
Fadil Ferizi/
Ka popuj që, pasi fitojnë lirinë, ndërtojnë shtetin. Ka edhe politikanë që, pasi e trashëgojnë shtetin, sillen sikur Republika u është lënë me testament nga familja.
Kosova u përball me perandori, pushtime, ndarje, burgje, dëbime dhe luftë. Për shekuj me radhë, të tjerët vendosën për fatin e saj. Sot, shqiptarët e Kosovës e kanë shtetin e tyre. Por pikërisht tani, partitë po dëshmojnë se është më e lehtë ta kërkosh lirinë sesa të dish ta qeverisësh atë.
Perandoria Osmane na sundoi. Serbia dhe Mali i Zi na pushtuan. Fuqitë e Mëdha na lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Mbretëria jugosllave na mohoi. Jugosllavia socialiste e mbajti Kosovën brenda kufijve që vulosën ndarjen shqiptare, ndërsa regjimi i Millosheviqit na hoqi autonominë, institucionet dhe të drejtat politike.
Por Kosova nuk u shua.
Ajo jetoi në mendimin e Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit, në qëndresën e Adem Demaçit, në urtësinë politike të Ibrahim Rugovës, në sakrificën e familjes Jashari, në luftën e UÇK-së, në shkollat shtëpi, në burgjet e mbushura me veprimtarë dhe në mërgatën që mbajti gjallë një vend të tërë.
Shqipërinë nuk e bënë partitë e sotme. Atë e themeluan, e mbrojtën dhe e përfaqësuan Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Fan Noli, Faik Konica dhe brezat që sakrifikuan për të.
Kosovën nuk e bënë zyrat e partive. E bënë të rënët, të burgosurit, luftëtarët, mësuesit, minatorët, mjekët, mërgimtarët dhe aleatët që na dolën në krah kur rrezikohej ekzistenca jonë.
Pastaj erdhi liria. Më pas pavarësia. Bashkë me to erdhi edhe një soj politikani që e do Republikën me gjithë zemër, por vetëm me kusht që Republika t’i bindet partisë së tij.
Kosova votoi më 9 shkurt 2025. Pas muajsh bllokade institucionale dhe dy përpjekjesh të pasuksesshme për zgjedhjen e qeverisë, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor 2025.
Pas krijimit të institucioneve të reja, Kuvendi dështoi ta zgjidhte presidentin brenda afatit kushtetues. Vendi u kthye sërish te kutitë e votimit më 7 qershor 2026.
Tri palë zgjedhje parlamentare brenda gjashtëmbëdhjetë muajve. Jo sepse qytetarët nuk folën, por sepse partitë nuk arritën ta shndërronin votën në bashkëpunim dhe qëndrueshmëri institucionale. Populli foli tri herë. Politika, tri herë, nuk diti ta dëgjonte deri në fund.
Kjo nuk është madhështi demokratike. Është varfëri politike.
Zgjedhjet janë mjeti i demokracisë, jo streha ku fshihen politikanët kur nuk dinë të merren vesh. Demokracia nuk përfundon me numërimin e votave. Ajo fillon me aftësinë për ta shndërruar votën në institucione.
Partitë tona janë të vogla, por egot e tyre janë të mëdha. Republika është e re, por durimi i saj po trajtohet sikur të ishte i pafund. Secila parti flet në emër të popullit, ndërsa asnjëra nuk pranon se edhe kundërshtari përfaqëson një pjesë të po atij populli.
Tek ne, partia nuk kënaqet duke përfaqësuar një pjesë të qytetarëve. Ajo dëshiron ta ketë popullin të tërin, Republikën të nënshtruar dhe shtetin në shërbim. Kur nuk i merr të gjitha, sillet sikur nuk ka marrë asgjë.
Në kancelaritë e botës nuk maten britmat tona patriotike. Atje matet serioziteti i shtetit. Matet aftësia e Kosovës për të krijuar institucione, për të respektuar Kushtetutën, për të zbatuar marrëveshjet dhe për të qenë aleate e besueshme. Bota nuk ka kohë të merret me krenarinë e kryetarëve tanë.
Kosova ka nevojë për Shqipërinë. Shqipëria ka nevojë për Kosovën. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe Greqi kanë nevojë për dy republika të forta, të mençura dhe të bashkërenduara.
Ndërsa rajoni ndryshon dhe fuqitë e mëdha ripozicionojnë interesat e tyre, ne shpenzojmë energjinë duke u marrë me njëri-tjetrin, sikur historia të na kishte falur përjetësinë.
Dikur na ndanë të tjerët. Sot rrezikojmë t’ua hapim vetë derën, duke e copëtuar interesin kombëtar në çifligje partiake.
Republika është më e madhe se çdo parti. Kushtetuta është më e lartë se çdo ideologji. Kosova është më e shtrenjtë se karriera e çdo politikani.
Dinjitet për Republikën. Turp për çdo parti që, për të mos humbur një betejë të vogël, e lë Kosovën pa institucione funksionale.