• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

Në gjurmë të vlerave….

November 5, 2019 by dgreca

Nga Izet DURAKU* /

E vetëdijshme se letërsia në përgjithësi, libri dhe autorët e tyre veç e veç,  nuk e kanë jetën të gjatë pa lexuesit dhe vëmendjen e kualifikuar të kritikës letrare ndaj tyre, autorja e librit /

“Në gjurmë të fjalës”, Raimonda Moisiu ia ka dalë mbanë të realizojë një vepër voluminoze nga ana sasiore dhe të denjë për nga cilësia e saj. Angazhimi i autores më shumë se prej një “urdhëri akademik” buron nga detyrimet e mëvetësishme të shpirtit të saj krijues.

Libri është një kontribut me vlerë për të tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe dashamirësve të letërsisë ndaj veprave dhe autorëve të caktuar që meritojnë një përkujdesje më të madhe, për t’i bërë sa më të dukshme e të kapshme vlerat e tyre. Libri ka si kryefjalë vlerat. Të gjitha vështrimet i karakterizon besnikëria ndaj kësaj kredoje që trajtohet kurdoherë me besim e dashuri. Në këtë sens mund të thuhet se edhe ky libër e bën më të përshkueshme xhunglën e sotme letrare ku bashkëjetojnë vlerat, jo vlerat e antivlerat. Autorja nuk e përmend ekzistencën e tyre. Meraku i saj qëndron vetëm në zbulimin dhe rizbulimin e vlerave dhe këtë e bën pa kursim duke derdhur të gjithë dritën e energjive të saj shpirtërore. A mund të vështrohen ndryshe autorët dhe veprat e marra në shqyrtim nga Raimonda Moisiu? Padyshim dikush edhe mund t’i shihte në kënd vështrime të tjera. Mund të evidentonte madje të meta dhe mangësi. Përse as dielli, as hana pa niegullazë mbë faqe nuk asht… do të shkruante para 330 vjetësh Pjetër Bogdani.

Por autorja ka zgjedhur me vetëdije të kërkojë, hulumtojë e qëmtojë për vlera të qëndrueshme estetike dhe etike te shkrimtarët e saj të dashur. Më duket një vështrim i arsyeshëm dhe me mjaft vlera për një përpjekje serioze të përcaktimit të një hierarkie sa më të besueshme të produkteve letrare, duke u mbështetur pikërisht te vlera e tyre.

Ndërkohë si një ecuri joproduktive, është e dukshme edhe prania e artikujve të shumtë në median e shkruar dhe atë elektronike, që ngjajnë me qokat familjare. Autorë që shkruajnë për libra autorësh sipas devizës: më lavdërove do të lavdëroj. Po mielli i këtyre artikujve, që rrjedh nga interesa të vogla, shpesh pa proteinën e duhur artistike, nuk mund të mbruhet e të mblidhet në një libër. E në u mbledhtë, buka e tij do të jetë e bajatshme dhe pa shije.

Si një libër serioz, “Në gjurmë të fjalës” përmbledh shkrime për autorë po kaq seriozë që kanë lënë gjurmë ose vazhdojnë të thellojnë gjurmët e tyre në letrat shqipe. Bien në sy vepra të autorëve të afirmuar prej kohësh, vepra autorësh të njohur, më pak të njohur, madje disa prej tyre mund të jenë në fillimet e tyre letrare.  i njohur, i panjohur si terma relative, është e kuptueshme që nuk ngërthen brenda vetes edhe vlerat reale letrare. Sepse dihet që mjaft autorë, ndonëse me vlera të konsiderueshme kanë mbetur jashtë interesimit të kritikës dhe jurive profesionale.

Për të vënë në dukje vetëm një pjesë autorësh veprat e të cilëve janë vështruar siç mund të thuhej sa me akull të mendjes dhe me ngrohtësi zemre, le të përmendim vetëm disa prej tyre: . Nasho Jorgaqi,  Vangjush Ziko, Petraq Zoto,  Flutura Açka, Skënder Rusi,  Ramiz Gjini,  Ali Podrimja, Skifter Këlliçi, Riza Lahi, Aqif Hysa, Namik Dokle, Preç Zogaj, Roland Gjoza, Vojsava Nelo, Dhimitër Pojanaku, Elinda Marku…

Interesimi i autores rrok të gjitha gjinitë letrare sipas klasifikimit të hershëm aristotelian: lirikën, epikën, dramatikën. Atë e tërheq gjerësia e pasqyrimit të jetës me konfliktet, kompleksitetin e mardhënieve njerëzore dhe zhbirimet e thelluara në shpirtin njerëzor te romani, ngrohtësia e ndjenjës bashkë me drithërimat e shpirtit te poezia dhe përplasjet e fateve njerëzore te drama. Në fokus të vlerësimeve të saj janë autorë e vepra që  kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare  dekada më parë, por dhe autorë e vepra që sjellin me fjalën e tyre një kontribut krejt të ri letrar. Shkruhet për vepra të plota, romane, vëllime poetike, drama. Kamera e pasqyrimit vlerë- sues të autores  rrok  një pamje sa më të plotë gjith- përfshirëse. Po nuk mungon as vështrimi më në thellësi duke u përqëndruar te një poemë, a tregim i vetëm. Jo rrallë vlerat e rralla shfaqen qoftë edhe në pak faqe.

Duke respektuar origjinën e saj, është i natyrshëm vështrimi i posaçëm ndaj autorëve korçarë. Lumja ti moj Korçë o lule, ngazëllimi naimjan do të vazhdojë të prekë shumë autorë deri në ditët tona. Është magjia e këtij qyteti, pa parfumin  e të cilit nuk mund të kuptohet trashëgimia jonë letrare e kulturore. Bien në sy gjithashtu interesimi i autores për shkrimtarët që jetojnë e punojnë në ekzil, larg atdheut, ashtu siç është edhe fati i saj krijues dhe jetësor. Zhvillimet politike pas viteve ’90 kanë shkaktuar mjaft trauma. Lëvizjet e brendshme janë shoqëruar me eksode biblike në kërkim të tokës së premtuar. E gjithë kjo tramundanë njerëzore  do të përcillte edhe fatin e autorëve dhe të letërsisë. Historia do të përsëritej. Edhe në prag të pavarësisë së Shqipërisë një pjesë autorësh të rendësishëm që u bënë dhe promotorë të lirisë kombëtare jetonin jashtë vendit. Ndërkohë për një vështrim më të plotë flasin edhe interesimet e autores për vepra të autorëve nga hapësira shqiptare në Ballkan më tej kufijve politik të vendit.

Në mjaft raste në librin “Në gjurmë të fjalës”, hasim edhe botëkuptimin e shëndoshë të autores ndaj letërsisë dhe zhvillimeve letrare në përgjithësi. Sipas autores “letërsia është dashuria për artin e fjalës, në të shprehur dhe në të shkruar, e cila na jep mundësinë ta jetojmë jetën ndjeshëm e natyrshëm në një realitet krejt tjetër, me integritetin e pasionit njerëzor, ambicies dhe sfidës, të cilat lindin energjinë e psikikes dhe shpirtërores, midis ëndrrës dhe realitetit, në jetën reale…”

Gjuha e autores është e kthjelltë dhe plotësisht e kuptueshme. Leksiku i saj ka përjashtuar termat e lodhshëm shkencorë, të cilët për lexuesin e gjerë janë krejt të largët e të pakuptueshëm. Ndoshta kjo ndodh sepse vetë autorja është një krijuese e njohur që ka lëvruar krahas publicistikës edhe gjini të tjera letrare. Dhe mbase formimimi i saj jo akademik letrar, në këndvështrimet e saj letrare nuk ka ndikuar negativisht, përkundrazi. Ajo nuk e vështirëson artificialisht frazën për t’u dukur interesante dhe gjoja erudite dhe e pakapshme, siç vepronte në analizat e veta letrare, kritiku Mitro Karapataqi, personazh i spikatur i romanit të njohur “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit. Frazat e stërholluara me thyerje kuptimore e gjymtime gjuhësore, mbushur me snobizëm barbarizmash shpesh nuk kuptohen as nga autorët, shpesh fillestarë që nxjerrin ende krye edhe sot, siç bënte dikur edhe heroi agollian. 

Ajo shkruan me kthjelltësi dhe emocion. Gjuha e autores vërtetë është e thjeshtë, po jo e thjeshtëzuar.

Vështrimi i autores përpiqet të rrokë thelbin e veprës , të japë aureolën e integritetit profesional, siç shprehet në synimet e saj. Shkrimtarin e sheh jo rrallë edhe me dhunti të tjera artistike si njohës i harmonisë e muzikës, madje edhe si piktor shpirtëror “me inteligjencë e përshkrime të papërsëritshme nga eleganca dhe thjeshtësia”. Ajo shpreh kënaqësinë tek konstaton se si romancieri i saj i preferuar kontrollon; “mjeshtërisht rrëfimin, duke na dhënë përzierjen e absurdes, tragjedinë e thyerjes së brezave me farsën e kompleksitetit moral”. Ndërsa prozën dhe poezinë  autorja e sheh edhe si dialog shumëdimensional e gjithpërfshirës mbi tema të rëndësishme të kohës. Ndërsa aftësitë letrare, përmes mendimit filozofik i sheh “të penetrojnë në vetëdijen dhe dinamiken e farsave sociale të realitetit prej rëre të shoqërisë”. Nuk mungon as vështrimi i imtë në tekstin e veprave të shqyrtuara duke analizuar edhe frazat e gjata e shumë të kalkualuara, të cilat asaj ia kujtojnë; “stilet letrare të Tolstoit, Dikensit e Konicës”.

Për tekstet e Bjelinskit kur analizonte Pushkinin e Lermontovin thuhej se konkuronin me bukuritë e autorëve që merrte në shqyrtim. Madje në disa raste guxonte tua shkonte në bukuri edhe drithërima shpirti. Gjuha e autores së librit “Në gjurmë të fjalës” përpiqet të shkojë krahas me lartësitë e teksteve që shqyrton. Janë shkruar me bukuri shpirti.

Vlerat letare gjenden te Veprat letrare. Ata nuk krijohen nga kritika dashamirëse. Aq më pak nga tendencat denigruese që udhëhiqet nga mohimi dhe asgjësimi i çdo vlere. Vlerat letrare nuk shtohen, as nuk pakësohen. Në një vështrim mund të thuhet se vlerat ekzistojnë objektivisht, pavarësisht shqyrtimeve letrare. Ndërkohë që është i vërtetë edhe pohimi se kritika ndihmon që këto vlera të bëhen më të dukshme e më joshëse për lexuesin e etur për letërsinë e mirë. Në këtë sens duhen parë vlerat më të mëdha të librit “Në gjurmë të fjalës”, e shkrimtares, poetes dhe publicistes shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu.

* Parathënie e librit “Në gjurmë të fjalës”,- Vështrime e Kritika Letrare e autores, Raimonda Moisiu

Filed Under: ESSE Tagged With: Izet Duraku-Raimonda Moisiu-Gjurme vlerash

KERKOHEN DY METRA VEND PER BUSTIN E ANTON ÇETES….

November 5, 2019 by dgreca

Nga Nue Oroshi/

Edhe pas 24 vjetësh të kalimit në amshim Prishtina nuk gjenë dy metra vend për Monumentin e Profesor Anton Çetta/

Sot në Prishtinë është dashur të këtë festë dhe të gjithë shqiptarët së bashku pa dallim feje, krahine apo ideje ta vendosin Monumentin e profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik në Prishtinë.Por fatkeqësia është se një pjesë e elitës politike shqiptare që është në ikje së bashku me kryetarin e Komunës së Prishtinës ShpendAhmetin e penguan këtë festë për profesor Anton Çettën.Edhe sot e kësaj dite Prishtina nuk gjenë një vendë për ta vendosur kolosin e kulturës traditës dhe pajtimit kombëtar profesor Anton Çetta.Kjo ide fillimisht ka ardhurë si fryt i dy shoqatave shqiptare “Trojet e Arbrit” dhe dhe “BISHZ-në” Zvicërr.

Këto dy Shoqata më datën ,7 qershor 2014 në Zvicërr organizuan një akademi shkencore në Solothurn të Zvicrrës ku ju kushtua jetës dhe veprës së profesor Anton Çettës dhe pas kësaj akademie shkencore të dy shoqatat dolën me propozimin e përbashket që Instituti Albanologjik në Prishtinë të merr emrin e professor Anton Çettës si dhe Monumenti i professor Anton Çettës të vendoset para Institutit Albanologjik në Prishtinë. Fatkeqësisht kjo kërkesë e jona tash e pesë vjet u injorua. Tash e pesë vite me radhë është duke shkuar lëmsh lufta në mes të orjentimit perëndimor pro evropian që dëshiron ta ketë Monumentin e profesor Anton Çettës në Prishtinë dhe orjentimit aziatiko-karpatian që janë duke e bllokuar këtë projekt kombëtar.

Edhe pse çdo gjë ishte gati që të vendoset gurëthemeli i Monumentit në oborrin e Institutit Albanologjik në momentin e fundit drejtuesit e Institutit Albanologjik e kundërshtuan këtë ide duke mos e lejuar vendosjen e Monumentit të profesor Anton Çettës.Ndërkohë që Shpend Ahmeti dhe Komuna e Prishtinës edhe pse e kishin lëshuar lejen fillimisht për vendosjën e monumentit ata i hëngren fjalët e tyre dhe e anuluan vendimin e tyre.Kështu që Prishtina e cila ka një hapësirë të madhe nuk po ka mundësi të gjej dy metra vend për të vendosur monumentin e Profesor Anton Çettës në Prishtinë. Vërtetë është tragjike se deri në çfarë shkalle ka ardhur humbja e vetëdijës kombëtare dhe deri në çfarë shkalle janë ardhur një pjesë e politikanëve të Kosovës sa që të kontestohën veprimtarët kombëtar shqiptar vetëm që me veprimtarinë e tyre kanë bërë pajtimin e kombit. Shpend populli ta trogoj vendin në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, njëra ndër këto arsye se pse të gjuajtën nga politika është edhe ky rast i bllokimit të vëndosjes së Monumentit te profesor Anton Çettës në Prishtinë.

Ne do të presim edhe disa muaj se çka do të ndodhë me vendosjën e këtij Monumenti nëse neglizhohen punët ashtu siç janë duke shkuar përseri do te thirrën shqiptarët nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në mënyrë solemne do ta vendosim Monumentin e profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Shpesh e mendoj se si ka mundur ai drejtor i Instutit Albanologjik, ta vendos nënshkrimin për të mos u vendosur Monumenti i profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Mos qofsha në lëkurën e juaj!Kurse at Gjergj Fishta do t´iu thoshte:”Ore te shkretë, ore të mjerë që u ka marrë koka erë.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Nue Oroshi-Anton Ceta

Kosova prezantohet në shtetin Amerikan të Minnesotas

November 5, 2019 by dgreca

-Oda Amerikane prezanton potencialet ekonomike të Kosovës në shtetin Amerikan të Minnesotas/

SAINT PAUL, 5 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI/ Me synim të promovimit të potencialeve për investime në Kosovë, lidershipi i Odës Ekonomike Amerikane ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet ekonomike dhe tregtare, me odat lokale ekonomike, si dhe bizneset nga shteti amerikan i Minnesotas.
Në kuadër të kësaj vizite, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane janë pritur nga Departamenti Ekonomik i Minnesotas, Zyra Tregtare e Minnesotas, Oda Ekonomike e Qytetit të Saint Paul-it, Oda Ekonomike e Shtetit të Minnesotas, por edhe nga kompani individuale, përfshirë edhe kompaninë e fuqishme inovative “3M”.
Delegacioni i Odës Ekonomike Amerikane ka folur për të arriturat e Kosovës përgjatë njëmbëdhjetë viteve si shtet, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin e stabilitetit të përgjithshëm, duke theksuar nevojën e investimeve amerikane jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin. Kosova është prezantuar si një shtet nga i cili kompanitë prodhuese amerikane të cilat do të vendoseshin në Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane do të mund të eksportonin produktet e tyre lehtazi në tregun evropian dhe më gjerë në ato shtete me të cilat Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë.
Ne anën tjetër, Kosova mund të mësojë shumë nga shtetet amerikane, siç është rasti me Minnesotan, e cila duke promovuar një program lehtësirash për investitorët ka arritur të ketë një prani të madhe të kompanive nga lista “Fortune 500” e bizneseve më të fuqishme.
Oda Amerikane ka ftuar për vizitë në Kosovë delegacione tregtare nga shteti i Minnesotas, të cilat do të mund të njoftoheshin nga afër me potencialet ekonomike të shtetit më të ri evropian.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari-Kosova-Minesota-Oda amerikane

Kosova me Amerikën, thellim bashkëpunimi ekonomik

November 4, 2019 by dgreca


UASHINGTON, 4 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI/ Thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë, janë kyçe për stabilitetin e tërë rajonit. Ky ishte konkluzioni kryesor nga takimet e Bordit të Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me anëtarë të Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington. 

-Në Uashington, Bordi i Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë takime me anëtarë të Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni është pritur edhe në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Çështjeve të Evropës Juglindore…/

Njoftimi i dërguar sot thekson se, në takime të ndara me dhjetë ligjvënës amerikanë, lidershipi i Odës Amerikane ka prezantuar zhvillimet e shumta në Kosovë.  Mes tjerash, në këto takime është diskutuar edhe për promovimin më të madh të potencialeve ekonomike të Kosovës nga ana e ligjvënësve amerikanë, dhe organizimin e mundshëm nga ana e tyre të delegacioneve tregtare në Kosovë.

Gjatë dy ditëve, delegacioni i Odës Amerikane ka takuar kongresmenët Eliot Engel, Michael Guest, Dean Philips, Bill Flores, David Price (Kryesues i Partneritetit Demokratik te Kongresit), Mark Wayne Mullin, Adrian Smith, Mike Conaway dhe Tim Burchett. Takim shumë i rëndësishëm ishte ai me Senatorin nga Shteti i Ajovas, Charles Grassley, Kryesues i Komitetit për Financa të Senatit Amerikan, komitet ky i cili mbulon fushën e tregtisë dhe të tatimeve. 

Anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane kanë diskutuar edhe për nevojën e vazhdimit të statusit të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP) për Kosovën, i cili aktualisht u mundëson kompanive prodhuese nga Kosova eksportimin pa doganë të mbi 3,500 produkteve në SHBA, por edhe zgjerimin e listës me produkte të tjera.

Delegacioni i Odës Amerikane është pritur edhe në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Çështjeve të Evropës Juglindore, ku është diskutuar për nevojën që Kosova të demonstrojë stabilitet politik, të vazhdojë reformat në përmirësimin e mjedisit afarist dhe të promovojë tregtinë e lirë. 

Mundësitë e reja të financimit për kompanitë kosovare pas krijimit të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC), janë diskutuar në takim me zyrtarët e Korporatës së Investimeve Private Tejoqeanike (OPIC). 

Pas Uashingtonit, lidershipi i Odës Ekonomike Amerikane do të udhëtojë për në shtetin amerikan të Minnesotas, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me këtë shtet, në të cilin një numër i madh i kompanive nga lista “Fortune 500” e kanë selinë e tyre./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari-Kosove-SHBA- Ekonomi

Thembra e Akilit me Greqinë qëndron Çështja Çame

November 4, 2019 by dgreca

Nga Arben Llalla/

Prej më shumë se 70 vite Çështja Çame është kthyer në ankth për grekët si një nga temat barrierë në marrëdhëniet greko-shqiptare….

Vijat e kuqe midis dy vendeve nuk janë vetëm çështja e pakicës greke që gëzon çdo të drejtë njerëzore e fetare, as çështja e pronave  apo Ligji i Luftës i njëanshëm, por Çështja Çame. Akuza e Greqisë se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë bazohen në fakte të paqarta, pa asnjë dëshmi shkencore, por vetëm me akuza politike. Akuza politike është metodë për t’ju mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Që çamët kanë qenë të rreshtuar në batalionet partizane greke EAM-ELAS dhe ato të Shqipërisë është e vërtetuar nga arkivat greke, shqiptare, bullgare dhe ish-jugosllave, sepse shumë çamë luftuar deri në Bosnjë-Hercegovinë kundër hordhisë naziste.

Çamët nuk ishin shtetas të Shqipërisë, por shtetas të Greqisë me status pakicë kombëtare shqiptare, ndaj përzënia e tyre me përdhunë nga trojet etnike quhet gjenocid, spastrim etnik i territorit.

Prandaj, Shqipëria duhet ta ngrejë Çështjen Çame me këmbëngulje deri në padi penale në Hagë, për një zgjidhje paqësore e të drejtë. Çështja Çame nuk është e nivelit dypalësh, por e nivelit ndërkombëtare, pasi kemi të bëjmë me shkeljet e të drejtave njerëzore e fetare të Konventave Ndërkombëtare, të Marrëveshjes së Lozanës 1923-1924.

Shqipëria nuk duhet të pranojë kushtet e Greqisë të tipit: “Mos e zini Çështjen Çame në gojë se nuk ekziston” apo “fshiheni emrin Çam e Çamëri”. Me këto kushte nuk shkojmë në zgjidhjen e problemeve, por në acarimin e tyre, sepse përderisa ekzistojnë çamët ekziston edhe Çështja Çame, e cila është çështje historike, e të drejtave të njeriut, por edhe çështje politike.

Duke e ngritur Çështjen Çame në nivelet ndërkombëtare e në Hagë, ku palët do parashtrojnë faktet dhe çështja të marrë zgjidhje përfundimtare të drejtë, atëherë do të ishte më lehtë heqja e Ligjit të Luftës dhe dy vendet fqinje mund të rrisin klimën e mirëbesimit, të fqinjësisë së mirë.

Diplomacia shqiptare përballë Greqisë nuk duhet të kënaqet e të synojë njohjen e patentave, vulën apostille, por maja e bisedimeve duhet të jetë Çështja Çame dhe heqja e Ligjit të Luftës. Nuk ka si të ngrihet morali dhe krenaria kombëtare, kur Greqia të njeh patentat apo vulën Apostille, të cilat tek e fundit mbeten vogëlsira.

Filed Under: Politike Tagged With: Arben Llalla-Shqiperi-Greqi-Çeshtja Çame

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT