• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

PREDKU I PLOTË I PAPËS NË KOHËN E EPIDEMISË

March 31, 2020 by dgreca

(Fjala e Papa Françeskut gjatë çastit të lutjes së jashtzakonshme

në rrafshinën e Sheshit Shën Pjetrit)/

E përktheu Eugjen Merlika/

            “Mbasi erdhi mbrëmja” (Mc 4,35). Kështu fillon Ungjilli që ndigjuam. Prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Errësira të dëndura janë grumbulluar mbi sheshet tona, rrugët, qytetet; kanë zotëruar jetët tona duke mbushur gjithshka me një heshtje shurdhuese e një zbrazësirë dëshpëruese, që paralizon çdo gjë që kalon: ndihet në ajër, kuptohet nga veprimet, e thonë vështrimet. Jemi gjindur të frikësuar e të përhumbur. Si dishepujt e Ungjillit jemi zënë në befasi nga një stuhi e papritur dhe e furishme. Kemi kuptuar se jemi në të njëjtën varkë, të gjithë të  dobët e të çorientuar, por në të njëjtën kohë të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të ftuar t’u grahim lopatave së bashku, të gjithë nevojtarë të ngushullojmë njeri tjetrin. Mbi këtë varkë…. jemi të gjithë. Si ata dishepuj, që flasin me një zë të vetëm dhe me ankth thonë: “Jemi të humbur”, kështu edhe ne kemi marrë vesh se nuk mund të shkojmë përpara secili për hesapin e tij, por vetëm së bashku.

Papa lutet për fundin e pandemisë

         Është e lehtë të gjindemi në këtë tregim. Ajo që del e vështirë është të kuptohet qëndrimi i Jezuit. Ndërsa dishepujt janë natyrisht të alarmuar e të dëshpëruar, Ai qëndron mbi kiç, pikërisht n’atë pjesë të varkës që zhytet e para. E çfarë bën? Megjithë pështjellimin fle i qetë, me besim tek Ati – është e vetmja herë në Ungjill në të cilën e shohim Jezuin të flejë. Kur e zgjojnë, mbasi ka qetësuar erën dhe ujrat, u drejtohet dishepujve me ton qortimi: “Përse keni frikë’ Nuk keni ende besim?”

            Përpiqemi të kuptojmë. Ku qëndron mungesa e besimit të dishepujve, që i kundërvihet besimit të Jezuit. Ata nuk kishin reshtur së besuari tek Ai, në fakt po i luteshin. Por të shohim si i luteshin: “Mjeshtër, nuk të bëhet vonë se jemi të humbur?”. Nuk të bëhet vonë: mendojnë se Jezusi nuk interesohet për ta, se nuk kujdesohet për ta. Ndërmjet nesh, në familjet tona, një nga gjërat që dhëmb më shumë është kur dëgjojmë të na thonë: “Nuk të bëhet vonë për mua?”. Është një fjalë që plagos e shkakton stuhi në zemër. Do t’a ketë tronditur edhe Jezuin. Sepse askujt, më shumë se Atij i bëhet vonë për ne. Në fakt, sapo u thirr, i shpëtoi dishepujt besimhumbur.

            Stuhia i heq perden prekshmërisë sonë dhe le të zbuluar ato siguri të rreme e të kota me të cilat kemi ndërtuar ditarët tanë, projektet tona, zakonet e përparësitë tona. Na tregon se si kemi lënë të përgjumur e të braktisur atë që ushqen, mbështet e fuqizon jetën tonë dhe bashkësinë tonë. Stuhia lë të të zbuluar të gjithë synimet për të “paketuar” e për të harruar atë që ka ushqyer shpirtin e popujve tanë, gjithë ato përpjekje për të përgjumur me zakone në dukje “shpëtimtare”, të paafta t’i bëjnë thirrje rrënjëve tona e kujtesës së të moshuarve tanë, duke mbetur kështu pa imunitetin e nevojshëm për të përballuar vështirësitë.  

            Me stuhinë ka rënë makiazhi i atyre stereotipeve me të cilët mbulonim “egot” tona, gjithmonë të shqetësuar për përfytyresën tonë; ka mbetur e zbuluar edhe njëherë tjetër, ajo (e bekuar) përkatësi e përbashkët së cilës nuk mund t’i shmangemi: përkatësia si vëllezër.

            “Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot Fjala e jote sonde na prek e na përket  ne të gjithëve. Në këtë botën tonë, që Ti e don më shumë se ne, kemi shkuar përpara me shpejtësinë më të madhe, duke u ndjerë të fuqishëm e t’aftë për gjithshka. Të etur për fitim jemi lënë të thithemi prej gjërave dhe të trullosemi prej nxitimit. Nuk jemi ndaluar përpara qortimeve të tua, nuk jemi zgjuar përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk e kemi dëgjuar thirrjen e të varfërve e të planetit tonë të sëmurë rëndë. Kemi vazhduar të patrembur, duke menduar se do të mbeteshim gjithmonë të shëndoshë në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa jemi në një det të trazuar të lutemi: “Zgjohu o Zot!”

            “Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot, na bën një thirrje, një thirrje për besim. Që nuk është aq të besojmë se Ti ekziston, por të vijmë tek Ty, të të besojmë Ty. Në këtë Kreshmë tingëllon thirrja jote urgjente: “Silluni nga un”, “kthehuni nga un me gjithë zemër”. Na thërret t’a presim këtë kohë prove si një kohë zgjedhjeje. Nuk është koha e gjykimit tënd, por e gjykimit tonë: koha e të zgjedhurit mes asaj që vlen dhe asaj që kalon, të ndarjes mes asaj që është e nevojshme dhe asaj që nuk është. Është koha të kthejmë rrugëtimin e jetës drejt Teje, o Zot, e drejt të tjerëve. Dhe mund të shohim drejt shumë shokëve shëmbullorë të rrugëtimit që, në frikë, kanë kundërvepruar duke dhënë jetën. Është fuqia vepruese e Shpirtit, e derdhur dhe e ngjizur në kushtime të guximshme e bujare. Është jeta e Shpirtit e aftë të shpërblejë, të vlerësojë e të tregojë se si jetët tona janë të endura e të mbajtura nga njerëz të zakonshëm, zakonisht të harruar, që nuk dalin në titujt e të përditëshmeve e të revistave, as në urat e mëdha të shfaqjes së fundit por, pa dyshim, janë duke shkruar sot ngjarjet përcaktuese të historisë sonë: mjekë, infermiere e infermierë, punonjës të mbitregjeve, të pastërtisë, kujdestarë, trasportues, forca të rendit, vullnetarë, meshtarë, murgesha e shumë e shumë të tjerë që kanë kuptuar se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Përpara vuajtjes, ku matet zhvillimi i vërtetë i popujve tanë, zbulojmë dhe sprovojmë lutjen meshtare të Jezuit: “ që të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Sa njerëz  ushtrojnë çdo ditë durimin dhe ngulisin shpresën, duke u kujdesur për të mos mbjellur panik, por bashkëpërgjegjëshmëri. Sa etër, nëna, gjyshër e gjyshe, mësues, i tregojnë fëmijëve tanë me veprime të vegjël e të përditshëm, se si përballohet e kalohet një krizë duke përshtatur zakonet, duke ngritur vështrimet dhe nxitur lutjet. Sa njerëz luten, ofrohen dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Lutja dhe shërbimi i heshtur: janë armët tona fitimtare.

            “Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?”. Fillimi i besimit është të dijmë se jemi nevojtarë për shelbim. Nuk jemi të vetëmjaftueshëm, të vetëm; të vetëm fundosemi: kemi nevojë për Zotin, si lundërtarët e lashtë për yjet. Të ftojmë Jezuin në varkat e jetëve tona. T’i besojmë frikërat tona, që Ai t’i mundë. Si dishepujtë të sprovojmë që, me Atë në bord nuk do të ketë mbytje. Sepse kjo është fuqia e Zotit: të kthejë për së mbari gjithshka që na ndodh, edhe gjërat e këqija. Ai sjell qetësinë në stuhitë tona, sepse me Zotin jeta nuk vdes kurrë.

            Zoti na pyet, dhe në mes të stuhisë sonë, na fton të zgjojmë e të vemë në punë solidaritetin dhe shpresën, të afta të japin qëndrueshmëri, mbështetje e kuptim këtyre orëve në të cilat duket se gjithshka po përmbytet. Zoti na zgjon për të zgjuar dhe gjallëruar fenë tonë të Pashkës. Kemi një spirancë: në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer. Kemi një timon: në kryqin e tij kemi qënë shliruar. Kemi një shpresë: në kryqin e tij kemi qënë shëndoshur e përqafuar që asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria e tij ringjallëse. Në mes të veçimit, në të cilin po vuajmë mungesën e përzemërsive e të takimeve, duke sprovuar mungesën e shumë gjërave edhe një herë tjetër lajmërimi na shelbon: është ringjallur e jeton pranë nesh. Zoti na pyet nga kryqi i tij për të gjetur jetën që na pret, për të vështruar drejt atyre që na kërkojnë të forcojmë, të njohim e të nxisim hirin që kemi në vetvete. Mos të shuajmë flakën e zbehtë, që nuk sëmuret kurrë e të lemë të rindizet shpresa. Të përqafohet kryqi i tij do të thotë të gjindet guximi për të përqafuar gjithë kundërshtinë e kohës së sotme, duke braktisur për një çast gjithë gulçimin e plotfuqishmërisë e të zotërimit për t’i dhënë hapësirë krijimtarisë që vetëm Shpirti është i aftë të frymëzojë. Do të thotë të gjindet guximi për të hapur hapësira ku të gjithë të mund të ndihen të ftuar e të lejojnë forma të reja të mikpritjes, vëllazërimit dhe solidaritetit. Në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer për të pritur shpresën e për t’i dhënë mundësi asaj të fuqizojë e të mbështesë të gjitha masat e rrugët e mundëshme që mund të na ndihmojmë të ruhemi e të ruajmë. Të përqafojmë Zotin për të përqafuar shpresën: ja fuqia e besimit që shliron nga frika e jep shpresë.

            “Përse keni frikë? A nuk keni ende besim?”  Të dashur vëllezër e motra, nga ky vënd që tregon fenë shkëmbore të Pietrit, sonde dua t’u le të gjithëve në dorën e Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, shëndeti i popullit të saj, ylli i detit në stuhi. Nga këto kollona që përqafojnë Romën dhe botën le të zbresë përmbi ju, si një përqafim ngushullues, bekimi i Zotit. O Zot bekoje botën, jepi shëndet trupave dhe ngushullim zemrave. Kërkon prej nesh të mos kemi frikë. Por besimi i  ynë është i dobët dhe jemi të ndrojtur. Por Ti, o Zot mos na lerë në mëshirë të stuhisë. Përsërit ende: “Ju mos kini frikë”. Dhe ne, bashkë me Pietrin, “hedhim tek Ti çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne”

Filed Under: Opinion Tagged With: Fjala e Papa Françeskut- Shen Pjeter

COVID-19 RRËMBEU SOCIOLOGUN E NJOHUR, AUTOR I 20 LIBRAVE

March 31, 2020 by dgreca

COVID-19 po rrëmben në heshtje dhe personalitete të njohur.Një sociolog i njohur  është shuar nga COVID-19  javën që shkoi.Ai ishte profesori i CITY COLEGE në New York, William Helmreich. Mediat njujorkeze, por dhe ato kombëtare, njoftuan se profesori i njohur vdiq në moshën 74 vjeçare të Shtunën në mëngjes me 29 mars 2020.

 William Helmreich, ishte një sociolog i shquar, më i njohur për ecjen në këmbë dhe përshkimin e pothuajse të çdo blloku të New York City.

Helmreich shkroi 20 libra, duke përfshirë “New York Nobody Knows- Walking 6,000 Miles in the City”,”The Brooklyn Nobody Knows”,”The Manhattan Nobody Knows” etj. Ai kronikoi shëtitjet e tij nëpër New York City duke biseduar me banorët dhe duke sjellë informacione interesante dhe histori interesante.

Helmreich ishte i lindur në Zvicër dhe u përkiste të mbijetuarve të Holokaustit. Helmreich emigroi në New York City kur ishte foshnjë. Aty u rrit dhe u edukua derisa u bë profesor i sociologjisë në City College of New York.

Ai është përshkruar si ‘një institucion i vërtetë i Kolegjit të Qytetit’, nga Presidenti i CCNY, Vincent Boudreau.

Profesori Helmreich ishte një institucion i vërtetë i Kolegjit, një njeri me një kuriozitet të veçantë për njerëzit rreth tij, një hetues i pandërprerë dhe një tregimtar i etur, “tha Presidenti i CCNY Vincent Boudreau në një prononcim për CNN.

Helmreich e kishte bërë pjesë të jetës së vet shëtitjen, ecjen në këmbë në çdo bllok të qytetit, duke përshkruar në librat e tij pamje autentike të secilit dhe duke përshkruar jetën e përditshme dhe histori intersante.

“Ai besonte se të gjithë kishin një histori që ia vlente ta tregonte,” tha i biri, Jeffrey Helmreich për babanë e tij. “Çdo vend dhe çdo person ishte interesant për babanë tim. Dhe çdo person ndjehej interesant kur fliste me babanë tim.”

Ai ishte gati të përfundonte një vëllim të ri, një seri rreth pesë bashkive të New York-ut.

“Ai ishte në përfundim të përshkrimit të Staten Island”, tha djali i tij Jeffrey Helmreich. 

“Ai ishte aq intensivisht njerëzor sa një studiues. Kishte aq shumë për të mësuar me këmbët e tij, me zemrën e tij, me intuitën e tij….”, tha Jeffrey Helmreich, i cili është profesor Universiteti në Kalifornia. 

Pas testimit pozitiv për koronavirus, simptomat e Helmreich u duk se po përmirësoheshin, por ai vdiq papritur të Shtunën në mëngjes.

“Ne nuk ishim aspakgati  për këtë ikje. Ne nuk i thamë as lamtumirën. Ne menduam se s’ishte koha për t’i thënë lamtumirë,” tha i biri Jeffrey Helmreich.

Familja e profesorit organizoi një ceremoni virtuale, me pak të ftuar. Ata nuk mundën ta vajtojnë së bashku në shtëpi – siç është tradita hebraike.

Punëtorët e shërbimit funeral me veshje mbrojtëse personale përcollën arkivolin.

E veja e Helmreich dhe një nga djemtë e tij morën pjesë në varrim duke qëndruar në këmbë gjashtë metra larg.

Pergatiti:Dalip Greca

Filed Under: Komunitet Tagged With: COVID-19, vdiq, William Helmreich

DO T’IA DALIM!

March 31, 2020 by dgreca

Bisedë me znj.Bora Qehaja nga Fronti i Luftes kundër COVID-19 në Itali/

Zonja Bora Qehaja shërben në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni i Lombardisë.Ajo është në vijën e parë të Frontit të Luftës në një nga vendet më të prekura në botë nga Covid 19.  Ajo shprehet se “unë jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.  “

Në këtë kohë pandemike që po kalon gjithë bota, Italia është në vendin e parë që është goditur shumë keq cila është  detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit italian?

Unë punoj asistente në sallën e ndërhyrjeve të kirurgjisë ortopedike urologjike në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni Lombardia. Italia zë vendin e parë për nga humbjet njerëzore në botë, ngase shkaku kryesor është numri i lartë i të moshuarve që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, por që i bëjnë pacientët shumë të rrezikuar nga virusi.  Spitali ku punoj për hir të situatës së krijuar në Lombardi ka ndryshuar drejtimin se nuk kishim repart të sëmundjeve infektive, prandaj u detyruan të përshtatnin spitalin.  

Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Shqetesimi është i gjithanshëm, por në radhë të parë vjen jeta e pacientëve për t’i shëruar e shpëtuar jetën e tyre sa më parë.  Unë jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.  Të gjithe të sëmurët me virus nuk kanë pranë familjarët e tyre ngase nuk lejohet asnjë vizitë në spital për shkak të infektimit.  Shumë nga pacientët humbin jetën e tyre pa u dhënë as lamtumirën e fundit familjarëve.  Kjo është e dhimbshme por duhet t’i nënshtrohemi rregullave të rrepta të shëndetsise botërore.  Të vdekurve nuk u bëhet asnjë funeral, familjarët marrin njoftime për gjendjen e të sëmurit dhe vdekjen e tyre nga administrata e lartë e spitalit.

Sa kohë keni që punoni në shendetësi në Itali?

Kam 12 vjet që punoj pranë këtij spitali me përkushtim dhe ndershmëri. 

Si u ndjeve kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës kundër COVID-19?

Nuk është e lehtë, por detyra ime është e tillë të jem në dispozicion të sëmurëve duke rrezikuar jetën time për të shpëtuar të tyren.  Pse ta fsheh, frika të shoqëron përditë.  Po situata e krijuar nuk na lejon të mendojmë gjatë, humbjet e tyre para syve tanë janë dramatike dhe shumë të dhimbshme…  

A mendoni se do të  zhduket së  shpejti kjo epidemi globale?

Këtu në  Itali me gjithë  numrin e madh të vdekjeve patjetër që kemi shpresë. Shpresa na bën të  ndihemi të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Po merren masa më të  rrepta për izolimin nga qeveria.  Shpresoj t’ja dalim.                                       

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe punonjese në spitalet e Italisë?

Shqipëria po përpiqet të eci përpara, por 30 vite tranzicion janë shumë. është për të ardhur keq që vendi ynë akoma nuk është në trupin e Bashkimit Europian.

Sistemi shëndetsor në Shqipëri lë shumë per të dëshiruar, por besoj se ata mund të jene më me fat se këtu në Itali kesaj radhe për shkak të rasteve të shumta tragjike që kanë ndodhur.            

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Deshira ime ka qenë gjithmonë të punoj në shendetësi dhe këtu pata mundësi të punoj dhe të jetoj me dinjitet. Këtë ëndërr ma realizoi Italia ku punoj dhe jetoj, vendi që për shumë emigrantë si unë është bërë Atdheu i dytë.               

Sa është e shqetësuar familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?  

Njerëzit e mi të dashur janë shumë të shqetësuar që nga nëna ime në Tropojë e deri tek vëllai im Mark Qehaja në Nju Jork i cili më merr vazhdimisht dhe më inkurajon. E ndjej shumë mungesën e tyre. Unë nuk kam shumë kohë të flas për hir të turneve të gjata, por i lexoj mesazhet e thirrjet në ato pak orë pushimi që mund të kem dhe më sjellin pozitivitet dhe më shumë forcë. 

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit zonja Qehaja për bisedën dhe paci shëndet!                                                     

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

30 Mars, 2020

Filed Under: Interviste Tagged With: Bora Qehaja, Interviste

Pagesat e mbështetjes financiare për përballimin e Pandemisë. Si? Kur? Sa?

March 31, 2020 by dgreca

Në shërbim të komunitetit/

Nga Rafael FLOQI/

Sipas Revistës Forbes/

 Departamenti i Thesarit dhe IRS njoftoi dje se shpërndarja e pagesave të mbështetjes ekonomike të pandemisë do të fillojë në tri javët e ardhshme dhe do të shpërndahet automatikisht, pa kërkuar ndonjë veprim prej shumicën e njerëzve. 

Sidoqoftë, disa të moshuar dhe të tjerë që zakonisht nuk bëjnë deklarata tatimore, do të duhet të paraqesin një deklaratë të thjeshtë tatimore për të marrë pagesën e stimulit.

Kush ka të drejtë të marrë pagesën e mbështetjes ekonomike? 

Personat e regjistruar për kthimin e taksave me të ardhura bruto të rrumbullakosura deri në shumat e75,000 dollarë për individ dhe deri në 150,000 dollarë për çifte të martuar që i paraqesin deklaratat e kthimit të taksave bashkërisht, do të marrin pagesën e plotë. Për personat me të ardhura mbi këto shuma, shuma e pagesës do të zvogëlohet me 5 dollarë për çdo 100 $ mbi pragjet e caktuara të 75,000 $ / 150,000 $ në vit.  Ata individë me të ardhura që i tejkalojnë 99,000 dollarë dhe 198,000 $ si çift sipas dokumenteve të deklaratës së taksave të përbashkëta dhe pa fëmijë, nuk janë përfitues të stimulit. Tatimpaguesit e kualifikuar që kanë paraqitur deklaratat tatimore për vitin 2019 ose 2018, do të marrin automatikisht një pagesë të mbështetjes ekonomike deri në 1.200 dollarë për individ ose 2.400 dollarë për çiftet e martuara. Prindërit do të marrin gjithashtu edhe 500 dollarë për çdo fëmijë që kualifikohet.

Po ku e di IRS-i se ku ta dërgojë pagesën time? 

Shumica dërrmuese e njerëzve nuk kanë nevojë të ndërmarrin vet ndonjë veprim . IRS-si do ta llogarisë dhe do ta dërgojë automatikisht pagesën e mbështetjes ekonomike, atyre personave që kanë të drejtë. Për njerëzit që kanë paraqitur deklaratat e tyre të taksave për vitin 2019, IRS-i do të përdorë atë informacion për të llogaritur shumën e pagesës. Për ata që nuk i kanë paraqitur ende dokumentet e kthimit të taksave për vitin 2019, IRS-i do të përdorë informacionet nga regjistrimi i taksave i vitit 2018 për të llogaritur shumën e pagesës. Pagesa e mbështetjes ekonomike, do të depozitohet drejtpërdrejt në të njëjtën llogari bankare, ku është bërë dhe kthimi i taksave.

Por nëse IRS nuk e ka informacionin e depozitës time të drejtpërdrejtë bankare, çfarë mundem të bëj? 

Në javët e ardhshme, Departamenti i Thesarit planifikon të krijojë një portal në internet për individët, për të siguruar që informacionin e tyre bankar të jetë për  IRS në internet, në mënyrë që këta individë, të mund t’i marrin pagesat menjëherë, krahasuar me dërgimin e çeqeve me postë.

Unë zakonisht nuk jam i detyruar të paraqes një deklaratë tatimore. A mund të marr edhe unë pagesë?  

Po. Ka njerëzit që zakonisht nuk paraqesin deklarata tatimore do të duhet të paraqesin një deklaratë të thjeshtë për të marrë një pagesë të mbështetjes ekonomike. Tatimpaguesit me të ardhura të ulëta, qytetarët e moshuar, përfituesit e Sigurimeve Shoqërore, (Social Security) disa veteranë dhe individë me aftësi të kufizuara,  të cilët përndryshe nuk u kërkohet të paraqesin një deklaratë tatimore, po nuk do të paguajnë taksa.

Si mund ta paraqes deklaratën tatimore të nevojshme për të marrë pagesën time të mbështetjes  ekonomike? 

IRS.gov/coronavirus së shpejti do të japë informacione që do t’i udhëzojnë njerëzit në këto grupe sociale se si të paraqesin një deklaratë tatimore për vitin 2019, me informacion të thjeshtë, por të nevojshëm, përfshirë statusin e tyre të regjistrimit, numrin e personave të varur prej tyre dhe informacionin e llogarisë të depozitave të drejtpërdrejta bankare. 

Unë nuk kam paraqitur deklaratën time tatimore për vitin 2018 ose 2019. A mund të marr  pagesën e mbështetjes ekonomike? 

Po. IRS po nxit këdo që ka një detyrime për paraqitjen e taksave, poq që nuk  ka paraqitur ende  deklaratën tatimore për kthimin e taksave për vitin 2018 ose 2019 ta paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur atë, për të marrë pagesën e mbështetjes ekonomike. Tatimpaguesit duhet të përfshijnë aty edhe informacionet të depozitave direkte bankare për kthimin e taksave.

A do më duhet patjetër të paraqes një deklaratë tatimore? Par sa kohë janë në dispozicion pagesat e mbështetjes ekonomike? 

Për ata që janë të shqetësuar rreth mundësisë të infektimit nga vizita një vizitë tek ndonjë person profesionist për kthimin e taksave, ose tek organizatat komunitare, për një deklaratë tatimore, këto pagesa të mbështetjes ekonomike nuk do të skadojnë, Ato do të jenë në dispozicion gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit 2020.

Ku mund të marr më shumë informacion? 

IRS do t’i postojë të gjitha informacionet kryesore në sitin e tij IRS.gov/coronavirus, sapo ajo faqe do të bëhet e disponueshme. IRS në këto kohë ka një staf të zvogëluar për shkak të epidemisë në shumë prej zyrave të tij, por mbetet i përkushtuar për t’i ndihmuar individët, që kanë të drejtë të marrin pagesa të tyre në mënyrë të shpejtë. 

Ndaj është më mirë të kontrolloni për informacionet e  reja në website IRS.gov/coronavirus, sesa të telefononi asistentët IRS, që po merren me procesin e kthimit të taksave të 2019-tës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafael Floqi, Revista Forbes

NËSE VIRUSI KTHEHET NË NJË ALIBI PËR DREJTUESIT AUTORITARË

March 31, 2020 by dgreca

Nga ALESSANDRA COPPOLA/

            Më e keqja në këto kohë të karantinës, është për atë që lëviz në hapësira të ngushta, ku thithej pak liri: gjendja e spikamës është gjithmonë përligjia e përsosur për krimet e drejtuesve autoritarë (ose të politikanit që synon të bëhet). Nuk është e nevojshme të kapërxehen kontinentët, e ka treguar në Corriere Paolo Valentino: kryeministri hungarez Viktor Orban ka paraqitur një project – ligj që, në fakt, do t’I lejojë të shfuqizojë parlamentin, në kushte alarmi të pacaktuar. Nuk ka kaluar ende, por këtë javë votat duhet të jenë të mjaftueshme për të përdredhur demokracinë në Budapest e për t’i lejuar kryetarit të qeverisë me derete. “Spikama koronavirus”e prej javësh n’Egjypt nuk zhvillohet më asnjë seancë; ndërkaq studenti i Bolonjës, Patrick Zaki, mbetet në paraburgim në Kairo.

            Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin përligjie n’Arabinë Saudite është shtyrë në datë për t’u përcaktuar proçesi që Loujain Alhathloul pret prej dy vitesh në burg, për shkelje të ligjit (pak më parë se të shfuqizohej) që i ndalonte grave të ngisnin makinën: ka shkruar Viviana Mazza. Bota është e përqëndruar tek pandemia dhe policia algjeriane arreston veprimtarin dhe paraqitësin tv Khaled Drareni, që ka treguar muajt e “hirakut, të protestës, dhe sot është i paditur për “atentat ndaj integritetit të territorit kombëtar”. Me dalë në shesh nuk është më e mundur, është e qartë: çfarë do të bëhet me pranverat që sapo po lulëzonin?

            Është rreziku i infektimit, kryeministri Narendra Modi e ka të lehtë të ndalojë në New Delhi marshimin që i bën beleg që në nëndor duke kundërshtuar dallimet kundrejt myslimanëve në Hindi. Në këto kohë përmëndet shpesh “Verbëria” e José Saramago, një infektim i bardhë që vishte sytë dhe shtazëronte njerëzit. Ja: të qëndrojmë të gatshëm, duke mbajtur sytë hapur tek virusi por edhe tek dhunimi i të drejtave themelore që rrezikon gjithashtu të rëndohet.

            “Corriere della Sera”, 28 mars 2020         Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Alessandra Cipola, Eugjen Merlika

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT