• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ODETA XHEKA PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI

August 1, 2020 by dgreca

ARTISTJA, SHKRIMTARJA  ODETA XHEKA FLET PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI 

Piktorja Odeta Xheka rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, procesin e të krijuarit si edukim përmes shkrimit dhe pikturës. Me artisten Odeta Xheka bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI 

Krijoj e ripunoj punë në një përpjekje vargan të gjatë me veten ndër vite për të mos humbur atë vetinë speciale të të perceptuarit të botës si një vend ku arti është domosdoshmëri e artisti është i mbrojtur nga cinicizmi neoliberal. E megjithatë, nëse dikush do të më pyes se ç’më nxit që të mbaj gjallë vrullin e krijimit ne formën që kam zgjedhur, përgjigja s’është e vështirë për t’u gjetur. Së pari, është fakti që dashur pa dashur, herë shpeshtazi e herë pas një periudhe të gjatë monotonie krijuese, e gjej veten duke krijuar forma të reja e ngjyrime të brishta që më shumë se çdo formë tjetër i japin zë gëzimeve, shqetësime, mërzive, dëshpërimeve të mia. Së dyti, sado të ndryshme të jenë punët, përsëri është një element i brendshëm unik që i lidh të gjitha këto pune e i bën të afta të formojnë një sistem të mirëfilltë komunikimi. E së treti, ngjyra është ajo ç’ka depërton gjithçka, zhbiron detajet më të vogla e pushton hapësirat më të mëdha – ngjyrimi i jep jetë mendimit, si në kuptimin figurativ ashtu edhe atë parësor. Për vetë faktin që arti im është e përditshmja ime, vetvetiu çdo punë shëmbëllen njëfarëlloj stadin tim momental. Rrjedhimisht, ajo çka synoj, së paku në fazën e tanishme të krijimtarisë, është krijimi i një marrëdhënie të pastër (flawless) midis lehtësisë fluturake të mundanes e peshës së hekurt të eternes. Qartazi, koha, eksperiencat private e profesionale, realiteti i dyzuar që jetoj, pështjellimi i kulturave ndërkontinentale etj, në të njëjtën masë që më mbërthejnë e më shtrëngojnë në darrën e përditshmërisë prozaike po aq më shërbejnë edhe si burime shtojcë për të eksploruar ndjesi intime. Kujdes, kur flas për bërthamën emotive të realitetit, kulmin e ngrehinës sime artistike, nuk duhet nënkuptuar një nocion romantik i dalëkohe por një orvatje themeltare për të krijuar njw urë-lidhje midis mundanes fluturake e së përjetshmes peshërëndë. 

CILËT ARTISTE APO RRYMA ARTISTIKE PËRFSHIN NDËR INFLUENCAT KRYESORE?

Ndërkohë që artistët kontemporanë si Julie Mehretu, Sheila Hicks, William Kentridge, Gunther Forg, Albert Oehlen, Cecily Brown dhe Adrian Ghenie influencojnë drejpërdrejtë konceptin tim mbi artin, punët e mia kanë të tjera pika referimi: Henry Matisse është “i pranishëm” nëpërmjet balancimit të nuancave ngjyrore brenda llojit, Jay DeFeo nëpërmjet ashpërsisë së materialeve të përzgjedhur, Jean-Baptiste-Simeon Chardin nëpërmjet të konceptuarit të punës si nje sistem i mbyllur referimi -a world of infinite durability- ç’ka e bën edhe më të natyrshme sintezën e kanavacës në arenën ku bota e jashtme puqet me të brëndshmen, intimen, emocionalen nën ndikimin e Edward Hopper në mënyrë që më së fundmi të mbërrij, frymëzuar nga Joseph Cornell, në të tërën (punën e përfunduar) që mirëpret çdo grimcë associacioni poetik. 

Ndoshta kundër rrymes, por në një moment artistik (post modern) kur psiko-analiza e analiza sociale janë mënyra më e sigurt për të interpretuar artin e sotëm, une insistoj që arti im të mtoj bukurinë; jo bukurinë ideale të papërkufizueshme, por atë bukuri të qashtër e të gjithëgjendshme që Lui Aragon e kthen në poezi: 

  Ai, që në Zotin besonte

  E ky, që na ishte pafe

  Secili të bukrën e donte

  Q’ robinë e ushtare qe. 

Me fjalë të tjera, nëse detyra ime si artiste nuk është krijimi i së bukurës e domosdoshmëria e përcimit të së vërtetës emocionale, atëherë ç’vlerë ka të qenët artiste? Më pëlqen ta sqaroj më tej këtë qëndrim nëpërmjet fjalëve të Ragnar Kjartasson (performance artist islandez): “… vepra e artit bëhet skena në të cilën instikti i hershëm i hunter-gatherer mbizotëron… ngjyrat, kompozimi, kujtimet, përjetimet sheshohen në mendje e shpirt në mënyrë të tillë që çdo refleksion a meditim merr trajtë përmes imazhit artistik që mton një eksperiencë estetike të mirefilltë”. Gjithçka tjetër është politikë ose teater. E artisti nuk është kameleon politike, aq më pak aktor me shumë petka. Përkundrazi!

VEPRA, SUBJEKTI, KONCEPTI, MESAZHI

Për të ndjerë një lidhje të ngushtë me kanavacen unë ngutem ta kthej atë në një pjesë integrale të veprës së përfunduar duke ndërkallur materiale jo domosdoshmërisht “artistike” por të tillë që i shtojnë një dimension të rëndësishëm balancës së arritur permes ngjyrave. Qëllimi  im është që të kthej kanavacën në një objekt-bizhu të aftë të zbuloj bukurinë sensuale edhe mes prozaizmit. I manipuloj punët në kërkim të një lidhjeje të menjëhershme me audiencë, në të njëjtën kohë që eksploroj përdorimin e mediumeve të ndryshme e aftesinë e secilit element artistik për të bashkë ekzistuar. Ndërkohë që krijoj, koncepti është primar por jo në kurriz të ngjyrave (prej ku buron poetika e gjithë krijimtarisë) dhe materialeve/medium (prej ku buron veçoria specifike e secilës punë). Kjo zgjedhje stilistikore shpesh edhe me të padrejtë përkthehet vetëm në “vlerë estetike”. www.odetaxhekavisuals.com. Në këtë këndvështrim, punët e mia janë “veç të bukura” ose, thënë ndryshe, jo mjaftueshëm të angazhuara apo kritikë ndaj sistemit. Kjo s’është e rastësishme. Siç e kam thënë edhe tjetërkund, artisti nuk është politikan e nuk bën teater. Pretendimet për social redemption apo rilindje (një term që në gjuhën shqipe vitet e fundit vjen i ngarkuar me një mori reagimesh pro e kundër) nuk janë një vlerë e shtuar nëse jane shtegu i vetëm për të kuptuar e vlerësuar një vepër arti. Në këtë kuptim, qëndrimi im mbështetet (teorikisht) nga Michael Fried, kritik arti i cili ngurron ta karakterizoj artin (veprën) si një event. Sipas tij, nëse kjo ndodh  në sytë e artdashësve, vepra nuk përfaqson më një krijim artistikë të mëvetshëm por shndërrohet në emblemën e një konteksti specifik kulturor/social, gjë që automatikisht e vendos atë në raport të drejtpërdrejtë me kushtet socio-historike ku e kur është krijuar e në raport tangencial, për të mos thënë të munguar, me vlerat artistike që janë vetë bërthama e aktit krijues.

ÇFARË DO TË THOTË TË EDUKOSH PËRMES ARTIT?

Nuk jam partizane e idesë se një ndër detyrat kryesore të artit është edukimi i masave (apo edhe i individit). Sigurisht që një vepër arti përmes stilit, medium-it dhe artistit flet edhe për kohën e kushtet kur është krijuar por thënë me një rresht (shkëputur nga libri Optic Nerve): “Arti gëlon mes asaj ç’ka është estetikisht e pëlqyeshme e asaj ç’ka mbërthen imagjinatën”, jo ndër udhëkryqe rrugësh qartërsisht të përkufizuara. Aftësia (e vetmja që i perket tërësisht botës së krjuesit) për të hapur shtigje të reja imagjinate është ajo ç’ka e veçon dhe ndoshta e bën të përjetshëm artin.

PËRMES ARTIT DHE LIBRIT TUAJ PËR FËMIJE, SA IA KENI ARRITUR TË ZHVILLONI AFTËSITË KRIJUESE DHE ZHVILLUESE TE FËMIJËT? 

Librat për fëmijë duhet të ofrojnë një përshkrim të vërtetë të realitetit edhe pse kjo gjini përgjithsisht promovon një botëkuptim pozitiv e të thjeshtësuar të jetës. Here Comes Ingo është përpjekja ime e ndershme (parimore) si artiste e si prind i dy fëmijeve tu jap lexuesve të vegjël një sërë “veglash” që do t’u shërbejnë në të ardhmen për të luftuar mungesën e tolerancës që vjen nga mosnjohja e asaj ç’ka shfaqet ndryshe. Nga faqja në faqe, fëmijët priten të mos hutohen a frikësohen nga ajo që fillimisht shfaqet si një situatë e papritur (një peshkaqen që ha cupcakes) apo e panjohur (një ujk me ngjyrat e ylberit mbi kurrizin e të cilit ka mëshuar një ushtri milingonash). Përkundrazi, nën shembullin e Ingo, macaw/papagalli protagonist,  ata inkurajohen të mbështeten në aftesitë e tyre zhbiruese për tu familiarizuar në fund me atë ç’ka në fillim ishte e huaj, në mënyrë që të bëjnë të tyren një mendësi tolerante të bazuar në mirësi. Po kaq me rëndësi, aventurat e Ingos jo vetëm i ftojnë fëmijët të arrijnë në përfundime vetjake se çfarë po ndodh nga ilustrimi në ilustrim, ç’po mendojnë, ndjejnë, perjetojnë a rrezikojnë personazhet por edhe të bëhen bashkëautorë e bashkë ilustrues duke shkruar, vizatuar, ngjyrosur  drejt e në faqet e librit. Një ndër mënyrat më të mira per tu mësuar fëmijëve ndjeshmëri/empati e tolerancë është tu lihet dorë e lirë të shfaqin botën e tyre të brendshme pa frikë e ndrojtje. Fëmijë, prindër, gjysher dhe dado janë të mirëpritur ta bëjnë librin pjesë të lojërave të tyre kur kalojnë kohë së bashku duke treguar e ritreguar historinë e Ingos, çdo herë në një formë të re. Mëse i përshtatshëm për femijë të moshës parashkollore e fillore (grupmosha 4-8 vjec), ky liber është i duhuri edhe për mësueset e kopshtit e klasës së parë e të dytë të cilat janë vazhdimisht në kërkim të metodës ideale për të shtjelluar sekretet e comprehension (shihe këtë ilustrim – çfarë po ndodh?), predicting (çfarë mendon se do të ndodh më pas?), inferring (përse mendon kështu?), reasoning (c’mendon se ndodhi?) dhe sequencing (çfarë ndodh në fillim? Po më pas? Në fund?). Libri plotësohet me një seri nursery art prints me të cilat ndan jo vetëm personazhet por edhe gjallërinë e ngjyrave që i fton të vegjlit t’i japin krahë imagjinatës.

ANGAZHIMET PROFESIONALE TË ARTISTES XHEKA

Kam ideuar e drejtuar një workshop përjavorë pranë Il Centro, FIAO ku pjesëmarrësit familjarizohen me elementë të visual literacy në përputhje me National Core Standards dhe angazhohen me eksperienca krijuese open-ended duke përdorur librin Here Comes Ingo si shkëndijën fillestare. Gjithashtu, mirëmbaj blogun Have Child, Need Art ku shkruaj për influencën e artit përgjatë viteve të fëmijërisë së hershme. Disi në mënyrë më sporadike, por jo të lënë pas dore, botoj edhe shkrime (Literary Mama Magazine, Mutha Magazine, The TodayShow Parenting, etj) mbi shumë dimensionalitetin e mëmësisë. Kurdo mundem, nëpërmjet artit tim jam e pranishme edhe në përpjekjet për të grumbulluar fonde të organizatave të tilla si ArtWorks, The Naomi Cohain Foundation, ArtAccess Brooklyn Art Council, Federation of Italian American Organizations, dhe Albanian American Women Organization. 

Filed Under: Featured Tagged With: arti, Bota, Odeta Xheka

BOTA NUK KËRCËNOHET VETËM NGA KORONAVIRUSI

May 31, 2020 by dgreca

-Disa nga ngjarjet që po ndodhin nëpër botë, kohët e fundit përveç pandemisë së Covid-19 …

– Murtaja e Karkalecave Kërcënon Kontinentin Afrikan…

– Rritja e popullsisë amerikane është në rënie… mund të kërcënohet më tej nga pandemia e Covid-19.

Nga Manjola Barçi-Kozi/ New York-DIELLI

Ndërsa beteja me pandeminë e virusit Covid-19 vazhdon, edhe pse rastet po zvogëlohen, ka shumë të reja të tjera që kanë ndodhur nëpër botë së fundmi. Disa lajme janë të mira dhe disa jo dhe aq. Bota çdo ditë përballet me qindra të reja që e trondisin apo e lumturojnë atë. Më poshtë janë disa nga ç’ka ndodhur në botë kohët e fundit.


• Qindra miliarda karkaleca gumëzhojnë në Afrikën Lindore 


Murtaja e karkalecave, më e keqja në Afrikë për dekada, që ka kërcënuar kontinentin me muaj, tani është përhapur edhe në Iran, Jemen dhe shumë pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.
Briri i Afrikës-një gadishull në Afrikën Lindore që futet në kanalin Guardafui, shtrirë përgjatë anës Jugore të Gjirit të Adenit dhe Detit të Kuq në jugperëndim– konkretisht Kenia, Etiopia dhe Somalia – po përjetojnë një përhapje dhe shtim të tufave me karkalecë, të cilat mund të lënë miliona njerëz pa ushqim ose jetesë, sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara-KB.
Kjo murtajë ka bërë që Somalia të shpallë një gjëndje emergjencë kombëtare në shkurt, dhe tashmë ka rezultuar në humbjen e qindra mijëra hektarë drithrash.(thenewhumanitarian.com)
Karkalecat e shkretëtirës janë krijesa të egra, të njohura për zhvillimin e tyre të shpejtë dhe oreksin e madh, duke bërë që KB të kërkojë ndihmë dhe të marrin masa, për të përballuar këtë krizë.
• Popullsia në Sh.B.A është në rënie
Të dhënat e publikuara nga Byroja e Regjistrimit të Sh.B.A-Census Bureau, tregojnë se rritja e popullsisë amerikane është në rënie, dhe mund të kërcënohet më tej nga pandemia e Covid-19.
Javën e kaluar, Byroja e Regjistrimit të SHBA-Census lëshoi ​​të dhëna që tregonin se popullsia amerikane po rritet me ritmin e saj më të ngadaltë që nga viti 1919. Të dhënat janë mbledhur për 12 muaj dhe kanë filluar në korrik 2019, shumë më përpara se të shpërthente përhapja e koronavirusit.
Sipas një punonjësi të Census—nëse pandemia shkakton aq vdekje sa është parashikuar, atëherë mund të shohim më shumë vdekje sesa lindje për herë të parë në historinë e SHBA.
Shkalla e lindjeve dhe imigracioni, janë forcat që nxisin rritjen e një vendi dhe të dyja kanë rënë, si rezultat i nivelit të vdekjeve që kanë ndodhur kohët e fundit.
Nëse shpërthimi i koronavirusit vazhdon me këtë normë alarmante, SHBA mund të shohë një rënie drastike të popullsisë.
• Personi i dytë i kurohet nga HIV në Angli


Personi i dytë i shëruar nga HIV është ende pa shenjat e këtij virusi pas më shumë se dy vitesh. Pacienti në Londër, Adam Castillejo, mbaroi terapinë antiretrovirale të HIV-it mbi dy vjet e gjysmë më parë pasi iu nënshtrua një operacioni të ndryshëm nga të tjerët, që e bëri atë rezistent ndaj virusit.
Castillejo iu nënshtrua një transplanti të qelizave burimore për të trajtuar limfomën dhe dhuruesi i tij ishte mbartës i CCR5-delta 32— një mutacion gjenetik i njohur që është përgjegjës për të dy llojet e rezistencës ndaj HIV që ekzistojnë. Kjo gjë bëri që ky pacient të bëhej rezistent ndaj HIV-it. Meqenëse ai është vetëm pacienti i dytë që i nënshtrohet këtij lloji të trajtimit eksperimental, autorët e studimit të botuar nga revista mjekësore “The Lancet HIV” shpjegojnë se Castillejo do të monitorohen vazhdimisht në rast se virusi rishfaqjet.
“Eshtë e rëndësishme të theksohet se ky trajtim kurativ është me rrezik të lartë, dhe përdoret vetëm si mjeti i fundit për pacientët me HIV të cilët gjithashtu kanë edhe rreziqe hematologjike vdekjeprurëse,” shpjegon Ravindra Gupta, autori kryesor i studimit. “Prandaj, ky nuk është një trajtim që do të ofrohet gjerësisht për pacientët me HIV që janë duke u trajtuar  suksesshëm me tabletën tantiretroviral.” Le të shpresojmë se një nga viruseve më të pashërueshme deri tani do ti vijë fundi së shpejti. 
• Fluturimi i një asteroidi në prill…
Një asteroid që ka pasur përmasa midis 1.1 dhe 2.5 milje (1.7 deri ne 4 km) i gjerë ka fluturuar afër tokës në fund të prillit – por ashtu siç ishte parashikuar, nuk është përplasur. Nëse do të ndodhte, pra nëse do ishte përplasur, do të kishte “gjasa të mëdha për të shkaktuar efekte globale”, sipas NASA.
Asteroidi u zbulua për herë të parë në 1998 dhe kalojë brenda 3,908,791 milje (6,290,589 km) mbi tokë, duke lëvizur me një shpejtësi prej 19,461 miljesh (31,319 km) në orë.
Ky ka qënë asteroidi më i madh që ka të fluturuar afër tokës gjatë muajve të fundit, por jo më i madhi i të gjitha kohërave. Asteroidi u klasifikua si një objekt potencialisht i rrezikshëm për shkak të rrugës së tij afër orbitës së Tokës – por ashtu siç NASA kishte parashikuar nuk ka pasur impakt me tokën.


• Shkencëtarët po luftojnë kundër rezistencës ndaj antibiotikëve


Antibiotikët janë shumë të rëndësishëm në trajtimin e shumë bakterieve dhe mikrobeve vdekjeprurëse. Kohët e fundit një rezistence e fortë kundra antibiotikëve është konstaktuar si rezultat i mbipërdorimit të tyre. Kombet e Bashkuara kanë shpallur rezistencën e antibiotikëve një ‘kërcënim thelbësor’ për shëndetin global, për të çilin disa shkençëtarë parashikojnë se mund të vrisnin 10 milion njerëz në vit deri në vitin 2050. Por siç duket beteja ende nuk është humbur. 
Në fillim të këtij viti, shkencëtarët njoftuan zhvillimin e një molekule që kthen mbrapsh rezistencën e antibiotikëve, duke e testuar në një shumëllojshmëri bakteriesh, dhe duke e bërë këtë një nga përparimet më premtuese të pasura deri më tani, në luftën kundër bakterieve dhe mikrobeve rezistente.
Studentja australiane e doktoratës, Shu Lam, ka shkaktuar një habitje të madhe me hulumtimin e saj, i cili është një mënyrë për të vrarë bakteriet pa ndihmën e atibiotikëve… Ajo ka zhvilluar një polimer në formë ylli që mund të vrasë gjashtë shtresa të ndryshme mikrobi rezistent pa antibiotikë, thjesht duke i shkatërruar dhe shpërbëre muret e tyre qelizore. (Sciencealert.com) 
• Kolorado u bë shteti i 22-të në SHBA që shfuqizoi dënimin me vdekje 

Më 23 Mars, Kolorado u bë shteti i 22-të në SH.B.A. që shfuqizoi dënimin me vdekje. Dënimi me vdekje është administruar vetëm një herë që kur u rikthye në fuqi në vitet 1970, në një rast përdhunimi dhe vrasjeje në 1997.
Guvernatori demokrat Jared Polis nënshkroi vendimin në ligj, i cili shënon tendencën në rritje që shtetet e tjera të Amerikës të eleminojnë përdorimin e ndëshkimit me vdekje. Sipas një sondazhi të vitit 2019, 60% e amerikanëve thanë se do të preferonin burgun e përjetshëm mbi ekzekutimin me vdekje, si formën më të rëndë e dënimit në SH.B.A.
Të gjithë të burgosurit me dënime me vdekje paraprake në Kolorado janë zhvendosur në burg të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bota, Manjola Barçi-Kozi, nuk kercenohet, vetem nga Korona

Bota dhe njeriu i saj

March 25, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Bota përmban njerëz te vegjël. Aq shumë jane ata sa që i larti, i miri, mbetet i padukshëm. Por është ajo që s’duket që i jep ngjyrimet kësaj bote. Prej të padukëshmes, bota vjedh e vishet, dhe ndryshon fytyrën e saj, për t’u shtirrë a dukur njerëzore. Sepse po ta shohësh thellë Bota është tokë, baltë, dhè, pisllëk, e ndyrë, e natyrëshme, plot miq të rremë, ziliqarë, të pangopur me gjak të pastër. Dhe këta krijojnë përgjithësime, vlera të rreme, edhe shprehje, si për shembull “popull”. Pastaj i japin atij fuqi, e bëjnë sundues të leckosur, manikinën, vetë vihen në krye dhe çdo gjë e kryejnë “në emër të popullit”. Sa qesharake!
Vetëm kur njerëzit janë injorantë, ata bëhen më lehtësisht të korruptuar dhe degjenerojnë në turmë, sepse nuk janë në gjendje të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Uzurpimi bëhet i lehtë. Së shpejti një uzurpator zbulohet, dhe njerëzit vetë bëhen instrumente të gatshëm për shkatërrim dhe shkatërrimin e vetes.
Ligji dhe rendi politik janë krijime të njeriut. Kontrata shoqërore midis qytetarëve dhe rendit politik janë thjesht mjete drejt një qëllimi përfundimtar, që është përfitimi i individëve të përfshirë në ‘të. Kjo kontratë mbetet legjitime vetëm nëse nënshkruesit i pëmbahen ose e përmbushin atë. Sipas Hobsit, “qytetarët nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen qeverisë kur kjo është shumë e dobët për të vepruar në mënyrë efektive” kundër dukurive, si kriminaliteti e korrupsioni që shqetësojnë jetën e tyre. Sipas teoricienëve të tjerë, si Locke e Rousseau, “kur qeveria dështon të kënaqë vullnetin e përgjithshëm apo të sigurojë të drejtat e tyre, qytetarët mund të tërheqin detyrimin për t’iu bindur një qeverie të tillë, dhe për të ndryshuar udhëheqjen, zgjedhjet, por edhe dhuna, mbeten zgjidhja.”

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, Bota, dhe njeriu i saj

Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet bota sot

September 23, 2016 by dgreca

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara/

23 shtator 2016/

I nderuar Zoti President,/

Shkëlqesitë Tuaja,/

Zonja dhe Zotërinj,/

Është një kënaqësi e veçantë që, në cilësinë e Kreut të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, t’i drejtohem Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dëshiroj së pari të përshëndes zgjedhjen e Presidentit e Asamblesë së Përgjithshme, zotit Peter Thomson, si dhe t’i uroj atij shumë suksese në përmbushjen e agjendës dhe angazhimeve shumë ambicioze.

Përtej nderit dhe privilegjit për t’iu adresuar për herë të dytë kësaj Asambleje shumë të nderuar të Kombeve të Bashkuara, kam edhe ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë për të dhënë një kontribut modest, veçanërisht në këto momente zhvillimesh të rëndësishme rajonale e globale, e ku vëmendja jonë është përqendruar në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Gjithashtu dëshiroj të shpreh edhe mirënjohjen e thellë për vizionin, rolin dhe kontributin e qenësishëm, që Sekretari i Përgjithshëm ka dhënë në krye të Kombeve të Bashkuara, duke orientuar vëmendjen tonë në çështje sa thelbësore të lidhura me vlerat dhe dinjitetin njerëzor e deri tek çështjet e lidhura me paqen e sigurinë në planetin tonë të përbashkët.

Zoti President,

Shqipëria këtë vit kremtoi 61-vjetorin e anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara dhe me kënaqësi legjitime dëshiroj të theksoj se vendi im u mbetet besnike parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kontribuon maksimalisht e me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për paqen dhe sigurinë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se vendi im e ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota sot dhe mbështet të gjitha përpjekjet e përbashkëta për përballimin e tyre, me bindjen e palëkundur se parandalimi i konflikteve dhe sigurimi i paqes e sigurisë globale, ku në qendër është vëmendja për njerëzit dhe shoqërinë njerëzore, kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë.

Ndaj këtyre sfidave, Shqipëria është gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimeve të mundshme në parandalimin e krizave; angazhimit, sipas mundësive, në ndihmën humanitare; kontributin e saj në stabilitetin dhe sigurinë rajonale; zhvillimin e qëndrueshëm; ratifikimin e marrëveshjes së klimës dhe depozitimin e instrumenteve të ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm; zbatimin e të gjitha angazhimeve të saj në fushën e sigurisë dhe një kontribut te vlerësuar në planin rajonal dhe ndërkombëtar; luajtjen e një roli proaktiv në platformat ndërkombëtare për avancimin e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, Shqipëria e sheh zbatimin e Agjendës 2030 si një platformë ndërkombëtare për forcimin e lidhjes që ekziston ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë, duke besuar se kjo agjendë do të jetë udhërrëfyesi i veprimit tonë për zhvillimin e qëndrueshëm në 15 vitet e ardhshme për njerëzit, planetin, paqen, partneritetin dhe begatinë.

Shqipëria është një vend pilot në hartimin e indikatorëve globalë për zbatimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm 16 (OZHQ) për paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta. Objektivat e kësaj agjende janë bërë pjesë integruese e programeve dhe strategjive sektoriale të institucioneve shqiptare dhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), duke i nxitur institucionet shqiptare të hartojnë programe të reja e ambicioze në të gjitha fushat e zhvillimit, dhe bërë vendin pjesë të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Përfitoj nga rasti të bëj të ditur se, Shqipëria është e vendosur për të qenë aktive në Konferencën e Tretë të OKB-së për Strehimin dhe Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm (HABITAT III), e cila ofron një mundësi unike për miratimin e një Agjende globale të re Urbane, që forcon marrëdhëniet dhe sinergjitë ndërmjet urbanizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndryshimeve klimaterike.

Zoti President,

Agjenda 2030 dhe arritja e marrëveshjes së Parisit me shumë të drejtë konsiderohen si mundësitë e kësaj gjenerate për një jetë më të mirë si për brezat e tanishëm ashtu edhe për brezat e së ardhmes. Zbatimi i këtyre dy dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është proaktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare dhe çështjet e ndërtimit të paqes.

Marrëveshja e nënshkruar nga 187 vende në Konferencën e Palëve COP21 në Paris, shënoi një moment historik në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’u përballur me sukses me ndryshimet klimaterike.

Shqipëria ishte ndër vendet që e ratifikuan në një kohë të shkurtër Marrëveshjen e Parisit, me synimin e vetëm që të kontribuojë në përshpejtimin e hyrjes së saj në fuqi dhe bërjes së saj aktive sa më shpejt.

Prandaj dhe para dy ditësh pata kënaqësinë që të depozitoj instrumentet e ratifikimit të Shqipërisë për Marrëveshjen e Parisit, duke shprehur angazhimin konkret të vendit tim për të ardhmen e planetit tonë të përbashkët, si dhe riafirmuar vendosmërinë ndaj këtij angazhimi madhor. Në këtë kuadër, Shqipëria është angazhuar që deri në vitin 2030 të reduktojë me 11,5% emetimin e gazit me efekt serë.

Zoti President,

Në muajin maj të këtij viti, kam marrë pjesë dhe kam përshëndetur Samitin e parë Humanitar Botëror të organizuar nën kujdesin e veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm, në Stamboll, duke theksuar në mënyrë të veçantë mbështetjen e Shqipërisë për Agjendën për Njerëzimin dhe vizionin se a shift from perpetual crisis management toward effectively managing prevention and early action is urgently needed. Jam i bindur se kjo agjendë do të na ndihmojë nga iniciativa në veprime konkrete në të mirë të njerëzimit dhe të brezave që do të vijnë më pas.

Shqipëria u angazhua në Samitin e Stambollit për të adresuar përkeqësimin e disa situatave humanitare në mbarë botën dhe u bashkua me politikat e Kombeve të Bashkuara për reagim dhe ndihmë humanitare.

Shqipëria u bashkohet përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të përballuar flukset migratore dhe ato të refugjatëve në mënyrë konsistente dhe të koordinuar. Sot, realiteti, në teren dhe në nivelin e politikave, po na shtyn për të ndryshuar qasjen tonë në nivel rajonal dhe më gjerë, në mënyrë që të ndërmarrin hapa cilësore përpara, në punën tonë dhe qasjen mbi migracionin dhe bashkëpunim.

Para disa ditësh, Shqipëria organizoi një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi sfidat e zyrave të Avokatit të Popullit, në lidhje me flukset migratore. Një prej rezultateve të kësaj konference ishte miratimi i Deklaratës së Tiranës, e cila tashmë i është përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në vlerat e humanizmit, Deklarata e Tiranës synon të hapë rrugën për një qasje të re në kontekstin e flukseve migratore, atë të respektit dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga vendi i origjinës apo statusi individual.

Si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, Shqipëria i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Bashkimit Evropian, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

Përfitoj nga rasti të komplimentoj edhe njëherë Sekretarin e Përgjithshëm për raportin e publikuar në fillim të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta), si dhe të rikonfirmoj mbështetjen e vendit tim për parimet bazë të këtij raporti, i cili na ka ofruar një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore, situatës humanitare dhe të drejtave të njeriut në botë.

Zoti President,

Një sfidë tjetër fondamentale për vlerat e përbashkëta të shoqërisë njerëzore është lufta ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Pak ditë më parë, qytetarët e Nju Jorkut, e qytetit ku ne jemi mbledhur, por dhe të gjithë qytetarët amerikanë, përkujtuan me dhimbje viktimat e shkaktuara 15 vjet më parë nga terrorizmi. Sulmet terroriste, veçanërisht ato me prapavijë fetare, në vitet e fundit janë intensifikuar shumë, duke goditur me egërsi dhe barbari qytetet kryesore të Francës, Belgjikës, Turqisë, Kuvajtit, Egjiptit, Tunizisë, Libanit e shumë vendeve të tjera anë e mbanë botës, me synim që të frikësojnë e gjunjëzojnë shoqëritë tona.

Në këtë kontekst, Shqipëria vlerëson rolin e patjetërsueshëm të OKB-së në luftën globale kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke e konsideruar Organizatën një aktor kyç. Gjithashtu, Shqipëria mbështet Planin e Veprimit të Sekretarit të Përgjithshëm për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, si dhe rolin aktiv të OKB-së për gjetjen e zgjidhjeve politike dhe adresimin e rrënjëve të konflikteve në zonat e prekura prej tyre.

Shqipëria riafirmon mbështetjen për rezolutat e Këshillit të Sigurimit 2170; 2178; 2253, të cilat kërkojnë nga shtetet marrjen e masave të nevojshme për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të adresimit të çështjes së të ashtuquajturve “luftëtarëve të huaj” dhe financimit të terrorizmit ndërkombëtar.

Vendi im do të vijojë me vendosmëri të jetë e angazhuar dhe kontribuojë edhe në nivel rajonal për të adresuar dhe dhënë përgjigje ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të “luftëtarëve të huaj”, si dhe për promovimin e ideve dhe programeve të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që iu bashkua Koalicionit Global kundër ISIS/Daesh dhe ka kontribuar deri tani me 5 paketa me pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura Peshmerga në Irak. Sot ajo renditet krah vendeve proaktive të angazhuara për zbatimin në tërësi të Strategjisë Globale Kundër Terrorizmit.

Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e kësaj sfide brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë.

Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit.

Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor të posaçëm për trajtimin e fenomeneve të tilla me masa më të forta; ka miratuar Strategjinë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm (nëntor 2015); si dhe ka ngritur Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (Countering Violent Extermism) (që nga 1 gusht 2016).

Shqipëria është solidare dhe do të kontribuojë me sa mundet për parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonin ku bën pjesë ashtu edhe në nivel global.

Zoti President,

Me politikat e ndjekura gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria është shndërruar gjithnjë e më shumë në një kontribuues aktiv në çështjet e sigurisë në arenën ndërkombëtare.

Këtë rol vendi im e ka siguruar dhe po e forcon nëpërmjet anëtarësisë pro-aktive në NATO, mbështetjes së qartë dhe angazhimit konkret në zbatim të politikës së përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, mbështetjes dhe pjesëmarrjes në operacionet e OKB-së, misionet e asistencës këshilluese policore në Afganistan dhe Sudan, misionet e OSBE, forcimit të partneritetit strategjik me SHBA dhe BE, si dhe nëpërmjet angazhimit serioz në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të paqes dhe sigurisë në botë.

Duke filluar nga shtatori i vitit 1996 deri më sot, Shqipëria ka kontribuar me 6528 trupa ne operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Shqipëria beson se procesi i paqes në Lindjen e Mesme arrihet nëpërmjet bisedimeve dhe se palët duhet të përfitojnë nga energjitë dhe vëmendja që aktorët e komunitetit ndërkombëtar po i kushtojnë zgjidhjes përfundimtare dhe të qëndrueshme kësaj çështje.

Gjithashtu, Shqipëria konfirmon mbështetjen për përpjekjet e OKB-së për lehtësimin e një procesi paqeje në Siri, si dhe përshëndeti angazhimet për të vendosur paqen në Siri, për të hapur dhe siguruar rrugët e ndihmës humanitare si dhe për të luftuar me vendosmëri Daesh and Al Nusran që veprojnë në këtë vend. Por zhvillimet e ditëve dhe orëve të fundit janë shumë shqetësuese. Goditja dhe ndërprerja e dërgimit të ndihmave humanitare për popullsinë civile, minon përpjekjet e deritanishme për arritjen e armëpushimit dhe për t’i dhënë fund dhunës.

Me shqetësim, Shqipëria ka ndjekur testet më të fundit bërthamore në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, duke dënuar ato dhe duke i cilësuar si akte provokues e në shkelje të hapur e sistematike të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këto akte cenojnë paqen dhe sigurinë në Azinë Verilindore dhe në mbarë botën, ndaj dhe Shqipëria kërkon nga ky vend respektimin dhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Zoti President,

Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Politika jonë e jashtme është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike.

Angazhimi energjik i Shqipërisë në këtë kuadër, si dhe roli i saj aktiv e konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, i kanë shërbyer fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe njerëzor mes të gjitha vendeve partnere në rajon në drejtim të krijimit të një agjende ndërveprimi midis tyre, BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse e rrugës së përbashkët të vendeve te rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale dhe ndërkombëtare.

Kosova ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në konsolidimin e institucioneve të veta demokratike, mirëqeverisjen, bashkëjetesën multietnike e ndërfetare dhe veçanërisht përparimin në proceset euro-atlantike. Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ajo ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh me Serbinë, për zgjidhjen e problemeve praktike dhe krijimin e një klime mirëbesimi për bashkëpunimin rajonal.

Në këtë frymë, kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shikohet nga e ardhmja.

Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, rolin aktiv qe ajo luan si anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat rajonale, si dhe procesin e pandalshëm të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Këto do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit nëe rajonin e Ballkanit.

Sot, Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore e më gjerë.

Zoti President,

Shqipëria është tërësisht e angazhuar në procesin e integrimit evropian, duke e konsideruar perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si një nxitës të pazëvendësueshëm për kryerjen e reformave të thella në dobi të arritjes së standardeve më të mira të shtetit ligjor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Marrja e statusit të Vendit Kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara.

Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas Brexit, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën.

Në kuadrin e reformave të brendshme, një prej reformave më madhore ka qenë dhe mbetet reforma në drejtësi, e cila jo vetëm që përbën një bazë solide për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, por përmirëson standardet e funksionimit të shtetit ligjor dhe garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social.

Zoti President,

Në mbyllje, dëshiroj që të konfirmoj edhe njëherë vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e agjendës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Agjendën 2030 dhe të gjitha përpjekjet për një Zhvillim të Qëndrueshëm të planetit tonë, si dhe të vijojë të kontribuojë aktivisht për forcimin e mëtejshëm të rolit të Organizatës në rrafsh global.

Faleminderit!

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: Bota, Perballja, Presidenti Nsihani, sfidat, shqiperia

Ja Si e Shënon Bota 11 Shtatorin?

September 10, 2016 by dgreca

 

1-departamenti-i-shtetitNë 15 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ish-lokacioni i “World Trade Center” në Nju Jork …../1-per-11-shtatorinNjë skulpturë e flamurit amerikan qëndron në memorialin për 11 shtatorin në Motza, Izrael, në perëndim të Jerusalemit. Emrat e viktimave, përfshirë edhe pesë qytetarë izraelitë, janë të shkruar në pllakën përkujtimore të memorialit./

2-nju-xhersi

Artistja amerikane, Miya Ando, pozon në Londër pranë punimit të saj të quajtur “Pas 11 shtatorit”, i punuar nga çeliku i gjetur në “World Trade Center”. Skulptura ishte lëvizur nga lokacioni i përkohshëm në Battersea, në Parkun Olimpik të Londrës, pi pasojë e vonesave në dizajnimin e “shtëpisë së përhershme” të punimit. Kjo ishte një dhuratë nga Autoriteti i Portit të Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit për Mbretërinë e Bashkuar.

1-ruso-gjeorgjianNjë skulpturë nga artisti ruso-gjeorgjian, Zurab Tsereteli, i titulluar “Kushtuar luftës kundër terrorizmit botëror”, qëndron në Bayonne, Nju Xhërsi, në afërsi të Manhattan. Punimi me gjatësi prej 30 metrash i është dhuruar Shteteve të Bashkuara si dhuratë zyrtare nga qeveria ruse në shtator të vitit 2006.

1-femijet-dhe-pellumba

Fëmijët lëshojnë pëllumba të bardhë përpara monumentit kushtuar viktimave të terrorizmit në Kiev të Ukrainës, më 11 shtator 2014. Monumenti, i cili u përurua në vitin 2005, ka të gdhendur mbishkrimin “Ti nuk duhet të vrasësh”, në 120 gjuhë të botës.

 

Share

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Bota, dhe 11 shtatori, tragjedia

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT