
Nga Julika Prifti/
Më 9 nëntor, 2019, u përkujtua 30 vjetori i rënies së murit të Berlinit, që simbolizonte edhe fizikisht ndarjen midis kampit lindor dhe perëndimor. Për më tepër, ai ndante dy sisteme ideologjike, botëkuptime filozofike, si edhe njerëzit të detyruar të jetonin në to. Njerëzit e njërit kamp nuk mund të takoheshin dhe as të shikoheshin me familjarët, me të afërmit dhe as me shoqërinë. Të gjallët nuk shihen më me të gjallët, dhe as të vdekurit nuk mund të vizitoheshin nga të dashurit e tyre në anën tjetër. Familjet ndahen, shoqëritë prishen, e dashuria e respekti për njeri-tjetrin venitet. Muri bëhet ‘marka’ e një kohe tjetër. Simboli i luftës së ftohtë.
Në Shqipërinë e mbyllur përgjatë kufirit me toka shqiptare ndarja ishte po aq reale ngaqë muri u ngrit brenda nesh. Në fillim propagandohej se armiqtë ishin jashtë kufirit me dimensione të njohura e të matshme. Por kur sistemi komunist u konsolidua. Armiq u bënë njerëzit më të afërt, babai, djali, nëna, vajza, miqtë e vjetër. Një ide apo mendim i ndryshëm nga ai i partisë, i organizatës së bashkimeve profesionale, i organizatës së rinisë, së pionierit, të damkoste me vulën armik. Frika u bë ndjenja zotëruese e atyre viteve pavarësish moshës, gjendjes ekonomike, pozitës profesionale, apo gjinisë. Askush nuk ishte i imunizuar nga frika dhe nga damkosja ‘armik’. Në çdo moment një vulë e tillë mund t’i ngjitej emrit të secilit prej nesh.
Prandaj muri i brendshëm ishte aq real sa edhe muri i Berlinit, ndonëse mund të mos ishte i prekshëm dhe mbi të mund të mos shkruheshin parulla dhe vizatime, ishte po aq ndarës sa edhe muri berlinez. Pas 29 vjetësh muri u shemb në 1989. Kështu në 2019 ka një vit më shumë i shembur seç qëndroi i ngritur. Megjithatë numërimi i viteve nuk thotë shumë.
Atëhere shembja ishte një e papritur shpresëdhënëse. E mbaj mend se u ngulitëm para ekranit të televizorit tek RAI (Radio-Televizori Italian) e pastaj në kanalin tjetër që mund të kapte imazhet që nuk kishin nevojë për përkthim. Rradha pafund e njerëzve që prisnin të kalonin në Berlinin Perëndimor. Tensioni përcillej në ekran sepse gjendja mund të ndryshonte në moment e të shtëna e automatikut mund të bënte kërdinë mbi turmën që priste të kalonte në anën tjetër. Ndërsa i ndiqnim imazhet në televizor, neve na rrihte zemra fort sikur të donte të na dilte nga kraharori. Po bëheshim dëshmitarë ndërkombëtar në një episod që se kishim ndjekur më parë, fundin e të cilit nuk e dinim.
Ne thërritëm nga gëzimi kur turma e gjermano–lindorëve shkeli tokën e Berlinit perëndimor e asnjë e shtënë arme nuk u dëgjua. Diçka e madhe kishte ndodhur e ne ishim spektatorë të një faqeje të re në historinë e njerëzimit. Në vitin 1987, në fjalimin e tij në Berlin presidenti amerikan, tha frazën e njohur “Mister Gorbachev, tear down this wall”. Po muri nuk u rrëzua atëherë. Ai pengoi bashkimin edhe për ca kohë. Dita e shembjes nuk kishte ardhur ende. Dhe sot, kur dëgjon frazën e presidentit Ronald Reaganit duket se muri u shemb pas fjalimit të tij, sepse 30 vite janë shumë për të mbajtur mend dhe për të rreshtuar faktet në vendin e dukur. Po, 30 vjet nuk mjaftuan për të sjellë ndryshime të përhershme.
Shembja e murit të Berlinin ishte një gëzim i madh e një shpresë e veçantë për shqiptarët edhe se më në fund do mbaronte ndjarja më shumë se tridhjetë vjetcare me të arfërmit e tyre në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Frikës ia zuri vendin shpresa. Me rrëzimin e murit u duk se bota e kishte gjetur drejtimin e saj. Ecuria drejt një bashkimi e bashkëpunimi ishte stamposur. Muret ndarëse kishin rënë. Ne mund të merrnim frymë lirisht. Ndryshimet do vinin edhe në Shqipëri.
Tridhjet vjet më parë kur muri i Berlinint i ngritur nga komunitët e Lindjes u rrëzua, nuk mund të mendonim se mure të reja do të ngriheshin, dhe se bota do të ishte po aq e ndarë më shumë se çerek shekulli pas rënies së tij.