• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

MEDITIME PER SHEMBJEN E MURIT TE BERLINIT

November 12, 2019 by dgreca

Nga Julika Prifti/

Më 9 nëntor, 2019, u përkujtua 30 vjetori i rënies së murit të Berlinit, që simbolizonte edhe fizikisht ndarjen midis kampit lindor dhe perëndimor. Për më tepër, ai ndante dy sisteme ideologjike, botëkuptime filozofike, si edhe njerëzit të detyruar të jetonin në to. Njerëzit e njërit kamp nuk mund të takoheshin dhe as të shikoheshin me familjarët, me të afërmit dhe as me shoqërinë. Të gjallët nuk shihen më me të gjallët, dhe as të vdekurit nuk mund të vizitoheshin nga të dashurit e tyre në anën tjetër. Familjet ndahen, shoqëritë prishen, e dashuria e respekti për njeri-tjetrin venitet. Muri bëhet ‘marka’ e një kohe tjetër. Simboli i luftës së ftohtë.

Në Shqipërinë e mbyllur përgjatë kufirit me toka shqiptare ndarja ishte po aq reale ngaqë muri u ngrit brenda nesh. Në fillim propagandohej se armiqtë ishin jashtë kufirit me dimensione të njohura e të matshme. Por kur sistemi komunist u konsolidua. Armiq u bënë njerëzit më të afërt, babai, djali, nëna, vajza, miqtë e vjetër. Një ide apo mendim i ndryshëm nga ai i partisë, i organizatës së bashkimeve profesionale, i organizatës së rinisë, së pionierit, të damkoste me vulën armik.  Frika u bë ndjenja zotëruese e atyre viteve pavarësish moshës, gjendjes ekonomike, pozitës profesionale, apo gjinisë. Askush nuk ishte i imunizuar nga frika dhe nga damkosja ‘armik’. Në çdo moment një vulë e tillë mund t’i ngjitej emrit të secilit prej nesh.

Prandaj muri i brendshëm ishte aq real sa edhe muri i Berlinit, ndonëse mund të mos ishte i prekshëm dhe mbi të mund të  mos shkruheshin parulla dhe vizatime, ishte po aq ndarës sa edhe muri berlinez. Pas 29 vjetësh muri u shemb në 1989. Kështu në 2019 ka një vit më shumë i shembur seç qëndroi i ngritur.  Megjithatë numërimi i viteve nuk thotë shumë.

Atëhere shembja ishte një e papritur shpresëdhënëse. E mbaj mend se u ngulitëm para ekranit të televizorit tek RAI (Radio-Televizori Italian) e pastaj në kanalin tjetër që mund të kapte imazhet që nuk kishin nevojë për përkthim. Rradha pafund e njerëzve që prisnin të kalonin në Berlinin Perëndimor. Tensioni përcillej në ekran sepse gjendja mund të ndryshonte në moment e të shtëna e automatikut mund të bënte kërdinë mbi turmën që priste të kalonte në anën tjetër. Ndërsa i ndiqnim imazhet në televizor, neve na rrihte zemra fort sikur të donte të na dilte nga kraharori. Po bëheshim dëshmitarë ndërkombëtar në një episod që se kishim ndjekur më parë, fundin e të cilit nuk e dinim.  

Ne thërritëm nga gëzimi kur turma e gjermano–lindorëve shkeli tokën e Berlinit perëndimor e asnjë e shtënë arme nuk u dëgjua. Diçka e madhe kishte ndodhur e ne ishim spektatorë të një faqeje të re në historinë e njerëzimit.  Në vitin 1987, në fjalimin e tij në Berlin presidenti amerikan, tha frazën e njohur “Mister Gorbachev, tear down this wall”. Po muri nuk u rrëzua atëherë. Ai pengoi bashkimin edhe për ca kohë. Dita e shembjes nuk kishte ardhur ende. Dhe sot, kur dëgjon frazën e presidentit Ronald Reaganit duket se muri u shemb pas fjalimit të  tij, sepse 30 vite janë shumë për të mbajtur mend dhe për të rreshtuar faktet në vendin e dukur. Po, 30 vjet nuk mjaftuan për të sjellë ndryshime të përhershme.

Shembja e murit të Berlinin ishte një gëzim i madh e një shpresë e veçantë për shqiptarët edhe se më në fund do mbaronte ndjarja më shumë se tridhjetë vjetcare me të arfërmit e tyre në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Frikës ia zuri vendin shpresa. Me rrëzimin e murit u duk se bota e kishte gjetur drejtimin e saj. Ecuria drejt një bashkimi e bashkëpunimi ishte stamposur. Muret ndarëse kishin rënë. Ne mund të merrnim frymë lirisht. Ndryshimet do vinin edhe në Shqipëri.

Tridhjet vjet më parë kur muri i Berlinint i ngritur nga komunitët e Lindjes u rrëzua, nuk mund të mendonim se mure të reja do të ngriheshin, dhe se bota do të ishte po aq e ndarë më  shumë se çerek shekulli pas rënies së  tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Julika Prifti-Rrezimi i Murit te Berlinit-Mbresa

KUR VATRA I SHKRUANTE PAPES SE ROMES

November 11, 2019 by dgreca

Pa koment-
Serbët dhe grekët, të cilët dëshirojnë tani të ndajnë Shqipërinë, janë pasardhës të atyre që shtërnguan pjesën më të madhe të popullit shqiptar të lëshojnë Kishën e Shenjtë Katolike Romane. Duke kërkuar me lutje bekimin Tuaj për Shqipërinë, ne therrasim: Jetë të gjatë Shenjtërisë Suaj! /

Shkëlqesisë së Tij, Papës së Romës:/

“Boston, Mass. 18 Nëntor 1912./

“Shenjtërisë së Tij Papës, Romë./

“At i Shenjtë,/

Shqiptarët e Amerikës që i përkasin besimeve të ndryshme fetare, mbajtën në Boston një Kuvend, ku vendosen t’i luten Shenjtërisë Suaj, si autoriteti më i lartë moral në tokë, të përdorni ndikimin Tuaj, për të parandaluar plaçkitjen dhe ndarjen e Shqipërisë, këtij vendi që i dha Kishës, një shenjt si Shën Jerome, një Papë si Klementi XI, dhe një kampion të lavdishëm të Krishtërimit, Gjergj Kastrioti Skanderbeg. Serbët dhe grekët, të cilët dëshirojnë tani të ndajnë Shqipërinë, janë pasardhës të atyre që shtërnguan pjesën më të madhe të popullit shqiptar të lëshojnë Kishën e Shenjtë Katolike Romane. Duke kërkuar me lutje bekimin Tuaj për Shqipërinë, ne therrasim: Jetë të gjatë Shenjtërisë Suaj!

“Nënshkruar nga Fr. F. Noli, Prift orthodoks

Fr. N. Cere, Prift orthodoks

Faik Bej Konica.

Filed Under: Featured Tagged With: Papa i romes-Vatar-Faik konica- Noli

Ndjesia e ligë që pata dikur

November 11, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Kur në shkurt të 1999-ës shqiptarët kurorëzonin shtetit e tyre të dytë Kosovën, asgjë nuk më ka cëmbitur më shumë se një ndjesi e ligë për një përçarje të mundshme, një e tillë që do na vinte në provë përpara Amerikës dhe aleancës së Natos. Kryesisht edhe para opinionit mbarë botëror si në një lloj testi se janë apo nuk janë të aftë shqiptarët të ndërtojnë shtetet e tyre, të konsolidohen organikisht në territorin e një Shqipërie natyrale dhe jo të tezës Shqipëri e madhe. Kjo kishte pengun e vet për arsye se memoria ruante ca indicje se si kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi anashkalonte një gazetar duke i thënë se këto insinuata i shkojnë Tiranës dhe jo Prishtinës. Bëhej fjalë për ca atentate mes shqiptarëve ndërkohë që Kosova qe përfshirë në luftën për liri. Nga ana tjetër presidenti historik Rrugova e kish kthyer Tiranën në një tranzit aeroportal, jo si vendin amë ku të kishte rezidencën e tij. Thuhej se Rugova dhe Berisha nuk flasin me gojë. Të vinte keq ta besoje pasi historia jonë fillonte keqas që me qasjen internacionale kur Enver Hoxha këshillohej nga jugosllavët. Ku diku tërthorazi dhe diku drejtpërdrejtë asgjësoi çdo grimë të pluralizmit për hatër të jugosllavëve. Shembujt i keni me shumicë nga Kokolarët, deri tek Mithad Frashëri etj. Ishin këto arsyet që Sejfulla malëshova do i pohonte Petro Markos se jemi parti e terrorit dhe jo e pikëpamjeve. ”Kujdes kur të flasësh Petro se këta të q…. nënën”. Tirana e shikonte Prishtinën me një mbushje mendje aq sa një akedemik i Kosovës me të drejtë shkruante se e keqja nuk na ka ardhur asnjëherë nga i huaji, por nga esnafi ynë politikë. Nuk e kishin njohjen e kulturën e mjaftueshme këta emra, të mos e dinin këtë? Sigurisht që e kishin, por faktori në shtetin amë kurrë nuk e ka pranuar të jetë prirja e frymës kombëtare pasi ka dashur të identifiokoj veten si krijues të saj. Dhe kjo është theqafja më klasike që vazhdon akoma edhe në këto kohë moderne të globalizmit. Në një farë mënyre të gjitha kishin një origjinë, zhvokjen e çështjes kombëtare me karriken, pushtetin personal a bythën e vet. Shqipëria vinte nga një përvojë e shkëlqyer e kësaj kulture vrasëse, kësaj kulture otomane ndaj kishin kohë që vrisnin njëri-tjetrin ku shembulli më i gjallë është Hasan Prishtina. Më ka cëmbitur kjo ndjesi për faktin se Shqipëria jonë me studiot arkaike e trajton Kosovën si truall të huaj sa është e turpshme të dëgjosh nga kryeministri i Kosovës të të thotë që do ishte mirë që Shqipëria të ishte konsultuar me ne për taksën në rrugën e Kombit, mund të gjenim një gjuhë të përbashkët për krijimin e një fondi të mirëmbajtjes. Është e turpshme sepse karshi atyre fasadave të takimeve të të dy qeverive, e kupton menjëherë se sa i thellë është hendeku mes dy shteteve të shqiptarëve. Në fund të fundit, dy shtete që nuk arrijnë të mirëmbajnë një arterie kombëtare, qoftë si simbol të unifikimit, për çfarë mbrojtje territoriale mund të flasin? Sot bota mbarë i njeh të gjitha versionet në mirëmbajtjen e rrugëve, si ato me konçesione, si ato me ndërmarrjet shtetërore. Shqipëria megjithëse sipas Sali Berishës do e bënte rrugën e kombit edhe duke shitur bizhuritë e grave, qeveria Rama pikërisht nga aty nisi me forcë konçesionin rrugor. Vinte nga përvoja e një dhune denoncimi mbi shpërdorimin e fondeve, aq sa ia shpifi shqiptarëve të Kosovës dëshirën për të parë vendin amë. Nga ana tjetër askush nuk hyri në burg, askush nuk u dënua, veç shqiptarët e Kosovës me një taksë që nuk e zëvendëson asnjë vlerë monetare sa kohë që prek të vetmen vizë nga projekti për riunifikimin e shqiptarëve në Shqipërinë natyrale. Pra nga koha e shpalljes së pavarësisë, cëmbitjes së ligë për një përçarje të mundshme, të pashmangshme mes vedit i erdhi dita. Sot bota virtuale shqiptare sidomos ajo në Kosovë ka një indinjatë karshi Edi Ramës në lidhje me deklaratat e tija rreth vetizolimit të shqiptarëve në Kosovë, Kosovës etj.

Deklarata e Edi Ramës në lidhje me vetëizolimin e Kosovës, ka hapur një debat të panevojshëm mes shqiptarëve. Ose më saktë mes dy qeverive a liderëve këtej dhe andej kufijve.

Një debat që nuk i shërben askujt veç ideatorëve të linjës përça e sundo në kalendat e ballkanit perëndimor dhe më tej.

Nuk është asgjë tjetër, por vazhda e tezës së mësipërme se për bythën e vet lidershipi i Tiranës ja lëron nënën me qejfin më të madh edhe vet çështjes kombëtare. Nëse lidershipi në Kosovë nuk e ka kuptuar këtë do të thotë se është infektuar nga Tirana. Skupet janë të modës në Tiranë. Bëhet zhurmë denoncimesh dhe aty rrinë. Nga ana tjetër prirja qytetare është e lidhur shumë pas njëshave ndaj e kanë të pamundur rrotacionin. Në Kosovë nuk ndodh kështu, kësisoj rrijini larg Tiranës zyrtare dhe sidomos kësaj të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Ndryshe keni në rënë në grackën e zgjatjes së pushtetit të tyre, sidomos Edi Ramës. Shoh shumë indinjatë në faqet personale tuajat por më dhimbet, më vjen t’ju kujtoj se po bëheni të pa aftë si shqiptarët në dheun amë. Na mëshironi dhe kaq se neve na ka plasur cipa me kohë, jemi me shumicë teknokratë, unionista të Perandorisë Otomane, ish Jugosllavisë, Bashkimit të Republikave Sovjetike, Kinës së Maos, nuk ka atdhe për ne. Atdheu tek ne fillon dhe mbaron tek shallvaret e Ramës, xheli i Lulit që pret radhën, mban ca leksione me nga 10 veta dhe pret radhën. Shqipëria për momentin donte një opozitë që të thyente brinjët, por nuk e ka. Ashtu sikundër nuk ka edhe një votues që të hante nofullat. Ka një votues që voton një person për 16 familjarët e tij, mjafton t’i japësh 100 mijë lekë të vjetra dhe aq. Shqipëria amë feston më 29 nëntor ditën e Çlirimit për arsye se më 29 nëntor u themelua ish Federata Jugosllave, kurse ju i indinjoheni shtetit amë. Shteti amë është për tu qarë, jo për t’ju indinjuar.Këto janë fjalë zemre vëllezër, ndaj bëjeni Kosovën siç dini ju se mbase kështu na ndihmoni edhe ne.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Ndjesia e Lige

Në Vjenë prezantohet “Fitorja diplomatike e UÇK-së”

November 11, 2019 by dgreca

Shkruan nga Vjena:Hazir MEHMETI/

     8 nëntor 2019, Vjenë- Në Vjenë nisi shënimi i Nëntorit Historik Shqiptar me promovimin e librit  më të ri të Dr.Sabri Kiçmarit, “Fitorja diplomatike e UÇK-së. Salla e bukur ku  qytetarit vjenez i ofrohet art, letërsi e kulturë “Kunstraum”, në qendër të qytetit, si  asnjëherë më parë ishte e mbushur me bashkatdhetarë të ardhur  nga e gjithë Austria. Melodia në harfë bashkëdyzonte me ambient arti të cilave sonte iu shtua ngjyra kuqezi shqiptare me tri shkronja emblematike UÇK. Aty, jehona e tyre në diasporë që nga koha kur skuqej dheu shqiptar për liri. Dr. Sabri Kiçmari u prit nga mërgimtarët në kryeqytetin austriak me nderim e respekt ashtu siç u prit në Austri si  ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Një vazhdimësi në kohë, aty ku ishte caktuar njëzet  vjet më parë në përcjellje të zërit të luftës së UÇK-së për liri, tani do kthehet me Fitoren diplomatike të saj. 
        Mbrëmjen e nderoi me praninë e tij Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri dhe e diplomatëve të tjerë nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Raland Bimo përshëndeti të pranishmit në emër të institucionit që ai drejton dhe e përgëzoi autorin e librit, Sabri Kiçmarin për librin e tij të radhës.
        Në emër të organizatorit, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Aleksandër Moisiu” në Austri, të pranishmit i përshëndeti Anton Marku, kryetar. “Ndihemi të nderuar me praninë e juaj sonte kur po promovojmë veprën e radhës të mikut tonë, studiuesit dhe diplomatit Dr.Sabri Kiqmari. Ai është një personalitet i njohur për diplomacinë dhe studiues duke botuar vepra me vlera për shkencën, artin dhe historiografinë kombëtare. Dr.Kiçmari ishte mbështetës i aktiviteteve të Lidhjes sonë sa shërbeu në Austri si Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Lidhja jonë e falënderon për mbështetjen e vazhdueshme”, tha mes tjerash ai.

     Pjesë nga biografia e tij lexoi Besim Xhelili, kryetar nderi i Lidhjes, kurse një vështrim rreth librit e mbajti Hazir Mehmeti, publicist në Vjenë. “ Libri i ri  “Fitoren diplomatike të UÇK-së“,  për nga rëndësia, cilësohet me vlera të mëdha historike, një lloj letrar, e shkencor i rrallë në traditën tonë. Shkrimi i natyrshëm me gjuhë të fakteve i shton vlerat e tij përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin”.

       Bisedën me autorin e librit, Sabri Kiçmari e udhëhoqi me përkushtim, Vlora Jonuzi.   Publiku bëri shumë pyetje rreth librit, motiveve, rrethanave të përfaqësimit të UÇK-së, bisedimet e Rambujesë, bombardimet e NATOS, politika e deritanishme. Në të gjitha pyetjet autori, Sabri Kiçmari, u përgjigj hapur dhe me gjuhë bindëse. “Jam kyçur në politikë që të ndihmoj vendin tim, e jo për përfitime tjera. Vendi ka nevojë për ndryshime të ngutshme pozitive. Kemi ngecur shumë, falë paaftësive të politikës sonë, kjo është indikativë këto dy viteve të fundit”, tha ai mes tjerash. Programin e drejtoi me profesionalizëm Kaltrina Durmishi.
Në fund, për të pranishmit nga organizatori u shtrua koktej rasti. 
            Sabri Kiçmari në faqen e tij për publikun shkruan: “Një organizim i shkëlqyeshëm, në një ambient të përzgjedhur kulturor, me rastin e përurimit të librit tim “Fitorja diplomatike” në Vjenë. Falënderime të përzemërta udhëheqjes së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri Anton Markut, Besim Xhelilit dhe Hazir Mehmetit, të cilët folën për librin dhe punën time si studiues dhe diplomat si dhe Vlora Jonuzit, e cila e udhëhoqi bisedën plot përkushtim dhe Kaltrina Durmishit, për udhëheqjen profesionale të programit. Falënderim të veçantë Ambasadorit të Shqipërisë SHT z. Roland Bimo për fjalën e tij, që më nderon, si dhe diplomatëve dhe zyrtarëve tjerë nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin të pranishëm. E ndjeva veten të nderuar, që shumë nga pjesëmarrësit kishin ardhur edhe nga vise të largëta të Austrisë për të marrë pjesë. Takimi me bashkëveprimtarë, kolegë dhe miq të shumtë, në një ambient të tillë, lë gjurmë të pashlyeshme”, përfundon z. Kiçmari mbresat nga përurimi i veprës së tij në Vjenë.

                                   ***

                                   Fitorja diplomatike e UÇK-së *

 Hazir Mehmeti,  vështrim,                                                        

Vjenë, 8 nëntor 2019

          Sonte ndihem i nderuar që mu dha rasti të paraqes para jush  librin e radhës të  mikut tonë, ambasadorit të parë  të Republikës së Kosovës në Austri, zotit Sabri Kiçmari, Fitorja Diplomatike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

 Libri “Fitorja Diplomatike e UÇK-së” është një margaritar në mësimin e rrjedhave të rrugës së vështirë deri në realizimin e idealeve për liri në fundshekullin e kaluar. I shkruar natyrshëm me gjuhën e fakteve e bënë librin vepër me  vlera përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin e pushtuar nga Serbia dhe Jugosllavia.

          Akademik Regjep Qosja në rezymenë e tij rreth librit me tjerash shkruan: “Libri i diplomatit  dhe i studiuesit tonë tashmë të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin domethënës, Fitorja diplomatike, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore, në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të ditarit”. 

Duke qenë bashkë drejtues të ilegales që nga viti 1989 autori na sjell kujtime  nga koha e demonstratave kundër pushtuesve serb e jugosllav, atëherë kur autori përjeton rëndë vrasjen e bashkëluftëtarëve të tij të ilegales, heronjtë e kombit: Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazlia, dhe vdekja e Fadil Vates si pasojë e kushteve torturuese të burgut që kishte mbajtur.  Ishte kohë kur Lëvizja Popullore për Çlirimin e Kosovës e sheh rrezikun nga arrestimi, dhe merr vendim që Sabri Kiçmari të vepron jashtë vendit në Evropën Perëndimore. “U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ tek heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit” , shkruan Sabri Kiçmari. Ky veprim ishte i mençur dhe me efekte pozitive të shumanshme të cilat i dokumenton libri që po promovojmë sonte.  Ishte me rëndësi  Mbledhja e Katërt e Lëvizës Popullore për Çlirimin e Kosovës, në gusht të vitit 1993, kur edhe  vendoset  për organizimin e luftës së armatosur, dhe,  përcaktohet koncepti teorike, filozofik e politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo  filozofi e drejtë dhe e arsyeshme do të prezantohet me sukses dhe vendosmëri nga grupi i përfaqësuesve politik të UÇK-së në Evropë. Në shtatorin e vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak i UÇK ës emëron zyrtarisht grupin e përfaqësuesve të saj për marrëdhënieve me jashtë i përberë nga Sabri Kiçmari, Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Rexhë Ibërdemaj, Agush Buja, Mujë Rugova, Bilall Sherifi  dhe drejtuesi i grupit,  Bardhyl Mahmuti.

Diplomacia  evropiane  ruante  koncepte të vjetra, jo të drejta, lidhur me shqiptarët, rrjedhat në Jugosllavi dhe veçanërisht vuante nga paragjykimi ndaj UÇK e cila po rritej çdo ditë, dhe jo pa arsye në çarqe analitike ushtarake botërore,  cilësohej si ushtria më rritur dhe shkruar në shtypin botëror në fundshekullin e njëzet.

           Kjo rritje u shumëfishua veçanërisht pas Epopesë së UÇK-së me 5,6,7 mars të vitit 1998, në Prekaz, kur bie heroikisht Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari,   pikërisht, atëherë kur Serbia  propagandonte shuarjen e saj.  Kjo datë shënon kthesën e madhe veç tjerash, në interesimin botëror për luftën e drejtë të UÇK-në. Ky moment shënon nisjen e fazës intensive të aktiviteteve të grupit  përfaqësues me jashtë të UÇK-së në kontaktet me diplomat dhe shtypin botëror. Rënia heroike e Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit, Xhemajl Fetahajt ishte sa humbje e madhe, shumë herë më tepër, ishte krenari e frymëzim në fuqizimin e luftës për  liri. Këto sakrifica frymëzim kishin idealin për liri të lagur me gjak nga dëshmoret e kombit mes tyre Zahir Pajaziti që në hapat e parë të formësimit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Për nga rrjedha e ngjarjeve në libër mund të vërejmë dy faza aktivitetesh: faza e  ndërtimit të botëkuptimeve dhe koncepteve për liri brenda faktorit shqiptar dhe faza e ndërtimit dhe mbështetjes të së drejtës për liri të garantuara me konventat ndërkombëtare  në të cilat ishte e konceptuar filozofia politike dhe lufta e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu mësojmë sa e vështirë dhe e mundimshme ishte të bindet Evropa mbi të drejtën tonë për liri,  në rrethanat e kohës, kur dihet se  diplomacia e vendeve evropiane dhe vendeve tjera vuanin nga sindromi i koncepteve  të të ashtuquajturit “shtetit sovran” edhe kur ai shtet është kolonizator  e vrasës masiv i popujve siç ishte Serbia dhe Jugosllavia.  Argumentet e shtruara në takime me burra shtetesh, diplomat, media e shkruara dhe elektronike tregojnë për sukses të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e faktorit të jashtëm mbi nevojën e përkrahjes së luftës për liri të UÇK-së, si formë e imponuar nga veprimet kriminale të pushtuesit i cili kishte qellim shfarosjen e shqiptarëve me pasojë  pastrimin etnik, si akt i vazhdueshëm gjenocidi shekujve  sipas programeve të memorandumeve të Akademisë Serbe të Shkencave, Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë serbe si zbatuese e tyre.

  Sabri Kiçmari qe nga intervista e tij në gazetën “Der Spiegel” (12 tetor 1998) dhe  më tutje argumenton luftën e drejtë të UÇK-së, demanton propagandën serbe dhe argumenton mbështetjen vullnetare nga mërgimtarët për UÇK-në. Në intervistat dhe takimet me  diplomat e zyrtarë  do bëhet prezantimin e krimeve serbe kundër civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të ndryshme që ishin në fuqi; në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë, përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë,  si faza vendimtare e epilogut të  luftës në Kosovë.  Tani UÇK-ja kishte ndërtuar struktura komanduese dhe Drejtorinë Politike të drejtuar nga Hashim Thaqi, i cili do jetë edhe drejtues i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujes, Angazhimi i Simbolit të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçit,  si përfaqësues i UÇK-së dhe Akademik Regjep Qosjes  i dha fuqi popullaritetit të UÇK-së duke forcuar pozicionet e saj në planin e brendshëm dhe të jashtëm si faktor pa të cilën nuk mund të vendoset asgjë për të ardhmen e Kosovës. 

Sabri Kiçmari së bashku me grupin përfaqësues njoftonin vazhdimisht opinioni publik, diplomatik, politik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet kërkuar përmes referendumit ku do vendoste  populli. Me këmbëngulje u argumentua  mos çarmatosja e  UÇK të si nevojë e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie.  Në shtypin gjerman do shkruhet me theks të veçantë rreth vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, duke e cilësuar një fitore diplomatike të UÇK-së.

 Autori me respekt të matur dhe të një diplomati të arsyeshëm rrëfen mbi realizimin e takimeve me personalitet të njohura të kohës:  Wolfgang Ischinger, Cem Özdemir,  Pier Churi, Doris Pack, Wolfgan Schüssel, Jozias van Aartsen, Louise Arbour, Erich Rathfelder, Hans Koschnik,  Tim Judah, Erchard Eppler, Gerhard Jandl, Laszlo Nagy, Jeffrey Fleishman, Alvaro Guitian Garcia, Larry Rossin, Lawarence G. Rossin, Roland Schleicher, H.Hunor, Albert Rohan, Wolfgang Petritsch, Wieland Schneider etj

Vjena ishte dhe mbetet në përgjithësi qendër  me peshë  në historinë tonë kombëtare dhe veçanërisht qendër diplomatike. Këtu  vepruan shumë figura të njohura kombëtare, mes të cilëve: Hasan Prishtina, Faik Konica, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri,  Eqrem bej Vlora,  në përpjekjet e tyre për liri dhe shtet.  Këtu veproi edhe Sabri Kiçmari me grupin e veprimtarëve të devotshëm nga radhët e mërgimtarëve tanë: Xhevat Xhemajli, Abdullah Abdullahu, Rifat Buzuku, Eset Berani  e shumë tjerë që organizuan demonstrata në përkrahje të gjithanshme për UÇK-në dhe  protesta në gjithë Austrinë në mbështetjen e luftës për liri të në të gjitha format e nevojshme.

         Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri e pa alternativë për mbrojtje të kombit shqiptarë në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Iliridë. Ajo lindi nga populli, u formësua nga populli, u ushqye nga populli dhe do mbetet gjithmonë emër i shenjtë për secilin qytetar. Idealet e saja ishin dhe do mbesin liria e barazia për të gjithë pa dallim etnie, bindje apo gjinie. 

           Emri i autorit, Sabri Kiçmari,  këtu bashkëjeton në të gjitha rrethanat që  nga ilegalja e   Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeverisë  së Përkohshme pas Rambujesë, Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga të cilat  Sabri Kiçmari do caktohet në rolin  e tij diplomatik  si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Evropë, detyrë kjo aspak e lehtë, por e kurorëzuar me  fitore diplomatike e cila  për rrjedhojë solli fitoren ushtarake dhe lirinë e Kosovës. Në këto rrjedha vendimtare për liri, Sabri Kiçmari ishte nga ato personalitet që me dinjitet kreu këtë obligim patriotik kombëtar. Ai  me modestin e tij mes tjerash në emisionin direkt të ARD në Bon, datë, 5 shkurt 1999 deklaron: “Jam vetëm një përfaqësues i një populli që lufton për liri dhe pavarësi”.

      Dhe në fund më lejoni që në emër tuaj ta përgëzoj mikun tonë të nderuar, Sabri Kiçmari duke i dëshiruar shëndet e suksese në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij! 

     Kjo audiencë dhe ky ambient ju dëshiron dhe fton përsëri!                                           

*Kumtesë e mbajtur më 8 nëntor 2019 në Vjenë në promovimin e librit të Dr. Sabri Kiçmari “Fitorja diplomatike e UÇK-së”

Filed Under: Featured Tagged With: Hazir Mehmeti- Fitorja Diplomatike e UCK- Sabri Kicmati

Malësorët bujarë dhe Fondi humanitar Trieshi

November 10, 2019 by dgreca


NGA MARJANA BULKU/

Fondi humanitar Trieshi ka vetëm tri vite jetë dhe numëron me dhjetra ndihma, kontribute dhe investime që komuniteti shqiptaro -amerikan i Trieshit i cili prej dekadash  jeton në Amerikë ia dedikon vendlindjes përmes një projekti infrastrukturor dhe kulturor për zhvillimin e Trieshit.Në studion e Albanian Culture TV në Nju Jork dy nga anëtarët e këtij grupimi humanitar; Zoti Marash Lucaj dhe Pjetër Lucaj prezantojnë me shifra e detaje konkrete projektin e tyre tashmë tre vjeçar i cili po i dhuron vendlindjes së bukur prej natyre , me dashurinë pakufij sa malet e lartë ,dhjetra investime disa mijë dollarëshe të cilat përmirësojnë ndjeshëm jetesën, infrastrukturën  dhe edukimin duke ngjallur shpresë dhe dëshirë për të mos e braktisur tokën që trashëguam prej të parëve tanë. Ata kanë emigruar prej dhjetra dekadash nga vendlindja por është shumë e veçantë lidhja që ata kanë me të; e vizitojnë sistematikisht, e duan, ia dijnë bukuritë, ia njohin problematikën dhe tashmë të mbledhur së bashku në një paketë financiare me shifra e zëra konkretë dhe mbi të gjitha me një transparencë të lakmueshme ata i dhurojnë Trieshit dhe komunitetit që jeton aty ; rrugë të asfaltuara, shtëpi të restauruara për nevojtarët , klasa të pajisura me sistem kompjuterik bashkëkohor, parqe dhe së fundi një bust të Heroit kombëtar Gjerg Kastriot Skënderbeut si simbol mbrojtjes së civilizimit europian të shqiptarëve dhe territoreve shqiptare kudo ku ata jetojnë. Ky investim historik sipas tyre i mohuar në dekadat e kaluara është një detyrim moral trashëguar nga gjyshërit e tyre të cilët bashkë me truall e shtëpi, mall e pasuri u lanë trashëgim edhe simbolet tona ; gjuhë, flamur dhe heronj. Malësorët fisnikë dhe Fondi Humanitar Trieshi  i kanë sytë nga vendlindja; ato shtëpi të braktisura e ato fëmijë që ëndërrojnë ikjen duhet ta ndërtojnë jetën e tyre aty në atë vend që Zoti e ka bekuar me mrekulli gjeografike e ku dora dhe dashuria njerëzore mundet ta bëjë edhe ma të bukur. Dhe kur sheh fëmijët të lundrojnë në internet në klasat e pajisura me kompjutera bashkëkohor dhuratë e Fondit Humanitar Trieshi nuk ke se si të mos jesh mirënjohës për këtë investim që prek të ardhmen.Prioritetet ata i caktojnë vetë jo se nuk kanë bashkëpunim me pushtetin vendor atje por sepse kështu mendojnë se e bëjnë më të besueshëm investimin që malësorët e Amerikës ( Nju Jork, Detroid) ia  bëjnë dhuratë vendit amë të cilin e prekin jo vetëm me mallin dhe dashurinë që nuk shuhet por edhe me ëndrrën për tu rikthyer atje një ditë , pse jo. Teksa i dëgjon të numërojnë këto akte humanitare që përtej vlerës monetare kanë një dashuri të thellë njerëzore pêr vend e gja, mall e pasuri që trashëgim na la i pari nuk ke se si të mos kujtosh kreshnikët e atyre bjeshkëve që u dolën zot trojeve të tyre , nderit e pronës me forcën që u buronte nga kode morale të shkruara e të pashkruara por të thella po aq sa rrënjët tona.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku- Fondi humanitar Trieshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT