• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

Ethet e 8 dhjetorit

November 25, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Nuk e di përse cave u duket kaq vulgare thirrja e Ilir Metës për protesta pikërisht më 8 dhjetor. E quajnë revolucion dhe se revolucionet janë të dëmshme. Megjithëse duhet theksuar që ulërasin kështu bijtë e revolucionarëve dhe ata që mbajnë sytë për ndonjë kockë. Por në fund të fundit vendi i paradokseve jemi dhe mund të ndodhi që të shporrim Ilir Metën me Ilirin a me presidentit. Ja disa shpjegime pse jemi vend i paradoksit.
Thirrja që një president i bën shoqërisë për të dalë në protestë afërmendsh është e pa precedentë. Konteksti me protesta apo imazhi anti-qeveri në një vend me kulturë të freskët ku qeveria vetëm duartrokitet etj., në një vend me kulturën e 1 majit piknik dhe jo të indinjatës, në një vend me kulturën e 5 majit të dëshmorëve dhe jo martirëve etj., afërmendsh stonon. Tek ne qeveria ka gjithmonë të drejtë edhe kur na shkërdhen, edhe kur na mbyt me të dyja duart, madje ne i japim forcë me solidaritet e urra aq sa e vdesim me pasionin më të madh jo shokun e shkollës, jo vetëm fqinjin a fqinjën, por edhe vëllain a motrën. Po ç’vëlla? Edhe nënën e babën, gjyshin, gjyshen. Kurse dajës, hallës a xhaxhait dhe kushurinjëve ua lërojmë me prag shtëpie ku t’i kenë.

Kësisoj për kulturën tonë bastarde është e logjikshme të të duket po aq bastarde që një president i kërkon popullit të ngrihet e të protestojë kundër qeverisë në mbrojtje të kapjes së Kushtetutës. Kësisoj në shoqërinë tonë bastarde thirrja e Presidentit është afërmendsh bastarde, afërmendsh është thirrja e armikut të klasës që kërkon të na prishin unitetin parti-popull, afërmendsh është revolucion bastard i imperialistëve amerikanë dhe social-imperialistëve sovjetikë etj. Dhe këtë ta thonë pikërisht ata që në emër të popullit e në faqe të Zotit, me revolucion bastard trodhën çdo vlerë kombëtare, pra bastardët. Ata që ia morën pronën tjetrit duke i thënë dil përjashta se je armik, se je borgjez, se je bastard se dua unë bastardi. Kështu dhe nuk e luan topi.

Por është thirrja më normale. Madje më e domosdoshmja, sidomos kur mendon se si opozitarizmi që paguhet për opozitarizëm, qesh dhe mjaftohet duke denoncuar. Aq sa sot thuajse e gjithë fryma opozitare është një shoqëri kineze e denoncimit dhe aq. Një kulturë virtuale e memeve me diçitura bajate dhe aq. Edi Rama prapë vret e pret si i do qejfi. Prapë qeveris dhe kërcënon me gisht pavarisht se bekoi me shpurë juristësh, me dhunë, jo një por disa të kërkuar ndërkombëtarë të drejtësisë disa mashtrues ordinerë në faqe të gjithëve përmes një palë votimeve palaço nga koha e diktaturës së proletariatit. Dhe kurrë nuk u skuq, kurrë nuk pranoi madje i mbrojti. Do vazhdoj të qeverisi e të na japi show me shallvare a bollka, show me gjuhën jashtë e me gishtin në bythë. Një opozitarizëm i tëri i përfshirë në një kulturë bastarde të bërjes sehir dhe aq, sikur të jenë të gjithë pa këmbë e pa dhëmbë. Megjithëse fryma e antibarstardimit ka filluar të shfaqet deri me banderola stadiumesh, IK, prapë presim.

Shumë njerëz pyesin dhe me të drejtë, se, kush është është sot kryeopozitari real Lul Basha apo Ilir Meta ? Nuk ka asnjë diskutim që është Ilir Meta, prandaj dilni, biles shkoni tek presidenca dhe priteni atje tek kangjellat. Ose shkoni dhe nxirreni nga deklaratat se është koha e veprimit. Mjaft me ta shohësh, bastardizmi u ka infektuar kolektivisht. Fillojeni që sot 8 dhjetorin se për Lulzim Bashën 8 dhejtori do kaloj me një denoncim dhe me përshëndetjen e studentëve për një Shqipëri si Europa dhe kaq. Sepse ka hallin e vet, jo të shoqërisë.

Jo në 8 dhjetor, por sot shqiptarët duhet t’i bashkohen Ilir Metës jo më për ‘të por për veten e tyre. Por edhe për të rrëzuar versionin Ilir Meta. Në një farë mënyre Ilir Meta mund të rrëzojë edhe vilaxhiun Ilir Meta. Këtë nuk po bën as Rama e as Luli të paktën ky po thotë eja të shembim të vjetrën. I pari po u hedh hi syve duke u folur se si do ruaj kopenë me ujqër të stërvitur mirë. I dyti po fle gjumë me buzëqeshje duke pritur dardhën nën dardhë. Ju thoni që janë një soj të gjithë, të paktën Ilir Meta u thotë ejani të rrëzojmë sojin tim ata nuk e thonë. Ata u thonë ose prisni ose vazhdojmë gam-gam ose gërrëvërruni, zgjedhim nënkryetarët se kryetarë jemi vetë. Beteja për kushtetutën nuk është as për njërin e as për tjetrin vilaxhi apo pallatexhi, nuk është për djemtë e apartamenteve 1 dhomë e guzhinë e sot vilaxhinjë a bij bastardë të bastardëve, por është për Shqipërinë.

Në peshoren e poshtërsive janë baraz si njëri edhe tjetri. Kësisoj më mirë aty në protestë me Ilir Metën se sa me sehirxhinjtë. Se sa me këta që nga njëra anë flasin për vilat e Metës për vilat e Ramës, për pallatet e Lulit, me këta skuthët e bastardizimit. Se edhe këta mutër janë, këta skuthët se ashtu si të parapermendurit, kanë edhe ata vilat e tyre. Por nuk i përmendin i kanë me ”djersën” e ballit, të thonë kot që ke ikur në Amerikë, Amerika është këtu.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja- Ethet e 8 Dhjetorit

Kurti e Osmani të ftuarit e Kosnettit për të shënuar përvjetorin e marinsave

November 24, 2019 by dgreca

Politikanët Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë qenë mysafirët e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, mbrëmjen e së shtunës kur është shënuar 244 vjetori i krijimit të marinsave amerikane.

Për ta Kosnett ka shtruar darkë, e kjo u ka pëlqyer edhe Osmanit edhe Kurtit, që me gjasë kanë qenë të vetmit politikanë të ftuar në këtë festë.

“Ishte kënaqësi sonte të jemi të ftuara të Ambasadorit Amerikan, Philip Kosnett, në pritjen vjetore të Marines Amerikane”, ka shkruar në profilin e saj në Facebook, Vjosa Osmani, e cila në këtë takim ka qenë e shoqëruar edhe nga motra e saj, Blinera Osmani.

Ndërsa Kurti ka zgjedhur profilin e tij në Instagram që të njoftojë për këtë takim.

“Një mbrëmje e këndshme për mua e Ritën, të mirëpritur nga Ambasada e ShBA-së me rastin e përvjetorit të 244-të të krijimit të trupës ushtarake të marinsave”, ka thënë Kurti. “Me ShBA-të do të bashkëpunojmë që të kemi edhe ne trupat tona ushtarake të specializuara, që do të nderojnë kombin dhe aleatët tanë, sa herë ta kërkojë nevoja”, ka shtuar më pas.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti-Osmani- Ambasadori Kosnnet

ESHTË KOHA TË JEMI BASHKË SI KOMB

November 24, 2019 by dgreca

…..Ne na bashkojnë gjaku, gjuha dhe flamuri; na bashkon tryeza jone gjithëkombëtare, rreth të së cilës, përjetsisht do të jenë ulur kolosat tanë; Gjergji dhe Ismaili; Naimi dhe Fishta; Isa dhe Luigji, Ibrahimi e Terezja; Nora, Deda dhe Ademi… Kjo është harmonia jonë, formula qe siguron mbijetesën tonë,që siguron Përjetësinë e Shqipërisë si edhe të vetë Kombt shqiptar.

NGA DR. PASHKO CAMAJ/*

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar ambasadorë të Shqiprisë dhe Kosovës, Zonjat Kadare dhe Sahatcia;

I nderuar Mark Gjonaj, përfaqësuesi ynë në Këshillin e Bashkisë të Neë Yorkut,

I nderuar Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës më të re shqiptare, asaj të Tuzit,

I nderuari Sokol Lulgjuraj, nga Qendra e Bashkëpunit Ndërfetar në Elbasan

Të nderuar vëllezër e motra shqiptarë, ngado që vini:

             Më lejoni që në emër të Komisionit Organizativë të këtij manifestimi, si edhe në emër të kryesisë dhe krytarit të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra”, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë përvejtor të rëndësishëm për mbarë Kombin tonë.

Jemi tubuar sonte për të festuar 107-vjetorin e pavarsisë së Shtetit Shqiptar,dhe njëkohësisht të kujtojmë heronjt tanë dhe sakrificat e tyre për këtë ditë të madhe.

       Ky tubim sonte, bëhet në frymën e bashkëpunimit ndërshqiptarë, gjë kjo që është dëshmuar si i vetmi çelës për suksesin dhe të mirën tonë të përbashkët. Uniteti dhe fryma e bashkimit, ishin shtytësit kryesorë edhe për formimin e Fedratës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, këtu e 107 vite më parë, kur grupacione të ndryshme, nga anembanë SHBA-të, vendosën të bashkohën dhe, si të bashkuara, të japin konributin e vet, fillimisht për krijimin e shtetit shqiptar, por, po me aq rëndësi, edhe për vendosjen e shtetit në binarë, të cilët do ta çojnë përpara kombin tonë. 

E kaluara jonë, vërtet është e përmbushur me sakrifica, dhe vuajtje të shumta, për liri e për pavarsi, dhe  këto kurrë nuk duhen haruar. Nata si kjo sonte, i shërben rifreskimit të kujetsës sonë kolektive, kombëtare, dhe përcjelljes së saj te breznitë që vijnë. Por a ia vlen që vetëm të flasim për të kaluaren, për veprat e breznive të shkuara!? Mendoj se jo!

Bashkëveprimit për të mirën e përgjithshme duhet t’i kontribuojmë edhe ne, qoftë edhe përmes manifestimeve së bashku, pa ndarje krahinore, partiake, përkatësie fetare apo shoqatash. Këtë po e bëjmë ne sonte këtu. Shqiptaria së bashku po nderon të kaluarën e vet, dhe po flet dhe për të ardhmen! Ky është obligimi i kësaj gjenrate! Që të shërbejë si urë lidhëse, mes të së kaluarës dhe së ardhmes tonë, si amanet i atyre që shkuan, dhe borxh ndaj atyre që do të vijnë pas, duke u dëshmuar se shqiptarët e kanë mirë, vetëm kur janë së bashku, vetëm kur bashkëveprojnë. 

  Noshta këtu është momenti të veçoj një shembull konkret, për shumë nga ne, ende i freskët.

Në Mars të këtij viti, subjektet politike shqiptare në Tuz, si të bashkuara, dualën fitues, dhe ky bashkëveprim dhe kjo fitore, duhet të shërbej si model dhe për viset e tjera shqiptare. Unë, dua edhe nga kjo foltore, të falenderoj udhëheqësit poltikë në Malësi, ketë bashkëveprim, çka pata rast të shoh edhe personalisht gjatë fushatës, dhe edhe një herë t’i përgëzoj për këtë fitore të madhe, duke uruar që shqiptarët në kto troje përjetësisht të qendrojnë së bashku.

Dua te them se kjo fitore, sikur edhe asnjë fitore tjetër jona, në të kaluarën, apo edhe në të ardhmen, nuk janë të orientuara për të kërcënuar, apo rrezikuar dikë, as në veri, as në lindje apo jug, por vetëm pëë të raujtur atë që është e jona, ato çka na ka fal Zoti dhe Natyra, që të jemi zot në shtëpinë tonë me qëllim që ne shqiptarët, të jetojmë të lirë në tokën e shqipeve!

Sepse ne jemi NJË, dhe kjo është KOHA JONË!

Ne na bashkojnë gjaku, gjuha dhe flamuri; na bashkon tryeza jone gjithëkombëtare, rreth së cilës, përjetsisht do të jenë ulur kolosët tanë; Gjergji dhe Ismaili; Naimi dhe Fishta; Isa dhe Luigji, Ibrahimi e Terezja; Nora, Deda dhe Ademi…

Kjo është harmonia jonë, formula qe siguron mbijetesën tonë, që siguron që Shqipria të jetë e përjetshme,ashtu si edhe vet kombi shqiptar.

Zoti e bëkoft popullin tonë kudo nëpër botë, miqtë tonë, këtë vënd të bëkuar; Shqipërinë tonë!

Gëzuar Festën e Pavarësisë!

* Fjalimi përshëndetës i dr. Pashko Camaj, anëtar i Këshillit të Vatrës, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Vatrës, gjatë mbrëmjes festive të 107 vjetorit të Pavarësisë organizuar nga Mark Gjonaj dhe Komuniteti Shqiptar me 23 Nëntor 2019, në Marina Del Ray.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Pashko Camaj-Te Jemi bashke- Festa-107 vjet Pavaresi

Sot Peter Prifti do të ishte 95 vjet

November 24, 2019 by dgreca

Nga Julika Prifti/

Sot, më 24 nëntor 2019, mbushen  95 vjet nga lindja e Peter R. Priftit.

Ai do të jetonte në Shqipëri vetëm 14 vjet. Më shumë se shtatë dekada do t’i kalonte në Sh.B.A.  Për 50 vjet familja e Rafael Priftit jetoi e ndare, babai me dy djemtë e mëdhenj në Filadelfi ndërsa e shoqja dhe nëna e fëmijve me dy më të vegjëlit në Shqipëri.

Piteri la prapa shtëpinë dykatëshe me oborr në tri anë dhe me kopshtin prapa shtëpisë, me plevicën përgjatë gjithë gjatësisë së oborrit dhe kopshtit, mbrapa tyre shtrihej lëndina me bar.  Kaçka ose arra e madhe në hyrje në të majtë të portës të oborrit, druri i vishnjes poshtë dritares në anën e djathtë të ballkonit, vishnja tjetër prapa shtëpisë, kumbullën pranë fundit të plevicës, e shumë drurë molle në mes të oborrit.

Piteri nuk do të vraponte me qenin, nuk do te ndiqte pulat që hynin pa leje në kopsht, nuk do të priste ardhjen e lopës nga kullota, e të deleve për t’i futur në plevicë, nuk do të kulloste gomarin, nuk do të shkonte për të prerë dru në pyjet e Gramozit. Nuk do të kishte më vajtje në mulli ku uji rreth rrotës së madhe i rrezatuar nga dielli lëshonte stërkala shumëngjyrëshe.  Nuk do të kishte më vajtje në kishën e Shën Pjetrit me moshatarët e tij. Dielli nuk do ta përshëndeste sapo dilte nga maja e malit të Gramozit e gurgullima e vijës së ujit, disa hapa larg shtëpisë nuk do ta nanuriste natën e nuk do ta përmendte nga gjumi herët në mëngjes në ditët e qeta të verës. Për më tepër nëna nuk do ta ledhatonte më e nuk do ti afronte për të ngrënë kulaçet e furrës e lakrorë të pjekur në saç, apo mish të pjekur në hell. Gjyshja nuk do t’i afronte më arrat e ruajtura në sëndykun e saj. Shoket nuk do të vinin ta thërrisnin për tu dëfryer.

Jeta e tij do të ndryshonte plotësisht e përgjithmonë. Shumë dukuri të pranishme të jetës së tij do t’i mungonin me largimin nga Shqipëria por do fitonte plot të tjera, të panjohura deri në atë kohë për të në Amerikë.

Shpejt Amerika u bë atdheu i tij ku jetonte i ati me vëllanë e madh, ndërsa Shqipëria do të mbetej mëmëdheu i dashur, ku ishin mamaja, gjyshja, vëllai e motra.

Piterit i pëlqeu shkolla e kultura e re me të cilën po ambientohej nga dita në ditë. Gjuhët, historia e filozofia u bënë të dashura e mbetën të tilla gjatë gjithë jetës së tij. Artikujt e librat e shumtë të botuar në Amerikë e në Shqipëri janë dëshmitarë të pasionit e të punës së tij të madhe akademike në një lëmi të gjerë të shkencave shoqërore.

Peter Prifti ishte nga të paktët fëmijë emigrantësh që nuk ndoqi traditën e formuar. Atij nuk i pëlqeu as të punonte në restorant dhe as ta trashëgonte atë nga ana e të atit. Interesat e tij nuk ishin për përfitim monetar por për përfitim akademik e shkencor. Fati i mirë e ndoqi në këtë drejtim sepse i ati nuk e pengoi e për më tepër pagoi për shkollimin e tij. Kështu që sot puna e tij nderohet, çmohet, e studiohet nga shumë studiues amerikanë apo shqiptarë sepse për një kohë të gjatë, ai ishte nga të paktët shqiptarë të shkolluar e te përgatitur për mbrojtën e të vërtetës së popullit të tij, të mëmëdheut e të figurave të shquara. Ai mbrojti pa frikë mendimin e tij për zhvillimin e gjuhës shqipe, për të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë, për çështje të kufirit shqiptar apo të pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale në Amerikë.

Një pjesë e madhe e veprës e tij i kushtohet përkthimit të veprave të dashura të shqiptareve dhe në një përvjetor madje shkroi edhe një skenar për Skënderbeun me kërkesën e Donika Bardhës.

Peter Prifti ia kushtoi gjithë jetën e tij kulturës e artit shqiptar. Ai nuk u pasurua monetarisht nga vepra e tij e madhe, puna e ndërgjegjshme dhe akademike por pasuria që ju la bashkëatdhëtarëve është një thesar i vërtetë. Asgjë më tepër nuk do donte vetë Peter Prifti. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Julika Prifti- Peter Prifti- 95 vjet nga Lindja

VILHELM TELI DHE MOLLA NE KOKEN E TE BIRIT…

November 24, 2019 by dgreca

Histori- Më 18 nëntor 1307 Vilhelm Teli, heroi kombëtar i Zvicrës, u dënua të qëllonte me shigjetë mollën mbi kokën e të birit/

Nga Elida Buçpapaj-VOAL/

Vilhelm Teli (Wilhelm Tell) ishte një hero legjendar Zviceran, i cili duhe të ketë jetuar nga fundi i shekullit trembëdhjetë e në shekullin e katërmbëdhjetë dhe ekzistenca e vërtetë historike e të cilit është ende çështje e papërcaktuar.

Vilhelm Teli është heroi kombëtar i Zvicrës. Miti ose realiteti i një qyteti të vogël në zemër të Evropës, Tel dhe legjenda e tij mesjetare janë të njohura në të gjithë botën.

Sipas legjendës, Vilhelm Teli lindi dhe jetoi në Bürglen në Kantonin e Urit, afër masivit Gotthard. Teli, babai i një familjeje, një gjahtar i aftë i harkut, shkoi në kryeqytetin rajonal Altdorf më 18 nëntor 1307. Ndërsa kaloi në sheshin publik, ai injoroi kapelën perandorake që Albrecht Gessler, administratori lokal i Habsburgëve, i kishte bashkangjitur shtëpisë së ankandit, disa muaj më parë. Kapela, simbol i autoritetit perandorak, duhej të respektohej absolutisht nga kushdo që kalonte. Ata që nuk u përkulën rrezikuan konfiskimin e pasurisë apo edhe vdekjen. Meqenëse Tel nuk e kishte nderuar kapelen e tij, e gjeti veten në telashe. Të nesërmen ai u suall në shesh; para të gjithëve ai duhej të justifikonte veprimin e tij.

Në këmbim të jetës së tij, përmbaruesi Gessler i imponoi atij provën e mollës, e cila, e vendosur mbi kokën e djalit të tij të vogël Gualtier, duhej të përshkohej nga shigjeta e harkut të tij. Prova kaloi me sukses, por në rast se diçka do të kishte shkuar keq, Vilhelmi kishte fshehur një shigjetë të dytë nën xhaketë, gati për tiranin. Kjo i kushtoi Vilhelm Telit lirinë e tij: ai u arrestua dhe u dërgua me varkë në burgun Küssnacht.

Papritur shpërtheu një stuhi në Liqenin e Lucernës dhe rojet e burgut e liruan Telin, një lundrues i shkathët, që mund t’i shpëtonte ata nga stuhia. Duke mbërritur në afërsi të bregut, në gjysmën e rrugës midis Altdorf dhe Brunnen, Tel u hodh nga anija në breg me një kërcim dhe, me një goditje të fuqishme, e dërgoi anijen përsëri në detin e hapur. Në ditën e tretë, afër Küssnachtit, i fshehur pas një peme në anët e “Via Cava” që të çon nga Gotthard në Zyrih, Teli u hakmuar duke vrarë Gesslerin.

Sipas traditës, më 1 gusht 1308 u bë çlirimi i Zvicrës së atëherëshme. Populli, pasi mësoi për veprat e Telit, u ngrit dhe rrethoi kështjellat dhe ndoqi sundimtarët nga tokat e tyre përgjithmonë. Për më tepër, shigjetari thuhet se ka marrë pjesë në betejën e Morgartenit përkrah kantoneve të themeluese të Konfederatës (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), e cila përfundoi me fitoren kundër Habsburgëve më 1315. Vilhelm Teli jetoi me respekt dhe admirim të njerëzve deri në verë të vitit 1354, kur, për shkak të një stuhie, heroi zviceran sakrifikoi jetën e tij për të ndihmuar një fëmijë të rrëmbyer nga përroi i Schächen në përmbytje.

Referenca e parë për heroin legjendar shfaqet në një dorëshkrim të vitit 1470, Librin e Bardhë të Sarnenit, të përpiluar nga kalorësi i famshëm provincial Hans Schriber, i cili kishte mbledhur kronika dhe të dhëna historike në Konfederatën Zvicerane. Një burim tjetër për legjendën është Kënga e Themelimit të Konfederatës, e kompozuar nga një poet anonim dhe botuar për herë të parë më 1545, e cila rrëfen lindjen e Konfederatës Zvicerane dhe citon fatin e Vilhelm Telit, i cili, sipas këtij burimi, ishte mbytur në Liqenin e Lucernës nga Gessleri i lig. Por vepra më e plotë që paraqet historinë e Telit është Chronicon helveticum i vitit 1550, nga historiani Aegidius Tschudi. Historiani saktëson se Tel është mbytur në vitin 1354, jo sepse ai vrau sundimtarin, por për të shpëtuar një fëmijë që ra në ujërat e ftohta të lumit Schächen. Episodi është përshkruar gjithashtu në një afresk të vitit 1582 të ruajtur në kishën e Bürglenit, fshatit ku ai lindi.

Personalitete të rëndësishme artistike kanë kontribuar në bërjen e famshme të figurës së Vilhelm Telit. Midis tyre, i pari i të gjithëve, shkrimtari dhe poeti gjerman Friedrich Schiller i përshkroi veprat heroike në dramën homonime (Wilhelm Tell, 1804). Nga drama e Schiller-it, më 1829 Gioachino Rossini kompozoi operën Vilhelm Tel. Kjo operë ishte shumë e rëndësishme për Zvicrën dhe Zviceranët; prova e kësaj është fakti që klaksonët e autopostaleve të vjetra binin sipas melodisë me të cilën fillonte opera.

Një ri-interpretim i vetëm i mitit të Vilhelm Telit (Wilhelm Tell für die Schule) është shkruar më 1971 nga Max Frisch, një ese e shkurtër e ndërtuar mbi një përzierje interesante të filologjisë dhe ironisë, në të cilën rikrijohet historia e heroit kombëtar zviceran, por duke vënë në qendër të veprës sundimtarët Habsburgë dhe paaftësinë e tyre për të kuptuar botën e njerëzve malësorë, kokëfortë dhe të heshtur mes të cilëve ai ndodhet.

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Bucpapaj Vilhelm teli- Molla-Koka e te birit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT