• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

RRËFIM NGA NJU JORKU- NË NDERIM E RESPEKT TË INTELEKTUALIT CAUSH AZEM ÇOKU…

August 1, 2020 by dgreca

RRËFIM NGA NJU JORKU- NË NDERIM E RESPEKT TË INTELEKTUALIT CAUSH AZEM ÇOKU, QË NDËRROI JETË NË VENDLINDJE/

Lajmi i ndarjes nga nga jeta i Caush Azem Çoku është pikëllus, i dhimbshëm.Tek ngushëlloja sot vëllezërit Esat dhe Bedri Çoku,si dhe nipin Frenkie, më dridhej zëri. Kam qenë me fat qe i kam njohur vëllezërit Çoku, edhe Caushin.Herën e fundit e takova së bashku me shkrimatrin e ndjerë Halil Jacellari.Halili dhe Caushi jetonin në Itali, unë në SHBA. Drekuam bashkë në restorant Peshku në Lushnjë.Debatuam gjatë drekës për Letërsinë. Folëm edhe për Kadrenë. Unë me Halilin, ishim mbrojtës fanatik të Kadres, Caushi bëri oponentin. Natyrisht që pëlqente artin dhe mjeshtrinë e të shkruarit të Kadaresë, ama kishte rezereva për velin politik të Shkrimtarit. Por Caushi dinte të debantonte, pa ngritje zëri, me kulturë, edukatë fisniku. Ishte intelektual i formatit të lartë. Nuk u mor me politikë, i qëndroi larg asaj sepse ishte dënuar prej politikës, edhe pse pa faj. Jetoi mes Romës, Lushnjës dhe Tiranës.

Familja humbi njeriun e dashur,fëmijët babanë e dhembshur, vëllezërit humbën vëllanë shumë të dashur, ne miqtë humbëm mikun tonë të shtrenjtë.

Lamtumirë Caush Çoku! I mbijetove ferrit të burgut- Pushofsh në Paqen e merituar!

Në kujtim të Caushit dhe në nderim të Familjes Çoku, ndër më te persekutuarat e Myseqesë, po sjell rrëfimin me vëllanë e tij, mikun tim, ish deputetin Esat Çoku, kur ai jetonte në Nju Jork, ku shpaloset jeta e familjes!

***

DASHURI NE VEND TE URREJTJES

Historia e familjes Çoku, që edhe pse i “dhuroi” socializmit një shekull burg dhe internime, nuk kërkoi hakmarrje, nuk ushqeu urrejtje, por i fali dhe u pajtua edhe me dëshmitarët fatkeqë të proçeseve të montuara.Ishin shumë ata që kishin pranuar të dëshmonin kundër Cokëve me deklarata të rrejshme… 
- Shprehje e tolerancës është edhe akti i pajtimit të familjes Çoku me 26 dëshmitarët e rremë, që dolën kundër tyre në proçeset gjyqsore, kur u dënua Azemi me djemtë, Bedriun, Caushin e Esatin.
-Dashuri në vend të urrejtjes është mesazhi i familjes Çoku, që, në tranzicionin e zgjatur, është shpërndarë nga Shqipëria, në Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 NGA DALIP GRECA*(Me shuem foto gjeni ne Facebook)
Esat Çoku bashkë me të shoqen, Zyhranë dhe të birin Francin, jetojnë(jetonin) në Pelham Parkway, në Bronx, NY. Në historinë e jetës së përditshme të Esatit dhe Zyhrasë nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të shënuar. Ata janë emigrantë, si gjithë të tjerët, punojnë në punë të zakonta, lodhen e rropaten dhe jo rrallë mund të ndodhë që të shprehin dhe ndonjë lloj "pendese" për mërgimin në moshën e pensionit. Por, kur kthejnë kryet nga i biri dhe shohin përkushtimin e tij në mësime, rezultatet shumë të mira integruese në jetën amerikane, i bëjnë "hallall" vuajtjet e mërgimit. Ky çift, që ju prezantova, gjithë ditët e javës lodhen në punët e mundimshme, siç janë të gjitha punët e pakualifikuara, ndërsa në fundjavë do t’i gjeshë të gëzuar në shoqërinë, që kanë zgjedhur këtu në emigracion, me të cilën shkojnë kohën e lirë fundjavave, herë duke dalë një shëtitje, herë një bisedë në klubet e shqiptarëve, herë në aktivitetet e shumta që zhvillohen në Nju Jork dhe jo rrallë, duke bërë vizita tek njeri-tjetri. Në shoqërinë e tyre ka njerëz të zakontë, ka ish diplomatë, ish oficerë, inxhinierë, gazetarë, doemos që ka edhe ish të përndjekur të sistemit komunist, me të cilët i bashkon vuajtja dhe rezistenca antikomuniste. Esati shpesh gjendet ne mjediset e Vatres, dhe aty ndjehet mire sepse eshte oaz Mememdhetarie. Aty takon edhe bashkvuajtesit e vet: Fatbardh Kupin, Dine Dinen, Lek Miraken, vellezerit Muja,Pellumb Lamaj e shume te tjere. Të përndjekurit janë bashkëvuajtësit e Esatit, por ai nuk i paragjykon njerëzit, është krejtësisht tolerant, i paparagjykueshëm në ato ç’ka ka hequr ai dhe familja e tij. Vuajtjet e tij dhe të familjes nuk ia faturon çdo lloj njeriu, ato qenë pjellë e sistemit komunist. Ish deputeti i Partisë Demokratike ka marrë rrugën e mërgimit këtu ne SHBA, Caush Çoku, rrugët e mërgimit nisi t’i shkelë menjëherë pas burgut, që në vitin 1991ne Itali. Edhe pse qe shpallur armik dhe qe arrestuar në emër të popullit si armik i popullit (kush e pyeti popullin?!), Esati orë e çast mendon me mall për Shqipërinë dhe thotë se vështirë do ta ketë, nëse nuk kthehet një ditë atje, ku ka lënë gjithçka; edhe gëzimet, edhe vuajtjet, edhe prangat, edhe varret e të dashurve; edhe tokën, edhe vreshtin, edhe shtëpinë në Muçias(ne fakt eshte kthyer familjarisht). Edhe “armiqtë” e dashkan Atdheun!!!!
Shprehje e tolerancës është edhe akti i pajtimit të familjes Çoku me 26 dëshmitarët e rremë, që dolën kundër tyre në proçeset gjyqsore, kur u dënua Azemi me djemtë, Bedriun, Caushin e Esatin.
            “Nuk arritëm të  pajtohemi vetëm me gjashtë prej dëshmitarëve, të cilët patën vdekur, para se ne të liroheshim prej burgjeve, thotë Esati. Për ne ata ishin fatkeqë të një sistemi antinjerëzor. Falja dhe mëshira ishin më e shumta që mund të bënim ne për ata.” 
Toleranca dhe dashuria njerëzore e çoi Esat Çokun deputet në  Parlamentin Shqiptar (1992-96). Ishte rasti më i veçantë në Shqipëri, kur ish i përndjekuri ishte në një sallë me ish hetuesin e vet. Esati dhe hetuesi i tij, Bashkim Caka, ishin njëkohësisht deputetë, njëri për PD-në dhe tjetri për PS-në! Kur ishte në krye të Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë të Lushnjës(1991- 1995), apo pjestar i kryesisë të Shoqatës Kombëtare të Ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në po këto vite, Esati nuk kultivoi as urrejtje, as hakmarrje, vetëm kërkoi integrimin e bashkëvuajtësve. Kështu donin edhe vëllezërit, Bedriu dhe Caushi, të cilët, edhe pse nuk u morën me politikë, u treguan qytetarë të denjë. Trazicioni 15 vjeçar i Shqipërisë e ka shpërndarë familjen Çoku. Njëri vëlla, Bedriu, ka mbetur në Shqipëri, i cili, pas 15 vitesh, ka vendosur të trokasë në politikë, duke pranuar të jetë kandidat për deputet i “Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar”, ndërsa Caushi jeton në Romë, si gazetar i Komunitetit Europian. Esati jeton në New York. edhe për një fakt tjetër, për tolerancën. Në kohën e krizës së pushtetit demokratik, Bedriu ishte ne krye te burgjeve të Shqipërisë. Atëherë Fatos Nano ishte në burg. Bedriu urdhërohet që të mos i ndodhte asnjë e keqe me jetën e kryetarit të opozitës. Shkoi vetë me helikopter dhe e shpëtoi Nanon nga rreziqet, që i kanoseshin. Kur socialistët erdhën në pushtet me Nanon kryeministër, vetë i pari kërkoi që t’i bëjë një vizitë në shtëpi për ta falenderuar, se i kishte shpëtuar jetën. Bedriu ia çeli derën e apartamentit dhe e priti.Shefi i opozites e “shperbleu” , pas vizites e shkarkoi dhe e la pa pune! Një javë pas vizites jetëshpëtuesi i Nanos, edhe pse kishte përfunduar studimet për jurist, edhe pse zotëronte tri gjuhë të huaja, u gjend i papunë…Shpërblim i bukur!
 
Nëna e burgjeve
 
Në fillimet e emigrimit, Esati  kaloi një provë të vështirë. Nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje të rënduar psikologjike, tmerrësisht dëshpëruese. Në  shtëpi ishte vetëm me nipin( I ndjeri nip u kthye ne Shqiperi, por para nje viti nderroi jete). Esati kishte marrë lajmin e hidhur të vdekjes së nënë Esmasë.  
-         Qenka e thënë që të mos i hedh një dorë dhe nënës, ashtu siç nuk i hodha babait, (ishet ne burg ate kohe) - qante dhe psherëtinte ato ditë Esati.
 Kur u vdiq babai, me 12 dhjetor 1982, tre vëllezërit qenë në burg dhe nuk mundën të ishin në varrimin e atit të tyre të dashur, ndërsa tani që vdiste nëna, Esati ishte këtu, larg, shumë larg, dete e oqean kaptuar. Statusi nuk e lejonte që të udhëtonte….
Nënë Esmaja kishte ikur nga kjo botë, ndërsa ai kishte vënë fotografinë e saj në një kënd dhe vajtonte e priste njerëz, që vinin t’i mjekonin plagën e dhimbjes…
Dukej se gjoksi nuk ia mbante dhimbjen. Miqtë dhe të njohurit nuk reshtnin, por plaga e shpirtit s’mbyllej kollaj….Ai i binte telefonit herëpashere dhe merrte informacion rreth varrimit. Fliste me vëllezërit, por  fjala lagej nga lotët dhe telefoni bëhej memec…E shoqëroi kortezhin së largu, deri sa përfundoi varrimi.
- Së paku t’i kisha hedhur një dorë dhe,- përsëriste herëpashere Esati, që kapte tëmthat, i shtërngonte fort dhe fshinte sytë, nga të cilët rridhnin lotët e dhimbjes. Ishte fillikat. E mbyti dëshpërimin me lot dhe psherëtima….

….Kishte vdekur Esma Çoku, një nënë e vuajtur, një ndër nënat e rralla që e kishte përballuar të keqen me stoicizmin e saj të rrallë. Shumë fatkeqësi patën rënë mbi të gjatë 50 vjetëve. Fillimisht i kishin prangosur burrin, Azemin, të cilin, pasi i sekuestruan pasurinë, e damkosën “kulak”. Ajo nuk e la të shoqin të vdiste i vetmuar në qeli, së paku nuk e la të uritur, por torbën në shpinë dhe i shpinte ushqime. Fatkeqja, guximshëm, përpiqej të rriste djemtë, që t’i bëheshin të mbarë. Ajo nuk ishte thyer as atëherë, kur familjen e deklasuar Çoku e internuan nga qyteti i Fierit, në Tokën e Vdekur të Myzeqesë, as kur i arrestuan djalin e vogël, Caushin, as kur i prangosën të dytin, Bedriun (të dy ushtarë pa pushkë në xhenjo), as kur e lanë të vetmuar, pasi i morën edhe Esatin. Do të mbetej vetëm me Zyhranë, bashkëshorten e Esatit, e cila iu kthye si shoqe dhe motër në ditët e vështira. Bashkë e  merrnin rrugën për t’u takuar me të tre djemtë, që njëkohësisht vuanin burgjeve të Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit….Udhëtonin dy-tre ditë për të shkuar tek djemtë-armiq të pushtetit… Rrugë pa rrugë, qëllonte që të flinin edhe jashtë, kur nuk ua hapnin dyert nga frika se ishte nëna e djemve të dënuar politikë, ndërsa, e reja, nusja e armikut. …Ja, kështu me atë torbën në krahë e mira nënë baritej maleve të Shqipërisë për të mbajtur gjallë shpirtrat e djemve, që vuanin absurdin. Ajo vërtetë nuk ishte e burogosur, por shpirti i saj qe njëqind herë më i prangosur se sa duart e ënjtura nga prangat e të shoqit dhe e bijve të saj. Ata u planifikuan nga ai sistem si kundërshtarë të vijës së parë dhe qenë ndër të fundit që lanë qelitë e ferrit. Bedriu ishte ndër të burgosurit e fundit që la qelitë pas vizitës të Peres De Kuelarit në Shqipërinë komuniste.

Vëllai i dytë i Esatit, Bedriu, duke e përshkruar nënën e tij në librin, që ka në dorëshkrim, shkruan: “Kanë kaluar gjithë ato vite pritjeje që i kanë dhuruar asaj shumë ankth, dhimbje dhe tmerre, tani nuk i besohet se është e lirë dhe djemtë i ka të lirë…”.
…. Viti 1991. Bedriu, një ndër të dënuarit politikë, që u lirua i fundit nga burgjet shqiptare, me ndihmën e shoqërisë së vjetër, që kishte në Fier, arriti të merrte një shtëpi në qytetin e tij të fëmijërisë dhe të ëndrrave, pikërisht në atë vend, ku ata patën barakën e tyre, para se t’i internonin në “tokën e  vdekur”. Nënë Esmaja, që qe mësuar me jetën e fshatit, sikur e kishte të vështirë të rimësohej me jetën e qytetit, nga e kishin shpërngulur në një natë të errët. Por, nga ana tjetër, i dukej vetja si në ëndërr, kur e shihte veten në atë shtëpi të re së bashku me të birin, i cili shkonte si zotni në shkollë, i veshur për bukuri me kostum e kollare, ku jepte mësim gjuhët e huaja, që i kishte mësuar atje, në universitetin- burg!
- Mos jam në ëndërr? -  pyeste veten e zonja e shtëpisë dhe dëshironte që të jetonte sa më gjatë, për ta gëzuar lirinë…!
 
Tre vëllezër në një prangë. COKËT, një shekull burg e internim
Rrallë mund të gjesh familje, që të ketë kaluar tërë jetën në burgjet komuniste. Të marra së bashku, vitet e burg-internimeve bëhen shumë dhe rëndojnë në kujtesën e kombit si për mijëra familje të tjera, të cilëve iu mohua jeta e lirë, thjeshtë, sepse qenë rreshtuar në anën e kundërt të barrikadës komuniste. Le të ndjekim statistikën: 
- Azem Çoku, babai  -  11 vite burg
- Caush Çoku, djali i vogël  -  22 vite burg
- Bedri Çoku, djali i dytë  -  23 vite burg
- Esat Çoku, djali i madh  -  8 vite burg dhe internim…
- Esma Çoku -  e internuar me dekada… bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur;  64 vite dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe të bijve…
-         Vëllai tjetër, nipër e mbesa, lindur e rritur nëpër baltën e fushave të Myzeqesë së përvuajtur  -  të internuar… 
    ***
Po të bashkosh vitet e e burgut dhe ato të internimit për familjen Çoku, të dalin më shumë se një shekull dënime. Statistikat e mësipërme ndoshta nuk kanë nevojë për koment, por historia duhet kujtuar me qëllimin e mirë, që të mos harrohet. Poeti, publicisti dhe shkrimtari Visar Zhiti, për të cilin poezia qe prostitutë, që e futi në burg dhe njëkohësisht Shën Maria, që i ruajti shpirtin në vuajtjet e ferrit komunist, tek ka paraqitur dy vëllezërit Çoku, në parathënien e librit të tyre “Caush Çoku& Bedri Çoku, dy vëllezër në një prangë”, shkruan kështu në përcjelljen parathënëse: 
 “Si personazhet e një drame, duken dhe ashtu janë, të një drame tepër të rëndë, të gjallë, që s’u luajt dot në skena, po në jetë; aktet e së cilës u zhvilluan në purgatorin e mërzitshëm të socializmit dhe brenda në ferrin e diktaturës së tij.
Janë anëtarët e një familjeje të ndershme, punëtore, të shtypur, të dënuar dhe anash emrit vitet e burgut, ku shpesh numri i tyre është më i lartë se gjysma e jetës të secilit. Së bashku bënë gati një shekull burg e internim, deri në rënien e komunizmit.
Familja Çoku ishte në konflikt me sistemin e ri komunist.Konflikti vinte që nga vitet e Luftës, kur Azem Çoku, i ati i djemve, do gjendej i rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar, në luftë për të çliruar Atdheun nga fashizmi dhe nazizmi e do të ndëshkohej pas çlirimit vetëm pse nuk qe i rreshtuar në radhët e partizanëve.Madje, një herë, do ta shpëtonte nga skuadra e pushkatimit i ati i Ylli i Bufit, që asokohe ishte udhëheqës me partizanët lokalë, ngaqë vetë ai ia kishte borxh jetën Azemit. Pushkatimi i shokëve në sytë e tij e bënë Azem Çokun më të vendosur në idealin e tij nacionalist, por kjo do t’i kushtonte jo pak, por 11 vite burg dhe një jetë të privuar nga liria; i braktisur nga miqtë, iu sekuestrua pasuria dhe do të tregohej me gisht “ja, kulaku!”. Kjo ishte vula, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës atë dhe familjen. Pas burgimit të tij, familjen e hoqën nga qyteti dhe e internuan në Tokën e Vdekur, sinonim i vetë vdekjes. Internimi i familjes ua vrau ëndrrat djemve….”
Bedriu, ish kampioni i gjimnastikës, një ndër qëndrestarët e Spaçit
Bedri Çoku, vëllai i dytë, nuk e kishte menduar se një ditë jeta e tij do të merrte atë krisje të pariparueshme. Ai ishte ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit në Fier. Ishte ndër djemtë “e përkëdhelur” në kuptimin e personalitetit; ishte kampion i gjimnastikës, shquhej për talentin si instrumentist, i vetmi fizarmoniçist i gjimnazit, një ndër volejbollistët e spikatur të ekipit të të rinjve të “Apollonisë”, një letrar me talent. Nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë do t’i hidhte prapa krahëve të gjitha këto dhe do të përfundonte në një fshat të humbur moçalor, ku edhe emri të ngjallte datën…Toka e Vdekur do të ishte vendi pritës pas dëbimit. Ku do të jetonin? Sarajet, që kishte pasur dikur babai i tyre, ishin sekuestruar për nevoja publike;  ata duhej të ndërtonin vetë një shtëpi me drurë e baltë, drurët e marra në pyll dhe balta aty, e vetmja që nuk mungonte në Myzeqe. Atje filloi të tërhiqej zvarrë jeta e gjimnazistit dhe e sportistit të talentuar. Kur gati po mësohej me atë jetë vuajtjesh, në fshatin e tij vijnë për një aktivitet gjimnazistët e shkollës, ku dikur ai kishte studiuar. Deshën t’i bënin një surpirizë shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por shokët e partisë dhe rinisë në fshat i kishin marrë masat. Ata shpërndanë helmin ideologjik, para se të niste aktiviteti dhe për Bedriun thanë një mijë të zeza. Gjimnazistët iu hodhën në mbrojtje ish shokut të tyre, por e paguan shtrenjtë. Edhe ata i gjeti gjëma më vonë. Ata që e mbrojtën, u përjashtuan nga aksioni dhe nga gjimnazi, se kishin mbrojtur armikun! Kjo qe një ngjarje e hidhur, që do ta trondiste më shumë shpirtin rebel të Bedriut dhe ishte prologu i asaj, që do të vinte më pas. Ai ishte një i dënuar, ngaqë qe bir kulaku, të cilin e priste vetëm arrestimi dhe  nuk vonoi; ashtu si edhe vëllanë e tij të vogël Caushin, i kishin thirrur ushtarë. I kishin çuar në xhenjo, atje ku atdheu mbrohej me pushkë druri, me kazëm e lopatë. Edhe atje ai përpiqej të mos u jepte shkas për ta rrasur në qeli. Por ata e kishin planifikuar. Arrestuesit e tij qenë “burra” që e mbanin veten për “heronj të kombit”; një ndër ta ishte vetë Mark Dodani. Bedriu thotë se arrestimi i tij ishte i denjë për skenar filmi, si në ato të Xhejms Bondit. E trasferuan në Korpusin e Gërhotit, pasi kishin hapur fjalë se do ta merrnin në qendër të korpusit, sepse, si fizarmoniçist i talentuar, i duhej qendrës dhe se do të aktivizohej me ekipin e gjimnastëve të  Gjirokastrës. Mirëpo skenari qe shkruar; vëllanë më të vogël e kishin arrestuar e tani ishte radha e Bedriut. Me 9 dhjetor 1968, Mark Dodani përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe Agron Çoba, përfaqësuesi i Sigurimit të Ushtrisë e morën në makinë, gjoja se po e trasferonin, siç qenë hapur fjalët kohët e fundit dhe rrugës i vunë prangat: “Në emër të popullit je i arrestuar!”

Proçesi i montuar i gjyqit, ku u gjykua ai dhe i vëllai, Caushi, përbën një akt sa tragjik në jetën e dy të rinjve, aq edhe komik për nga besueshmëria. Esati, që u thirr në sallën e gjyqit, u zbraz para trupit gjykues, duke thënë se vëllezërit e tij ishin viktima të luftës së klasave. U shpallën armiq dhe tradhëtarë, pa kryer asnjë tradhëti ndaj Atdheut dhe popullit. Në librin e tij Bedriu tregon se në ditëgjyqin e tyre ishin edhe sportistët e Apollonisë, të cilët kishin asistuar në gjyq pas një ndeshjeje në Gjirokastër. Ata kishin duartrokitur, kur vëllezërit kishin mbrojtur veten nga akuzat shpifëse.

CAUSH COKU, Gazetari që jeton mes Romës dhe Lushnjes
Me Caush Çokun, më të voglin e djemve të Azem Çokut, jam njohur në mesin e viteve ’90, edhe pse me të kisha bashkëpunuar shumë si tek gazeta lokale “Ora e Fjalës”, edhe tek “Republika”, ku ai kishte dhënë ndihmesën e tij jo vetëm me shkrimet e veta, por edhe me poezitë e ndjera, të shkruara në rininë e tij dhe në kohëburgimin e vet absurd.
Caushi, ashtu si dhe vëllai i tij, Bedriu, u burgos pa bërë asnjë faj, asnjë krim; u burgos thjesht se ishte planifikuar të burgosej. Gjyqi ishte një farsë e inskenuar, ku regjisorë ishin operativët, hetuesit, gjykatësit dhe prokurori.  Formula funksiononte mekanikisht. Një ditë prej ditësh, në vend që të gjendej në repart mes shokëve të tij ushtarë të xhenjos, e hodhën në qelinë e ftohtë të burgut, pa kryer asnjë faj, asnjë krim, nuk pat shkelur asnjë ligj, asnjë rregullore ushtarake. Por ç’rëndësi kishte? Ai duhej dënuar. Ditën e gjyqit, asgjë e veçantë për t’u shënuar. Akt-akuza ishte fallso, dëshmitarët fallso, ndërkohë që gjyqtari e ndihmësgjyqtarët kënduan në të njëjtin kor me prokurorin…dhe kaq…  Pas 6 vitesh burg të ashpër, me 21 maj 1973, dy vëllezërit, Bedriu dhe Caushi morën pjesë në revoltën e Spaçit, madje nuk ishin thjeshtë pjesëmarrës, por ishin dhe organizatorë. Bedriu dhe Caushi ishin frymëzues dhe flamurmbajtës. Revolta qe e përmasave tronditëse për shtetin komunist; ishte krejt e veçantë në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes. Një revoltë, e shtypur egërsisht nga diktatura, do të kishte padyshim edhe viktimat e veta. Ndër viktimat ishin dhe vëllezërit Çoku, të cilët u izoluan nëpër qeli dhe u hetuan egërsisht për rolin që patën në aktin  kundërshtues ndaj shtetit. Secilit i bënin presion; Bedriut i thoshin se vëllanë tjetër, Caushin, e kishin ekzekutuar, ndërkohë që edhe Caushit i thoshin se do të të ekzekutojmë njësoj si vëllanë tjetër, Bedriun. Por askush prej vëllezërve nuk hyri në lojën-kurth. Të dy u ridënuan me 25 vjet burg. Pas gjyqit special i heqin nga Spaçi dhe i çojnë në burgun-tmerr, atë të Burrelit, ku thuhej hapur se, po hyre në Burrel, s’del më! Atje ishin kundërshtarët më të rrezikshëm të qeverisë komuniste. Burgu i Burrelit kishte një kapacitet  prej 180 vetash, pra me më kundërshtarët e sistemit. Edhe pse ishin në të njëjtin burg, dy vëllezërve u ishte ndaluar të takoheshin me njeri-tjetrin. Takoheshin një herë në 6 muaj, apo një herë në vit, vetëm me lejen e komandës dhe nën vëzhgimin e rreptë të gardianëve.
Pasi doli nga burgu, Caushi nuk notoi në ujrat e politikës shqiptare; e përfshiu vala e mërgimit duke hipur në anijen “Panama” dhe mbërriti në brigjet e përtej detit në ditët e marsit 1991. Ishte fat për emigrantët shqiptarë që qenë të shoqëruar me të, ngaqë Caushi ishte një përkthyes i mirë për ta. Shumë shpejt u bë i njohur në shtypin italian. Shkrimet e tij filluan të botohen në gazetat “Corriere Della Sera”,”Il Mattino” etj.. Shpejt fitoi statusin e gazetarit europian “C.E.A.”, ndoshta ndër të paktit shqiptarë, që e gëzojnë këtë status. Ka shkruar edhe për gazetat qendrore e lokale shqiptare. Prej vitesh mban lidhje me njerëz të shquar të gazetarisë dhe artit. Caushi ka dhënë një kontribut të veçantë në ndihmën e pakursyer ndaj refugjatëve shqiptarë në Itali.
   
Dy vëllezërit, që shkruanin poezi dhe tregime në burg
 
Dy vëllezërit e shfrytëzuan burgun, kryesisht për të mësuar gjuhë të huaja. Duke shfrytëzuar të burgosurit politikë, që ishin shkolluar nëpër Europë, ata arritën të mësonin anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kjo do t’i shërbente Bedriut pas burgut, që të hapte kurse private të gjuhëve të huaja e më pas të punonte si mësues i anglishtes në shkollën e mesme në Fier, ndërsa Caushi do të bëhej përkthyes i emigrantëve shqiptarë në Itali e do të shkruante për Shqipërinë në gazetat më të mëdha të Italisë.
Në kohëburgimin e tyre dy vëllezërit nuk do të ndaheshin nga pasioni i rinisë, krijimtaria letrare, e cila qe bërë pjesë e akt-akuzës, kur u kishin rrëmbyer lirinë. Caushi pat shkruar shumë poezi, si poemën “Iliriada”, në tre cikle – “Iliria, Arbëria dhe Shqipëria”, ciklin “Moti i Madh”, “Skënderbeu” me 25 këngë e 495 vargje etj.

Në shënimet e tij poeti Visar Zhiti, në vend të parathënies, që shoqëron librin “Dy vëllezër në një prangë”, shkruan:

“Caushi në qelinë e tij sajonte vjersha, mohonte burgun, i këndonte me zë të heshtur nënës, lirisë, dashurisë së humbur, vendlindjes, dinjitetit dhe hynte thellë, thellë (si i burgosuri, që zbret nëpër aktet e lagura të  minierës) tek rrënjët e kombit, sajonte Iliriadën e tij dhe përsëriste betejën me sllavët e ardhur nga Kaukazi, andej, nga ku u prangua Prometeu.

Vargu i Caushit herë është i lidhur si cigaret e burgut, të dredhura me letër nga veprat e Enver Hoxhës, herë i ashpër si sytë e lidhur para pushkatimit, i ëmbël si hëna që vjen frëngjive, cicëritës si “Dallëndyshja e Burrelit”, që të burgosurit e ushqenin me thërrimet e zemrës së tyre, herë i hutuar si muzgjet atje, rebel, ulëritës dhe i përtharë si plagët.”

Për krijimtarinë e Bediut, Visari do të meditojë:

“Bedriu në qelinë e tij do të mbaronte një nga romanet “Njeriu që kapërcen vetveten” e vazhdimisht do të shkruante tregime. Natyrisht, që ishte e vështirë dhe një aventurë e tmerrshme të shkruaje hapur kundër diktaturës e diktatorit. Honorari do të ishin brilantet e gjakut tënd, pushkatimi yt. Dhe të burgosurit shkrimtarë i mërgonin ngjarjet në tjetër vend apo në tjetër epokë. Kështu është dhe tregimi “Sitamarrtaha”, një  alegori ndaj dhunës, ndaj gënjimit dhe zhgënjimit me kumbim rrënqethës aktual.

Bedriut i intersojnë plagët sociale, prapambetja mentale e shoqërisë socialiste, aktet ordinere (tregimi “Zemërimi” apo “Krimineli”). Personazhet e tregimeve të tij duan të vdesin, kanë depresione, i trondit mungesa e dashurisë, apo humbja e saj dhe dinë të qajnë burrërisht.

Bedri Çoku fluturon me fantazi edhe përtej telave me gjemba të kufirit shtetëror dhe del në Kosovën e tradhëtuar, duke shkruar tregimin e habitshëm “Liri”; jep ambiente, peisazhe e idera fisnike…

Tani Bedriu ka në dorë romanin autobiografik me titull të përkohshëm “Ne dhe ata – Blloku dhe antiblloku”, ku gjithçka shihet qetë, pa urrejtje në jetën e përmbysur të kësaj familjeje fisnike. Duke qenë vetë personazh, nga të fundit e liruar në vitin 1991 prej burgjeve komuniste, ai hedh sytë pas dhe shfleton jetën e tij të trazuar, jetën e familjes dhe të të gjithë shqiptarëve.

 
          ***
Esati, deputet së bashku me ish hetuesin e tij
 
Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar si Sekretar të Komitetit Ekzekutiv Pluaralist, edhe pse deri atëherë nuk isha anëtar i asnjë partie poltike.
Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, ndërkohë që ai ishte edhe Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Lushnjës dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare. 
Nuk isha takuar ende me Esatin, kur në zyrat e kryeministrisë në kryeqytet, ku kisha shkuar me nënkryetarin demokrat, më bëri përshtypje një burrë i gjatë e zeshkan, i cili, kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti: 
- Paskit Esatin ju të PD-së? 
- E njihni?- e pyeti nënkryetari demokrat.
- Kam qenë hetuesi i tij…  por, nuk i kam hyrë në hak. I thashë se ne, për ç’ka e akuzonim, i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë, kishim 
inçizime, pastaj (ish hetuesi pushoi pakëz) … ai ishte planifikuar prej kohësh, sepse kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë që edhe i ati kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe armik….Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit Bashkim Caka, që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit të kryeministrit Ylli Bufi.
 Më vonë, Esati do të ishte në të njëjtin Parlament me ish hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i P.S.-së. Ky ishte një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare!
Kur u kthyem në Lushnjë, ia thamë Esatit ndodhinë me ish hetuesin Caka. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vonë, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të edhe ish hetuesi i vet si deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por  nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit, para se të bëheshin deputetë në një kuvend me viktimat e tyre, duhej të kërkonin falje… Më pas do të botonte një shkrim kurajoz në gazetën lokale "Ora e Fjalës", të cilën unë e drejtoja atë kohë, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë, kur ish hetuesit tanë, pa na kërkuar falje, vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje në emër të popullit, natyrisht, pa e pyetur fare popullin.  
Ish hetuesi i tij kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende deri më sot. 
Me Esatin qeverisëm në një kohë të vështirë, kohë, kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në “tokë e djegur”. U dogjën furrat, që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të  Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u shkaterruan fabrikat e Ushqimores, ku punonin 10 mije lushnjare…u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegja e ullinjve, u shkulën vreshtat, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave. Në këto kushte Komiteti Pluralist (ku Esati ishte anëtar i tij, përfaqësues i PD dhe unë sekretar, përfaqësues i PR) përpiqej të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër, që kishim për të ruajtur rendin, në të shumtën e rasteve, ishte bashkëpunuese me ata që shktërronin. Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek Kryeminsitri, por ai s’kishte kohë të na priste; iu afruam Presidencës, që ende kishte  në krye Ramiz Alinë, por, para nesh, atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatësja socialiste, kështu që nuk kishte vend për ne. Përfundimisht, na priti Ministri i Rendit, Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për rendin, kështu që kërkuam ndëshkimin e policisë.
U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të rendit, duke kërkuar largimin e tij. Më bënte përshtypje kurajo e Esatit; ai ua thoshte copë mendimin e tij kujtdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.
Një ndër bashkëpunimet me Esatin ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 67 viktimave të komunizmit, pushktuar nga Mehmet Shehu në fshatin Matjan. 67 burra, ndër ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës; motivi i vrasjes ishte pjesëmarrja e tyre me Ballin dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepës nga Çerma, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu se ai derr bëhej, por komunist, jo. Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithë në  plumb….Bashke me Esatin shkuam per dite em ardhe tek fshati Matjan, ku ishin groposur te masakruarit dhe prekem dhimbjen permes rrefimeve te fshatareve, qe ate kohe e kishin apre me syte e tyre tragjedine…
Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist ishte një ndër prioritetet  e pushtetit të ri demokratik, i cili sapo ngrihej në këmbë.Ceremonia, që u organizua në qytetin e Lushnjës, pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin, ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe, me ndihmën e fshatarëve, siguruam eshtrat e tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i shtetit u përpoq të pengonte me çdo kusht ceremoninë. Veteranët u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar për faktin se Komiteti ynë Pluralist mori një vendim të guximshëm; arkivolet do të varroseshin në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës, ku ishin varrosur dëshmorët partizanë, si shenje e pajtimit, se paku pajtonim te vdekurit. Komiteti i Veteranëve filloi të lëvizte, duke u ankuar në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist, duke thënë: “Ju kërkoni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat, që i keni çuar në varre pa gjyq, pa kërkuar falje për 64 vite burg të familjes time, shtuar këtyre edhe  dhjetëra vite të tjera internime, pa kryer asnjë lloj krimi dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pafajshëm?” Debati u mbyll me fitoren e  Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza dëshmorët nacionalistë. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë nga parashikimet kërcënuese të veteranëve nuk ndodhi.
Më pas, Esat Çoku kreu detyrën e Sekretarit të Komitetit Pluralist, edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhjeje për hallet e qytetarëve. Ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë, ndërsa në takimet e partisë së vet ai ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.
Edhe detyra, që kreu në Komisariatin e Policisë, ia rriti kredibilitetin ish të përndjekurit politik Esat Çoku, ndërkohë që, si ish kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve, ai u përpoq të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre t’i nisë drejt universiteteve. Koha, kur përfaqësoi Partinë Demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi me sukses, ndërsa në kohën e “revolucionit” përmbysës të pushtetit demokratik, ai u përpoq sa mundi, që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve….
*** 
Nderim e respekt per familjen Çoku!
U prehet ne paqe shpirti i Caush Çokut!
 

Filed Under: Featured Tagged With: Caush Coku, dalip greca

ODETA XHEKA PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI

August 1, 2020 by dgreca

ARTISTJA, SHKRIMTARJA  ODETA XHEKA FLET PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI 

Piktorja Odeta Xheka rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, procesin e të krijuarit si edukim përmes shkrimit dhe pikturës. Me artisten Odeta Xheka bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI 

Krijoj e ripunoj punë në një përpjekje vargan të gjatë me veten ndër vite për të mos humbur atë vetinë speciale të të perceptuarit të botës si një vend ku arti është domosdoshmëri e artisti është i mbrojtur nga cinicizmi neoliberal. E megjithatë, nëse dikush do të më pyes se ç’më nxit që të mbaj gjallë vrullin e krijimit ne formën që kam zgjedhur, përgjigja s’është e vështirë për t’u gjetur. Së pari, është fakti që dashur pa dashur, herë shpeshtazi e herë pas një periudhe të gjatë monotonie krijuese, e gjej veten duke krijuar forma të reja e ngjyrime të brishta që më shumë se çdo formë tjetër i japin zë gëzimeve, shqetësime, mërzive, dëshpërimeve të mia. Së dyti, sado të ndryshme të jenë punët, përsëri është një element i brendshëm unik që i lidh të gjitha këto pune e i bën të afta të formojnë një sistem të mirëfilltë komunikimi. E së treti, ngjyra është ajo ç’ka depërton gjithçka, zhbiron detajet më të vogla e pushton hapësirat më të mëdha – ngjyrimi i jep jetë mendimit, si në kuptimin figurativ ashtu edhe atë parësor. Për vetë faktin që arti im është e përditshmja ime, vetvetiu çdo punë shëmbëllen njëfarëlloj stadin tim momental. Rrjedhimisht, ajo çka synoj, së paku në fazën e tanishme të krijimtarisë, është krijimi i një marrëdhënie të pastër (flawless) midis lehtësisë fluturake të mundanes e peshës së hekurt të eternes. Qartazi, koha, eksperiencat private e profesionale, realiteti i dyzuar që jetoj, pështjellimi i kulturave ndërkontinentale etj, në të njëjtën masë që më mbërthejnë e më shtrëngojnë në darrën e përditshmërisë prozaike po aq më shërbejnë edhe si burime shtojcë për të eksploruar ndjesi intime. Kujdes, kur flas për bërthamën emotive të realitetit, kulmin e ngrehinës sime artistike, nuk duhet nënkuptuar një nocion romantik i dalëkohe por një orvatje themeltare për të krijuar njw urë-lidhje midis mundanes fluturake e së përjetshmes peshërëndë. 

CILËT ARTISTE APO RRYMA ARTISTIKE PËRFSHIN NDËR INFLUENCAT KRYESORE?

Ndërkohë që artistët kontemporanë si Julie Mehretu, Sheila Hicks, William Kentridge, Gunther Forg, Albert Oehlen, Cecily Brown dhe Adrian Ghenie influencojnë drejpërdrejtë konceptin tim mbi artin, punët e mia kanë të tjera pika referimi: Henry Matisse është “i pranishëm” nëpërmjet balancimit të nuancave ngjyrore brenda llojit, Jay DeFeo nëpërmjet ashpërsisë së materialeve të përzgjedhur, Jean-Baptiste-Simeon Chardin nëpërmjet të konceptuarit të punës si nje sistem i mbyllur referimi -a world of infinite durability- ç’ka e bën edhe më të natyrshme sintezën e kanavacës në arenën ku bota e jashtme puqet me të brëndshmen, intimen, emocionalen nën ndikimin e Edward Hopper në mënyrë që më së fundmi të mbërrij, frymëzuar nga Joseph Cornell, në të tërën (punën e përfunduar) që mirëpret çdo grimcë associacioni poetik. 

Ndoshta kundër rrymes, por në një moment artistik (post modern) kur psiko-analiza e analiza sociale janë mënyra më e sigurt për të interpretuar artin e sotëm, une insistoj që arti im të mtoj bukurinë; jo bukurinë ideale të papërkufizueshme, por atë bukuri të qashtër e të gjithëgjendshme që Lui Aragon e kthen në poezi: 

  Ai, që në Zotin besonte

  E ky, që na ishte pafe

  Secili të bukrën e donte

  Q’ robinë e ushtare qe. 

Me fjalë të tjera, nëse detyra ime si artiste nuk është krijimi i së bukurës e domosdoshmëria e përcimit të së vërtetës emocionale, atëherë ç’vlerë ka të qenët artiste? Më pëlqen ta sqaroj më tej këtë qëndrim nëpërmjet fjalëve të Ragnar Kjartasson (performance artist islandez): “… vepra e artit bëhet skena në të cilën instikti i hershëm i hunter-gatherer mbizotëron… ngjyrat, kompozimi, kujtimet, përjetimet sheshohen në mendje e shpirt në mënyrë të tillë që çdo refleksion a meditim merr trajtë përmes imazhit artistik që mton një eksperiencë estetike të mirefilltë”. Gjithçka tjetër është politikë ose teater. E artisti nuk është kameleon politike, aq më pak aktor me shumë petka. Përkundrazi!

VEPRA, SUBJEKTI, KONCEPTI, MESAZHI

Për të ndjerë një lidhje të ngushtë me kanavacen unë ngutem ta kthej atë në një pjesë integrale të veprës së përfunduar duke ndërkallur materiale jo domosdoshmërisht “artistike” por të tillë që i shtojnë një dimension të rëndësishëm balancës së arritur permes ngjyrave. Qëllimi  im është që të kthej kanavacën në një objekt-bizhu të aftë të zbuloj bukurinë sensuale edhe mes prozaizmit. I manipuloj punët në kërkim të një lidhjeje të menjëhershme me audiencë, në të njëjtën kohë që eksploroj përdorimin e mediumeve të ndryshme e aftesinë e secilit element artistik për të bashkë ekzistuar. Ndërkohë që krijoj, koncepti është primar por jo në kurriz të ngjyrave (prej ku buron poetika e gjithë krijimtarisë) dhe materialeve/medium (prej ku buron veçoria specifike e secilës punë). Kjo zgjedhje stilistikore shpesh edhe me të padrejtë përkthehet vetëm në “vlerë estetike”. www.odetaxhekavisuals.com. Në këtë këndvështrim, punët e mia janë “veç të bukura” ose, thënë ndryshe, jo mjaftueshëm të angazhuara apo kritikë ndaj sistemit. Kjo s’është e rastësishme. Siç e kam thënë edhe tjetërkund, artisti nuk është politikan e nuk bën teater. Pretendimet për social redemption apo rilindje (një term që në gjuhën shqipe vitet e fundit vjen i ngarkuar me një mori reagimesh pro e kundër) nuk janë një vlerë e shtuar nëse jane shtegu i vetëm për të kuptuar e vlerësuar një vepër arti. Në këtë kuptim, qëndrimi im mbështetet (teorikisht) nga Michael Fried, kritik arti i cili ngurron ta karakterizoj artin (veprën) si një event. Sipas tij, nëse kjo ndodh  në sytë e artdashësve, vepra nuk përfaqson më një krijim artistikë të mëvetshëm por shndërrohet në emblemën e një konteksti specifik kulturor/social, gjë që automatikisht e vendos atë në raport të drejtpërdrejtë me kushtet socio-historike ku e kur është krijuar e në raport tangencial, për të mos thënë të munguar, me vlerat artistike që janë vetë bërthama e aktit krijues.

ÇFARË DO TË THOTË TË EDUKOSH PËRMES ARTIT?

Nuk jam partizane e idesë se një ndër detyrat kryesore të artit është edukimi i masave (apo edhe i individit). Sigurisht që një vepër arti përmes stilit, medium-it dhe artistit flet edhe për kohën e kushtet kur është krijuar por thënë me një rresht (shkëputur nga libri Optic Nerve): “Arti gëlon mes asaj ç’ka është estetikisht e pëlqyeshme e asaj ç’ka mbërthen imagjinatën”, jo ndër udhëkryqe rrugësh qartërsisht të përkufizuara. Aftësia (e vetmja që i perket tërësisht botës së krjuesit) për të hapur shtigje të reja imagjinate është ajo ç’ka e veçon dhe ndoshta e bën të përjetshëm artin.

PËRMES ARTIT DHE LIBRIT TUAJ PËR FËMIJE, SA IA KENI ARRITUR TË ZHVILLONI AFTËSITË KRIJUESE DHE ZHVILLUESE TE FËMIJËT? 

Librat për fëmijë duhet të ofrojnë një përshkrim të vërtetë të realitetit edhe pse kjo gjini përgjithsisht promovon një botëkuptim pozitiv e të thjeshtësuar të jetës. Here Comes Ingo është përpjekja ime e ndershme (parimore) si artiste e si prind i dy fëmijeve tu jap lexuesve të vegjël një sërë “veglash” që do t’u shërbejnë në të ardhmen për të luftuar mungesën e tolerancës që vjen nga mosnjohja e asaj ç’ka shfaqet ndryshe. Nga faqja në faqe, fëmijët priten të mos hutohen a frikësohen nga ajo që fillimisht shfaqet si një situatë e papritur (një peshkaqen që ha cupcakes) apo e panjohur (një ujk me ngjyrat e ylberit mbi kurrizin e të cilit ka mëshuar një ushtri milingonash). Përkundrazi, nën shembullin e Ingo, macaw/papagalli protagonist,  ata inkurajohen të mbështeten në aftesitë e tyre zhbiruese për tu familiarizuar në fund me atë ç’ka në fillim ishte e huaj, në mënyrë që të bëjnë të tyren një mendësi tolerante të bazuar në mirësi. Po kaq me rëndësi, aventurat e Ingos jo vetëm i ftojnë fëmijët të arrijnë në përfundime vetjake se çfarë po ndodh nga ilustrimi në ilustrim, ç’po mendojnë, ndjejnë, perjetojnë a rrezikojnë personazhet por edhe të bëhen bashkëautorë e bashkë ilustrues duke shkruar, vizatuar, ngjyrosur  drejt e në faqet e librit. Një ndër mënyrat më të mira per tu mësuar fëmijëve ndjeshmëri/empati e tolerancë është tu lihet dorë e lirë të shfaqin botën e tyre të brendshme pa frikë e ndrojtje. Fëmijë, prindër, gjysher dhe dado janë të mirëpritur ta bëjnë librin pjesë të lojërave të tyre kur kalojnë kohë së bashku duke treguar e ritreguar historinë e Ingos, çdo herë në një formë të re. Mëse i përshtatshëm për femijë të moshës parashkollore e fillore (grupmosha 4-8 vjec), ky liber është i duhuri edhe për mësueset e kopshtit e klasës së parë e të dytë të cilat janë vazhdimisht në kërkim të metodës ideale për të shtjelluar sekretet e comprehension (shihe këtë ilustrim – çfarë po ndodh?), predicting (çfarë mendon se do të ndodh më pas?), inferring (përse mendon kështu?), reasoning (c’mendon se ndodhi?) dhe sequencing (çfarë ndodh në fillim? Po më pas? Në fund?). Libri plotësohet me një seri nursery art prints me të cilat ndan jo vetëm personazhet por edhe gjallërinë e ngjyrave që i fton të vegjlit t’i japin krahë imagjinatës.

ANGAZHIMET PROFESIONALE TË ARTISTES XHEKA

Kam ideuar e drejtuar një workshop përjavorë pranë Il Centro, FIAO ku pjesëmarrësit familjarizohen me elementë të visual literacy në përputhje me National Core Standards dhe angazhohen me eksperienca krijuese open-ended duke përdorur librin Here Comes Ingo si shkëndijën fillestare. Gjithashtu, mirëmbaj blogun Have Child, Need Art ku shkruaj për influencën e artit përgjatë viteve të fëmijërisë së hershme. Disi në mënyrë më sporadike, por jo të lënë pas dore, botoj edhe shkrime (Literary Mama Magazine, Mutha Magazine, The TodayShow Parenting, etj) mbi shumë dimensionalitetin e mëmësisë. Kurdo mundem, nëpërmjet artit tim jam e pranishme edhe në përpjekjet për të grumbulluar fonde të organizatave të tilla si ArtWorks, The Naomi Cohain Foundation, ArtAccess Brooklyn Art Council, Federation of Italian American Organizations, dhe Albanian American Women Organization. 

Filed Under: Featured Tagged With: arti, Bota, Odeta Xheka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT