• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

Ilegal në Panairin e Tiranës

November 17, 2019 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noé/

“Poetë disidentë” shqipërime të Maksim Rakipajt – paraprirje për një libër të dobishëm, një libër të munguar./

Në fushën e përkthimeve shqiptare janë të pashoqe antologjitë si kjo e porsasjellë e Maksim Rakipajt. Përzgjedhja tematike e poetëve të shqipëruar është sugjeruar natyrshëm prej ekperiencës së përkthyesit – një ish i përndjekur politik.

Kriteri politiko-shoqëror i kësaj përzgjedhjeje, sidoqoftë, nuk ka kompromentuar qëllimin e sjelljes në jetë të këtij libri: vërshimin e një poesie të madhe nëpërmjet përkthimesh mjeshtërore. Dhe është pikërisht ky nivel i lartë që i lejon kësaj antologjie të konsiderohet pasurim edhe i kulturës kombëtare shqiptare.

Lexuesi shqiptar ka njohje të cekëta për një pjesë të poetëve të përkthyer këtu prej Rakipajt, por pjesën tjetër, shpesh edhe të rëndësishme, nuk e njeh aspak. Në përmbushjen e boshllëqeve tek të parët dhe në nisjen e njohjes tek të dytët bazohet edhe vlera kumtuese e kësaj antologjie- një punë prej murgu e këtij shqipëruesi tashmë të mirënjohur.

Nisur nga historia vetiake e autorëve, me shumë mundim, Rakipaj ia ka dalë mbanë të zgjedhë in primis vlerat artistike duke i vënë biografitë e tyre në shërbim të veprës poetike, duke i shpëtuar mrekullisht grackës së rrezikshme të lavdërimit të ndonjë autori vetëm sepse viktimë e diktaturës, siç ndodh rëndom së fundi, tek serviren si poetë të mëdhenj viktima me talent të pakët.

Në një antologji të tillë shumëemërore i rëndësishëm është mesazhi i sjellë nga përkthyesi, sidomos kur kjo antologji është tematike: në rastin tonë vargje poetësh dizidentë. Vështirë të krijosh një përshtypje të plotë për poetë të veçantë me aq hapësirë sa lejon një përmbledhje e tillë. Por talenti është si vera e mirë, mjafton shpesh edhe një gllënkë për t’ia kuptuar cilësinë. Ashtu si edhe uthullës. 

Nga pikëpamja arkitektonike kjo antologji ka një ndërtim të thjeshtë: poetët janë vendosur fillimisht sipas vendit që përfaqësojnë dhe, brenda këtij grupimi, sipas rendit alfabetik. I takon lexuesit të zbulojë ata më të rëndësishmit. Atë jam përpjekur të bëj edhe unë, prandaj këtu nuk do të jem fanatik i listës alfabetike. Kriteri im, pasi i kam lexuar disa herë këto përkthime, është ai i përmendur më sipër: poetë të ndeshur në shqip edhe më parë nga lexuesi shqiptar përballë atyre pak ose aspak të njohur.

Ndër të njohurit zgjodha të përmend Ahmatovën, së pari për madhështinë, por edhe për personalitetin e asaj gruaje të madhe. Vargje si këto që të ngjethin tek ajo gjenden me shumicë: Shpërfillëse pranvera s’afrohet/Në varrin tim, në Leningrad. Apo më tej: Rrapëllimë kyçesh, heshtje varri/ Dhe hapat e rëndë të ushtarit. Me burrin Nikollaj të pushkatuar prej leninistëve, me djalin Lev të burgosur prej stalinistëve, nuk kish sesi të ndihej protesta e dhimbja e pafund në vargjet e saj – dukuri të sjella në dukje edhe prej Maksim Rakipajt në këto përkthime.

Cilin tjetër poet do të mund të vija në pah në këtë shkrim të shkurtër?

Ndër poetët e njohur, sigurisht nuk mund të anashkaloja të madhin Brodskij: Liria është të harrosh se tirani është yt atë,/ pështyma të ëmbëlsohet si hallvë Shirazi, s’ka gjë n’i patsh trutë spërdredhur si brirë dashi,/ pikë loti s’pikon më nga syt’e kaltër, të ndrin fati.

Qysh në vitin 1934, një tjetër poeteshë e madhe e lindur në Moskë, Marina Cvjetajeva, e detyruar të braktiste Bashkimin Sovjetik, shkruante: Ju mbeten nga trupat e shqyer/ Veç yjet e kryqet e thyer.

Më tej përplasemi me përfaqësuesen e simbolizmit rus Zinaida Gippius: Cilit qen i bëni qefin, cilit nga djajtë,/ Ç’ëndërr të rëndë tmerri po shihni,O njerëz të çmendur, lirinë tuaj vratë /Dhe para se ta vrisni, e rrihni?

Me këtë grua mornicëse nisa të përmend ata poetë disidentë pak ose aspak të njohur ndër shqiptarë. Pa dyshim që në të ardhmen do të mund të njihet më mirë edhe Nikollaj Gumiljov, i cili, së bashku me të shoqen, Ahmatovën, qenë figura qëndrore të lëvizjes akmeiste. Kështu shkruante poeti, që mori parasysh rrezikun dhe u kthye në atdhe, në të cilin sapo ishte shtruar këmbëkryq krimi i kuq, poeti i pushkatuar nga bolshevikët, poeti i mbetur pa varr: Jo ne, pemët e kanë atë fat,/Ta kalojnë jetën për bukuri;/Mbi tokën motër me yjet lart,/Ato në atdhe, ne në mërgim.

 Nuk mund të mos qëndroja edhe tek autori i këtyre vargjeve tronditëse: Nuk shkruaj vargje. Ata, shkruajnë histori,/Për mua, jetën time, gjer në të fundmin cak./ Ç’varg të shkruaj? Bie borë. Këtu po jap shpirt./ Dhe këta më varrosin të gjallë. Ja se ç’varg. Ky poet është Titsian Tabidze, përfaqësuesi më i madh i poezisë moderne gjerogjiane, vdekur në burgjet staliniste.

Është normale që në një antologji tematike si kjo hapësirën kryesore ta zënë poetë që kanë shkruar në rusisht, qoftë për madhështinë e shkruajtësve të asaj gjuhe, qoftë për sasinë e autorëve që, natyrisht, kanë sjellë edhe një numër më të madh poetësh antiregjim. Nga ish kampi socialist Rakipaj ka zgjedhur edhe poetë të Gjermanisë lindore, të Bullgarisë, Çekosllovakisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë. Letonisë, Rumanisë, Polonisë por edhe autorë të tjerë vuajtës të diktaturave të ndryshme, si greku Panagulis: Muret e qelisë/ të fshehtën s’e nxjerrin/ spiunët rrëmojnë e gërmojnë/ por dot s’e gjejnë bojën.

Interesantë, sigurisht, kinezët Ai Qing Bei Dao, Ha Jin  Liu Xiaobo, Yang Lian. Pastaj i vjen radha anktheve në art të kroatit Ante Zemljar: “cicërij që të mos më thyejnë brinjët”. Nuk mund të lë pa përmendur poetin spanjoll Ramiro de Maeztu, viktimë e republikanëve spanjollë: Ndoshta ishin më mirë / Zemrat tona kur të brishta qenë/  Një dallgë deti, a një natë korriku/ Mund t’i hapte sërish plagët e vjetra…

Mjaft i populluar edhe grupi i poetëve kubanë.

Nuk mundem, ose më mirë nuk duhet të jap njoftim më të plotë të gjithçkaje që krijon emocione në këtë libër ngjethës, nuk duhet t’ju bjerr kureshtjen për ta lexuar deri në fund. Të shumtë janë autorët që nuk kam përmendur, edhe mjaft të rëndësishëm, por duhet të krijoni vetë një përshtypje të plotë pas leximit të faqes së fundit. Për një gjë të jeni të sigurtë: emri i Maksim Rakipajt tashmë është kthyer në një sinonim të punës së përkryer. Të merreni me të nuk ka për të qenë kohë e humbur, por plotësim i kulturës tuaj, mbushje e një boshllëku të rëndësishëm drejt njohjes.

Shenim: Në kopertinën e pasme gjendet një pjesë e parathënies që kam shkruar për këtë libër. Megjithatë nën të nuk është vënë emri im. Eshtë pak e çuditshme, po të kesh parasysh që qoftë përkthyesi, qoftë botuesi, janë miq të mi. Sidoqoftë më pëlqen kjo pjesëmarrje ilegale në Panairin e Librit në Tiranë.

Shpend Sollaku Noé

Filed Under: Ekonomi Tagged With: nga Shpend Sollaku Noé-Ilegal-Panairi i Tiranes

Kujtesë- Shtatë vite më parë, Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog

November 16, 2019 by dgreca

NGA EKREM SPAHIU*/

Forcat komuniste në mëngjesin e 17 nëntorit 1944 shkatërruan mauzoleumin ku preheshin eshtrat e Nënës Mbretëreshë Sadije dhe hynë triumfalisht në Tiranë si çlirimtarë, “a thua se ai varr ishte gjermani i fundit”.

68 vjet më vonë, pikërisht më 17 nëntor 2012 me nismën e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryeministrit z. Sali Berisha, u kthyen në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I dhe u vendosën të prehen përjetësisht në mauzoleumin e rindërtuar nga qeveria, si një replikë e modernizuar e mauzoleumit origjinal, që ishte ndërtuar në dhjetor 1935. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike.

Ky moment shumë i rëndësishëm për autoritetin e shtetit shqiptar në demokraci u përzgjodh me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për shkak se shumë vite të historisë së shtetit shqiptar lidhen me figurën e Ahmet Zogut.

Me VKM të posaçme, qeveria ngriti një komision ndërministror për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I dhe organizoi një ceremoni madhështore. Për zbatimin e VKM ishin përfshirë drejtuesit më të lartë të: Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Istitutit të Monomenteve të Kulturës.

Mbreti Zog ndërroi jetë në Paris më 9 prill 1961 dhe eshtrat e tij preheshin te varreza “Thiais Parisien”. Më 14 nëntor 2012 në Paris, nëpërmjet një ceremonie zyrtare dhe nderime ushtarake organizuar nga Protokolli i Presidentit të Republikës franceze, në prani të Familjes Mbretërore Shqiptare, autoriteteve të larta të qeverisë franceze, delegacionit të qeverisë shqiptare, drejtuesve të PLL dhe shumë mbretërorëve të ardhur nga Shqipëria, Franca, Belgjika, Anglia, etj, u bë zhvarrimi dhe përgatitja e eshtrave të Mbretit Zog për t’i nisur në atdheun e vet.

Mëngjesi i 16 tetorit 2012 ishte shumë i veçantë në Rinas. Në respekt të figurës madhore të Mbretit Zog kishin dalë për të pritur eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve, mjaft personalitete të larta të shtetit si dhe mijëra qytetarë. Gjithçka ishte organizuar me përpikëri nga Protokolli i Shtetit. Arkivoli, i vendosur në makinën mortore dhe i mbuluar me flamurin shqiptar, nën marshet funebre të bandës frymore, kalon në mesin e simpatizantëve të Mbretërisë që ishin vendosur në dy anët e rrugës dhe niset në drejtim të Tiranës.

Më 17 nëntor, në Pallatin Mbretëror u zhvilluan homazhet në nderim të Mbretit Zog I. Princi Leka II, e fejuara e tij zj.Elia Zaharia dhe anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore, pritën autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe Kosovës, përfaqësues të familjeve mbretërore, Zëvendëskryeministrin e Hungarisë, gjithë drejtuesit e partive politike në Shqipëri, ambasadorë, përfaqësues të klerit, drejtuesit politik shqiptarë nga Maqedonia, Mali Zi, Lugina e Preshevës dhe mijëra vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare, të ardhur për të nderuar figurën e Mbretit Zog.

Pas homazheve, arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog u vendosën në shtratin e topit, për t’u përcjellë drejt mauzoleumit të Familjes Mbretërore.

Personalitetet më të larta politike të kombit, në të dy krahët  kufirit, shprehën vlerësimet maksimale për figurën e Mbretit Zog. Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, evidentoi kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretit Zog në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit modern shqiptar:

“Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zog I, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e Mbretit Zog, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe me tolerancë fetare që ishte shembull për vendet e tjera”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, ndër të tjera tha: “Sot, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik, që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin, të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës. Ky akt nuk është thjesht një detyrë qytetare dhe njerëzore, por edhe mundësi për të shlyer një detyrim, jo vetëm ndaj një Njeriu, por ndaj një epoke të tërë. Epokës së shtetformimit të Shqipërisë që e deshi dhe nisi ta vinte në jetë Mbreti Zog. Rivarrimi i tij sot, pikërisht aty ku shteti-parti i Diktatorit hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton”.

Kryeministri z. Sali Berisha, theksoi se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Mbretit Zog. “Sot mbarë kombi shqiptar, nderojnë e përulen para veprës dhe kontributit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë”.(…) “Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”.

Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore falenderoi kryeministrin Berisha për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe dhe shprehu mirënjohje për personalitetet më të larta që vlerësuan  veprën dhe kontributin e madh të Mbretit, dhënë për Shqipërinë. Duke falenderuar pjesëmarrësit, Ai u shpreh: “Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Eshtë një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar”.

Pas fjalimeve të rastit, dy ushtarë të ceremonialit palosin flamurin kombëtar dhe ia dorëzojnë  në mënyrë ceremoniale Princ Lekës. Nën tre breshëri me armë dhe të shtëna me top, arkivoli vendoset nga ushtarët e ceremonialit në banesën e fundit dhe me këtë gjest mbyllet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog I në mauzoleumin e Familjes Mbreterore.

Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani shtroi një darkë në Pallatin Mbretëror, ku edhe i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin:

“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

*ish-deputet & kryetar i PLL

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu-Kthimi i Eshtrave- Mbreti Zog

GENOCIDI I FUNDIT I SHEKULLIT TË XX-të

November 16, 2019 by dgreca

– Veprimtari kushtuar kësaj ngjarje, tek shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia-/

Nga TAJAR DOMI-Filadelfia/*

Njëzet vite më parë, shqiptarët e Kosovës përjetuan atë cfarë kombi shqiptar dhe mbarë bota e qytetëruar, e kujtojnë si ngjarja më e rendë, si genocidi më i tmerrshëm që i ndodh popullsisë së një vendi, pas atij të Hitlerit ndaj hebrenjvë. Dhe kjo ndodhi, rreth 80 vite më vonë, këtu në Europën e civilizuar, rezultat i një persekutimi të përshkallëzuar vit pas viti nga regjimi monstër i Beogradit ndaj shqiptarëve te Kosovës, ndërsa faktorit ndërkombëtar ju desh një kohë e gjatë për të kuptuar e për tu pozicionuar në të drejtën e një populli që po përpëlitej e mundohej të organizohej për të mbrojtur familjet e veta , për të realizuar atë që quhej shpesh ëndërr por që koha e solli, lirinë dhe shtetin e tij.

Por, miku i shqiptarëve matanë Atlantikut, foli. Presidenti Bill Klinton, me datën 20 mars 1999 paralajmëroi: “40 mijë trupa militare serbe në Kosovë paraqesin rrëzik….Për agresorët në Ballkan , hezitimi ynë është një leje për me vra …”.  E serbët gjatë dëbimit të shqiptarëve ato ditë, mbasi na shajnë nënën shqiptare, u thonë të mundurve: “Shkoni te Klintoni…, bërzhi për Kukës”.

Pas katër ditësh, me datën 24 mars nisen bombardimet e NATO-s mbi objektivat ushtarake serbe në Kosovë e Serbi, nisi kështu një nga ngjarjet e mëdha të shekullit, ndoshta për ne shqiptarët ngjarja më e madhe në këto 1000 vitet e fundit, që do ta kthejë, do ta orientojë historinë perfundimisht në kahjen e duhur.

Ndërkohë me datën 20 maj 1999, kryetari i OKB -së, z. Kofi Anan viziton qytetin e Kukësit, nga ku deklaron : “Jam i njohur për tendencën e Beogradit, për më tërheq edhe Shqiperinë në konflikt …, por kini besim se kjo punë do të mbarojë shumë shpejt “. Dhe ashtu ndodhi.

Shkëputëm keto informacione të shkurtra nga libri “Dëbimi i Shqiptareve Prej Kosove ne Vitin 1999” i autorit Sulejman Dida, i cili së bashku me librin “Ditet Kuksiane te Drames Kosovare” të autorit Jonuz Kola, përbënin objektin e veprimtarisë që shoqata Bijtë e Shqipes organizoi keto ditë, në 20 vjetorin e genocidit të pa precedent ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ishte një veprimtari e mirë organizuar, ku pati persona që referuan, pjesëmarrës me kumtesa të përgatitura, u shfaqën video me tmerret e asaj periudhe, këngëtar që me kënget për qëndresën dhe historinë shqiptare iu dhanë kënaqësi pjesëmarrësve.

Kjo veprimtari, vërtetoi edhe njëhere se tashmë Shoqata Bijtë e Shqipes, është shëndruar në një institucion të rëndësishëm jo vetëm kulturor, por edhe historik e shkencor, për komunitetin shqiptar në Filadelfia e më gjërë. Dita–ditës, Qendra jone social-kulturore, po shihet, pëlqehet e frekuentohet nga grup-mosha të ndryshme të bashkëatdhetarëve, përfshi edhe intelektual të shumtë të fushave të ndryshme, me banim jo vetëm në Filadelfia, por edhe në qytetet e shtetet e tjera, përfshi këtu edhe vendlindjen tonë  të dashur, Shqiperinë.

Por, le të japim më shumë detaje për lexuesin, rreth veprimtarisë së sotme, që une do ta quaja session i mirëfillte shkencor:

I – Genocidi I fundit ndaj shqiptarëve, është vazhdimësi e më shumë se një shekulli -, ky ishte konkluzioni që solli në referatin kryesor z. Llazar Vero, pasi solli për pjesëmarrësit ngjarje e histori të shkurtra, duke bërë lidhjen midis barbarizmave ndaj shqiptarëve, në kohëra të ndryshme. Në librin e S. Didës, citon z.Vero, diku lexova për një toponim të llahtarshëm: “ Nër vorr të fëmijve”, për një kodër në fshatin Prush. Nuk ka toponim më të mënxyrtë dhe duhet të jetë toponim i vetëm, jo vetëm në Europe.

Ndërsa, gazetari vjenez Leo Frenndilch në librin e tij “Golgotha Shqiptare”, botuar në vitin 1913, midis të tjerave do të shkruante: “ …Torturat më të mëdha i pësonin gratë, përdhunoheshin, lidheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u cahej barku me bajoneta dhe pasi u nxirrej fëmija vendosej në majë të bajonetës apo hunjve”.

Gazeta amerikane “Daily Telegraph “e marsit 1913, në një artikull mbi luftën Ballkanike (Tetor 1912 – Maj 1913) citon një officer serb: “E vetmja rrugë për të nënshtruar Shqiperinë, është të zhdukim shqiptarët”. Ata vranë 3000 shqiptar midis Kumanovës dhe Shkupit, vazhdon artikulli i kësaj gazete. 5000 shqiptar u masakruan në afërsi të Prishtinës. I detyronin gratë të shihnin si vdisnin burrat, si i coptonin fëmijët, pastaj i vrisnin edhe ato “.

Sollëm këto dy citate thjeshte për të treguar se janë të njëjtët serbe, të njëjtat metoda dhune dhe krimi, i njëjti objektiv : genocid ndaj një populli të pa armatosur , grabitje, dhunim deri në shtazëri .

Pas këtyre fakteve të akteve cnjerëzore, me të cilat u njoh gjithë bota, vjen kapitulli i larjes së duarve nga gjaku i shqiptarëve të pafajshëm. Hapet kapitulli i mohimit.

Mashtrimi , falsifikimi I historisë ka qenë dhe është pjesë e punës së shovinistëve serbë. Në librin që kemi në dorë sot, Selajdin Guri 43 vjec dëshmon: “Asht ndërtue kisha ortodokse (serbe) në kompleksin e universitetit në Prishtinë, ma konkretisht pranë Fakultetetit Albanologjik. Asht ndërtue pas 90-ës, dmth para 5-6 vitesh ka fillue ndërtimi dhe ka përfundue parvjet. Në themelet e kishës kanë futë data sikur kjo daton që nga 600 vjet më parë”.

2. LIBRI “DËBIMI” i autorit Sulejman Dida, është kujtesë e përhershme e realitetit të masakrave serbe mbi shqiptarët e Kosovës, në pranverën e vitit 1999. Autori është gazetar me pervojë të gjatë, ndërsa në kohën e luftës së Kosovës përballoj një punë të madhe informuese të situatave të vështira të atyre ditëve, duke transmetuar jo vetëm për Radio Kukësin por edhe për mediat e tjera të shkruara e vizive kombëtare e të huaja. Një numër i madh i intervistave të dhëna nga kosovarët e dhunuar e që u detyruan forcërisht të largohen nga shtëpite e tyre , janë përshkruar me aq realizëm që e bën edhe lexuesin të përjetojë jo vetëm dhimbje nga masakrat e pa para, por edhe të rrisë ndjenjën e urrejtjes ndaj shovinistëve për gjakun që shqiptarët u detyruan të derdhin në luftë ndaj tyre. Libri përbën një mbushje tjetër të arkivës historike duke fuqizuar faktin se asgjë nuk ka ndryshuar në armiqësine e serbëve ndaj shqiptarëve, por është e njëjta ideologji, të njëjtat masakra e veprime raciste, parulla për të justifikuar krimin, si edhe 100 vite më parë.Dy deshmitë e mëposhtme, midis të shumtave në libër, shkëputem për lexuesin:

Një grua rreth 40 vjec nga Suhareka: “Kanë marrë kufomat e atyre cka i kanë vra, i kanë përzie me gomat e llastikut a c’ka punojnë në fabrikën “Ballkan” në Suhareke, dhe i kanë djegë.” (fq. 161)

Sevdije Petreshi , rreth 40 vjet nga Duhla : “ Na kena pa ngjarje të rënda qysh prej 28 prillit 1988. Na jena dalë nëpër male, s’kena ba gjumë kurrë…na i kanë kall shpiat deri në temel..na i kanë vra 26 vetë vetëm në fshatin Duhel. Janë me emra: Halim Lugi, Adem Lugi, …Rruzhdi Qatani…Hasan Shukolli …e prej masakrës së Recakut me 15 janar 1999, ku u mbytën 45 vete, na kurrë s’jemi kan rahat”. (fq.162 ).

E gjithë përmbledhja e dëshmive të Sulejman Didës, në dy librat e tij, është vetëm një pjese e tragjedisë më të fundit të shekullit të 20-te, të popullit shqiptar të Kosovës. Por ajo është një akt-akuze e fuqishme e pa kundërshtueshme në gjyqin e madh, të pa përfunduar të shovinizmit të egër serb, që ende vazhdon të zgjasë dorën mbi teritore e pasuri të Kosovës.

 3. DITËT KUKSIANE TË DRAMËS KOSOVARE – kështu e ka titulluar librin e tij z.Jonuz Kola, kryesisht me fotografi tepër cilësore dhe krahas tyre përshkrimi në shqip dhe anglisht i momenteve e ndodhive më kryesore të cdo dite nga data 27 mars–13 qershor 1999, në qytetin e Kukësit vecanërisht. Autori është protagonist i atyre ditëve, pasi që nga marsi 1988 ka filluar punë në Zyrën për refugjatët në Prefekturën e Kukësit duke ndjekur hap pas hapi së bashku me të tjerët, situatën që rëndohej cdo ditë. Ai punoi gjatë kësaj periudhe për gazetat “Los-Angeles Time” dhe “USA Today” në të cilat jepte informacione të shoqëruara me foto, duke prezantuar dramën kosovare në të gjithë botën. Sot ai banon ne Nju Xhersi – SHBA.

Në kumtesën e tij të mbajtur në veprimtarinë e organizuar me titull “Vlerat humane dhe kontributi I madh I popullit të Kukësit gjatë eksodit te vitit 1999”, z. Kola përvec të tjerave citon: “Gjatë 78 ditëve që do të pasonin, Kukësi u bë qyteti i bujarisë, mikpritjes dhe shpëtimit të 530,624 kosovarëve të dëbuar me forcë, por edhe kryeqyteti i mediave botërore. Gazetari i “Los Angeles Time”, John Daniszewski , ato ditë do të shkruante ; “Kukësi e bëri median të qante”. Por unë do të shtoja se më pas, media e bëri gjithë botën të qante.

Sipas autorit, pak është shkruar e trajtuar me shifra e dokumente, ndihma dhe mbështetja e madhe që ka dhënë qeveria dhe populli shqiptar, ai kuksian në vecanti, për kapërcimin e krizës së refugjatëve, ndihmë e cila duhet thënë se ka qenë disa herë më e madhe se ajo e ndërkombëtarëve. Shqiptarët e Shqipërise mbajtën peshën kryesore të krizës, hapën zemrat dhe shtëpitë, ndanë kafshatën me ta. Studiuesja Amerikane, Mary Elizabet Walters në Universitetin e Karolinës, në librin e saj të përgatitur “Unexpected Humanitarians”, përpiqet të paraqes pikërisht këëe gjë kur shkruan “…kjo ndihmë është disa here më e madhe se ndihma ndërkombëtare”.

Për ta ilustruar, autori ynë z.Jonuz Kola, në kumtesën e tij sjell disa shifra të përmbledhura , që e vërtetojnë më së miri këtë:

16% të refugjatëve kosovare (83,331) janë strehuar në kampet e ndërtuara nga Ushtria Amerikane, shtetet anëtare të NATO-s dhe Organizatat Humanitare. 18 % e refugjatëve (95,282) janë strehuar në qendra Kolektive (Ndërtesa publike që u vunë në dispozicion nga qeveria shqiptare, ndërsa 66% (352,011) janë ndihmuar e strehuar nga familjet dhe qeveria shqiptare. Vetëm në Kukës u strehuan mbi 109,116 refugjatë në 9,933 familje për rreth 78 ditë, afërisht cdo familje kuksiane strehoi 10-15 persona.

Deri tani kësaj ngjarje të madhe, përvec disa shkrimtarëve lokal si z. Dida, Besim Cengu, Rexhep Shahu, Bashkim Shala e ndonjë tjetër, që kanë bërë përpjekje për të evidentuar anë të saj, por që ata nuk e kanë anë financiare të mjaftueshme për ta bërë si duhet këtë punë.

Prandaj më të drejtë autori kërkon mbështetje për botimin e librave të tillë, duke bërë thirrje që edhe shoqatat atdhetare në diasporë apo individë të saj, të krijojnë një fond të quajtur “Fondi i Kujtesës” për të ndihmuar në këtë drejtim.

Shoqata “Bijtë e Shqipes” përvec fondit fizik të librave të grumbulluara për bibliotekën në pjesën e historisë tonë kombëtare, do të jetë e gatshme për të punuar e bashkëpunuar për të shtuar sa më shumë botimet e kësaj fushe.

  Në këtë veprimtari, folën e diskutuan edhe mjaft pjesëmarrës të cilët vlerësuan punën e madhe të bërë nga autorët që janë të pranishëm sot, si dhe kryesinë e shoqatës për organizimin e saj. Të tillë ishin zotërinjtë Hys Hasa, Sadik Elshani, Hamdi Gjana , Renato Shemsiu, Dritan Matraku etj.

Dokumentari me pamje nga eksodi i pranverës 1999 që u shfaq në ekran, plotësoj akoma më mirë prezantimin e ditëve të tmerrit, të dhunës e gjakut që shqiptarët e Kosovës dhanë për vendin e tyre. Sa shumë urrejtje serbe!

4. MIRËNJOHJE për dy autorët e librave të promovuar

Duhet thënë se si asnjëherë më parë, në luftën e fundit, krimi u regjistrua dhe u dëshmua fuqishëm nga gazetarët e huaj e ato shqiptar. Në këtë fushë një ndihmesë të madhe japin dy bashkëatdhetarët tanë të ftuar, zotërinjtë Sulejman Dida dhe Jonuz Kola, prandaj kryesia e shoqatës “Bijtë e Shqipes” vendosi ti vlëresojë ata me Certifikatë Mirënjohje, të cilat u dorëzuan nga kryetari i kësaj shoqate z. Bujar Gjoka e sekretari z. Vlashi Fili. 

Eshtë një inkurajim modest ndaj njerëzve të punës, të cilën duhet ta bëjnë në radhë të parë strukturat shtetërore, institucionet e kulturës dhe ato lokale në Shqipëri, për ti motivuar intelektualët e kësaj fushe, konkretisht.

Rapsodët e talentuar Nexhip Dida e Perlat Sheqeri që shoqëruan aktivitetin, me repertorin e tyre, i bënë jehonë historisë, luftës së Kosovës dhe mikpritjes shqiptare në pranverën 1999, duke marrë duartrokitjen e të pranishmëve në sallë e duke i shtuar kënaqësinë e aktivitetit.

Duhet theksuar se edhe darka “Buke e Kripë e Zemër”që tashmë është bërë e përhershme pas cdo veprimtarie këtu, ajo e kësaj nate ishte edhe më e pasur, në asortimente por edhe në cilësi. Bollëk me gatimet tradicionale që nënat e motrat tona kishin sjellë për të respektuar të pranishmit.

Kështu, duke shijuar këtë, si dhe pijet e shumta (lengje, birra, verë, raki etj) të ofruara nga bashkëatdhetari Shefqet Beqa, në atmosferen e këngës të dy këngëtarëve, u mbyll veprimtaria e shoqatës “Bijtë e Shqipes” për “Genocidin e fundit të shekullit xx-të”.

Filadelfia,  Nëntor 2019

*Per me shume fotografi shihni ne FB dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Tajar Domi-Gjenocidi kunder Kosoves- Bijte e Shqipes

RIT KOSOVO (A.U.K) – AN INVESTMENT FOR A LIFETIME OF SUCCESS

November 16, 2019 by dgreca

By Rafaela PRIFTI/

I attended the RIT Kosovo (A.U.K) orientation at the General Consulate of Kosovo on Wednesday evening. My expectation was that I would meet a couple of prospective students and families. Instead, it was an informative discussion and a mind-expanding education involving an accomplished presenter, two alumni and a media colleague. For a New York State resident, Rochester Institute of Technology might be the local private school that offers undergraduate and graduate degrees in its well-known engineering and applied sciences with a strong focus on the co-op program that ensures one year worth of work experience on the graduate’s resume. For a member of the Albanian-American community, RIT offers a lot more to explore and experience. Since the early 2000s, RIT and the American University in Kosovo Foundation have established a partnership, namely RIT Kosovo (AUK). Mr. Barlet Gojani, the Development Manager of the Kosovo campus said that the RIT Kosovo (A.U.K) is the only private, non-profit and fully accredited American academic institution in the Western Balkans region. Looking back at the opening of the University shortly after the Kosovo War ended, Mr. Gojani mentioned that former U.S. President Bill Clinton gave one of the first lectures and offered encouraging words of wisdom: “I can promise you that these walls may not be as good as you want them to be, but the education will be!” Indeed, in 2004, the university relocated to its present campus near the capital’s Germia Park, a short ride from Prishtina’s center. Recently, it celebrated its 16th anniversary and is still the only institution of higher learning to award US Degrees in Kosovo. According to the brochure, with a recent name change to RIT Kosovo (A.U.K), the university is highly regarded in the region as it provides a high quality education to students from Kosovo and from over 20 countries. As far as Academic Course offerings, after the first two years of General Education, the available areas of concentrations are: Management and Entrepreneurship, Public Policy and Governance, Economics and Statistics, Graphic Design and Multimedia, Web and Mobile Computing (IT), Energy Policy Studies, Peace and Conflict Studies and Individualized Study where “Students have the opportunity to create their undergraduate programs from two or more professional areas of study with a strong foundation in the social sciences, through RIT’s School of Individualized Study.” In his presentation, Mr. Gojani placed emphasis on the undergraduate degree program offered at RIT Kosovo (A.U.K), namely the RIT (Rochester Institute of Technology) Bachelor of Science Degree in Applied Arts and Science (BSc). At this point, the First Secretary of the Consulate General of the Republic of Kosovo in New York, Mr. Butrint Ymeri, sitting at the presentation, gently reached across the table with his IPhone to show us a picture of his RIT Kosovo (A.U.K) Diploma. The co-host of the evening, Consulate’s Counselor, Ms. Albana Bylykbashi proudly announced that Butrint was “an alum” of RIT Kosovo (A.U.K). How is that for a success story? To finish the point of academics, Mr. Gojani expanded on the graduate level program, ie Master of Science in Professional Studies, “a two-year nationally accredited degree awarded by Rochester Institute of Technology, New York.” In terms of campus size and data, “the institution presently serves approximately 500 undergraduate students, and over 1000 additional students annually enroll in short-term non-credit classes often tailored to local work-force demands. With 95% of graduates employed after completing their degrees, student success rate is deemed exceptional.”

The tuition at the RIT Kosovo (A.U.K) is a fraction of its New York campus so the return in the education investment is considerable. With reference to Financial Aid, the merit and need based scholarships are available to all students as are payment plans. “Every year our income is re-invested in our institution in the form of scholarships and new equipment for our students. In 2018, over 65% of RIT Kosovo (A.U.K) students who attended received merit-based scholarships.” To that end, the Kosovo-based Development Manager, announced that one of the two annual fund-raising events by the esteemed Board of Trustees was taking place the following night at the Harvard Club in New York City. “Support Kosovo’s Next Success Story” will raise scholarship funds to benefit promising students, the invitation said. The past and present key note speakers at the Gala include statesmen, distinguished dignitaries and leading scientists.

The interactive tone of the evening made it easy for anyone to interject without a formal invitation. Mr. Yll Zagragja, current Board Member of RIT Kosovo (A.U.K) and a graduate of class 2008, shared his personal experience as someone who overcame the limitations imposed by the Serbian regime on Kosovo’s education system at the turn of the century. For him, RIT, then operating under the name of American University in Kosovo was more an opportunity to develop character, self-discipline and lasting work ethic as the foundations for future accomplishment. He leads a hugely successful full-serviced Accounting, Financial Management, Consulting Business, Zagragja and Associates. With eloquence and modesty, Mr. Zagragja related the importance of adapting the American values in terms of embodying certain principles that guide the work behavior which leads to personal and professional satisfaction. To further illustrate the point of a generation that is impacting the future of the people and the country, Mr. Gojani noted that currently four members of the Kosovo’s Parliament representing different political parties are graduates of RIT Kosovo (A.U.K), including the current Minister of Economy of the Republic of North Macedonia. ‘Driving Progress’ is the goal that is highlighted in the website, where the message of the RIT President, David C. Munson Jr. reads: RIT is one of the top universities in the nation working at the intersection of technology, the arts and design. We are a university that is shaping the future and improving the world through creativity and innovation … We put a high value on bringing goodness to the world. After the orientation night at the Consulate General of Kosovo, I contacted Rochester Institute of Technology in New York to get their perspective. Mr. Jim Myers, the Associate Provost for Global Education, said that he believes that the partnership between RIT and AUKF (American University in Kosovo Foundation) is exemplary in terms of meeting the goal we set out to achieve. And to illustrate even further, he related that at the fundraiser on Friday, November 14, he “had shared stories of my earliest meetings with the founding brothers and sisters of RIT Kosovo (A.U.K), and recalled the vision they had then to produce the future leaders in business, science and politics for Kosova. We can now say that RIT Kosovo (A.U.K) students are leaders in all of these areas.”

For anyone who is considering obtaining a higher-level education at a great value with exceptional prospects of employment, the doors of RIT Kosovo (A.U.K) open the path to success, particularly the Albanian-American student community.             

To take the first step, visit the website and complete online application at www.kosovo.rit.edu

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti-RIT-AN Investment-Lifetime-Of Success

NË KOSOVË NDËRROI JETË JURISTI BAJRAM REXHAJ

November 16, 2019 by dgreca

VATRA & DIELLI NGUSHËLLOJNË NËNKRYETARIN AGIM REXHAJ PËR HUMBJEN E VËLLAIT, AVOKATIT BAJRAM REXHAJ/

Nëkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj me vëllezër, sot në mëngjes, e Shtunë 16 nëntor 2019 mori lajmin e  hidhur të vdekjes së vëllait të tij të dashur BAJRAM REXHAJ.

          Bajrami ishte një jurist i njohur në Kosovë, Gjyqtar për shumë vite, Kryetar i Gjykatës në Pejë dhe avokat.

   Bajrami u kurua për një kohë të gjatë në Nju Jork,ngase vuante nga sëmundja e rëndë e kanserit, ku Agimi me vëllazën dhe djemtë e Bajramit, bënë gjithcka për t’ia shpëtuar jetën. Për gati një vit e gjysëm ai u mjekua intensivisht në spitalet e Nju Jork-ut.Në tetor 2019, me dëshirën e tij, Bajrami u kthye në Kosovë.

 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës”VATRA” dhe Gazeta e saj “DIELLI” i përcjellin ngushëllimet më të thella nënkryetait Agim Rexhaj me familje, zonjës së Bajramit me fëmijë,dhe të gjithë familjes REXHAJ!

Bajramit i Pushoftë Shpirti në Paqe në Tokën e Lirë të Kosovës!

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajram Rexhaj-Nderroi Jete-Ngushellime Agim rexhaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT