UASHINGTON, 4 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI/ Thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë, janë kyçe për stabilitetin e tërë rajonit. Ky ishte konkluzioni kryesor nga takimet e Bordit të Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me anëtarë të Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington.
-Në Uashington, Bordi i Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë takime me anëtarë të Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni është pritur edhe në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Çështjeve të Evropës Juglindore…/
Njoftimi i dërguar sot thekson se, në takime të ndara me dhjetë ligjvënës amerikanë, lidershipi i Odës Amerikane ka prezantuar zhvillimet e shumta në Kosovë. Mes tjerash, në këto takime është diskutuar edhe për promovimin më të madh të potencialeve ekonomike të Kosovës nga ana e ligjvënësve amerikanë, dhe organizimin e mundshëm nga ana e tyre të delegacioneve tregtare në Kosovë.
Gjatë dy ditëve, delegacioni i Odës Amerikane ka takuar kongresmenët Eliot Engel, Michael Guest, Dean Philips, Bill Flores, David Price (Kryesues i Partneritetit Demokratik te Kongresit), Mark Wayne Mullin, Adrian Smith, Mike Conaway dhe Tim Burchett. Takim shumë i rëndësishëm ishte ai me Senatorin nga Shteti i Ajovas, Charles Grassley, Kryesues i Komitetit për Financa të Senatit Amerikan, komitet ky i cili mbulon fushën e tregtisë dhe të tatimeve.
Anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane kanë diskutuar edhe për nevojën e vazhdimit të statusit të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP) për Kosovën, i cili aktualisht u mundëson kompanive prodhuese nga Kosova eksportimin pa doganë të mbi 3,500 produkteve në SHBA, por edhe zgjerimin e listës me produkte të tjera.
Delegacioni i Odës Amerikane është pritur edhe në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Çështjeve të Evropës Juglindore, ku është diskutuar për nevojën që Kosova të demonstrojë stabilitet politik, të vazhdojë reformat në përmirësimin e mjedisit afarist dhe të promovojë tregtinë e lirë.
Mundësitë e reja të financimit për kompanitë kosovare pas krijimit të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC), janë diskutuar në takim me zyrtarët e Korporatës së Investimeve Private Tejoqeanike (OPIC).
Pas Uashingtonit, lidershipi i Odës Ekonomike Amerikane do të udhëtojë për në shtetin amerikan të Minnesotas, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me këtë shtet, në të cilin një numër i madh i kompanive nga lista “Fortune 500” e kanë selinë e tyre./b.j/