• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

N Ë N A…

March 8, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ/

Është ora pesë pasdite dhe pasi kemi arrdhur nga galeritë e kemi ngrënë atë pak supë,si gjithë të burgosurit e tjerë, i lodhur jam shtrirë edhe unë në dyshekun e kashtës në katin e dytë dhe me sytë drejt dërrasave të katit të tretë që shërbejnë edhe si tavane për ne të katit të dytë, mundohem tu jap rrugë e ti arratis mendimet dhe mallin për familjen, kur dëgjohet zeri i tellallit të burgut që thërret emrin tim për takim me familjen.
Ngrihem menjëherë nga dysheku e përpak përplas kokën në dërrasa.Emocione të shumta më pushtojnë papritur.Është takimi i parë me familjen pas gjithë atyre muajve në qeli.
Bashkëvuajtësi pranë meje më thotë me zë dashamirës;
Ishallah është Nëna !.Sytë më mbushen me lot dhe një lëmsh më mblidhet në fyt.
Qëndro i fortë- më thotë sërish bashkëvuajtësi- duke më rrahur supet – jepi kurajo Nënës e mos ua bëj qejfin hjenave të kuq e unë veç tund kokën pa nxjerrë asnjë fjalë.
E prisja me ditë këtë takim e tani që isha veç pak çaste e hapa larg ,mezi tërhiqja këmbët duke ngjitur shkallët e ashtu mbërthyer nga emocionet, u nisa drejtë portës së madhe prej hekuri që shërbente edhe si postbllok ,edhe si vend takimi me familjet me vështrimin e etur për të dalluar cili pjestar i familjes kishte arrdhur.Në hetuesi kryetari i degës së brendshme Llambi Peçini dhe nënkryetari Meramet Hila me kishin thënë se ju jeni një strofkë ujqërish si familje,armiq të betuar të partisë dhe popullit dhe tani do t’ju kalbim të gjithëve në burg dhe kjo më kishte munduar më shumë se gjithë torturat gjatë kohës që isha në qeli.Mos ndoshta dikush tjetër nga familja ishte bërë kurban ? Në horizont dallova siluetën e një gruaje veshur me të zeza me dy trasta në duar që vinte drejt portës.Kur u afrua edhe më,zemra më rrahu fort dhe shtërngova duart në hekurat e portës. Ishte Nëna .Pas Nënës vinte vëllai madh edhe ai ngarkuar me trasta që vështronte herë majtas e herë djathtas ngaqë nuk më shihte mua që qëndroja në koluben midis hekurave.
Kur mbriti te porta,sa më pa,Nëna lëshoi trastat në tokë,drejtoi trupin,morri frymë thellë,rregulloi shaminë e zezë ne kokë dhe me buzët dhe duart që i drridheshin,s’mundi ti fsheh dy pika loti prej syve të përgjëruar që ngrine si dy copa akulli në fytyrën e saj dhe me kokën lart ,që në çast mori pamjen e një copë gjigande mermeri,lëshoi një oh që përshkoi qiellin e gërvishur me shtylla e gjemba teli e si një shkrepje vetëtime, ju bashkua ofshamave të pafundme të Nënave spaçiane;
Po me ty ç’patën biri i vogël i nënës,nuk u ngopën gjithë jetën me ne ?
Polici ju bëri me shenjë të futen në koluben që ndahej në dy sportele hekuri ku i burgosuri dhe familjarët mundet vetëm të takonin duart.Njeri polic qendroi në anën e tyre e tjetri kaloi në anën time.
I zgjata duart,i preka dhe nisa ti lëmoj gishtrinjtë e ftohtë që i dridheshin dhe i thashë;
Ti je mësuar me dallgë o Nënë,do kalojë dhe kjo stuhi,kështu na ke mësuar – dhe u përpoqa ti buzëqesh ,buzëqeshje që në çast u shndrrua në shtërngim dhëmbësh dhe pastaj shtërngova duart e vëllait i cili pasi mi shtërngoi fort shpërtheu;
Qëndro burr,do të të vimë prapa kudo që të jesh, sa të kemi frymën – dhe disa pika lot i rrëshqitën faqeve dhe si ai Luani plagosur shkundi kokën.
Vëllanë e madh e kishin thirrur për bashkëpunim me armën famkeqe të sigurimit të shtetit para arrestimit tim e ai natyrisht ua kishte dhënë reston e në ato çaste, ai ndoshta e ndjeu veten ”fajtor” që unë më i vogli i familjes isha kryqëzuar në vend të tij.
Në çast u ndje zëri i policit që lajmëroi mbarimin e takimit.
Me njerën dorë shtërgova duart e Nënës dhe tjetrën ato të vëllait .
Ah mor bir – psherëtiu Nëna – Nuk më bëjnë këmbët të iki !
E si mund të ndodhte ndryshe në ato çaste të dhimbshme kur një portë gjigande hekuri ku sipër dy kupola me ushtarë me bajoneta e automatikë drejtuar nga ne e ndërtuar nga mendja djallezore e hijenave të kuqe,ndante Nënën nga djali e vëllanë nga vëllai më pa të drejtë.
Shpejt ,shpejt – klithi polici – po presin të tjerët në rradhë !
E brenda portës me duart shtërnguar në hekurat e saj,i pafuqishëm për ta shqyer,veç i vështroja si largoheshin e tërhiqnin këmbët zvarë me shikimin prapa nga unë.
Në çast mu kujtuan vargjet e Kudret Kokoshit në burgun e Burrelit kur ai kishte takuar për herë të parë Nënën pas shumë kohësh.

Të pashë o Nënë pas kaq kohe larguar
Te krrusur,te plakur e të tretur
Të pashë o Nënë mbi një shkop mbështetur
Mermer i gjallë vuajtjesh e mjerimi.

E ashtu si në vegim tek i shikoja të largoheshin si hije, dëgjova klithmën e policit.

Ç’pret – merri trastat e zhduku apo don ti flak në përrua !

DITARI I BURGUT Spac Gusht 1979

Filed Under: Opinion Tagged With: nena, Pellumb Lamaj

PRESIDENTI I RRJETIT TË BIZNESEVE SHQIPTARE NË BOTË NË SELINË E VATRËS

March 7, 2020 by dgreca

– BIZNESMENI NAZAR -NICK MEHMETI URON KRYETARIN E VATRËS DHE REGJISTROHET ANËTAR  I FEDERATËS/

– Së Shpëjti do të nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Botë dhe Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA”-

– Biznesmeni Nazar-Nick Mehmeti dhuroi 2500 dollarë për VATRËN-

            Të Shtunën në mesditë, 7 Mars 2020,Presidenti i Rrjetit të bizneseve të Diasporës Shqiptare në botë, zoti Nazar Nick – Mehmeti,i shoqëruar nga Dr. Naim Deduashaj,drejtor Ekzekutiv i Rrjetit,të Bizneseve, ka vizituar selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra.

Z. Mehmeti ia ka uruar mirëseardhjen Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha, i cili në fjalën prezantuse tha Nazar Nick Mehmeti përfaqëson shqiptaro-amerikanin e suksesshëm në SHBA, si dhe njërin prej dhuruesëve më bujar për luftën në Kosovë, që ka dhënë mijëra dollarë për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai është njëri prej lobuesëve me peshë për çështjen shqiptare në Washington. E ndjej veten me fat, tha z. Berisha, që me Presidentin mehmeti,  së bashku me z. Naim Dedushaj dhe shumë bashkëkombas të tjerë, bashkëpunojmë në rrjetin e bizenseve shqiptare në botë.

Kryetari i Vatrës i kërkoi z. Mehmeti një bashkëpunim më të ngushtë të Rrjetit të Bizneseve me Vatrën me qëllim që të ngrihet niveli i lobimit për çështjen shqiptare në Washington, ç’ka duhet të pranojmë se kohët e fundit ka një zbehje shqetësuse.

Po ashtu, kryetari i Vatrës, kërkoi mbështetje edhe për idenë që ai hodhi gjatë takimit në Vatër me Kongresisitin Eliot Engel, Kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan: Për të  lehtësuar dhënien e vizave të përkohshme shqiptarëve të kualifikur për të punuar këtu në SHBA në bizneset e shqiptaro-amerikanëve.

Në fjalën e tij z. Nazar-Nick Mehmeti tha se ndjehej i emocionuar që ndodhej në selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës për të uruar mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha, si dhe për të shprehur respekt për të gjithë brezat e vatranëve, për gjithçka ata kanë bërë për Kombin. Ai i uroi suksese Vatrës gjatë mandatit të kryetarit Berisha, për të cilin tha se ishte i bindur se do të bëjë më të mirën e  mundshme. Në shenjë respekti për Vatrën dhe kryetarin e saj, z. Mehmeti, plotësoi formularin e anëtarësimit në Federatë. Po ashtu ai dhuroi 2,500 dollarë për Vatrën.

Presidenti i Rrjetit Global të Bizneseve u tregua i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të nënshkruar në një të ardhme të afërt Memorandumin e bashkëpunimit të Rrjetit të Bizneseve shqiptare në Botë me Vatrën.

  Edhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Bizneseve dr. Naim Dedushaj, e falenderoi presidentin e Rrjetit të Bizneseve për vizitën e tij në Vatër dhe premtoi bashkëpunim.E kam ndjekur Kuvendin e Vatrës, kam vlerësuar ecurinë e tij, kam pëlqyer formën e mirëkuptimit dhe jam besim plot për forcimin e saj, tha z. Dedushaj. Ai e uroi Kryetarin Elmi Berisha për ta çuar Vatrën në një stad më ta lartë dhe u tregua i gatshëm që së bashku me pjestarët e tjerë të Rrjetit të Bizneseve të forconin bashkëpunimin me Vatrën. Edhe z. Dedushaj u regjistrua anëtar i federatës Vatra.

         Kryetari i Vatrës shoqërohej nga anëtarët e Kryesisë Anton Raja dhe Dalip Greca. Vizitën e ndoqi edhe anëtari i Vatrës, gazetari i TV 21 Halil Mulaj, Gani Haxhaj dhe Pellumb Vatnika.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha

PREKAZI DHE KULLAT E JASHARAJVE, VENDI NGA MARRIM TRIMËRINË…

March 7, 2020 by dgreca

-Kryeministri Kurti: Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tone/

PRISHTINË, 6 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, që u mbajt në kuadër të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”. 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

 “I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari. I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë, e shkolla në emrin e tyre. I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:  

Sot është dita e dytë e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E filluam me një orë mësimore në të gjitha shkollat e vendit në mënyrë që fëmijët e Kosovës të mësojnë për çmimin e lirisë së saj; e mbajtëm seancën solemne në institucionin më të lartë, në Kuvendin e Republikës; e vazhduam me parakalimin e ushtrisë sonë; bëmë vizita e homazhe në Kompleksin Adem Jashari; dhe, tani jemi këtu, në këtë akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar, Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënëve për liri.

Mënyra se si ne i kujtojmë të rënët për liri tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë.

Liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt. Neve duhet të mirëmbajmë trungun që del prej këtyre rrënjëve e që është shteti, degët që dalin prej trungut e që janë institucionet e organet shtetërore, gjethet që bëjnë kurorën e pemës e që janë partitë politike dhe organizatat e ndryshme në vend, kurse frutat janë mirëqenia që duhet të ndahet, shpërndahet e rishpërndahet te qytetarët e vendit tonë.      

Sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari.

I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë e shkolla në emrin e tyre.

I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët.

I kujtojmë kur pyesim familjarët e të afërmit e tyre se çfarë shikimi kishte Ademi, çfarë e mërziste e çfarë e gëzonte atë, se cilat këngë i kishte qejf t’i dëgjonte e cilat i këndonte edhe vetë, apo si tingëllonte zëri i tij kur qeshte, çfarë ëndrra kishte ai po të mos ishte i predestinuar për komandant,.. Jemi aq shumë kurreshtar për atë që pak e njohëm të gjallë, dhe që s’ka të gjallë sot që nuk e njeh.

Në një nga intervistat që ka dhënë Besarta Jasharaj ku rrëfen për tmerrin që ka përjetuar në ato tre ditë të qëndresës heroike thotë se: “Hera e fundit kur e kam pa babushin ka qenë ky vend, e kam pyet se çka është ka bahet, çka është gjithë kjo zhurmë, ai na tha hini mrena edhe ma nuk e kam pa, veç kur e kam ndi zanin e tij duke kënduar”.

Kur bombat e plumbat ranë mbi shtëpitë e Jasharajve, Hamza e Ademi kishin marrë këngën dhe po këndonin me zë të lartë për të mundur zhurmën e krismave që po frikësonin fëmijët.

Besarta mbijetoi për të treguar. Mbijetoi për të na shërbyer si kujtim i gjallë se sa shumë ju kemi borxh Jasharajve dhe familjeve të të rënëve për lirinë që e gëzojmë sot.

E Bashkimi, edhe ai mbijetoi për të treguar, por edhe për të shpëtuar tjetrin. Ai çau rrethimin me 5 mars për të ndihmuar shtëpinë e familjen fqinje të Jasharajve që ishte njësoj nën rrezik të madh me dy pleq brenda e të cilët më pastaj shpëtuan.

Para më shumë se 300 viteve, i pari i familjes Jashari (nga sa mbahet mend), ishte Murati i cili shkon „asqer“ në Pleme të Vogël, në vend të vëllait të vet i cili ishte më i dobët fizikisht. Prej aty nuk kthehet kurrë më.  E len djalin e vetëm të vogël Fazliun, i cili rritet nga axha i tij. Që prej Muratit i cili nuk kthehet, te Baca Rifat që na e rikthen Muratin profesor dhe Fazliun student, e deri te emrat e ripërtërirë të Shabanit, Zahides, Zarifes nga Murati, të Ademit nga Lulzimi kolonel, të Hamzës nga Bekimi kryetar i Skënderajt, e deri të Igballit nga Bashkimi gjeneral, e dimë që kemi të bëjmë me me një familje të fortë, aq të fortë, saqë të fortë për gjithë neve.

Shtylla e fortë e kësaj familje emblemë, gjithsesi ishte baca Shaban Jashari, i cili krahas rritjes së 8 fëmijëve, ishte mësues e veprimtar, ish i burgosur politik e luftëtar çlirimtar.

Ka një episod të zakonshëm për Bacën Shaban e fascinues për të tjerët që e lidh Bacën Shaban me nipin e tij Lulëzimin. Në vitin 1995, Luli arrestohet e mbahet rob nga policia serbe. Policia e Serbisë frikësohej t’i afrohej kullës së Jasharajve dhe e thërret Bacën Shaban për bisedime, për negociata, siç thuhet sot. I thonë, nëse e don djalin të gjallë na e dorëzo armatimin. Pra, shpëto nipin e dorëzo pushkët! Baca Shaban ju përgjigjet: mbajeni Lulin, s’e japim armatimin, Lula kemi boll. Sot, e kemi këtu Lulëzim Jasharin, por e kemi edhe armatimin e FSK-së, dy gjëra këto që sërish i lidh Baca Shaban.   

Prandaj, sot, të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi, nuk mjafton që vetëm të ngremë flamurin, të mbajmë një minutë heshtje, të vejmë kurorat apo të thurim vargje të bukura që të konsiderojmë se puna jonë mbaron këtu.

Ne nderojmë e lartësojmë punën dhe idealin e tyre, kur në jetët tona ne punojmë vazhdimisht e pa u ndalur për të avancuar lirinë dhe demokracinë, mirëqenien dhe bashkimin, barazinë dhe drejtësinë, mbrojtjen dhe sigurinë, ideale për të cilat ata dhanë jetën.

Si qeveri, ne do të marrim përsipër zbatimin e duhur të Ligjit për Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë dhe guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tonë.

Kullat janë në gjendje të rëndë dhe kërkohet trajtim serioz dhe profesional për të ruajtur dhe mbrojtur kompleksin Adem Jashari.

21 vjet pas, vitin që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për vrasjen e familjes Jashari.

E kemi për obligim e detyrim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, e për të cilën familja Jashari dha gjithçka që të kërkojmë drejtësi pa u ndalur jo vetëm për ata.

Të ardhmen do ta ndërtojmë jo duke e harruar a rrafshuar të kaluarën tonë, por duke kërkuar drejtësi për neve. Për neve që jemi dhe për ata që nuk janë veçse fizikisht me neve.

Askujt nuk i kemi borxh që t’i kërkojmë falje pse na kanë vrarë në vendin tonë e në të drejtën tonë.

Vetëm drejtësia dhe kërkim falja garantojnë paqen e qëndrueshme.

Është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Para 22 vjetësh, unë mbaj mend shumë mirë kronologjinë e ngjarjeve të asaj kohe. Më 28 shkurt, masakrat në Qirez dhe Likoshan, më 2 mars është demonstrata më e fuqishme e vitit 1998 në Kosovë, që mbahet në Prishtinë, më 5, 6 dhe 7 mars janë Epopeja e UÇK-së, më 9 mars është demonstrata më masive në Kosovën e vitit 1998. Pra, nuk e flas kronologjinë për të relativizuar rëndësinë, mirëpo Epopeja e UÇK ndodhej midis demonstratës më të fuqishme dhe demonstratës më masive. Pas Epopesë së UÇK-së, Ushtria e Çlirimtare e Kosovës merr hovin vendimtar.

Më  9 mars nuk kishte shqiptarë të ulur. Ishte një popull në këmbë. Dhe, për më tepër, deklaratat e Grupit të Kontaktit për nga gjuha dhe përmbajtja ndryshojnë përgjithmonë në favorin tonë.

Jemi përherë krenarë e çdoherë mirënjohës për sakrificën e Jasharajve, përulemi para veprës së tyre dhe familjeve të tyre.

I kujtojmë ata, të rënët, që t’ia përkujtojmë vetes ngritjen.

Lavdi Jasharajve dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve e martirëve të kombit.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Familja Jashari, Prekazi

MEHMET GJEVORI, MËSUESI I MËSUESVE SHQIPTARË

March 7, 2020 by dgreca

“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz/

Gazeta DIELLI, sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2020,  riboton shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të para 10 viteve – 7 Marsit 2010:

KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËS

NGA BEHLUL JASHARI

PRISHTINË, 7 Mars 2010/  Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.

Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.

Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.

Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandanti Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:

“Më 11. 8. 2002

Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.

Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.

Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!

Mehmet Gjevori”.

Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.

Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore  si redaktor i botimeve kam  bërë  edhe  detyrën  e lektorit  në gazetën Rilindja. Para  dite punoja  në Redaksinë  e Botimeve kurse pasdite  në  redaksinë  e gazetës Rilindja… Kontrolloja  gjuhësisht  shkrimet  e  gazetës  që do të jipeshin për botim.”

Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.

“Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:

“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetë ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.
E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.
Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, Mehmet Gjevori

A mundet Michigani ta rrëzojë Berni Sanders nga gara?

March 7, 2020 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Ishte Michigani ku Sanders ndërtoi një mrekulli të zgjedhjeve paraprake katër vjet më parë, duke mërzitur Hillary Clinton dhe duke shtyrë axhendën e tij populiste në të gjithë Midëestin industrial. Rezultati tregoi jo vetëm pamundësinë e Clintonit për të fituar me votuesit e klasës punëtore në zgjedhjet e përgjithshme, por mbështeti argumentin e Sanders që, duke garuar përsëri, ai mund të kishte sukses aty ku Clinton dështoi, në një garë ndaj kundër Donald Trumpit.

Por a ka mundësi që këtë të martë, Sanders mund të mos ta fitojë shtetin? Edhe pse sondazhet e para së martës kanë shënuar nga humbje për Joe Biden, në të gjithë Jugun dhe në Massachusetts dhe Minesota – një sondazh i Detroit News / WDIV-TV e vendosi Biden përpara Sanders me gati 7 përqind në Michigan. Dhe kjo ndodhi përpara se Super e marta t’i jepte të gjithë forcën e momentit Bidenit që e siguroi nga fitorja në Karolinës së Jugut, duke bërë që demokratët e moderuar të bashkoheshin rreth tij dhe të bindnin më shumë votues të pavendosur që t’i bashkoheshin atij.

“Kjo gjë mund të përfundojë të gjitha zgjedhjet paraprake brenda tre javësh,” tha Paul Maslin, një sondazhues i lartë demokrat, i cili punoi në fushatat presidenciale të Jimmy Carter dhe Hoëard Dean, sipas gazetës së majtë “Politico”. “Nëse Joe nuk bën ndonjë gafë të tmerrshme. Ai do të fitonte votat e zezakëve minimalisht nga 25-75%. Pasi ai. nuk ka hijen negative të Hillarit. Dhe nëse njerëzit do të duan ta mundin Trumpin, atëherë kjo garë ka mbaruar ”.

Por këshilltarët e Sanders besojnë se zgjedhjet në Michigan mund të punojnë në favor të senatorit të Vermontit javën që vjen, me një fitore për të rivendosur vazhdimin e të mëtejshëm të tij në garë.

Përballja e javës së ardhshme përfaqëson një numër shumë më të vogël të delegatësh, por Michigan – me 125 delegatë – është një shtet kritik për zgjedhjet e përgjithshme dhe një tregues për demokratët. Një humbje këtu mund të minojë në mënyrë të konsiderueshme argumentin e Sanders për elektibilitetin e tij.

“Biden mund ta mundë, Bernien në Michigan,” tha Michael Ceraso, i cili punoi për Sanders në vitin 2016 dhe ishte drejtori i fushatës së Pete Buttigieg në New Hampshire para se ai të linte fushatën e tij. Biden, tha Ceraso, “e kupton që ndërtimi i koalicionit ka të bëjë me kompromisin, i cili do të ndihmonte atë në Michigan, ku elektorati është ekonomikisht i larmishëm, kryesisht i bardhë, me një popullsi të madhe votuese afrikano-amerikane.”

Biden ka pak gjurmë pranie në shtet dhe fushata e tij ka rezervuar vetëm 500,000 dollarë në kohën për reklama TV këtu. Por ai mund të gjejë rrugëdalje të reja.

Barry Goodman, një financues i Biden në Michigan, tha që Biden të hënën do të marrë pjesë në një fushatë mbledhje fondesh në shtet, nikoqirët e të cilit përfshijnë Goodman, ish-guvernatorin e Michiganit James Blanchard dhe kryebashkiakun e Detroitit, Mike Duggan.

“Të gjithë duan të hyjnë në bandën e tij tani,” tha Goodman. “Unë mendoj se nëse Joe fiton Michiganin me 10 Mars  Bernie mund të mos largohet ende. Por në javët në vijim, kur ai të humbasë edhe në Florida, Mississippi dhe Georgia, mendoj se ai do të duhej të tërhiqet. “

Fushata e Sanders ka qenë prej kohësh e sigurt për Michiganin, për shkak të përfundimit të fitores së tij në vitin 2016, si dhe pranisë së tij të kaluar midis punonjësve të bardhë të klasës punëtore dhe votuesve myslimanë. Në një sondazh të YouGov i bërë në mes të shkurtit, Sanders kryesonte mbi  Bidenin në Michigan me nëntë pikë përqindje.

Në fakt  Bernie Sanders është kandidat kryesor sot vetëm për shkak të mënyrës se si ne i rritëm fëmijët tanë vitet e fundit në SHBA.

Por, si arriti një socialist i prirur për gjithë jetën me ide te majta dhe madje komuniste që lëvdon Castron dhe dikush që kurrë nuk fitoi kurrë më parë në zgjedhje si demokrat, të jetë në krye të zgjedhjeve partiake demokrate.

Përgjigja e thjeshtë është, se ai po mbështetet nga miliona votues të rinj demokratë dhe ata janë votues aktivë të Sanders, edhe pse nëse prindërit e tyre nuk arrijnë ta kuptojnë këtë ?

Ja se si ndodhi kjo: Amerikanet u bindën se të gjithë kolegji ishte 100% i nevojshëm për fëmijët amerikane dhe më pas e bëmë të papërballueshëm. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, tufa e arsimtarëve, politikanëve dhe gazetarëve që e bënë të krijohet bindja se kolegji ishte thelbësor për suksesin në karrierë u bë shumë më i fortë dhe kjo mbyti çdo kundër argument.

Në të njëjtën kohë, kostot e shkollimit në kolegje kanë shpërthyer lart falë shumë programeve qeveritare që prodhuan pasoja të paqëllimshme, por të parashikueshme. Më së shumti filloi në 1978 kur u hodhën më shumë kredi dhe subvencione për një numër studentësh. Kostoja e shkollimit në kolegj është rritur gjashtë herë më shumë sesa shkalla e inflacionit duke filluar që nga vitet 1970. Tani, miliona të rinj amerikanë janë rënduar me shumë hua kolegji, që duken të pamundura për t’u shlyer. Borxhi i përgjithshëm i huave studentore në ShBA tani arrin në më shumë se 1.6 trilionë dollarë.

Ndaj a është çudi që kaq shumë prej tyre tërhiqen nga një kandidat presidencial , i cili jo vetëm premton të falë borxhet studentore, por e paraqet gjendjen e tyre në vështirësi, si rezultat i lakmisë së korporatave dhe përparësive të gabuara të qeverisë?

Për fat të mirë të Sanders, votuesit e rinj që e mbështesin atë për premtimet për faljen e borxheve te shkollimit të kolegjit nuk do të jenë shumë të interesuar në historinë e tij familjare. Gruaja e tij Jane Sanders ishte presidente e Kolegjit Burlington dhe ajo dhe administratorët e tjerë raportohet se ishin subjekt i një hetimi të gjatë të FBI-së pasi mashtruan oficerët e kredisë bankare për numrin real të fondeve të donacioneve të premtuara kolegjit. Hetimet e FBI për çështjen përfunduan në 2018, dhe Jane Sanders nuk u akuzua. Por politikat që ajo mbikëqyri e zbatoi, të cilat përfshinin presione për zgjerime të mëdha në kampus, ishin tregues i disa prej shkaqeve thelbësore të rritjes së kostove të studimit në kolegjet e Amerikës.

Establishmenti i të dyja partive i ka injoruar votuesit e rinj, sado e shenjtë dhe e rëndësishme është kjo gjë, pasi politikanët amerikanë e bëjnë gjendjen e arsimit në kolegje të shëndoshë. Kjo nuk është asgjë në krahasim me mënyrën se si liderët nga të dy partitë flasin për programe për amerikanët e moshuar si për Sigurimet Shoqërore dhe Medicare.

Asnjë prej tyre nuk është mister, pasi amerikanët e moshuar gjithmonë kanë pasur më shumë gjasa të votojnë. Edhe pse votuesit e moshës 18-29 vjeç kanë pasur rritje të numrit të pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit, qytetarët e moshuar ende përbëjnë pjesën më të madhe të kolegjit elektoral. Në vitin 2016, 71% e amerikanëve 65 vjeç dhe më të vjetër votuan në krahasim me vetëm 46% të moshave 18-29 vjeç. Në periudhën afatmesme të vitit 2018, ky  hendek u ngushtua në 66% në 36%, por gjithsesi mbetet një hendek dallues .

Të rinjtë janë mbështetës të zjarrtë por nuk janë të gatshëm të shkojnë në votime. Shtetet e Bashkuara kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së votuesve të rinj në botë. Në të dy zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe ato afatmesme, votuesit e moshuar dalin me dyfishin e nivelit të të rinjve. Ky model nuk ka ndryshuar në zgjedhjet e fundit. Në vitin 2018, sondazhet  vlerësuan nivele të larta historike të pjesëmarrjes së të rinjve; megjithëkëtë, edhe në këtë vit të mbarë për pjesëmarrjen e të rinjve, gjithsej 7 në 10 të rinj mori pjesë në zgjedhjet. Provat e hershme tregojnë se gjërat nuk do të duken shumë më ndryshe se në vitin 2020, përkundër faktit se të rinjtë do të kenë një sasi të konsiderueshme ndikimi nw zgjedhjet paraprake dhe se sa në zgjedhjet e përgjithshme.

Shumë njerëz argumentojnë se amerikanët e rinj nuk arrijnë të votojnë sepse janë apatikë ndaj politikës. Punëdhënësit  zakonisht përshkruajnë mijëvjeçarët si shumë cinikë, shumë të interesuar dhe të vetëmbyllur sesa për të hedhur një fletëvotim. Por kjo pretendim thjesht nuk është i vërtetë. Të rinjtë e sotëm janë shumë të interesuar për politikën. Nga 2000, 76% e të rinjve thonë se janë të interesuar për politikë dhe 74% thonë se i intereson ai që zgjidhet. Dhe këtu është ndryshimi.  Para zgjedhjeve, plot 81% e të rinjve thonë se synojnë të votojnë. Por çfarë i pengon ?  Megjithëse shumë të rinj duan të votojnë, ata kanë shumë më shumë gjasa sesa homologët e tyre të moshuar të largohen nga pengesat në rrugën e tyre pasi nuk kanë votuar më parë .

I gjithë ky përqendrim tek votuesit e vjetër dhe fondet e pensionit të tyre është një ndjenjë e bukur, por është e gabuar. Një studim i vitit 2017 mbi pasurinë e bazuar mbi moshën në ShBA tregon se një familje tipike e kryesuar nga një i rritur 65 vjeç apo më i vjetër ka 47 herë vlerën neto më shumë se një familjeje e kryesuar nga amerikanët e rinj. Pra gjyshi dhe gjyshja kanë para. Nga ana tjetër të ndihmosh njerëzit e moshuar që ndodh të jenë të varfër ose në kufijtë e varfërisë është diçka ndryshe. Por supozimi që shumë prej nesh ka për njerëzit e moshuar që kanë nevojë për më shumë ndihmë financiare në Amerikë është e kundërta e së vërtetës.

Po te shohim Obama Care Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, i cili fjalë për fjalë është marrëzi mbështetej nga Amerikanët e rinj dhe më të shëndetshëm që të plotësonin faturën financiare për të mbuluar njerëzit e moshuar dhe të sëmurë, dhe ju shihni pikërisht një model po këtu.

Sanders flet shumë për Sigurimet Shoqërore, dhe ai është padyshim vetë një qytetar i moshuar. Por ai zakonisht zgjeron premtimet e tij në fushatë për të përfshirë njerëz të rinj, siç bëri kur ai mori drejtimin me premtimin e Medicare for All në vitin 2017.

Tani kur Kongresi ishte në zjarr. Për të gjitha ndryshimet e politikave dhe minutat politike demokratët shpenzojnë të kur kritikojnë Presidentin Trump, sulmet më të qëndrueshme ndaj Trumpit nga institucioni Demokratik mbesin akuzat se Trump po mbështet epërsinë e të bardhëve dhe po kontrollohet nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Këto janë akuza të sipërfaqësore dhe është e vështirë të pranohet që edhe shumica e demokratëve të zgjedhur, në fakt, i besojnë ato.  Sanders mund të jetë një politikan në karrierë, por ai kurrë nuk ka qenë një politikan kryesor i Partisë Demokrate. Personi dhe marka e tij politike përshtatet shumë më mirë në narrativën e urrejtës se Partisë Demokratike. Establishmenti po korr atë që ka mbjellë. Si rezultat, duket gjithnjë e më shumë Sanders ka një moment të pandalshëm edhe pas Super se Martës dhe përtej, sidomos pas tërheqjes së Elisabeth Warren. Megjithatë të shohim?

Pyetja e madhe tani është nëse establishmenti demokrat do të përpiqet të shmangë Sanders përpara rasti është në Michigan ose gjatë Konventës Kombëtare Demokratike. Prandaj zgjedhjet ne Michigan me 125 delegatë këtë të martë kanë rëndësi. Por sido që të ndodhë, Partia Demokrate po luan me zjarrin pasi rrezikon të tjetërsojë përgjithmonë votuesit e rinj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Biden, Rafael Floqi, Sanders

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT