
Të gjitha grupimet shqiptare, pavarësisht konflikteve ndërmjet tyre, mbeteshin të palëkundura: “Për Italinë, në veçanti, tregoheshin të papajtueshëm në çështjen e Vlorës.”
Nga Rafael Floqi
Në vitet 1918–1920, për Italinë, “Vatra” nuk ishte thjesht një shoqatë emigrantësh shqiptarë në Boston. Ajo ishte një qeveri shqiptare pa territor, por me gazetë, diplomatë, financime dhe, mbi të gjitha, me hyrje në politikën amerikane. Pikërisht për këtë arsye Roma e ndiqte me vëmendje veprimtarinë e saj.
Dokumentet e botuara nga Ministria e Jashtme italiane provojnë se diplomacia italiane mblidhte të dhëna për drejtuesit e “Vatrës”, analizonte të kaluarën e tyre politike dhe përpiqej të ndikonte se cilët shqiptarë duhej të përfaqësonin Shqipërinë në Konferencën e Paqes.
Dokumentet italiane zbulojnë vëzhgimin e diasporës shqiptare nga Italia, lidhjet e saj me Washingtonin dhe betejën për shpëtimin e Shqipërisë. Ne librin e botuar me 1921 ‘Çështja e Adriatikut e parë që përtej Atlantikut”, me autor Nicola Zanichelli dalin fakte sesi Italia e mbikëqyrte veprimtarinë e Vatrës.”
Në vitet 1917–1920, Federata Panshqiptare “Vatra” u shndërrua në një nga pengesat më serioze ndaj planeve italiane për kontrollin e Vlorës dhe vendosjen e Shqipërisë nën ndikimin e Romës. Përplasja nuk ishte thjesht një luftë propagandistike ndërmjet një organizate emigrantësh dhe një Fuqie të Madhe. Në qendër të saj qëndronin kontrolli i Adriatikut, Traktati i Fshehtë i Londrës dhe mbijetesa politike e shtetit shqiptar.
Një dokument italian i kohës, në kapitullin “Marrëdhëniet tona me shqiptarët e Amerikës”, na lejon ta shohim këtë konflikt nga këndvështrimi i vetë palës italiane. Teksti është i mbushur me paragjykime dhe cilësime fyese ndaj shqiptarëve, Fan Nolit dhe Vatrës. Por pikërisht nervozizmi i autorit zbulon rëndësinë që Italia i kushtonte veprimtarisë së diasporës shqiptare.
Italianët numëronin anëtarët e Vatrës, ndiqnin zgjedhjet e saj, lexonin “Diellin”, regjistronin votat për memorandumet, raportonin takimet e Nolit, analizonin lidhjet me Crane, Williams, House dhe senatorët amerikanë.
Ky nuk ishte interes i zakonshëm diplomatik. Ishte mbikëqyrja e një kundërshtari politik.
Dokumenti dëshmon se Roma ndiqte me vëmendje mbledhjet, zgjedhjet, memorandumet, telegramet, konfliktet e brendshme dhe lidhjet amerikane të Vatrës. Edhe pse autori përpiqet ta zhvlerësojë veprimtarinë shqiptare, ai pranon pa dashje se diaspora kishte ndërtuar një rrjet të jashtëzakonshëm politik dhe informativ.
Njëqind mijë shqiptarë që bllokuan diplomacinë italiane
Sipas vlerësimit të burimit italian, në Shtetet e Bashkuara jetonin rreth njëqind mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe ishte vendosur në New England, por komunitete shqiptare kishte edhe në Michigan, Ohio, Missouri, Indiana, Montana, California dhe Washington.
Autori italian i përshkruante kolonitë shqiptare si: “Ishuj të vegjël etnikë në detin e gjerë të qyteteve amerikane.”
Megjithëse përdor një ton përçmues, ai pranonte se shqiptarët e Amerikës kishin zhvilluar një vetëdije të jashtëzakonshme politike. Sipas tij, ata ishin, pa përjashtim: “Kafshë politike të mirëfillta, edhe kur konkretisht ishin analfabetë.”
Pas këtij formulimi fyes fshihej një pranim i rëndësishëm: emigrantët shqiptarë, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo arsimimit, ndiqnin me pasion çështjen kombëtare. Ata dhuronin para, mbanin mbledhje, botonin gazeta, dërgonin telegrame dhe krijonin lidhje me politikanë amerikanë.
Burimi italian vëren me habi se: “Çdo shqiptar, sado i varfër, gjen gjithmonë një dollar për ta dhënë për një qëllim politik.”
Kjo aftësi për të mbledhur fonde dhe për t’i shërbyer çështjes shqiptare e bënte diasporën një faktor politik. Italia nuk po përballej vetëm me një numër të vogël intelektualësh, por me një komunitet të mobilizuar që mund të ushtronte ndikim në Shtetet e Bashkuara.
Rrjeti shqiptar i informacionit
Autoritetet italiane ishin veçanërisht të shqetësuara nga shpejtësia me të cilën shqiptarët shkëmbenin informacion. Dokumenti pranon se kolonitë shqiptare kishin:
“Një shërbim të habitshëm informacioni.”
Më tej, autori e përshkruante këtë si: “Një shqisë të gjashtë, pothuajse si ajo e milingonave, për t’i komunikuar njëra-tjetrës lajmet, për t’u mbledhur në kuvende dhe për të udhëtuar për qëllime politike.”
Ky përshkrim tregon se Italia e ndiqte diasporën shqiptare si një rrjet politik ndërkombëtar. Shqiptarët në Boston, Worcester, New Bedford, Cleveland apo Michigan ishin në kontakt me bashkatdhetarët në Londër, Paris, Bernë, Zyrih, Vjenë, Sofje dhe Shqipëri.
Dokumenti italian shprehte habinë se si: “New Bedfordi, Portlandi ose cilido qytet i vogël i Indianës apo Ohios dinte se çfarë bënin shqiptarët e tjerë në Londër dhe në Paris.”
Këto lidhje e bënin të vështirë që planet për copëtimin e Shqipërisë të mbeteshin të fshehta. Informacioni për marrëveshjet diplomatike, lëvizjet e delegacioneve dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha qarkullonte shpejt ndërmjet diasporës dhe atdheut.
Sipas dokumentit: “Çdo komitet i vogël dhe çdo gazetushkë lëshonte memorandume, hartonte projekte dhe dërgonte telegrame e kabllograme.”
Telegramet u drejtoheshin ambasadorëve, senatorëve, personaliteteve me ndikim, kryetarëve të shteteve dhe Fuqive ndërluftuese. Me fjalë të tjera, emigrantët shqiptarë kishin ngritur një diplomaci paralele në një kohë kur shteti shqiptar nuk kishte përfaqësim të fuqishëm.
Përse Vlora ishte zemra e konfliktit
Për Italinë, Vlora ishte çelësi strategjik i Adriatikut. Gjiri i Vlorës, Sazani dhe Karaburuni kontrollonin Ngushticën e Otrantos, hyrjen nga Mesdheu në Adriatik.
Traktati i Fshehtë i Londrës, i nënshkruar më 26 prill 1915, i premtonte Italisë Vlorën, Sazanin dhe territore përreth. Shqipëria e mbetur do të kthehej në një shtet të dobët, të varur nga Roma dhe të rrethuar nga fqinjët që kërkonin territoret e saj.
Për Vatrën, Vlora nuk ishte vetëm një port ose bazë detare. Ishte qyteti ku ishte shpallur Pavarësia më 28 nëntor 1912. Humbja e saj do ta zhvlerësonte aktin themelues të shtetit shqiptar.
Burimi italian e pranonte se çështja e Vlorës i jepte Vatrës dhe Nolit një argument të fuqishëm patriotik. Ai e quante atë:
“Çështja e përhershme dhe e debatuar e Vlorës.”
Madje, autori detyrohej të pranonte se të gjitha grupimet shqiptare, pavarësisht konflikteve ndërmjet tyre, mbeteshin të palëkundura: “Për Italinë, në veçanti, tregoheshin të papajtueshëm në çështjen e Vlorës.”
Në një pjesë tjetër ai pohonte: “Është e drejtë të kujtohet se ata e ruajtën gjithmonë, pa ndryshim, rezerva pёr Vlorën dhe qëndruan konsekuentë deri në fund.”
Ky është ndoshta pranimi më i rëndësishëm i dokumentit. Italia mund t’i shfrytëzonte përçarjet ndërmjet Vatrës dhe Partisë Kombëtare Shqiptare, por nuk mund t’i bindte shqiptarët të hiqnin dorë nga Vlora.
Si e ndiqte Italia Vatrën
Dokumenti dëshmon se përfaqësuesit italianë ndiqnin thuajse çdo veprim të Vatrës: mbledhjet, zgjedhjet, memorandumet, diskutimet e brendshme, përplasjet me grupet kundërshtare dhe lidhjet me politikanët amerikanë.
Në korrik 1918, Vatra zhvilloi zgjedhjet për drejtimin e saj. Burimi italian jep hollësi jo vetëm për rezultatin, por edhe për mbledhjet e komisioneve të financave, shtypit, marrëdhënieve politike dhe korrespondencës.
Arbëreshi që ndihmoi në përgjimin e “Vatrës” ishte Giorgio La Piana (Gjergj La Piana), studiues dhe klerik arbëresh, i cili më vonë u bë profesor në Harvard Divinity School.
Sipas materialeve të nxjerra nga arkivat amerikane, gjatë hetimit të vitit 1918 autoritetet amerikane vendosën aparate dëgjimi:
në zyrat e “Vatrës”;
në dyqanin e Kristo Kirkës;
pranë mjediseve të Fan Nolit.
Meqë agjentët amerikanë nuk kuptonin shqip, ata kërkuan përkthyes. Giorgio La Piana ndihmoi në dëgjimin dhe përkthimin e bisedave të regjistruara në shqip. Krahas tij u përdorën edhe aktivisti greko-shqiptar Liolion dhe motrat Qiriazi.
Pra, La Piana nuk ishte agjent zyrtar i shërbimit sekret italian. Më saktë, ai ishte arbëreshi që bashkëpunoi me autoritetet amerikane në mbikëqyrjen e “Vatrës” dhe Fan Nolit. Hetimi ishte nxitur nga akuzat e qarqeve greke dhe italiane se “Vatra” financohej nga Austro-Hungaria—akuzë që synonte ta paraqiste organizatën si të lidhur me një shtet armik të SHBA-së.
Ai dinte madje çfarë dokumentesh ishin diskutuar me dyer të mbyllura. Një prej tyre ishte memorandumi kundër Italisë, i përgatitur me nismën e Fan Nolit dhe me bashkëpunimin e sekretarit Loni Kristo.
Dokumenti italian shkruante: “Ndër letrat dhe komunikimet e diskutuara ishte një memorandum i paraqitur Wilsonit kundër Italisë, me nismën e Nolit.”
Burimi ndiqte edhe polemikat rreth mënyrës se si ishte miratuar memorandumi, numrin e nënshkrimeve dhe votat kundër. Sipas tij, dokumenti mori më pak se dyzet nënshkrime dhe dymbëdhjetë vota kundër nga gjashtëdhjetë votues.
Informacionet italiane shkonin edhe më tej. Autori pohonte se Noli, i kritikuar për veprimin e tij, kishte thënë se ishte këshilluar nga: “Njerëz më të mëdhenj se ai.”
Pastaj paraqiten hamendësime për rolin e George Fred Williamsit, profesorit Monroe, George Herronit dhe kolonelit Edward House. Autori pretendonte se Williamsi mund të kishte qenë këshilltari ose hartuesi i memorandumit, ndërsa profesor Monroe mund ta kishte kërkuar dokumentin për t’ia paraqitur kolonelit House.
Edhe kur këto pohime nuk shoqërohen me prova përfundimtare, ato tregojnë se qarqet italiane kërkonin të zbulonin rrugën që ndiqnin memorandumet shqiptare deri në Shtëpinë e Bardhë.
Noli, Vatra dhe Charles R. Crane
Vatra ishte njohur ligjërisht në Shtetet e Bashkuara si Federata Panshqiptare. Megjithëse kishte rreth pesëqind anëtarë formalë, dokumenti italian pranonte se ajo ishte: “Shumë më e fuqishme nga sa mund të mendohej duke parë numrin e vogël të anëtarëve.”
President nderi i saj ishte Charles R. Crane nga Chicago, një personalitet amerikan me lidhje të gjera politike, diplomatike dhe arsimore. Crane kishte shërbyer në Kinë, ishte dërguar në Rusi në emër të presidentit Wilson më 1917 dhe ishte prej kohësh anëtar i bordit të Robert College në Kostandinopojë.
Për diplomacinë italiane, lidhja e Vatrës me Crane ishte alarmuese. Ajo tregonte se çështja shqiptare mund të arrinte në nivelet e larta të politikës amerikane. I biri i tij Charles Crane punonte ne administratën e Presidentit Wilson.
Një figurë tjetër e rëndësishme ishte George Fred Williams, ish-ministër amerikan në Greqi, i njohur për mbrojtjen e shqiptarëve. Dokumenti italian e quante atë: “Këshilltarin dhe frymëzuesin e fshehtë të veprimeve më të guximshme të Nolit.”
Ky cilësim mund të jetë pjesë e interpretimit polemik të autorit, por dëshmon frikën se Vatra nuk vepronte e izoluar. Ajo kishte krijuar një rrjet amerikan mbështetjeje që përfshinte diplomatë, profesorë, senatorë dhe aktivistë të çështjes shqiptare.
Noli në jahtin presidencial
Një nga episodet më domethënëse të raportuara nga burimi italian lidhet me praninë e Nolit në një udhëtim presidencial në lumin Potomac.
Sipas dokumentit, George Herron kishte shërbyer për një kohë të gjatë si ndërmjetës i Nolit. Më pas thuhet: “Një ditë Noli u shfaq në jahtin presidencial gjatë një udhëtimi në Potomac.”
Prania e tij, sipas autorit, shkaktoi habinë e ambasadorëve të Italisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët ndodheshin aty dhe e raportuan menjëherë ngjarjen. Ky episod, pavarësisht mënyrës polemike se si paraqitet, tregon se qarqet diplomatike italiane vrojtonin deri edhe kontaktet shoqërore të Nolit me njerëzit pranë administratës Wilson.
Shqetësimi nuk lidhej vetëm me faktin se Noli mund të takohej me zyrtarë amerikanë. Problemi ishte se ai mund t’u paraqiste drejtpërdrejt çështjen shqiptare njerëzve që ndikonin mbi politikën e presidentit.
Dokumenti pohonte gjithashtu: “Memorandumi iu paraqit Wilsonit nga disa senatorë demokratë.”
Pra, Vatra nuk kufizohej në protesta brenda komunitetit shqiptar. Ajo po përdorte institucionet e demokracisë amerikane për të çuar kërkesat e Shqipërisë deri te presidenti.
Italia lexonte “Diellin” çdo ditë
Gazeta “Dielli” ishte një nga mjetet kryesore të betejës politike të Vatrës. Ajo denonconte Traktatin e Londrës, pretendimet italiane mbi Vlorën dhe çdo projekt për vendosjen e Shqipërisë nën protektoratin e Romës.
Dokumenti italian dëshmon se shkrimet e “Diellit” ndiqeshin rregullisht. Autori ankohej se Italia vazhdonte t’i besonte Vatrës, ndërkohë që: “Çdo ditë në ‘Dielli’, organi i përditshëm i Vatrës, lexoheshin sulmet më të rënda kundër Italisë dhe italianëve.”
Ky pohim tregon se shtypi shqiptar në Amerikë kontrollohej dhe analizohej nga përfaqësuesit italianë. Artikujt nuk konsideroheshin thjesht shprehje të një komuniteti emigrantësh. Ata shiheshin si pjesë e një fushate që mund të ndikonte opinionin publik amerikan.
Italia përpiqej ta paraqiste “Diellin” si një organ të verbër antiitalian. Në thelb, megjithatë, gazeta kundërshtonte politikën territoriale të qeverisë italiane dhe jo popullin italian.
Për Romën, rreziku ishte i qartë: argumentet e “Diellit” mund të bindnin amerikanët se Italia, ndonëse aleate në luftë, po përpiqej të realizonte një projekt kolonial në Shqipëri.
Kol.Castoldi dhe përpjekja për ta kontrolluar Vatrën
Qarqet italiane nuk u mjaftuan vetëm me vëzhgimin. Ato u përpoqën të ndikonin në drejtimin politik të Vatrës.
Koloneli Castoldi, i cili në Ministrinë e Jashtme italiane merrej me çështjet shqiptare, i dërgoi urime Kostë Tromarës pas zgjedhjes së tij si president i Vatrës.
Ky veprim shkaktoi habi te gazeta “Albania”, (2) organ i kombëtarëve që botohej në Zvicër. Ata e interpretuan si provë se Italia po përpiqej të siguronte ndikim mbi drejtimin e Federatës. Ambasadori italian zhvilloi më pas një bisedë me Tromarën. Sipas dokumentit, Tromara u shpreh i gatshëm të shqyrtonte një mirëkuptim italo-shqiptar. Por ambasadori kërkoi që ai të paraqiste me shkrim: “Qëndrimin aktual të Vatrës, kërkesat për përfaqësuesin në Itali dhe vijën që ‘Dielli’ do të ndiqte ndaj Italisë.”
Kjo kërkesë ishte, në thelb, një përpjekje për të zbuluar dhe ndikuar politikën e ardhshme të Federatës dhe të organit të saj.
Përgjigjja e Tromarës nuk ishte ajo që Roma priste. Vatra pranonte se një mirëkuptim italo-shqiptar mund të ishte i dëshirueshëm, por vendoste kushte të rënda:
largimin e Esad Pashës nga kombinimet politike;
hedhjen poshtë të Traktatit të Londrës;
bashkimin e Kosovës dhe Çamërisë me Shqipërinë;
mosprekjen e Vlorës.
Ambasadori italian raportoi në Romë më 8 nëntor 1918: “Ai dikton kushte dhe nuk merr përsipër asnjë angazhim.”
Ky raport tregon se Italia nuk arriti ta shkëpuste Vatrën nga programi i saj kombëtar.
Telegrami drejtuar Wilsonit
Më 29 dhjetor 1918, Vatra organizoi një miting ku folën George Fred Williams dhe Fan Noli. Në këtë mbledhje u vendos të kërkohej mbështetja amerikane kundër politikës italiane.
Më 5 janar 1919 u njoftua se Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri, Mihal Turtulli, Fan Noli dhe figura të tjera do të niseshin drejt Konferencës së Paqes në Paris.
Edhe kundërshtarët e Vatrës nuk qëndruan pasivë. Më 11 janar 1919, Kristo Dako, Mihal Grameno dhe Parashqevi Qiriazi i dërguan presidentit Wilson një telegram në emër të 80 mijë shqiptarëve të Amerikës:
“I drejtohemi Njeriut të Madh universal që të ndërhyjë pranë Qeverisë italiane.”
Në telegram kërkohej që Shqipëria të gëzonte: “Pavarësi të plotë, pa asnjë protektorat, brenda kufijve të saj etnografikë dhe natyrorë.”
Dokumenti italian e lidhte këtë telegram me frikën se Wilsoni mund të përpiqej t’i pajtonte Italinë dhe Jugosllavinë në kurriz të Shqipërisë.
Kështu, edhe përçarja e diasporës shqiptare kishte një kufi të pakalueshëm: as Vatra dhe as Partia Kombëtare Shqiptare nuk pranonin dorëzimin e Vlorës.
Apeli në Senatin amerikan
Në qershor 1919, shqiptarët e Amerikës e çuan çështjen përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Një komunikatë e datës 13 qershor 1919 deklaronte: “Shqiptarët nga të gjitha pjesët e botës po bëjnë një përpjekje të fundit dhe të dëshpëruar për ta shpëtuar vendin e tyre.”
Sipas komunikatës, Shqipëria rrezikonte: “Ndarjen ndërmjet Italisë, Greqisë dhe Serbisë.”
Apeli iu paraqit senatorit Henry Cabot Lodge, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, nga George A. Plimpton, S. Arthur Baldwin dhe Kristo Dako. Teksti iu dërgua me kabllogram edhe presidentit Wilson në Paris.
Ky veprim shpjegon përse Italia e ndiqte kaq nga afër diasporën. Çështja shqiptare kishte kaluar nga mbledhjet e emigrantëve në një komision të fuqishëm të Senatit amerikan.
Italia e kishte kuptuar fuqinë e diasporës shqiptare
Dokumenti italian përpiqet vazhdimisht ta zhvlerësojë veprimtarinë shqiptare duke folur për “utopizëm”, “shovinizëm” dhe ndikime të huaja. Megjithatë, në një çast sinqeriteti, autori pranon:
“Është e vështirë të mbivlerësohet pesha e njëqind mijë shqiptarëve amerikanë.”
Kjo fjali shpjegon pothuajse gjithçka.
Diaspora kishte peshë jo vetëm për shkak të numrit, por për shkak të organizimit, financimit dhe vendndodhjes së saj. Shqiptarët jetonin në një vend që po hynte si faktor vendimtar në politikën botërore.
Ata kishin mundësi t’u shkruanin senatorëve, të botonin në shtypin amerikan, të organizonin peticione, të financonin delegatë dhe t’i drejtoheshin presidentit. Shqipëria mund të ishte e pushtuar, por çështja shqiptare nuk mund të izolohej.
Nga mbikëqyrja te dështimi italian
Italia e vëzhgoi Vatrën, analizoi “Diellin”, ndoqi memorandumet, raportoi takimet e Nolit dhe kërkoi të shfrytëzonte përçarjet brenda diasporës. Ajo u përpoq të siguronte bashkëpunimin e drejtuesve shqiptarë, por pa hequr dorë nga Vlora dhe përfitimet e Traktatit të Londrës.
Këtu qëndronte kontradikta themelore e politikës italiane: Roma kërkonte mirëkuptimin e shqiptarëve, ndërsa njëkohësisht këmbëngulte të mbante qytetin që simbolizonte pavarësinë e tyre.
Vatra nuk e rrëzoi e vetme projektin italian. Vendimtare ishin edhe kundërshtimi i Wilsonit ndaj marrëveshjeve të fshehta, Kongresi i Lushnjës, mobilizimi kombëtar dhe Lufta e Vlorës.
Por Vatra luajti një rol të pazëvendësueshëm: ajo e mbajti çështjen shqiptare të hapur në Shtetet e Bashkuara dhe e shndërroi Vlorën nga një pretendim territorial italian në një provë të parimeve të shpallura nga Wilsoni.
Përfundim
Italia e luftonte Vatrën sepse Vatra godiste në zemër të strategjisë italiane për Adriatikun. Federata kundërshtonte pushtimin e Vlorës, protektoratin italian dhe Traktatin e Fshehtë të Londrës. Ajo kishte gjithashtu atë që Shqipërisë së pushtuar i mungonte: lirinë për të folur, mjete financiare, shtypin, organizimin dhe lidhjet me politikën amerikane.
Italianët numëronin anëtarët e Vatrës, ndiqnin zgjedhjet e saj, lexonin “Diellin”, regjistronin votat për memorandumet, raportonin takimet e Nolit, analizonin lidhjet me Crane, Williams, House dhe senatorët amerikanë. Ky nuk ishte interes i zakonshëm diplomatik. Ishte mbikëqyrja e një kundërshtari politik.
Italia kishte ushtrinë, flotën dhe bazat në Adriatik. Vatra kishte fjalën, diasporën dhe hyrjen në Washington. Në fund, Vlora mbeti shqiptare dhe projekti i copëtimit dështoi.
Për Italinë, Vlora ishte porta e Adriatikut. Për Vatrën, ajo ishte porta e pavarësisë.
Në thelb, Italia nuk e ndiqte “Vatrën” nga kureshtja. Ajo mbronte një projekt gjeopolitik. Sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, Roma pretendonte Vlorën, ishullin e Sazanit dhe një pozitë kontrolluese mbi Shqipërinë.
“Vatra” i prishte këtë skemë në tri drejtime: e demaskonte në shtypin amerikan, mobilizonte diasporën dhe përpiqej ta kthente çështjen shqiptare në problem moral për presidentin Wilson.
Prandaj emrat e vatranëve regjistroheshin, e kaluara e tyre politike analizohej dhe delegatët e tyre përpiqeshin të zëvendësoheshin. Italia kishte anije përballë Vlorës; “Vatra” kishte gazetën, memorandumin dhe derën e Uashingtonit.
Dhe, në fund, Roma kuptoi se një shoqatë emigrantësh në Boston mund të ishte po aq e rrezikshme për planet e saj sa edhe një ushtri në brigjet e Vlorës.