
KUJTESA HISTORIKE- REFERENDUMI: KOSOVA SHTET SOVRAN DHE I PAVARUR/

Referendumi i organizuar me 1991 dha kete rezultat: Pro 99,87%: Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur*

-Para 28 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991, në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%./

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive para çerek shekulli: Referendumi, akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës/
-Raportimet për Referendumin në gazetën e rezistencës “Bujku”, që nisi të dilte në Prishtinë nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 27 Shtator 2019/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 28 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.
“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e
1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran
dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të
pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e
Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në
votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç
12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote. Për
realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.
Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
“Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”, theksonte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, që e kam zhvilluar para çerek shekulli, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.
Në intervistë, Presidenti Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë, për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive para çerek shekulli janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…
“Kosova filloi Referendumin për Sovranitet”, shkruante në kryetitullin në ballinë gazeta historike e rezistencës shqiptare “Bujku” pikërisht para 28 viteve në numrin e 27 Shtatorit 1991. Legjenda e fotografisë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.
Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.
Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në faqen e parë shkruante:
“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.
Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.
Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.
Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.
Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja
Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë…
Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.
Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar ka vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.
“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.
Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.
“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.
Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.
“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive në Klan Kosova në 28 vjetorin e fillimit të Referendumit.
Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerëson se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.
Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.
Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e
nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike
Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë
partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të
Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur
vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e
çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”,
siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të
Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i
pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi.
Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe
në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat
që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë
kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika
Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve
të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar
në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë
për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të
krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”
Tani, pas 28 vitesh të Refrendumit historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 20 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 11 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.
*Per me shume foto shih ne Fb






