Nga Astrit Lulushi/
Bota përmban njerëz te vegjël. Aq shumë jane ata sa që i larti, i miri, mbetet i padukshëm. Por është ajo që s’duket që i jep ngjyrimet kësaj bote. Prej të padukëshmes, bota vjedh e vishet, dhe ndryshon fytyrën e saj, për t’u shtirrë a dukur njerëzore. Sepse po ta shohësh thellë Bota është tokë, baltë, dhè, pisllëk, e ndyrë, e natyrëshme, plot miq të rremë, ziliqarë, të pangopur me gjak të pastër. Dhe këta krijojnë përgjithësime, vlera të rreme, edhe shprehje, si për shembull “popull”. Pastaj i japin atij fuqi, e bëjnë sundues të leckosur, manikinën, vetë vihen në krye dhe çdo gjë e kryejnë “në emër të popullit”. Sa qesharake!
Vetëm kur njerëzit janë injorantë, ata bëhen më lehtësisht të korruptuar dhe degjenerojnë në turmë, sepse nuk janë në gjendje të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Uzurpimi bëhet i lehtë. Së shpejti një uzurpator zbulohet, dhe njerëzit vetë bëhen instrumente të gatshëm për shkatërrim dhe shkatërrimin e vetes.
Ligji dhe rendi politik janë krijime të njeriut. Kontrata shoqërore midis qytetarëve dhe rendit politik janë thjesht mjete drejt një qëllimi përfundimtar, që është përfitimi i individëve të përfshirë në ‘të. Kjo kontratë mbetet legjitime vetëm nëse nënshkruesit i pëmbahen ose e përmbushin atë. Sipas Hobsit, “qytetarët nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen qeverisë kur kjo është shumë e dobët për të vepruar në mënyrë efektive” kundër dukurive, si kriminaliteti e korrupsioni që shqetësojnë jetën e tyre. Sipas teoricienëve të tjerë, si Locke e Rousseau, “kur qeveria dështon të kënaqë vullnetin e përgjithshëm apo të sigurojë të drejtat e tyre, qytetarët mund të tërheqin detyrimin për t’iu bindur një qeverie të tillë, dhe për të ndryshuar udhëheqjen, zgjedhjet, por edhe dhuna, mbeten zgjidhja.”