• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

BISEDIMET KOSOVE-SERBI- O’BRIEN:ËSHTË DUKE U ARRITUR PROGRES…

September 3, 2020 by dgreca

–– Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj 108 Vjecare, është aty ku vendosen fatet e Kombit. Një ekip i Vatrës po i ndjek nga afër bisedimet: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj me  bashkëpunëtorët e tyre në Washington  janë në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës-

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, ka deklaruar të enjten se është arritur progres në ndërmjet dy liderëve, të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Hoti- Vuçiq është duke u mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington,raporton Evropa e Lire.

“Liderët e Serbisë dhe të Kosovës tash janë duke arritur progres. Diskutimet tona këtë mëngjes janë fokusuar në përforcim të lidhjeve ekonomike dhe në normalizim ekonomik. Në pritje për diskutime të mëtejshme këtë pasdite”, tha O’Brien në një postim në Twitter.

Ndërkaq, i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“E pavërtetë”, ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.

Më herët, ministri i Financave i Qeverisë së Serbisë, Sinisha Malli, i cili është pjesë e delegacionit të Serbisë në Uashington, u ka thënë gazetarëve që Serbia, gjatë bisedimeve, “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.

“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.

Ai vlerësoi që presioni ndaj delegacionit serb është “i madh”.

“Deri më tash, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë.

Në pyetjen se a mund të pritet që takimet të vazhdojnë edhe nesër, Malli ka theksuar që lidhur me këtë nuk dëshiron të spekulojë.

Përfundon pjesa e parë e takimit

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është duke u zhvilluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, janë nikoqirë të takimit.

Arritja e liderëve, të Kosovës dhe atij të Serbisë, ishte konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Twitter, nga Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

“Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke”, ka deklaruar Hoti.

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë bashkë me delegacionin për të diskutuar projektet e zhvillimit ekonomik në mes të dy vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive me komunikimet që kemi pasur deri më tash. Unë ju falënderoj për interesimin, do të keni informata sapo ta kryejmë raundin e parë të takimeve”, ka shtuar ai.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

“Ne duam paqe, duam stabilitet, duam përparimin e Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë rajonit tonë, dhe mbi të gjitha do të duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.

Ai i ka quajtur si arrogante deklaratat e zyrtarëve të Kosovës në lidhje me njohjen e Kosovës.

“Mesazhi im për të gjithë në Serbi është: Dorëzimi asnjëherë nuk ka qenë opsion”, ka thënë Vuçiq.

Të mërkurën O’Brien ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Për tash, nuk është e sigurt se bisedat do të vazhdojnë edhe pas 4 shtatorit.

“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka deklaruar, në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të martën.

Është paralajmëruar se projektet infrastrukturore do të jenë temat e takimit të liderëve, të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenellit.

“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, ka thënë një zyrtar i administratës amerikane, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë. Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.

“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka mirëpritur ftesën e Shtëpisë së Bardhë për takimin e ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë ditën e enjte, “në kërkim të një marrëveshjeje për paqe”.

“E inkurajoj delegacionin e Kosovës për të bërë hapa të guximshëm drejt paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek nga afër bisedimet KOSOVË-SERBI-

– – Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj 108 Vjecare, është aty ku vendosen fatet e Kombit. Një ekip i Vatrës po i ndjek nga afër bisedimet: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj me  bashkëpunëtorët e tyre në Washington  janë në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës-

Federeata Panshiptare e Amerikës VATRA është duke i ndjekur nga afër bisedimet Kosovë –Serbi. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, I kontaktuar nga kryeredaktori I Diellit,  tha nga Ëashingtoni se VATRA ka qenë afër delegacionit të Kosovës dhe ka pasë kontakte edhe para bisedimeve edhe përgjatë bisedimeve.Sot dhe nesër ekipi i Vatrës do të vazhdojë  të qëndrojë në Washington.

Gjatë ditës së bisedimeve në Washington janë të pranishëm Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj,nënkryetari Besim Malota, arkëtari Marjan Cubi, anëtari i këshillit të Vatrës Mehmet Kadrija e të tjerë. Ndërkohë ekipi i Vatrës ka pasë takime me miq amerikanë të interesuar për Kosovën. Në mbrëmje, vatranët me kryetarin e tyre Berisha e Presidentin e Nderit Rexhaj,do të jenë në një darkë pune me kryeministrin dhe delegacionin negociator.

Filed Under: Featured Tagged With: Bisedimet, Vatra

DIALOGU KOSOVË-SERBI, PËR HERË TË PARË NË SHTËPINË E BARDHË NË AMERIKË

September 3, 2020 by dgreca

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari-

  • Sot, kur Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite-

PRISHTINË, 3 Shtator 2020/ Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku sot delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bisedimet, që pritet të vazhdojë edhe nesër,  i ndërmjetësojnë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe dërguari i Presidentit Amerikan Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell. Delegacioni i Kosovës udhëheqet nga Kryeministri  Avdullah Hoti, ndërsa delegacioni i Serbisë nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës Avdullah  Hoti në Uashington deklaroi:

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, diskutuam projektet e zhvillimit ekonomik mes të dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive. Do të keni informata sapo të kryejmë raundin e parë të takimit. Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke. Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe që është vetë njohja reciproke”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar:

 “Duartrokas lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, presidentit amerikan Donald Trump dhe ambasadorit Richard Grenell për t’i bërë bashkë përsëri Kosovën dhe Serbinë në kërkim të një marrëveshjeje të paqes. E inkurajoj delegacionin e Kosovës të bëjë hapa të guximshëm drejtë paqes, njohjes dhe zhvillimit ekonomik”.

Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para më shumë se 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kontribuojnë me trupa në Forcën e Kosovës (KFOR) të prirë nga NATO, e ngarkuar me ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kontribuuan me staf për Misionin e BE-së për Sundim të së Drejtës (EULEX) që nga vendosja e tij më 2008, duke shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në një mision të BE-së për Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, White House

MBILLNI NJË PEMË NË VEND TË DEKORATAVE TË SHPËRNDARA NËPËR SHQIPËRI,KOSOVË E DIASPORË…

September 3, 2020 by dgreca

      Pa dashur të keqpërdor kritikën për masën e madhe të dekorimeve ( si vertikalisht dhe horizontalisht në krejt botën tonë shqiptare), si me një treg shumicë është tejkaluar çdo kufi me “qytetar nderi” me “Mjeshtër i Madh” e deri me “Nderi i Kombit”,”Kalosi i Skenderbeut”…

.Dhe krejt  e pakuptimtë ishte dhe së fundi  ceremonia e Dekorimit të Bandës së Vatrës, pa nderimin me pjesmarrje të vatranëve të sotëm të Vatrës sonë shqiptare apo të mungesës së ftesës të familjeve të anëtarëve të Bandës?!!!

–Presidentit të Shqipërisë: zotit Ilir Meta & Presidentit të Kosovës: zotit Hashim Thaçi-
Nga Sami Mulaj-

Dhe të  gjithë institucioneve që japin dekorime e vlerësime për personalitete e figura të komunitetit e të mbarë Botës e shoqërisë shqiptare.
 Mbillni një Pemë, ju lutem!
 U njoha këto ditë me ceremoninë e dekorimit të  bandës Vatra a dhe të  dekorimit të ish presidentit të Shqipërisë Rexhep Mejdani …U bënë lajm  në media si pjesmarrja e të gjithë krahëve të politikës shqiptare si në Shqipëri dhe nga Kosova. Pa dyshim vlerësim shumë I merituar për Vatrën e Bandën e saj, vlerësim dhe për shtetarin dinjitoz ish presidentin Mejdani.
Ekrani dhe gazetat me pamje e figurë paraqesin takimet e  buzëqeshjet  e pjesmarësve në koktej dhe vetëm kaq.
 …Pas kësaj bujë rutinë çfarë mbeti?!
Edhe një emër më shumë në listën e dekorimeve, edhe një kornizë më shumë në muret e dhomave a të zyrave të të dekoruarve (!) dhe vetëm kaq.
 Pa dashur të keqpërdor kritikën për masën e madhe të dekorimeve ( si vertikalisht dhe horizontalisht në krejt botën tonë shqiptare), si me një treg shumicë është tejkaluar çdo kufi me “qytetar nderi” me “Mjeshtër i Madh” e deri me “Nderi i Kombit”.
Dhe krejt  e pakuptimtë ishte dhe së fundi  ceremonia e Dekorimit të Bandës së Vatrës, pa nderimin me pjesmarrje të vatranëve të sotëm të Vatrës sonë shqiptare?!!!
 Përsëri  kjo do të vazhdojë, është e kuptueshme për kulturën tonë, e për traditën tonë. Nuk do ta tejkalojmë aq shpejt e as lehtë mentalitetin e të “madhit e të parit të oxhakut “ por duhet të përpiqemi e të mësojmë se si të tjerët e përdorin dekorimin e më të spikaturve në fushat e ndryshme të jetës.
 Shumë e thjeshtë, pa koktej e duartrokitje të mëdha, pa salla e pa përqafime “ Belulësh” e pa qefmbejtje ftesash… vendos një pemë në një park a pranë një rruge dhe thuaje me plot gojën: Pema e doktor Rexhep Mejdanit,i dekoruar me “Flamurin Kombëtar”, pema e Bandës Vatra, pema e… kështu me radhë për të gjithë dekorimet.
Ajo pemë do lëshonte lule, aromë të mirë për ambjentin e njerëzit për rreth, dhe Rexhep Mejdani do mbahej mend më gjatë nga brezat dhe….Banda e Vatrës, e Vatra e shqiptarëve  të Amerikës mbi 100 vjeçare do nguliteshin më thellë në memorien e shqiptarëve, si Krenari e vërtetë Kombëtare.
 Më shumë pemë, më shumë lule, më shumë bukuri në mjediset shqiptare do të ishin dekoratat më të mira për majat e personaliteteve shqiptare, që nuk I kanë munguar dhe nuk do ti mungojnë Kombit   tonë Shqiptar.


Filed Under: Politike Tagged With: Mbillni nje peme ne vend te Dekoratave, Sami Mulaj

UEFA Nations League- Shqipëria kërkon kokën e Bjellorusisë

September 3, 2020 by dgreca

Liga e Kombeve- Bjellorusi-Shqipëri/

Ditën e Premte, ora 14:45, në stadiumin Olimpik Kombëtar Dinamo të Bjellorusisë. 

Mandatory Credit: Photo by Sergei Grits/AP/Shutterstock (6988270g) Anton Putilo, Klodian Duro Anton Putilo, of Belarus, left, vies for the ball with Klodian Duro of Albania during the Group D qualifying soccer match, at the Dinamo Stadium in Minsk, Belarus Belarus Albania Euro 2012 Soccer, Minsk, Belarus
ANTALYA, TURKEY – NOVEMBER 15: Anderi Chukhlei (red jersey) of Belarus vies for the ball with Roshi Odise (white jersey) of Albania during a friendly football match between Belarus and Albania at Akdeniz University Stadium on November 15, 2013 in Antalya, Turkey. (Photo By Okan Ozer/Anadolu Agency/Getty Images)

Shqiperia kerkon koken e Bjellorusise

Përgatiti Albano Kolonjari

Shqipëria ka një bilanc negativ në përballjet me Bjellorusinë.  Ekipet kanë zhvilluar pesë takime ndërmjet tyre,  dy herë kanë fituar bjellorusët, dy ndeshje janë ndarë në barazim dhe një herë kanë fituar kuqezinjtë me golavarazhin e përgjithshëm 8-5 për bjellorusët. Shqipëria ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve do ta luajë përballë Bjellorusisë në Minisk. Kuqezinjtë janë në Grupin e katërt ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bjellorusia, Lituania dhe Kazakhstani. Bjellorusia dhe Shqipëria u përballën me njëri-tjetrin për herë të parë në vitin 2006. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2. Bjellorusia është e pamposhtur në tre takime që ka zhvilluar në shtëpi me Shqipërinë, duke regjistruar një fitore dhe dy barazime. Kuqezinjtë janë optimistë dhe kërkojnë të regjistrojnë fitoren e parë në fushën e kundërshtareve të tyre. FSHF ka bërë të ditur se”:nuk kanë udhëtuar me ekipin lojtarët Hysen Memolla, Ylber Ramadani dhe Ardian Ismajli. Memolla e Ismajli kanë ardhur të dëmtuar në grumbullim dhe nuk u rikuperuan dot për sfidën e parë, ndërsa Ramadani ka pësuar një dëmtim në stërvitje. Të tre këta lojtarë do të qëndrojnë në Shqipëri e do vazhdojnë terapi dhe stërvitje në mënyrë të diferencuar me shpresën që të mund të rikuperohen për ndeshjen e dytë kundër Lituanisë në “Air Albania Stadium” ditën e hënë”. Në përbërje të ekipit Kombëtar mungon edhe talenti Kumbulla për shkak dëmtimi por dhe Armando Broja për shkak skualifikimi. Me ekipin Kombëtar nuk është bashkuar dot Lenjani i cili nuk u lejua të udhëtonte drejt Shqipërisë duke e cuar në shtatë numrin e lojtarëve që mungojnë për këtë ndeshje.  Për herë të parë me ekipin Kombëtar janë bashkuar mesfushorët talentuar Endri Çekiçi dhe Qazim Laçi, si edhe sulmuesi i Armando Broja dhe talenti 17-vjeçar i Interit, mbrojtësi  Ramen Çepele . UEFA i ka besuar këtë sfidë suedezit, 36-vjeçarit Kristofer Karlson. Ne ndihmë të tij do të jenë gjyqtarët anësorë Daniel Gustavson dhe Maks Robin Vilde, gjyqtari i katërt është Fredrik Klite, po nga Suedia. Delegate e UEFA-s është Alina Kapatina nga Moldavia.

Tranjeri Reja.

Objektivi ynë është që të fitojmë grupin jam i bindur që kemi një skuadër të mirë, kemi cilësi, e rëndësishme është të jemi mirë psikologjikisht dhe fizikisht.  Ne mund të luajmë kundër të gjithëve dhe e kemi treguar këtë kundër Turqisë, kundër Islandës që mendonim se ishim inferiorë. Nuk është një moment si në vitet e tjera kur lojtarët vijnë nga kampionatet dhe i kanë kushtet dhe ne e dimë se në çfarë gjendje janë. Për ne është e rëndësishme që të fitojmë, të paraqitemi mirë, të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur dhe skuadra të jetë kompakte bashkë dhe duke uruar që gjërat të shkojnë mirë dhe mos të ndodhin probleme. Objektivi ynë është të fitojmë grupin, por ka pikëpyetje të shumta. Sepse kur shkon në fushë, nuk luan veç për tëluajtur. Dua të shoh një skuadër agresive, që të bindë, të sakrifikojë. Këtë do të doja të shikoja n 90 minuta”.

Eleminatoret e Kampionatit Europian.

2 shtator 2006

Bjellorusi-Shqipëri 2-2

17 nëntor 2007

Shqipëri-Bjellorusi 2-4

Eleminatoret e Kampionatit Europian.

12 tetor 2010

Bjellorusi-Shqipëri 2-0

26 Mars 2011

Shqipëri-Bjellorusi

1-0

15 nëntor 2013

Miqësore

Bjellorusi-Shqipëri 0-0   

Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Alban Hoxha

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Berat Gjimshi, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Lorenc Trashi, Hysen Memolla, Ramën Çepele, Ermir Lenjani, Frederic Veseli, Enea Mihaj

Mesfushorë: Klaus Gjasula, Keidi Bare, Odise Roshi, Qazim Laçi, Lindon Selahi, Myrto Uzuni, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Endri Cekici, Qazim Laci

Sulmues: Armando Sadiku, Armando Broja, Bekim Balaj, Florian Kamberi, Rey Manaj, Sokol Cikalleshi.

Portierë:  Alexander Gutor (Shakhtar, Soligorsk), Yegor Khatkevich (Isloch, Minsk Region), Sergei Ignatovich (Dynamo Brest).

Mbrojtës:  Alexander Martynovich (Krasnodar, Russia), Maxim Bordachev (Torpedo-BelAZ, Zhodino), Alexander Sachivko (Shakhtar, Soligorsk), Nikolay Zolotov (Ural, Yekaterinburg, Russia), Maxim Shvetsov ( Dynamo Minsk “), Nikita Naumov (Zhetysu, Taldykorgan, Kazakhstan), Roman Yuzepchuk (Dynamo Brest), Alexey Legchilin (Neman, Grodno).

Mesfushorë:  Stanislav Dragun, Igor Stasevich, Pavel Nekhaichik, Evgeny Yablonsky (all – BATE, Borisov), Max Ebong (Astana, Kazakhstan), Yuri Kovalev (Arsenal, Tula, Russia), Ivan Bakhar (Dynamo-Minsk ”), Dmitry Podstrelov, Alexander Selyava (both – Shakhtar, Soligorsk), Andrey Khachaturyan (Torpedo-BelAZ, Zhodino).

Sulmues:  Maxim Skavysh (BATE, Borisov), Vitaly Lisakovich (Lokomotiv, Moscoë, Russia).

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Liga e Kombeve, shqiperi

NJË PYETJE PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS

September 3, 2020 by dgreca

-Të nderuar akademikë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë: a vazhdoni ju të jeni të mendimit se Lahuta e Malëcisë e At Gjergj Fishtës është vërtetë, “vepër kusare e thjeshtë”, siç ka lenë amanet Enver Hoxha?/

Frank Shkreli-

Javën që kaloi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) organizoi tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj — vepra dhe përndjekja”, siç duket në përgjigje të shpifjeve dhe aludimeve të kohëve të fundit, të Auron Tares — publikuar në një portal të quajtur “Peisazhe të fjalës” — ndaj Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, si poliagjentë në dëm të interesave kombëtare, bazuar siç pretendon ai, në dokumenta të ndryshëm arkivore, përfshir edhe ato të Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  AIDSSH bëri shumë mirë që organizoi tryezën e rrumbullakët për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, me qëllim për të hedhur poshtë shpifjet dhe aludimet ndaj këtyre dy shkrimtarëve të mëdhej.  Mori pjesë edhe Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama.  Mirë bëri që mori pjesë.  Diskutime të tilla në publik e bëjnë shoqërinë shqiptare pak më humane.

Por ajo që më çudit është mungesa në këtë debat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Është e vërtetë se fillimisht, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, reagoi ndaj publikimit të këtyre shpifjeve dhe aludimeve me një deklaratë të shkurtër, duke përdorur një citim të Ismail Kadaresë në mbështetje të Martin Camajt, por nuk bëri asnjë koment në emër të vet, si Akademi Kombëtare e Shkencave. Si është e mundur që Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, si institucioni më i lartë shkencor i vendit të mos ketë diçka për të thenë në lidhje me këto shpifje, por jo vetëm ajo. Ku ishte Akademia e Shkencave e Republikës së Kosovës, ku janë organizatat e ndryshme shkrimtarësh në trojet shqiptare dhe në diasporë? A nuk është misioni i tyre mbarëkombëtar për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar?  Heshtja e dy akademive dhe e shoqatave të shkrimtarëve të dy vendeve, në këtë rast, të sjellë ndërmend kujtimet e At Zef Pllumit, sipas të cilit kur oficerët e Sigurimit të Shtetit  bastisën Kuvendin Françeskan dhe thyen derën e zyrës së At Gjergj Fishtës në Kuvendin Françeskan në Shkodër dhe së bashku me agjentët jugosllavë plaçkitën të gjitha librat dhe shkrimet dhe i morën me vete në drejtim të panjohur, ndërkohë që përhapën shpifje se françeskanët po grumbullonin armë për të luftuar regjimin.  At Zef Pllumi shkruan se ajo që nuk mund ta kuptonte gjithë jetën ishte fakti se si nuk u gjet asnjë nga oficerët e Sigurimit, disa sipas tij edhe të arsimuar madje edhe jashtë vendit, që të thonin, ore ndal se këto janë pasuri e kulturës kombëtare, duhet t’i mbrojmë.  “Si ishte e mundun që në këtë popull nuk u gjet kurrnji trim që të shtrinte dorën për të shpëtue kulturën, por të gjithë, ishin o aq të trullosun, o aq idiotë, o aq servilë e frikacakë?” ka shkruar At Zef Pllumi.  “A thue ndoshta ndër foletë e blindueme të geneve të këtij populli të mjerë, janë shartue të gjitha vetitë destruktive e barbare të Orientit e Oksidentit dhe vetëm ne, vetëm ne, posaçëm gjithkujt në Evropë, do të ecim symbyllë e të vërbët?!”, ka pyetur Zef Pllumi, në kujtimet e tija.

Deri kur kështu, more njerëz?  Pse nuk reagojnë siç duhet dy akademitë e dy shteteve shqiptare kur botohen shpifje siç ishin ato të Auron Tares, kundër shkrimtarëve Martin Camajt dhe Ernest Koliqit. Ose shpifjeve ndaj prejardhjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, nga individë me motive të mbrapshta?  A po në mbrojtje të veprës së At Gjergj Fishtës, në mos tjetër, të kujtohet, zyrtarisht, në këtë 80-vjetor të vdekjes së tij.  A nuk janë edhe këta pjesë e vlerave kulturore dhe njerëzore të shqiptarëve?  Por nuk është se nuk dinë të reagojnë kur është nevoja. Edhe me këtë rast dinë si të reagojnë, por nuk duan, për arsye që është vështirë të merret me mend, tre dekada par shembjes së Murit të Berlinit. 

Tetorin që kaloi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë me të drejtë dhe plot me me vend reagoi pas dhënies së çmimit Nobel për letërsi, shkrimtarit austriak Peter Handke.  Në një letër, drejtuar Akademisë së Shkencave në Suedi thuhej se ky ishte një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore.  “Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore”, thuhej në letër.  Peter Handke njihet për inkurajimin e hapur që ai i ka ofruar makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të kriminelit serb Millosheviq, gjatë luftës në Kosovë.  

Në letrën drejtuar Akademisë së Shkencave të Suedisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehet mëtej se me dhënjen e çmimit prestigjoz Nobel për letërsi Peter Handke-it, ajo akademi po vepronte me “standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqës nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”.

Në atë reagim shumë me vend, Akademia e Shkencave e Shqipërisë thotë se nuk gjykon vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm, por thotë se i “dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.  Ndaj pyetja që ngre Akademia është: A mund të besohet më kjo “parimësi”?  “Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës …. Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”, sqaron Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, në letrën dërguar Akademisë të Shkencave të Suedisë.  Me atë rast, pati edhe reagime të ashpra dhe gjithashtu plot me vend edhe nga akademikët e Republikës së Kosovës. 

Fatkeqësisht, nuk mund të injorohet hipokrizia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kur krahasohet qendrimi i saj në këtë letër dhe mënyrës se si sillet ajo vet me shkrimtarët shqiptarë të një kombi: At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, e të tjerë më pak të njohur, por të përjashtuar nga ish-regjimi komunist. 

Bir Selman i nenës, kë të qajë më parë, thotë fjala popullore, politikanët a po akademikët shqiptarë, bartës të “frymëzimeve të një ideologjie primitive të urrejtjes”, në këtë rast urrejtjes brenda kombëtare.  Duket sikur politikanët dhe akademikët shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar vazhdojnë të jenë gjithnjë bartës të porosive të Enver Hoxhës, i cili e kishte përcaktuar këtë politikë mohuese dhe shpifëse ndaj shkrimtarëve anti-komunistë si At Gjergj Fishta e të tjerë, ç’prej Plenumit të IV të Rinisë Popullore me 22 Gusht, 1947: “…Miqësinë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbetori i imperializmit  dhe fashizmit Italian, shovinisti At Gjergj Fishta me Lahutën e Malcisë, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bejë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe të ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…”, sipas Gazetës Bashkimi të njëjtës datë.

Të nderuar akademikë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë: a vazhdoni ju të jeni të mendimit se Lahuta e Malëcisë e At Gjergj Fishtës është vërtetë, “vepër kusare e thjeshtë”, siç ka lenë amanet Enver Hoxha?   Mua më “dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim” nga ana e juaj dhe “inkurajimi i hapur” që më duket se ju – me mbështetjen e heshtur të politikanëve post-komunistë në dy shtetet shqiptare — vazhdoni t’i jepni urrejtjes midis shqiptarëve në baza ideologjike – një trashëgimi tragjike e regjimit komunist të Enver Hoxhës.  

Deklaratat e një politikani të papërgjegjëshëm “shqiptarë”, pa përvojë dhe pa identitet në Mal të Zi, në lidhje me preardhjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe, është fyese për të gjithë shqiptarët kudo. Por, heshtja, dështimi dhe mungesa e vullnetit të akademive të shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës — për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar — është një akt i pafalshëm dhe anti-kombëtar. 

A nuk është misioni i juaj mbarëkombëtar për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar?

Gjatë një konferencë shkencore të Mërkurën, 2 Gusht 2020, në kujtim të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri thirrje për vlerësimin e figurave kombëtare, “pavarësisht dritëhijeve që mund të kenë”, tha presidenti.  Uroj që thirrja e Z. Meta të merret seriozisht dhe që lista e vlerësimit të figurave kombëtare të jetë pak më e gjatë se Ahmet Zogu dhe Avni Rrustemi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PYETJE PËR AKADEMINË E SHKENCAVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT