
Prof. Hasan Bello/
Protesta dhe lëvizja qytetare që vijon prej gati dy muajsh tregon se në fakt ekzistojnë dy Shqipëri dhe shoqëri shqiptare. Një e atyre që qeverisin dhe grabisin atdheun për 35 vjet, duke deformuar vullnetin popullor nëpërmjet zgjedhjeve (të trukuara), manipulimeve dhe krimit të organizuar dhe një Shqipëri reale, e cila po zhduket nga dita në ditë.
Unë jam në anën e protestuesve dhe protestues, pavarësisht jam apo s’jam dakord me ide dhe pikëpamje të ndryshme që hidhen nga folës të shumtë çdo mbrëmje.
Protesta tregoi se kombi shqiptar ndjehet i vjedhur, i grabitur, i keq qeverisur nga një grup politikanësh që prodhoi Ramiz Alia dhe ish-Sigurimi i Shtetit për të vijuar sundimin e tyre. Por, që me kalimin e kohës u konvertuan në kleptokratë dhe bashkëpunëtorë të koniukturave ballkanike dhe ndërkombëtare, duke vijuar të mbanin pushtetin në emër të stabilitetit politik. Kjo, sigurisht duke shitur interesat e shqiptarëve sa herë që u rrezikohej pushteti ose duke korruptuar me para dhe burime natyrore përfaqësues të ndryshëm të koniukturave ndërkombëtare.
Me para dhe favore, politikanët kanë korruptuar gazetarë, media dhe përfaqësues nga të gjitha shtresat, që sidoqoftë përbëjnë pakicën e shoqërisë, për t’i mbushur mendjen popullit se protestuesit janë përfaqësues të shteteve dhe agjenturave të ndryshme. Jo! Në të vërtetë janë ata që po e shkatërrojnë këtë komb nga dita në ditë. Protestuesit përbëjnë ajkën dhe palcën e kombit.