• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2019

Vetting për drejtorët e shkollave?

October 17, 2019 by dgreca

– Një reagim nga brenda sistemit arsimor!-

Nga Qemal Cejku/ Një reagim nga brenda sistemit ka ardhur i cili nuk është i rrallë, por i guximshëm pasi ata e dinë më mirë se çfarë ndodh aty në shkollat tona, aty ku shpresojmë të marrim diturinë, edukimin, ecjen përpara, por në fakt për fatin tonë të keq gjendja është dhe më keq se kaq.

 “Z. Kryeministër po jua drejtoj këtë pyetje me rastin e fillimit të vitit te ri akademik. Meqënëse po bën vetingje gjithandej futi një vetting dhe për drejtorët e shkollave se shpeshherë po i ngatërrojmë me biznesmenë, që lëvizin me makina disa mijëra euroshe e me vila luksoze nga tre e nga katër kate. Pyeti një herë këta dallkaukë, injorantë e të pa aftë frofesionalisht (që fakulteti ju ka zgjatur mbi 10 vite) nga i kanë marrë gjithë këto para se kur u bënë drejtorë nën siglën e rilindjes këmishat e pantallonat i ndërronin një herë në javë.

Mos vallë fusin duart në kontributet e shkollës?

Por kur ikin për çdo ditë për dreka duke ju vendosur grafikë mësuesve për të ju paguar drekën?

Mos vallë bëjnë sekserin për ndonjë vend punë në shkollë (3 ose 4 mijë €)?

Mos vallë ju bëjnë presione mësuesve për vendet e punës?

Mos vallë marrin haraç për ambientet e shkollës që japin në përdorim në mënyrë të paligjshme?

Mos vallë janë të përzier në pazare e biznes me gjëra që kanë lidhje me shkollën?

E shumë e shumë pyetje si këto, por mjaftojnë keta si fillim viti.

Ps: Ti do të thuash që arsimi është më mirë se në vitin 2013, jo po them jo, të kanë gënjyer zotni.

Filed Under: Analiza Tagged With: Qemal Cejku-Vetting drejtoreve et Shkollave

CILËSORJA E ZHBËN MEDIOKREN

October 17, 2019 by dgreca

Ese nga Thanas L. Gjika/
C

Në shoqërinë njerëzore dukuria / dukuritë që shquhen për vlera cilësore kanë ndikuar dhe ndikojnë mbi dukurinë / dukuritë me nivel mesatar (mediokër). Që në kohët e lashta, para krijimit të shteteve dhe administratve qeveritare, fiset e krahinat e ndryshme drejtoheshin prej individësh që shquheshin për zgjuarësi të veçantë. Pikërisht individët e shquar për nga zgjuarësia kanë ndikuar mbi pjesëtarët e tjerë të fisit, shoqërisë dhe të kombit për mbarëvajtjen e punëve dhe zgjidhjen e problemeve.

Përcaktimi i një personi si “plak i mençur / kryeplak” i fisit, i fshatit ose i krahinës nuk bëhej sipas dëshirës së një njeriu të pasur a me pushtet, por prej shumicës së banorëve burra pasi ai të kishte dhënë prova zgjuarësie mbi të tjerët për zgjidhje problemesh në biseda e tubime të fisit, fshatit e krahinës. Disa pleq të tillë, sipas kanunit zgjidheshin si “gjyqtarë”. Ata thirreshin në tubime për të zgjidhur problemet e ndryshme që lindnin në krahinë prej vrasjeve, vjedhjeve të pronave, mosmarëveshjeve të ndryshme, etj. Banorët e fisit, fshatit dhe krahinës pranonin zgjidhjen që jepte / jepnin “plaku / kryeplaku”, ose “gjyqtarët”, përndryshe ata ndëshkoheshin sipas kanunit. Me vlerësimin e cilësores njerëzore u qeverisën popujt për qindra e mijëra vjet deri te krijimi i shteteve, kur u krijuan administratat shtetërore. Rolin e plakut / kryeplakut dhe gjyqtarëve tashmë filluan ta luanin mbreti, parlamentarët, gjykatat e gjyqtarët profesionistë. Edhe në këtë kohë cilësorja shoqërore, pra vlerësimi i njerëzve me zgjuarësi e formim mbi mesatar nuk u hodh poshtë. Mbretërit, deputetët, gjyqtarët më të zgjuar jepnin zgjidhje më të mira për problemet që shtroheshin për zgjidhje se kolegët e tyre mesatarë e mediokër, prandaj synohej që në këto funksione të zgjidheshin individët më cilësorë, ata më të zgjuarit, më të aftët.

Qëndrimi i cilësores shoqërore në krye të administratave qeveritare përbënte një nga ligjet e pashkruar të qeverisjes së popujve.

Mirëpo, vlerësimi sipas zgjuarësisë dhe përgatitjes profesionale i personit që emërohej në një detyrë, u hodh poshtë prej partive komuniste, ku stafi drejtues i tyre zgjidhej sipas besnikërisë së atij që e krijonte këtë ose atë parti komuniste. Pas ardhjes në pushtet të partive komuniste, emërimi i kuadrit në administratën qeveritare, përcaktohej jo nga zgjuarësia e përgatitja profesionale, por nga besnikëria ndaj udhëheqjes / udhëheqësit të partisë.

Në historinë tonë të shek. XX-të zbatimi i kësaj politike kuadri solli si pasojë që në krye të Partisë Komuniste Shqiptare të vihej Enver Hoxha. Ky person edhe pse ishte njeri pa shkollë të lartë, që nuk bënte pjesë në asnjë prej grupeve komuniste të kohës, dhe që nuk e njihte teorinë marksiste si komunistët e shkolluar Zai Fundo, Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Aristidh Qendro, Anastas Lulo, Qemal Stafa, etj, u zgjodh sekretar i përkohshëm e më vonë kryetar i PKSH-së. Ai u zgjodh kryetar i PKSH-së sepse i kishte premtuar Dushan Mugoshës se do të ishte i bindur ndaj urdhërave të udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave, pra të J. B. Titos që do t’i jepeshin prej emisarëve të tij. Parimi i besnikërisë ndaj kryetarit të partisë u zbatua edhe në “zgjedhjen” e kryetarëve të organizatave bazë të kësaj partie dhe të komandantëve të njësive ushtarake partizane që u krijuan më vonë. Po kështu u vijua pas marrjes së pushtetit për krijimin e administratës qeveritare.

Partia Komuniste Shqiptare, si gjithë partitë komuniste, ndoqi një politikë të tillë kuadri, sepse misioni i saj kryesor ishte marrja dhe mbajtja e pushtetit me çdo çmim. Vënia e parimit të besnikërisë ndaj udhëheqjes së partisë mbi parimin e cilësores shoqërore, pra të vlerësimit të kuadrit sipas zgjuarësisë dhe aftësive, solli si pasojë mënjanimin dhe eleminimin e të aftëve si shtresë. Shkrimtari dhe analisti Sami Repishti te vëllimi me tregime “Pika loti”, këtë dukuri e ka shprehur me këto fjalë: “Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorër”. Pikërisht ndjekja e një politike të tillë me kuadrin përbënte një dukuri që binte ndesh me njërin prej ligjeve themelore të qeverisjes së shoqërisë njerëzore. Dhe pikërisht këtu duhet të shohim një nga shkaqet që shpunë te kapitullimi i sistemit socialist dhe jo, si thonë disa, se sistemi socialist nuk u la të piqej, se po të kalonte fazën e pjekjes së vet, do të kishim rezultate të tjera. Sistemi socialist, si sistem diktatorial që shkeli parimin e vlerësimit të cilësores shoqërore dhe e zëvendësoi me parimin e besnikërisë / servilizmit ndaj udhëheqjes së partisë shtet, nuk mund të piqej, sepse ai e kishte në thelbin e vet krimbin e së keqes, i cili do ta shpinte, si e shpuri te kalbja dhe jo te pjekuria.

Për fatin tonë të keq pas ndërrimit të regjimit diktatorial dhe zëvendvsimit të tij me sistemin pluralist të ekonomisë së tregut të lirë, forcat besnike të klanit Hoxha, që përbënin shumicën e forcave në lojën politike, arritën ta mernin drejtimin e shtetit dhe të ekonomisë dhe të mos lejonin ardhjen në pushtet të individëve të aftë, pra të atyre që shquheshin për cilësi e profesionalizëm. Kështu vijoi qeverisja e Shqipërisë edhe gjatë këtyre 28 vjetëve përmes parimit të besnikërisë ndaj udhëheqjes së partisë politike që merrte pushtetin. Cilado parti që erdhi në pushtet krijoi administratën e re me besnikët e saj dhe jo me kuadrot më të aftë. Kjo është arsyeja kryesore pse në Shqipëri tranzicioni nuk solli krijimin e sistemit të vërtetë demokratik dhe zhvillimin e duhur ekononomik dhe politik.

Në këtë situatë, lind pyetja: A ka mundësi Shqipëria që të krijojë sistemin e vërtetë demokratik dhe të sigurojë zhvillimin e duhur ekonomik? Pra a ka mundësi që Shqipëria të kthehet nga një vend papunësie që po braktiset nga rinia, në një vend që të hapë vende pune për rininë e vet dhe të thithë krahë pune nga bota?

Këtyre pyetjeve u përgjigjem me një PO të madhe, jo se jam optimist i sëmurë, por se jam i bindur që Shqipëria shumë shpejt me ndihmën që po i japin SHBA-të dhe BE-ja përmes Vetingut e Reformës në Drejtësi do të pastrojë administratën shtetërore prej kuadrove të paaftë e të korruptuar dhe do të sjellë në pushtet njerës të aftë, njerëz cilësorë që dallohen për karakter të lartë qytetar, zgjuarësi dhe përgatitje profesionale. Brenda vendit të tillë njrëz ka pak, por këtyre u duhen shtuar dhe bijtë e të përndjekurve politikë që kryen shkolla në Europën Perëndimore dhe SHBA, të cilët, si ka thënë avokat Spartak Ngjela, përbëjnë ekselencën shqiptare dhe janë në gjendje ta qeverisin si duhet Shqipërinë. Pikërisht këta bij të shquar të diasporës duhet të afrohen me njëri tjetrin dhe të organizojnë atë grup shoqëror politik dhe ekonomik prej të cilit populi duhet të zgjedhë përfaqësuesit e vet në zgjedhjet e ardhëshme për të krijuar administratën e re shtetërore. Partitë e sotme politike janë të panevojshme dhe duhen zhbërë, sepse ato duke zbatuar planin Katovica, luajtën rolin e shërbëtorit të klanit Hoxha, pra një rol antikombëtar…

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas L. Gjika-CILËSORJA- E ZHBËN MEDIOKREN

Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare?

October 17, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më 6 Tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare në të cilat, sipas rezultateve paraprake, dolën fituese Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Në pritje të certifikimit të rezultatit përfundimtar, pasi të jenë numëruar të gjitha votat, Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, janë pajtuar për formimin e koalicionit qeverisës dhe për vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme, midis këtyre dy partive, për formimin eventual të qeverisë së re të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Në një konferencë të përbashkët para disa ditësh për shtypin në Prishtinë, të dy këta janë shprehur se hollësitë e ndarjes së pushtetit të ardhshëm qeveritar do të njoftohen pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave. Media e Kosovës ka cituar Vjosa Osmanin të ketë thënë me atë rast: “Në radhë të parë ne si Lidhje Demokratike e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe, natyrisht, në qoftë se rezultati konfirmohet kushdo që del se ka marrë më së shumti vota në atë moment, ne në asnjë mënyrë nuk do të hezitojmë që në bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar, ta merr pozitën e kryeministrit”, ka theksuar kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani. Në lidhje me këtë, sipas të dhënave në media, Kryetari dhe kandidati për Kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti theksoi të njëjtin qëndrim për të pritur numërimin përfundimtar të votave, duke thënë se, “Për dakordim e për korrektësi, natyrisht, që e kuptoj se fjala e fundit është certifikimi në fund i zgjedhjeve nga KQZ-ja. Por besoj që PDK-ja është në opozitë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Vetëvendosja dhe LDK-ja do të qeverisin së bashku, as kjo nuk do të ndryshojë dhe mund t’i ruajmë fjalët e fundit për në fund, por mendoj se shumëçka, për të mos thënë gjithçka është e qartë”, tha ai.

A është ky modeli i ri i qeverisjes ndër shqiptarë?

Në të vërtetë janë deklaratat e mësipërme dhe të tjera si këto – gjatë ditëve të fundit – nga të dy protagonistët kryesorë të politikës së Kosovës sot për sot, që më bëjnë optimist se ndoshta, më në fund, diçka mund të ndryshojë për më mirë në skenën politike, anë e mbanë trojeve shqiptare. E them këtë sepse, fotoja e mësipërme e Kurtit dhe Osmanit, dalë së bashku para medias, duke mbajtur pothuaj të njëjtin qëndrim në lidhje me numërimin e plotë të votave, pa pretendime, është shpresëdhënëse dhe me shton besimin se vërtetë, diçka e re po ndodh në politikën shqiptare.

“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga z.John Erath, Drejtor për Evropën. Patëm diskutime shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim”, ka shkruar Vjosa Osmani, të martën në portalin e saj të fejsbuk-ut.

 Foto: Zoran Zaev / FB

“Insistoj që politikanët shqiptarë, në të dy anët e kufirit që na ndan padrejtësisht, duhet të kenë mendjen tek historia, kur kanë punë me Serbinë”. Albin Kurti në një intervistë me Ora News, gjatë të cilës u shpreh, gjithashtu se gjëja e parë për të cilën do të flasë në takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë i ashtuquajturi, “Shengen ballkanik”.

Thuhet se çdo gjeneratë i qet udhëheqësit e saj – nga njëherë për mirë, nga njëherë për keq. Këto 30-vitet e fundit, shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, politika shqiptare dhe klasa politike që ka udhëhequr shqiptarët, nuk u ka shërbyer mirë. Shqiptarët në përgjithësi po përballen me vështirësi të përditshme, kryesisht të shkaktuara nga klasa politike që po i udhëheqë ata, vështirësi e probleme këto, të cilat kanë shkaktuar një lëkundje të madhe dhe tronditëse në besimin e shqiptarëve për të ardhmen e jetës në trojet e veta. Ngjarjet politike të këtyre dekadave të fundit që, pothuaj, kanë përmbysur jetën e shumicës së shqiptarëve, janë themeli i shqetësimeve të mëdha ndër shqiptarët e ditëve të sotme. Fatkeqësisht, janë ngjarje që mund të thuhet ,se nuk mund të parashikoheshin as nga arsyeja dhe logjika njerëzore. Duket sikur shumë shqiptarë kanë humbur shpresën, perspektivën dhe besimin në të ardhmen, duke pritur dhe menduar se punët po shkojnë keq e më keq dhe po përpiqen t’i gjejnë vetes dhe familjes një “qoshe të qetë” e të sigurt dhe të largohen masivisht nga trojet stërgjyshore. Është fatkeqësi kombëtare, që të shtrënguar nga halli, nga nevoja ose nga dëshpërimi, shumë shqiptarë po zgjedhin këtë rrugë – më keq se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe, më keq se pas pushtimit komunist ndërkombëtar.

Unë nuk e kam ndër mend të qortoj as të kritikoj askënd që merr një vendim të tillë, përballë vështirësive të jetës, pasi më në fund, shumë prej nesh kemi bërë një gjë të tillë, gjysmë shekulli më parë, përballë diktaturës së egër komuniste. Edhe ne mendonin që atë kohë, se komunizmi do të ishte i përjetshëm, se asgjë nuk do të ndryshonte në jetën tone, për derisa të sundonte ai regjim. Por, më në fund, edhe ajo e keqe, ndryshoi!

Mesazhi im modest me këtë rast është, që të mos humbasin besimin, pikësëpari në vetvete. Fara e ndryshimit duhet të mbillet që sot. Jo nesër, jo pasnesër, por tani. Fatkeqësisht, Kombi shqiptar, për pothuaj një gjysmë shekulli u sundua nga një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, krejtësisht e huaj për karakterin shqiptar dhe të okupimeve sllave të trojeve shqiptare. Si rrjedhim, mendohej se dielli shqiptar po mbulohej përgjithmonë nga re të zeza dhe se fati i keq nuk do t’i ndahej atij kurrë. Është e vërtetë se gjithnjë, forcat barbare, autoritare dhe më reaksionare të ditës së sotme – Rusia, Serbia dhe Turqia – po kërcënojnë gjithnjë, jo vetëm identitetin kombëtar dhe gjeografinë tokësore të trojeve stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe kulturën, gjuhën dhe jetën e pasardhësve të Arbërit. Sot, si gjithmonë më parë, valë të egërsuara armiqsh shekullorë po përplasën në tokat shqiptare. Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë – jo për pushtetarë që bashkëpunojnë me këto forca të errëta, historikisht, anti-shqiptare, por për udhëheqës të rinj të këtij brezi të shqiptarëve, të cilët do t’i dalin përpara kësaj stuhie të tmerrshme dhe t’i thonë: Ndal, se këtu ende ka shqiptarë!

Unë jam i bindur se ky brez i ri politikanësh shqiptarë do të dijë t’i dalë përpara kësaj stuhie të egër dhe do të përballojë rreziqet që sot i kanosen Kombit. Unë besoj se, në qoftë se punët shkojnë mirë, tani e tutje, ka mundësi që zgjedhjet e fundit në Kosovë, të sinjalizojnë fillimin e një ndryshimi madhor të proceseve politike ndër shqiptarët. Kjo është shpresa ime, i bindur se në shpirtin e shqiptarit ekziston gjithnjë ajo cilësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar: Heroizmi përballë fateve të zeza, të shkaktuara nga të huajt e nganjëherë edhe nga të vetët, siç ishte përvoja e shekullit të kaluar. Jam i vetëdijshëm se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk do ta kenë të lehtë detyrën e tyre, por udhëheqësve të rinj politikë – të këtij brezi të ri politikanësh shqiptarë të Kosovës – iu urojmë sukses, në javët, muajt dhe vitet e ardhshme – ashtu që fitorja e tyre politike sot, të shënojë gjithashtu edhe fillimin e një fitoreje të madhe për të ardhmen e mbarë Kombit shqiptar dhe njëkohësisht edhe fillimin e një ndryshimi të madh, të cilin e presim për më shumë se një shekull.

Somario

Mesazhi im modest me këtë rast është, që të mos humbasin besimin, pikësëpari në vetvete. Fara e ndryshimit duhet të mbillet që sot. Jo nesër, jo pasnesër, por tani

Fatkeqësisht, Kombi shqiptar, për pothuaj një gjysmë shekulli u sundua nga një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, krejtësisht e huaj për karakterin shqiptar dhe të okupimeve sllave të trojeve shqiptare

Është e vërtetë se gjithnjë, forcat barbare, autoritare dhe më reaksionare të ditës së sotme – Rusia, Serbia dhe Turqia – po kërcënojnë gjithnjë, jo vetëm identitetin kombëtar dhe gjeografinë tokësore të trojeve stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe kulturën, gjuhën dhe jetën e pasardhësve të Arbërit

Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë – jo për pushtetarë që bashkëpunojnë me këto forca të errëta, historikisht, anti-shqiptare, por për udhëheqës të rinj të këtij brezi të shqiptarëve, të cilët do t’i dalin përpara kësaj stuhie të tmerrshme dhe t’i thonë: Ndal, se këtu ende ka shqiptarë!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Zgjedhjet ne Kosove-Modeli i duhur

Kosova, gjenocidi në Ruandë dhe tregtarët shqiptarë të armëve

October 17, 2019 by dgreca

Nga Ramadan GJANA/DIELLI/

As 25 vite nuk u mjaftojnë viktimave, xhelatëve dhe mbarë shoqërisë njerëzore, për të harruar dhe fshirë gjakun e masakrave gjenocidale.

Humanizmi si vlerë dhe kategori morale me origjinë hyjnore, krahas kujtesës njerëzore, ashtu si “fantazma e Bankos”, do të përndjekin përjetësisht xhelatët në udhëtimin e tyre të përgjakshëm deri në fund-jetë.

Më 7 prill 2019 u përkujtua 25-vjetori i fillimit të Gjenocidit të Tutsi-ve të Ruandës.

Si studiues dhe specialist i Afrikës dhe Mesdheut, kam qenë gjithnjë i joshur dhe i ndjeshëm ndaj fatit tragjik të Tutsi-ve të Ruandës. Ndaj dhe kam lexuar e studiuar pothuajse gjithë literaturën ekzistuese, si dhe raportet e organizatave ndërkombëtare e atyre të pavarura, që trajtojnë e dëshmojnë krimet dhe masakrat e kryera ndaj Tutsi-ve në Ruandë.

Por si intelektual dhe bir i një populli të masakruar ndër shekuj nga armiqtë e tij historikë, jam tronditur thellë kur kam mësuar se edhe shteti dhe shtetarët shqiptarë të asaj kohe rezultojnë fajtorë dhe ndihmës-xhelatë në gjenocidin e tmerrshëm të Ruandës.

Gjenocidi ndaj Tutsi-ve i vitit 1994 zgjati tre muaj dhe la pas, sipas burimeve të ndryshme, ndërmjet 800 mijë dhe 1 milion viktima.

Pothuajse 90 % e popullit “Tutsi” të Ruandës u shfaros nga urrejtja e gjakatarëve “Hutu” të Juntës së kohës në pushtet, që sikurse nazistët, projektoi dhe zbatoi “zgjidhjen përfundimtare të problemit Tutsi”.

Për të zbatuar këtë projekt gjenocidist, të gjitha institucionet shtetërore të Ruandës u vunë në dispozicion të kriminelëve, që, për t’i zënë viktimat e tyre në grackë, ngritën barrikada në çdo rrugë e rrugicë të qyteteve dhe fshatrave.

Madje as objektet e kultit nuk shërbyen si mburojë për viktimat, pasi shumica e Tutsi-ve të pafajshëm u vranë dhe u dogjën për së gjalli nëpër kishat e Ruandës, ku ishin strehuar me shpresë se aty do të gjenin shpëtim.

Fatkeqësisht, raportet dhe dëshmitë tregojnë se në shumicën e rasteve priftërinjtë bashkëpunonin me xhelatët…

250-300 mijë gra, vajza të reja, përfshirë këtu dhe fëmijë të mitur, u përdhunuan nga trupat ushtarake, para-ushtarake si dhe ato të komitetet e civilëve Hutu (Interhahamwe), para se të masakroheshin. Madje ideologjia raciste urdhëronte çdo Hutu që t’i përdhunonte viktimat Tutsi para vrasjes.

Për shumë ushtarakë, diplomatë, intelektualë dhe specialistë të Afrikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, gjenocidi i Tutsi-ve shënon një nga barbaritë më të turpshme e më të përgjakshme të historisë së njerëzimit. 

Atëkohë, ekzistonte baza ligjore për një ndërhyrje efikase ushtarake, që do ta kishte pamundësuar gjenocidin. Por Komuniteti Ndërkombëtar bëri qorrin dhe shurdhin, madje arriti deri aty sa i tërhoqi trupat paqeruajtëse që kish dërguar më herët në Ruandë, duke lënë atje vetëm një kontigjent afrikan me 500 ushtarë gjithsejt ; “paqeruajtës” këta të OKB, nën drejtimin e gjeneralit kanadez Roméo Dallaire. Ky ushtarak ishte dërguar në Ruandë qysh në vitin 1993, në bazë të Rezolutës nr. 872 të KS të OKB.

Por pavarësisht se ndërkombëtarët në Ruandë, personalisht gjenerali Dallaire, si dhe agjensitë e huaja, njëkohësisht paralajmëruan se Junta e xhelatëve Hutu po përgatiste shfarosjen e Tutsi-ve, Kombet e Bashkuara nuk e zgjeruan mandatin e ndërhyrjes së kaskave blu për ta pamundësuar gjenocidin!?!

Vetëm një muaj pas fillimit të masakrave, më 17 maj 1994, Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi rezolutën nr. 918, që impononte “Embargon” mbi armët me destinacion Ruandën. Kjo Rezolutë theksonte shprehimisht detyrimin “… që të gjitha shtetet të parandalojnë shitjen ose dorëzimin në Ruandë, nëpërmjet territorit të tyre, ose nëpërmjet shtetasve të tyre, ose me anije që përdorin flamurin e tyre, apo avionët që kanë shtetësinë e tyre, të të gjitha llojeve të armatimeve dhe materialeve të ngjashme, duke përfshirë armë dhe municione, automjete dhe pajisje ushtarake, pajisje policore, paraushtarake dhe pjesë rezervë…”.

Koha tregoi me fakte se shumë shtete nuk e respektuan këtë embargo, duke filluar nga Franca, (njëri nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB).

Atëkohë, Franca e konsideronte atë pjesë të Afrikës si zonën e saj ekskluzive të influencës dhe e vlerësonte luftën për mbijetesë të “Forcave Patriotike Ruandeze të gjeneralit Paul Kagame” (Tutsi) si produkt i një “komploti anglo-amerikan” me synim fundor pakësimin e ndikimit dhe prezencës franceze në Afrikë.

Embargoja formale jo vetëm që nuk i ndaloi, por i nxiti trafikantët e armëve të përfitonin e të furnizonin ilegalisht xhelatët Hutu për të realizuar masakrat mbi Tutsi-të. Kësisoj, trafikantët u përdorën nga shtete të ndryshme për ta shkelur Rezolutën e OKB që kishin miratuar vetë.

Faktet rrëqethëse treguan se edhe Shqipëria nuk mbeti pas në ndarjen e këtij turpi…

***

Michal Zak, një gazetar i mirënjohur investigativ, që ka publikuar disa libra dhe artikuj për luftën në Ruandë, shkruan: “Së pari e dëgjova nga një fotograf izraelit. Ai kishte qenë tetë herë në Ruandë dhe i kishte parë armët me sytë e vet. Gjeta raportime se armët në fjalë ishin ngarkuar në aeroportin Ben Gurion. Lista e zbuluar nga Amnesty International përfshinte armë të vogla që Izraeli i kishte kapur në luftën e vitit 1973, si dhe armë të prodhimit sovjetik e kinez, që ishin ngarkuar në Tiranë nën mbikëqyrjen e oficerëve izraelitë…

Shumë prej avionëve që transportuan ngarkesat ishin britanikë, dhe, pavarësisht embargos së OKB, ngarkesat vijuan edhe në Maj-Korrik të vitit1994, në kulmin e masakrave.

Sipas dokumenteve të Ministrisë Ruandeze të Mbrojtjes, shtatë dërgesa me municione të lehta erdhën nga Izraeli nëpërmjet Shqipërisë, në periudhën Prill-Korrik 1994, në drejtim të paramilitarëve që kryen gjenocidin…”.

Kjo është vetëm një prej shumë dëshmive që provojnë se qeveria shqiptare e asaj kohe, përveç shkeljes enigmatike të embargos ndaj ish-Jugosllavisë, ka dërguar armë edhe në Ruandë, ku armatimet dhe municionet e depove shqiptare kanë shërbyer për vrasje masive.

Të dhënat më të sakta u publikuan në vitin 1999, kur autorët Brian Wood dhe Johan Peleman botuan librin “The arms fixers” (“Matrapazët e Armëve”).

Në librin e tyre dhe duke u bazuar në dokumente e prova faktike, autorët raportojnë ndër të tjera: “Shtatë ngarkesa të mëdha me armë të lehta, me vlerë 6.5 milion dollarë, fluturuan nga Tirana dhe Tel Avivi ndërmjet gjysmës së Prillit dhe gjysmës së Korrikut 1994, për të furnizuar forcat e milicisë Hutu dhe ato paraushtarake, që po kryenin gjenocidin, madje ky trafik vazhdoi edhe gjatë kohës që mediat botërore po raportonin masivisht për ngjarjet e përgjakshme”.

Sipas hulumtimeve dhe raporteve sekrete të ndryshme (që tashmë janë bërë publike), së paku tre herë armatimi shqiptar ka shkuar në duart e kriminelëve “Hutu”, (një herë para miratimit dhe dy herë pas miratimit të rezolutës nr. 918 të Këshillit të Sigurimit!).

Shoqëria angleze Mil Tec Corporation, duket se ka shërbyer si sekser ndërmjet palëve të trafikut të armëve, ku përfshihej edhe shteti shqiptar. Madje burimet theksojnë se furnizimet provohen ndër të tjera edhe nga itineraret, borderotë dhe policë-ngarkesat e fluturimeve, që janë zbuluar në Ruandë dhe Kongo, e që janë si më poshtë vijon:

  • Më 9 maj 1994: automatikë, municione, mortaja. Shuma 1.023.840 $. Origjina: Tirana. Destinacioni: Goma (Republika Demokratike të Kongos). Furnizuesi: Mil Tec Corporation.
  • Më 18-20 maj 1994: automatikë, municione, mortaja, raketa RPG. Shuma: 1.074.549 $. Origjina: Tirana. Destinacioni: Goma (RD e Kongos). Furnizuesi: Mil Tec Corporation.
  • Më 13-18 korrik 1994: municione, raketa. Shuma: 753.645 $. Origjina: Tirana, drejt Kinshasa. Destinacioni: Goma (RD e Kongos). Furnizuesi: Mil Tec Corporation.

Asokohe, aeroporti i Goma-s në Kongo, qytet që ndodhet në zonën kufitare me Ruandën, ishte totalisht nën kontrollin e ushtarakëve francezë, të cilët siguronin kalimin e armatimit tek kriminelët Hutu në Ruandë (më vonë, një komision i posaçëm i OKB vuri në dukje rolin e aeroportit të Goma-s dhe të Francës në furnizimet e armëve).

Këto furnizime e kanë vendosur Shqipërinë direkt, apo tërthorazi, në krah të gjenocidistëve, e kjo pavarësisht se më 12 maj 1955 vendi ynë kishte firmosur Konventën e OKB të vitit 1948 për “Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit!”.

Andaj, megjithëse kanë kaluar 25 vjet, shteti shqiptar detyrohet të publikojë emrat e zyrtarëve politikë dhe ushtarakë të asaj kohe, që morën vendimin për të shitur armët dhe municionet e sipërpërmendura!

Në kohët kur kombi shqiptar konsiderohet nga shumë studiues të huaj si viktimë e politikës gjenocidiste serbe dhe greke, trafiku i armëve nga Shqipëria drejt Ruandës e damkos me një njollë të zezë e të pashlyeshme imazhin ndërkombëtar të vendit tonë, sidomos në Afrikë.

Tashmë mbarë bota e ka mësuar qëndrimin shembullor të Mbretërisë Shqiptare dhe personalisht të Mbretit Zog në mbrojtje të hebrenjve para shpërthimit të LDB. Por edhe pas shpërthimit të LDB e deri në mbarim të saj, në jetësim të këtij procesi e qëndrimi humanist shteti shqiptar ideoi dhe miratoi akte dhe vendime shpëtimtare për mbrojtjen e hebrenjve… Përvojë pozitive kjo që do të duhej të kish shërbyer si vijë sjelljeje në politikën dhe praktikën e shtrirë dhe zbatuar doemos edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, në të cilat kurrsesi dhe për asnjë arsye “shtetërore”, shteti shqiptar nuk duhej të ishte rreshtuar në krah të trafikantëve të armëve që ushqenin gjenocidet dhe krimet kundër njerëzimit.

Për fat të keq, shqiptarët ende po i paguajnë me pasoja të rënda “faturat” e mungesës së përgjegjshmërisë, parimeve dhe vlerave, thjesht për shkak të interesave okulte, qëndrimeve dhe (mos)veprimeve të padenja të shtetarëve, sikurse edhe në rastin e Ruandës.

Sot kushdo mund ta verifikojë këtë realitet duke vizituar vendet e Afrikës Qendrore dhe Lindore, ose duke shfletuar faqet e raporteve dhe dosjet mbi këtë tragjedi ngjethëse, ku emri i Shqipërisë rreshtohet me germa turpi si bashkëfajtore në gjenocidin ndaj Tutsi-ve.

Ndaj kuptohet që mjaft shtete afrikane, duke iu ndajshtuar edhe dobësisë ulëritëse të derisotshme të diplomacisë kosovare, minimalisht, kanë marrë vendime të njëanshme, rast pas rasti e në dakortësi, për të mos e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: gjenocidi në Ruandë- tregtarët shqiptarë, Ramadan Gjana-Kosova

DITA E PARE E SHKOLLES SHQIPE NE TAMPA BAY

October 15, 2019 by dgreca

SHKOLLA SHQIPE “VATRA” NË TAMPA BAY FLORIDA HAPI DYERT PËR VITIN SHKOLLOR  2019-2020/

Nga Ndue Gjekaj/ DIELLI

 Në qytetin Clearvater- Florida në praninë e mësuesëve, prindërve dhe nxënësve, dega e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës” Vatra” ne Tampa Bay,oganizoi ceremoninë e celjes së vitit të ri shkollor 2019-2020.  Në ceremoninë e hapjes morën pjesë dhe mjaft veprimtarë e aktivistë të organizatave shoqërore që veprojnë në Tampa,mësues,atristë etj.

Gjatë ceremonisë festive të fillimit të shkollës shqipe, fjalën përshëndetëse e mbajti Z.Tasim Ruko, kryetari i degës së Vatrës i cili uroj trinomin mësues-nxënës e prindër për celjen e vitit të ri për mësimin e gjuhës shqipe. Në vijim përshëndetën Mësuesja Mimoza Traga njëhkosisht dhe anëtare e bordit të Vatrës,e cila falenderoi të gjithë të pranishmit e vecanarisht degën e Federatës Pan shqiptare të Amerikës “VATRA” në Tampa-Clearwater,për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë për mbarëvajtjen e shkollës, Alida Kallaixhi dhe Haki Veliu që aktivizohen për herë të parë si mësues pranë kësaj shkolle, si dhe disa prindër, si :Gentjana Zizolli,Ardiana Naqo etj. Pastaj për fëmijët u shpërndanë bluzat me simbole kombëtare nga antari i bordit të degës Vatrës zoti Endri Filipi,dhe librat e reja të cilat u siguruan nga konsullja e ambasadës shqiptare në SHBA zonja Eva Dora. Fëmijët kënduan e recituan shqip dhe në fund, u shtrua një drekë modeste , e përgatitur për të gjithë të pranishmit e sponsorizuar ashtu si dhe herë të tjera nga Z.Klarenc Novaku.

  • PER ME SHUME FOTOGRAFI NA NDIQNI NE FACEBOOK dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla Shqipe- Tampa-Vater- Tasim Ruko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT