
BOTUESI I GAZETËS “ILLYRIA” VEHBI BAJRAMI, VIZITOI VATRËN DHE I DHA MBËSHTETJE KRYETARIT ELMI BERISHA/

Mesditën e së premtes, 30 Janar 2020, biznesmeni Vehbi Bajrami, botues i gazetës”ILLYRIA”, i shoqëruar nga kryeredaktori Ruben Avxhiu, ishte për vizitë në Vatër, enkas për të uruar dhe mbështetur mikun e tij, Kryetarin e sapozgjedhur z. Elmi Berisha.

Z. Vehbi Bajrami u shpreh se ndjehej shumë i gëzuar dhe i emocionuar që e viziton Vatrën me rastin e zgjedhjes në krye të saj të mikut të tij prej më se 30 vitesh. Jam i bindur, tha ai, se z. Berisha do të lerë gjurmë në Vatër dhe do të bëjë më të mirën për të dhe do të jetë bashkëpunues në komunitet. Z. Berisha e njeh mirë komunitetin, ka përvojë, do të dijë që me Vatrën të hyjë në Washington dhe të ndikojë për çështjen Kombëtare sepse ka përvojë nga koha kur ishte i dërguari i Dr. Rugovës, ka përvojën pse qëndroi e bashkëpunoi me biznesmenin e njohur Jim Xhem pranë senatorit republikan Bob Dole.

Ka dhe avantazhet të tjera z. Berisha: Duke qenë për disa vite në krye të rrjetit ndërkombëtar të bizneseve shqiptare në Diasporë, besoj se do ta ketë më shumë shanse që jo vetëm të forcojë Vatrën, por edhe të kontribuojë për investimet e diasporës në Vendlindje. Kryetari i ri i Vatrës e ka shansin që ta bëj mirë rolin e Liderit në Vatër sepse e njeh mirë këtë fushë edhe teorikisht. Kujtoj me këtë rast librin e tij “Lidership”, botuar në dy gjuhë, promovuar kohë më parë nga Gazeta Illyria, tha z. Bajrami.

Z. Vehbi Bajrami theksoi se me Vatrën atë vetë e lidhin miqtë por edhe historitë e personazhet e librit të tij “Shqiptarët e Amerikës”, ku më shumë se 20 për qind të lëndës i referohet Vatrës dhe vatranëve.

Vatra, tha z. Bajrami, e meriton që të jetë ombrella, ku diaspora të mblidhet dhe të luftojë për çështjen tonë Kombëtare. Vatra është më e vjetra organizatë e diasporës, ka ndërtesën e saj, me zyra, salla, bibliotekë e arkiv, më shumë se kushdo ka anëtarësi, ka degët e saj në shtetet e Amerikës së Veriut dhe Kanada, është e vetmja që ka gazetë dhe me këtë rast, theksoi ai, përgëzoj editorin Dalip Greca, për punën e palodhur dhe profesionale që ka bërë për Diellin.
Z. Bajrami e garantoi kryetarin e Vatrës se gazeta Illyria do të jetë e hapur për ta ndihmuar në misionin e tij dhe të Vatrës.
Kryetari Berisha e falenderoi mikun e tij për vizitën dhe mbështetjen. Vlerësoi kontributin e dhënë për çështjen shqiptare, veçanërisht në fushën e medias, por edhe më gjërë. Ndjehem mirë, tha z. Berisha që kemi bashkëpunuar për rreth 30 vite; unë kam përfituar nga ky bashkëpunim. Ndjehem i gëzuar që Kuvendi i Vatrës dha konsesusin e plotë që ta drejtoj këtë organizatë me shumë emër e shumë histori. Gjatë mandatit tim unë do të përpiqem që duke ruajtur substancën dhe frymën e Vatrës, së bashku me ekipin tim, strukturat dhe degët e Vatrës, të lëmë gjurmët e një pune të mirë. Po shoh se njerëzit shkruajnë dhe komentojnë në mënyra të ndryshme rreth Kuvendit të Vatrës, por jam i bindur se ky Kuvend që Vatra organizoi në Detroit,me më shumë se 100 delegatë, ka qenë më demokratik se çdo mbledhje e forum tjetër i komunitetit. Gjithçka ishte trasparente, serioze, dhe ne dolëm të bashkuar që andej. Ne ishim dy kandidatë, me dy platforma, dhe u mirëkuptuam me njeri tjetrin dhe delgatët na duartrokitën në fund. Jam i bindur, tha z, Berisha, se gjatë drejtimit tim Vatra do ta ketë qasjen e shekullit XXI. Atë rrugëtim që pat nisë paraardhësi im,z. Mishto, i cili hapi derën e Vatrës për rininë, ne do ta finalizojmë. Washingtoni do të jetë një tjetër piksynim ynë për të rritur prezencën shqiptare atje, tha z. Elmi Berisha.
Gjatë takimit kryetari i Vatrës shoqërohej nga zotërinjtë Idriz Lamaj, Besim Malota dhe editori i Diellit.
Kryeredaktori i gazetës ILLYRIA Ruben Avxhiu e intervistoi kryetarin e Vatrës Elmi Berisha.



