• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

Rroftë Rama, rroftë mbreti!

April 3, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Jo, 110 milion euro dëm ekonomik, por sikur edhe Shqipërinë të djegi, nuk e arreston njeri Ramën. Mos mbani shpresa kot. Mos prisni të hapen dyert e SPAK-ut. Kjo nuk është një humbje e re. Ka gati dy vjet që gëlon lart e poshtë. Dhe veç Webeve gjoja të djathtë askush nga e majta nuk e komenton dëmin e ekonomik. Madje Webet e majta janë kapur me dremitjet e Lulit në një Rang Rover etj. Ose me faktin që Luli është Gjinoja dhe mbrapa tij qëndron Berisha apo Ilir Meta me Monikën. Dhe këmbëngulin kaq shumë, të çojnë sms me shumicë, se ata janë me të vërtetë nga pas. Këmbëngulin të mbushin mendjen se pas tij janë me të vërtetë ata kriminelët e Gërdecit dhe hajdutët e Thesarit etj. Por që ne naivët nuk duam të besojmë. Dhe se kur u thua, po mirë, përse nuk i denonconi në organet përkatëse apo arrestojini, si Berishën, si Metën e të tjerë, nuk të kthejnë përgjigje. Megjithatë këta janë çfarë janë dhe janë pikërisht këta që komandojnë Lulin. Në fakt dëmi ekonomik që Rama i ka shkaktuar vendit nuk është vetëm gjoba e këtij investitorit italian. Por është trefish a katërfish dhe kjo do të vërtetohej kollaj nëse do të kishim vërtetë një sistem drejtësie të pavarur. Por nuk e kemi. Dhe fakti që SPAK hesht e merret me kontenirët e bananeve dhe porositësin shqiptar një mësues pensionist, është propagandë e përkryer e specialistëve të nomeklaturës për të krijuar skenarë ku ta arrijnë e të zhvendosin vëmendjen e publikut nga dështimi real. Dhe kjo shkon për veshët e atyre që besojnë se, vërtetë ne kemi bërë reformë në drejtësi? Po të kishim bërë, sot në Shqipëri, nga dosja 339 nuk do të hetoheshin 21 komisonerë të Durrësit. Ku dy nga të cilët kanë ndërruar jetë, por Damian Gjiknuri. Madje duhej të ishte në burg, se u kap me telefon në vesh, me zë e me figurë si i thonë fjalës. Por e keni kandidat, e kemi kryetar reforme etj. Drejtësia Shqiptare e ”reformuar” nuk shikon asnjë dëm ekonomik, madje është shpifje e ndyrë sipas Ramës. Dhe shqiptarët urra, burra, Lul gjumashi, këlyshi i Berishës dhe i Metës. Uaaaa, mësues, 72 vjeç merret me tregtinë e drogës nga Ekuadori. Pra jo 110 milion euro dëm por Shqipërinë të djegi, ai prapë është në këmbë. Nuk i preket fije nga parruajtja e tij. Eshtë kalur Zotit. Dhe këtë të drejtë ia keni dhënë ju që tmerroheni nga ndryshimi. Tmerroheni ta zgjidhni presidentin nga populli, tmerroheni ta kushtëzoni mandatin e shtetarit etj. Tmerroheni të keni institucione të pavaruara etj. Tmerroheni të votojnë djemtë e vajzat tuaja nga janë e ku janë nëpër botë. Dhe rrihni gjoksin se jeni patriotë që e doni vendin dhe gjakun tuaj. Kësisoj mos u habisni kur të vij dita që Edi të shesi edhe Shqipërinë. Madje të bëj ndonjë referendum për shpalljen e tij mbret. Ju me qejf do ta votoni. Se e keni gjetur vegjën. Kë të votojmë thoni, Lulin që fle. Është fare e thjeshtë, votoni ndryshimin. Por kush e kupton. Kush gjykon kështu, rroftë Rama, rroftë mbreti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Rrofte Rama Mbret!

FESTIMI I PASHKËVE NË KOHËN E DIKTATURËS

April 3, 2021 by dgreca

NGA FILIP GURAZIU/

    Festa e ‘Pashkës’ për kristiant asht festa e ‘Ringjalljes’ së Jezusit, pra festa ma e randësishme dhe  e gëzueshme për besimtarët. Jezu Krishti i kryqzuem ndrroi jetë të “prenden e zezë” e mbas tri ditëve, pra të dielen u ringjall. Data e celebrimit të këtij evenimenti lidhet me kalendarin e bazuem në sistemin e muejit “lunar” e ndrron prej vjetit ne vjetë, por gjithmonë bjen në ditën e dielë. 

Emni i kësaj feste rrjedh prej emnit të festës ebraike ‘Pesach’ e citueme te Testamenti i  vjetër prej Moisiut, kur përshkruen lirimin e ebrejve prej sundimit të egjiptianve, e ka kuptimin e ‘kalimit përtej’, prej skllavnisë në liri. Në besimin  Kristian, asht marrë ky moment per me spjegue ‘kalimin përtej’ te Jezu Krishtit prej vdekjës njerëzore në ringjalljen shpirtnore qiellore të përjetshme që shoqnohet me simboliken e ‘purifikimit’ të mëkateve njerëzore drejt nji jete të dytë të vertetë  me “pasterti” shpirtnore.
    Qysh në kohët e lashta pagane, vêja  asht konsiderue prej popujve të ndryshem si simbol i jetës, si simbol i rilindjes së jetës. Në përiudhen  kristiane të Romës, për festen e ‘Pashkës’ vêtë filluen me u lye ( si shej gëzimi e bukurie) e faleshin si dhuratë ndër miq e të aferm për me i urue atyne shpresë për nji jetë ma të mirë e lumtuni. Kjo traditë popullore shoqnoi festen e ‘Pashkës’ deri në ditët tona.
    Në periudhen e diktaturës komuniste ishte reptësisht e ndalueme lyemja e vêve  si dhe dënohej si  propogandë armiqësore karshi parimeve ateiste komuniste. Por ky terror nuk mbrriti me ndalue  familjet e kristiane me ngjyrosë vêtë për festen e ‘Pashkës’, natyrisht kjo mbetej mbrenda nji rrethi të ngushtë familjar e miqësor. Në atë periudhë kishat ishin të mbylluna e feja ishte e ndalueme. Festa zhvillohej brenda mureve të shtëpisë. Simbas festës së ‘ringjalljes’ baheshin urime në mes njeni tjetrit për ringjalljen e shpresës për nji jetë të lirë në Shqipninë e sundueme prej diktaturës komuniste. Si çdo rast gëzimi, edhe festimi i ‘Pashkës’ përmblidhej në gatimin e ushqimeve të zgjedhuna, tradita  kërkonte gatimin e mishit të qingjit të pjekun të shoqnuem me venë, por në atë kohe vorfnie pak kush mund t’a realizonte kët lloj ushqimi. Para se me fillue dreka, nën drejtimin e ma të moshuemit, pjestarêt e familjes bajshin  lutje ‘Krishtit të ringjallun’ për nji jetë sa ma të mirë e përfundojshin tue ba kryq. Gëzimi ndahej  me të aferm e me miq, sipas mundsive ( në klandestinitet) baheshin vizita ndërmjet njeni tjetrit. Ishte traditë, nji lojë (të cilën e aplikojshin zakonisht fëmijtë)  e quejtun ” pikja e vêve “, ndesheshin dy vê, fituesi ishte ai që kishte vên ma të fortë. Lëvozhgat e vêve të ngjyrosuna hidheshin mshehtas në vendin e plehnave, ose groposeshin mbrenda oborrit të shtëpive, kuptohet prej frigës të urdhnit të partisë.
     Diktatura komuniste bante çmos që të prishte çdo iniciativë per me festue Pashkët e sajonte aktivitete masive pikërisht në ditën e dielë të ‘Pashkës’. Në prill të vitit 1979, ditën e ‘Pashkes’ drejtuesit komunist të Shkodrës vendosën me organizue aksionin masiv të popullsisë ne fshat për grumbullimin e shegave të egra  në malin pranë fushës së Torovices ! Aksion i pandigjuem, qesharak e absurd.! Kuptohej se kjo bahej vetëm per me pengue me çdo kusht festimin e ‘Pashkës’. 

   Pikërisht atë ditë nade në orën 7 e 20 minuta ndodhi termeti shkatrrimtar ( 1979) ku vdiqen rreth 48 persona nën gërmadhat e shtëpijave të rrenueme. Ky numer do të kishte qenë shumë herë ma i madh  nëqoftëse  populli nuk do të kishte shkue në aksion, por do të kishte qendrue në shtëpi. 

   Për besimtarët katolike kjo ishte nji shej i qartë i ndihmës së  Zotit, që i mbushi mendjen ‘ komunistave të pafe’ për me organizue aksionin pikërisht ditën e Pashkës’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Filip Guraziu, Packet ne Diktature

SEANCA E KUVENDIT PËR PRESIDENTIN E KOSOVËS VAZHDON NESËR

April 3, 2021 by dgreca

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme, dy kandidatë për President – pritet zgjedhja e Vjosa Osmanit

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 3 Prill 2021/ Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës, është pika e vetme e axhendës së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh, ku në votimin e fshehtë duhen së paku 80 vota pro në raundin e parë a të dytë e së paku 61 vota në raundin e tretë nga së paku 80 vota në kutinë e votimit. Seanca e ftuar sot për në orën 18:00 nisi në mbrëmje me afër dy orë vonesë me pjesëmarrjen fillimisht të 82 deputetëve – të  grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës e të komuniteteve pakicë, e ku në sallë në fillim të seancës nga Partia Demokratike e Kosovës  kanë hyrë vetëm dy deputetë Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza e nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vetëm një deputete – Albena Reshitaj. Ndërkohë nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca u njoftua se në sallën e seancës janë 84 deputetë.

Kandidatja e nominuar për Presidente të re të Kosovës Vjosa Osmani është deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021.

Gjatë historisë së zgjedhjeve në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Për t’i ndihmuar procesit demokratik kandidat i dytë për president është Nasuf Bejta, i  cili në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me 110 kandidatë  për deputetë ishte nën numrin 64 dhe mori 5 763  vota, të cilat ishin pak për ti siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi në 9 prill 2008, më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, e që ka hyrë në fuqi në 15 qershor të atij viti historik, rreth zgjedhjes së Presidentit përcakton:

“Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.”

Të gjithë, të pesë presidentët e Kosovës në 22 vitet e lirisë, duke nisur nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi janë zgjedhur me marrëveshje politike, koalicionesh, apo edhe me ndërhyrje ndërkombëtare.

Zgjedhje e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntorit 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë. Vonesa dhe humja e kohës kishte derisa  u arrit  marrëveshja dhe në 4 mars 2002, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet e zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit 2001: President i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova (LDK), kryeministër i Kosovës – Dr. Bajram Rexhepi (PDK).

Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për Liri e Pavarësi dhe i Kosovës së pasluftës në liri, Rugova, deklaronte: “Çdo ditë ne duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha e për të cilën lideri  historik Rugova ka folur menjëherë pas zgjedhjes President, pasi fillimisht urova zgjedhjen…

KRYESIA E KUVENDIT MBAJTI MBLEDHJEN E RADHËS

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u mblodh sot nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, për të shqyrtuar kërkesën e 41 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Pas diskutimeve, Kryesia konstatoi se kërkesa i plotëson kushtet formale-juridike, prandaj seanca e jashtëzakonshme, konform kërkesës, do të mbahet sot, më 3 prill 2021, në orën 18:00. 

SEANCA E KUVENDIT PËR PRESIDENTIN E KOSOVËS VAZHDON NESËR

PRISHTINË, 3 Prill 2021- Gazeta DIELLI/ Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës u ndërpre për të vijuar nesër, pasi sonte në raundin e parë të votimit të përsëritur në kuti të votimit nuk kishte të paktën 80 vota (kishte 78 dhe 79) dhe nuk mund as të kalohej në raund të dytë…

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, presidenti i Kosoves, Seanca per Presidenten

Pashkët, fillimi i një jete të re!

April 3, 2021 by dgreca

Vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët-Imzot Massafra uron nga spitali-/

Imzot Angelo Massafra nga rehabilitimi në spitalin “Miulli” ku gjendet tashmë pёr t’u shëruar nga Covid-19, i bashkohet festës sё Pashkëve me një mesazh.

Imzot Massafra shprehet në mesazhin e tij se tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. 

Ai thotë se Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re. Imzot Masafra bekon besimtarët dhe iu kërkon që të vazhdojnë lutjen tuaj për të dhe për të gjithë të sëmurët. 

MESAZHI I PLOTË
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjat tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme.

Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.

Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen.

Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë. Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do t’u kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);

– Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës;
– Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar;

– Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes. Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.

– Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);

– Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (…) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );

– Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b);

– Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1).

Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta!

*** 

Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, Imzot George Frendo mesazh: Mos lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri është hero…

“Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit”.

Me këtë mesazh për forcë dhe shpresë në këto kohëra të vështira që po jetojmë, Imzot George Frendo përcjell urimin e tij për të gjithë besimtarët katolikë të cilët kremtojnë Pashkët këtë të diel.

Teksa iu bën thirrje të rinjve të mos largohen nga Shqipëria Imzot George Frendo i fton ata të sillen si heronj duke qëndruar dhe ëndërruar për një Shqipëri më të mirë.

“T’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtarë. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: Jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshpërimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur”, ishte disa nga fjalët e Imzot George Frendo.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Masafra, Pashket

KUJTOJME JONUZ NDREUN

April 3, 2021 by dgreca

3 PRILL 2020- 2021- KUJTOJME VATRANIN SHEMBULLOR, NENTOGERIN E USHTRISE AMERIKANE,FISNIKUN E DIBRES- JONUZ NDREU/

Sot në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta, 3 Prill 2020, kujtojmë JONUZ NDREUN, vatranin shembullor, veteranin e ushtrisë amerikane, nipin heroit të Kombit Elez Isufi, të birin e qendrestarit antikomunist Cen Elezi!, 
Jonuz Cen Elezi u përcoll në kohë pandemie të Martën e 7 Prillit 2020, në orën 10 të paraditës, në Laurel Grove, në Totowa, New Jersey. Familja humbi njeriun e saj të dashur, Vatra humbi atdhetarin e përkushtuar, Ushtria ameriakne humbi nëntogerin e dekoruar për merita të veçanta.

I pa harruar Kujtimi i Jonuz Ndreut!

Filed Under: Opinion Tagged With: 1 Vit nga ndarja, Jonuz ndreun

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT