• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

SHUHET AKTORI I SHQUAR XHEVDET FERRI

January 16, 2020 by dgreca

Shuhet Xhevdet Ferri. Kinematografia shqiptare ka humbur sot një nga aktorët më të njohur të artit shqiptar. Pas një sëmundjeje të rëndë ka humbur jetën në moshën 60-vjeçare aktori dhe regjisori Xhevdet Ferri.
Ai numëron një sërë rolesh në filma dhe teatër ku ndër më të famshmit janë, “Përrallë nga e kaluara”, “Besa e kuqe”, “Hije që mbeten pas”, “Skëterrë”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Dasma e Sakos”, e të tjerë.
Xhevdet Ferri  ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në vitet 1995-1999 dhe sërish e mori këtë detyrë në vitin 2006. Në vitet 1999-2001, ishte drejtori i Teatrit Kombëtar.Aktori i shumë roleve lindi në Durrës në vitin 1960. Ai ka qenë i lidhur në martesë me aktoren Rozeta Ferri dhe së bashku kanë një vajzë.
 
SI U SHPREHEN KOLEGET

Reshat Arbana: Kjo është jeta, nuk ke ça bën. Do të mësohemi me këto gjëra. Në një periudhë të shkurtër u ndanë nga kjo jetë, Fatos Baxhaku, Gjergj Xhuvani dhe tani së fundmi edhe Xhevdet Ferri. Ngushëllime nga shpirti, të rrojnë e ta kujtojnë. Nuk ka fjalë. Në këto kohë nuk kemi fjalë sepse është tronditëse

Rajmonda Bulku:
 Ne jemi duke punuar, jemi në skenë duke vënë një shfaqje, dhe na lajmëruam. U shokuam, jo se nuk e prisnim me thënë të drejtën por lajm i fundit i tmerrshëm. Më vjen shumë keq, nuk e di, mendoja se mund të ndodhte ndonjë mrekulli kur ai është bërë gjysh. Mendoja se ajo qënie që do të vinte në jetë mund ta tjetërsonte. Por jetoi shumë pak si gjysh i lumtur.
Njeriu gjithmonë shpreson prandaj i thoja që do të vijë një atmosferë tjetër në shtëpinë tuaj me lindjen e bebit. Por nuk di çfarë të them, njeriu shpreson deri në fund. Por tani na ra kështu papritur. Ishte një student i shkëlqyer, serioz, një aktor që premtonte shumë, shumë i ditur, fjalët më të mira do të thoja. Me një familje, me vajzën, bashkëshorten…Më vjen keq që ju iku dikush shumë i dashur, shumë i shtrenjtë, shoku i tyre. Ishim në mes të punës dhe ngelëm, ngrimë, kur e morëm lajmin”
Viktor Zhusti: O Zot, është e paimagjinueshme.
Më mori dikush në telefon më tha, a mund të na thoni dy fjalë për Xhevdetin? Po pse çfarë ka? i thashë. Ka ndërruar jetë. O zot, nuk e di çfarë të them. Është gjëja më tronditëse që kam patur në këtë periudhë. Dua ti shpreh ngushëllimet gruas, vajzës, të gjithë njerëzve që kanë punuar bashkë me të.
Ndriçim Xhepa: Mund të jem personi i fundit nga njerëzit e artit që e kam parë mbrëmë. Duke përjashtuar familjarët. Unë sa e mora lajmin që ishte shtruar në spital, kam shkuar aty. Bënë një lloj tolerance ata mjekët. Ndoshta bëra mirë, që shkova për ta parë. Nuk e di….sepse ishte në gjendje shumë të rëndë. Ishte me frymëmarrje me aparat. Kam komunikuar pastak me të shoqen, nëse mund të bëhej ndonjë përpjekje. Por fundi ishte shumë i shpejtë, në 24 orë. Shumë e dhimbshme sepse ishim shumë miq bashkë, ne përkojmë edhe si kohë, si moshë kemi filluar në të njëjtën moshë bashkë. Kontributi më i madh i Xhodës ishte në një mori filmash që ka në kinematografi. Ishim bashkë te “Dasma e Sakos” te “Delegacioni”. Ishte vërtet një djalë i zgjuar, me shumë bagazh, një aktor me shumë shije.
 

Filed Under: Kulture Tagged With: Xhevdet Ferri-shuhet artisti

KOMISIONI PO PËRGATIT NJË KUVEND MODEL NË TË GJITHË HISTORINË E VATRËS

January 16, 2020 by dgreca

Komisioni i përgatitjes së Kuvendit të 19 Janarit, që do të organizohet në Teqenë “Baba Rexhebi” në Tylor, Michigan, vazhdon pergatitjet intensive. Ndryshe nga Kuvendet e shkuara, maetrialet e ketij Kuvendi, janë përgatitur dhe sekretuar , vulosur e firmosur:- Mandatat e delegatëve, (nuk kanë egzistuar në të shkuarën) si dhe Fletët e Votimit, po ashtu të firmosura dhe të vulosura. Gjatë mbrëmjes te se Merkures 15 Janar, Komisioni bëri sondazhe me telefonata kontakti me delegatët e zgjedhur nga degët dhe skualifikoi disa nga delegatët që nuk plotësonin 2 vjet anëtarësim në Vatër.

          Po ashtu skualifikoi edhe delegatë që nuk i përgjigjen anëtarësisë reale të degës, por kryetaret i kane derguar mbi numrin qe u takon.Komisioni do të vazhdojë të punoje edhe sot, e enjte në oret e vona per verifikimi e Listave te anetaresive, delegateve te Kuvendit, plotesimin e Fleteve te votimit, dhe mandateve te delegateve, qe firmosen e vulosen, dhe u vendoset, nr. i rekordeve të protokolluara.

     KUJDES: Per ata qe jane delegat te votuar ne dege, por qe nuk vijne dot ne Kuvend, Mandatet e deleguar jepen nga komisioni konform autorizimit te firmosur nga delegati qe e delegon voten. Nje delegat, perveç votes se tij, nuk mund te perfaqesoje me shume se nje vote te deleguar.Në fletën e votimit janë shkruar dy kandidatët konkurues, Agim Rexhaj dhe Elmi Berisha. Nëse do të ketë kandidate të rinj Komisioni do të shtojë emrat e kandidatëve. Ervin Dine, Agustin Mirakaj, Mark Mrnacaj, Nazo Veliu che Editori i Dielli kane punuar deri ne oret e vona per te pergatitur te gjithe dokumentacionin.

Suksese Kuvendit te VATRES!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip Greca-Kuvendi- Materialet e Votimit

MASAKRA QË NDRYSHOI HISTORINË E KOSOVËS

January 15, 2020 by dgreca

-SPECIALE EVROPA E LIRE-

Ethnic Albanians carry forty coffins draped in Albanian flags February 11, 1999 during a burial procession for the 40 ethnic Albanian civilians allegedly massacred by Serbian forces in Racak on January 15. More than 10,000 people attended the funeral. KM

Njëzetenjë vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Atë ditë në këtë fshat, që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. 

Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

*Kujdes, materiali përmban imazhe të rënda.

FORCAT POLICORE E USHTARAKE SERBE VRASIN 45 CIVILË SHQIPTARË

Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak u dëgjuan të shtënat e para nga armët e zjarrit. Të frikësuar, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre. Forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshat, ku pas disa orësh të zhvillimit të operacionit, vranë 45 civilë shqiptarë. 16 JANAR 1999

WILLIAM WALKER VIZITON VENDIN KU NDODHI MASAKRA

Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut. Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.16 JANAR 1999

FORCAT POLICORE E USHTARAKE NUK LEJOJNË VARRIMIN E TË VRARËVE 

Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave dhe filluan luftimet në mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe me forcë i morën të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me arsyetimin se duhej bërë obduksioni për shkak se autoritetet serbe mohonin të kenë vrarë e masakruar civilë. Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime. Presidenti amerikan, Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje “ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”.6 SHKURT 1999

FILLON KONFERENCA NË RAMBUJE TË FRANCËS

Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe dhe liderin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.8 SHKURT 1999

FAMILJARËT FILLOJNË KTHIMIN E TRUPAVE NGA PRISHTINA NË REÇAK

Familjarët u lejuan që të shkonin për t’i marrë trupat e të vrarëve. Kthimi i trupave në fshat zgjati disa ditë pasi administrata serbe e asaj kohe, nuk ua dorëzonte familjarëve përnjëherë trupat e të vrarëve.11 SHKURT 1999

ORGANIZOHET VARRIMI I CIVILËVE TË VRARË

Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.24 MARS 1999

DËSHTON KONFERENCA NË RAMBUJE, NATO FILLON BOMBARDIMET

Pas dështimit të konferencës së Rambujesë, NATO filloi bombardimin e caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. Në arsyetimin e NATO-s u tha se operacioni po zhvillohej për të ndaluar abuzimin me të drejtat e njeriut në Kosovë.10 QERSHOR 1999

TËRHIQEN TRUPAT USHTARAKE DHE POLICORE SERBE NGA KOSOVA 

Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe në fund, më 10 qershor 1999, Kosova u çlirua.20 TETOR 2003

TRIBUNALI I HAGËS NGRE AKTAKUZË NDAJ EPRORËVE TË LARTË SERBË

Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në territorin e ish- Jugosllavisë, publikoi një aktakuzë kundër disa eprorëve të lartë serbë për krimet e bëra kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999. Në këtë aktakuzë u përfshin ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq, komandanti i Korpusit të Prishtinës Vlladimir Llazareviq, shefi i Policisë Serbe për Kosovën Sreten Llukiq dhe ndihmësi i Ministrit të Brendshëm serb, Vllastimir Gjorgjeviq, mirëpo asnjëri nuk u dënua drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në Reçak.18 QERSHOR 2010

PUBLIKOHET MONOGRAFIA QË DËSHMON KRIMET E LUFTËS NË KOSOVË

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) publikoi monografinë për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Përfaqësues të KMDLNJ-së dhe Qeverisë së Kosovës thanë se monografia pasqyron faktet për krimet e bëra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Pjesë e kësaj monografie u tha se janë edhe krimet që u kryen ndaj popullatës civile në fshatin Reçak të Shtimes.15 JANAR 2019

SHËNOHET 20 VJETORI I MASAKRËS SË REÇAKUT

Shënohet 20 vjetori i masakrës së Reçakut. Në shënimin e përvjetorit të kësaj masakre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ngjarjen e Reçakut e ka cilësuar moment historik. Haradinaj u shpreh kritik ndaj Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar sa i takon hetimit të vrasjes së shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë. “Kurrkush Kosovës nuk ja ka dhënë asnjë certifikatë të tregojë se si kanë vdekur ata njerëz. Së pasi si u morën nga Krusha, nga Meja nga Berishët në Suharekë nga Abria nga Studimja, si u morën? Kush i mori? Kush i çoi? Çfarë i gjeti ata para se të vdesin? A ua morën ndonjë organ? Ai i vranë apo i dhunuan? Asnjë të dhënë nuk ia ka dhënë këtij vendi dikush. Nuk na ka dhënë askush një shpjegim, një certifikatë të thjeshtë”, ka deklaruar Haradinaj.5 DHJETOR 2019

TODOSIJEVIQ DËNOHET ME DY VJET BURGIM PËR NXITJE TË URREJTJES

Gjykata në Prishtinë e shpalli fajtor ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq. Ai u gjet fajtor për një deklaratë që e kishte bërë më 2018, kur e quajti trillim masakrën e Reçakut. Todosijeviq u dënua me dy vjet burg. 5 DHJETOR 2019

ALEKSANDAR VUÇIQ E QUAN “TRILLIM” MASAKRËN E REÇAKUT 

Edhe pas më shumë se dy dekadave, Serbia vazhdon të mos i pranojë ngjarjet që ndodhën në fshatin Reçak. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 5 dhjetor, 2019, tha se masakra e Reçakut ishte “trillim”. Deklarata e presidentit serbe Vuçiq nxiti reagime. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë tha se deklaratat nxitëse “janë të papranueshme”, ndërsa Bashkimi Evropian tha se ngjarjet në Reçak janë “të pamohueshme”.10 DHJETOR 2019

THAÇI: SERBIA VAZHDON T’I MOHOJË KRIMET 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi viziton Reçakun ku thotë se masakra që ndodhi në këtë fshat “ishte pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer ndaj popullatës civile në Kosovë”.

“E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet, e madje duke i etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë në Kosovë”, tha Thaçi.15 JANAR 2020

21 VJET NGA MASAKRA E REÇAKUT

Bëhen 21 vjet nga dita kur ndodhi masakra e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.

Filed Under: Featured Tagged With: Recaku-Masakra-ndryshoi Historine

KODI SHQIPTAR: SHPËTIMI I HEBRENJVE DIKUR …

January 15, 2020 by dgreca

DHE DORËZIMI I TURQVE SOT – NJË HIPOKRIZI SHQIPTARE/

Roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dihet tanimë shumë mirë dhe vazhdon të tërheqë gjithnjë vëmendjen, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, si një akt humanitar dhe moral.  Gjatë viteve, sidomos ç’prej shembjes së komunizmit, roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve pa dallim, për shpëtimin e hebrenjëve gjatë Holokaustit, bazuar në kodin moral të shqiptarëve, ka tërhequr vëmendjen e medias, publikut dhe të politikës, përfshirë Kongresin amerikan dhe vazhdon edhe në ditët e sotëme të jetë subjekt interesimi.

Këto ditë lexova një njoftim për një film të ri që i kushtohet, pikërisht, kësaj teme historike, shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët në Luftën e dytë botëtore.  Filmi dokumentar, i cili është gati të shfaqet në kinematë amerikane në Nju Jork dhe më gjërë, titullohet, thjeshtë, “Kodi Shqiptar”, i cili zbulon, sipas njoftimit, tregime të panjohura të mijëra refugjatëve hebrenjë, të cilët janë shpëtuar nga Shqipëria, një vend me shumicë myslimane, gjatë Luftës së dytë Botërore.  Një njoftim i shkurtër video për filmin në fjalë, mund ta shikoni në linen e Filmi THE ALBANIAN CODE-Sneak Preview.Directed by Yael Katzir (Israel, 2019, 56 min)

Using unique archival footage, The Albanian Code unveils the unknown story of thousands of Jewish refugees who were rescued by the Muslim-majority country of  Albania during World War II. 


Ennie Altaratz -Francis, who was saved escaping from Yugoslavia, decides to go to Albania to thank whoever she can. This voyage is full of surprises, as we discover how an entire nation saved refugees, bound by their moral code. At last, the Albanians get the appreciation they deserve for being the only country in Europe that rescued the persecuted. The film carries a universal message of gratitude to human-values.

Natyrisht se të gjithë shqiptarët, kudo dhe pa dallim, jemi krenarë për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës nga shqiptarët, pa dallime fetare, politike a krahinore.  I gjithë ky interesim dhe vlerësim, është një nderim që i bëhet Kombit shqiptar, duke ia njohur, atë meritë historike, bazuar në kodin moral të besës, të mikpritjes dhe të nderit shqiptar.  Ata vepruan bazuar në këtë kod moral qindra vjeçar të fisit të shqiptarit.  

Por, çfarë po ndodhë sot me ketë kod moral që ka qenë dhe duhej të vazhdonte të ishte pjesë e pandashme e jetës dhe e veprimeve të shqiptarit gjatë historisë dhe sot – si diçka që duhej të ishim krenarë që në dallon për mirë, prej pothuaj të gjitha kombeve të tjera: Kodi i shqiptarit se shtëpia jonë është e Zotit dhe e mikut.  Kodi i shqiptarit, në bazë të cilit u shpëtuan hebrenjtë në Luftën e dytë botërore, ishte që miku që të kishte renë në dorë të përcillej i sigurt larg nga shtëpia, ashtuqë të mos i ndodhte gjë as rrugës, as në shtëpinë e as në oborrin tënd. 

Filmi “Kodi Shqiptar” për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri do shfaqet fillimisht në Nju Jork, në një kohë që një sklandal i rëndë ka goditur Shqipërinë, ndërsa autoritetet e qeverisë shqiptare kanë vendosur ditët e fundit që t’i dorëzonin Turqisë – kundër vullnetit të tij — një mësues, shtetas turk, kundërshtar i presidentit turk, Erdogan, i cili kishte gjetur strehim në Shqipëri.  Pikërisht, siç kishte ndodhur para nja dy vitesh në Kosovë, kur autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës, i dorëzuan Turqisë—gjithashtu kundër vullnetit të tyre – gjashtë mësues të cilët konsideroheshin si kundërshtarë të presidentit turk, Erdogan. 

            Shtetasi turk të cilin autoitetet shqiptare në Tiranë ia dorëzuan ditët e fundit autoriteteve turke

Të dyja këto, njëri i ditëve të fundit në Shqipëri dhe tjetri kohë më parë në Kosovë, janë krejtësisht akte që nuk kanë të bëjnë aspak me kodin moral shqiptar, në bazë të cilit janë shpëtuar hebrenjtë në trojet shqiptare gjatë luftës dhe për të cilat flitet në filmin e lartë përmendur.  Dëbimet e kundërshtarëve të Erdoganit nga Shqipëria dhe nga Kosova, jo vetëm që nuk përputhen me kodin moral shekullor të shqpitarit, por janë në kundërshtim të plotë edhe me ligjet në fuqi të dy vendeve dhe në shkelje flagrante të normave dhe marrëveshjeve ndërkombave, të nënshkruara nga të dy vendet.  

Analistët në Shqipëri dhe në Kosovë i konsiderojnë dëbimet e kundërshtarëve të Erdoganit nga trojet shqiptare si pasojë e drejt për drejt e zgjërimit të influencës turke, në nivelet më të larta politike në Shqipëri dhe Kosovë.  Autoritetet shqiptare akuzohen se me këto masa po u japin përparësi dhe mbrojtje interesave turke në dëm të rendit ligjor të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare.  Prandaj është një hipokrizi kombëtare që udhëheqsit aktual politikë të botës shqiptare të mburren me krenari dhe të marrin kredi – ashtu siç kanë bërë në të kaluarën — për shpëtimin e hebrenjëve nga Shqipëria dhe shqiptarët e viteve të luftës.  Ndryshe nga autoritetet e sotëme në Tiranë dhe në Prishtinë, ata besonin në kodin moral të shqiptarit për të  strehuar dhe për të mbrojtur mikun në shtëpi.  Ju nuk besoni në të njëjtin kod moral të mikpritjes, siç e ka traditë shqiptari!  Ky është dallimi!  Si përfundim i dorëzimit të këtyre shtetasve turq autoriteteve turke, kundër vullnetit të tyre, kredibiliteti juaj në mbrojtje të kodit moral të shqiptarit për të pritur dhe për të mbrojtur mikun në shtëpinë tuaj—është 0.   

Gjashtë shtetasit turq dorëzuar Turqisë nga autoritetet shqiptare të Republikës së Kosovës

Të dy këto raste kanë tërhequr protesta nga vendet perëndimore, si raste ku ligjet janë shkelur ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësi, në shmangie të plotë të proceseve ligjore të Shqipërisë dhe të Kosovës.  Këto shkelje, të nderuar qeveritarë shqiptarë në të dy anët e kufirit, janë shkelje të rënda, jo vetëm të ligjit, por edhe të kodit moral të shqiptarit.  Njëkohësisht edhe shkelje skandaloze të vlerave demokratike, të cilat i pretendoni. 

“Shpija e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”, na kanë mësuar të parët tanë dikur.  Miqtë turq që Shqipëria dhe Kosova i dorëzuan autoriteteve turke, janë prerë në besë!  Thuhej dikur për dike që pret në besë mikun e shtëpisë, se atij nuk i mbetet tjetër veç, “a të fiket, a të koritet”.  Kjo është një ndër vlerat themelore shqiptare, me të cilat jemi krenarë kudo që jemi, vlera që na kanë dalluar pozitivisht dhe gjithmonë nga të tjerët.  Me këto vepra, nuk ma merr mendja se jeni të “fikur”, se pasuri materiale kini grumbulluar mjaft, por ama të koritur jeni para botës dhe para historisë, ndryshe nga shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së dytë botërore, veprat e të cilëve  me të drejtë vlerësohen edhe sot pothuaj një shekull më vonë, me filma dokumentarë, si një kapitull i lavdishëm para botës, në historinë e shqiptarëve!

A janë autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë më të interesuara të mbrojnë këto vlera ashtu që shqiptarët të ankorohen fuqishëm dhe pa asnjë dyshim me Perëndimin duke kundërshtuar ndërhyrjet e faktorëve të jashtëm destabilizues në punët e shqiptarëve, a po të pranojnë në heshtje ndikimet e tyre ashtu siç po bëjnë tashti.  Fatkeqsisht, kjo e fundit më duket më e besueshme, sepse klasa aktuale politike shqiptare, qëllimisht, sot po mundëson krijimin e vakumeve politike, ekonomike dhe kulturore, duke krijuar kështu mos stabilitet, të frymëzuar nga autokratët modernë të tipit putino-erdogan.  Ndërkohë që venë, njëkohësisht në pikëpyetje, jo vetëm, respektin që ata vetë kanë për vlerat historike shqiptare, siç është kodi moral i shqiptarit, por edhe për meritat e modelit demokratik të qeverisjes, të orientuar nga vlerat perëndimore, vlera për të cilat ata flasin shumë, por bëjnë pak për zbatimin e tyre në trojet shqiptare.

Por, ndryshe nga udhëheqsit e tyre, shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta e kanë vendosur tanimë se cilin model dëshirojnë të ndjekin dhe në cilin model qeverisjeje duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijtë e tyre, duke “votuar me këmbë”, ndërkohë që po largohen nga trojet shqiptare drejtë vendeve perëndimore.  Shqiptarët e kanë bërë të qartë se duan të jetojnë në një shtet me autoritet kushtetues dhe në varësi të sundimit të ligjit për të gjithë.  Por, janë autoritetet qeveritare në Shqipëri dhe në Kosovë, ata të cilët, siç duket, e kanë humbur rrugën kushtetuese në oborrin e tyre, duke shkelur njëkohësisht, jo vetëm ligjet e vendit dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe kodet morale mijëra vjeçare të shqiptarit — mbi të gjitha kodin e shenjtë moral të parëve tanë se, “Shtëpia e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Kodi I Beses-Dorezimi I turqeve

FAIK KONICA ULËRIMAT DHE KËLBAZAT NUK I HODHI NDAJ VATRËS

January 15, 2020 by dgreca

               MOS E KEQINTERPRETONI FAIK KONICËN PËR FAKTET!/

  • FAIK KONICA ULËRIMAT DHE KËLBAZAT NUK I HODHI NDAJ VATRËS, POR NDAJ PUSHTETARËVE HAJDUTË DHE VRASËS TË QEVERISË SË KOHËS …/
  • FAKTET JANË FAKTE. ÇFRY,ULËRI,HITH KËLBAZA,QESH, QAJ,PËRKËDHEL,GRIS,VRIT BOTËN,VRIT VETEN,FAKTET,TË THATA DHE TË FTOHTA,S’LUAJNË NGA VENDI DHE MBETEN FAKTE…/
  • A ËSHTË FAKT, PO APO JO, QË SHUMICAE NJERËZVE QË KANË SOT PUNËT E SHQIPËRISË NË DORË, KANË VRARË, KANË GRABITUR…..

                     Konica mbetet aktual edhe sot e kësaj dite pasi në xhunglën e politikës dhe të pushtetit hasen të njëjtat dukuri, shfaqen plot grykësi e lakmi të njëjtët pushtetarë e politikanë, që e kanë çuar Shqipërinë tonë në buzë të greminës. Faik Konica nuk mund të keqinterpretohet duke e shkëputur nga kontektsti dhe kuadri historik kur ka shkruar. Ai nuk mund të cungohet e të shkurtohet sipas intersit të çastit pasi i largohet qëllimit….

  Ndiqeni Konicën se komenti do të jetë pa vlerë para penës së tij:

….Për të ndritur popullin dhe për të stërvitur gjykimin e tij në shesh të politikës, kam folë për aktorët e lodrës shqiptare me liri dhe me paanësi ashtu siç ma ka prerë mendja, dhe siç më ka thënë ndërgjegjja. Një mij’ zëra në Shqipëri mu përgjigjën se kam të drejtë dhe që punët janë më keq se sa i kam përshkruar, njerëzit edhe më të flliqur se sa më janë dukur. Po fajtorëve penda imë nuk u pëlqen shumë. A është për të çuditur?

  Cilit kusarë i pëlqen ti mbajnë dorën kur përpiqet të çpojë një arkë? Cilit leproz i k’ënda t’i heqësh maskën e hieshme që i mbulon faqet dhe të nxjerrësh në shesh turit’ e tij të çara me plagë dhe të lyera me qelb?

        Fajtorët, me shpresë që të paksojnë rëndësin’ e krimeveqë bëjnë, kanë lëshuar zagarët e tyre pas kurrizit tim:kemi patur rastin të qeshim me lehjet dhe jargët e këtyre kafshëve. Ç’duan të provojnë sodomitët dhe hajdutët e Tiranës?. ..Që jam njeri i keq? Po s’do fjalë që në sy të tyre jam njeriu më i keq i botës. Fjala është: në sy të Perëndisë dhe të ndërgjegjes sime, vallë si jam? Kush mund t’i thotë ato misterie? Ndërgjegja mund të më thotë që jam një farë shenjti:se jam munduar kurdoherë të bëj të mirën; se i kam shërbyer popullit me sa kam mundur; se s’kam hezituar kurrë në mes të detyrës e të interesës; dhe në kam bërë lajthime, nuk i kam bërë kurrë me dashje, por jam gënjyer nga rasti. Në sy të Perëndisë, mund të mos jem as ëngjëll, as djall, por një njeri me vullnet të mirë. Sa shqiptarë vallë hyjnë në këtë kategori?

  Por dua t’i zmbraps të gjithë këto fantazira të një njeriu që i pëlqen vetja dhe mburret më kot. Ejani pra të thomi se të gjithë çpifjet e desinteresuara t’armiqëve të popullit janë të drejta; le të thomi, për hirën e argumentit, që jam edhe më tepër i keq se sa më pikturojnë ata njerës:Si mund ligësia ime të pakësojë, qoftë një drehem, rëndësinë e fakteve që peshojnë kundër kriminalëve të Sodomës së re?

FAKTET JANË FAKTE. ÇFRY, ULËRI, HITH KËLBAZA,QESH, QAJ,PËRKËDHEL,GRIS,VRIT BOTËN,VRIT VETEN,FAKTET,TË THATA DHE TË FTOHTA,S’LUAJNË NGA VENDI DHE MBETEN FAKTE…A ËSHTË FAKT,PO APO JO, QË SHUMICAE NJERËZVE QË KANË SOT PUNËT E SHQIPËRISË NË DORË,KANË VRARË, KANË GRABITUR DHE KANË TRADHËTUAR?…..

 A ëshët fakt, po apo jo, që zanatin e tyre si vrasës, hajdutë, dhe spiunë, e vazhdojnë me forcë të re që kur rrëmbyen Guvernën?

  A është fakt apo jo, që çdo ministër ka lidhje të fshehtë dhe kriminale me një Mbretëri fqinjë?

A është fakt, po apo Jo, që sëmundja e fëlliqur e Sodomisë, u përhap dhe dolli sheshit nën “guvernën” e tanishme që praktikohet nën hije të “Guvernës” dhe që të huajëve kjo gjendje- u bën përshtypje më të tmerruar?

A është fakt, po apo jo, që’guverna” e sotme është themeluar mi sistemin e iftirahut, të spiunllëkut, të rushfetit dhe të pusisë?

        A është fakt, po apo jo, që shumica e proprietarëve të dheut në Shqipëri i kanë grabitur dherat(tokat) ose nga fshatarët ose nga Shteti, dhe që bujqët përdoren si bagëti e janë gjysëm-njerës të verdhë e të shtrembër nga rojtja e keqe?

    A ëshët fakt, po apo jo, që ky system skllavërie, jo vetëm mbrohet nga guverna, por njerëzit dhe miqtë e guvernës e zgjerojnë për ditë duke kallur nën zgjedhë edhe fshatra që gjer më sot nuk ishin çiflik?

  A ëshët afkt, po apo jo, që populli s’ka bukë as punë, dhe që guverna jo vetëm nuk I përkrah fshatarët, po u thëthinë gjakun me hua me zor, me takes dhe em grabitje?

   Në qoftë se këto janëose s’janë fakte,Populli I Shqipërisë e di shumë mirë. Dhe gjykimin e tij s’mund ta ndalojë as klika e Sodomës së Re, as ndonëj fuqi në Botë.

 Marrë me ekzaktësi nga Gazeta DIELLI, 8 Nëntor 1922.

Filed Under: Analiza Tagged With: Faik Konica-Ulerimat-Kelbazat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT