga historia, shtypjen brutale ushtarake të kësaj proteste paqësore të banorëve protestues të pa-armatosur kinezë në Pekin dhe në qytete të tjera të Kinës 30-vjet të kaluara, më 3 dhe 4 qershor, 1989.

Ekspertë dhe organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut si dhe përfaqësues të qeverive demokratike mendojnë, se as në këtë 30-vjetor të masakrës në Sheshin Tiananman të Pekinit, qeveria e Kinës nuk po tregon asnjë shenjë se ka zbutur sadopak qëndrimin e saj ndaj masakrës, masakër që ata nënvizojnë se tani – 30-vjet më pas – pothuaj është shlyer fare nga historia zyrtare e atij vendi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-30 Vjetori-Tiananmen

DITA E TRADITAVE SHQIPTARE NË NJU JORK

June 3, 2019 by dgreca

MIJËRA PJESMARRËS NË DITËN E TRADITAVE SHQIPTARE NË NJU JORK

Nga Marjan CUBI/DIELLI/*

Dita e Traditave Shqiptare që organizohet për çdo vit nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe Qendra e saj Kulturore, që mbanë emrin e Shenjtëreshës Nënë Tereza, mblodhi mijëra shqiptarë(rreth 6 mijë)  nga Trishtetshi: New York-u, New Jersey dhe Connecticut të djelën e 2 qershorit 2019 organizuar në parkun e bukur e plot hijeshi në Kensico Dam Plaza- Westchester. Mjediset e gjelbërta të Parkut u hijeshuan nga ngjyrat kuq e zi të flamujëve shqiptarë krahas flamujëve amerikanë,  dhe prej kostumeve tradicionale, bluzat kuq e zi me simbolikë kombëtare, që aq hijshëm i mbanin veshur gjenerata e tretë, e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse njoftimi i publikuar parashikonte startimin e veprimtarive në orën 12 të mesditës, grupet kishin ardhur më herët dhe sportistët kishin filluar garat sportive në lëndinat e parkut, ku luhej futboll, volejboll, shah e lojëra të tjera. Drejtuesi kryesor i veprimtrivë të kësaj dite, z. Fran Çotaj i ndihmuar nga ndihmësit e tij vullnetarë , i kishte marrë të gjitha masat që veprimtaritë të zhvilloheshin normalisht dhe me frymë gare sportive. Fituesëve iu dhanë kupat e veprimtarive dhe çertifikata nderimi.

          Moderator i veprimtarisë ishte seminaristi Vasel Gjonlekaj. Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, pasi ka pranuar Proklamatën nga Westchester County, ka falenderuar, dhe i ka përshëndeti pjesmarrësit e shumtë duke i uruar ata për këtë ditë të bukur, dhe për ruajtjen e traditave kombëtare, kulturore e artistike si dhe gjuhën e bukur shqipe. Dom Pjetri ka falenderuar publikisht dhe ish kongresmenin republikan, arbëreshin Joseph DioGuardi, i cili ka bërë aq shumë për Kombin shqiptar në Shtëpinë e Bardhë e më gjërë.

-Jemi të gëzuar sot në këtë ditë kaq të bukur, pa shi- Jemi lutur dhe le të vazhdojmë të lutemi që sot të mos bjerë shi,- tha dom Pjetri.

Vërtetë ishte një mrekulli, pritej nga momenti në moment të niste shiu sipas parashikuesëve të kohës në rrjetet televizive, por kjo nuk ndodhi.

Duke folur për traditat kombëtare, për veprimtaritë e shumta që organizohen gjatë kësaj dite, dom Pjetër Popaj tha: Jemi krenarë që sot ne shpalosim traditat tona më të bukura, të trashëguara nga të parët tanë, të cilët i kanë rujatë dhe përcjellë në shekuj këto tradita, edhe pse në kushte të vështira dhe të okupuar prej pushtuesëve. Është kënaqësi, jo vetëm që shihemi dhe takohemi me njeri-tjetrin në këtë ditë të Traditave, por kemi dhe kënaqësinë të ndjekim këngët e artistëve tanë, si dhe vallet e djemëve dhe vajzave të lindura këtu.Ata përbëjnë gjeneratën e re që nuk i harron traditat e të parëve të tyre.Nuk ka më bukur se sa t’i përcjellim këto valle të bukura tek brezat, që ata t’i çojnë më tutje. Edhe amerikanët i ndjekin me interes këto tradita të shpalosura gjatë kësaj dite.

Më pas famullitari ka përcjellë lutje për popullin shqiptar çam, që para 75 vjetëve , ka pësuar gjenocid prej Greqisë dhe fatkeqësisht ende sot autorët e gjenocidit nuk kanë kërkuar falje për viktimat e pafajshme çame, që janë vrarë e pjesa tjetër është përzënë dhunshëm nga shtëpitë e pronat e tyre.Ne duhet të jemi bashkë edhe në këtë çështje dhe të lutemi për ta dhe familjet e tyre.

Dom Pjetri ka falenderuar drejtuesin e ditës së traditave Fran Çota për mirëorganizimin e Ditës së Traditave me pjesmarrjen e mijëra bashkatdhetarëve

Moderatori i veprimtarisë së traditave Vasel Gjolekaj ka prezantuar më pas z. George Latimer, ekzekutiv County, i cili ka drejtuar një përshëndetje të veçantë.

 Ka përshëndetur dhe  presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi.

Më pas gazetari Marin Mema është pritur me duartrokitje tek ka përshëndetur. Ai tha se ndjehej i gëzuar tek i shihte shqiptarët të gjithë së bashkë, pa dallime fetare, pa dallime politike, vetëm kështu shqiptarët do të ecin përpara. Kështu, tha ai, të jemi edhe me 8 qershor në paradën e madhe shqiptare, që organizohet në kujtim të vëllezërve dhe motrave çamë, që u masakruan nga fqinji ynë , Greqia.Në këtë ditë nuk nderohet e përkujtohet vetëm çështja Çame, por lartësohet Flamuri ynë kombëtar dhe Kombi ynë.

Vëllezër dhe motra, do të dëshiroja që ne gjithmonë të ndjehemi bashkë, edhe këtu në Amerikën e largët, edhe në trojet tona etnike. Qëndroni gjithmonë bashkë si vëllezër e motra të një gjaku, të një gjuhe. Përcillni traditat tona tek fëmijët tuaj. Ruajeni gjuhën e bukur shqipe. Sot ndjehem i emocionuar nga bashkimi juaj në këtë ditë të traditave.Jeni të mrekullueshëm! Mema është përcjellë me duartrokitje të pandërprera.

Ne Diten e traditave shqiptare ishte i pranishem edhe Keshilltari i Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj.

Më pas pistën e parkut e kanë pushtuar valltarët e moshave të ndryshme të Grupit Rozafat, ku të vegjëlit janë shumë të pëlqyer e të duartrokitur. Të veshur me xhubletën tradicionale vajzat dhe djemtë me tirqe e kostumet e bukura të veriut, kërcejnë plot siguri vallet kombëtare.

Koreografja Angjelina Nika dhe përgjegjësja e grupit Kristina Popaj ndjehen të shpërblyera nga duartrokitjet që marrin valltaret.

Duartrokitje të shumta fituan dhe nxënësit e shkollës shqipe pranë Qendrës Nënë Tereza, të cilët recituan poezi për gjuhën shqipe, për Abetaren, për heronjtë kombëtarë, për historinë tonë.

Këngëtarët e njohur të botës shqiptare Merita Halili, Kino Gara, mjeshtri i fizarmonikës Raif  Hyseni, u duartrokitën në interpertimet e tyre. Këngët dhe vallet çame ishin ato që iu dedikuan viktimave të Çamërisë nga gjenerali Zerva dhe shteti grek.

Në këtë ditë të bukur të traditave morën pjesë familjet e shqiptaro-amerikanëve pa dallime fetare. Ushqime të shumta tradicionale u gatuan për drekë aty në park.

 Dita e Traditave që nisi në 12 te mesditës e mbylli siparin e saj në 12 të natës në Qendrën “Nënë Tereza ” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, ku vazhdoi me koncertin e artistëve dhe me ushqime. Kjo ditë i pati të gjitha: këngët, vallet, recitimet, fjalimet, shpalosjen e veshjeve kombëtare, lojrat sportive, pati shumë gëzim, madje edhe një ditëlindje u festua aty…. Mirupafshim në veprimtaritë e tjera: Në Paradën e 8 Qershorit, ku komuniteti shqiptar do të prijë me flamujt Kombëtar, me kostumet kombëtare, me banderola , me këngë e valle, -si dhe në Festivalin Shqiptar në nëntor, që e organizon çdo vit nga Qendra Nënë Tereza, si dhe në Qershorin e ardhshëm, sërish në Ditën e Traditave!

  • Per me shume fotografi shkoni ne Facebook

Filed Under: Featured Tagged With: Pikniku -Dita e Traditave-Marjan Cubi

Protesta në Tiranë, 42 të arrestuar

June 3, 2019 by dgreca

Tirane, 3 Qershor 2019- Në Shqipëri policia njoftoi sot se 42 persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, do të procedohen në gjendje të lirë lidhur me gjarjet e dhunshme të rregjistruara gjatë protestës së mbrëmshme të opozitës të cilat kulmuan para selisë së parlamentit. Aktet e dhunës në protestat e opozitës janë dënuan sot dhe nga Kryetari i rradhës së OSBE-së, ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, sipas të cilit “pjesmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë e ligjshme drejt pushtetit politik”.

Sipas policisë, gjatë protestës përpara parlamentit “pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthimi punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim para Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit të Shqipërisë”, shpjegon njoftimi, duke shtuar se “si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinën e Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit”. Të gjithë personat e arrestuar dhe proceduar për protestën e mbrëmshme akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Mbrëmjen e së dielës, për më shumë se një orë, hyrja kryesore e parlamentit mori pamjen e një fushë beteje, me tym e flakë. Grupe protestuesish lëshuan pa ndërprerje shashka, flakadanë dhe fishekzjarre drejt oborrit të godinës, në brendësi të së cilës qëndronin të rreshtuara forcat speciale të policisë si dhe një automjet ujëhedhës. Pas thirrjeve të përsëritura drejtuar protestuesve që të largoheshin, policia përdori gazin lotsjellës dhe ujëhedhësen.

Bilanci i mbrëmjes ishte me 13 të lënduar, nga të cilët sipas ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj “10 janë punonjës policie dhe 3 protestues, dhe këta të prekur nga lëndët piroteknike”. Nga spitali ku vizitoi të plagosurit, ministri Lleshaj, bëri përgjegjës kryetarin demokrat Lulzim Basha “për sulmin kriminal nga militantë të Partisë Demokratike, kundër Policisë së Shtetit. Është jashtë çdo standarti një sulm i dhunshëm kundër policisë. Përpjekja për destabilizim e dhunë është e pashpresë”, theksoi ai.

Më herët ishte zoti Basha që akuzoi policinë për “dhunë jo proporcionale. Shqiptarët nuk do pranojnë dhe nuk do lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. I them Ramës e LLeshajt se do mbani përgjegjësi para ligjit. Se përpjekja për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do marrë përgjigjen e merituar”, tha zoti Basha.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri u shpreh sot dhe Kryetari i radhës i OSBE-së Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Tiranë. “Përshkallëzimi i dhunës gjatë disa protestave të udhëhequra nga opozita është bërë shumë i mërzitshëm. Vazhdimi i tyre do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma dhe pa dyshim do të pengojë realizimin e përparësive të saj të brendshme dhe ndërkombëtare. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, përkundrazi ato heqin çdo shans për dialog dhe për të gjetur një terren të përbashkët”, deklaroi zoti Lajçak, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin Jashtëm shqiptar në detyrë Gent Cakaj. Sipas tij “vendimi i anëtarëve të opozitës për të hequr dorë nga mandatet është për të ardhur keq. Demokracia kërkon kontroll dhe ballancë. Dhe opozita ka një rol të rëndësishëm”, u shpreh ai duke shtuar se “dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare është i papranueshëm”, ndërsa ju referua rastit të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, pas disa deklaratave të tij ku dënonte dhunën në protestën e opozitës të pak javëve më parë. Zoti Lajçak theksoi se “e vetmja mënyrë për të arritur përparim dhe për të gjetur zgjidhje është përmes dialogut kontruktiv mes të gjithë palëve, për të tejkaluar dallimet dhe për të punuar në interesin më të mirë të vendit”.(Kortezi-Sipas VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Protesta e Opozites-42 te arrestuar

Letër e hapur Zonjës Leyla Moses-Ones

June 3, 2019 by dgreca

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë/

            E nderuara zonja Moses-Ones,

                Jam një qytetar që i përkas asaj shtrese të popullsisë së vendit që në periudhën e sundimit totalitar të sistemit komunist, kishte dëshirë për të mësuar dhe nuk e linin të mësonte, kishte dëshirë për të punuar dhe nuk e linin të punonte, kishte dëshirë për të jetuar dhe nuk e linin as të jetonte. Megjithatë munda të mbijetoj.

            Tani jam në moshën 83 vjeçare. Duke qenë i pranishëm në këto ditë të turbullta që po kalon vendi ynë, para syve më del një shprehje e studiuesit të njohur Giovani Sartori që në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë” shkruante:

            ”Njerëzit që kurrë  nuk  e  kanë  njohur  diktaturën  dhe  tiraninë  e  kanë  të  lehtë  të  jepen  pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të  shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjimend“.              

                Janë pikërisht këta njerëz, këta lakej të sistemit të përmbysur, që e kanë ndihmuar të qëndrojë në këmbë atë sistem, që sot janë në krye të organeve qeveritare, partive politike dhe organizatave jo qeveritare dhe japin leksione  demokracie. Shembulli më i qartë i hipokrizisë në rradhët e organeve më të larta të vendit.

            Më lejoni tani, e nderuara Moses-Ones, t’ju tregoj disa të dhëna rreth personit tim. Rrjedh nga një familje intelektuale, tregëtare nga qyteti i Vlorës. Im atë ishte pronari i një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit, e cila u shtetëzua nga qeveria komuniste në vitin 1946. Atëhere unë isha vetëm dhjetë vjeç. Shikoja tim atë që pothuajse për çdo mbrëmje dëgjonte në radio emisionin e lajmeve të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe dhe këto i komentonte me zë të ulët me miqtë e tij më të ngushtë.

            Duke dëgjuar këto komente, dalëngadalë në zemrën time filloi të forcohej bindja se shpëtimi  Shqipërisë do t’i vinte vetëm nga Shtretet e Bashkuara të Amerikës. Kështu i kishte ardhur edhe në vitin 1919, në Konferencën e Paqes pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur disa nga fuqitë e mëdha europiane kishin rënë dakord që ta copëtonin Shqipërinë dhe ishte Presidenti Willson ai që e kundërshtoi dhe bëri të mundur njohjen e kufijve ekzistues.

            Duke patur këto mendime, kur isha në moshën 15 vjeç, së bashku me dy shokë, krijuam një organizatë antikomuniste, e cila shpërndante trakte kundër sistemit komunist në qytet. Ja një shembuull i një trakti të shpërndarë, ku reflektohej respekti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

            “Poshtë Partia Komuniste! Rroftë nacionalizmi Anglo-Amerikan, mësonjësi  jonë! Poshtë Stalini dhe Enveri dhe kulishat e tyre! Poshtë komunizmi!”                 

            Por, në atë moshë që ishim ne, nuk mund të mos binim në kthetrat e sigurimit të zi të komunizmit. Kështu, më 24 maj 1951 arrestohemi dhe mbyllemi në qelitë e errëta. Edhe atje na mbajti gjallë shpresa se shpëtimi do të vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ja si iu përgjigja hetuesit kur më pyeti nëse isha penduar:

            Unë Reshati, deklaroj se rrugën që kam ndjekur, duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë, për deri sa gjendja në vendin tonë nuk do të ndryshojë dhe unë këtë ndryshim e pres nga të arratisurit jashtë shtetit, nga Anglo- Amerikanët dhe të tjerë.”

            Kështu filloi kalvari nëpër burgjet dhe kampet e tmerrshme të punës së detyruar. Atje rashë në kontakt me burra të tillë, diplomuar në universitetet më të mira të botës perëndimore që ishin dënuar vetëm sepse ishin adhuruesit e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të lira. Mund t’ju përmend disa nga këto figura të paharruara: Padre Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Doktor Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Fatosh Kokoshi dhe Meçan Hoxha, Haki Karapici dhe plot burra të tjerë. Kështu në zemrën time Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë simboli i lirisë dhe demokracisë.

            Por, së fundi, komunizmi u përmbys dhe ne, shtresa e të përndjekurve politikë, filluam të marrim frymë lirisht. Të përndjekurit politikë arritën deri në majat më të larta të pushtetit dhe partive politike. U krijua Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politikë, me në krye një figurë të rrallë, të nderuarin Osman Kazazi me 40 vjet burg dhe internim në periudhën komuniste. Unë u zgjodha Sekretar i Degës së Vlorës së shoqatës dhe  anëtar i Kryesisë Kombëtare të saj.

            Në këto vite përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte e jashtëzakonshme dhe në mënyrë të veçantë për ne, shtresën e të përndjekurve politikë nga regjimi totalitar. Do të mbeten të paharruara për mua takimet që zhvillonim në atë kohë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zotin William E. Ryerson, i cili ishte i pranishëm në çdo aktivitet që zhvillonte shoqata e jonë. Këto  takime vazhduan deri në largimin e tij nga Shqipëria më 13 tetor 1994. Marëdhëniet u ruajtën edhe me ambasadorët pasardhës Joseph E. Lake dhe Marisa R. Lino.

            Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Viti i zi 1997 do t’i përmbyste të gjitha arritjet e atyre pesë viteve të para të demokracisë. Edhe sot, njëzetenëntë vjet nga përmbysja e sistemit komunist, ndihet një qëndrim injorues karshi problemeve të shtresës së të përndjekurve politikë.

            Më lejoni t’ju paraqes disa fakte për sa thashë më sipër.

            Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshilit të Europës miratoi rezolutën Nr.1096  “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”. Në Shqipëri nuk u dha asnjë njoftim, megjithëse vendi ynë ishte anëtar i Këshillit të Europës dhe e kishte nënshkruar këtë rezolutë, madje edhe shtypi i shkruar dhe ai televiziv heshtën. Përse?

            Në Rezolutën 1481 (25 janar 2006) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nënshkruar edhe nga delegacioni ynë, në pikën 7 thuhet:            

            “Asamblea është e bindur që njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së kryerjes së krimeve në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi  moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishjëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për të ardhmen”

            Në mbështetje të kësaj Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Në seancën e miratimit të kësaj rezolute, deputetet socialistë, me urdher te kryetarit, Edi Rama, dolën nga salla..

            Kanë kaluar  dymbëdhjetë  vjet  nga  miratimi  i  kësaj  rezolute  dhe  nuk  është  realizuar 

pothuajse asnjë nga pikat e saj. Lidhur me sa më sipër na dalin disa pyetje:                                      1. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori,  frymëzuesi,  dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore? Kur do t’i hiqen titujt dhe dekoratat e fituara nga pushteti komunist (pika 8)                                                                                                                   2.  Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist  që  shënojnë  instalimin diktaturës komuniste? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist? Kur do të hiqet basorelievi nga fasada e Muzeut Historik Kombëtar, një vepër e realizmit socialist, ku dy të tretat i zënë partizanët dhe ndërtimi i socializmit në Shqipëri dhe vetëm një e treta për gjithë historinë e kombit tonë dhe ku, në mënyre të veçantë, mungojnë trojet e tjera shqiptare?  (pika 9)                                                                                                                    3. Kur   do  të  bëhen  publike  dokumentat  që  dëshmojnë  krimet  e  rregjimit  komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve? (pika 10)   4. Kur do të hapen dosjet  e  ish-bashkëpuntorëve  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive dhe të shkruara? (pika 11)                                                5. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve  dhe  të  zhdukurve  me  ose  pa  gjyq  për arsye politike? (Pika 15)                                                                                                                                  6. Kur  do  të  organizohet  konferenca  kombëtare  me  pjesëmarrjen  e  përfaqësuesve  të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? (Pika 17).                             Të gjitha këto janë të përfshira në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë. Për të gjitha këto. për fat të keq, nuk ka asnjë përgjigje. Heshtja sundon. Për më tepër ka filluar një fushatë  e egër kundër të vetmit institucion të ngarkuar për zbardhjen e pikërisht këtyre krimeve. Fjala është për Institutin e Studimit dhe Pasojave të Regjimit Komunist, të drejtuar nga një figurë e njohur, i nderuari Agron Tufa. Para disa ditësh Kuvendi i Shqipërisë i hoqi të drejtën e studimit të krimeve të kryera në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.       Le të vazhdojmë më tej’                                                                                                                     Në muajin mars 2010  një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkoj  Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit do të thotë se ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo. Ky njoftim nuk u publikua fare për shtetasit shqiptarë.  Gjithashtu më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi.                              Dy lajme me të njejtën përmbajtje. Ka kohë që  Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shipërisë, ku unë bëj pjesë, e ka ngritur zërin me forcë për këtë problem, madje në  vitin 2007, në Kongresin e XV-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Çeki, ku mori pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë, u mor vendimi për t’i kërkuar BE-së ngritjen e nje Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Lidhur me këtë në muajin tetor të atij viti, u mbajt në Tiranë, me nismën e shoqatës tonë,  konferenca shkencore me temë “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare” ku, nëpërmjet kumtesave të mbajtura, ngrihesh domosdoshmëria e kësaj gjykate. Por reflektimi i kësaj ngjarje në opinionin publik ishte fare i vakët, megjithëse vetëm një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar rezolutën mbi dënimin e krimeve të  rregjimit komunist. Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri ua kalojnë disa  herë  atyre  të  kryera në ish-vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një  shembull. Sipas deklaratës  së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, dënimi i fundit me  vdekje për motive politike  në  Sllovaki  ishte  dhënë  në  vitin 1956,  ndërsa  te  ne  në  vitin  1988,   me varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim është kryer kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit  të  jetës  ai  kërkonte  gjak.                                                                                                             Sot në Shqipëri nuk ka një memorial kushtuar viktimave të komunizmit, në një kohë kur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ngritur një memorial madhështor, nuk ka një burg apo kamp të punës së detyruar të kthyer në muze, ndërkohë që ato ekzistojnë në pothuajse të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore që ishin nën sundimin komunist. Ka mbi dhjetë vjet që është krijuar shoqata për kthimin e kampit të punës së detyruar të Spaçit në muze dhe ende nuk po gjen përkrahje për t’u ngritur.Në Shqipëri nuk ka asnjë president, kryetar parlamenti, kryeministër, deputet apo  kryetar partie që të ketë kërkuar falje për krimet e  kryera  në  kohën  e  komunizmit,  në  një  kohë  kur  i ndritshmi Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në mesjetë, Kancelarja Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi, madje edhe një qytetar gjerman kërkoi  falje për krimin që kishte kryer ati i tij, duke marrë pjesë në masakrën e Borovës këtu në Shqipëri. Kjo gjendje ka marrë përpjestime të mëdha në ditët tona kur Shqipëria është përfshirë në revoltat popullore që kanë shpërthyer në të gjithë vendin. Jam dakord me ju per denimin e përdorimit të dhunës në protesta, por nuk shoh asnjë reagim për shkaqet që çuan popullin në këto protesta.

           Cilat janë këto shkaqe?                                          

1. Çështja  e  Reformës  në  Drejtësi  dhe  Ligjit  të  Dekriminalizimit  të  miratuara  nga Kuvendi i Shqipërisë.

            Faktikisht reforma po zhvillohet vetëm për organet e drejtësisë (i ashtuquajturi “Veting”). Kjo reformë nuk po shtrihet edhe në organet legjislative apo administrative, që janë të mbushura me elementë ish-lakej të sistemit të përmbysur. Lidhur me sa më sipër më datën 20.06.2015, Dega e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokrate të Shqipërisë për Tiranën, në të cilën unë isha kryetar, i dërgoi Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe Komisionit Parlamentar për dekriminalizimin, si dhe për dijeni ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Lu dhe ish-Ambasadores së Bashkimir Europian, zonjës Romana Vlahutin, shkresën me Nr. Prot. 5,  me anën e së cilës i propozonte komisioneve të mësipërme që në ligjet përkatëse të shtohej edhe një nen ku të përjashtoheshin nga zgjedhja në organet e larta të Kuvendit të Shqipërisë, Pushtetit Ekzekutiv dhe atij të Drejtësisë, të gjithë ata ish-gjykatës, ish-prokurorë dhe ish-hetues pjesëmarrës në gjyqet e periudhës komuniste që kishin dhënë dënime të padrejta, si dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ish-punonjësit e organeve të diktaturës së proletariatit                                                                                            Prisnim një përgjigje prej tyre por jo vetëm komisionet në fjalë, por edhe ambasadorët nuk denjuan të na kthenin një përgjigje. Një gjë e tillë na shkaktoi një dhimbje në ndërgjegjen tonë. Ishte shtresa e jonë ajo që u përndoq dhe u eliminua egërsisht nga sistemi komunist vetëm e vetëm sepse kishim  besim se zgjidhja do të vinte pikërisht nga Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Por përgjigja nuk erdhi. Përse?

            Sot zhvillohet vetingu vetëm për sasinë e pasurive që ka deklaruar sejcili gjykatës i Këshillit të Lartë Gjyqësor,  Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të apelit dhe atyre të shkallës së parë, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithëshme dhe prokurorive te rretheve, dhe pa u thelluar në të kaluarën e sejcilit prej tyre., siç parashikonte propozimi i më sipërm i shoqatës tone. Kjo ka sjellë që në krye të këtyre organeve të jenë ende shumë nga ata që na pushkatuan, na dënuan, na internuan dhe  na mohuan  çdo mjet jetese.

           2. Çështja e dorëheqjes së Kryeministrit. Në shumë vende të botës janë të njohura dorëheqjet e bujshme të shumë burrave të shquar. Unë do të përmend vetëm disa prej tyre:                                                                                      Richard Nixon. Ishte Presidenti i 37-të i SHBA-së që ka qëndruar në këtë post nga viti 1969 deri në 1974-n. Ai është i vetmi President i Amerikës që ka dhënë dorëheqjen. Është i njohur skandali i “Watergate”-it, i cili rrëzoi Nixon-in nga posti i Presidentit dhe ngriti lart famën e gazetarisë amerikane. Ishte viti 1972 kur disa hajdutë thyen zyrat e Partisë Demokratike në hotelin “Watergate” në Washington, ngjarje që fillimisht u komentua si vjedhje ordinere. Por në fakt, dy gazetarë zbuluan se këta njerëz kishin hyrë në zyrat e Partisë Demokratike për të vënë përgjues, sipas porosive të ndihmësve të Nixon-it. Kështu që ai mund të përgjonte gjithçka thoshin kundërshtarët e tij politikë.                                                                                                                Romano Prodi,  Kryeministër i Italisë që nga maji 2006, kur koalicioni ku ai bënte pjesë fitoi zgjedhjet parlamentare përballë ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, qeveria Prodi do zgjaste vetëm nëntë muaj, kjo pasi disa vendime të saj nuk u miratuan në Parlament. Qeveria italiane e humbi votën në Senat, megjithë paralajmërimet e ministrit të Jashtëm, Massimo d’Alema, se humbja do të thoshte dorëheqje për qeverinë. Disa parti në koalicionin qeverisës, kundërshtuan dislokimin e 2000 trupave në Afganistan, si edhe planin për zgjerimin e bazës ajrore amerikane në Vicenza. Menjëherë pas mosmiratimit të vendimeve, Romano Prodi i paraqiti dorëheqjen e tij Presidentit  Giorgio Napolitano.                                                                                                         Margaret Thatcher është kryeministrja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, duke mbajtur këtë post që nga viti 1979 deri në 1990-n. “Zonja e Hekurt”, është një nga politikanet britanike më të shquara në historinë e politikës së Anglisë. Pas 11 vitesh në krye të qeverisë dhe Partisë Konservatore, Thatcher sfidohet nga ish-kolegu i saj, Michael Heseltine, për lidershipin e partisë, duke tërhequr mbështetje të mjaftueshme në raundin e parë të votimeve për të bërë një votim të dytë. Megjithëse fillimisht Thatcher tha se do ta kontestonte votimin e dytë, pasi u konsultua me ministrat e saj, ajo vendosi të tërhiqej nga kontestimi. Më 22 nëntor ajo njoftoi se nuk do të  ishte

kandidate për kreun e partisë në votimin e dytë. Charles De Gol njihet si një nga gjeneralët më të shquar gjatë Luftës së II-të Botërore dhe si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Francës. Gjatë luftës, ai ishte lideri i qeverisë në ekzil të Francës së lirë dhe kryetar i guerrilasve antinazistë. Ai ka dhënë dy dorëheqje gjatë karrierës së tij. Pas Luftës, ai ishte kreu i qeverisë së përkohshme që nga shtatori i 1944-ës deri në 20 janar të 1946-ës, kur dha dorëheqjen pas konflikteve mes partive politike dhe pas mos aprovimit të draftit të kushtetutës për Republikën e Katërt. Ndërsa dorëheqja e tij e dytë ishte në vitin 1969. Që në vitin 1958 e deri në këtë vit, ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Pestë të Francës. De Goli dha dorëheqjen pas dështimit të referendumit të tij për të transformuar Senatin (Dhoma më e Lartë e Parlamentit frëng, që ka më pak fuqi se sa Asambleja Kombëtare), në një organ këshillues.                                                                                                                                            Boris Jeltcin, largimi nga politika në vitin 1999 i presidentit të Rusisë është cilësuar pa dyshim si një nga dorëheqjet më të mëdha të historisë botërore. Boris Jeltcin, njeriu që drejtoi Rusinë pas rrëzimit të regjimit komunist në vend, nga viti 1991 deri në vitin 1999, dha dorëheqjen për shkak të krizës që kishte pushtuar vendin. Atëhere kur personalitete të tillë të politikës botërore japin dorëheqjen, përse kryeminstri ynë nguron ta bëjë një gjë tillë? A mos vallë shkaqet që i detyruan këto personaliteteve janë më të mëdha se ato të kryeministrit tonë? Mbi kryeministrin tonë rëndojnë  akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet parlamentare dhe atyre lokale, rëndojnë shtimi, përpunimi dhe eksporti i lëndëve narkotike duke e bërë vendin tonë një qendër të trafikimit ndërkombëtar të këtyre lëndëve, e rëndon shtimi i korrupsionit në rradhët e organeve qeveritare, shtimi i ekzodit të pakrahasuar i të rinjve nga atdheu drejt perëndimit dhe plot raste të tjera të panjohura. Aktualisht Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 122 anëtarë, kur normalisht duhej të kishte 140. Vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Këto fenomene nuk kanë ndodhur gjatë sundimit të qeverive të mëparëshme, qofshin ato të djathta apo të majta. Përplasjet e mëdha midis kryeministrit dhe pjesës më të madhe të vendit tonë dhe në interes të gjendjes së qetësisë për të cilën ka nevojë atdheu,  mos vallë nuk janë të mjaftueshme që një kryeministër të japë dorëheqjen?

            3. Çështja e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin lokal më 30 qershor 2019.                                   Duke hedhur një vështrim për rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2015 do të shohim se pjesëmarja në këto  ishte 47,5 %. Nga kjo përqindje 63,48 % e saj ose 30,15 % e votuesve dhanë  votën për koalicionin e majtë. Rekordin në këto zgjedhje e mban Bashkia Vlorë ku pjesëmarrja ishte 35 % dhe nga këto koalicioni i majtë fitoi  61,7 % të saj ose 21,59 të votuesve të bashkisë.

            Gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pjesëmarrja në votime ishte 46,77 %. Nga kjo përqindje koalicioni i majtë fitoi 48,34 % ose 22,6 % e votuesve të vendit.

            Të gjitha këto të dhëna janë nxjerrë nga vendimet mbi rezultatet e zgjedhjeve lokale 2015 dhe atyre të përgjithëshme 2017,  nga Komisioni Qëndror i  Zgjedhjeve.

            Sipas të dhënave aktualisht në 35 bashki  votimi do të kryhet pa kundërshtarë politikë pasi kanë vetëm nga një kandidaturë, atë të partisë qeveritare. Madje kryeministri ka deklaruar se do t’i  fitojë të 61 bashkitë. A nuk është kjo kthim në sistemin monopartiak të shëmbur njëzetenëntë vite më parë?

            Duke u mbështetur në këto të dhëna rezulton se në rast se zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor ku, natyrisht koalicioni i djathtë nuk do të marrë pjesë, pjesëmarrja në votime do të jetë nën 30 %. Atëhere, a do t’i njohin institucinet ndërkombëtare këto zgjedhje? A do t’i konsiderojnë si të drejta dhe legjitime? A ka ndodhur në ndonjerin prej vendeve perëndimore një fenomen i ngjashëm me këtë që po ndodh në Shqipëri?

            Këto janë disa nga pyetjet që unë dua t’jua drejtoj juve, e nderuar zonja Leyla  Moses-Ones duke shpresuar në shqyrtimin me seriozitetin më të madh të tyre dhe duke pritur një përgjigje prej jush.                                                                                        

   Me respekt

                                                                                                                                                  Reshat   Kripa

P.S.      Dërguar nëpërmjet linjës postare datë 30 maj 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat-Kripa-Leter- Leyla Moses-Ones

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT