• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

14 VITE PA PJETER ARBNORIN

July 8, 2020 by dgreca

Me 8 Korrik 2006 u shua në Napoli-Itali, Pjetër Arbnori, një nga legejndat e qëndresës antikomuniste shqiptare,shkrimtari, krijimtaria letrare e të cilit mbijetoi falë vullnetit dhe pasionit. Sot, në përkujtim të jetës dhe veprës të Arbnorit e kujtojmë si intelektual antikomunist, si shkrimtar, përkthyes, si ish kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet, por mbi të gjitha si NJERI.
Pat lindur më 18 Janar 1935 në Durrës.Kishte përfunduar studimet e larta në fakultetin e Filologjisë. U arrestua me 27 maj 1961. Fillimisht u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me pushkatim. 64 ditë qëndroi në qelinë ku mbaheshin të izoluar të dënuarit me vdekje; me 13 tetor 1962 iu fal jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, duke iu dhënë dënimi përfundimtar 25 vjet heqje lirie.Gjatë kryerjes së dënimit iu shtuan dhe 10 vjet të tjera. Kreu 28 vjet burg; u lirua në gusht 1989. Ishte pjesë e demonstratës antikomuniste të Shkodrës të 14 Janarit 1990. U zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës. Në zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 6 prilli 1992 deri 24 korrik 1997, ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Pjetër Arbnori ishte vlerësuar me urdhëra, medalje e tituj të shumtë. Ai ishte «Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës» të Asamblesë së vendeve frëngjishtfolëse, ishte i përfshirë në fjalorin «Who’s Who» të intelektualëve, hartuar nga Insituti Biografik i Kembrixhit, si dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar.Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me urdhërin”Nder i Kombit” (pas vdekjes) me 28 nëntor 1911 me motivacionin: «Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar».
Për t’u futur në thelb të krijimtarisë të shkrimtarit Arbnorin, risjellim studimin e Profesorit Italian Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës me titull” Pjetër Arbnori-Shkrimtar,” botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.

***

PJETËR ARBNORI PËRBALLË KADARESË: LUFTA PËR LIRI E ÇOI TEK LETËRSIA, JO E KUNDËRTA

Përsiatje rreth studimit të Prof. Giuseppe Gradilione”Pjetër Arbnori-Shkrimtari”, si homazh për shkrimtarin në 84 vjetorin e Lindjes

Nga Dalip GRECA/ Dielli

Ka kohë që përmes mikut tim Anton Çefa, poetit, stdiuesit dhe ish Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli” mora librin e Profesorit Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës-Pjetër Arbnori-Shkrimtar, botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.
Libri i përkthyer nga i ndjeri Daniel Gazulli me parathënie të shkrimtarit Lazer Stani, botuar nga Enti Botues ”Gjergj Fishta”.
Profesor Gradilone sjell një studim serioz dhe të thelluar për veprën e shkrimtarit që e krijoji veprën e tij në kushtet e mungesës së lirisë, duke u ndalë në anilizën artistike të çdo vepre dhe rrethanat kuu u shkruan.
Që në krye të studimit të veprës të Pjetër Arbnorit profesor Gradilone nxjerr përfundimin se shkrimtari nuk ka pasë mëdyshje në luftën e tij kundër diktaturës komuniste,njeriu dhe shkrimttari Arbnori e ka pranuar me vetëdije përballjen dhe dyluftimin. Natyrisht që i ka marrë në sy pasojat e rrezikshme për jetën dhe i ka hedhur dorashkën regjimit antiliri.
Përfundimi i dytë i studiuesit për veprën e Arbnorit dhe kushtet ku dhe kur u krijua, që si renditje mund të ishte i pari, është: Kërkimi i lirisë dhe përballja me mungesën e saj, e çoi tek Letërsia. Duke e përballë Arbnorin me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, studiuesi arrin në përfundimin logjik se intenerari i rrugëtimit drejt letërsisë për të dy,- është jo në të njëtën kahje. Citoj: Në se intenerari i tregimtarit të madh Ismail Kadare-citimi është i detyrueshëm për përmasat e tij si shkrimtar- ka qenë nga Letërsia tek Liria (Ka qenë Letërsia që më udhëhoqi drejt lirisë. Nuk njihja liri kur fillova të shkruaja, ka shkruar Ismail Kadare në bisedë me Erik Faye.)…Pjetër Arbnori ka ndjekur rrugën e kundërt: Ka qenë lufta për liri ajo që e çoi tek Letërsia, ajo që e frymëzoi dhe i dha kuptim;një koherencë shembullore njerëzore dhe artistike ajo e tij.
Njeriut Pjetër Arbnori ia mohuan lirinë duke e burgosur në moshën 26 vjeçare (1961), e tronditën duke e dënuar fillimisht me vdekje, e kthyen më pas në 25 vjet burg, dhe kur kishte kryer 18 vjet burg, e trondisin sërish duke i dhënë 10 vjet plus se kishte shkelë kufijtë e lirisë, kishte guxuar të shkruante në studion-burg, (që ishte katërcipërisht e ndryshme nga studio Kadare) romanin “Shtëpia e mbetur përgjysëm”. Studio ku krijoi imagjinata dhe fantazia e Pjetër Arbnorit për 28 vite ishte në kushtet e mjerushme, në errësirën qelive dhe burgut, por pikërisht ajo lloj lerësie shpëtoi njeriun Arbnori. Në atë lloj laboratori shkrimtari krijoi korpusin e veprës së tij, që u botua pas rrëzimit të komunizmit, si një vepër që sillte shpirtin e paepur nga zgafellat e Burrelit.
Realiteti tragjik i krijuar nga diktatura komuniste e çoi pjetër Arbnorin në krijimin e romanit të parë të tij ”E bardha dhe e zeza”, e cila është shkruar në vitin 1964, viti i tretë pasi e kishin mbyllur në burgun famkeq. Iu desh që ta maskonte romanin nën një emër tjetër dhe se ai ishte vetëm përkthyesi.Romani ka si motiv luftën kundër racizmit. Paralelizmi mes racizmit në Afrikën e Jugut nuk ka shumë dallim nga realiteti shqiptar. Citojmë nga përcjellja që i bën vetë autori Pjetër Arbnori librit ”E bardha dhe e zeza” botuar më 1996: Në Afrikën e Jugut ndodhi një masakër më 1960, ku u vranë zezakë pa dallim.Në Shqipëri kanë ndodhë disa Shapërvile, që nga Postriba në 1946, deri tek revolta e të burgosurve të Spaçit në 1973. Këtë jam përpjekur ta pasqyroj në romanin tim që keni para duarsh, ku emrin tim e kam maskuar me një autor të paqenë që shtjellon ngjarjet në një vend të largët, por që nga fati ishte i afërt me Shqipërinë.”
Arbnori ka stilin e tij të veçantë të të shkruarit, ku shquhet densiteti i mendimit në fjali me strukturë të veçantë sintaksore. Studiuesi arrin në mendimin se fundi i masakrës është përshkruar me një dendsi të rrallë, veti dalluese kjo e stilit të tij, me tri fjali të bashkërendituara pa lidhëza e në një progresion numerik të viktimave: Të vrarët ishin të shumtë, të plagosurit edhe më të shumtë, të arrestuarit pa numër”- “E bardha dhe e zeza”.
Dy novelat e Arbnorit”Vdekja e Gëbelsit” shkruar më 1972 dhe “E panjohura” e shkruar më 1975, studiuesi Gradilione i konsideron si akt-padi kundër diktaturës. Novela”E panjohura” ka në qendër të subjektit historinë e një gruaje të re që ndiqet nga Sigurimi i Shtetit komunist. Ema, kështu quhet gruaja, e vënë në qendër të novelës, është prurësja e një letre që ia ka besuar një autor i shquar, i dhënë pas saj që ndiqej prej Sigurimit. Gradilone veçon stilin e rrëfimit të autorit, që përmes letrës organizon shtjellën e gjithë novelës. Rrëfimi shquhet për zbërthimin e karakterit psikologjik të vajzës, për të sjellë më pas tronditjen nga skenat çnjerëzore të persekutimit të saj. Studiuesi arrinë në përfundimin se detajet e dramës së Emës janë përshkruar mjeshtërisht me artin e përkorë të autorit. Citojmë nga novela:
Zhvisheni!-bërtiti ai, aq befas dhe egër, sa vajza e re kryqzoi duart në krahëror e u mbështet për muri, e trembur për të parën herë prej tyre… e më tej: “Njëra grua u mor me kontrollin e imtë të rrobave, tjetra i kontrolloi birat e veshit, gojën, fijet e hundës, ia zhdrivilloi flokët e artë fije-fije, vrejti nën sqetulla, i preku dy gjinjtë e fortë, e bëri të hapte mbarë e prapë shuplakat e duarve, shojet e këmbëve, dhe gishtat, pastaj e urdhëroi të hapte shalët në një pozicion të turpshëm.Vajzës i rrodhën gjatë kurrizit dy-tri pika djerse akull e dëborë dhe kundërshtoi për të parën herë duke u përqethur shtatit. Por me bashkëpunëtoren e Sigurimit nuk bëhej shaka. Ajo ia përdrodhi dorën si pulës dhe kontrolloi me dorën tjetër para mbrapa sa deshi….
E veçantë në korpusin e veprës së Arbnorit është novela”Vdekja e Gëbelsit”, ku qeni trajtohet si qenie njerëzore, sa ta drithëron shpirtin. Të burgosurit kishin harruar të gëzoheshin, të qeshnin, dhe sjellja ilegale e qenit dukej se ndryshoi jetën e tyre. Shkrimtari Arbnori e përshkruar kështu gjendjen e krijuar mes të burgosurëve me këtë mysafir të rrallë(vini re përshkrimin fizik të burgosurëve): Grumbuj-grumbuj erdhën njerëzit te krevati i të dënuarit…Gjithë ato fytyra të rreshkuara, me rrudha të thella,me kocka të dala, me sy të groposur, sa shikonin qenin e vogël në mes të batanijes, zbuteshin, qeshnin e zgjateshin nga qenia e vogël që kishte qejf t’i mbante sytë mbyllur e që çdo gisht që iafrohej te goja e pandehte si thithën e gjirit të së sëmës. Ata njerëz të lodhur dukeshin tashti si fëmijëa që mblidhen rreth një lodre që do t’ju sjell gëzim e zbavitje…
Studiuesi ka vënë re ecurinë e subjektit sipas gjendjes që kalonte qenushi i vogël ”Gëbelsi” se si përcillte torturat e të burgosurëve prej xhelatëve të burgut, se si sulej përmes televe me gjemba duke marrë plagë nga telat që i nguleshin në trup, e deri në fundin e tij heroik përballë xhelatit. Ja si e përshkruan Pjetër Arbnori fundin e krijesës së vet:” Gëbelsi i vogël s’u rrëzua as dhe një herë, nuk lëshoi asnjë britmë vajtimi a frike gjatë torturës. Vetëm tashmë reagonte, jo aq shpejt, hunguronte më kërcënushëm, por më rrallë dhe mezi merrte frymë. Hasan Dida që s’e priste një qëndresë të tillë, ishte zbehur e përçudnuar më keq se qeni dhe vetëm turpi e mbante në këmbë, kaq ishte këputur. Herën e fundit kur i mëshoi hurit, qeni ia shtërngoi aq fort me dhëmbë sa i rrëshqiti këmba e qe duke rënë. Dikush qeshi. Ai u ngrit, tërhoqi hurin e mezi ia shkuli goje. Dhe kur u përgatit që t’i jepte goditjen tjetër, qeni vari kryet dhe frymën e mbrame. Trupi i mbeti si në fillim, në pozicion mbrojtjeje, ulur në bisht, mbështetur drejt në dy këmbët e para si statuja”Vdekja e Centaurit” të Antuan Burdel…
Për studiuesin Giuseppe Gradilone, qeni ngrihet si symbol i rezistencës të paepur të një populli të tërë. Një nga novelat e arrira të Pjetër Arbnorit është ajo me titull” Kur dynden Vikingët”. I gjithë subjekti është ngritur mbi metaforën e dhimbjes dhe përshkohet nga ideja: Diktaturat të gjithë kanë një emërues të përbashkët, Vikingët e djeshëm janë të njëllojtë me ata të sotmit.
Për studiusin vjen logjik konstatimi se shtjella e novelës zhvillohet mes intrigash që të ngrijnë gjakun, duke shkelur drejtësi, e të vërtetë, duke trazuar pafajsinë, dënojnë duke i mbyllë në çmendinë ata që i denocojnë (rasti i Elenës) apo në kampe përqëndrimi (rasti i Karlit) duke shkelur çdo të drejtë njerëzore (rasti i të paprekshimt Vikingu i madh, avokatit von Shvajcer).
Ndiqeni rrëfimin e trishtë , të hidhur dhe të pafuqishëm të Karlit: Më se njëmijë e pesëqind anëtarë me përgjegjësi të reparteve të sulmit, bashkë me shefin e tyre të shtabit, ministrin Rem, u vranë pa gjyq. Edhe trajtimi mizor që u bëhej çifutëve nuk më pëlqente, por nuk isha i zoti të gjykoja mbi vlerat e argumenteve që paraqiste kundër tyre Fyhreri ynë. Thashë se përpiqesha të mos vija re ç’bëhej rrotull meje, por edhe padashur njeriu vëren.
Në përgjithësi subjektet e veparve të Pjetër Arbnorit përshtateshin me studion e tij burg, subjekte të ashpra, por kishte dhe raste të daljes jasht studios së errët të burgut, kur imagjnata ç’burgosej dhe merrte arratinë përtej burgut. E kësaj natyrë është novela ”Bukuroshja me hijen-idil nga plazhi”, e shkruar në vitin 1974 dhe e botuar më 1994 në Tiranë. Studiuesi Gradilone konstaton se dëshira për t’u arratisur drejt hapsirave të paanë të detit është shenjë e kujtesës dhe pritjes, por sidomos e ruajtjes të pacënuar të ndjenjës së përjetshme të dashurisë. Po në ç’kushte u krijua kjo novelë? Ndiqeni rrëfimin e Pjetër Arbnorit:” megjithëse e kam shkruar shtrirë mbi çimenton e birucës në grevë urie, besoj se më ka dalë një tregim dashurie i këndshëm, shumë njerëzor.”
Vepra që i ka kushtuar më shumë kohë dhe mund shkrimtarit Pjetër Arbnori është”Muzgujt e Mesjetës”. Nëpër roman lëvizin ngjarje tronditëse, përshkruhen Aventura të protagonistit Mark Topia.
Për studiuesin e Arbnorit, boshti qëndror i romanit është egzaltimi i lirisë e i rezistencës së popullit shqiptar ndaj çdo sundimi të jashtëm e të brendshëm përmes ngjarjesh të stuhishme të historisë së tij… Personazhi i Mark Topisë, forca centrifugale rreth së cilës sillen gjithë të tjerët, secili fiksuar në një personalitet njerëzor të vetin, të gjallë e të spikatur, mbrojtja me xhelozi dhe egzaltim i vlerave tradicionale, ajo ç’ka i bën ato të qëndrushme e kompakte në gjithçka, vlera që gjithësesi nuk përjashtojnë hapjen ndaj së resë, dënimi haptaz i vetëizolimit që Shqipëria e vuajti gjysëm shekulli.
Dy romanet e Arbnorit më me vlerë për studiuesin Italian Gradilone janë “Shtëpia e mbetur përgjysëm”- e mbruar së shkruari në mars 1969, dhe “Vorbulla”-shkruar në burg që nga 1 dhjetori 1971 deri në 18 shkurt 1972, që u botuan të dy më 1997. Shtëpia e mbetur përgjysëm” është një roman kujtesë, po ashtu edhe romani Vorbulla, ku ngjarjet janë vendosë në Shkodrën  e pas Lidhjes së Prizrenit.
Vepra e Pjetër Arbnorit, ashtu si e shumë shkrimtarëve e poetëve të dënuar nga diktatura, apelon dhe kërkon më shuëm vlerësim dhe më shuëm vëmendje nga studiuesit dhe kritika e munguar shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: 14 vite mungese, dalip greca, Pjeter Arbnori

13 Korrik, Presidenti Thaçi në Hagë i ftuar nga Specialja për intervistim

July 8, 2020 by dgreca

-Presidenti Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Derisa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi/
Nga Behlul JASHARI-
PRISHTINË, 8 Korrik 2020-Gazeta Dielli- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi sot se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Duke njoftuar këtë në mbrëmjen e sotme Presidenti Thaçi shkruan:
“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.
Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.
 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Korrik, Behlul Jashari, Hage, President Thaci

FLETËRRUFEJA KUNDËR ERNEST KOLIQIT DHE MARTIN CAMAJT

July 8, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Miqtë e mij mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Pikëspari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në mërgim por edhe të tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si tradhtarë dhe kolaboracionistë — gjatë Luftës së dytë Botërore dhe menjëherë pas Luftës II si dhe gjatë luftës së ftoftë 1945-90. As rruga drejtë zyrave ku Tare thotë se i ka “zbuluar” dokumentet, nuk është aq e pa njohur për të tjerë individë të interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin. Gjithashtu, në këtë shkrim nuk ka asgjë të re mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vet Koliqi dhe Camaj nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë — të dhëna këto disa prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre.

Unë kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin disa herë gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970 dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim. Asnjëri as tjetri, kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre publike ose zyrtare, përfshirë bashkpunimin me agjencitë perçendimore për të rrëxuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kështuqë, shkrimi “Dritëhije në histori” megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë as origjinal. Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ata që nuk kanë hequr gjë nga ai regjim –siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i ideve të tija — mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Evropë ose në Amerikë në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimi komunist, Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar madje edhe me vdekje ose dërguar në kampe përqendrimi të afëtmit tuaj, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim. Nuk do punonit ju me perendimorët për të rrëxuar atë regjim, duke i ditur krimet e tija kundër popullit të vet dhe familjeve tuaja – për të bashkpunuar,pikërisht, me këta perëndimorë të cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?

Këto punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës. E vërteta është se ajo ishte një periudhë e luftës së ftohtë kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me diasporën shqiptare por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në Evropën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi ndërkombëtar. Duke lexuar shkrimin në fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për “tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit, Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të ditëve të fundit. Ky artikull i gjatë – i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit – por për nga mesazhi definitisht është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt – por, fatkeqësisht, ndodhë jo në kulmin e luftës së ftohtë, por në kohën e sotëme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit – në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate “imperialiste” ushtarake e botës perëndimore që strehoi kundërshtarët e komunizmit, si Koliqat edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime për antarësim në Bashkimin Evropian. Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Aron Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të djallëzuar në pikëpamjet e tyre.

Botimi i shkrimeve të tilla – siç duket në vijim –pasi botuesi premton pjesën e dytë së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën enveriste dhe krimet e saja duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që bredhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa përspektivë. Më thoni zotërinjë të ndershëm, nëqoftse ju ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Marin Camaj?

Mua nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim fletërrufe nuk mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave shqipe. Po të mund të bëhej një gjë e tillë do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk do ia dalin as Auron Tare me shokë. Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre aq më e fortë bëhet mbështetja për ta dhe për veprat e tyre.

Por gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptarë anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë është ajo që vihet re si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri — madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike për të krahasuar xhelatin me viktimën – me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi e Camaj – kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të minimizohet.
Ernest Koliqin, ashtu siç e njoha megjithse për një kohë të shkurtër, nuk do të shqtesëohej për hiç për shkrimin e Tares. Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit me 3 dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, I shpreh këto ndjenja:“Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Në bashkpunim me aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë jo si evropianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten. Ndryshe nga auron taret e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkpuntorin e tij të ngusht në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe viteve të gjata në mergim.

Filed Under: Politike Tagged With: Fleterrufeja, Frank shkreli, Koliqi &Camaj

Grenell: Kosova e Serbia e meritojnë vëmendjen e BE-së

July 8, 2020 by dgreca

Nga Valona Tela*/

Valona TELA/

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mbështetjen e plotë për udhëheqjen e liderëve evropianë në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.

Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Shpresojmë se çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të vënë theksin mbi normalizimin ekonomik midis palëve, sepse besojmë se ai është hapi i parë thelbësor në këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”, tha Grenell.

Në një seri postimesh në Twitter, ai shfaqi shpresën se evropianët do ta bëjnë prioritet të lartë zbatimin e marrëveshjeve për transport ajror, hekurudhor dhe rrugor midis Kosovës dhe Serbisë. Delegacionet nga Kosova dhe Serbia, këto marrëveshje apo letra të qëllimit i kanë nënshkruar në fillim të këtij viti në Gjermani, me ndërmjetësimin e Grenellit.

“Ne shpresojmë se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë. Ne asnjëherë nuk kemi besuar në një zgjidhje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë, në një vit zgjedhor. Dhe, kurrë nuk kemi menduar se përqendrimi ynë i vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë”, tha Grenell. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen në nëntor të këtij viti.

Grenell po ashtu tha se çështjet e vështira dhe afatgjate politike “do të jenë më të lehta për t’u përballur, pasi të kenë përparuar së pari çështjet ekonomike”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të provojë ide të reja dhe kreative, nëse duam të përparojmë ndonjëherë. Dhe, populli i Kosovës dhe Serbisë e meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropës”, tha Grenell. Atëbotë, dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë. Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregtare me shtetin serb.

Më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqir i këtij takimi do të jetë shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evrpian, Josep Borrell.

Takimi do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në fund të vitit 2018. Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.

Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar më herët se do të riorganizojë një tjetër së shpejti.* Kortezi:Radio Evropa e Lire

Filed Under: Politike Tagged With: Grenell, Kosova & Serbia

Të këqinj të vetes

July 8, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Sa i gjerë dhe i thellë është ndikimi i gjërave që nuk i njohim, si për shembull, i Qiellit dhe Tokës; në të dyja jetojmë por në asnjërin vetëm; i shohim, por nuk arrijmë t’i perceptojmë ose t’i identifikojmë me përmbajtjen. Gjejmë një vend të bukur dhe e bëjmë tonin për t’u mburrur, ashtu si yjeve në qiell u japim emra që të pastrojmë dhe të shenjtërojmë zemrat, të vishemi me rroba të festave për të ofruar flijime dhe falënderime për të parët.

Është oqean me inteligjencë delikate jeta në tokë (jo se njohim tjetër). Fuqitë ndikuese janë kudo, mbi ne, në të majtë, në të djathtë, na rrethojnë nga të gjitha anët. Duket se jemi subjekte të një eksperimenti aspak interesant, që është: Çdo të ndodhë me njeriun nëse nuk ka mendimin e tij? Do të shkojë pas turmave, sigurisht, në diktaturë e drejt rrënimit, ose siç thotë Konfuci, “virtyti nuk mbetet i vetëm si jetim i braktisur, domosdoshmërisht duhet të ketë fqinjë.” Të menduarit na bën të jemi pranë vetes. Me një përpjekje të vetëdijshme të mendjes ne mund të qëndrojmë larg veprimeve dhe pasojave të tyre dhe të gjitha gjërat do të kalojnë pranë pa na prekur. Ne nuk jemi plotësisht të përfshirë në Natyrë; jemi si gjethja në rrymën e ujit, ose zogu në qiell. Mund të prekemi nga një film a shfaqje, por nuk na bën përshtypje një ngjarje aktuale; ose shfaqja mund të jetë tragjedi (një jetë ka mbaruar), dhe spektatori del i qetë nga teatri. “Ishte një lloj trillimi, punë e imagjinatës”, thotë ai, dhe mendon të tjera gjëra – Ky qëndrim i ftohtë cinik mund të bëjë vetëm fqinjë të këqinj dhe miq të varfër.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Të këqinj të vetes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT