• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

Prej nga Vjen fobia e Malit të Zi ndaj flamurit kombëtar Shqiptar ?

November 22, 2019 by dgreca

NGA ESAD GJONBALAJ/Fobia e aparatit shtetëror malazez e ka gjenezën në pushtimin e dhunshëm të tokave shqiptare  me ndihmën e Rusisë cariste. Tokat më pjellore që posedon sot Mali I Zi janë toka që para 100 e më shumë vitesh ishin plotësisht të banuara me shqiptarë autoktonë, historikisht dihet se përqendrimi i malazezve ka qenë në një territor të vogël dhe shkëmbor. . Mali i Zi në 30 vitet e fundit deklarativisht sëpaku është prononcuar se është shtet që ka pretendime ndaj kyçjes në qasjet dhe zhvillimet  boten demokratike, por në prapaskena dhe në kuzhinat e politikëbërjes së këtij bananashteti zihet dhe servohet në mënyrë tinëzare ajo urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve.

Mentaliteti primitiv i  sllavëve të Ballkanit në raport me shqiptarët vërehet edhe në kohët e sotme,  kur bota ka avancuar aq shumë drejtë pushtimit të horizonteve të paprekura të universit, ndërkaq malazezet iritohen nga simbolet kombëtare të shqiptarëve autoktonë.

Vallë si justifikohet që në një festë tradicionale të mbajtur në fshatin Ostros, komuna e Tivarit të arrestohet bashkëkombësi ynë  Irfan Domnori pa bërë asnjë krim, vetëm se në një vendbanim qindëpërqindë shqiptar dhe në një festë tradicionale shqiptare, dhe tubim me karakter jopolitikë paska valëvitur Flamurin Kombëtar Shqiptar. Dhënia e gjobës prej 300 eurosh dhe dëbimi nga Mali i Zi i bashkëkombësit tonë nga Shkodra në prag të Festes së Flamurit ngreh shumë tema e dilema se vallë se si të ndihen shqiptarët autoktonë në Malin e Zi sot. Qytetarë të barabartë jo, të diskriminuar po, apo ta cilësojnë këtë shtet si shtet okupator ngas sjelljet dhe veprimet e autoriteteve malazeze të shpiejnë  në konkluzionin e fundit. Nuk është ky rasti i vetëm ngase kohë më parë gjykatat malazeze kanë dënuar me dënime të njëjta edhe shqiptarë autoktonë nga Mali i Zi.

Barrë  të madhe të përgjegjësisë mbi gjendjen dhe pozitën aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi mbajnë edhe partitë e shumta politike shqiptare ngase mosefikasiteti dhe përçarjet e tyre kanë krijuar presedane të llojit të vet  siç është rasti i Ulqinit me 80% shqiptarë e pushtetit i prinë partia e DPS, e Gjukanoviqit.

Veprimet autoritare të shtetit malazez të ditëve të fundit  kanë shkaktuar indinjatë të thellë dhe zemërim gjithandej trevave dhe botës shqiptare, ndërkaq diaspora e madhe në SHBA që është me origjinë nga  shteti i sotëm i Malit të Zi nuk do të rri duarkryq por do ngrehë zërin pranë autoriteteve amerikane por edhe me protesta pranë zyrave diplomatike të Malit të Zi në SHBA. Ky lloj mentaliteti i tejkaluar dhe primitiv i Ballkanit duhet të ndërpritet sepse këto praktika shumë lehtë mund të shkaktojnë rebelim të mundshëm të shqiptarëve autoktonë.

Prandaj Mali i Zi por edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta kenë parasysh pasojat e kësaj politike të dëmshme e tejet të rrezikshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Esad Gjonbalaj- Fobia e Malit te Zi-Flamuri shqiptar

TURBO ARDIAN DHE STANDARTI SHQIPTAR PER EVROPEN…

November 21, 2019 by dgreca


Lopet e Kularit në gjendje të lirë. Më në brendësi Pylli i Urthit. /

Shellira e madhe /

Shtrati i vjetër Shkumbinit. Në të djathtë Këneta e Osmanit. Në të majtë Godulla e Spiaxhës /

Fshati Adriatik i marre nga kulla e re prej druri. /

-Kovi dhe Lena -keta dy pelikanë ndoshta kishin vendosur te dimeronin ne lagunë /

Nga Shpend Noe” Sollaku/

Nëse do të praktikohej hyrja në Evropë edhe për persona të veçuar, me siguri ndër të parët që do të pranohej do të ishte Ai. Jo vetëm si drejtues i Adminstratës së Zonave të Mbrojtura për qarkun e Fierit. Ai do të bëhej qytetar i Evropës sidomos për atë lloj burri që është: përfaqësues i denjë i një race në zhdukje e sipër: atë të shqiptarëve të vërtetë; mishërim modern i atyre që japin maksimumin në detyrë, në shoqëri, në familje.
Ky ekzemplar i rrallë quhet Ardian Koçi.

Fizikisht duhet të ketë zbritur në Myzeqe nga Eposi i Kreshnikëve. Ai epos atij e ka dhënë jo vetëm portretin dhe shtatin, por edhe dëshirën për të luftuar, për t’i shkuar betejave deri në fund, edhe kur si çmim për t’u paguar është dhimbja, zhgënjimi, sakrificat edhe të familjes së tij, për të cilën do të ishte e padrejtë të heshtje.
Kjo përshtypje lind e të forcohet kur e sheh këtë myzeqar tipik të shtyjë barkën me palluq nëpër Strugën e Zezë apo edhe në Lagunën e Karavastasë, ndërsa fik motorin për të mos shqetësuar faunën përreth. Asgjë nuk i shpëton atij shikimi, as barkat abuzive, as ndonjë brakonier, as edhe të fundmit pelikanë të mbetur mes ujrave të përgjumur, Lena dhe Kovi, që Ardiani ynë i njeh me emër.
Ky gjigand i mirësisë e ka kuptuar prej kohësh thelbin e të qenit evropian: të dish të nxjerrësh në pah, edhe i vetëm, zgjidhjen e duhur; të mos mbetesh në pritje të ndihmës së tjetrit i palëvizur. Prandaj shpesh bën vetë edhe drejtorin, edhe shoferin, edhe varkëtarin, edhe vrojtuesin. Vetë kryen hulumtimet me dron, vetë shkel edhe atje ku një i zakonshëm nuk do të merrte guximin. Vetë veteriner, vetë agronom, vetë polic, vetë studiues, vetë Ciceron… Sidomos kur bashkëpunëtorët më të afërt janë të zënë me detyra të tjera. Dy prej tyre arrita edhe unë t’i njoh kësaj here, në ato dhjetë ditë të kaluara në Parkun e Divjakës. Quhen Astrit Jolla dhe Elton Daka. Djem të rrallë. 
 Ardian Koçi, bashkë me ta janë kthyer në një makinë që nuk i mbetet kohë të mirëmbahet. Falë brumit të veçantë prej të cilit janë gatuar, ata rezistojnë. Pasi e dinë: e ardhmja nuk mund të pararendet me lokomotiva të Stefensonit të 1829-ës. Ata vetë janë kthyer në E.464 të sotme, pasi vetëm me një fuqi prej 200 kilonjutonësh mund të vihen përpara spekulatorët dhe skeptikët, mafiet dhe politikat e korruptuara që promovojnë projekte qiklopike të superbetonit.
Që prej kohës së emërimit të Ardianit fillimisht si drejtor i Pyjores së Lushnjes, shifrat e pozitives në rritje janë marramendëse. Vetëm vizitat e turistëve të huaj janë shtuar rreth 50 herë. Shifra mjaft të rëndësishme gjenden për ripopullimin e zonës me specie të rralluara apo në rrezik zhdukjeje të faunës e florës; në zvogëlimin drastik të prerjes së pyjeve; në lindjen e Qendrës së Vizitorëve – ide e vetë Ardianit –.
Në pyll dhe në elementët e tjerë të parkut ekzistojnë tashmë edhe emra të rinj të toponomastikës, si i porsalinduri Pylli i Shpirtrave – objekt i një shkrimi më vete –, Sopi i Vorrit, Struga e Brukës… të bazuar sidomos në emërtimet ekzistuese popullore.
 Të spikatura edhe arritjet në Parqet Kombëtare të Pishë-Poros dhe të Levanit, në administrimin e Koçit, pas emërimit të tij drejtor i Zonave të mbrojtura për Qarkun e Fierit.  
 
I vetmi koment i Ardianit pasi ia bën në sy lavdërimet: Kjo është puna ime.
Pëshpëritjet e urithëve matanë Strugës së Zezë: Ah të ishim në vend të tij; do të ishim bërë me yacht privat. Po kujt ia thua!
 
Ardiani vazhdon me të tijën, edhe pse ndokë –  sipas një logjike mafioze që sa vjen e mbush mendjet e shqiptarëve – shteti, ligji, njerëzit e tij, taksat dhe detyrimet e tjera sociale të individit janë vetëm punë të urryera. Kush njofton organet kompetente për prerje të pyllit apo për dhunimin e Moratoriumit për Gjuetinë është spiun; kush zbaton ligjin është budallë apo frikacak; kush nuk merr ryshfet për të mbyllur një sy apo për të aprovuar eskpansionin e çimentos mbi pyllin apo ujërat është trap. Kjo është logjika e atyre që drejtorin tonë e shohin si pengesë në realizimin e qëllimeve të tyre antiambientale.
Pasi Ardiani është që tani Evropë, ndryshe nga ata që kontinentin e tyre dinë vetëm ta etiketojnë si kurvë, antishqiptare, të dëmshme. Edhe pse u qan syri për të hyrë në të. Kur kërkesa për të hapur negociatat e pranimit si anëtar i njëzetenëntë në UE nuk u përfillen, faji kurrë nuk është i shqiptarëve, por i të tjerëve: burra kurvash, bij laraskash, vëllezër homoseksualësh. Dhe as që nuk u shkon ndërmend që, ndryshe nga qeveritë, që me hapjen e negoziatave i bëjnë reklamë vetes, vëzhguesit e Evropës nuk besojnë në statistikat zyrtare të vendeve që synojnë hyrjen në BE. Përvoja e fryrjes së arritjeve prej qeverisë së atëhershme greke i kanë bërë ata që, para se të aprovojnë një tjetër kandidat, të dërgojnë vëzhgues të panjohur që mbledhin të dhëna nga burime asnjëanëse. 
 
Akoma pëshpëritje urithësh që përtej ledhit: Çfarë, do të na mbushësh mendjen që  Evropa s’është veçse një e përdalë përherë antishqiptare.
Dhe unë: Ju kujtoni se duke cituar bejte antievropianësh një ditë do të pranoheni? Pse nuk mendoni të paktën njëherë se ku çalon e vërteta? Hidhini një sy ambientit që ju rrethon? A është evropian?
 
Duke mos u larguar nga imazhi i Ardian Koçit, u përpoqa të përditësohem më mirë me gjithçka që përfshihet në perimetrin e Parkut Kombëtar, brenda, por edhe sadopak jashtë sipërfaqes së tij.
Koha na mbajti mjaft mirë atë dhjetëditësh në Park. Temperaturat ishin gjithmonë mbi 25° C. Asnjë re në qiell. As erë. Deti në bunacë. Hëna e përnatshme. Yjet të panumurt, por që mund të shijohen vetëm kur je në errësirë të plotë.
E adhuroj natën divjakase. Mundohem të dal të shëtis buzë detit. Dikush më thotë se është e rrezikshme. Pse, u them, prej kafshëve të egra? Po, prej atyre me dy këmbë, më përgjigjen me një farë nënqeshjeje. Mua vetëtimthi më vjen në mendje 1997-a . Këto pyje të shndërruara në vendstrehime banditësh. Dhe më shkojnë të dridhura. Jo, jo, nga ta nuk duhet të ketë më, por sidoqoftë.
Provova të shëtis edhe natën e mëparshme, por nuk munda. Qoftë për mushkonjat agresive si asgjëkund, qoftë për mungesën e plotë të ndricimit në buzë të detit. Nuk kam qenë ndonjëherë nostalgjik, por  ndjeva mall për ato poçat e shkretuar që lëshonin dritën e zbehtë prej shtyllave të ngulura në bregun e detit. Ndieva edhe mungesën e atyre stolave pranë shtyllave, mbi të cilët i binim kitarës deri pas mesnate.
Ndërroj mendje. Rri në ballkon. Dritat e forta të klubit fqinjë mbeten të ndezura për gjithë natën. U hedh një sy paisjeve poshtë pemëve. Nuk më duken edhe aq të çmuara. Atëherë pse gjithë ky ndriçim? Edhe mbi ndërtesë apo edhe lulishten e hotelit ku jam strehuar dritat janë shumë të forta. Aq imponuese është ndotja prej ndriçimit, saqë sigurisht shqetëson kafshët përreth, sidomos ato që qarkullojnë e ushqehen natën.
Paradokohësh diku aty në afërsi të plazhit që peshkatarët e quajnë Spiaxha, një breshkë deti Caretta-caretta kish lëshuar vezët. Ishte një tregues i mirë për pastërtinë e ambientit. Por, ku lindën breshkëzat, në vend që t’i drejtoheshin detit, ia mbathën drejt hoteleve, të tërhequr prej fenerëve të fortë. Nuk duhet të ketë norma të veçanta për ndriçimin në një Park Kombëtar?
Pasi edhe nata shqiptare duhet të jetë Evropë.
Dhe jo si kjo, me dhjetra apo qindra motorino, pa targa, pa dokumenta, pa drita, të cilëve, nëse nuk do të gërricnin veshët prej motorave të vjetër, askush nuk do t’ua merrte vesh kalimin nëpër natë. E nëse bëjnë incidente, si i bëhet për identifikimin e tyre? E nëse bëjnë krime? Ato ditë në rrugën e Çermës pati edhe një biçiklist të vdekur, të hedhur në kanal prej një pirati rrugor. Mos ndoshta nuk kish drita dhe “pirati” e pa në çastin e fundit? Mos nuk e pa? Atë rrugë e kujtoj si të tillë prej vitesh e vitesh: gjithë gropa. Kush e di se dikush do të kujtohet për ta rishtruar. Gojët e liga thonë se Çermat duhet të jenë më të kujdeshme se kujt ia japin votën, ndryshe kështu do mbeten, mes gropash. Pse, u them, ç’hyn vota me rrugët? Në Evropë rrugët nuk janë kaq politike. As edhe ndriçimet.
Kush prej evropianëve guxon të udhëtojë natën në këto kushte?
Nuk është e denjë për Evropë dalja nga Këmishtaj në rrugën Lushnje – Fier. As rrotullame, as semafor. Rrezik i përhershëm për incidente, sidomos për ata që hyjnë në rrugë kryesore. Nuk janë të denja për Evropën kalimet pa pengesa mbi hekurudhë, edhe pse trenat janë të rrallë. Nuk janë të dukshme nga larg “kurrizet” për të ulur shpejtësinë në rrugët me trafik të ngadalësuar, që të bëjnë copë disqet dhe amortizatorët.
 Po ushqimi, sa i afrohet atij evropian?
Nuk janë të denja ushqimet që shiten edhe në supermarketët me emra prestigjozë, mjaltëra të rremë që duhen hedhur, vazo recelërash me pak frut dhe shumë shërbet, suxhuke dhe llokume që shiten sikur të mbushuar me arra, por që arra s’u gjenden; kaçkavallet e dhisë, deles, lopës, djathi i bardhë e bylmetëra të tjera që me nivelin e lartë të kripës mund të shpien në ferr sa e sa të sëmurë me tension të lartë? A i harruat miellrat e mykyra, verërat e ngjyrosura, ujërat  me gaz aspak minerale…
A funksionon kontrolli i ushqimeve të paktën sa minimumi i Evropës?
Diçka pozitive e vumë re të paktën: fatura jepej pothuaj gjithmonë, tjetër gjë nëse aparatet që i emëtonin ishin të rregulta dhe të mbajtura në vrojtim prej ruajtësve të ligjit.
 
Urithët pas Sopit të Vorrit: Ohuuu, paske shumë kërkesa zotrote, jeton andej ti!
Unë: Po, në Evropën që ju fshehurazi e dashuroni, por që haptas e shani me fjalorin më të ndyrë. Sidomos kur ju thotë jo.
Urithët: E di ç’ke, ndërro muhabet më mirë.
Unë: Po nuk mund të rri pa ju folur edhe për Evropën e guzhinës, Evropën e hoteleve, Evropen e edukatës dhe të dialogimit me klientin.
 
Kam fjetur nëpër hotelet evropiane. Edhe në të quajturat suite. Kësaj here pagova një suite edhe në Shqipëri. Gjithë ajo hapësirë vërtetë, banjo e bollshme, dritare që sigurojnë mosfutjen e zhurmave të jashtëme, personel i sjellshëm. Por a nuk mendoni se në banjë duhej të kishte edhe një vaskë; nuk duhej të kishte edhe dritë tek pasqyra, qoftë për t’i lejuar burrave të rruajnë mjekrrën, qoftë edhe grave për t’u trukuar? Nëse nuk kishit akoma paratë për t’i porositur, mos i quani suita dhe resorte ju lutem, pasi ua keni borxh klientëve edhe shumë paisje të të tjera që mungojnë, për shembull ashensori; për shembull kushtet për lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuar; përshembull shkallë rezervë në rast zjarri…
Kam ngrënë në restorantet e Evropës. Prisja të gjeja minimumin e trajtimit evropian edhe në guzhinat që frekuentova. Rrallë, për të mos thënë asnjëherë, guzhina justifikonte emrat e menysë, pasi shpesh të ndodhte të kërkoje diçka dhe të të vinte në tavolinë diçka tjetër. Mos t’ju duket çudi që, në lokalet përgjatë detit, pjatat më të gabuara ishin ato me bazë peshku. Në pjesën më të madhe të rasteve ai servirej i skuqur apo edhe në zgarë, në shumicën e rasteve i mbytur në kripë. (Shumë kuzhinierë shqiptarët e ngatërrojnë shijen me kripën e tepërt.) Pjata më e gabuar ishte frittura, pasi e servirnin pothuaj gjithmonë si peshk të skuqur të të njëjtit lloj, një ose dy qefuj, një apo dy-tre copa ngjalash… Kjo na ndodhi edhe në restorante me përvojë dhjetravjeçare në turizëm, që mburreshin me pesë yje. 
Ajo që nuk është aspak e tolerueshme në Evropë, sidoqoftë, është higjiena në lokalet e shërbimit. Grigjë mizash mbi pjatat e pambuluara të mëngjesit me vetëshërbim të parapaguar, tufa mizash të ngordhura mbi dysheme, në këmbët e klientëve. Miza të skuqura tek pjata e servirur. Kjo nuk është aspak Evropë, edhe pse çmimet i ka të tilla. Pastaj çuditeni pse klientët nuk kthehen tek ju për herë të dytë; pastaj çuditeni edhe pse shqiptarët preferojnë t’i kalojnë pushimet jashtë Shqipërisë ku, për një pagesë më të arësyeshme, shplodhen në kushte më të mira.
Për aq pak ditë që ndejta në Shqipëri e kërkova Evropën, por pak ose aspak e gjeta. Akoma jeni të bindur që fajin jua kanë të huajt që nuk u hapën negociatat?
 
Urithët që pas ferreckës: E kemi thënë, nuk bëhet ky vend.
Unë: Nuk do ta pohoj kurrë këtë ide katastrofike, përderisa Ardianët ekzistojnë akoma, përderisa shpërfillin pëshpërimat tuaja. Por kjo nuk më pengon aspak t’ju them që…
 
…edhe fshati “Adriatik është Evropë, të paktën sipas gjeografisë. Mos të të rëntë rasti të jesh në rrethinat e tij kur bie shi, pasi përjeton trishtimin më të madh të jetës tënde. Porse, nëse ndodhesh pranë tij afër perëndimit të diellit, përjeton një nga muzgjet e tua më të bukura. Sikur të mos përballeshe me ato pakëz pallate të ndërtuar në një kohë të errët, me pikësynimin për të sjellë socializmin edhe këtyre humbëtirave.
Ajo vetmi do të kish qenë akoma më e bukur nëse për atje do të të çonte një rrugë për të qënë, të paktën nga ato që lejojnë shkëmbimin lirisht të dy makinave, pa frikën që mund t’i biesh përmes gropës apo të përfundosh në kanal.
Banimi përballë atyre ujrave në veri të Semanit, me detin në sfond, me rrokullisjet e mahnitshme të diellit, kurrë të njëllojtë, me qetësinë që do të shëronte edhe pacientët më të vështirë, me ajrin e pandotur prej asgjëje – do të kish qenë dëshira e gjithkujt.
Por nuk është, dhe nuk ka për të qënë edhe për ca kohë as për ata pak a shumë 200 banorë që atje gdhihen e ngrysen. Dhe as që mund të mendohet për të tjerë që atje mund të trasferohen. Tani për tani. Pasi sinjalet pozitive edhe këtu nuk kanë harruar të arrijnë, edhe pse të vonuar. Dikush, pranë rrugës, në veri të ish-sektorit, brënda avllisë ka mbjellë lloje të ndryshme pemësh frutore të cilave u vihen re edhe frutat. Pak më në veri edhe dikush tjetër ka ndërtuar shtëpi. Shihen aty-këtu aktivitete të mirëfillta blegtorale e bujqësore, sipas kritereve moderne. Përballë tyre, në skajin tjetër të rrugës, sipas idesë së Ardian Koçit, është duke hedhur shtat një kullë prej druri për turistët, pikërsisht në buzë të ujrave në veri të Semanit. Në jug të pallateve parafabrikate një guximtar i sukseshëm ka mbjellë ullinj, që kanë nisur të rriten e të japin frut, fakt që edhe kjo fushë e shëllirët mund të trasformohet, ndoshta edhe duke iu drejtuar përvojave më të mira të autorëve të trasformimit të shkretëtirave. Veçse këtu, edhe pse shteti nuk është më ai komunist, duhet të ndërhyjë me subvencione. Jo të bëjë punën e privatit, por t’i krijojë atij mundësinë për ta trasformuar këtë cep të Shqipërisë, të mbetur ende në Mesjetë. Edhe banorët e kësaj treve duhet të kuptojnë se asgjë nuk bie prej qiellit; që përvoja e fqinjëve të tyre më të guximshëm nuk duhet të bjerë përdhe. Dhe mos të harrojnë se pjesën më të bukur të fshatit, atë përballë detit, e kanë zaptuar për të bërë vathët primitive të bagëtive – aq të shëmtuara e të pista, sa që do të trëmbnin që nga larg turistët e ardhshëm. Pasi, edhe pse sot ata nuk e besojnë, zona e tyre ka nisur të udhëtojë drejt ekonomisë së turizmit. Nuk i keni kapur akoma sinjalet e fqinjëve në veri të rrugës së asfaltuar?
 
Urithët: Or ti Shpend, vetëm keq gjete gjithandej?
Unë: Aspak. Njerëz si Ardiani, të tjerë që i ngjajnë, natyrë të një virgjërie që mrekullisht i ka shpëtuar himnizuesve të paskrupull të betonit. E vura re këtë mrekulli qysh në ditët e para kur isha i ftuar në një operacion vëzhgimi të Administratës së Parkut Kombëtar në pikën e vrojtimit të Nëntës.
 
Urithët: Cila Nëntë? Ej, mos na ngatërro me…
Unë: Ah, nuk bëhet më fjalë për repartin e dikurshëm kundërajror me topa 122 mm.
 
Topat kanë përfunduar për skrap prej kohësh. Reparti u shndërrua në fantazëm. Në vend të ushtarëve me kambale, nëpër tunelin gjarpërues ndeshesh me një mizëri lakuriqësh të natës, gati të të nxjerrin sytë, sepse u ke dhunuar jetën private. Dhe çuditen që ka akoma njerëz që shohin me kërshëri vizatimet e atëhershme mbi muret e tunelit, plot me kërpudha bërthamore, të dhëna naive për anijet dhe avionët e armikut…relike të një kohe tragjikomike tashmë të vdekur.
Në një nga kodrat sipër tunelit është ngritur një kullë e efektshme për të mbajtur vazhdimisht në kontroll zonën përreth. Që prej asaj kulle të drunjtë krijon një përshtypje më të plotë edhe për shtrirjen e Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastasë. Prej andej, edhe pa ndihmën e një dylbie, syri përmbledh të gjithë hapësirën që prej derdhjes së Semanit, deri në atë të Shkumbinit – baballarët krenarë të gjithçkaje që të zë syri përballë kësaj kulle. Ngjitemi atje përmes një rruge  të pashtruar kurrë, edhe pse në kulmin e kodrës gjenden shtëpi të banuara. Ne jemi mbi një pik-up 4×4, dhe arrijmë deri në majë. I pari mendim që më erdhi para atyre banesave ishte: Si ia bëjnë këta të mjerë, nëse kanë nevojë për një ndërhyrje të shpejtë mjeksore? Këtu autoambulanca nuk do të arrinte të ngjitej kurrë. Urgjenca e Divjakës nuk është as edhe e pajisur me helikopter.
Pas shpinës tonë – zona e Gjenerukës. Nën këmbët tona-tunelet e ish topave 122 mm. 
Para syve – një peizazh që të lë gojëhapur. Që nga ai pozicion kupton më mirë edhe shtrirjen e Lagunës së Karavastasë me të gjitha shtojcat e saj, ke si në pëllëmbë të dorës Semanin dhe strugat të gjithëpranishme; që atje edhe derdhja e sotme e Shkumbinit mund të kuptohet më mirë si edhe arësyet pse janë krijuar godullat apo kënetëzat përpara pyllit të Divjakës, gjatë largimit të konsiderueshëm të detit.
Devijimi i fundit i derdhjes së Shkumbinit ka qenë njëri nga problemet më të përfolura të kohëve të fundit për këtë zonë. Prej kohësh kjo sipërfaqe e mahnitshme ka ndezur dëshirat gllabëruese të paràmëdhenjve që duan ta mbushin me rezorte e yahte, dukë vënë përfundimisht nën beton këtë mahnitje të vërtetë natyrore. Këtu edhe njëherë nuk mund të rri pa përmendur çudinë tjetër- atë njerëzore, që quhet Ardian Koçi. Me dikë tjetër në krye të këtyre Zonave të Mbrojtura, a do të mund të ishte ruajtur e forcuar virgjëria e kësaj sipërfaqeje parajsore?
 
Urithët të dorëzuar: Jo, nuk e besojmë se do të ishte ruajtur. 
Unë: Epo më në fund diçka e pranuat, edhe pse me shumë keqardhje. Ah, po për devijimin e Shkumbinit, a keni ndonjë ide? Doni të vini më mua deri në derdhjen e tij?
Ata: Nuk na duhen idete, na duhet rakija. Pastaj janë më spec ato punë. Kush ka devijuar Shkumbinin ka edhe gurin edhe arrën. Ne – as edhe gurin.
Unë. Jeni të sigurtë se është devijuar nga dorë njeriu?
Ata: Kështu thonë gojët e liga.
Unë: Kuptova, më mirë një pik-up dhe një dron me vete. Dhe sigurisht këmbë të lehta.
 
Drejt Kularit, në kërkim të Shkumbinëve fantazma, të toponimeve fantazma, të personazheve fantazma. Dy-tre vite më parë im vëlla më ka falur një libër të çmuar të Llazi Gjekës për këto vende. Nuk mund të mos e rilexoja, pasi aq i pasur me të dhëna, saqë mund të quhet një muze në format xhepi. Pa të do ta kisha pasur të vështirë orientimin në atë zonë tashmë pothuaj të Egër. Edhe kush ishte i pranishëm në këtë hulumtim ishte informuarr mirë para nisjes, edhe nga burime të tjera. 
Fusha e Shëllirës së Madhe është ideale për nisjen e hulumtimit me dron të ish-derdhjeve të Shkumbinit. Zhuka, marinëza dhe limoniumet të lulëzuara akoma, edhe pse normalisht i mbajnë lulet deri në shtator. Fluturza të shumëllojëshme dhe piliviesa, shumë pilivesa. Zogj të rrallë. Ata më tipikët e këtejshëm ushqehen me peshk e synojnë struga, godulla dhe laguna. Huta është shpesh e pranishme, që do të thotë se vendi përreth është shumë i pasur me brejtës e zvarritës.
Droni nuk mund të na japë idenë për më shumë se katër derdhje të vjetra të Shkumbinit. Braktisja e tyre prej lumit të lashtë ka qenë dhe mbetet tërësisht për shkaqe natyrore. Edhe shmangja e tij e fundit prej shtratit të mëparshëm. Ashtu si edhe krijimi i godullës së Spiaxhës, i kënetës së Osmanit dhe largimi i rëndësishëm i detit prej plazhit të fëmijërisë tonë. E thonë specialistët. Me pak vështirësi, nga pamjet me dron, mund të rindërtohet edhe forma që thuhet se i ka dhënë emrin Kularit. Për t’ia arritur duhen thirrur në ndihmë edhe legjendat. Sipas tyre derdhja e Shkumbinit ka patur formën e kularit që shërben për të mbrehur qetë. Ky emër i ka mbetur që herët nga vendasit. Ndoshta qysh prej kohrave kur këtu gjendej edhe Limani, apo skela lumore, siç e risjellin jo vetëm gojëdhënat? Apo shumë më pas. Dhe mua më vjen ndërmend Aquileia – qytet romak i vitit 181 para Krishtit, me portin e tij lumor, gërmadhat e të cilit japin edhe sot përshtypjen e një siti të rëndësishëm historik. Edhe për kularin flitet të ketë qenë i tillë – një port i lashtë. Hipotezë që duhet vërtetuar, pasi nuk mund të rindertohet historia me legjenda. Por prej tyre kanë patur nisje edhe shumë zbulime historike. Mbetet fakti që ndërtimi i porteve lumorë ka pasë qenë një praktikë e përhapur e perandorisë së lashtë romake në të cilën edhe kjo zonë ka berë pjesë. Mendoni sikur në S.P.Q.R. të ketë patur edhe një senator me origjinë nga Kulari!
Prej Shëllirës së Madhe zhvendosemi në drejtim të Pyllit të Urthit. Eshtë kryesisht një plepnajë, që ka në rrëzë të drurëve shumë të lartë një numër të konsiderueshëm pemësh apo shkurresh me shtat më të shkurtër. Pylli ka këtë emër për shkak të përhapjes së madhe të Hedera Helix, të njohur në me emrin “urth”. Edhe këtu përjetojmë rishtazi luftën për mbijetesë në natyrë: atë midis këtyre dredhëzave dhe drurëve të lartë. Urthet janë shumë të rrezikshëm për pemët e tjera. Ata ushqehen prej viktimave mbi të cilat  kacavirren, duke i çuar shpesh tek vdekja. Kam ndjekur sesi këto urthe kanë bërë të thahen pyje të tëra gështenjash e lisash. Dhe jo vetëm. Kush ka për ta fituar luftën për ekzistencë në Kular? Ah, lulet e urthit i tërheqin mjaft bletët, pasi ato lulëzojnë në periudhën shtator-tetor, kur lulet e tjera rrallohen. Mjalti i prodhuar prej këtyre luleve është i rrallë dhe me cilësi të lartë. Kosheret që vumë re në zonë nuk ishin vjelë ende. Mëkat. Ia vlente ta bleje atë mjaltë sado që të kushtonte.
Sidoqoftë, lakmia për mjaltin e urthit nuk na e largoi aspak vëmendjen nga thelbi Kularit. Mjaftonte të mos flisje për të dëgjuar zëra mezi të gjuajtur prej veshit. Duket sikur ecën mbi një varrezë të madhe. Varreza është e gjithëgjendshme. Ajo pëshpërin. Ajo kërkon të shpjegohet. Të të thojë se je duke ecur mbi fshatin e dikurshëm. Mbi përmbytjet e dikurshme që e shpëlanë nga faqja e dheut. Skeletet e shtëpive të kahershme janë të mbjella nën këmbët tona.
Të duket edhe sikur ecën në një kupolë të rëndë. Të shpirtrave të gozhduar në ajër. Është Verriu i Helmit? Është Sopi i Bathës? Është Struga e Pusit? Ku gjenden eshtrat e Kasolles së Beqir Balluk Pashës? Thuhet se natën këtej dëgjohen akoma të pëlliturat e demave të egër të vrarë prej ish guerrilasit të Tiranës. Sa dema kanë pasë qenë? Shumë. Me dhjetëra? Me qindra. Ku gjendet plepi i Xhemalit? Po Kurora e Harixhinjve? Po Hauzi Fllugës? Sa toponime të tjera duhen ringjallur duke ua shënuar vendin ku ndodhen? Ah, qysh nuk pamë asnjë bunker këtej pari? Si i paska shpëtuar syrit të “mbrojtjes popullore” të dikurshme kjo zonë? Aaa, ndoshta demave të egër që gjuante ministri i mbrotjes nuk u pëlqente betonarmeja. E megjithatë ngulet këmbë që Kulari nuk i kish shpëtur vëmendjes së gjermanëve të Luftës së Dytë për të përballuar armikun që mund të vinte prej detit. Dhe të mendosh që mund të kishim patur një zbarkim të aleatëve anglo-amerikanë edhe në derdhjen e Shkumbinit!
Në ecjen tonë të gjatë nuk mund të mungonte vëzhgimi nga njëfarë largësie i lopëve të sotme të lëna të lira këtej, të rrethuara prej gardhit natyral të pemëve, nën të cilat vura re që lulëzonin edhe lloje lulesh që i kisha parë nëpër alpe.
Kthimin për në Divjakë na e përshpejton muzgu i nxituar. Është mezi i tetorit. Temperaturat e ajrit e përgënjeshtrojnë, por jo rrotullimi rreth Diellit. Duhet patjetër të kalojmë përmes një porte, të cilën nuk doja ta përmendja që në fillim: atë që ndodhet pikërisht përpara njërit prej derdhjeve të dikurshme të Shkumbinit. Ishte një portë ngjethëse, e bërë shoshë nga plumbat. Janë vrima të1997-ës? Më të hershme? Të mëvonshme?
Në të dalë të zonës mendova se do të gjeja urithët, që me përçmim do të më thonin: E, u vërdallise? Ç’fitove? Je më keq se ai që kërkon të lavdërosh, lushnjari Ardian Koçi.
Anashkaloj. Më tepër se ata më shqetësojnë 28 emra: ato të djemve të pushkatuar të Divjakës.
Më thonë: Po fundja ç’hyn Parku Kombëtar me ta?
Qetësia e thellë e këtushme bën të dëgjueshme edhe pëshpëritjet e tyre. U them jo urithëve, por hajde mbushi mendjen atyre emrave. Kridhen e ridalin prej tokës mu përpara kënbëve tona si parmenda të çmendura.
Kthehem të admiroj një perëndim të rrallë pikërisht prej tokave të reja të porsakrijuara nga deti, sot për sot – mbretëri të mushkonjave
E pamundur t’i largojmë, edhe kur sapo kemi spërkatur trupin  dhe rrobat me kundërmushkonjësen më të fortë Jungle Spray. Ndërsa kërruhemi vazhdimisht, na rikthehen si kolonë zanore të qeshurat e urithëve, që bëhen histerike në përpjestim të drejtë me numrin e gotave prej tyre të kthyera me fund: E more, e gjetët Evropën?
 
Urithë të dashur, kemi standarte kryekëput të ndryshme për të matur UE-në .
 
Nëse kërkon të dhëna nga shqiptaret për diçka, ata gjithmonë të përgjigjen:
-Po mirë është.
-Si janë rrugët për në …?
-Po të mira janë.
-Po hoteli si është?
-Shumë i mirë është, si andej.
-Si gatuajnë?
-Shkëlqyer, aq mirë sa edhe të huajt.
Ti u beson. Shkon në Shqipëri dhe sheh sesi rrugët janë si mos më keq, Mallkon veten që ke shkuar me makinë të re.
Shkon në restorant dhe zhgënjehesh. Po ashtu edhe me hotelin. Sheh se në shtëpinë që mban akoma në Durrës, duke menduar gjithmonë kthimin, të vijnë vazhdimisht fatura për ujin që nuk e ke pasur kurrë nëpër tuba qysh prej 20 vjetësh; sheh sesi duhet të paguash edhe energjinë elektrike, duke e pas shkëputur atë prej vitesh e vitesh. Janë shifra me 5 zero! Ankohesh edhe me avokat, por problemi mbetet i pazgjidhur qysh prej korrokut të 2014-ës. Herës së fundit në OSHEE-në e Durrësit kërkova që t’i hidhnin një sy ankesave të vjetra. Përgjigja: nuk ekzistojnë më, pasi është ndërruar sistemi para kaq vitesh. Ç’do me thënë kjo, që gjithçka shihte ai i vjetri nuk është më i hulumtueshëm? E nëse ai fshihte shkelje të rënda? A i kanë bërë një backup të vjetrit?
Nuk mund t’ju përgjigjem. Po ja, kësaj here kemi një sistem të nivelit evropian.
Sipas cilit kriter?
Dhe nevrikosesh me ata që të kishin dhënë informacionet. Dhe harron se ata nuk kanë dashur të të gënjejnë, por vetëm kanë vërtetuar aksiomën tashmë të vjetëruar: Mirë për Shqipërinë, mirë për shqiptarët.
Sepse ata kanë tashmë standartin e tyre për të mirën. Dhe pastaj zemërohen sinqerisht me Evropën. Pse nuk na pranoni? Nuk jemi dhe aq keq. Sigurisht, ua kthen Evropa, mirë jeni, por sipas standartit tuaj.
Fatmirësisht për shqiptarët ekzistojnë edhe Ardianët, që nuk kënaqen me pak, që krahasimet i bëjnë me më të mirët e Evropës. Por që janë ende një minorancë për të ndaluar kalimin e shpeshtë të makinave mbi rërën e plazhit që ngjeshin e ndotin rërën e zezë prej natyre me njolla karburanti e gazrash; që janë akoma të pafuqishëm të sekuestrojnë pitbullët e lënë të lirë që sulmojnë qenër të tjerë më të vegjël pa iu tutur syri, pranë familjesh që kanë shtrirë mbi rërë edhe fëmijë të porsalindur; që akoma nuk janë në gjendje të ndërtojnë parkime publike të mirëfillta, që nuk mund të pengojnë derdhjen e ujrave të zeza aty ku nuk duhet…
Po, gaforrja blu është vërtetë një kërcënim serioz për peshkimin, po ajo nuk e kupton Evropën. As edhe ata që pelikanin e mendojnë akoma si rival në peshkim, dhe mezi presin rastin ta heqin qafesh.
Nuk pres që kriteret t’i zbatojnë ata që kanë në përdorim hotelet e restorantet; ata që edhe rrugët i mirëmbajnë sipas kriterit politik, ata që edhe kafetë i pijnë tek baret që mendohet se janë më pranë partisë së tyre.
Evropë alla shqiptarçe. Ekonomi tregu me mentalitet komunist, për dëmet ndaj të cilës duhet gjithmonë të mendojë shteti dhe jo asikuracionet. Në fshatra ku mbillet ende duke u bazuar në opinionin e bujkut fqinjë e jo në studime të vërteta për të planifikuar prodhimin dhe shitjet. U bë karrota tek filani? O burra, të gjithë të mbjellim karrota. Ah, sivjet shkoi mirë bostani, atëherë të gjithë bostanë do mbjellim. Nuk u shit? Hajde t’i hedhim nëpër rrugë. Qeveri e ndyrë! 
Kjo do t’u ndodhë, derisa Ardianët nuk do t’i mbani si modele, por do t’i konsideroni naivë, pasi i mbeten besnikë ligjit dhe vënë në plan të dytë vetveten. Prej kapitalizmit ju keni marrë individualizmin e theksuar, prodhimin me çdo kusht e spekullim por jo edhe kooperimin mes privatëve.
Mblidhni mendjen: nuk ekziston rruga shqiptare për në Evropë. Rregullat tashmë janë shkruar. Nuk ju mbetet tjetër veçse t’i zbatoni.
Duke u sjellë si Ardianët.

Filed Under: Opinion Tagged With: Shpend Noe" Sollaku- Ardian Koci- Standarti Shqiptar- Evropa

Jo si Shqipëria

November 21, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Dje në Shkup në një Forum të ministrave nga vendet e Ballkanit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev kundërshtoi hapur sugjerimin europian për një reformë në drejtësi. Megjithëse ky qe një sugjerim me modelin shqiptar, ai e refuzoi atë po me modelin shqiptar madje duke e cilësuar disa herë si një katastrofë. Po sipas tij sot Shqipëria është në një krizë të thellë politike pikërisht nga mungesa e organeve gjyqësore, një defiçit i të ashtuquajturës reformës në drejtësi. Zoran Zaevi e tha disa herë se kemi gjithsej kaq e aq juristë dhe se një sitim i tyre a një kalim në veting do e fironte thellë këtë shifër dhe se Maqedonia nuk ka kontingjent të ri për ta rikuperuar menjëherë. Krahasimi me Shqipërinë është një brutalitet kohor, një dhuratë që do na mbaj gjatë në kalendat e kohës. Ndofta në letër mund të dukej si një model i përsosur, por realiteti po tregon se jemi bërë gazi i botës. Në një farë mënyre sipas Zoran Zaevit i bie që shoqëria maqedone të bashkëjetojë me të korruptuarit se sa të mbetet pa institucione si rasti i Shqipërisë pa Gjykatë Kushtetuese. Duket si diçka e pamoralshme në raport me ne, ose më saktë e pa pranueshme për shijet tona ”reformatore”, pasi po na tall edhe Maqedonia etj., por ja që qenkemi bërë.

Jemi bërë derisa njerëzit nuk dinë se kush ka të drejtë përshembull Presidenti apo Kuvendi? Njerëzit nuk dinë kujt t’i besojnë Presidentit apo Taulant Ballës që del menjëherë pas numrit një të shtetit dhe e quan të çmendur që do pushuar nga puna. Thtotë ka shkelur Kushtetutën nga që nuk di ta lexoj. Kujt t’i besojnë? Vërtetë Presidenti i tyre nuk di të lexoj? Si ka mundësi që Taulanti me Edi Ramën u dha për president një analfabet? Kujt t’i besojnë një zonje që shkon e betohet tek noteri apo asaj tek Presidenti? Ka një boshllëk social plot mëdyshje sa me të drejtë Zorani na tregon me gisht. Se sa do ta pranojë Europa këtë, pra bashkëjetesën e Zoranit a Maqedonisë me të ”korruptuarit” mbetet për tu parë në muajt në vijim. Megjithatë kësaj strategjie prej Zorani, kjo Europë, pra kalo kë të mundesh dhe mbyll sytë kur të mundesh se në fund të fundit hoqëm një pjesë të mirë të të korruptuarve etj., por jo korrupsionin, iu rikthye vet së fundmi në Shqipëri. Mirëpo a kuptojnë shqiptarët se ky nuk është shpëtimi përfundimtar nga të korruptuarit dhe se nuk mund ta quajmë më reformë në drejtësi? Të paktën Zorani në Maqedoninë e Veriut e ka kuptuar, e bëri publike, na mori si shembull krahasues. Absolutisht që shqiptarët nuk e kanë kuptuar. Janë të gjithë të sugjestionuar në luftën e ashpër mes Presidentit dhe qeverisë, mes asaj filozofie hip se të vrava, zbrit se të vrava. Ndërkohë që një ministre financash deklaron ngrirjen e fondeve ose zero para investime për vitin 2020, që në një farë mënyre ka një shpjegim, mbartje faturash të pa paguara nga 2019 ose zero efiçensë nga partneriteti publik privat dhe përqindjet në xhepat e firmëtarëve. Që domethënë këta firmëtarët ia kanë lëruar nënën deri në skutat e fundit pusit të buxhetit dhe me të drejtë, se, kush do i gjykoj. Shkon zëvendës kryeministri vet, prezent i gjallë në sallën e gjyqit. Megjithatë ka akoma që besojnë në një reformë në drejtësi dhe tek partneriteti ndërkombëtar pa e kuptuar asnjëherë ulërimën e Zoran Zaevit nga Shkupi, Jo si Shqipëria. Ka akoma disa kategori, njëra palë verbane pas mjekrës së Edi Ramës dhe tjetra pas xhelit dhe hekurosjes së Lul Bashës, ky ka më priore njoftimin e partive popullore për gjendjen alarmante se sa gjendjen vet. Kjo është me e bërë politikën nga lart për poshtë dhe jo e kundërta. Por po shoh në internet që më rastin e 28 nëntorit do ketë një asfeksion pakënaqësie sociale deri mbarë kombëtare. Nga ana tjetër një ridalje sutendore për të drejtat e tyre në lidhje me kushtet ekonomike dhe integrimin e diplomave në tregun social, qofshin lajme të vërteta se boll më me parë e dëgjuar Edi Ramën e Taulant Ballën. Boll me reformat që kthehen në sherr, zhurmë, çreforma etj.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Rfeorme-Jo Si Shqiperia

Alfabetare e gjuhës shqipe dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II më 1879?

November 21, 2019 by dgreca

Shkruan: Jeni Myftari- Londër/*

Për librin “AΛFABETARℇ ℇ GLÚHESE ΣQIP” (Abetare e Gjuhës Shqipe) mësova rastësisht nga një artikull i botuar më 12 prill 2016, në faqet e Shekulli Agency, me titull “Libri që i dhurohet Sulltan Abdylhamidit II nga truprojët e tij shqiptarë”. Por, artikulli nuk ipte asnjë të dhënë për vendndodhjen e librit.

Librin e gjeta shumë kohë më vonë, në bibliotekën “Nadir Eseri Kütüphanesi”, në Stamboll, falë ndihmës së shqiptares së Arkivave Osmane, Ajten Krasiniqi-Ardel, drejtorit të bibliotekës “Yazma Eseri Kütüphanesi”, Salih Shahin dhe drejtorit të bibliotekës “Nadir Eseri Kütüphanesi”, Ebu Bekir Kaya, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën e ofruar.

Libri “AΛFABETARℇ ℇ GLÚHESE ΣQIP” është botuar nga shqiptarët e Stambollit më 1879, në Stamboll. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

Në kapakun e parmë të librit shkruhet:-

MAΔERISE TI ZOTIT MAθ Δℇ MBERETIT DAΣURE T’YNE

SULTAN ABD-YL HAMID-HANIT II

Në kapakun e pasmë të librit shkruhet i njëjti dedikim si më lart por në osmanisht duke shtuar fjalën “Arnavudlar” (shqiptarët).

Në kapakun e “Alfabetares së gjuhës shqipe” shënohet një thënie e Naum Vithekuqarit dhe viti dhe vendi i botimit të librit (Kostandinpoje 1879)

Libri ka rëndësi historike pasi ai është botuar në të njëjtin vit kur në Stamboll u themelua “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” dhe në një kohë kur Lidhja e Prizrenit ishte akoma aktive.

Libri është një abetare e gjuhës shqipe e përgatitur nga intelektualë shqiptarë të Stambollit, e cila përveç aspektit gjuhësor përfshin edhe disa të dhëna historike mbi origjinën e lashtë të shqiptarëve, njohuri mbi astronominë, krijimin e gjithësisë dhe të njeriut si dhe njohuri matematikore.

Libri fillon me alfabetin shqip dhe më pas jep një dëftonjës të shkronjave duke e përshtatur çdo shkronjë shqip me një shkronjë të alfabetit osman dhe duke dhënë shembuj për secilën.

Alfabeti me 36 shkronja, nga të cilat shtatë janë zanore dhe njëzet e nëntë bashkëtingëllore dhe, është një kombinim i alfabetit latin me disa shkronja greke.

Libri nuk ndahet në kapituj por, lehtësisht evidentohen në të shkrimet e individëve të ndryshëm, që për lehtësi studimi këtu do të referohen si kapituj ose pjesë.

Uδe ε te ϭkruarit të ſúhesε Σqip ( Udhëzues i të shkruarit të gjuhës shqipe)

Jani Vreto, praqet në libër një udhëzues për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai shpjegon përdorimin e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve në fjalëformin dhe bën dallimin në përdorimin e fjalëve në dialektet gegë dhe toskë.

Më shumë se një abetare, shpjegimi i Jani Vretos është një farë fjalori drejtshkrimor i gjuhës. Këtu emri i tij shënohet Ioan i Athanas Vrέtose nga Postenani[1]

Γuha Σqip (Gjuha shqipe)

Në këtë kapitull, Shemsedin Sami Frashëri shkruan për kombet dhe gjuhët si dhe historinë e zhvillimit të shkrimit.

Gjithashtu, ai flet për lashtësinë e kombit shqiptar dhe për rëndësinë e ruajtjes dhe shkruarjes së gjuhës shqipe. Ndër të tjera, Sami Frashëri thekson:- “Sot është dita që edhe shqiptarët të zenë të shkruajnë e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mund të ruajnë kombësinë.”

Frashëri përkrah idenë e përdorimit të alfabetit latin si alphabet të shqipes duke e argumentuar këtë me faktin se Shqipëria është vend evropian. Po kështu, ai shpjegon në detaje si u arrit të ndërtohet alfabeti me 36 shkronja i shqipes bazuar mbi alfabetin me 25 shkronja të latinishtes, të kombinuara me disa shkronja të alfabetit grek.

Më pas, Frashëri thekson se është Sultan Abdyl Hamiti II ai i cili ka mundësuar shkrimin e gjuhës shqipe.

“Të shkruarit e gjuhës shqipe u bë në kohën e mbretit dhe zotit tonë të math, Sultan Abdyl Hamitit të dytë, që Perëndia i zgjattë jetën dhe i shtoftë ditët! Kështu edhe shqiptarët zunë të ecin përpara e të ndriçohen me shkronja dhe dituri … -thotë Sami Frashëri.”

Σqypnija ε Σqyptârt   (Shqipëria dhe shqiptarët)

Pashko Vasë Shkodrani, një prej figurave të njohura të Rilindjes Kombëtare, sjell në libër një kapitull të veçantë ku shkruan për historinë e shqiptarëve si pasardhës të pellazgëve. Ai flet për origjinën e pellazgëve dhe shpërnguljen e tyre të herëshme nga Azia për t’u vendur në brigjet e detit të atyre tokave që sot njihen si toka greke. Më pas, ai tregon për luftërat mes pellazgëve dhe tre fiseve të tjera të ardhura një mijë vjet më vonë nga Azia dhe për lëvizjen e pellazgëve nga bregdeti për në brendësi të fushave e maleve, duke krijuar vendbanime dhe mbretëri të reja.

Sipas Pashko Vasës, ata pellazgë që zunë vend në zonat e Janinës, Gjirokastrës, Beratit e Vlorës, e quajtën vendin dhe mbretërinë e krijuar Epir, të tjerët që u shpërngulën në zonat veriore në Mat, Dibër, Shkup etj., e quajtën mbretërinë Maqedoni, ndërsa të tjerët që u vendosën në Dukagjin e ndër malet e Shkodrës, e quajtën mbretërinë dhe vendin e tyre, Iliri.

“Shqiptarët e sotëm -ve në dukje Vasa- janë pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve që populluan fillimisht bregdetin e atyre tokave që sot njihen si toka greke.”

Në vijim, Pashko Vasa flet për Filipin e Maqedonisë dhe Aleksandrin e Madh, për ndërmarrjet ushtarake të tyre dhe zgjerimin e pushtetit deri në Persi. Po kështu, ai flet për Pirron e Epirit, për mbreterit ilirë, Genci dhe Teuta, për Skënderbeun dhe luftërat e shumta të shqiptarëve.

Vasa e mbyll shkimin e tij duke i bërë thirrje shqiptarëve të shkollojnë djemtë dhe vajzat në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vasa në këtë pjesë të shkruar prej tij, vihet re ndikimi i gjuhës italiane.

ΔℇΣKROИE  (Dhe shkronjë)

Shemsedin Sami Frashëri, sjell një tjetër kapitull në libër, ku përcjell të dhëna gjeografike mbi kontinentet, qytetet, fshatërat. Ai tregon për Kristofor Klombin, i cili kreu lundrime të shumta në dete dhe zbuloi kontinente te reja. Gjithashtu, tregon ndarjen e kontinenteve, flet për shtet-qytetet, për numrin e popullsisë së këtyre vendeve etj.

Po kështu, Frashëri flet për kufijtë e Shqipërisë, për gjuhën dhe popullsinë e vendit, për ndarjen gegë e toskë dhe përmend qyetete të ndryshme shqiptare, një pjesë e të cilave sot ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë politike.

Πer Γiθeςiϭtene δε per Zόn’ ε jέtese εδε  per Иεrine, bόten’ ε vόgele.

(Për gjithëçishtenë (gjithësinë) dhe për Zotin e jetës edhe për njerinë, botën e vogël)

Kjo pjesë e librit është shkruar nga Jani Vreto. Ajo përmbledh njohuri mbi galaktikën, yjet, tokën, diellin, hënën. Ai shpjegon rrethrrotullimin e tyre dhe e lidh këtë me fuqinë e mbinatyrshme të Zotit.

Po kështu, Vreto shpjegon krijimin e njeriut nga Zoti. Ai shpjegon materien dhe shpirtëroren si dhe aftësitë që Zoti i ka dhuruar njeriut dhe që ky i fundit duhet t’i përdorë në dobi të të mirës dhe zhvillimit të njerëzimit.

Vreto gjen rastin të këshillojë njerëzit me urtësinë e të parëve kur thotë se, atë që nuk dëshiron të t’a bëjnë të tjerët ty mos ia bëj ti të tjerëve dhe e kundërta.

Në vazhdim Vreto flet për rëndësinë e besës, parë kjo në rrafshin moral dhe atë fetar.

Më pas ai shpjegon kuptimin e fjalëve “Memeδeθ” (mëmëdhe), komb, fis si dhe rëndësinë e dashurisë dhe kujdesjes për mbarëvajtjen e kombit dhe mëmëdheut.

Shkrimin e tij Vreto e mbyll duke këshilluar të rinjtë të martohen e të krijojnë familje dhe të ofrojnë dashuri e kujdes reciprok ndërmjet bashkëshortëve.

Në fund ai nënshkruan Ioan-Vretua Postelanasi.

Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vreto, vërehet ndikimi i greqishtes.

Porositë e Tovitit mbi të birë

“Porositë e Tovitit mbi të birë” është një pjesë e shkëputur nga Dhjata e Vjetër dhe e përshtatur në shqip nga ℇliniϭtja prej Koto-Anastas-Hoxhit Qestoratasit.

Numεremesoηë (Mësimi i numrave)

Jani Vreto sjell në libër një tjetër temë e cila flet për mësimin, shkrimin dhe leximin e numrave. Në këtë pjesë të librit Vreto shpjegon me shembuj veprimet matematikore të mbledhjes, zbritjes, shumëzimit dhe pjestimit.

Libri mbyllet me një pasqyrë për sqarimin e fjalëve të vështira.

Në fund të tij gjendet fleta e regjistrimit arkivor e cila shënon se në këtë bibliotekë gjendet vetëm një kopje e librit dhe se është shtypur më 1879.


[1] Postenan është një fshat i Kolonjës.

  • Shkrimi u dergua per Diellin nga Jeni Myftari, juriste, pjese e diaspores shqiptare ne Britanine e Madhe.

Filed Under: Politike Tagged With: Jeni Myftari-lfabetare e gjuhës shqipe -Sulltan Hamiti II

Mesazh nga Australia- 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES

November 21, 2019 by dgreca

8o VJET- 1940 – 2020AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !

                                                              PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë!

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                             

Me respekt, Fritz RADOVANI

Filed Under: Featured Tagged With: Radovani Fritz- 2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT