• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

President Regan:- Mr. Gorb achev, TEAR DOWN THIS WALL

November 9, 2019 by dgreca

-Thirrja që shënoi  fillimin e fundit të komunizmit-/

  • H I S T O R I A    N Ë    F O T O G R A F I/

40 VJET MË PARË –  9 NËNTOR, 1 9 8 9- RËNIA E MURIT TË BERLINIT/

NGA QEMAL AGAJ/DIELLI/

Në  botimin e muajit Gusht, H I S T O R I A   N Ë   F O T O G R A F I,  i paraqita lexuesit dy imazhe botuar në albumin fotografik,  T H E  100  P H O T O G R A P H S  T H A T  C  H A N G E D  T H E  W O R L D, nga eksodi i Shqiptarëve  drejtë brigjeve të Italisë. Eksodi nuk erdhi papritur, apo nga dëshira e Qeverisë Komuniste të Ramiz Alisë për të lënë popullin të lirë. Ai erdhi si pasojë e shpërbërjes të sistemit komunist në B.S. dhe Europën Lindore. Në Shqipëri dukej se  edhe bari që populli shqiptar dotë hante për të mos tradhëtuar idealet komuniste, nuk po mbinte më. Përmbysja e këtij sistemi të dështuar në Shqipëri, përveç arësyeve të brendëshme, u inflencua dhe nga faktor ndërkombëtar. Qëndrimi i fortë i politikës së Presidentit Amerikan Ronald Reagan dhe fjalimi i tij pranë murit që ndante Gjermaninë Lindore nga ajo Perëndimore në, 12 Qershor, 1987,  shkundën qeveritë komuniste me në krye atë të B.S.  Thirrja e tij si sirenë alarmi, ‘’ Mr. Gorbachev, T E A R   D O W N   T H I S   W A L L ,’’ ngjalli shpresa se kjo ditë, ky moment i veçantë historik  nuk ishte larg.

Në fakt kjo shpresë dhe kjo ditë e shumëpritur  filloi  tetë  vjet më parë, 3 Qershor,1979,  me vizitën e Papës  John Paul i II-të  në Poloni. Fjalët e urta të Shënjtërisë së Tij, ‘’Paqja dhe barazia e  popullit mund të arrihen vetëm me respektimin e të drejtave të tij , e drejta e egzistencës dhe e lirisë.’’ përpara  më shumë  se një milion popull në sheshin  kryesor në Warshavë, ishin sinjali i parë për qeveritë komuniste,  shpresë për popullin Polak dhe më gjerë, se liria është e shenjtë dhe asnjë qeveri nuk ka të drejtë t’ja privoj popullit të tij. Fjalimi i Papës ndihmoi për përmbysjen e komunizmit në një tranzicion paqësor. Ja pse menjëherë pas vizitës së tij, miliona Polakë formuan bashkësinë solidare, Solidarnosh.

‘’Mr.  Gorbachev ,   T E A R   D O W N   T H I S   W A L L  ! ’’

Fragmente nga kujtimet e shkruesit të  fjalimit  të  Presidentit   Reagan -, Peter Mark Robinson./

‘’Në pregatitjen për një vizitë të mundëshme të Presidentit Reagan me rastin e 750 vjetorit të qytetit të Berlinit, vizitova Berlinin në Prill, 1987. Në fakt, Presidenti nuk kishte plan të vizitonte Berlinin. Ai do të shkonte në fillim të Qershorit për një vizitë në Romë përpara një ‘Economic Summit’ në Venecia. Me kërkesë të Qeverisë Gjermane, do të kalonte disa orë në Gjermani para se të nisej për në SH.B.A…

Më thanë se Presidenti do të fliste para Murit të Berlinit dhe mendohej se mund të ishin të pranishëm rreth 10. 000 vetë dhe fjalimi të përqëndrohej në politikën e jashtme.Përpara vizitës së Presidentit unë kalova një ditë në Berlin me agjent të Shërbimit Sekret dhe grupin përgjegjës për vizitën e Presidentit. Kur takova një nga  diplomatët kryesor amerikan në Gjermani, mendova se ai do të më jepte disa mendime. Diplomati më dha këshilla specifike dhe të gjitha negative si.’Të kishja kujdes se Berlinezët janë politikisht dhe intelektualisht të sofistikuar. Të mos atakoja Sovjetikët. Jo komente inflamatore për Murin e Berlinit. Berlinezët tashmë  janë mësuar me strukturën që ndanë qytetin e tyre.’

Pasi u ndava me diplomatin, me  një grup ushtarakësh Amerikan fluturuam me helikopter përmbi Berlin. Nga lart muri  dukej se ndante dy lloj egzistencash. Në një anë lëvizje, ngjyra, arkitekturë moderne, trafik makinash, shëtitore të mbushura me njerëz, në anën tjetër një lloj boshllëku. Godina akoma me shenja plumbash që nga lufta, makina të pakta dhe të vjetra në qarkullim, udhëtarë të veshur keq dhe përgjatë murit grumbuj mbeturinash ndërtimi, tela me gjemba dhe roje me pushkë shoqëruar me qen kufiri…

Në mbrëmje u bashkova me shokë Brlines për darkë. Kur po u shpjegoja se pasi fluturova mbi Berlin e pata të vështirë të besoja dhe pyeta:’Është e vërtetë  që ju jeni mësuar me Murin?’ Shokët e mi vështruan njëri tjetrin me një lloj shqetësimi. Njëri prej tyre  mu drejtua:’ Motra ime jeton njëzetë  milje prej këtej. Nuk e kam parë atë për më shumë se një dyzinë vitesh. Vërtetë mendon se e jam mësuar me këtë?’  Ajo që na shërbente, një grua e këndëshme, e skuqur në fytyrë , shpërtheu me inat: ‘Nëqoftëse ky burrë, Gorbachev-i është serioz në fjalimet e tij për Gllaznost dhe Perestroika, ai duhet t’a provoi këtë. Ai duhet të heq këtë mur.’

Kur u ktheva në Washington dhe u ula të shkruaj, pata aq frymëzim sa fjalët erdhën rrjedhshëm. Pas një jave, bëra një fjalim të pranueshëm. Pasi e lexoi Presidenti tha thjeshtë se i pëlqeu. Në takim me Presidentin i thashë,’Zoti President, dëgjova se fjalimi juaj do të transmetohet në Berlinin Lindor, keni ndonjë gjë për të shtuar, për popullin nga ana tjetër e Murit?  Presidenti me një lëvizje kuptimplotë të kokës shtoi: ‘Ky Mur duhet të shembet. Ja çfarë dua të them për Berlinezët e Lindjes.’ Kështu lindi fraza, ‘Mr. Gorbachev,TEAR  DOWN  THIS  WALL.’’

            B E R L I N,  12  Qershor,  1978.

Presidenti  Ronald  Reagan  i  drejtohet  popullit  Gjerman:

‘’ Kancelar Kohl, Guvernator Diepgen, Zonja dhe Zotërinj:  Njëzetë e kater vjet më parë Presidenti  John F. Kenedi vizitoi  Berlinin, duke i folur popullit të këtij qyteti dhe botës në sallën e konferencave të Bashkisë. Dhe sot, unë po bëj vizitën e dytë në qytetin tuaj. Ne Presidentët e Amerikës vijmë në Berlin, sepse është detyra jonë të flasim në këtë vend të lirisë. Por unë dua të pohoji se ne jemi tërhequr nga të tjera arsye gjithashtu, nga ndjenja për historinë e këtij qyteti 500 vjet më të hershëm se kombi jonë…

Mitingu jonë sot po transmetohet në Europën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut. Unë e kuptoj se do të dëgjohet edhe në  anën  Lindore. Popullit të Gjermanisë  Lindore një fjalë të veçantë, edhe pse nuk jam pranë  jush,  unë ju adresoj fjalët e mia njësoj si këtyre që qëndrojnë këtu përballë meje. Unë bashkohem me ju , ashtu si bashkohem  me bashkëqytetarët  tuaj në Perëndim,  në një besim të patundur dhe të patolerueshëm:  Ka vetëm një Berlin…

Pas meje qëndron një mur që rrethon sektorët e lirë të qytetit, pjesë e një sistemi të gjerë që ndan të gjithë Kontinentin Europian. Nga Deti Balltik, drejtë jugut të Gjermanisë në një prerje me tela me gjemba, roje të armatosura dhe pika kontrolli, të gjitha me një qëllim; të ndalojnë të drejtën e qarkullimit, një instrument imponimi mbi njerëzit e thjeshtë nga një sistem  totalitar. Akoma , është këtu në Berlin ku muri shfaq ndarjen e Kontinentit në mendjet e njerëzve në botë. Duke qëndruar sot përpara Branderburg Gate, secili  nga ju është Gjerman, i ndarë nga njeriu i tij. Secili nga ju është Berlinez i detyruar të shikoj këtë mur të frikshëm.

 Presidenti  Von Weizsacker ka thënë: ‘Çështja Gjermane është e hapur sa kohë që Branderbug Gate është i mbyllur.’ Sot unë them: Sa kohë që Branderburgh Gate është i mbyllur, sa kohë që ky mur është i lejuar të qëndroj, nuk është vetëm  një çështje Gjermane që qëndron e hapur, por çështja e lirisë për gjithë njerëzimin. Unë nuk erdha këtu të vajtoj, por të sjell në Berlin një mesazh shprese, edhe ndën hijen e këtij muri, një mesazh triumfi.

Në vitet 1950 Hrushovi predikoi: ‘Ne do t’ju varrosim ju.’ Por në Perëndim sot ne shohim një botë të lirë që ka arritur nivele prosperiteti dhe mirëqënie të papara në historinë e njerëzimit. Në botën Komuniste , ne shohim dështim, teknologji të prapambetur, rënie standarti shëndetësor edhe nevojat bazë të të ushqyerit. Edhe sot, Bashkimi Sovjetik nuk arrinë të ushqej popullin e tij. Pas kater dekadash përpara gjithë botës qëndron një  konklusion i madh dhe i pamohueshëm: Liria , mirëkuptimi dhe paqja,zëvendësojnë urrejtjet e vjetra midis kombeve. Dhe tani Sovjetikët vetë, në një mënyrë të kufizuar, po kuptojnë rëndësinë e lirisë…

Sekretar i Përgjithshëm Gorbachev, nëqoftëse ju kërkoni paqe, nëqoftëse ju kërkoni prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, nëqoftëse ju kërkoni  liberalizim, hajde këtu. Mr. Gorbachev, OPEN  THIS  GATE!  Mr. Gorbachev, TEAR DOWN THIS WALL! ‘’

Fjalimi dhe  thirrja e Presidentit Reagan,  Mr. Gorbachev, TEAR  DOWN  THIS  WALL, prezantoi një epokë të re – një kthesë në histori për bashkimin e një bote tejetë të ndarë. Në këtë fjalim Reagan demostroi  se, thjeshtësia e një fjalimi shpesh është  më efektive se një fjalim i stërholluar.  Dhe nëse fjalët e urta të Papës prekën dhe hynë thellë në shpirtin e popullit Polak, toni i rreptë i fjalimit të Presidentit Reagan tingëlloi si një ultimatum dhe shkundi  popullin Gjerman. Dy vjet më vonë, në 9 Nëntor, 1989, brenda natës  përgjatë murit famëkeq u grumbulluam mijëra njerëz. Këtu ze fill ajo ditë historike që shënoi përfundimisht rënien e komunizmit dhe hapi rrugën për bashkimin  e Europës.

 Kjo ngjarje, me forcën shprehëse që ka arti i fotografisë, që në fraksione të sekondës, të kap momente që nuk përsëriten, është prezantuar në albumin, T H E  100   F O T O G R A P H S   T H A T  C H A N G E D   THE  W O R L D , si më poshtë:

THE   FALL   OF   T H E   BERLIN    WALL

                   November,  9,  1989   –   6 p.m.

‘’ Në 9 Nëntor,1989, gjatë një konference shtypi, Riccardo Ehram, korespondent i  ANSA, pyeti  Ministrin  e Propagandës të Republikës Demokratike të Gjermanisë, Gunter  Schabowski, kur do të lejohet kalimi nga Gjermania Lindore në Gjermaninë Perëndimore. Përgjigja  surprizë e  Ministrit, ‘ Menjëherë , pa vonesë,’  krijoi sensacion dhe mijëra  Berlines Lindor të nxitur nga lajmet në radio dhe televizion, vërshuan nëpër rrugë dhe u grumbulluan gjatë natës dhe të nesërmen  përgjatë  Murit. Nuk kishte forcë që të ndalonte popullin që vërshoi si stuhi drejtë Murit. Çdonjëri  nëpër rrugë e dinte se po jetonte një nga momentet e mëdha të shekullit.

Grupe njerëzish  të armatosur me vare , qysqi dhe kazma nxorën inatin e grumbulluar te Muri dhe në atë që bariera u kishte thënë atyre që nga vit 1961. Ata janë kujtuar thjeshtë ,’Kazmat e Murit,’

Në këtë imazh të fotografes Amerikane, Aleksandra Avakian, korespondente e LIFE në Berlinin Perëndimor, një burrë duket të jetë plotësisht i angazhuar në një betejë personale kunder murit të betonit. I gjithë trupi i tij është përfshirë në lëvizje, duke filluar nga vështrimi  me ngulm i tij. Në anën tjetër ushtarët e Gjermanisë Lindore nuk guxojnë të përdorin armët kundër tij. Ata u munduan të dekurajonin atë me ujë me presion nga e çara e murit. Mbrapa tij shokët e inkurajonin të mos ndalej. Thirrjet e tyre nxitësekalojnë përtej kufijve të imazhit dhe tingëllojnë si një kërkesë të rrëzojnë çdo lloj muri, të shpartallojnë konfliktet dhe ndarjet.

Në 22 Dhjetor , 1989, The Branderbourgh Gate u hap për trafikun. Muri  me ato grafika shumë-ngjyrshe u rrëzua. Mbeturinat u varrosën dhe pjesë të tij u shitën si relike në auction.  Në një kohë të shkurtër , çështje javësh, The Branderburgh Gate  fitoi pozicionin e saj në qendër të qytetit dhe u kthye në simbol  të një kohe të re.’’

M U R I    I   B E R L I N I T   –    Histori e shkurtër.

Kur Luftës së Dytë Botërore i erdhi fundi në vitin 1945, në Konferencën e Potsdam-it, 17Korrik-2 Gusht, 1945 u vendos fati i territoreve të Gjermanisë së ardhshme. Pjesa Lindore  kaloi  me Bashkimit Sovjetik dhe pjesa Perëndimore me forcat aleate,  SH,B.A., Angli dhe Francë. Edhe pse në pjesën Lindore (afërsisht 100 mi. nga kufiri Lindje- Perëndim), Berlini u vendos të ndahej po në dy pjesë, Lindor dhe Perëndimor.

Më vonë Sovjetikët u munduan të largonin Perëndimorët  nga Berlini, që sipas Hrushovit,’’Berlini po qëndron si një kockë në fytin e Sovjetikëve.’’

Pas një dekade mardhëniesh të qeta dhe lëvizje të lirënga njëra anë në tjetrën, në vitin 1958, tensioni filloi të ngrihej përsëri. Ndërkohë, numuri i njerëzve që nuk ktheheshin më në anën Lindore  rritej dhe vetëm në Qershor 1961, kaluan në Perëndim 19.000 Lindorë. Një muaj më vonë numri arriti  30.000 dhe në 12 Gusht, vetëm në një ditë kaluan 2.400 njerës. Kjo alarmoi Hrushovin dhe Qeverinë e Republikës Demokratike Gjermane dhe në dy javë me ‘’punë vullnetare’’ u kompletua një përzjerje e shëmtuar muri me beton, blloqe dhe tela me gjemba. Pas ndërtimit të Murit famëkeq  u bë i pamundur kalimi në anë Perëndimore. Për kalimin e diplomatëve dhe të tjera  evenimente, u hapën pika kalimi të kontrolluara. (Botoi Dielli ne Print, tetor 2019)

Filed Under: Featured Tagged With: Qemal Agaj-9 nentor 1989- Shembja e Murit te Berlinit-President regan

Rënia e murit të Berlinit dhe lartësimi i murit mes shqiptarëve

November 9, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka një shprehje për murin e Berlinit, ra brenda një nate sikur të ishte ndërtuar po për një natë. Në fakt nuk është ashtu, megjithëse po atë mbrëmje ky qytet konsiderohej në kronika sikur të ishte një kantier latinojugor, një qytet magjik, ekstazë shpirtërore, plot syresh nuk përtonin ta bënin disa herë, vajtje-ardhje. Kapërcenin murin, preknin perëndimin, pinin birra, ktheheshin mbrapshtë etj. Ishte zgjuar gjithë njerëzia dhe thoshin se nuk mund të flemë, ai që sonte fle, ka vdekur përbrenda. Qe e gjitha fundi i një dhune shtetërore njëzetë e tetë vjeçare të një regjimi që ndau mëdysh një vend të madh si Gjermania. Ra brenda një natë sikur të ishte ndërtuar po brenda një natë kjo në kontekstin e fuqisë sociale, solidarizimit qytetar, shoqërisë. Nisi në Lajpzig në një meshë të së hënës në kishën e saksonit Martin Luter, por edhe Sebastian Bach, një meshë që u kthye në një protestë paqësore e cila e zuri gafil Stasin. Dhe pas një muaji konkretisht në tetor 1989 protesta u përsërit dhe pjesëmarrja e saj shënonte një numër gati të katërfishuar nga e ajo e para. Dhe një javë më vonë shifrat shënonin mbi 60% të shoqërisë, Berlini lindor qe ndezur dhe muri ra pikërisht më 9 nëntor 1989. Kësisoj nisi dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, por edhe e regjimeve të tjera diktatoriale në lindje të Europës, përfshi këtu edhe Shqipërinë tonë. Ndryshe nga Gjermania Perëndimore, ajo lindorja vinte e gjitha nga një kolaps ekonomik dhe luftë e ashpër klasash ku kalendat kanë të memorizuar se një ndër 6 qytetarë qe informator i Stasit, një farë Sigurimi i Shtetit si ai në Shqipërinë tonë. Rreth 270 mijë njerëz të punësuar të përndiqnin figurat e mendimit ndryshe dhe 500 mijë ose afro gjysëm milioni spiunonin pa para, survejues a spiunë të rekrutuar nën tagrin e vullnetarit. Mbas riunifikimit u ngrit një komision federal për verifikimin e spiunëve dhe ky ju besua disidentëve ose ndryshe viktimave të Sigurimit të shtetit. Kjo bëri të mundur që në vitin 1992 të hapen dosjet e sigurimit me qëllim të daljes së përgjegjësisë, të personave përgjegjës me qëllim largimin e tyre nga postet drejtuese. Në Shqipërinë tonë nuk u hapën kurrë, seç shpiku pas zhdukjes së fashikujve ca komisione verifikimi kot fare, madje i sheh ata edhe sot në poste kyçe duke folur për demokracinë, votën e lirë dhe të tjera, pikërisht për virtytet e viktimave të tyre duke përvetësuar rishtas dhe me dhunë një sundim të ri. Kësisoj Gjermania Perëndimore shpenzoi disa trilion marka gjermane vetëm në vitet e para, kjo së pari për pagat, për t’i sjellur ato në nivelet e atyre në anën perëndimore, të cilat nga 35% shkuan në 70% dhe pensionet nga 40% në 80%. Kjo për arsyen e thjeshtë që fatura në çështjen kombëtare e ka pa limit numrin e zerove.

Rënia e murit të Berlinit sot po përkujtohet kudo. Thuajse në një masë absolute rrjetet sociale sjellin fakte të reja dhe rëndësinë e hapjes së botës, për më tepër kur një lloj lufte e ftohtë blloqesh gëlon aty. Kjo shtuar edhe dozën e radikalëve me metodat xhihadiste etj., pa harruar edhe mbetjet botërore të ndarjeve nga lufta e parë e ftohtë, si sot Koreja e Veriut dhe ajo e jugut. Kurse tek ne hidhet foshnjarake ideja e bashkimit, e riunifikimit të faktorit shqiptar, apo ndryshe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Them foshnjarake për faktin se idetë tek ne nuk pranohen asnjëherë me rolin e ekonomisë, por me forcën e propagandës. Rasti i murit të Berlinit nuk ka asnjë diskutim që është një realitet ndryshe por ka një bazë të fortë që ne e neglizhojmë, faktorin ekonomik dhe atë moral. Pikërisht faktori ekonomik nuk është i favorshëm për të dy shtetet tona dhe për më keq akoma Shqipëria ka theqafje të pandërprerë, si të thuash vazhdon e bjerret. Pyetja nuk është më se kush do e paguaj faturën, por a mundet Shqipëria dhe Kosova të kenë një ekonomi stabël, produktive komunikuese që muri i Qafë Morinës të jetë formal, një mur me kunja shkrepsesh etj.? Kjo është gati eterike ndaj belbëzohet si qejf foshnjor, si gugitje! Në raport me Gjermaninë Federale, të Helmut Kolit, Shqipëria nuk ofron asgjë për Kosovën, po kështu edhe Kosova e cila akoma nën trysninë e ish vendasit të pushtuar, ka një farë admirimi për flamurin, por nuk ofron asgjë. Ndaj ideja e forcimit ekonomik duhet të jetë parësore për të dy vendet, që termi Shqipëria e madhe të zëvendësohet me Shqipëria në kufijtë e saj natyralë etj. Por kjo nuk ndodh. Ndaj është logjike që Gjermania të jetë superfuqi e ekonomisë, model pajtimi, riunifikimi etj. Dhe në raport me pamjet e çekiçëve që thyejnë betonin, në portën e Brandeburgut, bulevardit të Tiranës i rrofshin fotot e guerrilasve.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Muri i berlinit-Muri mes shqiptareve

140 VJETORI I TEATRIT SHKODRAN APO 70 VJETORI I TEATRIT KOMUNIST

November 9, 2019 by dgreca


Në foto regjisori Andrea Zef Skanjeti (1906-1992) /

Nga Kolec P. Traboini/ Ka një grupim njerëzish (soj robi – thotë populli)  me mentalitet të ngulfatur në vitet e komunizmit, që gjithçka e lidhin me atë kohë të mbrapsht. Kështu ishte për përvjetorin e Ushtrisë,10 korriku,  por u bë mirë që e ndryshuan dhe ja lanë meritat të vërtetës historike. Po kështu bënin për përvjetorin e Policisë, por edhe atë mirë bënë që e rregulluan. Se shteti nuk ka lindur kur vendosi diktaturën Enver Hoxha me pushkët me gjalmë. Këto ditë të fillimit të nëntorit, Shkodra festoi plot me bujë 70 vjetorin e Teatrit. U bënë ceremoni, dekorime, u botua libri. Mire bene qe u bene. Kemi nevojë për pak gëzim, qofte dhe pa shkak te arsyeshëm. Mirëpo hesapet bëhen gjithherë pas dasmës. Regjisori Andrea Zef Skanjeti, një prej nipave të Motrës Tone dhe Kol Idromenos, regjisor me reputacion e kontributin më të madh në Teatrin e Shkodres ka shkruar një libër me titull “100 vjet teatër në Shkodër 1879-1979:  botuar nga shtëpia botuese KAD 2002. Mendoj se më mirë se i ka ditur punët i ndjeri Andrea Skanjeti, nuk i di sot askush brenda apo jashtë atij teatri. Aq me tepër që festojnë 70 vjetorin e teatrit “Migjeni” kur ky emër i është vënë Teatrit në Shkodër kur u bë ndërtesa e re në vitin 1958. Pra nëse festohet përvjetori i Teatrit “Migjeni” duhej thënë 60 vjetori Ndërtesë -Teatrit. Nëse festohej teatri profesionist ( i kohës se komunizmit) nuk do te ishte e arsyeshme të përmendej emri i Migjenit  sepse ai ju vu 10 vjet më vonë. Por problemi më i rëndësishëm, që e sjell këtë festim në stonaturë të plotë është se Shkodra nuk ka pas vetëm një sallë Teatri në kapërcyell të shekullit të 20 pra rreth vitit 1900 e pak me parë apo pak më pas. Shkodra kishte jo një, por shtatë (7) lokale teatrore: 1- Salloni i Kolegjit Saverian ndërtuar më 1890 me 450 vende. 2- Salloni i Shkollës Franceskane me 300 vende. 3- Salloni i Shkollës Stigmatine me 250 vende. 4- Salloni i Shkollës së Parrucës ndërtuar nga Austro-Hungarezet si Kino-Teatër me 400 vende. 5- Kinoteatri “Rozafa” me 400 vende. 6- Salloni i Shoqerisë “Bogdani” me 350 vende. 7- Salloni i Shoqërise “Vllaznia” me 400 vende. Vazhdoni e festoni për gjysmagjelin e përrallës apo po deshët kokërrmisrin, ndërsa faktin se në fillim të shekullit të shkuar Shkodra ishte një nga qëndrat teatrore më të mëdha jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Ballkanin. Këtë fakt historik lëreni në harresë, siç latë nën hije në këtë përvjetor Andrea Skanjetin, autor i 22 dramave e komedive melodramave e tjerë, ka përkthyer 27 pjesë teatrale, ka vënë në skenë 75 pjese teatrale shqiptare dhe të huaja me 20 platforma regjisoriale, që është figura më emblematike e Teatrit të Shkodrës, pinjoll i përbashkët i dinastisë Idromeno- Skanjeti që qëndron denjësisht në historikun e artë të kulturës shkodrane dhe asaj kombëtare. Nuk ka asnjë alibi nëpërkëmbja e historisë se një populli, ku ndër të tjera hyn dhe kultura. Nuk e di pse duhej festuar me theks 70 vjetori i Teatrit, se Shkodra ka nje histori me teater 140 vjeçar. Lexoni librin e Andrea Skanjetit. Diferencën në art nuk e përben fakti se aktorët i paguan shteti apo e nxjerrin rrogen e vet me krijimtari te pavarur. Pastaj që në 1945 ka pas një trupë teatrore në Shtepinë e Kulturës në Shkodër. Është vënë në skene edhe pjesa “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës me regjisor Zef Zorbën, poetin që e burgosën, por që duhej nderuar në çdo përvjetor Teatri. Ju kujtoj se askush nuk mund ti dalë përpara Andrea Skanjetit, mirëpo nuk e pashë në listen e atyre që u lauruan. Gjithësesi Trupa e Teatrit në Shtëpinë e Kultures ka qenë pa pagesë e aktorët punonin me pasion. Nëse e duam me çdo kusht atë ditë, pra ditën e Themelimit të Partise së Enver Hoxhes 8 nëntor (1949), si ditë e themelimit të Teatrit të Shkodrës, shumë mirë ta quajnë 70 vjetori i marrjes se rrogave nga shteti komunist. Por arti teatral nuk ka filluar në atë ditë. Mua më vjen keq se disa që na shiten për të djathtë e kinse antikomunistë, bëjnë politikën e ekstremistëve fanatikë të mbetura si rudimente të monizmit. Kur do të zhveshemi nga slloganet dhe mëndësia e kohës së poshtër të komunizmit që po na ndjek nga pas deri na varr? Historia nuk është një shteg që ndan shtëpinë me rrugën e mund të kalojmë nëpër të sa here të duam e mund të bejmë me të çfarë të duam. Ajo është një rrugë solide, shekullore, nëpër të cilën kalojnë qindra breza dhe ne nuk mund të sillemi me të si të ishim pronarë e as kalimtarë të papërgjegjshëm. Le ti referohemi një ngjarje historike që sjell në vëmendje Vladimir Stojani Burill, një shekull më parë, më 11 gusht të vitit 1919 u shfaq në Teatrin e Shoqnisë “Vllaznia” drama me 3 akte “Erminia e vorfën”, shkruar prej Kolë Gurakuqit, që shënon pos të tjerash një ngjarje në traditat e Teatrit të Shkodrës.  Hipën në skenë e luan bashkë me aktorët e tjerë e para aktore femër në Shqipëri, vajza shkodrane Roza Kakarriqi (Shoshi), për të cilën nuk u kujtua askush nga organizatorët. Po ka edhe te tjerë kontribues të mëdhenj të harruar nga se krijuan plot pasion para se të vinte koha të cilës arbitrarisht i konsiderojnë themelimin e Teatrit të Shkodrës, flas si institucion artistik e shpirtëror  e jo si ngrehinë apo si ekip rrogëtarësh në borderonë e shtetit komunist. Një djalë i vdekur 20 vjeç, studenti Ndue Pal Shllaku (1922-1942) ka qenë një aktor i talentuar i teatrit të Shkodrës, ka vdekur në vitin 1942. Pra Teatri Shkodran nuk e ka as fillimin e as mbarimin në 8 nëntorin e vitit 1949. Është rasti të sjellim një njoftim të shkurtër për këtë djalë të talentuar me fat tragjik. Ndue P. Shllaku u lind më 25 shkurt 1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës së Kolë Ndout, e cila ishte bijë Dushmani. Babai i vdiq shumë herët duke e lenë jetim një vjeç dhe u rrit e u shkollua në Shkodër. Ka lëne dorëshkrime 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti ta shkruaj vetëm aktin i parë. Në mars të vitit 1942, kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit të Shkodrës, u sëmur rëndë. Dy muaj më pas, ndërron jetë në moshën 20 vjeçare, në kohën me të bukur të stinës e të jetës, më 28 maj 1942. Jeta e tij si një baladë jetimi, një tragjedi e dhimbshme për çdo zemër e për çdo skenë, aq pasiononte aq e shkurtër, si një meteor që aty nis e aty mbaron, por gjithësi i ka lënë gjurmët e dritës të cilat së pari duhen parë dhe së dyti duhen kujtuar. Nëntor 2019

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Analiza

FACEBOOK – MBROJTES I LIRISE SE SHPREHJES APO BURGOSES I SE VERTETES

November 8, 2019 by dgreca

Letër e hapur e Aaron Sorkin për Mark Zuckerberg/

Mark,

Në vitin 2010, shkruajta skenarin e filmit “Rrjeti Social” dhe e di e se ti do doje të mos e kisha shkruar. Ti protestove se filmi kishte pasaktësira dhe se Hollivudi nuk e di se ç’do të thotë të bësh një gjë vetëm për hir të këtij akti. (Në të vërtetë e dimë mirë – me këtë punë merremi për ditë.)

Nuk iu kundërvura akuzave të tua publike ndaj filmit si trillim sepse kam kaluar një pjesë të mirë të jetës në teatër, por ti ashtu si edhe unë e di mirë se skenari është kontrolluar me mikroskop nga një ekip avokatësh të studios së filmit që punojnë për një klient dhe një qëllim: Të mos paditen nga Mark Zuckerberg!

Ironia nuk më shqitej kur lexoja copëza nga fjalimi yt në Georgetown University, ku ti mbroje në emër të lirisë së shprehjes, modelin e Facebook-ut për reklamat me përmbajtje të pavërtetë publikuar nga kandidatët e fushatës. E admiroj përkushtimin tënd ndaj lirisë së shprehjes. Edhe unë e kam fort për zemër Amendamentin e Parë. Por edhe më me rëndësi është fakti që është gurthemeli i demokracisë sonë dhe duhet të qëndrojë i patundur.

Prandaj kjo nuk mund të jetë pasoja që dëshirojmë ti dhe unë, që të zbrazësh gënjeshtra në rezervat e ujit të cilat qelbin vendimet më të rëndësishme që duhet t’i marrim bashkarisht. Ato mashtrime kanë efekte konkrete dhe shumë të rrezikshme për rezultatet e zgjedhjeve, për jetën tonë dhe atë të fëmijve tanë.

Mos permend Larry Flint. As Larry Flint nuk do ta thoshte këtë. Nuk bëhet krahasimi me industrinë pornografike prej së cilës njerëzimi nuk pret të marr informacion. Gjysma e popullsisë amerikane thotë se Facebook-u është burimi kryesor i lajmeve për ta. Zgjidhja e problemit do ishte që ata të drejtoheshin tek një tjetër burim lajmesh ose që ti të vendosësh që Facebook-u të publikojë informacion të verifikuar.

Në afishen e filmit “Rrjeti Social” është shkruar batuta ‘Nuk mund të bësh 500 milion veta miq pa bërë disa armiq.’ Kjo shifër është tejkaluar disa herë sepse pas nëntë vitesh një e treta e planetit përdor Facebook-un.

Dhe pikërisht aty, ka një publikim që deklaron se Joe Biden i pagoi një miliardë dollarë Prokurorit të Ukrainës për të mos e hetuar djalin e tij. Çdo milimetër e publikimit është gënjeshtër dhe mban logon tënde. Kjo nuk është mbrojtje e lirisë së shprehjes, por vrasja e së vërtetës.

Ti dhe unë e mbrojmë lirinë e shprehjes për të mos lejuar që dikush të burgoset apo eliminohet sepse tha diçka që nuk gëzon popullaritet por jo për t’i hapur rrugën gënjeshtrave drejt e tek elektorati amerikan.

Edhe pasi skenari im për filmin “Rrjeti Social” i plotësoi kërkesat e ekipit ligjor të studios Sony, ne dërguam një kopje –sipas premtimit në një takim – tek një grup nëpunësish të kompanisë tënde dhe i ftuam të jepnin sugjerime. (Një prej tyre pyeti nëse mund të ndërroja emrin e universitetit të Harvard-it dhe nëse duhej të ishte në film emri i kompanisë Facebook.)      

Pas përfundimit të xhirimeve të filmit, caktuam një shfaqje preliminare për drejtuesen operative, Sheryl Sandberg. Ajo u ngrit në këmbë në mes të filmit, u kthye nga producentët në fund të sallës dhe tha: “Si mundeni t’ia bëni këtë një çilimiu?” (Ti ishe 27 vjeç në atë kohë por nejse, e marr vesh se ç’donte të thoshte.)

Unë uroj që drejtuesja e Facebook-ut të hyj në zyrë dhe të anoj pakëz nga ty (siç sugjeron ajo në librin e saj) dhe të thotë: “Si mundet t’ua bëjmë këtë dhjetra milionë çiliminjve? Vërtet do publikojmë se Kamila Harris ndërsente zagarë në bodrumin e një pizerie ndërsa Elizabeth Warren zhduku provat që vërtetojnë se ndryshimi i klimës është fars apo se klika sekrete shtetërore i ka shitur drogë Rashida Tlaib dhe Colin Kaepernick?”

Nuk është formuluar -ende- ligji që e quan të përgjegjshëm platformën që mbart reklama të publikuara nga përdoruesit për përmbajtjen e reklamës së publikuar në të, siç ndodh me studiot e filmave, rrjetet televizive dhe botuesit e librave e revistave. Pyet Peter Thiel, që financoi një padi ligjore për shpifje kundër platformës Gawker dhe e çoi në falimentim dhe mbyllje të biznesit. (Duhet ta kesh numrin e tij në telefon sepse ka qenë një nga investuesit e parë për Facebook.)

-Aaron Sorkin është dramaturg dhe skenarist amerikan, me prodhimtari shumë të suksesshme në teatër dhe film. Për përshtatjen e skenarit të filmit “Social Network” 2010 (Rrjeti Social), Sorkin u nderua me çmim nga Akademia e Kinematografisë.  

Përktheu Rafaela PRIFTI                             

Filed Under: Featured Tagged With: Aaron Sorkin - Mark Zuckerberg-Rafaela Prifti

IMORALITETI APO AMORALITETI…

November 8, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/

         Në shekuj fjalët më të anatemuara janë: Imoral dhe amoral! Këto dy fjalë hyjnë në sistemin e dytë të sinjaleve (filozofi) që  krijonë  mundësinë e orientimit shkrimor dhe atë verbal. Megjithëse si terminologji, termin amoral e hasim të përdoret në shekujt XVIII e më vonë , për herë të parë (në mos gabohem), e hasim tek Marcus Aurelius në “Meditime”.

Linguistët e huaj shpjegojnë se imorali njeh mirë aktin e vet, kurse amorali e bën gabimin por nuk e kupton ose nuk ka dëshirë t’a kuptojë.

Ndërsa, amoralja në shqip presupozon humbjen e normave morale, kurse imoralja, nënkupton direkt mungesën e ndershmërisë së mashkullit apo femrës.

Pa hyrë në filozofi, duke “përjashtuar” animizmin dhe apologjetikën,  dimë që morali është tërësia e parimeve dhe normave  që përcaktojnë sjelljen e qenies tonë në rrethana të caktuara shoqërore,  politike, familjare,  ekonomike; manifesti i principeve të larta humane.  

Me një zanore (A ) apo  (I)  ndryshon kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Këto dy fjalë, shumë herë i ngatërrojnë dhe i përkufizojnë si të njëjta, por nuk janë të tilla. Po cila  fjalë është  më prush?

Sipas mendimit tim, Imoraliteti ka të bëjë me personat që udhëhiqen nga pasioni kundër koshiencës, e cila impulsohet nga  momenti, xhelozia, fatkeqësia apo instikti. Fakti është (fatkeqi kur kap momentin e braktis kurthin…), se instikti është aq i egër sa injoron normat e sanksionuara që shoqëritë i kanë (ndryshuar) vendosur në shekuj. Imoraliteti nuk është dashuri, por zbavitje instinktive kafshërore! St. Agustini thoshte: “Pas kontaktit seksual të gjitha kafshët janë të mërzitura”. Më vonë, këtë citat do ta huazonte dhe do ta bënte si të vetin  filozofi gjerman  Artur Shopenhauer.  

Nëse ndonjëri e koncepton prostitucionin si dashuri, do të ishte një kontravers djallëzor. Dashuria nuk është instikt shtazor, por çelësi i universit,  perceptimi  apogje i shkallës hyjnore.

Qëherthi, në shoqërinë e shekullit XVIII e më pas,  amoraliteti ishte më tepër i papranueshëm dhe më i frikshëm se imoraliteti, sepse  amorali është  mohues,  nuk ka ndërgjegje, nuk ka subkoshiencë. Amoraliteti  është legenmbajtëse e veseve të këqija në pafundësi. Amoralja mund të përdorë imoralen për qëllimet e veta, ashtu siç përdorën romakët, kurtizanen e bukur Eftibida për të përçarë dhe thyer ushtrinë e Spartakut, apo kur, nëpëmjet bukuroshes Lldiko  helmuan  Atilën e pathyeshëm. Mbase në atë kohë nuk përdorej termi amoral, por rastet përkojnë katërçipërisht si ilustrim aktual.  

Si atëherë dhe sot, amoralët e përdorin imoralitetin për të peshkuar, që nga politikanët  deri tek kriminelët. Pra, si shumë politikanë  dhe kriminelët janë dashnorë të imoralitetit dhe imoraliteti viktima e tyre. Tek  të dyja palët  shkalla e rrezikut është e njëjtë. Ata frymëzohen  deri në ekstazë (trofe e privilegjeve apo  dhunës), për të gëzuar aktin final.

Sipas mendimit tim, amoraliteti është oazi që notojnë njerëzit me dy fytyra, politikanët e korruptuar, banditët, gënjeshtarët, mashtruesit,  fallsifikatorët  etj. 

Amoralët janë ushqyesit e gramit në fushat e shoqërisë që çojnë në deformimin e historisë, shkencës, shtetit;  asfiksojnë zhvillimin deri në vrasjen e qelizave të jetës,  siç është dhe ligji i abortit !!!

Dhe në fund, dy fjalët e titullit  do t’i përkufizoj:

Dramë dhe Tragjedi !

Filed Under: Politike Tagged With: Alfons Grishaj-Imoraliteti-Amoraliteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT