• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Turp e faqja e zezë zoti ambasador

July 31, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ajo pjesë e shëndetplotë e shoqërisë shqiptare, po lufton që të mos i tretet duarsh trashëgimia kulturore. Ato vende a godina që duam apo nuk duam kanë luajtur pjesë parësore në ngritjen e institucioneve kulturore të vendit, për më tepër për një popull që e ka dominuar orienti dhe otomanizmi, jo pak por për 500 vjet. Për më tepër për një popull që e ridënoi dimension historik të kulturës duke shpërbërë derri varre poetësh, duke burgosur dramaturgë, aktorë të artit skenik, drejtues etj., vetëm e vetëm përse ishin katolikë, kundër skematizmit dhe pro eksperimentit a arteve bashkëkohore. I shkatërroi tendencat e lira me dhunë dhe diktat, me po ato strategji otomane të përçarjes dhe sundimit aq sa sot vërtetë shoqëria shqiptare e ka të vështirë unifikimin rreth demokracisë. Pra kur pjesa më vitale përpiqet të ruaj qoftë edhe qoshk rruge me histori, sepse një komb pa histori është i pagojë, do adhuroj të tjerët dhe kurrë vetveten. Një ambasador i cili e quan çështje delikate dhe i jep rëndësi rregullave të tenderimit, mund të jetë gjithçka veç ambasador i Europës jo. Nuk e di se si keni duaruar dhe nuk keni shkuar atje tek zyra e tij. Or zotëri, ata që po e gdhijnë aty, që në fund të fundit janë po aq misionarë sa ata që predikojnë besimet fetare. Janë misionarë të dihatjes kulturë, të shoqërisë, por në ndryshim nga ata të besimeve, nuk paguhen, nuk presin qeset në fund të muajit për të mbushur arkat. Nuk presin as ndihmat nga lindja a perëndimi për të ndërtuar objektet e kultit të besimit që u përkasin. Janë misionarë të shoqërisë së lirë, të vetvetes, tuajës. Të asaj tipi që sot po djegin rrugët e Hong Kongut si e si të mos kapet demokracia dhe bashkë me ‘të, historia kulturore e një vendi të vjetër sa koha por që ia kanë bastarduar zanafillën sa uzurpuesit aq edhe horrat dhe legenët brenda gjakut. Biles ashtu siç edhe shkuat e i shkruajtët tek hyrja e pallatit atij amabasadorit tjetër, Borchardit, shkoni edhe tek ky dhe plasjani, shame on you sir. Historia kulturore, demokracia, shteti i qytetarëve nuk ka të bëj aspak me delikatesën ambasadoriale për rregullat e lojës në tenderim.

Ky është një absurd diplomatik që i shkon për shtat vetëm diktatorëve. Dhe me që është nga Roma, shkoni dhe i thoni se përse qeveritë italiane nuk shembin ato me dhjetra teatro në Trastevere a rrethina të tjera. Janë teatro shekullorë me nga 30 ndenjëse deri në 100 të tilla? Përse nuk i shemb e të ndërtojë grataçela, a teatro modern me xhamllëqe a pasqyra?

Përse ato i ruan dhe shkon i ndërton diku tjetër teatrot e rinj?Por jo vetëm teatrot… Një ambasador që ngërthen një çështje qytetare tashmë prej afro 2 vjetësh, me politikën? Dhe e konsideron delikate, të jeni të sigurt se ka lidhje me botën oligarke. Nuk ka qënë kurrë politike çështja e teatrit, megjithëse poltika i përçau artistët. Megjithëse, megjithëse…, kush e njeh pak botën e artit hilanjosët dhe pretenduesit por edhe të atashuarit pranë partive janë me shumicë. Sot kjo pjesë e errët e artit është me pushtetin. Ndryshe nuk do i bënte dora të hiqte nga gardëroba pelerinën që mbajti në supe Kadri Roshi kur luajti Ezopin, Otellon, Arturo Ui etj. 

Kurse sa i përket opozitës, nuk ka bërë asgjë. Duhej të ishte atashuar aty me kohë, por i ka anashkaluar ca gjëra duke mos kuptuar thelbin, atë që ajo duhet të jetë mburojë për çdo vatër ku vlon pakënaqësia qytetare. Kjo është dhe një nga arsyet që ruan një pakt civil më tepër se sa duhet ndërkohë që vendi nuk ka institucione funksionale, ekonomia po vdes nga informaliteti, ka vdekur balanca e pushtetit. Që akoma nuk po i jep kuptimin e duhur aktit sfidues të vërvitjes së mandatave, shumë syresh ankohen si kurva lart e poshtë për meritokracinë e tyre, qejfmbejtjet apo përgjegjësinë civile. Janë thjeshte mbetje dhe fundërrina pasi çështja më e madhe nuk qëndron tek asnjë akt personal, por tek varja në litar e demokracisë, theqafja e ekonomisë dhe braktisja sociale e vendit. Këto janë çështje ambasadoriale zoti ambasador, jo gara në tenderime. Për më tepër kur padishau ynë i ka çimentuar PPP-të si buxhet shtetëror. Ne nga anët tona e themi gojë plot, sidomos kur na vjen në majë të hundës, turp të kesh ambasador, turp!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Ambasadori-Faqja e meze

Kosovë-Gjykata Speciale intervistoi gazetarin

July 31, 2019 by dgreca

Kosovë-Specialja interviston gazetarin/

PRISHTINË, 31 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, Gjykata Speciale ka ftuar e intervistuar gazetarin Nuhi Bytyqi, i cili sot dërgoi këtë deklaratë:Pas kërkesës zyrtare me shkrim, që më është dërguar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, kam dhënë dëshminë lidhur me veprimtarinë time si gazetar gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dua të njoftoj opinionin publik se e gjithë dëshmia ime, të gjitha përgjigjet e mia në interesimin e prokurorisë, ishin në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së. 

Puna ime si gazetar dhe si udhëheqës i ekipit televiziv të Televizionit Shqiptar në zonat e luftës, e prezentuar në TVSH dhe në mediat botërore përmes shumë emisioneve televizive, është dëshmia më e mirë e angazhimit tonë të pastër, e orientimit të drejtë dhe fisnik të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Bazuar në këtë angazhim profesional dhe kombëtar në shërbim të lirisë së atdheut tim, e kisha të lehtë që edhe para Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të dëshmoj të vërtetën në mbrojtje të veprimtarisë sonë çlirimtare.

Ashtu siç e kam thënë edhe në deklarimet e mia të mëhershme, unë jam krenar që kam qenë pjesë aktive e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe jam i gatshëm që në çdo kohë të dëshmoj të vërtetën e sakrificës gjithëpopullore për liri dhe pavarësi.

Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. 

Nuhi Bytyçi, gazetar

Filed Under: Komente Tagged With: Gjylata Speciale-Interviste- Gazetarin Nuhi Bytyçi

Oda Amerikane ndan mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë

July 31, 2019 by dgreca

Mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë për importuesit më të mëdhenj të produkteve me origjinë të SHBA-së; eksportuesit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në SHBA; për kompanitë që përfaqësojnë brendet amerikane në Kosovë; për organizatat që mbështesin shkëmbimin e studentëve, si dhe vlerat arsimore amerikane në Kosovë/ 

-Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett: Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë jo vetëm bizneset amerikane por edhe popullin në Kosovë, komunitetin e biznesit, si dhe qeverinë për të ndërtuar prosperitet në vend/

PRISHTINË, 31 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ndau mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë, si vlerësim për kompanitë që në mënyrë aktive kanë kontribuar në fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett, tha se njëra ndër detyrat e cilitdo Ambasador Amerikan është të ndihmojë bizneset amerikane që të zgjerohen anembanë globit dhe kjo është kruciale për SHBA-në sepse krijon vende të punës dhe prosperitet në shtëpi, ofron produkte cilësore në treg, si dhe siguron rritje të qëndrueshme. Ambasadori Kosnett tha se Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë jo vetëm bizneset amerikane por edhe popullin në Kosovë, komunitetin e biznesit, si dhe qeverinë për të ndërtuar prosperitet në vend.

Më tej, në fjalimin e tij, Ambasadori Kosnett tha: “Për momentin, rritja sillet rreth 4%. Kjo mund të tingëllojë mbresëlënëse, mirëpo Kosova prodhon për kokë banori vetëm rreth një të dhjetën e mesatares së Evropës. Kjo do të thotë se për të arritur trendin e rritjes në Evropë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet 8% në vit për 30 vitet e ardhshme. Kosovës i nevojitet një ekspansion i sektorit privat për të realizuar këtë synim, ndërsa qeveria duhet të jetë më serioze në mbështetjen e sektorit privat. Është e rëndësishme që, pavarësisht formës së qeverisë së ardhshme, ajo duhet të jetë e përkushtuar për veprime konkrete për rritjen e fleksibilitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat të Kosovës. Që bizneset të mund të mbijetojnë, Qeveria duhet të zvogëlojë korrupsionin dhe të promovojë standardet profesionale në qeveri, biznes dhe edukim.”

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi pozitivisht për Kosovën rritjen e pranisë së brendeve dhe kompanive amerikane në Kosovë, gjë për të cilën Oda Amerikane angazhohet në vazhdimësi. 

“Jemi mbledhur për të dhënë mirënjohje kompanive anëtare të Odës Amerikane, të cilat kanë kontribuar në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe për kontributin e tyre në rritjen ekonomike të vendit, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të punës, dhe mbi të gjitha për ofrimin e shpresës për njerëzit e këtij vendi,” tha Zeka.

Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se Kosova dhe SHBA kanë marrëdhënie në fusha të ndryshme, mirëpo marrëdhëniet ekonomike janë më të mirat dhe më të fuqishmet. Prandaj, Ibrahimi shtoi se misioni i Odës Amerikane për këtë vit dhe vitet e tjera mbetet fuqizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së, dhe bizneset janë ato të cilat e bëjnë këtë të mundur.

Mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë për importuesit më të mëdhenj të produkteve me origjinë të SHBA-së (Elkos, Fluidi, Allmakes Global Services, Meridian Corporation dhe Delfin Ltd); eksportuesit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në SHBA (Stonecastle Vineyards & Winery, Devolli Corporation dhe Kosbit); për kompanitë që përfaqësojnë brendet amerikane në Kosovë (Coca Cola HBC, Microsoft, Cisco, Contour Global, Gjirafa inc., Grant Thornton, Deloitte, Ingram Micro, Sutherland, Fingermarket, Finca, Prosperoware, KAN – Kentucky Fried Chicken, Balkan Foods – Burger King, American Hospital, Brovina – Hertz, Auto trade – Avis, Ford Kosova Motors, KCC – TNT & Fedex, Teknoxgroup – Caterpillar, Unioni Financiar – Western Union, Vllesa Co – RIA, Capital – RIA, Art House – Xerox, Komtel – General Electrics dhe Melita & partners – Intuit); si dhe krejt në fund për organizatat që mbështesin shkëmbimin e studentëve, si dhe vlerat arsimore amerikane në Kosovë (Kosovo American Education Fund, R.I.T. Kosovo, American School of Kosova.)/b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Partneritet ekonomik-Oda Amerikane- Kosova

230 VJETORI I DIPLOMACISE AMERIKANE 1789-2019

July 31, 2019 by dgreca

Marrëdhëniet Diplomatike Shqiptaro-Amerikane/
                                            Nga Frank Shkreli*/

27 Korriku 2109 shënoi 230-vjetorin e themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH).   Sipas (DASH) ky përvjetor paraqet një rast unik për të nënvijuar historinë dhe trashëgiminë e rolit të rëndësishëm që ka luajtur diplomacia amerikane në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen.   DASH organizoi me këtë rast të veçantë, një ceremoni të sponsorizuar nga Sekretari aktual Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.   Pjesë e këtij aktiviteti me rastin e 230-vjetorit të themelimit të diplomacisë amerikane, ishte edhe disa nga gjigantët e kësaj diplomacie, përfshirë ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Henry Kisinger dheme biografin e tij zyrtar, Niall Ferguson, ndërsa ish-Sekretarët e Shtetit Madeline Albright dhe George Shultz kanë dërguar video mesazhet e tyre për të përshëndetur këtë përvjetor.   Të pranishëm ishin edhe një numër historianësh dhe ekspertë të diplomacisë amerikane.

Në fjalimin e tij me këtë rast, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha të pranishëmve se, “Me 4 Korrik, 1776, baballarët tonë deklaruan se të gjithë njerëzit kanë lindur me të drejta të barabarta.   Ata kanë thënë se të gjithë ne, secili prej nesh, jemi të pajisur (nga Perëndia) me të drejta të pa tjetërsueshme.   Ne të Departamentit Amerikan të Shtetit, tha kryediplomati amerikan, Pompeo, ndjekim shembullën e baballarëve tanë.   “Ne përdorim diplomacinë për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës.   Ne zhvillojmë negociata si me miqë ashtu edhe me armiqët tanë, për të mënjanuar konfliktet ushtarake me qëllim për të parandaluar vrasjen e njerzëve të pafajshëm.   Ky është një mision që ne duhet ta marrim shumë seriozisht në çdo moment të veprimtarisë tonë”, ka thënë Pompeo.   “Ne mbështesim kombet që duan të ruajnë pavarësinë e tyre nga influencat e huaja.   Jemi me fat se ne e kemi bazën e vendosur mbi autoritetin unik moral të vlerave amerikane, në mbështetje të atyre personave që nuk kanë asnjë zë në mbrojtje të drejtave tyre kur abuzohen të drejtat e tyre të njeriut”, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, në fjalën e tij në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.   Ai foli për të kaluarën e DASH, duke falënderuar të gjithë ata që për 230 vjet, kanë punuar në fushën e diplomacisë amerikane, duke përmendur disa persona me emër, të cilët, theksoi Pompeo, na kanë treguar me punën e tyre se çfarë enti diplomatik është DASH dhe se cili është misioni i diplomacisë amerikane.  “Këta heronjë diplomatikë, me shembullën e tyre kanë përgatitur rrugën për ne, jo vetëm duke mbrojtur lirinë nepërmjet punës së tyre, por duke qenë njëherazi edhe shembull shërbimi njerëzor”, ka thekësuar Pompeo.

Duke shikuar drejtë të ardhmes, Kryediplomati i SHBA-ve tha se është radha jonë tani që të përgatisim rrugën për ata që vijnë pas nesh, duke përcaktuar me punën tone sot se çdo të thotë të jeshë anëtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.   “Ne duhet të jemi, Një grup pune që bashkpunon për Një Mision të vetëm drejtë Një të Ardhme të vetme”, ka porositur ai kolegët e tij në DASH.   Kjo duhet të ndodhi, nënvijoi Pompeo, nga një administratë në tjetrën, nga një brez në tjetrin, si dhe nga detyra në detyrë, ashtu edhe prej një roli në tjetrin, cilët do qofshin ato – të angazhuar — theksoi Mike Pompeo — “Në mbrojtje të Kushtetutës dhe të popullit amerikan, duke shërbyer me profesionalizëm dhe integritet dhe me përgjegjësi për çdo veprim që ndërmarrim gjatë detyrës tonë”, është shprehur ai.

Sekretari Amerikan i Shtetit përfundoi fjalën e tij në ceremoninë e 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u bërë thirrje kolegëve të tij, që me punën e tyre sot, të shërbejnë si shembull për diplomatët e ardhëshëm amerikanë.   “Le të jemi shembull i mirë për ta, duke mbrojtur parimet amerikane, të cilat e kanë bërë Kombin tonë më të madhërishmin në historinë e botës.”

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane nuk mund të thuhet se ishin normale gjatë kësaj historie 230-vjeçare të diplomacisë amerikane.   Shtetet e Bashkuara, sipas portalit të DASH, kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në vitin 1922, pas shpalljes së pavarësisë më 1912 nga Perandoria Otomane.   Marrëdhëniet diplomatike midis Tiranës dhe Washingtonit janë ndërprerë në vitin 1939 për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-43) dhe nga Gjermania (1943-44), gjatë Luftës së Dytë Botërore.   Siç dihet pas luftës, për arsye të vet-izolimit diplomatik nga diktatori stalinist Enver Hoxha, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike.   U desht të pritej deri në prillin e vitit 1991 — kur me shëmbjen e Murit të Berlinit ra komunizmi në Evropën Lindore e Qendrore — që të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.   Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit arrijti në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe qëndroi atje në mars/prill, 1991.   Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më pak më vonë atë vit me 1 tetor 1991, me diplomatin Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë “ad interim”, i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Rajerson, i cili i paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Unë me disa shqiptaro-amerikanë patëm nderin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike në vitin 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.   Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z Rejmond G.H. Saitc, tha:  “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar.   Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që ka vizituar Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit nga regjimi i Enver Hoxhës.   Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, me batica dhe zbatica, nga koha në kohë, varësisht gjëndjes së brendshme politike të Shqipërisë, kryesisht si rrjedhim i konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis dy partive kryesore të vendit,si dhe për mungesë të rendit ligjor dhe të korrupsionit që ka përfshirë aktualisht nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi

Megjith vërejtjet dhe kritikat midis miqëve, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm, Kombi shqiptar nuk ka as nuk besoj se do të ketë mik më të madh se Amerikën.   Kjo është treguar herë pas here nga Washingtoni, madje edhe gjatë periudhës izolacioniste të Enver Hoxhës, ndërkohë që Washingtoni gjithmonë ka shprehur respektin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse jo për regjimin e asaj kohe.

Nëqoftse më lejohet një shënim personal – në këtë 230-vjetor të themelimit të diplomacisë amerikane dhe pothuaj 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Tiranë-Washington – e ndjejë veten të privilegjuar që isha në Tiranë me delegacionin e parë diplomatik të DASH – një ngjarje kjo që shënoi këthimin e pranisë diplomatike amerikane në Shqipëri pas një mungese prej pothuaj 50-vitesh.   Është normale që midis miqësh të ketë periudha ftohjeje në marrëdhëniet midis tyre. Kjo ndodhë edhe me aleatët më të ngushtë amerikanë.   Por lind pyetja se ç’duhet bërë që këto marrëdhënie të mos pësojnë ftohje, pasi keqësimi i marrëdhënieve Tiranë-Washington është më shumë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar se sa në dëm të htë Bashkuara.   Kyçi për qendrueshmëri në marrëdhëniet dypalëshe, janë vlerat e përbashkëta.   Nga pikëpamja ime, ashtu siç është rasti edhe me shtete të tjera të rajonit dhe botës, kjo miqësi midis dy Aemrikës dhe Shqipërisë shtohet me forcimin e demokracisë së vërtetë dhe të institucioneve të shtetit, me zbatimin e ligjeve, me luftën serioze kundër korrupsionit dhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut.   Por mbi të gjitha, lidhjet midis dy vendeve forcohen me bashkpunimin e të gjitha forcave politike shqiptare duke zhvilluar një diskurs normal politik, duke venë interesin e kombit dhe të popullit të vet mbi interesat personale e partiake, me përcaktimin e disa qëllimeve të qarta, afat shkurtëra dhe afatgjata kombëtare.   Gjatë 230 vjetë diplomaci, Shtetet e Bashkuara kanë treguar se një klasë politike, ose një politikan, kudo në botë, që nuk punon për të mirën e përbashkët dhe për mirëqenjen e popullit të vet, pa dallim, nuk është një aleat i denjë.   Mos të gënjehet ndonjë politikan shqiptar!   Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk varen nga ndonjë politikan i përkohëshëm, as nga ndonjë ideologji, as parti politike, por konsiderohen si marrëdhënie popull me popull, bazuar në disa vlera, parime dhe të drejta universale të njeriut, pa marrë parasysh se cili person ose cila parti udhëheq qeverinë shqiptare, në një kohë të caktuar.   Si me çdo shtet tjetër, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të bazuara në parimin se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barbarta, pa dallim.

Në këtë 230-vjetor të themelimit të Diplomacisë Amerikane, Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo u angazhua se Shtetet e Bashkuara – në marrëdhëniet e tyre me të gjitha shtetet — do të vazhdojnë të përdorin diplomacinë, duke u bazuar në, “Autoritetin unik moral të vlerave Amerikane”,   “për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme të njeriut, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës”, deklaroi të hënën në Washington, Mike Pompeo në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991.

Filed Under: Featured Tagged With: FranK SHKRELI-230 Vet-Diplomaci

Kush janë fitimtarët?

July 31, 2019 by dgreca

Mendime rreth një debati/

Nga Reshat Kripa/

            Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. E majta ngul këmbë se është ajo fitimtarja e kësaj beteje ideologjike. E djathta gjithashtu. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më trepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Këto debate zhvillohen ndërmjet po atyre figurave analistësh që i kemi parë dhe stërparë çdo ditë në këto ekrane. I kemi parë për të gjitha çështjet që preokupojnë opinionin publik shqiptar, që nga ato më të thjeshtat dhe deri tek më të rëndat. Për të thënë të vërtetën na ka marrë malli të shohim figurën e një analisti të ri, të studiuar në universitetet më në zë të botës demokratike. Por, çuditërisht, për këta individë dyert e televizioneve tona janë të mbyllura. Ato janë bërë pronë e analistëve të përjetshëm.

            Vetëm një gjë nuk kemi dëgjuar prej tyre, kush është fitimtari i kësaj beteje që ka vite që ka filluar dhe ende nuk po gjen zgjidhje. Pikërisht kësaj pyetje dua t’i kushtohem  në shkrimin tim. E di që disa do të më quajnë ballist, dikush tjetër legalist, një i tretë kolaboracionist e kushedi se çfarë tjetër. Për t’u hequr merakun do të doja t’u thoja se rrjedh nga një familje që nuk ka pasur asnjë pjestar nga fisi i saj me ballin apo legalitetitn, asnjë person  të arratisur jashtë shtetit për motive politike. Madje kemi qenë të lidhur, më tepër me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Nuk e them këtë se dua të mburrem. Përkundrazi, do të doja që të mos ishte kështu. Por situata e atyre viteve ishte e tillë që njeriu nuk arrinte të kuptonte se kush ishte rruga e  drejtë  që duhej  të  ndiqte, ndaj  jo rrallë herë zgjidhte rrugën e gabuar.

            Ju do të thoni atëherë se si ka mundësi që mendimet e mia bien në kundërshtim me prejardhjen familjare. Përgjigjen ua jap unë. Ishte vetë komunizmi që më bëri të tillë. Duke qenë në konditat e përshkruara më sipër, çuditërisht, një ditë vjeshte të vitit 1946 një makinë ndalet para portës tonë  në Tiranë dhe na rrëmben e dëbon në qytetin e lindjes, në Vlorë, ku pas atij çasti, trajtoheshim si armiq të sistemit komunist. Kjo bëri që unë të ngrihesha kundër tij. U ngrita dhe këtë e pagova me disa vite burg. Por, fatmirësisht, burgu u bë një shkollë e veçantë për mua. Aty, nëpërmjet disa figurave të paarritshme, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër nga ajo që unë kisha mësuar në shkollën komuniste. Mësova historinë e vërtetë të këtij kombi dhe këtë histori dua ta pasqyroj në këtë shkrim. Nuk jam as historian, as analist, por dua të shpreh atë që kam dëgjuar me veshët e mi dhe atë që mendoj se është e vërteta.

            Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa e paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Sikur forcat balliste të kishin qenë bashkëpuntore të pushtuesve, përse komunistët pranuan bisedimet me ta, madje arritën edhe në një marrëveshje së bashku  në Konferencën e Mukjes, marrëveshje që e braktisën pa u tharë ende boja me të cilën ishte nënshkruar? Përse ndodhi kjo? I kujt ishte faji? Natyrisht jo i nacionalistve, pasi ata i qëndruan besnik asaj. 

            Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës,  komunistët hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit  pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që legalistët, me në krye heroin e 7 prillit 1939, Abaz Kupin, të rreshtoheshin në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, parullë që solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon disa herë   atë   të  luftës   kundër   okupatorit, nga   të   dyja  forcat ndërluftuese.

            Lexojmë shpesh medimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që,  në të vërtetë,  u zjen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë  të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam  kujtimet e mia të fëminisë kur ata burra të shquar, në konditat e ferrit komunist më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte botuar në gazetën “Flamuri” në Itali në vitin 1946.  Titulli ishte “28 nëntor 1939”, ku shkruhej:

            A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”

            Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës.  Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:

            “Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg, mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm rreth. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas tanë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…

            Ndërsa në fund autori shkruante:

            Atë natë ne kënduam  me  zjarr. Atë  natë  ne folëm  me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të  lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll…

            Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…”Përse? Sepse komunistët nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi kryeqëndra e tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.   

Këto fjalë i thotë një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё janar tё vitit 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё lёvizjen antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. U vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishin vendosur edhe Mithat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinёfranceze nёUniversitetin e Bolonjёs. Nёvitin 1950 emigroi nёShtetet e Bashkuara. Nёmesin e viteve ‘50 filloi punёn pranёseksionit shqip tёRadio “Europa e Lirё”dhe nёvitin 1959 filloi punёn nёShkollёn Ushtarake tёGjuhёve nёqytetin Bloomington tёshtetit Indiana. NёUniversitetin Indiana mbaroi studimet e larta dhe nёvitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nёfushёn e gjuhёsisё. Nёvitin 1967 u emёrua profesor nёUniversitetin Western Kentucky ku qёndroi deri nёvitin 1972. Prej vitit 1974 e deri nёvitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nёTripoli tёLibisёdhe prej vitit 1978 e deri nёvitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nёNapoli tёItalisё. Gjatёkarrierёs sёtij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tёndryshme pёr gjuhёn shqipe. Nёvitin 1949 kishte botuar nёItali poemёn “Fytyrёe Kombit” kushtuar Mithat Frashёrit. Ky ishte Bardhyl Pogoni.

            Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri e mbylli me humbje jetën e tij. Jo, mor zotërinj! Ai humbi vetëm një betejë dhe këtë betejë e humbi sepse nuk ishte vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishte i prapaskenave të pështira si ju. Ai ishte për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të  botës së lirë. Ndoshta me të vërtetë gaboi, por ai nuk donte të derdhte gjak shqiptari si ju. Nuk donte të ngjallte ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donte bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira.

            Le të kthehemi tani në temën e ngritur në fillim  të këtij shkrimi: “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit,  të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit,  ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi,  ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

            Përfaqësuesit e idesë së parë  ishin Mithat Frashëri me pasuesit e tij. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona  për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruar fletën dhe u kthyet në socialistë apo demokratë.

            Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë,  pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij, sepse pikërisht idetë e tij fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. Tani për tani,  keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë juve ju prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Reshat Kripa-Debati-Fitimtaret

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT