MIJËRA PJESMARRËS NË DITËN E TRADITAVE SHQIPTARE NË NJU JORK
Nga Marjan CUBI/DIELLI/*
Dita e Traditave Shqiptare që organizohet për çdo vit nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe Qendra e saj Kulturore, që mbanë emrin e Shenjtëreshës Nënë Tereza, mblodhi mijëra shqiptarë(rreth 6 mijë) nga Trishtetshi: New York-u, New Jersey dhe Connecticut të djelën e 2 qershorit 2019 organizuar në parkun e bukur e plot hijeshi në Kensico Dam Plaza- Westchester. Mjediset e gjelbërta të Parkut u hijeshuan nga ngjyrat kuq e zi të flamujëve shqiptarë krahas flamujëve amerikanë, dhe prej kostumeve tradicionale, bluzat kuq e zi me simbolikë kombëtare, që aq hijshëm i mbanin veshur gjenerata e tretë, e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse njoftimi i publikuar parashikonte startimin e veprimtarive në orën 12 të mesditës, grupet kishin ardhur më herët dhe sportistët kishin filluar garat sportive në lëndinat e parkut, ku luhej futboll, volejboll, shah e lojëra të tjera. Drejtuesi kryesor i veprimtrivë të kësaj dite, z. Fran Çotaj i ndihmuar nga ndihmësit e tij vullnetarë , i kishte marrë të gjitha masat që veprimtaritë të zhvilloheshin normalisht dhe me frymë gare sportive. Fituesëve iu dhanë kupat e veprimtarive dhe çertifikata nderimi.
Moderator i veprimtarisë ishte seminaristi Vasel Gjonlekaj. Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, pasi ka pranuar Proklamatën nga Westchester County, ka falenderuar, dhe i ka përshëndeti pjesmarrësit e shumtë duke i uruar ata për këtë ditë të bukur, dhe për ruajtjen e traditave kombëtare, kulturore e artistike si dhe gjuhën e bukur shqipe. Dom Pjetri ka falenderuar publikisht dhe ish kongresmenin republikan, arbëreshin Joseph DioGuardi, i cili ka bërë aq shumë për Kombin shqiptar në Shtëpinë e Bardhë e më gjërë.
-Jemi të gëzuar sot në këtë ditë kaq të bukur, pa shi- Jemi lutur dhe le të vazhdojmë të lutemi që sot të mos bjerë shi,- tha dom Pjetri.
Vërtetë ishte një mrekulli, pritej nga momenti në moment të niste shiu sipas parashikuesëve të kohës në rrjetet televizive, por kjo nuk ndodhi.
Duke folur për traditat kombëtare, për veprimtaritë e shumta që organizohen gjatë kësaj dite, dom Pjetër Popaj tha: Jemi krenarë që sot ne shpalosim traditat tona më të bukura, të trashëguara nga të parët tanë, të cilët i kanë rujatë dhe përcjellë në shekuj këto tradita, edhe pse në kushte të vështira dhe të okupuar prej pushtuesëve. Është kënaqësi, jo vetëm që shihemi dhe takohemi me njeri-tjetrin në këtë ditë të Traditave, por kemi dhe kënaqësinë të ndjekim këngët e artistëve tanë, si dhe vallet e djemëve dhe vajzave të lindura këtu.Ata përbëjnë gjeneratën e re që nuk i harron traditat e të parëve të tyre.Nuk ka më bukur se sa t’i përcjellim këto valle të bukura tek brezat, që ata t’i çojnë më tutje. Edhe amerikanët i ndjekin me interes këto tradita të shpalosura gjatë kësaj dite.
Më pas famullitari ka përcjellë lutje për popullin shqiptar çam, që para 75 vjetëve , ka pësuar gjenocid prej Greqisë dhe fatkeqësisht ende sot autorët e gjenocidit nuk kanë kërkuar falje për viktimat e pafajshme çame, që janë vrarë e pjesa tjetër është përzënë dhunshëm nga shtëpitë e pronat e tyre.Ne duhet të jemi bashkë edhe në këtë çështje dhe të lutemi për ta dhe familjet e tyre.
Dom Pjetri ka falenderuar drejtuesin e ditës së traditave Fran Çota për mirëorganizimin e Ditës së Traditave me pjesmarrjen e mijëra bashkatdhetarëve
Moderatori i veprimtarisë së traditave Vasel Gjolekaj ka prezantuar më pas z. George Latimer, ekzekutiv County, i cili ka drejtuar një përshëndetje të veçantë.
Ka përshëndetur dhe presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi.
Më pas gazetari Marin Mema është pritur me duartrokitje tek ka përshëndetur. Ai tha se ndjehej i gëzuar tek i shihte shqiptarët të gjithë së bashkë, pa dallime fetare, pa dallime politike, vetëm kështu shqiptarët do të ecin përpara. Kështu, tha ai, të jemi edhe me 8 qershor në paradën e madhe shqiptare, që organizohet në kujtim të vëllezërve dhe motrave çamë, që u masakruan nga fqinji ynë , Greqia.Në këtë ditë nuk nderohet e përkujtohet vetëm çështja Çame, por lartësohet Flamuri ynë kombëtar dhe Kombi ynë.
Vëllezër dhe motra, do të dëshiroja që ne gjithmonë të ndjehemi bashkë, edhe këtu në Amerikën e largët, edhe në trojet tona etnike. Qëndroni gjithmonë bashkë si vëllezër e motra të një gjaku, të një gjuhe. Përcillni traditat tona tek fëmijët tuaj. Ruajeni gjuhën e bukur shqipe. Sot ndjehem i emocionuar nga bashkimi juaj në këtë ditë të traditave.Jeni të mrekullueshëm! Mema është përcjellë me duartrokitje të pandërprera.
Ne Diten e traditave shqiptare ishte i pranishem edhe Keshilltari i Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj.
Më pas pistën e parkut e kanë pushtuar valltarët e moshave të ndryshme të Grupit Rozafat, ku të vegjëlit janë shumë të pëlqyer e të duartrokitur. Të veshur me xhubletën tradicionale vajzat dhe djemtë me tirqe e kostumet e bukura të veriut, kërcejnë plot siguri vallet kombëtare.
Koreografja Angjelina Nika dhe përgjegjësja e grupit Kristina Popaj ndjehen të shpërblyera nga duartrokitjet që marrin valltaret.
Duartrokitje të shumta fituan dhe nxënësit e shkollës shqipe pranë Qendrës Nënë Tereza, të cilët recituan poezi për gjuhën shqipe, për Abetaren, për heronjtë kombëtarë, për historinë tonë.
Këngëtarët e njohur të botës shqiptare Merita Halili, Kino Gara, mjeshtri i fizarmonikës Raif Hyseni, u duartrokitën në interpertimet e tyre. Këngët dhe vallet çame ishin ato që iu dedikuan viktimave të Çamërisë nga gjenerali Zerva dhe shteti grek.
Në këtë ditë të bukur të traditave morën pjesë familjet e shqiptaro-amerikanëve pa dallime fetare. Ushqime të shumta tradicionale u gatuan për drekë aty në park.
Dita e Traditave që nisi në 12 te mesditës e mbylli siparin e saj në 12 të natës në Qendrën “Nënë Tereza ” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, ku vazhdoi me koncertin e artistëve dhe me ushqime. Kjo ditë i pati të gjitha: këngët, vallet, recitimet, fjalimet, shpalosjen e veshjeve kombëtare, lojrat sportive, pati shumë gëzim, madje edhe një ditëlindje u festua aty…. Mirupafshim në veprimtaritë e tjera: Në Paradën e 8 Qershorit, ku komuniteti shqiptar do të prijë me flamujt Kombëtar, me kostumet kombëtare, me banderola , me këngë e valle, -si dhe në Festivalin Shqiptar në nëntor, që e organizon çdo vit nga Qendra Nënë Tereza, si dhe në Qershorin e ardhshëm, sërish në Ditën e Traditave!
- Per me shume fotografi shkoni ne Facebook