• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

JULIA GJIKA NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

February 10, 2020 by dgreca

JULIA GJIKA- Disa poezi Haiku/


Hëna ec në pasqyrën e qiellit,/
sjell yjet me vehte,/
natën së bashku e shtyjn’./

Hapa dritaren,/
cicërima zogjsh të rinj/
ajri u ndrua./

Ndarje së gjalli/
Më kollaj do t’a kemi/
takimin me vdekjen./

Në breg të detit
s’ka mbetur asnje gjurmë
i vodhi zemra.

Tej, në horizont
dielli po perëndon,
ngjyrat mbledh piktori.
Endrrat ishin blukoha ishte e artë
hënën kishim barkë.
Në mbrëmjen prushhëna djersin,
bulkthi ka etje.
Malet vështrojne heshtur,zogjtë nëpër tela heshtur,
lamtumira e fundit.
Varkë prej letre,era e shtyn mbi liqen,
një ëndërr fëmije buzëqesh.
Puthjen e parënë pasqyrë e tregoi,
loti pikoi.
Shi me diell,lulet në qaf’ kuajsh qullen
romët martohen.
Paqe në lumënjë peshk kërcen mbi sipërfaqe
grepi humb betejën.
Perden hap mbrëmja,bretkocat kanë koncert
spektatorët flen’
Qiell i pastër..shqiponja në pikiadë
peshqit dridhen.
Pika-pika shiulimoni zbërthen gjoksin,
pikon aroma.
Këngën më të renë sqep të një zogu e vura
lexomani shpirtin.
Dëbora bie,zhurmat ndahen me mua
një perde shikoj.
U ngjita në mal,një gjethe në gjoksin tim
takim me vjeshtën.
Nuk mund të shtyhetnjë jetë e arnuar
griset më parë.
Manastir i lashtëmurgjërit themeleve
varrosin fjalë.
Zilinë e pashë:gropë e thellë e hapur,
theva një brinjë.
Zambak në ujëra,Ofelia e Shekspirit
e freskët noton.
Flutur mes zhurmësdhe pluhurit të Kalkutës,
vajza indiane kërcen.
Shtëpia u shitkopshti në lulëzim,
bletët jan’ zonja.
Herët në mëngjesnjë këngë zogu thërret,
lajmi mer dhenë.
Sytë më s’u panë,u harruan;
lejlekët ndruan foletë.
Një re varet,ngarkuar me shi
një lule rrit shtatin.      * * *

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika-Poezi-Hajku

VASIL GËRMENJI, NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT…

February 9, 2020 by dgreca

VASIL GËRMENJI, NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT, DIPLOMAT I SHQUAR NË KRYQËZATËN KUNDËR KOMUNIZMIT/

  • Inxhinieri i hekurudhave që u diplomua në Marsejë- Francë dhe u kthye profesor në Shkollën Teknike në Tiranë.
  • Perpjekja për të kandiduar për deputet në Korcë, tërheqja pas dy javësh.
  • Në ditëpushtimin fashist të Shqipërisë, Vasili dhe bashkëshortja franceze u larguan drejt Marsejës.Inxhinieri detyrohet të kthehet në këpucar.
  • Bashkimi me Rezistencën Nacionale Franceze dhe dekorimi me “ Kryqi i Meritës ” i klasit të pare. Zyrtarisht, veteran i Çlirimit Kombëtar të Frances.
  • Refuzon ftesën për t’u kthyer në Shqipëri, nga që e njihte nga afër Enver Hoxhën. Ai deklaronte se Enver Hoxha nuk ishte komunist kur e kishte njohur ai. U bë i atillë kur u takua me serbo-malazezët.  

·      Gazetar i pavarur në mërgim. Nga buletini”I mërguemi” boton gazetën”Liria e Kombit”

     * Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit,kryetar i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara.

NGA IDRIZ LAMAJ*

1-   Derë e traditës atdhetare

            Vasil Gërmenji rrjedh nga një derë e traditës  atdhetare. Gjyshi i tij, Thanas Gërmenji, udhëtonte shpesh për në Stamboll dhe Misir, ku takohej me patriotë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare si me Naim Frashërin, Thimi Mitkon, Spiro Dinen e sa e sa të tjerë. Thanasi kishte miqësi të ngushtë me Jani Vreton, të cilin e përkrahu edhe materialisht për botimin e shkrimeve të para. Ai mbante lidhje me mërgimtarë të ndryshëm në kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit e Egjiptit dhe njëkohësisht u shërbeu dhe si ndërlidhës me të afërmit e tyre në vendlindje duke u dërguar lajme e të holla nga mërgimi, duke luajtur kështu rolin e një bankieri të vogël. Thanas Gërmenji ishte një prej themeluesve të lëvizjes së fshehtë “Dora e Zezë”. Ai u vra diku në Thrakë, duke lënë pas tre djem, Spiron, Themistokliun e Telemakun, të cilët mbetën jo vetëm jetimë por edhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike.  

Më 1892 të bijtë e Thanas Gërmenjit emigrojnë në Rumani. Aty kryejnë punë të rënda fizike, si çirakë e, në të njëjtën kohë, marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë e shoqatave kombëtare në kryeqytetin rumun. Pas nëntë vjetësh, Telemaku e Themistokliu, kthehen përsëri në Korçë e, pas shumë peripecish, vendosen me banim në Manastir. 

Në atë kohë, Manastiri ishte një prej qyteteve më të mëdha të Ballkanit, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme politike e kulturore. Aty ishte Valiu i Stambollit. Në atë qytet zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shumë organizata shqiptare dhe të huaja, sidomos greke e bullgare.  Në saje të babait të tyre atdhetar dhe të miqësive që kishte, kryetari i bashkisë u dha atyre me kontratë një biznes për furnizimin me gaz të qytetit. Me anë të asaj sipërmarrje, vëllezërit Gërmenji, siguronin jetesën familjare e njëkohësisht mbulonin veprimtaritë e tyre atdhetare. 

Në fillim të vitit 1908, Telemak e Themistokli Gërmenji hapën një hotel në  qendër të qytetit dhe i vunë emrin “Liria”, i cili shumë shpejt u bë qëndra e shqiptarëve të Manastirit dhe gjithë atyre që u binte rruga andej. Hoteli, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. 

Telemak e Themistokli Gërmenji, për t’i shërbyer kombit, nuk e ndërprenë asnjëherë veprimtarinë e tyre patriotike nga Korça, e cila prej kohësh qe bërë djepi i tërë atyre shoqërive e veprimtarive atdhetare kombëtare.

Themistokli Gërmenji luajti rolin kryesor në nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916 për shpalljen e krahinës autonome të Korçës, e njohur si “Republika e Korçës”,  dhe në dëbimin prej andej të pushtuesve grekë dhe të administratës së tyre. Por,  “miqësia” e autoriteteve ushtarake franceze me Themistokliun nuk do të  zgjaste shumë. Kur qeveria  franceze filloi të marrë anën e grekëve, gjenerali francez, Salle,  në një bisedë që pati me Themistokli Gërmenjin, e pyeti ndër të tjera edhe për hapjen e shkollave greke në Korçë. Themistokliu iu përgjegj gjeneralit prerë: “Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë”.  Ky qëndrim i patundur atdhetar i Themistokliut dhe korçarëve të tjerë patriotë si ai, njihej mirë nga autoritetet ushtarake franceze. Tashmë ata  nuk kishin më interes për krahinën autonome të Korçës. Jo vetëm kaq por, për të kënaqur shovinizmin grek, me urdhër të qeverisë franceze, Themistokli Gërmenji arrestohet dhe ekzekutohet në Selanik, më 9 nëntor 1917.

Sipas historianit Athanas Gegaj, Themstokliu, në momentin kur do ekzekutohej, nuk lejoi t’i mbylleshin sytë, si zakonisht në këto raste. Për më tepër, kur e vunë para skuadrës së pushkatimit, ai vetë urdhëroi në frengjisht, me zë të lartë: “Feu!” – “Zjarr!” 

                                                *    *   *

Ndërsa po hidhja në letër këtë shkrim të thjeshtë, vetëm sa për të kujtuar 25 vjetorin e vdekjes së Vasil Gërmenjit, miku im i ngushtë, Bejtullah Destani, më dërgoi nga Londra këtë letër të prekshme, të pa njohur deri tani,  që përkon me datën e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit, të cilën ia dërgonte zonjës së vet:

“ E dashura ime Evdhoksi, 

Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917. Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.”

Telemak Gërmenji, babai i Vasilit, ishte vrarë tre vjet para Themistokliut, më 1914,  bashkë me Memdu Zavalanin, në afërsi të Pogradecit. Në atë kohë, për vrasjen e tij u fajësuan bejlerët e Starovës. Telemaku konsiderohej si truri, strategu politik dhe organizatori i kryengritjeve të njohura anti-turke. Novelisti i njohur korçar, Bendo Shapërdani, (Vasil Alarupi), shkrimet e të cilit janë vlerësuar lart nga Noli, shkruan për Telemak Gërmenjin: 

“…Me mençurinë e Telemakut dhe trimërinë e Themistokliut, u formuan çeta të mëdha luftëtarësh për të fituar atdheu lirinë. Këto çeta u  bënë më me fame dhe aq kërcënonjëse nga trimëria e atyre djemve luftëtrarë, me të vërtetë trimëria tradicionale e shqiptarit. E provuan duke shënuar një nga episodet më të kuximshme kur kryen vrasjen e komandantit të suvarinjëve otomanë, Rexhep Pashës.  Vrasja u bë brënda në Korçë nga e gjithë çeta e sbritur në qytet dhe prirej nga Themistokliu që kish për kra Vasil Tromarën…” (“Shqiptari i lirë”,shkurt 1971, fq. 3 ). 

  • Vasili lindi në Manastir e u rrit jetim.

            Vasil Gërmenji lindi në Manastir më 12 mars 1908, pikërisht në  hotelin “Liria”, që siç thamë më lart, ishte pronë e vëllezërve Gërmenji. Me vrasjen e të atit, ai mbeti jetim qysh gjashtë vjeç. E ëma qe nga prindër grekë dhe, siç duket, ata do ta kenë detyruar të bijën që të ndahej nga familja Gërmenji. Vasili u rrit në familjen e xhaxhait dhe, pas vrasjes së tij, jetoi me Teton, siç e thërriste ai të shoqen e Themistokoliut, Evdhoksinë. 

            Vasili, u rrit dhe u edukua në Korçë ku kreu edhe Lyceun e njohur të atij qyteti. Studimet e larta për inxhinjeri hekurudhash, i kreu në Marseille të Francës. Gjatë studimeve u njoh me Geramaine, me të cilën edhe u martua para se të kthehej në Shqipëri, më 1934. Me që Shqipëria në atë kohë nuk kishte hekurudha, u emërua profesor në Shkollën Teknike në Tiranë, ndërsa e shoqja, profesoreshë e frengjishtes në Institutin “Nëna Mretërshë”. Bashkëshortët Gërmenji shumë shpejt u bënë tepër popullorë në kryeqytetin shqiptar.

Më 1935, me ardhjen në fuqi të qeverisë së kryesuar nga Mehdi Frashëri, u duk se në Shqipëri po shfaqej një lloj lirie në zgjedhjet që do të bëheshin për deputetë. Vasili mendoi të shfrytëzojë rastin dhe vuri kandidaturën në prefekturën e Korçës. Por, kjo iniciativë e tij zgjati vetëm dy javë. Autoritetet e vendit e thirrën atë dhe i thanë se “nëse donte të mbante kandidaturën, duhej të hiqte dorë nga detyra e profesorit në Shkollën Teknike.” Ai e kuptoi lojën që po luhej edhe në ato zgjedhje dhe u tërhoq nga çdo lloj veprimtarie poltike. Dy-tre javë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Vasili i la lamtumirën atdheut për të mos u kthyer dot  kurrë më në të. Vendoset me banim në Marseille të Francës.

 Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjendja ekonomike, veçanërisht për shtetet e ndërlikur në luftë, u bë tepër e vështirë. Njerëzit vuanin deri edhe për kafshatën e bukës. Vasili me të shoqen, për të përballuar jetesën, hapën një dyqan të vogël për riparim këpucësh, me fjalë të tjera, punon si këpucar. Me atë punë të thjeshtë arrin jo vetëm të bëjë një jetë normale por dhe të ndihmojë shumë shokë e miq. Vasili ishte i njohur për bujari. Pas pushtimit të Francës jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez, Resistence Nacional, që kryesohej nga Francois Mitterand, i cili, kur vdiq Vasili, ishte president i Francës. Në mbarim të luftës i jepet në shenjë nderimi “ Kryqi i Meritës ” i klasit të parë dhe njihet zyrtarisht veteran i Çlirimit Kombëtar Frances.  Pas Luftës vazhdoi punën në dyqanin e këpucëve.

                     3-Gazetar i pavarur në mërgim

Si çdo periudhe tjetër historike, edhe asaj të emigracionit të gjatë politik shqiptar të pas-Luftës së Dytë Botërore, i përkasin ngjarje dhe personalitete të shquara dhe të veçanta. Me formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, më 1949, përveç figurave të njohura politike, nacionaliste, që ishin larguar nga Shqipëria duke lënë pas familjet, të afërmit e tyre dhe popullin në përgjithësi, në një gjëndje të tmerrshme persekutimi, toturash, ekzekutimesh, internimesh e burgosjesh, shquhet edhe Vasil Gërmenji i cili, me veprimtarinë e gjithanshme që zhvilloi, iu bashkua fushatës politike anti- komuniste. 

Pas përfundimit të Luftës, Vasilit iu afruan menjëherë “shokët” e dikurshëm duke i propozuar të kthehej në Shqipëri e të  bashkëpunonte me regjimin e ri komunist, duke i ofruar madje edhe poste të larta në qeveri. Vlen të theksohet fakti se Vasili e njihte prej kohësh personalisht Enver Hoxhën. Me të, bile, kishte pasur edhe një farë miqësie, si në Korçë edhe në Francë. Sipas Vasilit, Enveri, në kohën kur e kishte njohur ai, nuk kishte pasur ndjenja apo aspirata komuniste. Vasili e lidhte fanatizmin e Enver Hoxhës, si komunist e diktator, qysh në momentin e rënies së tij nën kontrollin e agjentëve sërbo-malazez. 

Lidhur me ftesën që iu bë Vasilit për t’u kthyer në Shqipëri, të cilën ai e refuzoi me përbuzje,  Dr. Ramazan Shpati na njeh me një bisedë të zhvilluar në mes Vasilit dhe Behar Shtyllës, në Paris, më 1947.  Konflikti i tij i hapur me Shtyllën kishte nisur rreth çështjes së Kosovës. Kur Vasili e kishte pyetur z. Shtylla për problemin e Kosovës, ai i qe përjgjigjur: “Mjaft i kemi në Shqipëri një milion injorantë, (atëherë thuhej se Shqipëria kishte një  milion banorë), pa i shtuar edhe katër apo pesë qind mijë të tjerë”. Vasili nuk kishte duruar më dhe ia kishte përplasur në fytyrë: “ Këtë  tradhëti të lartë kombëtare do ta paguani shtrenjt!” –  dhe ishte larguar pa u përshendetur me të, megjithëse e njihte prej kohësh. Menjëherë, pas këtij refuzimi, ai u angazhua intesivisht në fushatën politike të ashpër kundër regjimit të Enver Hoxhës. 

Tërheq dhe mbledh rreth vetes emigrantë të pa ndërlikuar në partira politike. Si i pavarur, përgatit, publikon dhe shpërndan, për katër vjet, 1950-1954, buletinin mujor: “I mërguemi”, të cilin, pas disa numrash, e kthen në gazetën dy gjuhëshë, shqip e frengjisht, “Liri e Kombit”. Në këtë gazetë ai trajtoi me hollësi jo vetëm zhvillimet e brëndëshme në Shqipëri por dhe në regjimet e tjera komuniste, në përgjithësi. Në komentet e analizat e tij, ai dallohet si social-demokrat i vendosur dhe bën thirrje për bashkimin e të gjitha forcave nacionaliste në një fushatë të përbashkët kundër regjimit komunist. Regjimin komunist të Tiranës ai e akuzon gjithashtu edhe për tradhëti të lartë kombëtare lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë tërë veprimtarisë së vet atdhetare-diplomatike, ai asnjëherë nuk e ndau problemin e Kosovës nga kauza e bashkimit kombëtar. Në shtypin e tij, si në asnjë tjetër të emigracionit, ai ndjek me vëmendje gjithë zhvillimet e brëndshme në Jugosllavi.

Në fushatën e tij politike kundër regjimit komunist në Shqipëri, ai del me një program të qartë politik. Buletini  “I mërguemi” dhe gazeta “Liri e Kombit”, janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve të tij të gjithanëshme për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist dhe realizimin e Shqipërisë etnike demokratike. 

            Polemikat e tij në shtyp janë konstruktive në plot kuptimin fjalës. Ai u bën thirrje grupeve politike në mërgim që mos të  grinden me njëri tjetrin për pikëpamjet e tyre partiake, por të përqendrohen në një platformë të përbashkët, thjesht për çështjen shqiptare.  Në artikullin “Parullat”, botuar tek “Liri e Kombit” para 60 vjetësh, ai shkruante:  “ Nuk na pëlqejnë parullat. Veçanërisht ato që premtojnë vdekje, prerje, varje, vrasje dhe kusure, kujt do qoftë…  Sot në Tiranë ku mbretëron një diktaturë e  urrejtur kriminale, nuk del një gazetë, nuk bëhet një shkresë, nuk shkruhet as një kartolinë edhe private, pa patur në krye parullën  “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”… Sidoqoftë, me gjithë parullën e tyre, Liri Popullit nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë e vesh-mbathje… E futën popullin në punë të detyrueshme… Edhe sikur të ndërtojnë vepra arti dhe teknike madhështore dhe gjigandeske, dhe që mund të mbeten për një kohë të gjatë, ato do të na kujtojnë veprat e mëdha që kanë mbetur edhe sot, që kanë bërë faraonët e Egjiptit të vjetër me skllevër… Mjaft diktatura dhe diktatorë!… Le të punojmë me urtësi për heqjen e diktaturës së sotme të Tiranës dhe për zevendësimin e  saj me një demokraci të vërtetë. “Urtë e butë e tigani plot”, themi në Korçë e gjetkë.”

Po të studjohen me kujdes, shkrimet e tij gjatë katër viteve, sidomos artikujt në frengjisht, shihet qartë se ai ishte një njohës i  thellë i problemeve të brëndëshme të shteti komunist shqiptar, i shqetësimeve të mërgatës nacionaliste shqiptare apo dhe i hendekut të thellë midis komunizmit sovjetik dhe demokracive perendimore.

4-Antar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”

Me 26 gusht 1949, shpallet në Paris Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”,  nën kryesinë e Mitat Frashërit. Për themelimin e atij Komiteti shkruan gazeta të ndryshme perëndimore. Gazeta: “The Christian Science Monitor”, e 26 gushtit 1949, bëri këtë njoftim:  “… qëllimi i tij do të jetë  përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare të cilat dëshirojnë  vendosjen e një qeverie e cila respekton të drejtat dhe lirinë e shtetasve të vet…  Në këtë Komitet përfshihen përsonalitete të shquara shqiptare në sferën shoqërore dhe politike dhe do të ketë selinë e  vet në Nju York…”. Në fakt, ndryshe nga ç’shkruan gazeta e mësipërme, në atë komitet përfaqësoheshin vetëm disa nga rymat politike nacionaliste të mërgimit. Grupet politike që kishin mbetur jashtë përfaqësimit në Komitet, filluan menjëherë reagimin e tyre serioz. Vasil Gërmenji, i pa angazhuar në asnjë grupim politik, pa vonuar, në fillim të vitit 1950, përmes buletinit “I mërguemi”, përkrah idenë për një përfshirje sa më të gjerë në këtë komitet. Faktin që Komiteti e kishte selinë në Nju York, megjithëse akoma nuk ishte antar i tij, e vlerëson si diçka të rëndësishme e shpresdhënëse. 

            Pas reformimit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, kur drejtimin e tij e mori Hasan Dosti, Vasil Gërmenji emërohet antar i këtij komiteti. Pavarësisht nga kjo, ai nuk angazhohet aq tepër në veprimtaritë e tij, thjesht për atë që e cilësonte si “një grumbullim njerzish dhe intrigash të rrezikshme për çështjen shqiptare”. Ai, me sa duket, e kishte nuhatur infiltrimin në radhët e antarëve të Komitetit të Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe të UDB-së jugosllave.

            Më 1956, kur në krye të këtij komiteti emërohet Dr. Rexhep Krasniqi, Vasil Gërmenji ishte antari i parë që u ftua për të marrë pjesë në të, ftesë që ai e pranoi menjëherë. Pas rregullimit të shpejtë të dokumentave të udhëtimit, emigron në SHBA dhe shërben me kompetencë të jashtëzakonshme në çdo fushë të  veprimtarisë së Komitetit.

             Për bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror midis Krasniqit dhe Gërmenjit, thjesht për kureshtje, po i sjell lexuesit disa rastësi të çuditëshme! Të dy kishin lindur jashtë territorit të shtetit politik shqiptar, Vasili në Manastir e Rexhepi në Gjakovë. Ishin rritur jetim e në varfëri të skajshme, njëri nga zonja e Themistokli Gërmenjit dhe tjetri nga zonja e Bajram Currit, në dy qytete të ndryshme: Vasili në Manastir e në Korçë, tjetri në Gjakovë e në Shkodër. Megjithëse me përgatitje të ndryshme shkollore, Vasili me kulturë franceze dhe Rexhepi gjermane, bashkoheshin në të gjitha idealet nacionaliste shqiptare. Kishin të njëjtin mendim për regjimin komunist në Shqipëri, duke e konsideruar atë thjesht si vegël të interesave sllave, e si i tillë, duhej luftuar pa mëshirë dhe në çdo mënyrë. Të dy, megjithëse i përkrahnin dhe i respektonin partitë politike shqiptare në mërgim,  kishin qëndrime të rezervuara ndaj tyre. Për ta, çdo çështje shqiptare duhej parë mbi interesin personal e partiak. Tërë këto, nuk i pengonin ata që të ishin plotësisht të pavarur në personalitetin e tyre: prof. Krasniqi më konservator, ing. Gërmenji më liberal.

5-Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit, kryetar i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara.

        “…Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara, (Assambly of Captiv Europian Nations, – ACEN), të mbajtur me 15 shtator 1970, në Nju York, antari i  Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe përfaqësuesi i tij permanent pranë kësaj organizate, Ing. Vasil Gërmenji, u zgjodh kryetar për të dytën herë. Ky ishte një nder që i bëhej në mërgim Shqipërisë tonë aq të vuajtur, një njohje të kontributit të parreshtur që i kishte dhënë Kuvendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, që prej fillimit të tij, dhe njëkohësisht një vlerësim i lartë personal i z.Vasil Gërmenji nga kolegët e tij të ACEN-it. “Nëse mund të supozohet se zgjedhja e parë e tij ka qenë një shenjë kortezie ndaj një organizate antare, zgjedhja e dytë duhet konsideruar pa asnjë dyshim si shenjë e prestigjit që gëzonte z. Gërmenji ndër kolegët e tij në ACEN.”, shkruante ndër të tjera gazeta, “Shqiptari i lirë”, shtator-tetor 1970, fq.1, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.

            Po ç’ishte ACEN-i, Kuvendi i Kombeve Evropiane të Robëruara? Kjo ishte organizata më e madhe dhe më e fuqishme antikomuniste në botë e mbështetur moralisht dhe materialisht nga qeveria e SHBA-së. Që nga themelimin i saj, më 1954, kur zuri vendin e Komitetit “Evropa e Lirë”,  ACEN-i vazhdoi veprimtarinë e vet gati deri në rënien e regjimeve komuniste në shtetet europiano-lindore. Kuvendi Ekzekutiv ose Asamblea e kësaj organizate, përbëhej prej përfaqsive të Shqipërisë, Bullgarisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë. Këto  nëntë shtete të Evropës Lindore dhe Qendrore që kishin qënë të lira dhe sovrane para 1939-së, ishin antare të rregullta të  ACEN-it dhe secila prej tyre kishte  të drejtën e një vote. Aty bënin pjesë edhe disa organizata ndërkombëtare pa të drejtë vote, si “Ndërkombëtarja Agrare”,” Bashkimi Demokratik i Krishterë i Evropës Qendrore”,” Qendra e Sindikatave të Lira në Mërgim” etj. Qendra e Kuvendit ishte në Nju York, në një pallat afër Misionit Amerikan pranë Kombeve të Bashkuara. ACEN-i kishte zyra edhe në Uashington, D.C.  Gazeta e njohur “The Nju York Times”,  e ka vlerësuar ACEN-in si një OKB të vogël. Ai kishte përfaqësi të përherëshme në Argjentinë, Australi, Brazil, Kanada, Francë, Gjermani, Angli, Itali, Suedi, Danimarkë,  Kolumbi, Ekuador, Greqi,  Indi, Japoni,  Liban, Meksikë,  Filipinë dhe Zvicër.

ACEN-i e realizonte veprimtarinë e vet me anë të këtyre organeve: Komiteti i përgjithshëm, organ ekzekutiv që drejtonte shërbimet e organizatës gjatë vitit; Komiteti i punës, Komiteti politik dhe juridik, Komiteti ekonomik dhe social, Komiteti kulturor dhe informativ dhe Sekretariati me zyrën përkatëse të shtypit dhe të kontabilitetit.

Kjo organizatë e fuqishme antikomuniste përbëhej nga personalitete të njohura e të shquara të vendeve përkatëse si burra shteti, diplomatë,  ushtarakë, etj. të cilët kishin gëzuar popullaritet në vendet e tyre, si gjatë Luftës dhe  pas ardhjes në fuqi të regjimeve komuniste. Midis tyre mund të përmendim: Ferenc Nagy.,  ish kryeministër i Hungarisë; Constandin Visoianu,  ish ministër i jashtëm i Rumanisë; Stefan Korbonski, ish kryetar i lëvizjes kryengritëse kundër okupatorit gjerman në Poloni dhe shkrimtar i njohur; Dr. George Dimitrov, kryetar i komitetit Bullgar dhe mik i Shqipërisë; Dr. Lettrih, ish kryeministër sllovak;  Dr Stefan Osuki, një nga themeluesit e Çekosllovakisë dhe figura të tjera të shquara, patriotë demokratë që luftuan për lirinë e popujëve të tyre të shtypur nga regjimet komuniste.  

Në tetor 1962 Vasil Gërmenji  u zgjodh nënkryetar i Federa- tës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Është e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave, debateve dhe shkrimeve të tij të ndryshme  me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Gjatë karierës së tij ai shkroi qindra artikuj, analiza dhe raporte diplomatike. Në shtypin e kohës, emri i tij përmëndet shpesh për rolin që ka luajtur në veprimtari të ndryshme apo për takimet e nivelit të lartë që ka pasur në Uashington me burra shtetesh e diplomatë nga të katër anët e botës. Siç e vumë në dukje dhe më parë, në tërë këto veprimtari, ai vazhdimisht ngrinte edhe çështjen e Kosovës e protestonte energjikisht ndaj regjimit të Beogradit.

6-Përshëndetja e fundit

            Për Vasil Gërmenjin 28 Nëntori ishte dita më e shënjtë. Ai, edhe pasi doli në pension më1973, kërkonte me këmbëngulje që përkujtimi i Festës sonë Kombëtare nga Komiteti “Shqipëria e Lirë” të organizohej sa më mirë dhe sa më dinjitoz. Ditën e Festës, aty nga ora 10 e mëngjezit, na telefonte në zyrë dhe na kërkonte hollësitë e fundit si dhe numurin e telefonit të sallës së hotelit ku do të zhvillohej ceremonia. Megjithëse dërgonte një përshendetje me shkrim, ai bënte edhe një përshëndetje me telefon në sallë, për të uruar të pranishmit dhe për të falenderuar mysafirët e huaj për pjesëmarrjen e tyre. Në përeshendetjen e fundit me shkrim që i dërgoi Dr. Krasniqit, më 19 nëntor 1988,  shkruan ndër të tjera:

“Më vjen keq që për arësye largësije dhe shëndeti nuk jam në gjëndje të marr pjesë në përkujtimin e 76-të të festës Kombëtare Shqiptare. Edhe një here tjetër, po përkujtojmë dhe festojmë në mergim ditën më të shenjtë të kombit tonë. Ashtu si e kemi bërë çdo vit, që kur kemi ikur  prej atdheut, për arsye të ndryshme, por më shumë se çdo gjë,  sepse nuk kemi dashur të pranojmë zaptimin e tokës tonë nga të huajtë, as që nuk kemi dashur t’i bindemi diktaturave të inspiruara ose të shtërnguara mbi kombin tonë prej të huajsh, ose prej ideologjish të huaja. Jemi të bindur se bashkë-atdhetarët tonë në Shqipëri dhe në tokat tona të robëruara, e festojnë gjithnjë këtë ditë të shquar, dhe shpresojnë të gëzojnë jetë të lumtur, në paqe me të gjithë liritë demokratike që duhet të kenë njerëzit e lirë dhe për të cilat kanë luftuar me gjak të parët tonë.”

Ndërkaq, telefonatën në sallën e hotelit, ku Komiteti “Shqipëria e Lirë” po përkujtonte Festën tonë Kombëtare, nuk arriti ta bënte. Atë ditë, më 28 Nëntor 1988, ai mbylli sytë përgjithmonë, në një aksident automobilistik, aty nga ora 12 e ditës. Trupi i tij ishte përgjakur, skenë kjo që të kujtonte fundin tragjik si të babait ashtu edhe të gjyshit të vet. 

Lajmi i vdekjes tragjike të Vasil Gemenjit dhe të zonjës së tij, na erdhi pa përfunduar akoma ceremonia e Festës së Flamurit. Prof. Rexhep Krasniqi dhe Dr. Hamdi  Oruçi, miq të ngushtë të familjes Gërmenji, u nisën menjëherë për në Florida. Atje organizuan në mënyrë dinjitoze funeralin e tyre në varrezat e qytetit Inverness. Komiteti “Shqipëria e Lire” mori letra e telegrame ngushëllimi nga personalitete të ndryshme të ACEN-it, ministria e Jashtme amerikane, etj.. “Zëri i Amerikës” transmetoi të nesërmen një nekrologji të zgjeruar të Germenjit ku u evidentua veprimtaria e tij në shërbim të atdheut.

Gazeta kryesore e qytetit Inverness, në Floridën qendrore, botoi një përmbledhje të veprimtarisë politike të Vasil Gërmenjit, si antar i Komiteti “Shqipëria e Lirë”, bashkë me një fotografi të tij para ndërtesës së Kongresit Amerikan, në Uashington, kur ai po i dorëzonte kongresmenit të Nju Yorkut, Horton, një memorandum politik mbi gjendjen e Kombeve të Robëruara Europiane, nga ACEN-i në vitin 1969, kur ai ishte Kryetar i organizatës në fjalë.

           7- Heshtje e dhimbëshme ndaj tij

Vasil Gërmenji,  trashëgimtar i një dere të njohur atdhetarësh, rritur jetim me vuajtje e varfëri të skajshme; njeri praktik dhe i gjëndshëm në jetë; bujar, besnik dhe atdhetar i shquar, sot pushon në heshtje larg atdheut.  Emri tij gadi nuk njihet as në Korçën e tij të dashur e lëre më në atdheun e tij etnik, të cilit i kushtoi jetën.  

Kam pasur fatin të njihem me Vasil Germenjin dhe të bashkëpunoj me të për njëzet vjet, qysh ditët e para të ardhjes time në SHBA, më 1968 dhe përpjekjeve për të ndihmuar prof. Nexhat Peshkëpinë, në përgatitjen e gazetës  “Shqiptari i Lirë”, e deri ditën që ai mbylli sytë, në aksidentin e përgjakshëm automobilistik. Vite pas vdekjes së tij, mësova nga Dr. Krasninqi, se Vasili kishte insistuar para se të ndërronte jetë Nexhati, më 1970, që të hyja unë në komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe të merresha me problemet e shtypit të tij. 

Kthimi i eshtrave të Vasilit në atdhe dhe ngritja e një busti pranë xhaxhait të vet në Korçë, do të nderonte Korçën dhe korçarët. Emërimi i një rruge ose Bulevardi në Tiranë, me emrin e tij, do të nderonte Shqipërinë dhe shqiptarët. Është detyrim moral, atdhetar e kombëtar edhe për shqiptarët e Kosovës të nderojnë Vasil Gërmenjin, sepse manastirliu i Korçës, i doli zot Kosovës edhe në Pallatin e  Organizatës të Kombeve të Bashkuara.  Kolegëve të Vasil Gërmenjit, burrave të shteteve, diplomatëve dhe politikanëve mërgimtarë të Kombeve Europiano-Lindore, të sunduara prej komunizmit sovjetik, u janë ngritur permendore në kryeqytetet e vendeve të tyre. Pas 20 vjet demokracie në Shqipëri, është dhimbje e tmerrshme kur mendon se veprimtaria kombëtare  e  Vasil Gërmenjit po iu jepet bashkëkombasve të tij vetëm përmes këtij shkrimi të thjeshtë.

*Ish gazetar i Zerit te Amerikes dhe sekretar i Komitetit “Shqiperia e Lire”, sot anetar i Kryesise se Vatres.

Diciturat e fotografive;

  1. Vasil Gërmenji
  2. Autori i shkrimit, Idriz Lamaj duke i dorëzuar një dhuratë simbolike Vasil Gërmenjit me rastin e daljes së tij në pension, 28 Nëntor 1973.Djathtas, i ndjeri Zef Mirakaj, që ishte moderator i darkës
  3. Gazeta”Liria e Kombit” e Vasil Gërmenjit
  4. Nga e majta, Jusuf Begeja, dr. Athanas Gegaj, dr. Odhise Dhima, Ing. Vasil Gërmenji- Strasburg 1958, kryetar i delegacionit të komitetit Shqipëria e Lirë
  5. Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Nexhat Peshkëpia dhe Ing. Vasil Gërmenji
  6. Mons. Zef Oroshi, Prof. Nexhat Peshkëpia dhe ing. Vasil Gërmenji

Filed Under: Histori Tagged With: -NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT

Testamentet e artistëve si plagë…

February 9, 2020 by dgreca

Testamentet si plagë shpuese të artistëve tanë, që duhet të na vetdijësojnë/

Nga Nue OROSHI/

Ikja e ikonës së muzikës shqipe Nexhmie Pagarusha dhe amaneti  i dy krijuesve të mëdhënj Teki Dervishi dhe Nexhmie Pagarusha për tu varrosur vetëm me cermoni familjare janë testamente që duhet ti lexojmë se të dy këta krijues të mëdhenj njëri shkrimtar,publicist,romansier, analistë politik dhe i burgosuri me i ri i pushtimit komunisto-jugosllav, ndersa tjetra këngëtare që me zerin e saj natyrorë dhe shumë tingëllues ishte një artiste e lindur,shkuan në botën e amshuar me dëshprimin e thellë të tyre. 

Nexhmia ishte bija e atdhetarit Vesel Pagarusha i cili në periudhën para dhe gjatë luftës së dytë botërore bëri shumë për arsimimin e brezave të rinj si dhe shperndau literaturë në gjuhën shqipe në një periudhë mjaftë të vështirë.Një rol të madh e luajti edhe në ndaljën e shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi. Ai u maltretua shumë herë nga regjimet jugosllave por mbeti një atdhetarë i devotshëm.Tash do të ndalëm pak për këto dy testamente dridhëruse.I pari është testamenti i shkrimtarit dhe atdhetarit Teki Dervishi.

Sikur bota perëndimore ta kishte një Teki Dervish veprat e tij letrare do të ishin përkthyer më se paku në 20 e më shumë gjuhë të botës.Kurse ne shqiptarët e lamë në vetminë e thellë.Ai vdiq i thyer shpirtërisht për të gjitha ato rrethana politike që mbretëronin në Kosovë.Ai shkruante për kulturën perëndimore e politika e Kosovës bashkëpunonte me lindjen.Këtu edhe i plasi zemra Teki Dervishit, kur e la testamentin që mos të varroset me cermoni dhe të mbaj fjalim para varrit të tij çdo anonimues i politikës.

Të njëjtin testament e la edhe Nexhmie Pagarusha.Edhe kjo në pleqërinë e thellë u anashkalua nga Institucionet Kulturore në Kosovë.Dhe nuk kishte deshirë që pranë varrit të saj të flasin ata që nuk deshën fare të ndiejnë për veshtirësitë jetësore të saj në pleqërinë e thellë.Dhe si çdo kund që përseritët një refren bajat i politikës tonë se sa janë gjallë krijuesit,shkenctarët,artistet,këngëtaret, atyre nuk ju kushtojnë kujdes kurse pas vdekjes i ngrisin në qiell ku edhe shpallin  ditë zie për ta.

Testamenti i shkruar i këtyre dy artistëve,krijuesve dhe personaliteteve me ndikim në artin dhe kulturën shqiptare fletë shumë për gjendjen se ku e ka pllakosur sot shoqërinë tonë mungesa e përkrahjes për artin dhe kulturën.

Këta dy nuk janë të vetëm.Ka edhe shumë e shumë krijues dhe shkenctarë të tjerë, të artit dhe kulturës shqiptare që shkuan në botën e amshuar me dëshprimin e thellë me politikën,por të bindur se ata një jetë të tërë i kushtuan kulturës shqiptare.Përveç tyre kemi edhe shumë të tjerë që me përpjekje të mëdha janë duke e mbajtur gjallë kulturën shqiptare duke u sakrifikuar për shkencën,letërsinë,kulturën,artin,skulpturën dhe shumë lëmi të veprimtarisë kulturore dhe që nuk mbështetën nga politika shqiptare.

Uroj që këto dy testamente të Teki Dervishit dhe Nexhmie Pagarushës të shërbejnë si mësim për politikanët e Kosovës që në të ardhmen të përkrahin më shumë kulturën shqiptare si dhe krijuesit që janë duke e dërguar përpara këtë kultur dhe uroj që në të ardhmën të kemi më pak artistë ,shkrimtarë,poet,studiues të dëshpruar për faktin se tërë jetën e shkrinë për ta dërguar në piedestalë kulturën shqiptare dhe si shpërblim e morën nënçmimin përqudnimin, neglizhencën dhe harresën nga politikanët anonimus që ndonjëri prej tyre kur të këtë dëgjuar për Palimpsestët e Teki Dervishit, fjalën Palimpsest mund ta kenë mënduar se është ndonjë qokollatë që mund ta hanë apo ndonjë lloj tenderi që munden ta keqpërdorin.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nua Oroshi-Testamentet e artiste-si plage

MERGATA NIS FESTEN E PAVARESISE….

February 9, 2020 by dgreca

PAMJE MBRESËLËNËSE FESTIVE NGA QYTETI BADEN I AUSTRISË/

Nga: Besim Xhelili- Vjenë/Baden, 9 shkurt 2020/

SHKA “17 Shkurti” nga qyteti Baden i Austrisë tashmë me vite të tëra tradicionalisht për nder të festave kombëtare, atë të “17 Shkurtit”, Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe atë të “28 Nëntorit”, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, por dhe në raste të ndryshme kohëpaskohe, sjell para bashkatdhetarëve dhe jo vetëm, një program të larmishëm dhe të pasur kulturor. Ajo është bërë një vatër e atdhetarizmit dhe qarkullimit ndërkulturor dhe ruajtjes së vlerave e traditës shqiptare në Austri.

Më 8 shkurt 2020 erdhi përsëri dita, kur SHKA “17 Shkurti” nga qyteti i Badenit në Austri ftoi bashkatdhetarët nga të gjitha viset e Austrisë, për një ndejë të përbashkët, për një çmallje mes njëri-tjetrit, për një kremtim plot krenari dhe kryelartësi të festës së Pavarësisë së Kosovës. Në skenë u paraqit një program madhështor me këngë e valle burimore shqiptare, këngë epike e kreshnike dhe recitime të ndryshme. U mbajtën fjalime mbi sakrificën e gjeneratave të tëra gjersa erdhi pavarësia, u rikujtuan dëshmorët dhe ata që ndihmuan në çlirimin dhe shtetngritjen e Kosovës dhe mbeti për t’u dëshiruar se bashkë me miqtë tanë, Kosova së shpejti do të futet në familjen e madhe dhe të lirë europiane.

Hapjen e manifestimit e bëri moderatorja Katrina Durmishi, e cila në shqip dhe gjermanisht udhëhoqi programin. Ajo përshëndeti të gjithë për mirëseardhje, të cilët kishin mbushur sallën dhe falënderoi pjesëmarësit për praninë e tyre, gjë që shumë e çmojnë anëtarët e shoqatës. “Prania e juaj sot këtu, tregon se shoqata jonë bën një punë të vyer dhe për lavdi, vajzat dhe djemtë që janë të kyçur në shoqatë, janë krenarë me prejardhjen e tyre dhe ballëlartë prezantohen sot para nesh”, shtoi ajo më tutje. Pastaj ajo prezantoi sponzorët e këtij koncerti, pa të cilët vështirë se do të realizohej ky aktivitet, si dhe falënderoi për praninë e tyre intelektualët, aktivistët dhe kryetarët e disa shoqatave shqiptare në Austri. Më pas ftoi ajo në skenë për një fjalë rasti përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të Organeve Bashkiake të Badenit, të cilët kishin nderuar me praninë e tyre organizatorin edhe atë si, Zv. Ambasadorin e Shqipërisë në Austri, z. Tonin Beci, Konsullen e Kosovës në Austri znj. Xheraldina Pufja, Deputeten e Parlamentit të Austrisë znj. Carmen Jeitler Cincelli, Eurodeputetin z. Lukas Mandl etj. Të gjithë ishin të mendimit se komuniteti shqiptar në Austri meriton fjalët më të mira, se shqiptarët janë një pjesë shumë mirë e integruar në shoqërinë austriake, se japin për çdo ditë kontributin e tyre për një bashkëjetesë mes përkatësive etnike në Austri dhe se njëkohësisht janë trashëgues të denjë të vlerave të tyre kombëtare, që i bën të veçantë, të çmuar dhe të nderuar.

Pas fjalëve përshëndetëse, u hap dera për atmosferën festive, të cilën e sollën para të pranishmëve grupi i angazhuar në program: Agron Nuredini, përgjegjës artistik, Tahir Turkaj e Afrim Rukolli, solistë, Arben Bunjaku e DJ Xheni, instrumentistë dhe këngëtarët Hamdi Hyseni, Xhafer Ahmetaj, Naxhije Nuredini dhe Syne Loshi. Me disa recitale u paraqitën nxënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, grupi i mësuesit Ibrahim Hasanaj. Këngëtarja e re Patricia Quku u paraqit gjithashtu me një këngë. Për vallet u përkujdesën grupi i valltarëve të shoqatës, udhëhequr nga koreografja Diellëza Turkaj.

Për ushqimet e shumëllojshme tradicionale ishte përkujdesur Furra “Hasi” nga qyteti i Badenit.

Manifestimi për nder të 12-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Baden, u përmbyll me një atmosferë të këndshme gazmore, duke vënë në pah se shqiptarët dinë të festojnë dhe argëtohen në qetësi, se janë një fis me një pasuri e pjekuri qytetare, se e duan gjuhën, kulturën dhe atdheun, por dhe se janë mikpritës e dashamirë ndaj kombeve të tjera. SHKA “17 Shkurti” falënderon të gjithë përkrahësit, mbështetësit e ndryshëm dhe ju uron 12-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Filed Under: Featured Tagged With: Besnik Xhelili-Festa ne Baden-Austri

GJERMANIA URON KRYEMINISTRIN KURTI

February 8, 2020 by dgreca

-Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin”, thuhet në letrën e Kancelares Merkel, dërguar kryeministrit Kurti, duke i uruar fat dhe shumë suksese në sfidat që ka përpara…/

Kancelarja Merkel uron kryeministrin Kurti/

-Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, uron kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti: Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin/

PRISHTINË, 8 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar sot telegramin e urimit të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, për marrjen e detyrës së re në krye të ekzekutivit, të cilën ia dorëzoi ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.  

Në urimin e Kancelares Merkel thuhet: “Para jush dhe qeverisë Tuaj ndodhen sfida të vështira dhe të rëndësishme, siç janë ndërtimi dhe forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimi i situatës ekonomike dhe, në veçanti, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këta janë hapat kryesorë për forcimin e perspektivës evropiane të shtetit Tuaj. Qeveria Federale vazhdon ta mbështes Kosovën në këtë rrugëtim. Do të gëzohesha t’ju mirëpres së shpejti në Berlin”, thuhet në letrën e Kancelares Merkel, dërguar kryeministrit Kurti, duke i uruar fat dhe shumë suksese në sfidat që ka përpara./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Merkel-Urime Kurtit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT