
Julika Prifti/
Premiera e operës “Legjenda e Rozafës” në 22 korrik, 2026 në TKBO, Tiranë, do mbetet nga netët më mbresëlënëse të artit jo vetëm se u ngjit në skenë pas 57 vitesh të krijimit të saj, por sepse është një vepër e arrirë shqiptare e të gjitha kohërave. Krijuesit e saj, kompozitori Ndoc Pistulli dhe libretisti Zef Zorba kanë bashkuar në mënyrë të rrallë ndjeshmërinë e njëri-tjetrit dhe mjeshtërinë artistike duke krijuar një lidhje të fuqishme mes fjalës dhe muzikës. Është një bashkëpunim artistik ku çdo frazë gjen “notën” e saj muzikore dhe jehonën ndjesore.
Opera të rrëmben që në notat e para dhe nuk të lëshon deri në fund. Shpesh më sillte vegime nga “The Ring” i Wagner-it, për nga forca dramatike, fuqia e dialogut dhe pesha e muzikës. Ashtu si veprat e Wagnerit, edhe “Legjenda e Rozafes” është një operë që i kapërcen kufijtë e kohës, e destinuar të jetë e tillë për shkak se është krijuar nga dy artistë të vërtetë e të mëdhenj, me një dashuri të madhe për atdheun, traditat e kulturën shqiptare.
Me pëlqeu veçanërisht përzgjedhja e një varianti të vjetër të legjendës, ku Rozafa vetëflijohet me dëshirë për të mirën e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve e nuk muroset me forcë. Ky akt e ngre figurën e saj edhe më lart veçanërisht në një kohë kur idealet e larta duken se nuk ekzistojnë më.
Nuk e kisha parë sallën e TKOB-së të mbushur aq plot edhe pa praninë e autoriteteve të larta, si Kryeministër, President, ministra, etj. Shumë spektatorë kishin ardhur nga Shkodra (vendbanimi i krijuesve) dhe qytete të tjera të Shqipërisë, si edhe nga Evropa dhe Amerika. Ata kishin dijeni për historinë e krijimit të veprës e fjetjen në sirtar për mbi pesë dekada dhe, me dëshirë e kureshtje donin të shihnin premierën dhe shfaqjen e vetme të “Legjendës së Rozafës”.
Atë natë ndiheshe sikur ishe në një nga operat e mëdha botërore prej fustaneve të gjata e elegante të zonjave e zonjushave, kostumeve të zeza ceremoniale të burrave me kravata e papionë, buqetat e shumta me lule të artdashësve.
Opera shkëlqeu si për kompozimin dhe libretin e saj, ashtu edhe për interpretimin e jashtëzakonshëm të sopranos Nina Muho. Me elegancë fizike dhe zë magjepës në interpretimin skenik, ajo la një mbresë të pashlyeshme tek publiku që shpërthente në duartrokitje shpesh pa mbaruar akti. Po aq të spikatur ishin edhe interpretimet nga Denis Skura, Armondo Likaj, Solen Alla, Bledar Domi, dhe Matias Xheli. Secili prej tyre e ndërtoi personazhin me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe empati, duke krijuar një ansambël të harmonizuar me shumë forcë dramatike dhe emotionionale. Kori i vogël i Operës i përgatitur nga Suzana Turku ishte bashkëshoqërues dhe amplifikues i shkëlqyer i veprës, dhe kostumet nga Iliriana Basha sillnin në skenë kohën e legjendës.
Skenografia ishte konceptuar e realizuar me ngarkesë simbolike dhe emocionale nga skenografi dhe regjisori Andis Gjoni. Një kala që ndërtohej dhe mure që shkëputeshin nga ajo, një ekran që projektonte pamje të furtunave e liqenit të Shkodrës krijonin një univers skenik në lidhje organike me tërë veprën.
Suksesi i Rozafës është meritë e dirigjentit Gridi Kraja. Përpara se të dirigjonte operën, Kraja kreu orkestrimin e materialeve pianistike të Ndoc Pistullit për orkestrën simfonike të TKOB. Tek ai bashkohen përkushtimi, talenti dhe aftësitë e një artisti që e njeh gjuhën muzikore të kompozitorit dhe arrin të përcjell tek spektatori fuqinë, ngjyrat dhe dimensionet dramatike të kësaj vepre.
“Legjenda e Rozafës”, ashtu si në zanafillën e saj, mblodhi rreth vetes artistë të vërtetë, të cilët punuan me përkushtim dhe këmbëngulje për t’i dhënë jetë një vepre, që ishte lënë në gjumë për disa dekada. Pas premierës ajo nuk do duhet të bjerë më në gjumë, por të hyjë në repertorin e TKOB-së dhe të shfaqet në turne botërore. Duartrokitjet e shumta dhe buqetat mbushën skenën e natës së premierës, aq sa mund të thuash se artistët e operës Legjenda e Rozafës ecnin mbi lule.
Drejtori i TKOB-së, Aulon Naçi, ka zgjedhur një rrugë të guximshme por të drejtë për ta ngritur operën shqiptare në lartësi të reja. Këtë herë guximi u shpërblye me një sukses të jashtëzakonshëm. Familjarët e Ndoc Pistullit dhe Zef Zorbës, që më në fund panë në skenë veprën e të dashurve të tyre të talentuar, me siguri kanë përjetuar një krenari të pafundme.
Opera shqiptare “Legjenda e Rozafës” është dëshmi se arti i vërtetë nuk ka kohë.