• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

ÇLIRIMI APO PUSHTIMI I IBALLËS?

March 22, 2021 by dgreca

“Është më mirë t’i meritoni nderet dhe të mos i gezoni ato, se sa t’i gezoni dhe të mos i meritoni”(Mark TUEN)

Nga: Gjelosh NIKOLLA/
____________

Sipas artit ushtarak tokë e pushtuar quhet vetëm atëherë kur e shkel këmba e ushtarit. Ç’farë do lloj ushtrie që kalon në një vend pa u ndalur por e përdor atë si rrugë kalimi në këtë rast nuk mund të quhet pushtim. Historikisht zona e Iballes ka njohur vetëm 2 (dy) pushtime, atë Romak dhe atë komunist, këtë të fundit vetëm fizikisht por kurrë shpirtrisht. Ekspedita ndeshkimore kundër krahinës së Iballës, më vrasje të popullsisë së pafajshme, me djegje shtepish, me dhunime e përdhunime si dhe me grabitje të pasurive, janë ndërmarë shumë shpesh, sidomos në përiudhën e pushtimit turk. Por në këtë krahinë ata nuk kanë arritur të qendrojnë dhe përseri këto ekspedita nuk mund të konsiderohen si pushtim. Në rrugët e krahinës së Iballës kanë kaluar si ushtar këmbësorë të pushtuesve. Në krahun e djathtë të fshatit Mërtur, sipër fshatit Aprripë e Gurit rranxë Gurit të”Qllumit Merturit”që është rreth 1 (një) orë për të arritur aty ku ndodhen shkronjat (shkrojlat) të duket si e pa besueshme që këto janë shkronja turke sepse në krahinën e Iballës nuk është vendosur kurrë ndonjë garnizon turk por ka një të vertetë tjetër se aty gjendën mbeturina të trojeve shumë të vjetra prandaj për ti saktësuar duhet hulumtim me specialist të fushës përkatëse sepse ato shkronja duhet të jenë Ilire, Bizantine shumë më pak Turke. Në krahinën e Iballës për mikun shtrohej sofra e bukës kurse për armikun pushtues shtrohej vetëm sofra e barutit. Ekspedita ndeshkimore në zonën e Iballës kanë organizuar dhe forcat partizane, të quajtura “Repartet e Ndjekjës” kundër të ashtu quajturve kriminelë, sepse ata ishin kundër ideologjisë komuniste por duke e keq përdorur pushtetin komunist të vëndosur tashmë me forcën e armës, ndaj tyrë dhe familjeve të tyrë. Duke lexuar, rilexuar, studiuar dhe nënvizuar të njëjtin shkrim, botuar në 2 (dy) gazeta, tek “Gazeta e Alpeve” me datën 15/31 dhjetor me titull “Veterani Man Avdi Arifaj tregon për Iballën”, faqe 22 dhe tek “Gazeta Veterani” me titull “Si u arrit çlirimi i Iballës 76 vjet më parë” (Sipas referimit të veteranit nga Iballa e Pukës, Man Avdi Arifaj) dhjetor 2020 faqe 8, 9., nga Xhemal Meçi, “Mjeshtër i Madh”, Pukë. Më datën 1 (një) nëntor 1944 (Natën e të Shumve festë e 90% e popullit) në orët e mbas ditës, në fshatin Iballë në hyrje të saj, nga jugu erdhi Brig.e 6-të sulmuese me komisar Haki Toska dhe jo me datën 4 nëntor. Situata ishte tepër e veshtirë për banoret e këtij fshati sepse vetëm një pushkë po të kërciste tek ky katund, ai do të shkretohej nën pretekstin se janë fshatarët e Kol Bibë Mirakës prandaj ishte përgaditur hyrja e 3 (tre) brigatave. Brigata e 22-të sulmuese nga Kryeziu dhe një brigatë tjetër e quajtur “Çeta Bajram Curri” që do të vinte nga Tropoja. Duke parë situatën e rrezikshme që po i kanosej Iballës, dy burra trima e të zgjuar Stak Pjetër Pemati dhe Mehmet Ramë Hyseni mblodhën popullin e Iballës në qendër të fshatit dhe këta 2 (dy) patriotë morën me vete dhe një grup burrash të tjerë dhe i dolën përpara briga. 6-të, ku u takuan me komandant Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska. Kur u ftuan që të hynin në Iballë, Haki Toska i pyeti si do të hyjmë në Iballë? Këta ju përgjigjën me ne! Prandaj kemi ardhë që t’ju shoqerojmë. Përseri Haki Toska ju tha kjo është Iballa e Kolë Bibë Mirakës si do të hyjmë? Këta 2 (dy) burra të zgjuar dhe patriot trima ju përgjigjën: ”Iballja është e Iballasve dhe jo e Kolë Bibë Mirakës. Ai ka tokën dhe shtëpinë e vet”. Pas këtij muhabeti, këta 2 (dy) burra, duke futur në mes komandantin dhe komisarin hynë në Iballë ku gjetën popullin të mbledhur. 
Populli duartrokiti, duke ju uruar mirëseardhjen, kurse partizanët zbrazën armët, se u çlirua Iballa. Mbas ketij takimi partizanët i ftuan nëpër shtëpitë e tyre musafirët partizan, sipas traditës të popullit të Iballës. Ky qe një çlirim imagjinar (kështu bënim çlirimin imagjinar kur ishim në shkollën e mesme, me rastin e festave të nëntorit). Ju lutëm më thoni nga kush u çlirua Iballa, në një kohë që aty as nuk ka pasur as nuk pati gjermanë, as Italianë, as serbë, as grekë dhe asnjë lloj këmbe ushtari armik? Kryetari i parë i “Këshillit Nacional Çlirimtar” u vendos Stak Pjetër Pemati, me pëlqimin e popullit.
Nuk e kuptoj për se mohohet aktiviteti patriotik i këtyre 2 (dy) burrave, Mehmet Hysenit dhe Stakë Pematit. Prap do vijojmë ti quajmë kulak, të përndjekur politik dhe të deklasuar ata. 
Dua të theksoj se Gjokë Nikolla (baba im) nuk ka qënë më këtë grup, që i dolën përpara brigadës 6-të sulmuese dhe për të mos përmendur emra të tjerë, ky grup nuk është i sakt nga shkruesi i shkrimit. 
Duke lexuar “Kujtime për Iballën”, të Komisar Haki Toskës 1944 (arkiv i K. P. Pukë, 19 shtator 1984). i lënë me shkrim dore, ky që disponojmë është i shtypur më makinë shkrimi marë në Komitetin e Partisë Pukë, i tjetërsuar, i deformuar duke mohuar të vertetat e të ashtuquajturit çlirim i Iballës. Duhet të sqarojmë se në Iballë dhe në krahinën e saj nuk arriti kurrë të formohet dhe të organizohet një celulë komuniste e deklaruar. 
I ngarkuar nga Sekertariati i Qarkut të Shkodrës për këtë ishte Zef Gashi. Ai arriti të merrte si bashkëpunëtor Zef Nikollën (ku dhe strehohej) si dhe Lekë Berishën të cilët më vonë e pësuan më jetë nga pabesia komuniste, sidomos Lekë Berisha. Haki Toska atë natë u strehua në shtepinë e Zef Nikollës, ku gjeti Zef Gashin. Pak më vonë dëgjohet një zhurmë jashtë. I kishin vënë zjarrin shtëpisë së Kolë Bibë Mirakës. Në këtë moment jep urdher Haki Toska, që të shuhët zjarri dhe ashtu u bë. Ai porositi që mos të digjën, sepse na duhet për spital për të plagosurit dhe në të vërtetë për këtë qellim u përdor ku sherbeu si doktor Prof. Fejzi Hoxha. Me partizanët e Brig. se 6-të u bashkuan Hamez Mehmet Hyseni, dy vllezërit (xhaxhallarët e mij) Ndue Nikolla e Tomë Nikolla (Rapsodi popullor, fitues i Medaljës së Artë në Moskë, në vitin 1957) dhe Prend Qun Nika i Kopratit kurse me Brig.e 22-të inkuadrohet Zmal Mehmet Hyseni (vëllaj i Hamzës). Hamez Hyseni dhe Ndue Nikolla shkuan me brigadën e 6-të deri në Sanxhak, kurse Tomë Nikollën e kthejnë në Kukës për moshën e re 17 vjeçare (lindur më, 26 shtator 1927). 
Këta janë partizanët e parë të Iballës, kurse Mark Zefi ngarkohet nga Komanda e Brig. 6-të për të dërguar postën e komandës partizane në Qaf-Mali ku ndodhej Pjetër Kosta. Pasaktësira dhe shtrëmbërime të vertetës nga autori i shkrimit kemi të përsëritura herë pas herë. Duke biseduar dhe u konsultuar për shumë ngjarje historike në krahinën e Iballës me një nga shokët e mij më të mirë me të ndjerin Beqir Arifaj, sidomos për librin e tij monografik me titullin “Man Avdi Arifaj”, përgaditur për botim, por i pa botuar. Nuk e cilëson as edhe një herë që baba i tij të ketë qënë veteran dhe ai nuk pati kurrë dokumentin e veteranit. Mani ka qënë nënpunës në Komitetin Ekzekutiv në Seksionin e Financës, ku ka dhënë dorëheqje, por nuk është larguar nga puna. Temë që Beqiri ja ka kundërshtuar edhe herë të tjera Xhemal Meçit. Man Avdia nuk mund të quhet “Intelektual Popuullor” sepse ai nuk kishte mbaruar ndonjë fakultet, por në të vertetë Mani qe një burrë i zgjuar, i sinqertë, fjala e tij zinte vënd në kuvend me burrat. Mani nuk bërri kurrë dallime mes komuniteteve përkundrazi respektonte më shumë kumaret e tij. Sofra e bukës e shtëpisë së Man Arifajt mirëpriste dhe respektonte kumarët katolik. Tek vllezërit katolik, sofra e tyre shtrohet edhe për vllezërit musliman, festat i kemi të përbashkëta. Ju siguroj se në monografinë “Man Avdi Arifaj” nuk ka asnjë fjalë të shkruar për sa më sipër, të thënë nga Xhemal Meçi. Këto që thamë më sipër i vërteton dhe vëllaj i të ndjerit Beqir Arifaj (A. A.). Pas vdekjes së Beqirit, botohet shkrimi në 2 (dy) gazetat e sipër përmendura. Ky veprim e ka emrin pabesi.
Si ka mundësi që të quhen aktivist të Levizjes Nacional Çlirimtare (LANÇ). përsonat me moshë 8, 10 dhe 14 vjeç, të cilëve nuk dua që tua përmendi emrat, vetëm për etikë. Në Iballë nuk u formua kurrë Celulë Komuniste, çlirimi imagjinar i Iballës vendosi pushtetin dhe kështu ata nuk mund të quhen aktivist të luftës, por familjet e tyrë bashkëpunuan me rregjimin, kurse këta akoma ishin femijë, as adoleshënt jo. 
Në- një intervistë të marrë nga K. P. pas arrdhës i familjës se Stakë Pematit, më tregon së deri në vitin 1948, sipas traditës zakonore famujt së bashku më nënën e tyre të shkonin tek shtëpia e kumarës që i kishte marrë flokët dhe ata qëndronin në këtë familje si tek vëllaj vetë, ndoshta një javë ose më tepër. Pra jo që kishte mundësi, por dhe detyrim që famulli i tyre Xhemal Meçi ti shkruante pak rrjeshta për këtë familje pas viteve ‘90. Kjo e ka emrin mohim i vlerave të kesaj familjeje dhe më gjerë, ose më mirë bukë shkelës.
Nuk flitet për dekoratat e Hamëz M. Hysenit nëntoger, oficer në rezervë me dokumentin Nr. 004834. 1 (medalje trimrie) dhe 1 (një) të çlirimit me Nr.13162, Tiranë, me 9 korrik 1946. Medaljen e Trimerisë ”Çertefikatë” Nr. 4849, me 6 dhjetor 1946. Librezë e Veteranit, Nr. i Vendimit 11 dhe Nr. Regj. Themeltar 60/50. 
Ndue Nikolla, Çertëfikatë “Dekoruar me Medaljen e Çlirimit”, më dokument Nr. 26010. Tiranë, me 4. 6. 1946. Këto dokumenta disponohen nga familjaret si relike, pushteti komunist ua akordoj, por nuk ua konsideroi. Tomë Nikolla, Çertifikatë “Për kontributin e dhënë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”. Në kujtim të 50-vjetorit të festimit të çlirimit të Atdheut, akorduar nga Presidenti i Republikës Prof. Dr. Sali Berisha. Ali Bytyçi nuk pati asnjë lloj funksioni dhe kotributi në çlirimin e Iballës, ai qe vetëm udhërrefyes i Brigadës 6-të. “Komunistët e rinj” ishin të pa besueshëm, gjë që do ta shofim më poshtë. Në ditët në vazhdim, filloj diktatura dhe krimi komunist ndaj popullit paqëdashës të Iballës. Në oborrin e shtepisë së Zef Nikollës ku ishte vendos komanda e brigadës 6-të, mblidheshin partizanët dhe fillonte kënga labçe, me zërin e tyre në maksimum, me iso, shoqëruar me klarinetë, fizarmonikë, tupan, lodër e tjera vegla muzikore (dhe keto në volumin maksimal) me qëllim që të mos ndigjohen të bërtiturat, që shkaktonin torturat brënda shtëpisë, nga xhelatet komunist. 
Xhemë Prendin e Poravit e torturuan kaq shumë fizikisht sa që i keputën muskulin e kërcirit të kembës dhe ai nuk mund të shkonte në shtepinë e tij, në fshat, futet dhe kerkon ndihmë në shtepinë e Gjokë Nikollës (babaj im). Muskuli i kërcirit ishte i varur poshtë dhe ky burrë i pa mposhtur e këputi muskulin dhe ja hodhi macës duke i thënë merre se është pjesa e jote. Mbasi mbaroj lufta brigadat partizane u kthyen në struktura të tjera, ku spikatën famëkëqiat “Repartet e ndjekjes”. Këtyre reparteve u parapriu krijimi i Brigadës së 25 sulmuese, me 6 nendor 1944, me qëllimin e vetem për të luftuar reaksionin e mbreshëm, me komandant Niman Doçi dhe komisar Nuri Arapi. Drejtuesit e komandës dhe strukturat e saj në Iballe sajuan dhe krijuan shumë armiq të popullit duke i cilësuar “kulak”, të “deklasuar” e të tjerë tituj ofendues. Pushkatohet Ali Marku lindur në Iballë të Pukës, më 11 korrik 1880, i vrarë pa gjygj për motive politike, me 3 shtator 1946. (Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, vol.V, gërma L-M, Tiranë, 2016, fq. 218). 
B.Z.Selimi kapter nga Qerreti më repartet e ndjekjës binte në sy i cili thoshte “pushkatoni Iballasit se janë Iballasit e Kolë Bibë Mirakës”. Këtij kapterit i mbahej goja (ishte gagaç) dhe thoshte puckatoni jo pushkatoni. Komunistët u treguan të pabesë, jo vetëm ndaj 2 (dy) burrave që kryen aktin patriotik dhe shpëtuan një popull pa u masakruar, duke i cilësuar kulak ndaj popullit patriot, bujar dhe paqëdashës të Iballës, por dhe ndaj vetë anëtarve të partisë se saj. Krahina e Iballës quhej “zonë reaksionare thellësisht armiqësore” por vetë Lekë Berisha vinte nga kjo zonë. Është koha kur në drejtimin e lartë të partisë, fillon ajo që Enver Hoxha e quante: ”intrigë shumë e rrezikshme, që kishte për qëllim dobësimin e organizatës së partisë të rrethit të Pukës, krijimin në atë organizatë të dy tarafeve: komunistë të vjetër dhe të rinj. Krijimin e pikëpamjes se “komunistët e vjetër janë më të besueshëm dhe të pa gabueshëm, kurse të rinjtë më pak besnikë, bile dhe të dyshimtë”’. (Letër e sekretarit të përgjithshëm Enver Hoxha, drejtuar gjithë Komiteteve të Partisë, 26 janar 1952).
Njëri nga më të dyshuarit ishte Lekë Berisha. Bazuar në akuza të sajuara, ata arrijnë që Lekë Berisha të kthehet nga anëtar në kandidat partije dhe çeshtja e tij të kalohej, siç quhej asaj kohe, për revizionim (riedukim). Pikërisht në këtë kohë, ndodhi dhe vrasja e tij, një vrasje e organizuar nga Sigurimi i Shtetit për disa qëllime themelore të tilla si:
1. Saktësimi se në Iballe nuk mund të gjeje njerëz të besuar dhe se zona duhet goditur. 
2. Lekë Berisha dhe sekretari i parë Zenel Islami ishin miq të ngushtë me njeri tjetrin. Kjo edhe nga jeta e tyre pasi që të dy ishin rritur jetimë dhe nuk kishin vëllezër, duke e gjetur vëllazërinë tek njëri tjetri dhe një grup të rinj drejtues të zonës. 
3. Synim për të bërë të gjithë të rinjët, djemtë e atyre trevave të pabesueshë dhe të dënueshëm.
4. Duke krijuar një legjendë të rreme për Lekë Berishën, si një njeri që kishte dashur të bënte aksione vrasëse ndaj shokëve kryesor, do të vihej tek akuzimi se mbështetja ndaj tij dhe zonës së Iballës kishte qënë jo vetë e gabuar por dhe dyshimtë. 
5. Sigurimi i Shtetit do të vendosej edhe një herë mbi organizatën e partisë ashtu si dhe do të ndodhte herë pas here. 
Ngjarja e Lekë Berishës, por dhe vrasjet e ndodhura në Iballë nuk kaluan pa pasoja të rënda në psikozën dhe jetën e banorëve të rrethit të Pukës. Duke u nisur nga kjo dhe qëndrimet e sigurimit të shtetit, sekretari i pare i Komitetit të Partisë së rrethit Pukës Zenel Islami i drejtohet Komitetit Qëndror të Partisë me 2 (dy) letra. Letra e parë: “Për mbytjen e Lekë Berishës nga ana e sigurimit të shtetit. (Komitetit Qëndror të Partisë së Punës Shipipërisë)…Shokët e sigurimit pretendojnë se nuk ka qënë porositë Gjini ta mbytë Lekën por ta rrihtë, vetëm se ai gjoja ka dashtë e ka mbytë. Ketë çeshtje e ka marrë vesh dhe populli, pse N/ Shefi i Mbrendshëm shoku Veliko Xhaferi në mbledhëjen e popullit duke qënë i prekur pse se kishte vënë ndijeni N/ Shefi për çeshtjën e Lekës, ai i tha hapur se Lekë Berisha është mbytur nga intrigat e sigurimit. Kaq për dijeni.” Për Komitetin e P. P. Rrethit, Zenel Islami. Në letrën e dytë për Komitetin Qëndror të P. P. Shipërisë. … Nga ana tjetër dyshohet se mbrëmjën kur është mbyt Leka duhet të ketë qënë dhe ndihma e Xhevdet Milotit, për faktin se në kohën kur u mbyt Leka, ky i fundit ka thërrit “Me nxore në pritë Xhevdet Miloti”. E vejmë në dijëni Komitetin Central. Për Komitetin e Partisë Elbasan, Zenel Islami. (Gazeta “Dita”, “ Dy Letrat që vranë Lulin e Vocërr” e diel 10 korrik 2016, fq. 2-3). 
Shteti komunist, si festë kombëtare vendosi 29 nëntorin, ditën kur sipas tyre u largua ushtatari i fundit gjerman nga Shkodra kurse në Pukë festa e rrethit u vendos më 20 tetor 1944. “Lufta e Rrapës” që festa e rrethit duhej të vendosej më 1 (një) nentor, sepse armiku i fundit imagjinar u largua nga Iballa. Ky ishte çlirimi, që i solli popullit të Iballës përqafimi i ideologjisë komuniste nga komunisti Ali Bytyçi, luftën e klasave, cilësimin kulak, torturat, rrahjet, internimet, burgosjet dhe pushkatimet pa gjygj. Prandaj Xhemal Meçi e promovon si shpëtimtarin e popullit të Iballës. Ju lutëm, sot ka ikur koha shkrimeve provokative, deformuese, shtrembëruese, mohuese të së vërtetës, sepse keq informojmë brezat që vijnë. Është e pa pranueshme të fyejmë popullin duke promovuar ata përfaqësues të rregjimit që i mori lirinë dhe e vrau shpirtrisht këtë popull. Ai që të vret shpirtrisht, ai të ka vrarë gjithë çka.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çlirimi, Gjelosh Nikolla, pushtimi I Iballes

Konstituohet Kuvendi i Ri i Kosovës, Glauk Konjufca Kryeparlamentar

March 22, 2021 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021, i legjislaturës së  tetë në liri e të pestës në pavarësi,  sot mbajti seancën konstituive, Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh Kryeparlamentar dhe nga Kryeparlamentarja e derisotme Vjosa Osmani e mori edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së Presdentit të Kosovës/

-Kuvendi i Kosovës do mblidhet përsëri në një seancë tjetër për të zgjedhur Qeverinë e re me Kryeministër Albin Kurtin – liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila parti fituese e zgjedhjeve për Presidente të Kosovës ka nominuar Vjosa Osmanin dhe edhe për këtë pritet të votohet në një seancë plenare të Kuvendit/

-Të dielen e 14 Shkurtit 2021 Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme/

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001/

-Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007,  ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 22 Mars 2021/ Deputeti Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje është zgjedhur sot Kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës dhe nga Kryeparlamentarja e derisotme Vjosa Osmani e mori edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së Presdentit të Kosovës. 

Kuvendi i Kosovës do mblidhet përsëri në një seancë tjetër për të zgjedhur Qeverinë e re me Kryeministër Albin Kurtin – liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila parti fituese e zgjedhjeve për Presidente të Kosovës ka nominuar Vjosa Osmanin dhe edhe për këtë pritet të votohet në një seancë plenare të Kuvendit.

Zhvilloi sot seancën konstituive Kuvendi i Kosovës  me gjithësej 120 deputetë i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021 i legjislaturës së  tetë në liri nga qershori 1999 e të pestës në pavarësi nga 17 Shkurti 2008.

Pikë e parë e axhendës ishte formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive u përmbyll me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. 

Në sallën e seancës plenare, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar – Lëvizja Vetëvendosje është ulur në qendër, grupi i dytë me radhë – Partia Demokratike e Kosovës në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë – Lidhja Demokratike e Kosovës në anën e majtë të kryesuesit. 

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u kryesua nga deputeti në i vjetër Avni Dehari i Lëvizjes Vetevendosje dhe deputetja më e re Adelina Grainca e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca pasi u zgjodh me 69 vota pro, 33 kundër e asnjë abstenim, në deklaratën e parë nga ulësja e kryeparlamentarit u shpreh: 

“Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nderë, me përgjegjësi dhe me përkushtim. Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo të asaj partie. Për mua si Kryetar i Kuvendit do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës, sepse kështu jemi. Përmbi të gjitha, të gjithë së bashku dhe në emër tuajin po i falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës meqë pa votuar ata as ne nuk do mund të vinim këtu, e bile as nuk do të mund të votonim sot. Na priftë e mbara në punët që na presin  dhe me këtë raste po e shpalli të mbyllur këtë seancë themeluese të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. Kurse për seancën e zgjedhjes së Qeverisë do t’ju lajmërojmë me kohë”.

Nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga tre partitë më të mëdha jënë zgjedhur me 107 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim Saranda Bogujevci nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nga komunitetet pakicë nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës u zgjodhën përfaqësuesi i serbëve Slavko Simiç i Listës Serbe dhe Bekim Arifi nga komunitetetet tjera pakicë.

Kosova në Vitin e Ri 2021 shkoi në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit 2019.

Në 2020-tën Qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt 2020 u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e Qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.335 vota  – 50,280 përqind  – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh,  e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Nga votimet në zgjedhjet e Kosovës të 14 Shkurtit 2021 janë edhe këto rezultate përfundimtare të certifikuara:

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 17,009 përqind – 148.285 vota e 19 deputetë.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,731 përqind – 110.985 vota e  15 deputetë.

E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,124% përqind – 62.111 vota e 8 deputetë.

Me vendet e garantuara me Kushtetutën e Kosovës serbët kanë 10 deputetë dhe komunitetet tjera pakicë poashtu 10 deputetë.

Nisma Soacialdemokrate me 2,523 përqind – 21.997 vota  dhe parti të tjera shqiptare nuk e kanë kaluar pragun prej 5 përqind dhe nuk do jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.

Në Vitin e Ri 2021 Kosova shkoi në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

 Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

 Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

 Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

 Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

 Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,851,927, pjesëmarrja në zgjedhje 48.78% – numri i pranuar i fletëvotimeve të vlefshme 877,503.

 Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.

 Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Konstituimi I Kuvendit, Kosove

Dhe si ka mu ba Shqypnia?

March 22, 2021 by dgreca

Nga Silvana BEGAJ/

Dhe si ka mu ba Shqypnia/

Ku në të njëjtën rrugë ecin/

Krah për krah/

Dija e padija/

E kur në një tra me /

Sokëllima/

Jetojnë sëbashku vrasësi e viktima (At Gjergj Fishta)/

E për këtë vras mendjen: Po për zgjedhje kë të zgjedh?

Të zgjedh ata që shkatërruan mjekësinë apo ata që ndihmuan sistematikisht për rrënimin përfundimtar të saj ?

Kampiona! Kampiona sportesh, batutash, tavolinash, propagande, por vetëm kampion shteti nuk prodhon kjo e mjera Shqypni.

Kampiona ku i keni mjekët? Ata që keni lënë aty iu jepni titullin heronj pa municion. Unë e di se ju nuk keni luftuar kurrë si burrat prandaj nuk e dini se në cdo luftë qoftë dhe me natyrën e me sëmundjet , profesionistët kanë nevojë per staf e municione (ilace).

E dashur turmë e sëmurë nga adhurimi agresiv, i pakontrolluar dhe i pabazë ndaj kampionëve tuaj! Ju prodhoni vec zbrazëti, neveri dhe ndihmoni duke qënë pjesmarrës aktiv në shkatërrim. Punë militantësh dhe idhujsh!

Por askush nuk do të dëgjoj të vërtetën kur ajo nuk i prek aty, personalisht dhe në mënyrë direkte. Epo, mua nuk me ndalon njëri të them të vërtetën duke qeshur e aq më pak duke ulëritur!

Kampiona! Nuk duam kaq shumë rrugë kur nuk kemi ambulanca të mjaftueshme të na gjenden se në ditët e sotshme na ngelen rrugët bosh.

Po si dreqin ka mu ba Shqypnia? Aty ku nuk jeton vetëm krahë për krahë dija dhe padija…

Por ju, kampiona , nuk keni mungesa. Turqia është as 40 minuta larg nga ju se ju keni eliksirin e jetës : Paratë!

Me to mund të blini, ashtu si blini, gjithcka. Madje dhe blini pikërisht të njëjtën turm e cila mund të ketë humbur njerëz të dashur nga shkatërrimi i mjekësisë që keni bërë Ju!

Jeni vërtet kampiona sepse vërtetoni dhe pranoni në cdo lloj forme që shkaktarët jeni Ju dhe ky sinqeritet vlerësohet duke bërë turmën që më shumë të dashurohet…. Sindromë Stockholmi…

Rousseau thotë: Demokracia është atje ku askush nuk është aq i pasur sa të blejë dikë dhe askush aq i varfër sa të shitet. Por mjerimi, vllai im, mjerimi të bën të shesësh dhe shpirtin edhe pse ti mund ta quash Demokraci apo anasjelltas.

Mos shikoni ne hava me kokën nga qielli, por shikoni ndonjëherë dhe poshtë ku po shkelni.

Një gur i vogël , i parëndësishëm, deri diku i pa vënë re nga servilët tuaj, të cilët kanë shtruar me kujdes asfaltin e gënjeshtërt mund tju rrëzoj! Gur rezistent që përmban të gjitha dëshirat dhe shpresat e fshehura madje dhe të turmës suaj servile.

Prandaj po ju pyes : Po për zgjedhje kë të zgjedh? Dua ta di sot që ti kthej përgjigje Fishtës: Si ka mu ba Shqypnia? E mos harroni të më thoni: Ku i keni mjekët?

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhe si ka me u ba Shqypnia, Silvana Begaj

DIELLI ME “SHQIPONJAT E MENDAFSHTA” NË NJË TAKIM ME VEPRIMTARË TË SHQUAR NË BARI DHE PUGLIA TË ITALISË

March 22, 2021 by dgreca

Aurela Hasku presidente e shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta” në Bari të Italisë në një bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja, rrëfen për Diellin e Vatrës në New York, takimin me gra shqiptare të suksesshme në rajonin e Barit dhe Pulias si dhe aktivitetin e zhvilluar nga autoritet italianë në Bari të Italisë në përkujtim të 30 vjetorit të eksodit shqiptar drejtë Italisë. 

ZONJAT NË INTEGRIMIN E SHQIPTARËVE NE ITALI

Shoqata “Shqiponjat e mëndafshta” – “Le Aquile di Seta” organizoi një takim online me gra dhe vajza shqiptare me vëndbanim në Bari dhe Puglia të Italisë. Organizueset e takimit kishin si qëllim bashkimin e anëtarëve të Diasporës shqiptare si një mundësi për fuqizimin e mëtejshëm të femrës shqiptare dhe komunitetit shqiptar në Itali dhe kudo në botë. Shoqata “Shqiponjat e mëndafshta” ka në qëndër të aktivitetit të vet forcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe përkujtimi i këtyre dy datave ishte nje fill i artë për prezantimin e figurave femërore që kanë kontribuar për integrimin e shqiptarëve ne Itali.

VËSHTIRËSITË E HASURA PËR INTEGRIM NË NJË TOKË TË HUAJ

Covid 19 ka përkeqësuar situatën në mbarë botën dhe gratë janë shtresa që ka vuajtur dhe po vuan në mënyrë të ndjeshme, prandaj shoqatat dhe istitucionet duhet të marrin përsipër të krijojnë sa më shumë momente të tilla për një dialog të vazhdueshëm e kostruktiv. Tema kryesore e bashkebisedimit ishte roli i gruas në nje shoqëri paralele italo- shqiptare. Pjesëmarrëset sollën eksperiencat e tyre personale si dhe vështirësitë e hasura për integrim në një tokë të huaj. Shoqata “Shqiponjat e mëndafshta” kishte ftuar 6 gra që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën sociale, ekonomike e politike të Diasporës ne këto vitet e fundit. Ishte prezente Znj. Klodiana Çuka, Presidente e Integra Onlus, një nga shoqatat më aktive si në Itali dhe në Shqipëri. Znj. Cuka foli midis të tjerave dhe për një nga iniciativat e fundit që kanë ndërmarrë si shoqatë për të shpëtuar shkollën “Cor Jesu” në Shkodër, duke ftuar këdo që dëshiron të kontribuojë, të vizitojë faqen website të shoqatës për t’u njohur më nga afër me këto programe. Presidentja e Integra Onlus foli gjatë për rolin e shoqatave dhe të grave në një integrim sa më cilësor dhe gjithë përfshirës.

PIANISTJA AKSINJA XHOJA, ART DHE LOBBYING NË INTERES TË SHQIPËRISË

Ndërhyri gjithashtu dhe argëtoi të gjithë ata që për 2 orë rresht ndoqën me interes aktivitetin, artistja me famë botërore Aksinja Xhoja, pianiste dhe producer që gjatë periudhës së lockdown nuk ka ndalur aktivitetin e saj kulturor dhe lobbying në interes të Shqipërisë. Bija e artistit te madh Nikolin Xhoja, e ardhur në jug të Italisë prej gati 30 vitesh tashmë. Jeton afër Brindizit dhe tashmë është shumë e njohur nga publiku italian. Një tjetër artiste kënaqi shikuesit me artin e saj, violinistja Anila Bodini, që gjatë karrierës së vet ka bashkëpunuar me artistë me origjinë nga e gjithë bota, duke u ndalur pikërisht në forcën e artit për integrim e bashkim. Anila është me origjinë nga Elbasani, mbesa e Mustafa Bodini ( autori i këngëve të famshme popullore, si “Lule t’bukra ka Tirona”). 

DY MJEKE SHQIPTARE TË SUKSESSHME NË BARI TË ITALISË

Ndoqën ndërhyrjet e Zonjave dhe ishin protagoniste edhe doktoreshat Arianita Nebi dhe Ina Ali, të dyja mjeke në Bari, të cilat folën për situatën pandemike, për sakrificat e personelit mjekësor dhe për punën e palodhur në repart dhe në familje për t’u qëndruar pranë fëmijëve të tyre. U fol për vështirësitë që has një grua me profesion mjeke që ndërkohë duhet edhe të perkujdeset edhe për familjen. Nuk mungonte në këtë takim edhe Valentina Ndou, e cila është pedagoge në Universitetin e Salentos dhe gjithashtu është edhe aktive në kërkime shkencore të teknologjisë së fundit. Valentina Ndou është nga Shkodra me origjinë dhe prej vitesh është trasferuar familjarisht në Leçe, ku edhe ka përjetuar edhe eksperiencën politike duke qënë një nga të paktat gra shqiptare të zgjedhura në grupin bashkiak të Leces. Së fundmi, bashkëbisedimi dhe historia e Suor Roza Biba prekën zemrat dhe shpirtrat e të gjithë pjesëmarrësve të cilët patën rastin të njihen me punën e palodhur të Motrave dhe Kishës në mbështetjen e shtresave e personave më delikate. Një dëshmi me shumë vlerë ishte ajo e mediatores kulturore, Znj. Anila Cili, që me punën dhe rolin e saj ka mbështetur anëtarët e Diasporës në rrugën e gjatë e të veshtirë për t’u bërë faktor dominues në zhvillimin e Italisë.

GRAVTË DHE VAJZAT SHQIPTARE SHEMBULL PËR BREZAT E RINJ

Synimi kryesor i këtij takimi, i moderuar nga 2 prej anëtareve të “Shqiponjave të mëndafshta”, Aurela Hasku dhe Fabiola Ismaili, ishte shkëmbimi i eksperiencave të grave dhe vajzave që kanë hapur dhe kanë lehtësuar rrugën për brezat e rinj. Gjithashtu, në përfundim të të gjitha diskutimeve dhe dialogut të përbashkët, doli në pah rëndësia e aktiviteteve të tilla në të ardhmen në mënyrë që të mbushet boshllëku i krijuar nga situata aktuale. Sepse qëllimi i shoqates është që ajo të shërbejë si urë lidhëse për të bashkuar komunitetin këtu në rajon por edhe për të shërbyer si pikë referimi për lidhjet me Shqipërinë dhe Diasporen Shqiptare anembanë globit. Është vullneti i këtij gupi organizues që duan të tregojnë historinë e gruas shqiptare ndër vite dhe të vënë në pah vështirësitë e hasura dhe të përballuara gjithmonë me kurajo dhe dinjitet.

PËRKUJTIM NË 30-VJETORIN E EKSODID SHQIPTAR DREJTË ITALISË 

“Shqiponjave të mëndafshta” mori pjesë në përkujtimin e eksodit të 30 viteve më parë drejtë Italisë. Tre dekada më parë në bordin e anijeve të vjetra tregtare, por dhe të çdo lloji tjetër mjeti lundrues, me mijëra shqiptarë ia mbathnin nga Shqipëria e zhytur në një krizë të thellë ekonomike ku e kishte lënë regjimi 50-vjeçar i diktaturës komuniste. Në natën e 6 marsit 1991, anijet shqiptare “Tirana” e “Iliria” me rreth 6500 emigrantë mbërritën në tokën italiane e bllokohen nga kapiteneria e portit me urdhër të prefektit të Brindizit Antonio Barrel. Pas tyre mbërrin anija “Apollonia” e gjatë gjithë natës deri në mëngjesin e 7 marsit mijëra shqiptarë të tjerë të nisur nga porti i Vlorës e Durrësit, mbërritën në portin e Brindisit. Në orën 10.00 të mëngjesit të 7 marsit urdhërohet zbritja e tyre në tokë. Mediat lokale të kohës informojnë mbi një situatë dramatike, higjenike e humane. Mijëra shqiptarë të uritur e të pa veshur, mes të cilëve mjaft gra e fëmijë, kishin mbushur hapësirën e betonuar në portin e Brindisit. Mijëra të tjerë kishin mundur t’i shpëtonin mbikëqyrjes së forcave të rendit duke populluar rrugët e qytetit. Autoritetet lokale në Brindisi deklaruan pamjaftueshmërinë e forcave e mjeteve për të përballuar këtë eksod, duke kërkuar ndihmën e qeverisë, ndërhyrjen e ushtrisë e të mbrojtjes civile. Kryetari i Bashkisë së Brindizit Giuseppe Marchionna regjistron në mediat lokale radio e TV mesazhin:  “Shqiptarët e mbërritur në Brindisi kanë vetëm uri e ftohtë. Ndihmojini”. Brenda pak orësh kudo në qytet u ngritën pikat e ndihmës ndaj shqiptarëve ku grumbulloheshin ushqime e veshje. Rreth 36 shkolla në provincën e Brindisit u vunë në shërbim të strehimit të emigrantëve shqiptarë që i kishin kaluar këto netë në qiell të hapur, mbi bordurat e portit apo më fatlumët në vagonët e vjetër të trenave. Me urdhër të kryetarit të Bashkisë mensat e punonjësve kudo në qytet gatuan çdo ditë rreth 2000 racione më shumë në ndihmë të emigrantëve. Solidariteti i qytetarëve të Brindisit ndaj shqiptarëve qe i jashtëzakonshëm. Brenda dy ditësh numri i shqiptarëve përllogaritej rreth 25 mijë e vetëm pas tre javësh nisi shpërndarja e transportimi i tyre nga rajoni i Pulias në rajone e provinca të tjera italiane.  

Filed Under: Featured Tagged With: Aurela Hasku, Shqiponjat e Mendafshta, Sokol Paja

SHOTE GALICAT E KOSOVËS DHE NOSTALGJIKËT ENVERISTË

March 22, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Ditën e henë me 22 mars, në Prishtinë pritet të mblidhet parlamenti i ri i vendit, të formohet qeveria e re e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe parlamenti të votojë presidenten e të vendit, Vjosa Osmanin.  

Ajo që është venë re në zgjedhjet e fundit në Kosovë është numri i madh i femrave që janë bashkuar jetës politike si përfaqësuese në organet shtetërore dhe vendore të Kosovës, një fakt ky që sipas gazetës amerikane, Nju Jork Tajms, “shton shpresat për një barazi më të madhe në një vend që ende jeton pasojat e luftës kundër Serbisë.”   

Kur u njoftuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Prishtinë ato treguan se gratë kishin fituar më shumë vende në parlamentin e Kosovës se kurdoherë më parë – pothuaj 40% e votave të përgjithëshme. Njëra prej këtyre grave, shkruan gazeta Nju Jork Tajms e datës 6 mars, 2021, është 35-vjeçarja Saranda Bogujevci, e cila gjatë luftës ishte lenë për e vdekur në oborrin e një kojshije, në një grumbull trupash të vdekur, pas një masakre të forcave terroriste serbe që zhduku pothuaj gjithë fmiljen e Sarandës dhe e cila vet mori plagë në trupin e saj të vogël.  Gazeta amerikane e cilëson Saranda Bogujevcin si simbol të një qendrese të jashtzakonshme dhe pjesë të kësaj vale grashë të zgjedhura në parlamentin e ri të Republikës së Kosovës. 

Këto gra të zgjedhura në Kuvendin e ri të Republikës së Kosovës, shkruan gazeta e Nju Jorkut, i “kanë bindur votuesit se ato mund të përballen me Serbinë e cila refuzon gjithnjë të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe të përballen, njëkohësisht, me korrupsionin, kriminalitetin dhe me keq-qeverisjen, gjë që venitën shpresat e mëdha për një jetë më të mirë (që populli i Kosovës) kishte në fund të regjimit serb”.  

Nju Jork Tajms citon aktivistën e të drejtave të grave Nazlie Bala e cila shprehet se forca, guximi dhe vendosmëria e Saranda Bogujevcit e kanë bërë atë simbol të vuajtjeve dhe të shpresave të Kosovës: Ajo është një mbijetuese. Ajo është e fortë si guri. Ajo është e vërteta jonë.”

Pritet që në mbledhjen e parë të parlamentit të ri të Kosovës të zgjidhet Presidenti/ja i/e Kosovës.  Gazeta amerikan shkruan se Saranda Bogujevci do që në këtë detyrë — që është detyra më e lartë në vend — të zgjidhet një grua tjetër dhe një mbijetuese e luftës, 38-vjeçarja, Vjosa Osmani.  Siç dihet, në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Vjosa Osmani ka sigurar numrin më të madh të votave në dy dekadat e fundit, në Kosovë.  Në intervistën me Nju Jork Tajms, Vjosa Osmani u shpreh se kjo tregon se “Kosova jo vetëm është gati për një grua presidente, por edhe votoi për një”, megjith paragjykimet kundër grave dhe mentalitetit patriarkal shumë shekullor.  “Kjo më bëri të realizoj se kemi mundësi dhe se ajo (Vjosa Osmani) nuk po përpiqet për të siguruar vetëm pushtetin, por që ajo do të mbaj një qëndrim të fortë në mbrojtje të vet dhe të gjithë neve”, i tha gazetës amerikane Elife Krasniqi, antropologe dhe shkencëtare në Universitetin Graz të Vjenës.

Dihet se Kosova përballet me probleme të mëdha ekonomike, politike, me korrupsion, emigrim dhe shantazhe të vazhdueshme nga Serbia, kështuqë gratë ligjëvense që së shpejti do të fillojnë lunën në parlamentin e ri të Kosovës dhe në detyra të larta shtetërore dhe qeverisëse nuk do t’a kenë të lehtë.  Por kjo situatë është shpresëdhënse, ky brez i ri është premtues me fjalë dhe vepra. 

Në këtë ndërkohë edhe në Shqipëri po zhvillohet fushata për zgjedhjet parlamentare të muajit që vjen.  Shikoni ndryshimet katastrofale në dy fushatat e dy shteteve, por të një populli.  Në Republikën e Kosovës u bë një fushatë dhe u zhvilluan zgjedhje mjaft dinjitoze për problemet me rëndësi me të cilat përballet Kosova dhe për zgjidhjen e mundshme dhe më të mirë të tyre.  Ndërsa në Shqipëri — në mungesë të politikanëve të rinjë dhe sidomos në mungesë të ideve të reja për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria dhe Kombi shqiptar – forcat e errëta të kësaj fushate kanë vendosur që të mënjanojnë debatin mbi problemet e përditshëme të shqiptarëve duke hedhur në skenën politike individë nostalgjikë të një epoke edhe më të errët kombëtare për kohën e Enverit – si kandidatë për në parlamentin e ri shqiptar.  Nëqoftse këta individë dhe të tjerë si këta që shumë prej sish janë edhe sot në pushtet — pjellë e regjimit enverist ose në minimum nostalgjikë të atij sistemi me ide se, Enveri “kishte më shumë gjëra pozitive se sa negative”, ose të cilët arsyetojnë  sepse ashtu e thonte kushtetuta e diktaturës, ose që deklarohen se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” – fitojnë shumicën në parlamentin e ardhëshëm shqiptar, — atëherë vaj medet për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit. Ka njerëz që thonë se edhe nazi-fashizmi kishte anën e vet mirë, por në vendet e origjinës së tyre (Gjermani e Itali) kjo ideologji luftohet edhe sot me ligje. Për nga kriminaliteti nuk kishte shumë ndryshime nazi-fashizmi nga komunizmi. Sidomos shqiptarët e kanë pësuar keq nga komunizmi, të gjithë shqiuptarët pa dallim, pothuja nuk ka familje shqipotare anëe ,mbanë trojeve tona që nuk është prekur , nga komunizmi në një më nyzrë ose një tjetër, sit ha anë parlamentin shqiptar edhe Presiudentja e ardhëshme e FRepublikës së Kosovës, Vjosa Osmani. “Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur”. 

Duhet shikuar përpara dhe jo mbrapa për të ardhmen e vendit dhe të Kombit – me njerëz të ri dhe me ide të reja. Vlerësimi i regjimit komunist që nuk lejoi as fushatë as zgjedhje të lira për pothuaj një gjysësm shekulli — nga politikanë aktualë shqiptarë në pushtet ose nga disa që pretendojnë karrige për pushtet sot –nuk duhet të jetë pjesë e një fushate politike, por subjekt i historianëve të mirëfilltë dhe jo ideologjikë.  Se pse këta njerëz e ndjejnë si detyrë politike dhe morale të mbrojnë një regjim kriminal, si ai i Enver Hoxhës, është e pamundur të kuptohet sot 30 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Nëqoftse një shumicë e votuesve shqiptarë mendon si këta politikanë të sotëshëm, atëherë t’i gëzoni mbetjet e komunizmit që do ju qeverisin në një të ardhme të shkurtër dhe ndoshta edhe afatgjatë.  Për mua edhe besoj për shumë shqiptarë që shpresonim për një demokraci të vërtetë në Shqipërinë tonë të dashur, në fillim-çerekun e parë të shekullit 21, kjo situatë aktuale politike në Shqipëri na ka hedhur në një gjendje depresioni.   

Por nga natyra jam njeri optimist dhe në fund të këtyre rreshtave po i këthehem frymës optimiste dhe shpresëdhënse të dalë nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe rolit të udhëheqësve të rinjë e të reja dhe ideve të tyre për Kosovën dhe për mbarim Kombin.

Unë besoj se ka mundësi që zgjedhjet e fundit në Kosovë, të sinjalizojnë fillimin e një ndryshimi madhor të proceseve politike ndër shqiptarët. Kjo është shpresa ime, i bindur se në shpirtin e shqiptarit ekziston gjithnjë ajo cilësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar: Heroizmi përballë fateve të zeza, të shkaktuara nga të huajt e nganjëherë edhe nga të vetët, siç ishte përvoja e shekullit të kaluar. Jam i vetëdijshëm se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk do ta kenë të lehtë detyrën e tyre, por udhëheqësve të rinj politikë – të këtij brezi të ri politikanësh/politikanesh shqiptarë të Kosovës – iu urojmë sukses, në javët, muajt dhe vitet e ardhshme – ashtu që fitorja e tyre politike sot, të shënojë gjithashtu edhe fillimin e një fitoreje të madhe për të ardhmen e mbarë Kombit shqiptar dhe njëkohësisht edhe fillimin e një ndryshimi të madh ndër shqiptarët, të cilin e presim për më shumë se një shekull.  Jam i bindur gjithashtu se “teutat”, Vjosat, Sarandat, Vlorat, Donikat dhe shumë të tjera –janë “shotat” e sotëme që do bëjnë ndryshimin!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Shote Galica-Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT